1922 – Sulltani i fundit i Perandorisë Osmane, Mehmeti i VI abdikon nga froni i tij në Stamboll, duke i dhënë kështu fund de jure dhe de facto ekzistencës së kësaj Perandorie që prej 625 vjetësh. Vetë Mehmeti pas abdikimit nga froni dhe pas shpalljes së Turqisë Republikë Parlamentare nga Ataturku, do të emigronte në Sanremo të Italisë ku dhe do të vdiste 4 vjet më vonë.
1934 – Në Lausanne të Zvicrës lind Umbero Agnelli, Presidenti historik i FIAT-it dhe ekipit të futbollit Juventus. Revista amerikane Forbes do ta cilësonte si një nga biznesmenët më të pasur të Europës me një pasuri prej 6 miliardë dollarësh. Ai do të mbahet mënd për menaxhimin e suksesshëm të këtyre dy shoqërive aksionere të tij. Agnelli do të shuhej në moshën 69 vjeçare në Piedmont në vitin 2004.
1941 – Fotografi amerikan Ansel Adams fotografon ndriçimin e Hënës në qytetin e vogël amerikan të Hernandezit në New Mexico. Për nga vetë karakteristikat vizuale të saj, ajo do të etiketohej nga specialistët si një nga fotografitë më të vështira dhe më të jashtëzakonshme të shkrepura ndonjëherë. Kjo fotografi u riprodhua me printim mbi 1300 herë dhe u shit në vitin 1971 për 72.000 dollarë. Ajo u rishit sërisht në vitin 2006 në shifrën e 610.000 dollarëve.
1952 – Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, testojnë me sukses provën e parë bërthamore të Bombës me Hidrogjen të quajtur Ivy Mike. Me një fuqi goditëse prej 10.4 megatonësh, kërpudha e zjarrit që u formua do të shihej në atollin e ishujve Enewetak në Oqeanin Paqësor, me sy të lirë në një diametër prej 160 km nga vëndi i shpërthimit. Kjo do të ishte dhe një nga provat bërthamore më të fuqishme të SHBA-së, gjatë Luftës së Ftohtë.
1955 – Fillon zyrtarisht Lufta e Vietnamit, një konflikt i përgjakshëm i armatosur 20 vjeçar midis Vietnamit të Veriut dhe atij të Jugut. Por më pas në të do të përfshihej ethshëm ushtria e SHBA-së. Ky konflikt do të kushtonte jetën e 2 milionë vietnamezëve dhe afro 100.000 amerikanëve. Lufta në Vietnam do të merrte fund me tërheqjen e trupave amerikane dhe bashkimin e Vietnamit në një shtet të vetëm në vitin 1975.
1963 – Në Saigon të Vietnamit të Jugut zhvillohet Grushti i Shtetit ku, trupat ushtarake vietnamezo-jugore të kryesuara nga Gjenerali Durong Van Minh dhe të përkrahura nga këshilltarët amerikanë të CIA-s sulmojnë dhe pushtojnë Pallatin Presidencial duke arrestuar dhe ekzekutuar Presidentin Ngo Dinh Diem së bashku me të vëllanë e tij dhe një sërë pjestarësh të stafit.
1968 – Vdes në Athinë, në moshën 80 vjeçare Kryeministri i Greqisë, Georgios Papandreou. Papandreou gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Greqisë do të ishte lideri historik i rezistencës greke në mërgim. Pas çlirimit të saj ai do të bëhej një nga Kryeministrat më jetëgjatë të saj duke e udhëhequr atë deri pak para vdekjes. I biri i tij Andrea dhe nipi Georgios i riu do të beheshin themeluesit e të majtës liberale greke.
1969 Lindi në Ontario të Kanadasë Tahir Domi. i njohur edhe si Tie Domi është lojtari profesionit i hockey-t në akull, Prindërit e tij ishin me origjinë shqiptare nga qyteti i Manastirit, i cili sot gjendet në territorin e Maqedonisë. Ai ka luajtur hockey në akull që i vogël dhe u bë pjesë e skuadrës së Belle River dhe kur ishte 16vjeç me ekipin e Windsor Bulldog. Sezoni i tij më i mirë i lojës që ai ka bërë në vitet 2003-2004, ku ai shënon pikët më të larta të karierrës së tij me 15 gola dhe 29 pikë. Ka luajtur edhe për skuadrat e Toronto Maple Leafs dhe N.Y. Rangers. Në karierrën e tij ai është renditur në 1000 lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave të hockeyit në akull.