1930 – Lindi në Gjakovë Besim Bokshi, gjuhëtar, profesor e akademik. Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes ka marrë Shpërblimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 është anëtar i rregullt i kësaj akademie. Më 2002 u zgjodh nënkryetar i Akademisë.
1948 – Në Tokio, Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare për Lindjen e Largët dënon me vdekje shtatë zyrtarë ushtarakë dhe qeveritarë japonezë, përfshirë gjeneralin Hideki Tojo, për rolet e tyre në Luftën e Dytë Botërore. I njohur ndryshe dhe si Nurembergu i Japonisë, ky proçes gjyqësor, dëshmoi para syve të mbarë botës, shkallën e mizorisë që Ushtria Perandorake japoneze kishte ndërmarrë mbi vendit e pushtuara si Kinën, ose Korenë. Me dhjetëra gjyqe të tjera më të vogla do ta pasonin atë më vonë.
1958 – Një ekip alpinistësh të udhëhequr nga Warren Harding përfunduan ngjitjen e parë të The Nose të El Capitan në Luginën Yosemite. Rruga ku u ngjitën, e njohur si The Nose, ngjitet nga 880 m lart në pjesën e sipërme qendrore të asaj që është një nga monolitet më të mëdha të granitit në Botë. Harding u ngjit në shumë pjesë të tjera të Yosemite, gjithsej 28 si dhe në vargmalin e Sierra Nevada-s në California. Harding cilësohet si një nga alpinistët më të famshëm të shek XX.
1970 – Në Indi dhe Pakistan do të ndodhte një nga ciklonet më të fuqishme të rëna ndonjëherë jo vetëm në këto dy vende, por edhe në mbarë botën. Cikloni Bhola i vitit 1970 ishte një stuhi shkatërruese tropikale që goditi Pakistanin Lindor dhe Bengalin Perëndimor të Indisë. Ai mbetet cikloni më vdekjeprurës tropikal i regjistruar ndonjëherë. Të paktën 500,000 njerëz humbën jetën në këtë katastrofë, kryesisht si rezultat i rritjes së ujit, që përmbyti pjesën më të madhe të ishujve me lagje të ulëta të deltës së lumit Gang.
1980 – Lind në Ontario, aktori i famshëm hollivudian Ryan Gosling. Gosling, është një aktor dhe muzikant kanadez. Ai e filloi karrierën e tij si një aktor fëmijësh në Disney Mickey Mouse Club, dhe vazhdoi të shfaqej në programe të tjera argëtuese familjare, duke përfshirë dhe Goosebumps. Roli i tij i pare kinematografi ishte si një hebre neo-nazist në filmin The Believer. Ryan Gosling, vazhdoi të interpretonte në disa filma të pavarur, duke përfshirë Murder by Numbers, The Slaughter Rule, dhe në United States of Leland.
1982 – Në Bashkimin Sovjetik, Yuri Andropov bëhet Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, duke pasuar Leonid Brezhnev-in. Pas sundimit 18-vjeçar të Leonid Brezhnev, Andropov shërbeu në këtë post nga nëntori 1982 deri në vdekjen e tij në shkurt 1984.Gjatë kësaj periudhe BRSS-ja do të përjetonte një krizë të thellë politike, ekonomike, dhe sociale, si pasojë e shpenzimeve të mëdha në sektorin ushtarak.
1987 – Ndërroi jetë Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, arsimtar, përkthyes. Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht, pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli, mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe “Shqipëri’ e re”, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu. Verën e vitit 1924 Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Në maj të 1933 doktoroi me temën Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme. Pas pushtimit italian, qe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Vitet 1944-’47, ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974.
2003 – Treni Shanghai Transrapid përcakton një rekord të ri botëror të shpejtësisë. Ky rekord arriti në 500 kilometra në orë për sistemet hekurudhore komerciale. Ky tren, mbetet më i shpejti për automjetet hekurudhore tregtare të pa modifikuara. Gjatë këtij rekordi treni u pilotua nga Jonathan Teixeira. Kjo linjë komerciale, është e treta në botë pas asaj të Britanisë së Madhe, dhe Gjermanisë, që funksionon si tren maglev.