1917 – U lind në Adana, Musine Kokalari, një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit të XX. Më 1937 mbaroi Instituti Femëror “Nana Mbretneshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë Social-Demokrate. Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari. U arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983.
1938 – Lindi në Rugovë të Pejës, Azem Shkreli, një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Me krijimtari letrare u shfaq në vitet ’50 dhe me poezinë e tij vendosi kulme poetike në letërsinë shqipe. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë“, botuar më 1997.
1939 – Gjatë Luftës Civile Spanjolle, nacionalistët përfundojnë marrjen e tyre të Katalonjës dhe vulosin kufirin me Francën. Ushtria Nacionaliste filloi ofensivën më 23 dhjetor 1938 dhe pushtoi me shpejtësi Katalonjën e mbajtur nga republikanët me Barcelonën, kryeqytetin e Republikës nga tetori 1937. Kjo do të ishte faza finale e këtij konflikti të përgjakshëm civil 4 vjeçar.
1947 – Traktatet e Paqes në Paris janë nënshkruar nga Italia, Rumania, Hungaria, Bullgaria, Finlanda dhe Aleatët e Luftës së Dytë Botërore. Konferenca e Paqes në Paris zgjati nga 29 korrik deri më 15 tetor 1946.Traktatet lejuan fuqitë e mundura të Boshtit të rifitojnë përgjegjësitë e tyre si shtete sovrane në çështjet ndërkombëtare dhe të kualifikohen për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.
1950 – Lind në Modesto, Mark Spitz. Spitz, është një ish-notar konkurrues amerikan dhe kampion olimpik 10 herë. Ai fitoi shtatë medalje të arta në Lojërat Olimpike Verore të vitit 1972 në Munih, të gjitha në një rekord botëror. Kjo ishte një arritje që zgjati për 36 vjet derisa u tejkalua nga kolegu amerikan Michael Phelps, i cili fitoi tetë medalje ari në Lojërat Olimpike të vitit 2008 në Pekin.
1962 – Gjatë Luftës së Ftohtë, piloti i kapur i aeroplanit spiun amerikan U2, Gary Powers shkëmbehet me agjentin e kapur sovjetik Rudolf Abel. Bashkë me Powers-in, u shkëmbye edhe studenti amerikan Frederic Pryor. Shkëmbimi i famshëm u krye në orët e vona të natës, në urën kryesore të Berlinit Glienicke. Edhe sot e kësaj dite, për shkak të shkëmbimeve, kjo urë quhet “ura e spiunëve”.
1972 – Ras Al Khaimah bashkohet me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke përbërë aktualisht shtatë emiratet. Lideri i kësaj krahine Saqr bin Muhamed Al Qasimi, e bashkoi Ras Al Khaimah-in me Abu Dhabi zyrtar, për shkak se ndjente vazhdimisht një rrezik pushtimi të bregdetit nga ana e amerikanëve, rusëve, ose e fuqie tjetër ushtarake të Lindjes së Mesme. Formimi i Emirateve të Bashkuara Arabe, stabilizoi gjendjen në këtë rajon.
1996 – Super kompjuteri IBM, Deep Blue mposht për herë të parë Garry Kasparovin në shah. Ai u projektua, për të qenë sistemi i parë i lojërave kompjuterike që fiton një lojë shahu dhe një ndeshje shahu kundër një kampioni mbretërues botëror nën kontrollet e rregullta kohore. Kjo do të ishte një nga fitoret e rralla në botë të një aplikacioni elektronik kundër një lojtari shahu.
2005 – Vdes Arthur Miller, ishte një nga kolosët e letërsisë botërore të shekullit XX, i njohur si “ndërgjegjja e skenës amerikane”. Ai nuk shkroi thjesht drama, por bëri autopsinë e shoqërisë dhe të shpirtit njerëzor. Nga viti 1934, Milleri studioj publicistiken dhe gjuhen dhe literaturën angleze pranë Universitetit të Miçigenit. Krahas studimeve ai punojë ndër të tjera edhe si reporter dhe ndihmës në labor. Pas përfundimit të studimeve më 1938, Milleri shkroi pjesë për dëgjim dhe pjesë aktrimi. Më 1945 doli romani i tij Pika Kyçe i cili e bëri të njohur Millerin si tregimtar.




