Nga Dritan Kolgjini
Memorie.al / Ali Hakik Mena, me origjinë nga Fushë-Lura e rrethit të Dibrës, pinjoll i një prej familjeve më të njohura nacionaliste, jo vetëm të asaj krahine, por edhe në të gjithë Veriun e Shqipërisë dhe me gjerë, një intelektual i spikatur që nga periudha e Monarkisë së Zogut, i cili pasi luftoi me armë në dorë kundër regjimit komunist, me shumë pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, u arrestua në vitin 1947 dhe pasi u dënua fillimisht me vdekje, më pas me 101 dhe si përfundim, me 25 vjet burg. Në vitin 1960, Ali Mena vdes në spitalin e burgut, në rrethana të panjohura edhe sot, ku trupi i tij, ende nuk është gjetur. Për më shumë rreth kësaj dhe gjithë historisë së tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, na njeh intervista me z. Viktor Martini me origjinë nga Shkodra dhe me banim prej vitesh në SHBA-ës, një nga bashkëvuajtësit e tij, që e ka njohur Ali Menën, në kampet dhe burgjet, ku ai vetë u dënua që në moshën 16 vjeçare.
Z.Martini, ju keni qenë i burgosur politik, në disa kampe e burgje, gjatë kohës së komunizmit, ku jeni njohur me shumë personalitete të historisë apo pinjoj të familjeve të shquara të Shqipërisë, siç keni treguar në disa nga intervistat që keni dhënë. Pikërisht, për një bashkëvuajtësin tuaj, Ali Hakik Mena, kërkojmë të thoni diçka që ju kujtoni, nga periudha që keni qenë në të njëjtin burg, në Tiranë?
Si fillim e ndiej të nevojshme me shpjegu, se si më burgosën apo, si më banë të burgosun politik. Sapo kisha mbushë 16 vjeç…! E si mund të quhet një 16-vjeçar, i pjekun politikisht! Nëpërmjet nji akuze false, më arrestuen për tentativë arratisjeje, dhe më dënuen me 7 vjet burg. Por kjo fatkeqësi më krijoi mundësinë, të bashkohem me atë pjesë krenare të kombit, prej të cilëve mora mësimet e para intelektuale e morale. Njeni nga këta mësues, asht fisniku i pashoq, intelektuali e i pa përkuluni Ali Mena.
Kanë kalu më se 70 vite, por falenderoj Zotin që më ka ruejtun memorien të freskët. Jo vetëm për mos me i harru këta heronj, por dhe për t’ia ba të njohun, pjesës ma të rëndësishme, rinisë shqiptare, të cilët nuk kanë pasë rastin të ndigjojnë historitë e antikomunistëve. Dhe sigurisht, edhe për t’ia përplasë në fytyrë sot politikanëve të këtyne 30 e sa viteve, të cilët jo pa qëllim kërkojnë që t’i mbulojnë me pluhunin e harresës. Por jo! Era ngado që të fryjë, fletët e historisë nuk mund t’i tresë apo shlyejë.
Historianët e periudhës së Enver Hoxhës, kanë paraqitë nji histori si mbas shijeve të diktatorit, në mënyrën ma hipokrite. E kështu vazhdojnë edhe sot. Por kam bindjen dhe shpresën e madhe te Zoti, se nji brez tjetër po vjen, të cilët nuk janë të pandjeshëm apo të painteresuem, ndaj historisë së vërtetë. Prandaj besoj se nuk kanë me pranu, që historia e këtyne heronjve, të qëndrojë e varrosun atje, me ato njerëz që punuen me vetëmohim, për komb, fe e atdhe e, mbi të gjitha, sakrifikuen tue i vu krahnorin furtunës së kuqe, që dinjiteti i shqiptarëve, të qëndrojë pa ra poshtë, e me u shkelë me kambë, ashtu sikur ndodhi për gjatë 46 viteve të atij regjimi famëkeq, e besa deri diku edhe sot.
Ju lutemi, a mund të na bëni një përshkrim të përgjithshëm të profilit njerëzor, politik e intelektual të Ali Menës?
Ah!… Ali Mena?! Sa e vështirë asht të plotësosh figurën e nji njeriu, me të gjitha virtytet e trashëgueme nga fisi i tij e, që Zoti, ia kishte falë me bujari. Virtyte të cilat, nëpër vuejtjet e torturat që kishte kalu me fisin e tij, ia doli t’i mbante të pashterruna e, të pacenueme, përballë katilave, që mbollën veç dhunë, gjak e uri.
Mbasi u dënova, kalova në burgun e Shkodrës, nga aty më dërguen në kampin e Rinasit. Dhe, për shkak se isha me njanën kambë të këputun, më transferuen si të paaftë për punë, në burgun e Tiranës. Në këtë kohë, isha vetë i katërti vlla, në burg, kurse baba na kishte vdekë, në burgun e Burrelit. M’u dukte vetja në mesin e turmës, si nji trumcak i trembun e i trishtuem, nga stuhia e tmerrshme.
Kujtoj kohën kur mbasi zuna vend në rreshtin e gjatë të dyshekëve, të burgosunit filluen të vijnë me radhë, ma shumë të shtymë nga kurioziteti, se kush jam, nga vij, etj. Të nesërmen, nji burrë i gjatë e i hollë, më pyeti: “A mund të ulem”? “Si jo”! – i thashë!
– “Nga të kemi? Unë quhem Ali Mena”, – u prezantue vetë i pari.
Kurse unë quhem Viktor Martini, – iu përgjegja. – “Jam prej Shkodre e, vij nga kampi i Rinasit”.
– “Mos ke të bash gja me Pac Martinin”? – më pyeti.
– “Asht vëllai im”!
– “Sa vjeç je”? –“16 vjeç”! – iu përgjigja.
Sytë e tij u mbushën me lot, por me lot të përmbajtun. Thue se bebet e syve të tij, ishin si dy gaca zjermit. Me kalimin e ditëve, mësova se Aliu, u jepte mësim të burgosurve, në gjuhën anglisht, të cilën e zotnonte gati si vetë anglezët. Mbrenda dhomës, nga debatet që hapeshin për tema intelektuale, nga ma të ndryshmet, Aliu me nji gjakftohtësi të dallueshme, dominonte nga mënyra se si e shtronte dhe mbronte argumentin. Pra ishte i gjithanshëm si intelektual.
Nji ditë Aliu më tha; “nëse ke dëshirë, mund të vish me marrë mësim në anglisht”? Si jo, – i thashë, – do t’ju isha mirënjohës. Kështu, pra, fillova me marrë mësimet fillestare. Mbas mësimit, dalëngadalë fillova ta pyesja se nga ishte, dhe pse kishte ra në burg. Kur unë e pyeta për herë të parë, ai vuni buzën në gaz e, tue dashtë me më sqarue, tha shkurt: – “Asht histori e gjatë! Asht ma mirë mos ta ndigjosh”! Kjo më bani ma kurioz dhe si me marifet, unë nuk hiqja dorë nga dëshira ime, meqë më dukej njeri i veçantë, nga sjellja, niveli i dijes, kultura etj.
Ju rrëfyet se Aliu, ju ka dhënë mësime për gjuhën angleze në kushtet e burgut…! Çfarë kujtoni nga ajo kohë kur, me pranga në duar, kërkonit të hapnit edhe një dritare të dijes, duke shpërfillur kushtet infernale ku gjendeshit?
Asht e vërtetë se, megjithëse ishim mbrenda skëterrës, mundoheshim të merrnim dritën e ditunisë nga të shkolluemit, sepse dija të lehtëson edhe vuejtjen! E kam thanë disa herë, se në burg njerëzit, midis halleve që kishin, mundoheshin të përfitonin kulturën, që na mungonte. Dhe këta intelektualë i kryenin me devocion këto sakrifica, që ma vonë na vlejtën shumë. Ndër këto burra shquhesh dhe i ndiemi Ali. Prandaj nuk ishte çudi që me çfarë kishte kalu, mos me i ra ndërmend me ba atë punë aq humane.
Kujtimi i fundit fizik që kam për të ndiemin, asht kur u transferova nga Tirana, për në burgun e Shkodrës. Aliu erdhi, më përshëndeti tue më thanë: “Udhë të mbarë! Ti je nji i ri shumë kurajoz e inteligjent. Nji ditë ne presim shume nga ti”! Ishte hera e fundit që e pashë.
Çfarë dini apo, çfarë të dhënash keni nga historia e dënimit të shumëfishtë (fillimisht dënim me vdekje, që pastaj ia kthyen në 101 vjet, e në fund e caktuan 25 vjet), të bashkëvuajtësit tuaj Ali Mena, si dhe nga historia e tij e rezistencës me armë, ndaj regjimit komunist?
Sikur ju thashë dhe ma sipër, isha kurioz të mësoja diçka nga jeta e tij. Dhe ai dal-ngadalë, në raste të ndryshme, më tregoi se familjarisht, ishin zogistë, e që, si besnikë të tij deri në vdekje, kishin marrë malet, për me luftu komunizmin me armë në dorë. Ai më tregonte jetën e rezistencës në male, në kushte tepër të vështira, nëpër shpella, në borë e shi, me bukën thatë, që ua jepnin farefisi e miqtë e vjetër, tue rreziku edhe jetët e tyne. Tregonte rrethimet, çamjet e rrethimeve e disa herë në këto rrethime, na thoshte se si i kishte humbë njerëzit ma të afërt, shokë, miq e dashamirë. Nuk më kujtohet me saktësi, po në mos gabohem, 5 a 6 vetë, vetëm nga familja e tij, ranë në luftë me armë në dorë, veçse për atdhe e për liri. Për këta heronj, respekti duhet të jetë në maksimum!
Ka të dhëna se vdekja e Aliut është një krim shtetëror, ose ndryshe një ekzekutim pa gjyq. A mund të na thoni diçka më tepër rreth këtij momenti?
Dihet se mbas operacionit në stomak, ai ka qenë në gjendje të mirë fizike. Përveç kësaj, familja e Aliut, ka bërë takim një ditë para se të vdiste, apo ta vrisnin, dhe dëshmojnë se ai ka qenë shëndoshë e mirë…!
Ndërkohë, mbas 5 ditëve nga ndërhyrja kirurgjikale, trupi i tij, ka nisur të japë shenja helmimi. Më saktë dyshohet se vrasja e tij, është kurdisur nga Sigurimi i Shtetit, duke e paraqitur si vdekje natyrale…! Çfarë dini ju për këtë rast?
Nuk mund të them se i ndiemi Ali, gëzonte nji shëndet të plotë mbas gjithë atyne vuajtjesh e torturash, që ai na tregonte. Por jam i sigurt, se njerëzit me karakter të fortë, si Aliu, i përballojnë edhe sëmundjet. Unë kam ikë herët nga burgu i Tiranës dhe kam përfundu në burgun e Burrelit, në moshën 18 vjeçare. Nuk kam dijeni, a e vranë apo, vdiq natyrshëm!
Por kam disa raste të tjera, si atë të Tuk Jakovës, që ishte në burgun e Tiranës, ku e kapi apendiciti dhe e çuan për operacion ku edhe vdiq. Kësi rastesh, ka pasë shumë nëpër burgjet e kampet e Shqipnisë komuniste. Ky mundet me qenë nji nga rastet, dhe shumë e pranueshme si mundësi. Por e vërteta mbetet mister ende, për sa kohë, nuk kemi nji dëshmitar apo dokument. Për fat të keq, as dëshmitarët, nuk duen me folë, dhe as dokumentet s’i kemi, sepse këta i kanë zhdukë, qëllimisht.
Në lidhje me vdekjen e Aliut, kemi dëgjuar nga bashkëkohës të ndryshëm, se janë bërë vizita te njëri-tjetri nga të burgosurit, në disa burgje të Shqipërisë, ose siç i thonë ndryshe, “kanë çelur mort” brenda në burg. Një fakt tjetër, që të bën përshtypje, është numri prej rreth 2000 telegramesh ngushëllimi, drejtuar familjes nga shokët, miqtë dhe dashamirët e tij. A kujtoni diçka rreth jehonës, apo efektit në gjirin e të burgosurve, të lajmit për vdekjen apo, vrasjen e Ali Menës?
Në përgjithësi, kur dikush vdiste në burg, kufomën menjëherë e merrnin dhe e varrosnin në vende, ku vetëm ato katila e dinin, me qëllim që të mos gjendej kurrë. Në mungesë të njeriut të afërt, mbrenda burgut, në kësi rastesh, ne i respektonim në heshtje të vdekunit, pa lëvizë nga dysheku, që përfaqësonte “shtëpinë” tonë. Por vdekja e tij dhe e tjerëve, gjithnjë kanë pasë jehonë, e janë trajtu me respekt të sinqertë njerëzor, tue e ndie thellë, si humbje të njerëzve të shpisë, vdekjen e këtyre burrave.
A keni ndonjë informacion, rreth vend-varrosjes së Aliut apo, a keni dëgjuar rreth përpjekjeve e peripecive të të vëllait, Isa Mena, i cili bëri të gjitha tentativat e mundshme për ta gjetur, duke shkuar edhe në Ministri të Brendshme, në Prokurori të Përgjithshme, por megjithatë, në mënyrë absurde, nuk u lejua të shihte kufomën apo varrin, çka lë vend për dyshim, siç e thamë se mund të zbulohej krimi i kryer…?!
Me thanë të vërtetën, nuk kam shumë të dhana, sepse e thashë edhe ma sipër, mbrenda burgjeve, ne nuk dinim se çfarë ndodh me kufomën, e cila përfundonte nëpër vorreza, kutohet pa emën. E kjo ishte nji praktikë që zbatohej me fanatizëm, nga shërbëtorët e regjimit, i cili dënonte praktikisht edhe kufomat e të vdekunve, përveç të gjallëve.
Çfarë emri mund t’i vini faktit që edhe mbas vdekjes apo, ekzekutimit të Aliut, familja e tij, u ndalua rreptësisht prej Ministrisë së Brendshme, të marrë pjesë në varrim?!
Përveçse dëshirës, me marrë pjesë në varrim, të gjithë kanë trokitun në derën e gabueme, sepse, as edhe nji i burgosun, nuk e ka gëzu atë “privilegj”.
Përveç ekzekutimeve, burgut, grabitjes së pasurisë etj., një nga format e ushtruara gjerësisht nga regjimit komunist, ka qenë internimi. Pra, në lidhje me internimet ndëshkimore të familjeve, ku syrgjynoseshin pleq, gra e fëmijë, dhe në këtë kuadër, për familjen e Menajve, çfarë mund të thoni, çfarë kujtoni apo keni dijeni?
Diktatura, as dhe për nji sekondë, nuk asht ngopë me vuajtjet e gjakun e kësaj shtrese. E dimë të gjithë, se fiset e Menajve, Mirakajve, familja e Gjonmarkajve e, shumë e shumë familje të tjera fisnike, kanë përjetu mohimin e lirisë, nëpër internime, ku nji pjesë e madhe e tyne, aty u martuen, lindën e vdiqën. Por dhe ato që mbijetuen deri në ditët e sotme, nuk po marrin atë çka meritojnë, sepse fati e të drejtat e tyne, ndodhen në duart e atyne që e urrejnë këtë klasë e, që mundohen në formën ma çnjerëzore, ta shfrytëzojnë politikisht. Kjo më duket shumë e padenjë, prej politikës pseudo-demokratike, të këtyne dy dekadave të fundit.
Në intervistat që keni dhënë më parë, keni rrëfyer se praktikisht, të gjithë burrat e shtëpisë suaj, madje edhe gratë, kanë qenë të burgosur. Pak a shumë të njëjtën histori familjare ka pasur edhe Aliu, ku burrat ishin në burgje, ndërsa plakat e fëmijët, nëpër internime. A pajtoheni me mendimin, se kjo ka qenë një strategji e mirëfilltë gjenocidi, d.m.th., zhdukja e meshkujve, nga shtëpitë e njohura antikomuniste?
Viktor Martini: Edhe shkelja ma e vogël, kur ajo cenon lirinë, mund ta quajmë gjenocid, e jo ma, të mos quhen gjenocid, përpjekjet e diktatorëve, për të na varrosun si klasë, deri në zhdukje fizike, totalisht.
Historia e rezistencës antikomuniste, pas ‘44-ës, është në pjesën e saj më të madhe e fshehur dhe e panjohur, për opinionin e gjerë. Në këtë kontekst, çfarë mund të na thoni, rreth rezistencës së njohur të burrave të fisit të Bajraktarit të Lurës, Menajve, prej të cilëve 9 veta, u vranë me armë në dorë kundër komunizmit?
Jo, jo… nuk është e panjohur… historia e familjes së Menajve, ashtu sikur edhe e familjeve të tjera, të kësaj kategorie, qarkullon si ato legjendat, që kurrë nuk harrohen. Por e keqja asht, se disa historian, mundohen t’i fshehin ngjarjet, tue u mundu t’i mbulojnë, me gënjeshtrat e tyne të paturpshme. Por turpi ka me i mbulu, sepse e vërteta nji ditë do të shndrisë, sepse, siç thotë ajo shprehja popullore; “nuk zihet dielli me shoshë”!
Në gjykimin tuaj, këto sakrifica sublime, me jetë në altarin kombëtar, kemi parasysh zhdukjen e Ali Menes, vëllait të tij, Isa Menës, që do të vritej dy vjet më vonë në kufi, dhe 7 vëllezërve e kushërinjve të tij, që u vranë gjatë rezistencës antikomuniste, deri në vitin 1948, – sa vlejtën në atë kohë, apo më vonë, që njerëzit të ndërgjegjësoheshin, për të keqen me emrin komunizëm?! E së dyti, në lidhje me këta martirë të lirisë, a jemi koshientë ne si shoqëri shqiptare, në lidhje me sakrificat e tyre, që shkuan deri në vetësakrifikim?
Sakrificat e fisit të Menajve, nuk ka forcë që t’i shlyejë, tue i qitun në harresë. Por me shoqninë shqiptare, ndryshon paksa puna. Nji pjesë e madhe e saj, u shndërru në “njeriun tonë të ri”. Të ndërgjegjësosh nji shoqni, e cila u drejtu pa përgjegjësi kombëtare, asht gjaja ma e vështirë sod. Kjo detyrë, na përket neve, ta marrim përsipër. Me durim, të bindun se do ia mbërrijmë. Nuk asht as e lehtë, as e shpejtë, por jo e parealizueshme.
Nëse nuk do rrimë duarkryq, këta heronj, do të mundim me i vendosë nëpër piedestalet ma të nalta, ku meritojnë të jenë. E vetëm atëherë, ne mund të ndihemi krenarë. Dhe vetëm kështu këta heronj, do të pushojnë në paqe, të çliruem nga përbindëshat diktatorialë. Këto vonesa, kurrsesi nuk janë për shkakun tonë, por për turpin e politikës shqiptare, prej këtyre tre dekadash dhe të mos harrojmë, se këtë padrejtësi ndaj të vërtetës dhe historisë, kalemxhinjtë e diktaturës, e mbajnë për nder e krenari…!
Megjithëse keni qenë i ri, ju e keni përshkruar Aliun, si një “zogist”, dhe ky është një fakt i njohur, pasi shtëpia e Bajraktarit të Lurës, ka qenë historikisht e lidhur me Zogollin. A mund të na thoni, si kanë qenë të organizuar “zogistët”, në kushtet e burgut?
Burrat e fisit Mena, janë të njoftun si zogistë, besnikë të Mbretit, të palëkundur si nacionalistë. Aliu në burg, mbante përreth të gjithë zogistët, duke iu mbajtë gjallë shpresën, se nji ditë do të vinte liria dhe rrëzimi i tiranisë. Ma tepër, nuk mund të bënte kurrkush.
Ka një ide të përgjithshme, se komunizmi ka pas përqendruar pa pushim, gjithë egërsinë e vet, mbi ato familje apo persona, që njiheshin si nacionalistë, dhe në këtë shtresë, “zogistët” mbajtën peshën kryesore. Duke e lidhur edhe me gjenocidin ndaj Menajve, një familje e vjetër historike e nacionaliste, – sa ju duket se qëndron ky pohim? D.m.th., a bënte realisht “diferencime” edhe në persekutim regjimi, ose a i “përzgjidhte” viktimat e veta?!
Sigurisht që barrën ma të rëndë në diktaturë, e kanë mbajtë nacionalistët shqiptarë, sepse këta ishin rreziku i diktatorit Enver Hoxha dhe gjithashtu, pasuesit të tij, Ramz Alia. Nacionalizmi shqiptar, ishte i përbëmë nga ‘Zogistët’, ‘Blloku Kombëtar Indipendent’ e nga ‘Balli Kombëtar’. Të tria këto grupe, kanë pasë platforma të ndryshme, por që kishin të përbashkët, idenë e nji Shqipnie të madhe, etnike.
Pa përjashtim, tek të gjithë anëtarët e këtyne partive, ra kamxhiku i diktaturës, por në mënyrën ma çnjerëzore, ra tek drejtuesit, organizatorët, të cilët vinin nga familje, me za e me emën. Si p.sh., te fisi i Gjonmarkjve, apo Mirakajve dhe kështu edhe fisit të Menajve, pa përmendë këtu ato të jugut, që pësuen ditët ma të zeza, aspak ma të vogla, se këto të atyne që përmenda ma nalt.
Për 46 vjet komunizëm, në Shqipëri është ushtruar dhunë shtetërore, kundër asaj shtrese që etiketoheshin si “të prekur politikë”. Pikërisht këta njerëz, kanë qenë karta morale në fillim të ndryshimeve në vitin 1990. Sa mund të rezistonte njeriu, ndaj trysnisë politike të regjimit, dhe sa është e ndërgjegjshme shoqëria shqiptare sot, për këto sakrifica?
Bile, si shtesë “armiqtë e popullit shqiptar…”! Por janë pikërisht këto shtresa, që në janarin e vitit 1990, lëshuen kushtrimin se; diktatura duhet të marrë fund. Njeni nga ata që u ngritën fuqishëm, isha dhe unë, me 13 janar 1990, në Shkodër. Dhe bash në këtë datë, më arrestuan, më torturuan e më izoluan, në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, tue më mbajt dy muaj rresht me gjylpana, në gjendje kome.
A jeni në dijeni që për Ali Menën, nuk është shkruar praktikisht asgjë deri më sot, dhe ndoshta kjo intervistë e juaja, mund të zgjojë vëmendjen e autoriteteve përkatëse shtetërore në Shqipëri, të përkujtojnë me një gjest vlerësues, duke i dhënë emrin e tij, një rruge, apo një shkolle etj., si shenjë ndërgjegjësimi, ndaj atij kontributi e sakrificash sublime, për lirinë e dinjitetin njerëzor, të vendit të vet?
Pretendimi juej, asht tepër i arsyeshëm për Ali Menën e, për gjithë këtë kategori që meriton të përjetësohet. Por nga ana tjetër, më habit arsyetimi juej dhe i shumë të tjerëve në fakt…! Ju po kërkoni të respektohen këta heronj, pikërisht nga pasardhësit e komunistëve…?! Ju mendoni se ata e kanë problem zhvlerësimin tonë?! A nuk e shikoni se këto 30 e sa vite, kanë ba lojën ma çnjerëzore, me dekorata, tue na tallun keqas?!
Mendoni se ne duhet të krenohemi, pse u vu përmendorja e Mbretit Zog në Tiranë!?
Aliu do t’u ndiente tepër i fyem, sikur t’u nderonte nga ish-kameleonët e trashëgimtarët e politikës të sotme. Aliut me shokë, do i vijë koha, që një ditë të vlerësohet ashtu sikur e meritojnë, nga trashëgimtarët dhe brezi i ri antikomunist. Prandaj durim e mos u nxitoni. Me këtë rast, ju falenderoj ju si media, për mundësinë që më dhatë, për me dëshmu e me respektu ato heronj, të denjë me i quajt bij të lavdishëm të kombit shqiptar.
Unë ndihem tepër i kënaqun, që po kryej nji amanet që me la Visarjon Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, kur në oborrin e burgut të Burrelit, me tha: “Në emën të Zotit, të ngarkoj të jesh dëshmitar i vuajtjeve të tona, kur nji ditë ne s’kemi për të qenë”! Isha 18 vjeçar atëhere e, unë do vazhdoj të jem edhe sod dëshmitari i vuajtjeve të njerëzve të ndershëm, që sakrifikuan, për lirinë e dinjitetin e popullit shqiptar.
Ju faleminderit z. Martini.
Kush ishte Ali Hakik Mena?
Lind në Fushë-Lurë në vitin 1923, në familjen e madhe të Bajraktarit të krahinës së Lurës;
Kryen shkollën bazë, ose Internatin në Tiranë;
Ndjek Liceun e Shkodrës, deri në fund të vitit të katërt;
Përjashtohet nga shkolla para provimeve të maturës, për aktivitet anti-italian;
Ishte organizator i disa demonstratave e protestave në shkollë, kundër italianëve.
Kryen provimet e maturës, në “Normalen” e Elbasanit.
Kthehet në vendlindje në moshën 20 vjeç dhe i bashkëngjitet familjes;
Lufton me armë në dorë kundër pushtetit komunist, bashkë me vëllezërit dhe djemtë e axhës, Selmanit, deri më 1947-‘48.
Arrestohet dhe burgoset më 8 gusht 1947;
Ri dënohet brenda në burg, më 10.5.1957, duke u dënuar me burgim të përjetshëm, që më pas i kthehet në 25 vite burg;
Vdes në spitalin e burgut, në kushte dhe rrethana tepër të dyshimta dhe ende të pasqaruara edhe sot, më 24.05.1960;
Njihte shumë mirë e zotëronte gjuhët e huaja, si; anglisht, frëngjisht, italisht dhe deri diku edhe rusisht, të cilën e mësoi në burg;
Dinte përmendësh krejtësisht “Lahutën e Malësisë” të Fishtës;
Ishte i martuar me vajzën e Selim Kaloshit, nga Sina e Dibrës, i cili është pushkatuar me të vllain Elezin.
E shoqja e Aliut, Hazbija, ka qenë e internuar në Berat, ku i vdiq vajza e vetme, Feridja, në moshë minore, ndërsa ajo vetë ka vdekur në vitin 1957, në moshë të re. Memorie.al
Marrë nga gazetadieli.com