Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
-Ish-oficeri i Batalionit Special të Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Halil Rrahmani, rrëfen për “shërbimet tepër sekrete” që ai personalisht, i kreu në vitet 1971-1991
Memorie.al / “Duke pasur parasysh se faktin se, unë kam shërbyer vetë te Burgu Tiranës, (‘Reparti 313’), si oficer roje, për gjatë gjithë periudhës më shumë se një vjeçare (1982-‘83) që zhvillohej procesi hetimor dhe gjyqësor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, e them me bindje se, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, nuk ka treguar të vërtetën. Ai ka dashur të shfajësoj veten me atë që ka thënë, pasi, gjatë gjithë asaj periudhe kohe që ne kemi qenë prezent aty, dëgjonim ulërima nga të dënuarit, gjë e cila kuptohej lehtë se vinte nga dhuna e torturat që ushtrohej ndaj tyre. Po kështu, nga kolegë të mi oficerë apo dhe ushtarë të ndryshëm që kanë bërë shërbim brenda dhe jashtë burgut në atë kohë, kam dëgjuar se, pasi mbaroi gjyqi ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut” (që u zhvillua brenda ambienteve të atij burgu), një ditë pas dhënies së dënimeve me vdekje, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit, nga qelitë e tyre, janë dëgjuar klithma, thirrje dhe ulërima, si p.sh.: “O Enver Hoxha ndihmë, na e fal jetën”, “O Hekuran Isai, ndihmë, na falni jetën, mos na pushkatoni”, etj., të kësaj natyre. Po kështu, në dijeninë time, Kadri Hazbiun e kanë nxjerrë të vdekur nga burgu i Tiranës natën e 9 shtatorit të vitit 1983 dhe kufomën e tij, e kanë dërguar më pas te objekti “Komiteti Ekzekutiv” në Linzë, ngjitur me Batalionin e Sigurimit, ku ishin tunelet sekrete që u pushkatuan Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini, po në atë vend ku vite më parë, ishte pushkatuar edhe Beqir Balluku me Petrit Dumen e Hito Çakon”.
Z/ Rrahmani, ka pasur raste të daljes së sekretit?
Jo, as bëhej fjalë. Jo vetëm në atë kohë, por nuk di që të ketë folur njeri publikisht as pas viteve ’90-të, kur u ndërruan sistemet politike në Shqipëri.
Kompania e parë dhe e dyta, çfarë detyrash kryenin?
Kompania e parë që ishte koduar si ‘Reparti 329’, apo siç njihej ndryshe “Toga e motorëve”, shërbente për të mbuluar me shërbim 24 orësh, Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe anekset e saj, Klubin e Ministrisë, Muzeun, Drejtorinë e Burgjeve, etj. Po kështu, ai repart, kishte dhe një togë të motorizuar ushtarësh, (kryesisht me “Java” dhe “Guz”), të cilët ishin të ngarkuar për të lëvizur postën sekrete të Ministrisë së Brendshme, nga ministria, nëpër të gjithë repartet e objektet e saj brenda Tiranës.
Kryesisht, ata merrnin postën sekrete nga Ministria e Brendshme, për ta dërguar në ‘Repartin 75’, (një repart Ndërlidhje që ndodhej afër ‘Repartit 324’, pak pa shkuar në fshatin Linzë) dhe anasjelltas. Kurse kompania e II-të ku unë kam qenë komandant toge, përveç stërvitjes që kryente gjatë gjithë vitit, merrej kryesisht me punime xheniere, si tunele, vend-komanda, e etj., objekte ushtarake.
Ju keni marrë pjesë në këto punime të karakterit sekret?
Po, sepse ajo ishte detyrë jonë funksionale. Nga fillimi i vit i 1972, unë me disa ushtarë të zgjedhur dhe me veshje civile, kemi punuar për disa muaj, në qendër të Tiranës, të “Shtëpia me Gjethe”. Në oborr, te pjesa përpara godinës, nga ana e rrugës kryesore, në hapësirën ndërmjet murit rrethues dhe godinës, ne kemi punuar e ndërtuar disa bodrume të thella, të cilët më pas u betonuan nga “NSHN-10”, siç quhej ndërmarrja që merrej me punimet e ndërtimeve e Ministrisë së Brendshme.
Kuptohet që ajo punë që bëhej aty, mbahej sa më larg syve të kalimtarëve, duke vendosur disa llamarina mbi murin rrethues. Dheu që nxirrej nga aty, largohej me automjete vetëm natën. Këto dhoma apo bodrume të nëndheshme, komunikonin me një tunel, që dilte nën themelet e asaj godine, duke u lidhur me shkallë, në një dhomë të katit të parë të saj.
Përse shërbenin ato bodrume?
Ne nuk na i komunikonte njeri zyrtarisht se përse do të shërbenin, por nga bisedat morëm vesh se ato ishin dhoma hetuesie, për “të pabindurit”, për torturua ndaj atyre që arrestoheshin nga Sigurimi i Shtetit.
Në objekte të tjera të kësaj natyre, keni punuar?
Po, unë në vitin 1980, me ushtarët e togës sime të Kompanisë së II-të të Batalionit të Sigurimit, kemi ndërtuar një objekt sekret, brenda ambienteve të Kompanisë së I-rë (Toga e motorëve), që siç u thashë ndodhej ngjitur me murin rrethues të anës perëndimore të Akademisë së Shkencave. Në anën jugore të ambienteve të atij reparti, ne ndërtuam një pus betoni 10 metra të thellë dhe nga aty, një tunel, që dilte poshtë godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kujtoj se te ai objekt, që ishte tepër sekret dhe i një rëndësie të veçantë, kemi punuar për rreth një vit, ndoshta dhe më shumë, pasi avanconim jo më shumë se një, apo dy metra në ditë, kishte shembje për shkak të strukturës së tokës, me zallishte. Tuneli beton-arme, ishte 2 m. i lartë dhe 1.5 m. i gjerë. Vështirësinë më të madhe, e kemi hasur poshtë themeleve të godinës së Ministrisë së Brendshme, pasi ato ishin shumë të forta dhe na u desh shumë kohë për të bashkuar tunelin me bodrumet e asaj godine.
Rreth dy vjet më vonë, në vitin 1982, po me ushtarët e dy kompanive të Batalionit të Sigurimit (e II-ta dhe e III-ta), është punuar për disa muaj, për ndërtimin e objektit të nëndheshëm (që ndodhet edhe sot aty, me emrin “Bunk-Art 1”), i cili do të shërbente si vend-strehimi i titullarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në rast lufte. Këto janë objekte ku unë kam punuar por objekt të tilla, janë ndërtuar përsëri, në periudha kohë të ndryshme.
Si dhe ku…?!
Në dijeninë time, në fillimin e viteve ’70-të, është ndërtuar një objekt tepër sekret, që lidhtë godinën e Kryeministrisë dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, me “Pallatin e Brigadave”. Një tunel i nëndheshëm prej betoni, që do të shërbente për evakuimin e udhëheqjes së lartë dhe qeverisë, në rast lufte, apo në një rast të jashtëzakonshëm.
Reparti që e ka ndërtuar atë objekt, ka qenë i dislokuar në të majtë poshtë rrugës, që të çon te “Pallati i Brigadave”. Është folur edhe për objekte të tjera të kësaj natyre, por për këto të tjerat nuk mund t’u them më shumë, pasi s’kam informacione të sakta.
Përveç punës për ndërtimin e objekteve sekrete, cilat janë disa nga detyrat dhe shërbimet special që ka kryer Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Brendshme, ku keni shërbyer ju?
Efektivët e Batalionit të Sigurimit, (‘Reparti 324’), kanë kryer edhe disa detyra dhe shërbime speciale, siç ishin ato në vitin 1975 dhe në vitet 1982-’83, kur u dërguan tek Burgu i Tiranës, në përforcim të atij reparti, pasi në atë kohë aty zhvillohesh hetuesia dhe gjyqi ndaj të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut” dhe “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”.
Çfarë shërbimesh kanë kryer tek Burgu i Tiranës, efektivat e Repartit 324’?
Në vitin 1975, te Burgu i Tiranës zhvillohej procesi hetimor ndaj Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, etj., ish-ushtarakëve të tjerë të lartë të asaj kohe. Nisur nga kjo, dy toga të Batalionit tonë të Sigurimit, u dërguan në përforcim të shërbimit që bënte ‘Reparti 313’, ushtarët dhe policët e atij burgu. Po kjo gjë ndodhi edhe në vitet 1982-‘83, kur në ambientet e atij burgu, zhvillohej procesi hetimor dhe gjyqësor ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, ku krahas ish-ministrit të Brendshëm dhe të Mbrojtjes, Hazbiu, aty ishin edhe ish-ministri i Brendshëm Feçor Shehu, ish-ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, ish-Drejtori i Sigurimit dhe Ruajtjes Fizike të udhëheqjes, Llambi Peçini, si dhe funksionarë të tjerë të lartë, zv/ministra e drejtorë drejtorish, si: Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Elham Gjika, Kristofor Martiro, Ali Çeno, e deri te Fiqret Shehu e dy djemtë e saj, Skënderi dhe Bashkimi. Po kështu në atë burg mbaheshin të izoluar edhe disa nga ish-gjeneralët dhe ushtarakët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, si: Sadik Bekteshi, Muhamet Prodani, Vaskë Gjino, Vehbi Hoxha, Halim Ramohito, Arif Hasko, Gjergj Titani, etj.
Përse gjithë ajo masë sigurie…?!
Nga gjykimi i sotëm, por dhe atëhere s’ishte e vështirë të kuptoheshin ato masa sigurie, gjithë ato rrethime, jashtë dhe brenda burgut, kishin më shumë karakter psikologjik, për t’i thënë popullit dhe të gjithë atyre që i shikonin ata ushtarë dhe oficerë të armatosur rëndë, se: “Ja këtu, brenda këtij burgu, ndodhen grupet më të rrezikshme armiqësore, që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”, për të cilat fliste vazhdimisht Enver Hoxha dhe propaganda zyrtare e atij regjimi.
Në këtë kuadër, të forcimit të masave mbrojtëse dhe sigurisë të Burgut të Tiranës (‘Reparti 313’) ku mbahej i izoluar dhe zhvillohej hetuesia e “Grupit të Kadri Hazbiut”, përveç efektivave shtesë siç ishim ne të Batalionit të Sigurimit, ishin shtuar shumë edhe personeli i sigurisë së burgut me ushtarakë dhe civilë, që bënin shërbim 24 orësh në ambientet e brendshme. Shtimi i personelit binte në sy dhe dukej sidomos kur ndërroheshin turnet.
Ne i shikonim çdo ditë ata kur hynin e dilnin, pasi bënim shërbim si oficer roje, disa prej personelit të shërbimit, që kryenin detyra delikate në burg, i transportonin me automjetet e Ministrisë së Brendshme, nga burgu në shtëpi dhe anasjelltas, pasi mendohej se, ata mund t’i kapte dhe komprometonte armiku.
Keni qenë me shërbim te Burgu Tiranës kur gjykoheshin këto “grupe armiqësore”, që sapo përmendët?
Unë kam qenë komandant i një toge të ushtarëve të Kompanisë së II-të të Batalionit të Sigurimit, që bënin shërbim në vitet 1982-’83, pasi kishte dhe oficerë të tjerë, kolegë të mi, nga një togë tjetër e Kompanisë së III-të të repartit tonë dhe gjatë gjithë periudhës ne kemi shërbyer kemi bërë shërbim oficer roje 24 orësh, njësoj si oficerët e ‘Repartit 313’.
Nga dëshmi të ndryshme të bëra publike pas viteve ’90-të, thuhet se; pothuaj të gjithë pjesëtarët e të ashtuquajturave “grupe armiqësore”, janë torturuar barbarisht. Keni dijeni ju rreth kësaj?
Edhe unë i kam dëgjuar dhe lexuar këto, por as nuk mund ta konfirmoj dhe as mund ta mohoj këtë gjë, se kur nuk e shikon vetë me sy një gjë të tillë, nuk mund të thuash se ajo ka ndodhur! Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se gjatë gjithë asaj kohe që ne kemi shërbyer, dëgjonim ulërima nga të dënuarit, kuptohej se vinte nga dhuna që ushtrohej ndaj tyre. Unë bëja oficer roje dhe e kisha detyrë funksionale të shërbimit, që të futeshim në ambientet e brendshme të burgut, nëpër korridoret e atyre kateve ku ishin qelitë, që mbaheshin të izoluar Kadri Hazbiu etj. Por unë, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk jam futur kurrë brenda korridoreve ku ishin qelitë e të dënuarve të “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, nga që nuk duroja, të dëgjoja të bërtiturat e tyre. Kam dëgjuar nga kolegë të mi me të cilët bisedonim, se Kadri Hazbiu dhe ata të tjerët janë torturuar, jo pak.
Pas viteve ’90-të, në një intervistë të dhënë në një të përditshme ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës të periudhës së regjimit komunist, Rrapi Mino, ka mohuar që ata të jenë torturuar. Ai ka shpjeguar, se; ulërimat që dilnin nga qelitë ku mbaheshin të izoluar Kadri Hazbiu e pjesëtarët e tjerë të atij grupi, ishin të inskenuara nga hetues dhe oficerë të Sigurimit, për efekt psikologjik. Ato të bërtitura që thuhej se ishin të Kadri Hazbiut, etj., imitoheshin dhe bëheshin nga vetë hetuesit e njerëzit e Sigurimit, që merreshin me atë grup. A keni ju dijeni rreth kësaj?
Siç ju thashë, këto as nuk mund t’i konfirmoj dhe as mund t’i mohoj, se nuk di gjë konkrete. Por në gjykimin tim, duke pasur parasysh faktin se unë kam shërbyer vetë atje, e them që në fillim, se ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, nuk ka treguar të vërtetën dhe ka dashur të shfajësoj veten, me atë që ka thënë. Unë dhe kolegu im komandant toge, (Ismet Brika), përveçse oficer roje, kontrollonim edhe rregullin e brendshëm të ushtarëve tanë, në fjetoren që ishte brenda ambienteve të burgut dhe më pas kontrollonim shërbimin që bëhej jashtë ambienteve të burgu, deri tek Instituti i Perim Patates, etj.
Por, nga kolegë të mi oficerë apo dhe ushtarë të ndryshëm që kanë bërë shërbim brenda dhe jashtë burgut, kam dëgjuar, se pasi mbaroi gjyqi ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut” (që u zhvillua brenda ambienteve të atij burgu), një ditë pas dhënies së dënimeve me vdekje, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit, nga qelitë e tyre, janë dëgjuar thirrje dhe ulërima, si: “O Enver Hoxha ndihmë, na e fal jetën”, “O Hekuran Isai, ndihmë, na falni jetën”, etj., të kësaj natyre.
Pas viteve ’90-të, është folur në shtyp se, gjatë periudhës që zhvillohej procesi hetimor ndaj të ashtuquajturit “Grupi i Kadri Hazbiut”, aty vinte dhe ministri Hekuran Isai dhe merrte pjesë personalisht në hetime dhe torturat që ushtroheshin ndaj Kadri Hazbiut, etj. Keni dijeni rreth kësaj?
Është e vërtetë se gjatë asaj periudhe vinte ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, në çdo kohë, ditën dhe natën, ndalesën e parë ai e bënte te zyra e oficerit të rojës ku ishim ne, dorëzonte dhe armën personale, (revolverin) dhe ne i paraqiteshim, sipas rregullit. Unë nuk mund të konfirmoj nëse ai, ka ushtruar apo jo dhunë ai ndaj Kadri Hazbiut, e të tjerëve. Por për hir të së vërtetës, edhe ne i kemi dëgjuar këto, që ai ka ushtruar dhunë personalisht ndaj tyre, si atëhere, por edhe pas viteve ’90-të./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016