Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetë e katër
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU KADRI HAZBIU: Iku ai kur u pastrua baza e Vlorës.
SHOKU ENVER HOXHA: Si iku?
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, kjo çështje ka ndodhur më përpara.
SHOKU KADRI HAZBIU: Si më përpara?
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, kjo ka ndodhur më përpara zbulimit të Teme Sejkos.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, sovjetiku kishte ikur dhe Arifi në atë kohë ishte atje në bazë. Tashti, së më kujtohet mua, duke biseduar pas verifikimit, kemi konkluduar siç ju thashë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Në qoftë se pas “verifikimit”, konkludua se Panajot Plaku erdhi dhe u fut te sovjetiku, meqenëse ai ishte diversant, pse nuk kërkuat të përzihej menjëherë sovjetiku nga vendi ynë? Pse nuk iu ngrit partisë kjo çështje?
SHOKU ENVER HOXHA: Ky, një gjeneral i arratisur, kishte ardhur te ne si diversant?!
SHOKU RITA MARKO: Gjenerali i arratisur, ish-drejtori i Kufirit dhe gjithashtu edhe ish-drejtor i Gjeologjisë sonë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Po pse nuk i ishte thënë në atë kohë Partisë, që Panajot Plaku kishte hyr te sovjetiku?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë mendoj se Partisë i është thënë, nëse s’ia kam thënë shokut Enver, kjo është tjetër punë, po…
SHOKU SIMON STEFANI: U, po si mos t’i thuash shokut Enver për një çështje kaq me rëndësi?!
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ka hyrë si diversant Panajot Plaku dhe të mos ia thuash shokut Enver?! Si është e mundur?
SHOKU RITA MARKO: Po ti e ke informuar për gjëra të vogla shokun Enver, jo më për këtë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po i është thënë ore!
SHOKU SIMON STEFANI: Po kujt i është thënë, shokut Enver?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk e di tani se kujt i është thënë.
TË GJITHË SHOKËT: Ua, po ti mbake mënd se i është thënë Komitetit Qendror, po se kujt personalisht, këtë nuk e mbake mënd?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Shiko Kadri, ti e mban mënd se në atë kohë sovjetikët na akuzonin ne se, kalamajtë tanë sulmonin “Ana Pavllovën” me gurë. Të kujtohet kjo ngjarje tashti? Të kuptohemi, ishte viti 1961.
SHOKU KADRI HAZBIU: Kush?
SHOKU RAMIZ ALIA: Po po, kjo çështje doli gjatë procesit të Teme Sejkos.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, në atë kohë Panajot Plaku kishte qenë këtu.
SHOKU RAMIZ ALIA: E marr vesh, po nga Teme Sejko doli emri i këtij sovjetikut. Po ta dinim ne emrin e sovjetikut, do t’i thoshim, ç’flisni për “Ana Pavllovën”, ju prisni diversantë këtu, pra këtë fakt ne do ta përdornim kundër sovjetikëve, po kjo çështje nuk na është thënë hiç atëhere, askujt nuk i është thënë?!
SHOKU SIMON STEFANI: Nuk dihesh kjo, se po të dihesh, do ta kishte si argument Partia, që ta përdorte kundër sovjetikëve.
SHOKU RITA MARKO: Shoku Enver, në “Tabllonë Sinoptike mbi veprimtarinë agjenturore të Mehmet Shehut”, shkruan se: akoma nuk e kam të qartë se, ç’lidhje dhe ç’rol kishte në këtë kohë Mehmet Shehu me grupin e Teme Sejkos, në bashkëpunim me Flotën e VI-të Amerikane në Mesdhe, me Jugosllavinë dhe me Greqinë dhe të tërëve nëpër aktive, kjo kështu u ka mbetur. Këtë kërkesë Kadri, shoku Enver dhe Partia, ta bëjnë ty, prandaj duhet të na e sqarosh, se na the se hetuesinë e ke ndjekur vetë, ke vajtur vetë ke parë në procese, se Sigurimin e ke ndjekur me shqetësim, etj.
Atëhere, duhet të na e sqarosh më mirë edhe veprimtarinë e armiqësore të Mehmet Shehut, që u diskutua dy herë në Byronë Politike, në Komitetin Qendror dhe në plenumet e rretheve në dhjetor 1981, u lexuan materialet e Byrosë Politike ku u nxorën para Partisë fakte të shumta, që tregonin se ai ka qenë agjent i vjetër dhe aktiv i amerikanëve, anglezëve, dhe i sovjetikëve e jugosllavëve. Ne dëgjuam këtu edhe disa të dhëna të para të hetuesisë, domethënë materiale shumë të rëndësishme, që bënin fjalë dhe hidhnin dritë se këtu kemi të bëjmë me një veprimtari shumë të rrezikshme.
Shoku Enver të ka thirrur ty dhe të ka vënë në dijeni për të gjitha këto, prandaj gjatë tërë kësaj kohe prej afro dhjetë muajsh, nuk i bërë thirrje vetes të analizoje përpara se të ta kërkonte këtë Partia, po e bën këtë më 27 shtator 1982? Si e shpjegon ti këtë qëndrim? Unë them se kjo është një mospërfillje nga ana jote përballë tërë këtij shqetësimi që ka pasur Partia, lidhur me veprimtarinë e këtyre armiqve. Kjo, në mos më shumë, është një mendjemadhësi nga ana jote, një qëndrim jo i ndershëm dhe armiqësor, gjë që duket edhe në shtojcën prej pesë faqesh që i ke bërë autokritikës. Ti ishte shumë i shqetësuar dhe the na the se po çmendesh nga parullat që dëgjoje dhe i kërkoje llogari Partisë, që gjoja nuk i luftonte ato.
Së pari, nga i merr dhe kush ti sjell ty këto parulla? Pastaj, si shprehesh me fjalë fyese për sekretarin të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, kandidatit të Byrosë Politike, shokun Prokop Murra, duke thënë se ka bërë “kastravecllëk” në Pezë, duke të mos paraqitur edhe si ministër. Si e ke kurajon ta bësh këtë?
Së dyti, mos do të thuash ti se është gabim që Partia të ka kërkuar ty të bësh analizën e punës tënde? Lidhur me këtë analizë që jemi duke bërë, mendoj se autokritika jote nuk është as e saktë dhe as e sinqertë. Kadri Hazbiu mban rezerva dhe më këtë mënyrë ai nuk e ndihmon Partinë, prandaj unë them që ai të përjashtohet nga Komiteti Qendror, kuptohet edhe nga Byroja Politike. Mendoj gjithashtu, t’u propozohet organeve përkatëse që, të shkarkohet edhe nga funksioni i ministrit të Mbrojtjes Popullore, për mungesë të theksuar vigjilence në drejtim dhe për dobësi kur ishte në funksionin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe t’i kërkohet që të bëjë autokritikë të re, përpara Partisë. Qëndrimi i tij në Parti, të varet nga analizat e qëndrimet e tij të mëtejshme.
Analizat që kemi bërë ne për të gjithë këtë veprimtari armiqësore të Mehmet Shehut dhe të bashkëpunëtorëve të tij, fjala e shokut Enver në analizën e thellë që i bën kësaj veprimtarie agjenturore, kanë ngritur peshë zemrat e të gjithë atyre punonjësve të pa parti, që e dëgjuan, kanë ngjallur një respekt të madh për shokun Enver. Të gjithë e dëgjuam me vëmendje të madhe këtë analizë të fortë dhe shpëtimtare, që do ta armatosë më shumë Partinë, do të forcoj unitetin e radhëve të saj rreth Komitetit Qendror, me shokun Enver në krye dhe popullin rreth Partisë. Armiqtë do të luftohen pa mëshirë dhe do të hidhen në koshin e plehrave, ashtu si gjithë të tjerët që janë zbuluar më parë. Populli, duke pasur në krye Partinë dhe gjithë komunistët, thirrjen e shokut Enver më në fund te “Tablloja Sinoptike për veprimtarinë armiqësore të armikut Mehmet Shehu”, e kanë marrë si kushtrim për punë, vigjilencë dhe për mbrojtje, prandaj edhe unë jam dakord me të gjitha propozimet që bënë shokët.
SHUKU ADIL ÇARÇANI: E lexova me shumë kujdes si të gjithë shokët e tjerë, edhe unë autokritikën e Kadri Hazbiut. Për mua kjo është krejtësisht e pakënaqshme dhe e papranueshme, se pse në autokritikën e vet shoku Kadri Hazbiu, jo vetëm që s’pranon dhe nuk merr përsipër asgjë për fajet dhe përgjegjësitë e tij të rënda, por hidhet në akuzë ndaj Komitetit Qendror dhe sekretarit të Komitetit Qendror, të cilin sipas tij, e paska informuar, lidhur me të gjitha ato dokumenta komprometuese e shumë serioze që i janë dhënë agjenturës sovjetike nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ai ka drejtuar për një kohë të gjatë. Kjo është një metodë sa e ulët aq dhe demaskuese për mendimin tim, sepse dëshmi janë këto dokumente, që pamë dhe që kemi në dorë, ku e zeza është e shkruar mbi të bardhë.
Përmbajtja e këtyre dokumenteve deri edhe në hollësira, nuk pranon, nuk përputhet me hipotezat “më kujtohet kështu dhe më kujtohet ashtu”, “më duket se e kam biseduar me këtë, apo me atë”, “nuk besoj ta kem bërë me kokën time”, siç e tha në Sekretariatin e Komitetit Qendror, e të tjera hipoteza të tilla. Autokritika e Kadriut, në qoftë se do ta quajmë si të tillë vetëm nga titulli, sepse nga përmbajtja nuk bie erë fare të jetë e tillë, jo vetëm që është një përshkrim kronologjik i disa të dhënave, kryesisht nga ato që shënohen në dokumente dhe asgjë tjetër të re nuk ka, por siç thashë, në esencë ajo është dhe kthehet në një akuzë. Prandaj mendoj se ajo është krejtësisht e papranueshme, sikurse janë krejtësisht të pakënaqshme përgjigjet që ju bëri pyetjeve që u bënë këtu, bile disave prej tyre, u qëndroi edhe me kapadaillëk, kur përgjigjej edhe me kërkim llogarie, jo në formë dhënie llogarie. Sot shoku Kadri, është Byroja Politike që po të kërkon ty llogari dhe nuk të lejon t’i kthesh dhe t’i kërkosh ti llogari asaj.
SHOKU KADRI HAZBIU: Kujt i kërkova unë llogari mo shoku Adil?
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Nga përgjigjet që dhe, e tillë është forma e tyre, llogari-kërkuese.
SHOKU ENVER HOXHA: Të lutem lëre të flasë mendimin e tij.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kadriu nuk është thelluar në fajet dhe në përgjegjësitë e tij, siç u tha edhe në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror, për t’i zbuluar ato deri në rrënjë, duke nxjerrë shkaqet që e kanë nxitur në këto veprime shumë të rrezikshme, fajet dhe përgjegjësitë e veçanta që ka. Mendoj se për ne është e qartë se përse bëhet dhe me çfarë qëllime të caktuara bëhet kjo, me çfarë metoda të njohura për të fshehur dhe mohuar të vërtetën, e cila, veçanërisht, kur mbështetet në dokumenta autentike të vërtetuara, nuk duron justifikime dhe mohime absurd që bien erë mungesë sinqeriteti dhe manovrime me kujdes.
Prandaj të gjithëve na lind pyetja: Përse e mban këtë qëndrim Kadri Hazbiu? Mos vallë i mungon kujtesa? Apo nuk pati kohë të reflektonte, e të njihej me dokumente dhe të bënte një analizë të thellë në autokritikën e tij, ashtu siç iu kërkua. Për ne të gjithë është e qartë, se as njëra dhe as tjetra, nuk qëndrojnë. Nga sa e njohim për kohë të gjatë edhe këtu, në Byronë Politike, por edhe në organe të tjera partie dhe shtetërore, për mendimin tim, ai e ka shumë të mprehtë kujtesën dhe kohë, që të reflektontë njëkohësisht për përgjegjësitë e veta, ka pasur, sepse disa nga bashkëpunëtorët e tij të afërt në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka disa muaj që janë arrestuar si agjentë dhe komplotistë të rrezikshëm në komplotin e madh të organizuar kundër Partisë dhe pushtetit tonë popullor, të kryesuar nga super-spiuni, Mehmet Shehu.
Shoku Kadri nuk e bëri një gjë të tillë dhe ai i largohet me qëllim përgjegjësisë. Por kjo, në radhë të parë, është keq për atë, sepse Partia dhe Byroja Politike kanë një përvojë të madhe në këtë drejtim dhe janë në gjendje të gjykojnë me gjakftohtësi dhe objektivitet, jo me parti dhe në mënyrë hipotetike, po në bazë të logjikës së ngjarjeve, në bazë të dokumenteve dhe të nxjerrin konkluzionet përkatëse, si rrjedhim, edhe fajet dhe përgjegjësitë përkatëse të Kadri Hazbiut.
Në bazë të fakteve dhe të dhënave që na u vunë në dispozicion nga Komiteti Qendror, neve në mënyrë të ligjshme na lind pyetja dhe shqetësimi, përse ti, shoku Kadri, pas gjithë këtyre ngjarjeve, pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu dhe zbulimit, sidomos në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të armiqve të tillë si Feçor Shehu, Llambi Peçini e Mihallaq Ziçishti, i cili ka qenë për një kohë të gjatë zëvendësministër i Punëve të Brendshme i yti, dhe disa kuadro të tjerë kryesorë të kësaj ministrie, si drejtori i Hetuesisë, etj., nuk reflektove dhe nuk bërë një analizë mbi ato drejtime mbi të cilat mund të kishin punuar dhe dëmtuar më shumë këta armiq! Këtë duhet ta kishe bërë, sepse kishe përvojë të gjatë në punën e Sigurimit të Shtetit dhe të ndihmoje kështu në zbulimin deri në rrënjë të gjithë veprimtarisë së tyre armiqësore.
Të takonte ty, në radhë të parë, ta bëje një gjë të tillë, si anëtar i Byrosë Politike, për të ndihmuar edhe Partinë, por edhe shokun Hekuran, si i ri që është caktuar të punonte në atë dikaster, megjithëse të ishte dhënë porosia nga shoku Enver, po këtë nuk e bëre. Ky është një qëndrim pasiv i pajustifikueshëm, në një kohë që zinte kudo lufta për zbulimin e armiqve të dhe komplotit të tyre të madh kundër Partisë dhe shokut Enver. Ky vit ka qenë një vit lufte dhe pune të madhe, pikërisht për të zbuluar këto komplote, prandaj ty të takonte më shumë se çdo kujt tjetër, që vetë me iniciativën tënde, nuk e bërë një gjë të tillë, por edhe tani. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016