Dashnor Kaloçi
Pjesa e pesëmbëdhjete
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti ‘Tepër sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982
Tepër sekret
MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982
SHOKU HEKURAN ISAI: Kështu mendoj unë, që shoku Kadri duhet të thellohet në gjithë këto porosi që i dhatë ju, shoku Enver, e thashë që Ministria jonë e Punëve të Brendshme ka qenë në fakt si një degë e KGB-së me këto shtrirje, siç e thotë vetë shoku Kadri. Të gjitha materialet e Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme merreshin nga këshilltarët sovjetikë, ç’dokumente donin ata, i tërhiqnin kur të donin dhe i shikonin. Në fakt kjo ministri kështu del si degë e Sigurimit sovjetik. S’ka pasur asnjë sekret atje për sovjetikët, as shifër, as bashkëpunëtorët, as dokumente, absolutisht asgjë.
SHOKU ENVER HOXHA: Edhe ne sollëm një vit në aparatin e Komitetit Qendror një instruktor partie nga Bashkimi Sovjetik, Tishenko më duket se e quanin. Atij i caktuam një zyrë dhe i’a dhashë Ritës në lidhje për t’i dhënë vetëm ndonjë lajm, asgjë tjetër. Dhe tërë ditën ai tundte derën këtu, prandaj pas disa muajsh u ngrit e iku.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, nuk ndenji shumë te ne si dhe u ngrit e iku.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk qëndroi, sepse nuk i’a vari njeri. Kështu, shoku Kadri, shoqërisht po e trajtojmë këtë çështje që ka dalë, ta kesh të qartë.
SHOKU KADRI HAZBIU: E kam të qartë, prandaj ju faleminderit, shoku Enver, ju faleminderit.
SHOKU ENVER HOXHA: Çështja është ta kuptosh mirë, se ka rëndësi të veçantë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë po e them, shoku Enver, që këtë punë nuk e kam bërë me ndërgjegje dhe autokritikat, sado të shkurtra që përgatita, qoftë në Plenum, pas Plenumit të 5-të, qoftë kur erdha personalisht para jush, shprehin ndjenjat e mia si anëtar partie. Përgjegjësinë time unë e kam parë kurdoherë nga këndi i funksionit që më ka besuar Partia, prandaj jam shprehur që kam përgjegjësi dhe këtë jo vetëm e them, po edhe e mbaj këtë përgjegjësi.
Pas këtyre vërejtjeve që më bëtë, të jeni të sigurt që unë do të thellohem, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Patjetër që duhet të thellohesh.
SHOKU KADRI HAZBIU: Është rasti të them këtu edhe një gjë, shoku Enver. Përgjegjësia ime mund të jetë dhe do të jetë e çfarëdollojshme, vetëm ta dini, se unë jam ai që kam qenë përsa i përket besnikërisë ndaj Partisë, ndaj atdheut dhe ndaj jush. Këtë kohë do ta provojë. Ata që zbuluam, kanë qenë armiq, kurse mua detyra e Partisë më futi në mes tyre. Por për një gjë ju siguroj që, çfarëdo gabimi që të jetë bërë nga unë dhe sado që ky ta ketë dëmtuar Partinë, unë do ta paguaj dëmin që kam shkaktuar, por kurrë si tradhtar. Këtë kijeni parasysh, shoku Enver.
Unë jam i ndërgjegjshëm dhe po jua them me gjithë shpirt, se ndjenjat e mia janë të pastra. Kurrë nuk kam qenë njeri që t’i shikoj gjërat me dyshim. Kjo ka qenë një e metë nga ana ime, pse i tillë është brumi im. Kështu kam gjykuar unë, aq më tepër kur ka qenë puna për shokët. Kam ngritur ndonjë çështje, kam formuluar ndonjë mendim, po dobësia ime qëndron këtu se nuk e kam çuar atë deri në fund. Të tërë këto unë i shikoj si një mungesë të theksuar në formimin tim si komunist, si mungesë sidomos të vigjilencës.
Përsa u përket marrëdhënieve me rusët, shoku Enver, po ju them që asnjë sekret nuk kemi mbajtur ndaj tyre, u kemi dhënë çdo gjë, pse kështu e kemi kuptuar direktivën, të paktën kështu na janë interpretuar. Ato që u lexuan këtu për mua, janë pak, ndoshta u kemi dhënë çdo gjë, por rëndësi ka që këto ua kemi dhënë zyrtarisht me firmën tonë, megjithatë rusët kanë marrë në Ministrinë e Punëve të Brendshme çdo gjë që kanë dashur.
SHOKU ENVER HOXHA: Duhet e do të të ndihmojnë edhe shokët, po në radhë të parë, përpiqu të ndihmosh vetveten, që të të ndihmojnë edhe shokët. Kështu thotë një fjalë e urtë e popullit.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, gjithmonë në këtë kuadër. Domosdo, ashtu është, si thoni ju.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ajo që tha shoku Enver që as kujdes është treguar nga ana juaj, as vigjilencë ndaj rusëve, ka rëndësi të madhe. Rusët kanë marrë edhe vetë dokumenta në Ministrinë e Punëve të Brendshme, se ishin brenda në dikaster, po shumë materiale kanë marrë ata edhe nga vartësit e tu. Këtu ka dëmtuar shumë edhe familjariteti i sëmurë që ka ekzistuar në këtë ministri, gjë që ka rëndësi të madhe.
SHOKU ENVER HOXHA: Sot duhet ta gjykosh thellë çështjen, shoku Kadri. Le të marrim vetëm platformën e organeve të Sigurimit të Shtetit. Merre lexoje! Ti sigurisht që e ke lexuar dhe e ke parasysh të tërë. Në krye të këtij dokumenti, është shënuar “Tepër sekret”, ka edhe një udhëzim të veçantë se kujt mund e duhet t’i jepet. Në rrethe, vetëm sekretarit të parë të Komitetit të Partisë i jepet ky dokument. E ka bërë Stalini këtë apo e ka bërë Lenini, këshilltari, Mehmeti, apo Enveri. Byroja Politike ka vlerësuar se kjo është një dokument tepër sekret. Atëherë pse t’i dërgohesh Shkollës së Sigurimit sovjetik? Ja kështu duhet gjykuar çështja.
SHOKU KADRI HAZBIU: S’duhej dërguar, e kuptoj por ama për një gjë jam i bindur, shoku Enver, që me kokën time nuk e kam bërë këtë gjë. Le të bjerë tërë përgjegjësia mbi mua, por hapa të tilla nuk kam hedhur vetë në këtë veprim. Mendoj se mund të kem pyetur. Ndofta duhesh marrë autorizim me shkrim, po këtë veprim nuk e kam bërë me kokën time.
SHOKU SIMON STEFANI: Mos e justifikoni kështu këtë, shoku Kadri, se Byroja Politike nuk kish përse të të jepte ty autorizim të veçantë, mbasi udhëzimi është dhënë me shkrim, se kujt duhet e mund t’i jepej ky dokument.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Si nuk mbajte mend ti udhëzimin e këtij dokumenti kaq shumë të rëndësishëm, kur ke mbajtur mend porosinë që të ka dhënë shoku Enver me gojë që këshilltarëve sovjetikë t’u mbyllen tërë muslluqet? Si nuk mbajte mend ti se me kë ke biseduar konkretisht që t’ua jepje atë rusëve?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po rusët përditë me platformën merreshin, shoku Adil.
SHOKU ENVER HOXHA: Reflekto, Kadri dhe po ta themi se kemi parasysh që populli kuadrot e brezit tonë që kanë bërë luftën, i ka dashur, edhe në mënyrë marksiste, edhe në mënyrë patriarkale, fisnore. Kur një kuadër ecën me konsekuencë vazhdimisht në vijën e Partisë, kjo është një gjë e mirë, por kur ngjet diçka për faj të tij, atëhere krijohen turbullira në popull, që bëhen të rrezikshme për Partinë.
Për tradhtinë e Mehmet Shehut, nuk na u krijua ndonjë situatë e vështirë, se atë, me përjashtim të disave, nuk e donte njeri, prandaj pamë që zhdukja e veprimtarisë së tij nuk shkoi me dhimbje të mëdha për Partinë, për arsye të personit të vet. Por kur dëgjojnë njerëzit se çfarë ka bërë ky armik, edhe ata që kanë pasur njëfarë nostalgjie për të, e urrejnë.
Ka thënë një njeri që Hysni Kapon e vranë, tjetri e bën këtë më të madhe, deri sa më vjen në vesh edhe mua sikur jam unë ai që i kam thënë Vitos se Hysni Kapon e kanë vrarë. Shiko se si e përziejnë këtë punë? Prandaj dhashë urdhër, ta ndjekin këtë çështje dhe personit që do të konstatohet se është burimi i këtij lajmi të rremë, duhet t’i vihet dora në qafë dhe në burg. Pse e vërteta është që Hysni Kapo vdiq në krevat nga kanceri, sëmundje kjo që nuk inokulohet, pastaj s’ka si vritesh Hysni Kapoja e kështu me radhë.
Më ka informuar Ramizi që armiku ka hedhur ca ditë përpara broshura, ku bën thirrje “ç’po bëni, ngrihuni”! Prandaj pa të të bëhen përpjekje për t’i gjetur një çikë ata që thonë “Ngreuni!”
U duhet vajtur këtyre gjërave në fund, të gjenden kush janë, se frikë nuk kemi nga ata. Po armiqtë i bëjnë këto me qëllim që të krijojnë situata të vështira në popull. Ekziston midis nesh ndjenja mikroborgjeze e shoqërisë, e familjaritetit, e fisit, e krushqisë. Të gjitha këto ekzistojnë dhe jo vetëm ekzistojnë, bile të fort atë njerëzit e pazhvilluar, po ekzistojnë edhe te njerëz të zhvilluar edhe te anëtarët e Partisë dhe me këto ndjenja na vënë ne në disa situate të vështira që të adoptohemi pas opinionit, domethënë ose të ecim të bindur si oportunistë pas opinionit, domethënë ose të ecim të bindur si oportunistë me një opinion që nuk e kupton një situatë të caktuar, ose të ecim kundër opinionit, t’u themi njerëzve që ne nuk e pranojmë këtë që thoni ju, sepse ky njeri nuk ka faj për atë që thoni, nuk e meriton atë masë dënimi që kërkoni ju për këtë.
Të mos e marrim çështjen sikur Partia është e plotfuqishme, Partia ashtu është, e plotfuqishme, po edhe opinionin publik punon, “gazeta arabe” u flet njerëzve vesh më vesh.
- E more vesh ti këtë? – thotë njeri
- Po, e mora vesh. Më vjen mua në vesh të parit nga një njeri që nuk ka lidhje fare me Enver Halilin, përpara se të më flitet zyrtarisht nga mjekët që ky paska një ishemi në kokë.
- Ku e more vesh ti këtë mo? – e pyes.
- Po ja, ma thanë, përgjigjet ai.
- Po kush ta tha?
- Ma thanë në një muhabet, me një fjalë në pazar.
Nuk e di, po këto i them që ta kenë të gjithë të qartë se besnikëria ndaj Partisë, duhet të jetë deri në fund, në çdo situatë, të qëndrojë individi i pa lëkundur ndaj vijës së Partisë. Domethënë të mos lejohet të ndikojë opinion i sëmurë publik në ndërgjegjen e një personi që Partia i ka dhënë një dënim. Mundet që një masë të jetë diçka më e rëndë se sa duhej, siç mundet të gjykojnë disa dhe në realitet masa mund të jetë diçka më e rëndë, megjithatë Partia atë njeri prap nuk e hedh poshtë, se ka njerëz që mendojnë:
Je në pozitë ti?
Jam.
Atëhere të fërkoj krahët ty, kurse kur nuk je në pozitë, të ngrenë këmbët. Këto norma, më duket mua, duhet t’i kemi kurdoherë parasysh në punën tonë dhe t’i gjykojmë. Unë këto kisha për të thënë. Tani ti, Kadri, përpiqu ta përgatitësh këtë autokritikë për mbledhjen e Byrosë Politike që do të bëjmë së shpejti.
SHOKU KADRI HAZBIU: Kur mendoni ta bëjmë mbledhjen e Byrosë Politike?
SHOKU ENVER HOXHA: Mbase pas ndonjë jave, mendoj unë. Si thoni, shokë, kur mund ta bëjmë?
SHOKU RAMIZ ALIA: Unë mendoj ta bëjmë sa më parë, se kemi për të miratuar edhe kandidaturat për deputetë, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë atëhere, kur mendoni konkretisht ta bëjmë?
SHOKU RAMIZ ALIA: Listat e kandidaturave për deputetët ne i kemi ndarë, çdo gjë e kemi tani gati.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë edhe unë e kam studiuar dhe jam gati.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani për sa kohë mund të bëhesh gati ti, Kadri?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po tani sa kohë më duhet, do të përpiqem sa më shpejt ta përgatis autokritikën, po derisa të jem komunist e sa të jem gjallë, do të reflektoj mbi këto gjëra, po në autokritikë çështjet më themelore mendoj të trajtoj.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, atëhere ç’datë kemi sot?
SHOKU RAMIZ ALIA: Sot është 20 shtator.
SHOKU KADRI HAZBIU: Nesër ne kemi mbledhjen e qeverisë,
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po nesër e mbarojmë ne mbledhjen e qeverisë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, nesër të martën, në 21 shtator, do të jeni në mbledhjen e qeverisë, prandaj nga e shtuna mendoj unë ta bëjmë mbledhjen e Byrosë Politike, më 25 shtator. Deri në atë ditë ta kesh gati autokritikën, ke kohë të reflektosh edhe ca dhe të jesh gati.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë do të përpiqem shumë ta bëj, shoku Enver, po e mira është që autokritika ime të jetë një sintezë, të mos futem në hollësira. Nuk e di si të them për këtë çështje.
SHOKU ENVER HOXHA: Ne t’i ngritëm këto çështje sot këtu në bazë të fakteve që kemi deri tani në dorë, kurse ty mund të të kujtohen gjatë këtyre 4-5 ditëve fakte të tjera, të cilëve, mund t’u bësh një përmbledhje.
SHOKU KADRI HAZBIU: Shoku Enver, unë e kuptoj që duhet menduar seriozisht për këtë punë, po kini parasysh që shumë kohë s’kam në dispozicion.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirëpo s’ka si e shtyjmë më gjatë këtë çështje, se kemi shumë punëra të tjera përpara për të kryer.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, të mos e shtyjmë.
SHOKU ENVER HOXHA: Kemi mbledhjen e Frontit, Kongresin e Rinisë, fjalimet që do të përgatisim të gjithë përpara zgjedhësve, kemi më në fund përpara edhe festat e mëdha të nëntorit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pastaj kemi edhe çështjen që do të informojmë Partinë për veprimtarinë e armikut Mehmet Shehu, se u bënë 9 muaj pa e vënë në dijeni.
SHOKU ENVER HOXHA: Është sidomos fjala që do të mbajmë me zgjedhësit, do të jepet, siç tha Ramizi informacioni për Mehmet Shehun, se as Byroja Politike nuk ka marrë dijeni për vazhdimin e hetuesisë së këtij armiku. Nga ana ime unë e kam përfunduar materialin.
SHOKU RAMIZ ALIA: Bile, pasi të vihet në dijeni Byroja Politike, duhet të informohet edhe Komiteti Qendror, mendoj unë.
SHOKU ENVER HOXHA: Sigurisht, edhe Komiteti Qendror duhet informuar. Prandaj, më duket mua, deri të shtunën ti, Kadri, ke kohë, se janë edhe pesë ditë që ke mundësi të mendohesh dhe të përgatitësh autokritikën.
Atëherë ditën e mirë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016