Nga Prof. Ass. Dr. Albert P. Nikolla
Joana Doda
Pjesa e parë
– Vështrim antropologjik, mbi persekutimin e shkencëtarëve përgjatë viteve 1945-1955 – rasti i inxhinier Gjovalin Gjadrit, i vëzhguari i komunizmit –
Memorie.al / Rasti i marrë në shqyrtim, i nënshtrohet një metodologjie kërkimore shumë – planëshe, gjë që na e dikton vetë personaliteti i inxhinier Gjovalin Gjadrit. Pas studimeve në Austri, inxhinier Gjadri pati një përvojë pune pesëvjeçare, në Bashkimin Sovjetik. Nisur edhe nga kjo e dhënë, do të vërejmë disa dinamika antropologjike të marrëdhënieve midis shkencës “socialiste” dhe asaj “kapitaliste”. Ndikimi i përvojës studimore austriake, puna në Bashkimin Sovjetik dhe më vonë në Shqipëri, na shtyjnë të shohim me vëmendje dinamikat kulturore të sjelljes së inxhinier Gjadrit, ndaj çështjes së shpërblimit të punës, nën këndvështrimin e antropologjisë ekonomike.
Në këtë optikë do të qasen dokumentet arkivore të PPSH-së, mbi çështje të shërbimit dhe do të bëhet një krahasim mes qasjes së Leninit në Bashkimin Sovjetik, mbi këtë çështje dhe debatet e inxhinier Gjadrit, rreth të njëjtit argument. Kjo për faktin se regjimi komunist shqiptar, në vitet të cilave u referohet studimi, merr për bazë kryesisht metodat sovjetike të përfshirjes së intelektualëve në ndërtimin e socializmit.
Mbështetje metodologjike mjaft të rëndësishme, përbëjnë hulumtimet arkivore mbi vëzhgimin që i bëhet inxhinier Gjadrit si një “armik potencial” i regjimit. Në këtë pjesë të studimit do të analizohet nga pikëpamja antropologjike dinamika e vëzhgimit, spiunimit, dozës kulturore të pashmangshme të thashethemeve dhe impaktit që kanë këto veprimtari mbi jetën e Gjadrit.
Së fundi, në pjesën që vijon, e cila është edhe pjesa kryesore e studimit, do të ndiqet metodologjia e antropologjisë historike, nëpërmjet së cilës analizohen dokumentet arkivore nën dritën e elementeve të pranishme kulturore, që na japin mbështetjen e duhur për t’u thelluar në analizë. Në këtë optikë do të shikohet sjellja e regjimit ndaj “aftësive teknike” të Gjadrit. Interes të thellë antropologjik për studimin tonë, përbën ndeshja e shpeshtë në arkiva e termit “përdorim”, për t’iu referuar personave. Sipas nesh, kjo është dëshmi e qartë e reduktimit të qenies njerëzore në mjet, në objekt, gjë që i hap rrugën edhe kulturalisht një persekutimi, që rregullohet deri me ligj nga regjimi.
Për vetë natyrën antropologjike të studimit, një pjesë e analizës do t’i kushtohet edhe një libri të Gjadrit, botuar në vitin 1942, në gjuhën gjermane, ‘Letra grues seme të vdekun’. Përgjatë gjithë analizës studimore, rasti i inxhinier Gjadrit, do të analizohet duke dëshmuar nëpërmjet historisë së tij, elementet e ngjashme ose të përbashkëta, që pati regjimi komunist në dhunën që përdori ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve shqiptarë, me modelin sovjetik si pikë referimi.
Hyrje
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u vendos një regjim i bazuar në diktaturën e proletariatit. Modeli i qeverisjes i mbështetur nga Partia Komuniste Shqiptare, do të ishte ai socialist, duke ndjekur atë sovjetik. Në dritën e persekutimeve të panumërta dhe të forta, mund të thuhet se Shqipëria u kthye në një burg të madh.
Ngjitja në pushtet e komunistëve shqiptarë, qëndron akoma e mbështjellë me një mister dhe do të duhen akoma shumë studime, që të nxjerrin në pah peshën tragjike të periudhës historike që shkon nga fundi i luftës, deri në vitin 1991. Elita mbizotëruese në Partinë Komuniste Shqiptare, qe përgatitur dhe imponuar nga komunistët jugosllavë. Kjo elitë përbëhej nga njerëz jo shumë të përgatitur kulturalisht, apo shkencërisht, por të etur për pushtet, mbi të gjitha të pamëshirshëm ndaj gjithkujt: të gatshëm të vrisnin këdo dhe në çdo moment, që të mund të mbanin pushtetin.
Në këtë klimë politike kulturore, diktatori mbështeti fort luftën e klasave, sipas modelit sovjetik. Klima e krijuar ishte vërtet mos pranuese, për ata që nuk ishin të bindur ndaj pushtetit. Një pohim i diktatorit e krijon një ide të qartë mbi atë situatë: “Ju lani fytyrën kur ktheheni nga puna dhe spastroheni. Ja, kështu është edhe me kritikën e autokritikën bolshevike, ajo spastron të metat dhe gabimet te njerëzit.
Ju s’rroni dot në një dhomë me pluhur dhe me ndyrësira, por merrni fshesën dhe i fshini këto. Ja, kështu bën edhe kritika e autokritika bolshevike; ajo spastron njerëzit, spastron Partinë tonë, spastron pushtetin dhe vendin tonë nga…’pleshtat, spekuluesit, nga tartabiqet…’ – siç i quan Lenini njerëzit e këqij që futen kontrabandë në radhët tona. Partia ju thotë juve, t’i bëni sytë katër kudo”.
Lufta e klasave dhe persekutimi komunist, veproi në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ajo qe shumë e ashpër sidomos kundrejt intelektualëve e shkencëtarëve, që ishin shkolluar në vendet perëndimore. Për intelektualët, Enver Hoxha do të shprehej: “Duhet me i shkundë intelektualët nga ideologjia borgjeze dhe me i armatosë me ideologjinë marksiste-leniniste”.
Regjimi komunist. intelektualët që mund të mendonin ndryshe nga dogmat zyrtare. i shikonte si kërcënim për ngritjen dhe konsolidimin e pushtetit. Kjo bëri që mbi pjesën më të madhe të intelektualëve të kohës, që me ardhjen në pushtet të komunizmit, të vërshonin akuzat për; sabotatorë, me arrestimet, internimet, torturat dhe pushkatimet. Por edhe kundrejt atyre intelektualëve të cilët, mundën të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin, presioni nuk ishte i paktë. Kundrejt tyre kishte vëzhgim të vazhdueshëm, për aq kohë sa inteligjenca shihej si kërcënimi për pushtetin.
Porositë e Enver Hoxhës, ishin gjithmonë për brumosjen e çdo njeriu me ideologjinë marksiste- leniniste, veçanërisht njerëzit e shkencës. Për këtë shërbente edhe një nga drejtoritë më të rëndësishme të pushtetit, siç ishte Drejtoria e Agjitacionit dhe Propagandës: “Ju, shokët e Drejtorisë së Agjitacionit e të Propagandës të Komitetit Qendror, nuk keni të bëni as me rroba, ose me maqina, as me materiale të tjera e, as me kuadro që i duhen institutit; ju të interesoheni që të zbatohet vija e Partisë në Institutin e Shkencave”.
Vëmendja e regjimit kundrejt intelektualëve të ardhur nga përvoja studimore perëndimore, mbetej në bindjen e pushtetit komunist, se shkenca ka karakter thellësisht ideologjik e moral. Pra, kemi “shkencë socialiste” të mirë dhe “shkencë kapitaliste” të keqe. Kjo bindje ideologjike tipike e elitave komuniste, vinte nga arsyetimi se morali dhe shkenca, janë shumë të ndërlidhura mes tyre, për rrjedhojë një shkencë e mirë, edukon një moral të mirë dhe anasjelltas.
“Shkenca socialiste”, identifikohej me ideologjinë marksiste-leniniste dhe kjo e fundit, sipas ideologëve marksistë, ishte në gjendje t’i jepte zgjidhje çdo problemi shkencor. Aq intensiv bëhej identifikimi i shkencës me ideologjinë, saqë edhe socializmi, quhej “socializëm shkencor”.
“Marksizëm-leninizmi është shkenca e ligjeve të zhvillimit të natyrës dhe të shoqërisë, shkenca e revolucionit të masave të shtypura e të shfrytëzuara, shkenca e fitores së socializmit, shkenca e ndërtimit të shoqërisë komuniste. Prandaj Partia jonë, si një parti marksiste-leniniste, që në ditët e para të organizimit, i ka kushtuar një kujdes të veçantë edukimit ideologjik të anëtarëve të saj”.
Përkundër, shkenca “kapitaliste”, nuk ka këtë karakter kaq të theksuar ideologjik dhe nuk kërkon përmbysje formacionesh ekonomiko-shoqërore me dhunë. Ka edhe ajo shpeshherë dogmat dhe “mëkatet” e saj, por nuk pretendon të jetë “shkenca e pushtetit totalitar”. Edhe në versionet e saj më agresive, si në rastin e themelimit të rrymës së pozitivizmit, nga A. Comte, prapëseprapë ajo paraqitet si alternativë, jo si dhunë.
Inxhinier Gjovalin Gjadri, i vëzhguari i komunizmit
Nëpërmjet këtij studimi, kërkojmë të sjellim në dritë historinë e vëzhgimit dhe të persekutimit të inxhinier Gjovalin Gjadrit. Inxhinier Gjadri, lindi më 2 korrik të vitit 1899, në Shkodër. Ishte i biri i një familjeje të thjeshtë. I ati Andrea Gjadri, tregtar, vdiq kur Gjovalini ishte në moshë të njomë dhe e ëma Tereze Deda, e rriti e vetme. Nga viti 1905, deri më 1913, Gjadri ndoqi Kolegjin Saverjan në Shkodër.
Në vitin 1914, me bursë austriake, vazhdoi shkollën e mesme në Krema dhe më 1925, arrin të diplomohet për inxhinieri civile, në Universitetin e Vjenës, diplomë që mban numrin e protokollit 141. Njohuritë e tij shkencore mbi inxhinierinë e ndërtimit, plotësohen akoma më tej edhe me zotërimin e katër gjuhëve të huaja, si: gjermanisht, italisht, rusisht dhe frëngjisht. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1925, rikthehet në Shqipëri, ku emërohet inxhinier, në dispozicion të Ministrisë së Punëve Botore.
Moment i rëndësishëm në debutimin e tij si inxhinier, nga ku do të fillonte edhe konsolidimi i figurës së tij në botën e inxhinierisë, do të ishte pozicioni inxhinier kontrollues, në Urën e Matit, për llogari të firmës italiane ‘Mezzarana’, në vitin 1926. Kjo urë është shpallur monument kulture.
Nga viti 1927, deri më 1932, ka punuar si inxhinier projektues në Institutin e Projektimit të Urave “Mostovoi Byro”, në Bashkimin Sovjetik. Për shkak të komplikacioneve shëndetësore nga klima e ashpër, ai rikthehet në Tiranë. Edhe mbi këtë fakt, siç do ta shohim më poshtë, lindin përherë dyshime nga Sigurimi i Shtetit, për veprimtari agjenturore austriake, në Bashkimin Sovjetik.
Me rikthimin e tij, vazhdon puna e pandalshme profesionale, për gati 50 vjet, me vepra të projektuara që mbajnë emrin e tij. Deri në çlirimin e Shqipërisë, inxhinier Gjadri punoi si inxhinier projektues e zbatues, në Ministrinë e Punëve Botore. Mbas çlirimit, ka punuar në Ministrinë e Ndërtimit dhe në Institutin Shtetëror të Projektimit, si projektues e drejtues në sektorin e urave dhe statikën e konstruksioneve të ndërtimit.
Në një autobiografi të tij, në dosjen pranë AIDSSH, në vitin 1945, përveç të dhënave mbi punën e tij, Gjadri e ndien të nevojshme të tregojë, që ishte i pastër si figurë: “Në kohën e okupacionit Italian, nuk jam shkrue në Partin Fashiste, as në kohën e okupacionit Gjerman, nuk kam bashkëpunuar me Gjermanin”
Ky fakt e siguron që të mos pësojë fatin e atyre që u dënuan si bashkëpunëtorë dhe të vazhdojë i qetë punën e tij. Sigurisht, gjithë kjo përkujdesje për pastërtinë e figurës së tij, lidhet me dyshimet e tij mbi persekutimin e mundshëm që mund ta godasë, ashtu siç ka ndodhur me shumë kolegë të tij.
Inxhinier Gjadri, mban Urdhrin e Punës të Klasit të Parë, të marrë me dekret të Kuvendit Popullor nr. 28, viti 1945, në akordim theksohet: “Ndonse shëndetlig, Gjadri u hodh pa rezerva në ndërtimin e krejt urave të mëdha. Punoi pa reshtur dhe me dinamizmin që kërkonte koha. Vuri krejt zotësinë e tij teknike në shërbim të popullit”.
Arritjet e tij shkencore e profesionale, janë me të vërtetë mbresëlënëse. Për të përmendur vetëm një pjesë prej tyre, mund të themi se në fushën e projekteve në fondin e Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit, ruhen projekte të mbi 75 veprave inxhinierike të tij, të ndërtuara në rajone të ndryshme të Shqipërisë, midis të cilave spikasin: Ura e Lanës (në bulevardin e madh të Tiranës, 1932), Ura e Bunës (Shkodër, 1934), Ura e Zaranikës (Elbasan, 1934), Ura e Gjanicës (qyteti i Fierit, 1940), Ura e Mbrostarit (Fier, 1945), Ura e Mezhgoranit (Tepelenë, 1947), Ura e Rrogozhinës (1948), Ura e Bahçallëkut (Shkodër, 1949), Ura e Mokrës, mbi Shkumbin (Pogradec, 1951), Kullë e lartë uji për lokomotivat (Durrës, 1951), Ura e re e Mifolit mbi Vjosë (Vlorë, 1952), Centrali i Rubikut (1952), Urë tip pasarelë, mbi Vjosë (Memaliaj, 1953), Oxhak i lartë në Rubik, (1954), Ura mbi Dunavec (Maliq, 1957) e shumë e shumë vepra të tjera, kryesisht nga infrastruktura e transportit, si dhe objekte industriale.
Të gjitha këto arritje bëjnë që inxhinier Gjadri, të renditet ndër figurat më të shquara të shkencës shqiptare dhe që në vitin 1947, të anëtarësohet në Asamblenë e Përgjithshme të Institutit të Studimeve, që mund të cilësohet si gur themeltar, i institucioneve shkencore në vend. Në Asamble bënin pjesë 23 intelektualë, ndër ta përmendim: Sejfulla Malëshova, Spiro Koleka, Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Petraq Pepo, Eqrem Çabej, Petro Fundo dhe Gjovalin Gjadri.
Ndërkohë, në fushën e studimeve teknike-shkencore, vlejnë për t’u përmendur: Artikull mbi Urën e Lanës, botuar në Bauteknik, 1935; Probleme urash në Shqipëri, botuar në materialet përmbledhëse të Kongresit të Berlinit, 1936; Problemi i adjezonit në lëvizjen e trenit hekurudhor, botuar në Buletinin e Institutit të Shkencave, 1949; Tre artikuj mbi teorinë e plasticitetit, botuar në Buletinin e Institutit të Shkencave, 1950; Referat mbi llogaritjen e harkut të inkastruar, mbajtur në një nga seksionet shkencore, të organizuara për nder të 20-vjetorit të çlirimit të atdheut, botuar nga dega e botimeve të Universitetit të Tiranë, 1964.
Për sa u përket botimeve shkencore, një peshë të rëndësishme zë libri Shkenca e konstruksioneve, volumi I, “Rezistenca e materialeve”, Tiranë, 1965, i përbërë nga 550 faqe. Prof. Gjadri e kishte konceptuar veprën e tij “Shkenca e konstruksioneve”, në tri vëllime dhe në vëllimin II, trajtoheshin teoritë e shtypjes së tokës dhe trau vertikal, instruktuar në tokë. U dorëzua pjesërisht në universitet, ndonëse pa recensë, edhe vëllimi III, mbi analizën statike të strukturave tip hark. Përfundimi i punës, u pamundësua për shkak të vdekjes së tij, në vitin 1974.
Për librin “Shkenca e konstruksioneve”, në vitin 1952, Gjadri i shkruan nënkryeministrit, inxhinier Spiro Kolekës, një promemorie, ku shpjegon angazhimin që ka ndërmarrë për të shkruar librin për Institutin e Shkencave dhe thekson që, për shkak të shëndetit të tij të dobët, i nevojiten 3 orë në ditë liri veprimi, brenda orarit zyrtar, gjithashtu kërkon që t’i pakësohen çështjet formale dhe administrative, që të mund të përfundojë librin.
Ajo që bie në sy në këtë letër, është guximi i tij për të kërkuar mbështetje prej drejtuesve të lartë të regjimit, për punën shkencore: “Nuk qëndron çështja mbas mendimit t’em, te mekaniciteti i permanencës, ma pak a ma shumë në zyrë, por te trajtimi akademik. Në këtë pikëpamje, kam informata se, në Bashkimin Sovjetik, ata që merren me shkrime librash, shkruajnë vetëm libra dhe nuk merren me asnjë punë tjetër”!
Edhe nga vështrimi i imët i dosjes së Gjadrit, vihet re një marrëdhënie e ftohtë me regjimin. Për Gjadrin, regjimi është një punëdhënës dhe ai nuk shfaq asnjë lloj pasioni politik, pro regjimit apo, kundër tij. Për këtë arsye, do të akuzohet edhe për “indiferentizëm”. Pra, edhe dinamikat e “përplasjeve”, sado të vogla, kanë të bëjnë thuajse me një marrëdhënie punëdhënës-punëmarrës. Regjimi ka nevojë për aftësitë e tij tekniko-profesionale, Gjadri ka nevojë për një punë, që t’i sigurojë sa më shumë të ardhura dhe t’i njihen meritat profesionale.
Njohja dhe vlerësimet nga ana e autoriteteve shkencore të kohës për veprën e Gjadrit, dëshmojnë se regjimi ishte i kënaqur me punën e tij. Asnjë vlerësim nuk ishte i mundur, pa pëlqimin e autoriteteve të regjimit. Pas botimit të librit, nuk kanë munguar vlerësimet për punën e tij të madhe.
Në një recension publik botuar në shtypin e kohës, në shtator 1966, duke komentuar; “Libri i inxhinier Gjadrit, është shkruar me dinjitet teknik dhe karakterizohet nga një nivel i lartë teorik, si nga pikëpamja e thellësisë së argumentimit, ashtu dhe nga ajo e rrobës matematike… Lënda e trajtuar në të është mjaft e gjerë dhe aktuale… Libri ka rëndësi të madhe të dyfishtë, për inxhinierët dhe studentët e Inxhinierisë…”!
Në vitin 1972, në mbështetje për dhënien e titullit Profesor, ka një recensë të shkruar nga docent Andrea Papastefani, ku ia vlen të theksojmë fjalët e tij, mbi veprën e Gjadrit: “Libri ‘Shkenca e konstruksioneve’ është libri i parë në këtë lëmë të shkencave, që shkruhet në gjuhen amtare. Ai meriton vëmendje të veçantë, për një trajtim të problemit të rezistencës së materialeve, si nga ana teknike, ashtu edhe teorike”!
Gjithashtu, mbi veprimtarinë e tij shkencore ka recensë edhe nga doc. Vasil Pistoli. Ndër të tjera, theksohet që autoriteti i tij është i mirënjohur edhe nga shumë personalitete të huaja të fushës së ndërtimit. Siç përshkruan rastin e diskutimit të bërë ndërmjet disa inxhinierëve shqiptarë, që vajtën për këmbim eksperience në Itali, me profesorin Carlo Cesteli Guidi, me autoritet ndërkombëtar i cili, sipas V. Pistolit, kishte për Gjadrin respektin e një kuadri shkencor të shquar.
Gjadri, prej vitit 1957, ushtronte aktivitetin shkencor pedagogjik në Universitetin Shtetëror të Tiranës, duke qenë nga kuadrot e parë në fushë të ndërtimit, qysh me krijimin e Institutit të Shkencave. Moment i rëndësishëm për Gjadrin ishte vendimi i shumëpritur dhe deri diku i vonuar mbi dhënien e titullit Profesor. Këshilli shkencor i fakultetit të inxhinierisë në mbledhjen e datës 6 dhjetor 1972 vendosi me 24 vota pro nga 25 votues t’i akordojë titullin shkencor Profesor.21
Dinamikat e përndjekjes së inxhinier Gjovalin Gjadrit
Pavarësisht punës së tij të madhe, në rindërtimin e vendit, ai është mbajtur vazhdimisht nën kontrollin e Sigurimit, me pretekstin se inxhinier Gjadri, mund të dëmtonte pushtetin. Në dosjen e tij pranë AIDSSH, figura e Gjadrit, trajtohet herë si figurë e pastër dhe herë të tjera, ngrihen hije dyshimi. Në një nga përshkrimet e figurës së tij, në një raport të shkruar më 1949, që fillon me fjalët; “për kategorizimin e aktivitetit kundërshtar të Gjovalin Gjadrit”, shikohet tendenca e qartë për të hedhur hije dyshimi mbi figurën e tij.
Aty theksohet: “Gjovalin Gjadri është njeri i privilegjuar”. Raporti vijon me informatat mbi arsimimin e tij në Vjenë, punësimin e tij në ministri. pas kthimit në Shqipëri, më pas përmendin punësimin e tij si inxhinier në Moskë, më 1927 dhe kthimin më 1932, nga Bashkimi Sovjetik. Për periudhën e punës në Bashkimin Sovjetik, raporti vazhdon hedh hije dyshimi mbi arsyet e kthimit: “Gjatë kohës që ka qëndruar në Moskë dhe largimi i tij nga Bashkimi Sovjetik, nuk dihet përse, meqenëse ky ka kryer universitetin në Austri, dyshohet të jetë kenë agjent i kontrollit austro-gjerman”!
Në vëllimin e I-rë të veprës së prof. Gjovalin Gjadrit, një inxhinier tjetër i fushës së konstruksioneve të ndërtimit, Haxhi Dauti, shprehet: “Në punën e Sigurimit të Shtetit, shumëçka ishte nën shenjën e dyshimeve për agjenturë të huaj, sidomos për ata që kishin studiuar jashtë shtetit. Problemi bëhej më dramatik, atëherë kur në përndjekjen e personave, Sigurimi mbështetej vetëm te dyshimet dhe hipotezat, jo në verifikimin e tyre. Vëzhgimi kryhej në mënyra nga më të ndryshmet dhe fryma e vëzhgimit, ishte krijuar nga nevoja e pushtetit, për të pasur nën kontroll çdo person, që mund të krijonte ndonjë problem ndaj tij”.
Fakti që pushteti kishte ngritur një sistem kontrolli të jashtëzakonshëm, që nga ushtria, policia, Sigurimi i Shtetit, me një rrjet spiunësh në çdo skaj të vendit, kontrolli punëtor, organizatat e masave, kolektivët e punës së çdo ndërmarrjeje, na bën të mendojmë se regjimi ishte i bindur, se nuk kishte krijuar një “njeri të ri” të bindur, por gjithçka ishte një përpjekje e mirë-menduar, për të mbajtur pushtetin nëpërmjet frikësimit të popullit.
Në vijim, dosja përmban aludime mbi vënien e interesit vetjak, mbi atë të përgjithshëm, nga ana e Gjadrit, cilësi kjo e papranueshme për moralin komunist. Në citimin e mëposhtëm, spiunimi përpiqet të nxjerrë në pah dy veti “negative” të Gjadrit: “Vënia e interesit vetjak mbi atë të përgjithshëm dhe indiferentizmin.
Gjatë regjimit të Zogut, ky ashtë bërë njeri i privilegjuar, simpatizonte regjimin dhe punonte për të, deri në okupacion. Ky ka qenë i lidhur ngushtë me degën e sektorit, ku punonte si inxhinier. Gjatë okupacionit, i ka shërbyer fashizmit më së miri, njeri që ka shikuar gjithmonë lekun dhe interesin e tij personal, ka simpatizuar okupacionin Italian-Gjerman dhe organizatat tradhtare të ‘Ballit’ e të ‘Legalitetit’, ka folur në favor të tyre, duke popullarizuar ata dhe luftën Nacional-Çlirimtare, nuk e ka shikuar me sy të mirë. Nuk ka treguar ndonjë aktivitet kundërshtar mbasi ka qëndruar indiferent”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm