Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të aksionit të ndodhur në gushtin e vitit 1941 ku u hodhën në erë depot e municionit që italianët kishin përqendruar në fshatin Rradhimë të Vlorës, të cilat ruheshin nga Divizioni “Siena”, aksion për të cilin në fundin e viteve ’70-të , regjimi komunist i kushtoi filmin artistik të Kinostudios “Shqipëria e Re”, me titull “Në fillim të verës”. Dëshmia e rrallë e Jaup Xhezo Iljazit me origjinë nga fshati Tragjas i Vlorës, i cili me sugjerimin e Hysni Lepenicës, Mehmet Alemit, Skënder Muços dhe Hysni Kapos, mori përsipër dhe kreu aksionin e hedhjes në erë të atyre depove të mëdha të municioneve që italianët i përdorën gjatë luftës italo-greke. E vërteta e asaj ngjarje të cilën historiografia dhe propaganda e regjimit komunist, ia atribuan “Heroit të Popullit”, Shyqëri Alimerko, duke i kushtuar edhe filmin artistik në fundin e viteve ’70-të, si dhe fati tragjik i autorit të vërtetë të asaj ngjarje, që pasi u internua nga gjermanët në kampet e shfarosjes në Austri, u burgos edhe nga komunistët porsa u kthye në Shqipëri, duke u akuzuar si “agjent i gjermanëve dhe anglezëve”?! Arratisja e tij nga Shqipëria pas daljes nga burgu në vitin 1952, duke u bashkuar “Kompanisë 4000” në Gjermani dhe më pas emigrimi në SHBA-ve, ku qëndroi deri në vitin 1998, që u kthye përgjithmonë në Shqipëri, për të kaluar ditët e fundit të jetës në vendlindjen e tij në Vlorë.
“Në fillimin e gushtit të vitit 1941, në shtëpinë time në Izvor të Vlorës, erdhën Hysni Lepenica, Skënder Muço, Mehmet Alemi dhe Hysni Kapo, të cilët ishin dhe krerët kryesorë të Lëvizjes Antifashiste të Vlorës në atë kohë dhe së bashku diskutuam gjatë për hedhjen në erë të depove të municioneve që italianët kishin përqëndruar në fshatin Rradhimë. Kryerjen e atij aksioni e mora unë përsipër dhe bashkë me mua u vendos që të vinte edhe Selim Laçej, e pas një jave të dy bashkë, pasi morëm me vete një bidon me benzinë, barut dhe ca eshkë, aty nga ora dy e natës mbërritëm tek depot ku ndodheshin afro 20 baranga me dhjetra tonelata municione të stivosura mirë. Pasi kapëm njërin nga 14 rojet italiane …” Kështu e kujtonte mes të tjerash fillimin e atij aksioni, Jaup Xhezo Iljazi, ish-nxënës i Shkollës Tregtare të Vlorës dhe i Fakultetit të Ekonomisë në Bolonja të Italisë, i cili ka qenë një nga shokët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Hysni Kapos, nga ku rrugët e tyre u ndanë më pas në shtatorin e vitit 1943, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, kur filloi vëlla-vrasja në mes komunistëve dhe nacionalistëve të Ballit Kombëtar e Legalitetit. I burgosur nga gjermanët në kampet e shfarosjes në masë në Austri dhe më pas edhe nga komunistët, i arratisur nga Shqipëria që nga viti 1952, Jaup Xhezo Iljazi u kthye në Shqipëri, për të ngrysur ditët e fundit te jetës në shtëpinë e tij në periferi të lagjes “Skelë”, nga ku ishte larguar para 46 vitesh. Me një kujtesë për t’ia pasur zili, në takimin që patëm me të, ai na tregonte me hollësira dhe detaje edhe për një nga ngjarjet më të bujshme të periudhës së Luftës, atë të hedhjes në erë të depove të municioneve që ndodheshin në Rradhim të Vlorës. Ngjarje e cila është përjetësuar nga regjimi komunist me filmin “Në fillim të verës”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e re”, por duke i’a atribuar atë aksion, Shyqëri Alimerkos, (“Hero i Popullit”). Lidhur me këtë dhe ngjarje të tjera nga jeta e tij, na njeh intervista që i patëm marrë Jaup Xhezo Iljazit, pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, ku ka qenë prezent edhe dhëndrri i tij, Fahri Shaska, njeriu që na njohu së pari, me historinë e vërtetë të ngajrjes së aksionit të depove të Rradhimës, që ishte e mbajtur e fshehtë dhe nuk ishte bërë publike edhe pas rrëzimit të regjimit komunist.
Zoti Jaup, çfarë aktiviteti keni pasur gjatë periudhës që ishit nxënës në shkollën Tregtare të Vlorës?
Gjatë atyre tetë vjetëve që isha nxënës në shkollën Tregtare të Vlorës, unë nuk kam pasur ndonjë lloj aktiviteti që i’a vlen për t’u përmendur, por së bashku me shokun tim të ngushtë Hysni Kapo, flisnim dhe bisedonim me shokët tanë të shkollës dhe të qytetit kundër fashizmit. Bindjet tona antifashiste unë me Hysni Kapon i shtuam akoma dhe më tepër gjatë vitit 1940, kur shkuam për të studiuar në Itali.
Për çfarë studiuat në Itali?
Pasi mbaruam me nota të mira shkollën Tregtare të Vlorës, së bashku me Hysni Kapon fituam nga një të drejtë studimi për në fakultetin Ekonomik të Universitetit të Bolonjës në Itali. Në atë fakultet unë vazhdova vetëm vitin e parë, pasi në prillin e vitit 1941, u ktheva në Shqipëri me të vetmin qëllim për të luftuar kundra fashistëve italianë që na kishin pushtuar atdheun.
Po Hysni Kapo u kthye?
Hysni Kapo qëndroi vetëm pak kohë në Bolonja dhe ai u kthye akoma pa filluar studimet. Sapo erdhi në Vlorë, ai filloi punë si sekretar në spitalin e qytetit dhe menjëherë u lidh me Rezistencën Antifashiste.
Kur u kthyet në Vlorë, me kë krijuat lidhje në aktivitetin tuaj antifashist?
Sapo erdha në Vlorë unë u lidha me avokatin e njohur Skënder Muço, të cilin e kisha edhe kushëri. Nëpërmjet Skënderit unë u lidha edhe me eksponentë të tjerë të Lëvizjes Antifashiste, siç ishin: Hysni Lepenica, Mehmet Alemi, etj dhe së bashku me këta diskutonim se si të fillonim aksionet konkrete kundër pushtuesve italianë.
Kur i filluat këto aksione?
Aksioni i parë që realizuam ishte ai i hedhjes në erë të depove të municioneve që italianët kishin grumbulluar e përqëndruar në fshatin Radhimë të Vlorës. Nga kjo depo gjigande e cila përbëhej prej më shumë se 20 kapanonesh të ndërtuara në formë barangash dhe stivash të tjera me predha dhe municione të mbuluara me mushama, furnizohej e gjithë ushtria italiane e cila luftonte në frontin me Greqinë.
Si qëndron e vërteta rreth aksionit të djegies së atyre depove, për të cilin para viteve ’90-të, asaj ngjarje i është kushtuar edhe filmi artistik “Në fillim të verës”?
Atë aksion e mbaj mënd shumë mirë, jo vetëm për faktin se ai ishte i pari aksion që merrja pjesë unë, por edhe sepse aty u plagosa në dorë. Ai aksion u krye në fshatin Rradhim të Vlorës, ku italianët asokohe kishin grumbulluar e përqëndruar sasira të mëdha municionesh. Nga ajo depo gjigande e cila përbëhej prej më shumë se 20 kapanonesh të ndërtuara në formë barangash dhe stivash të tjera me predha dhe municione të mbuluara me mushama, furnizohej e gjithë ushtria italiane, e cila luftonte në frontin me Greqinë.
Kush vendosi për kryerjen e aksionit?
Në fillimin e gushtit të vitit 1941, në shtëpinë time në Izvor të Vlorës, erdhën Hysni Lepenica, Skënder Muço, Mehmet Alemi dhe Hysni Kapo, të cilët ishin dhe krerët kryesorë të Lëvizjes Antifashiste të Vlorës në atë kohë. Pas shumë diskutimesh, aty u vendos që të sulmohej ajo depo municionesh, duke u djegur dhe u hedhur në erë. Kryerjen e atij aksioni e mora unë përsipër dhe bashkë me mua u vendos që të vinte edhe Selim Laçej.
Si arritët ta kryenit atë aksion?
Pas disa ditësh nga ajo mbledhje që u bë në shtëpinë time, duke parë edhe kohën që ishte me shira dhe mjaft e përshtatshme për kryerjen e aksionit, diku aty nga ora 2 e natës, unë u largova nga shtëpia duke u hedhur nga dritarja. Atë gjë e bëra pasi dera e shtëpisë mbyllej vetëm nga brenda dhe unë nuk desha që t’i zgjoja njerëzit e shtëpisë, pasi ato jo vetëm nuk duhet të dinin gjë për atë aksion, por edhe mund të më pengonin që të dilja në atë orë të vonë jashtë shtëpisë. Kjo edhe për faktin se fare pranë shtëpisë sonë ishte vendosur Komanda e Divizionit italian “Siena”, e cila ruhej me ushtarë natë e ditë.
Pse familja juaj nuk kishte dijeni për angazhimin tuaj në Lëvizjen Antifashiste?
Familja dinte diçka, pra që unë isha i angazhuar në Lëvizjen Antifashiste, por për gjëra konkrete siç ishin dhe aksioni në fjalë që do kryenim, as që bëhej fjalë. Këto gjëra ishin në konspiracion të madh dhe askush nuk duhej të kishte dijeni.
Çfarë bëtë kur dolët nga shtëpia?
Sapo dola jashtë shtëpisë pa më ndier njeri, shkova në vendin e caktuar dhe u takova me Selimin. Pasi qëndruam një copë herë aty për t’u siguruar se nuk na kishte pikasur njeri, u nisëm për në fshatin Rradhimë, ku ndodheshin depot e municionit, të cilat shtriheshin në një sipërfaqe të madhe. I gjithë kompleksi i atyre depove ruheshin nga 14 roje italiane të armatosura mirë, të cilët ishin vendosur nëpër lartësi dhe pika kyçe të atyre maleve e kodrave përreth. Nisur nga fakti se rojet ishin të vendosura në një distancë të largët nga njeri tjetri, ata nuk kontrollonin dot vendin me patrullim, por kishin një sinjal, duke thirrur me numra njeri-tjetrin, sipas vend-rojes ku ndodheshin. Pasi përgjuam për një farë kohe për të parë mënyrën se si ruheshin ato depo, ne u afruam tek roja i 14-të, të cilit Selimi i vuri pushkën në grykë. Ai nuk bëri asnjë lloj rezistence dhe ne e çarmatosëm, duke e kërcënuar se po të lëvizte do ta vrisnim. Roja italian duke kujtuar se ne do të ishim shumë vetë në atë aksion, nuk bëri asnjë lëvizje dhe kur erdhi koha për të përsëritur sinjalin, thirri numrin 14. Pas kësaj unë u futa brenda telave me gjemba me të cilat ishte rrethuar i gjithë territori i depove dhe u afrova tek njëra nga stivat me predha topi që ishte mbuluar me mushama dhe ndodhej para barakave. Pasi përgatita barutin dhe spërkata vendin me bidonin me benzinë që kisha marrë me vete, ndeza eshkën dhe menjëherë u largova me shpejtësi për nga vendi ku isha futur.
Sa kohë vazhdoi djegia e eshkës që do të ndizte barutin?
Djegia e eshkës vazhdoi jo më shumë se pese minuta dhe ndërsa unë isha duke kaluar rrethimin e telave me gjemba, u dëgjua shpërthimi i parë. Në atë kohë, nga frika, unë ikja me vrap nga sytë këmbët duke ecur nëpër ferra e gurë, duke u çjerrë në të gjitha pjesët e trupit. Ndërsa isha duke vrapuar, dëgjova shpërthimin e dytë, e kështu me radhë shpërthimet e tjera, pasi stivat ndiznin njëra-tjetrën. Në atë kohë flaka e tymi që dilnin prej tyre, u ngrit lart në qiell duke e bërë vendin dritë. Unë me Selimin vazhdonim të vraponim tutje lart malit, pa e kthyer kokën prapa dhe e ndalëm vrapin në vendin e quajtur Sheshet e Izvorit, në majën e Llustrës. Aty ne u ndamë dhe Selimi iku për në fshatin e tij, Tragjas, kurse unë u ktheva për tek shtëpia ime.
Sa kohë vazhduan shpërthimet në ato depo dhe ç’ndodhi me pas?
Shpërthimet aty vazhduan për 24 orë pa ndërprerje, kurse flaka dhe tymi kanë vazhduar edhe më gjatë. Që në momentin kur aty u dëgjuan shpërthimet e para, u dha alarm dhe aty afër u grumbulluan forcat e Divizionit “Siena”, si dhe përforcime të tjera të shumta që erdhën nga qyteti i Vlorës. Të gjitha ato forca që u grumbulluan aty, vetëm sa shikonin flakët, pasi nuk kishin asnjë lloj mundësie për të shpëtuar ndonjë gjë nga ato që ndodheshin aty.
Kur u ktheve në shtëpi a u tregove familjarëve për aksionin që kishe kryer?
Kur u afrova afër shtëpisë, unë nxora një shami të bardhë dhe e tundja që të mos më qëllonin rojet italiane që ruanin Komandën e Divizionit “Siena”, e cila ishte fare pranë tokave tona. Pas shpërthimit, njerëzit e shtëpisë sime ishin zgjuar nga gjumi dhe duke mos më parë mua aty brenda, kishin menduar se atë gjë do ta kisha bërë unë. Pas kësaj, vëllai im doli fshehurazi nga shtëpia dhe pasi mori një ka, erdhi tek unë në mënyrë që të justifikohej futja ime në shtëpi në atë orë të vonë të natës. Kur hymë brenda, babai dhe nëna më përqafuan që shyqyr isha gjallë dhe pastaj menjëherë më sollën rrobat për t’u ndërruar, pasi ato që kisha veshur më ishin bërë copë. Në mëngjes unë dola nga shtëpia krejt i qetë dhe që të krijoja një alibi, vajta menjëherë tek zyrat e komunës në fshatin Dukat, ku kryetar i saj, Mustafa Matohiti ishte duke pirë birrë me Mehmet Alemin.
A u takove me pas me ata që të ngarkuan kryerjen e aksionit?
Pas një jave, erdhën në Tragjas; Hysni Lepenica, Skënder Muço dhe Hysni Kapo, të cilët më përgëzuan për aksionin që kisha bërë. Gjatë asaj bisede me ta, Hysni Kapo më tha: “Të lumtë Jaup, aksioni yt ka bërë bujë të madhe dhe për këtë punë unë kam njoftuar edhe Sinan Gjonin e shokët e tjerë që ndodhen në burgun e Tiranës. Të gjithë e dinë se këtë aksion e ke kryer ti”.
Po italianët a e mësuan se autori i atij aksioni ishit ju?
Italianët duhet të kishin dijeni se kush ishin autorët e atij aksioni, pasi në atë kohë ajo gjë u mësua nga shumë persona në Vlorë. Mbas dy tre javësh nga dita që ishin djegur depot, unë me Hamit Musain dhe katër shokë të tjerë, shkuam aty me qëllim që të bënim disa foto tek mbeturinat e djegura, të cilat i donim t’i kishim si dokument për aksionin që kishim bërë. Në atë kohë aty erdhën tre motoçikleta me bersalierë, të cilët më thirrën që të ndaloja. Unë kujtova se më kishin diktuar dhe nga frika se mos më kapnin, hodha në drejtim të tyre të vetmen bombë që kisha me vete dhe ika me vrap. Ata më qëlluan me mitraloz dhe një plumb i tyre me kapi këtu në dorën e djathtë, ku siç e shikoni e kam akoma shenjë. Pasi munda që të largohesha, shkova menjëherë në shtëpinë e Hamit Musait, ku infermieri i vjetër nga Dukati, Osman Xhemali, vinte çdo ditë dhe ma mjekonte dorën, duke më hequr ciflat e plumbit që ishin shpërndarë aty. Ai nuk kishte mjete të mjaftueshme për të ma mjekuar dhe ma priste mishin me gërshërë. Dhe nga kjo gjë edhe sot e kësaj dite këtë dorë e kam sakat. Gjatë asaj kohe që mjekohesha në shtëpinë e Hamit Musait, aty erdhi për të më parë edhe Hysni Kapo, i cili më tha se e gjithë Vlora e kishte marrë vesh se unë kisha djegur depot e Rradhimës.
Deri kur vazhduat të mbanit lidhje dhe të takoheshit me Hysni Kapon?
Me Hysni Kapon jam takuar edhe pas asaj periudhe kohe kur në mes organizatës nacionaliste Ballit Kombëtar ku bëja pjesë unë dhe Partisë Komuniste, ku ai ishte një nga krerët kryesorë të saj, kishin filluar kontradiktat e acarimet e ashpra. Në atë kohë Hysniu më dërgoi një letër me anë të Selfo Dalanit, ku më kërkonte që të takoheshim. Ndonëse shokët e mi më porositën që të mos i shkoja në takim, pasi kishin frikë se do të më merrte peng, unë vajta në takim, të cilin e zhvilluam në qafën e Llustrës. Bashkë me mua në atë takim ishte dhe një kolonel i misioneve britanike, i quajtur Smith, me të cilin unë kisha kryer aksionin e djegies së depove të gjermanëve tek “Shtëpia e beut”, aty ku sot është “Sheshi i Flamurit”. Ndërsa unë po i jepja Smithit të disa të dhëna në lidhje me vendndodhjen e forcave gjermane që ai më kërkoi, Hysni Kapo më tha: “Mos u’a jep, se ato u’a japim ne dhe u marrim ndonjë shpërblim në rroba a ushqime për partizanët”. Gjatë asaj bisede kur Hysniu më bëri thirrje që të shkoja me komunistët, unë i thashë: ‘Jo vetëm që nuk do të vij me ju, por kam porosi nga Skënder Muço që të them të vish ti tek ne, se vendin e ke të hapur tek Balli”.
Cila ishte përgjigja e Hysni Kapos pas ftesës që ju i bëtë për të ardhur tek Balli Kombëtar?
Hysniu m’u përgjigj: “Nuk kam ndërmend që të vij me ju të Ballit, pasi luftën do e fitojmë ne”. Unë ia ktheva: ‘Hysni, është e vështirë që ky anglezi të bëhet komunist’?! Pas kësaj ai më tha: “Po ta fitojmë ne luftën, nuk do të kemi më nevojë për këta”. Kështu u ndamë me Hysni Kapon dhe ky ishte takimi i fundit që patëm bashkë në kohën e luftës, sepse më pas unë u arrestova nga gjermanët dhe përfundova në kampet e shfarosjes në Austri.
Kur e mësuat për herë të parë se në Shqipëri ishte bërë një film artistik, ku si ngjarje kryesore ishte ajo e aksionit tuaj në Rradhimë të Vlorës?
Atë gjë e kam mësuar vetëm në vitin 1991, kur unë erdha për herë të parë në Shqipëri dhe njerëzit e mi të familjes më treguan lidhur me atë film, ku aksionin e djegies së depove të Rradhimës që kisha bërë unë në vitin 1941, regjimi komunist i’a kishte atribuar Shyqëri Alimerkos. Po kështu të afërmit e mij më treguan se për atë ngjarje ishin shkruar edhe disa libra, ku Shyqëria dilte si autori dhe heroi i asaj ngjarje.
A u indinjuat nga ajo gjë që mësuat?
Jo vetëm që nuk u indinjova, por as nuk u çudita fare. Po kështu nuk kërkova asnjëherë që të shkruhet se atë aksion e kam bërë unë me shokun tim, Selim Laçej, të cilin komunistët e vranë që në vitin 1944, megjithëse ai nuk ishte marrë fare me asnjë aktivitet politik.
Po Shyqëri Alimerkon, a e keni njohur gjatë Luftës?
Jo vetëm që e kam njohur, por kam marrë pjesë edhe në varrimin e tij, pasi ai mbeti i vrarë gjatë një prite ku kishte dalë me disa shokë të tjerë për t’i bërë atentat Sadik Premtes.
A ka pasur ndonjë lidhje Shyqëri Alimerko me aksionin e djegies së depove në Rradhimë të Vlorës?
Shyqëriu nuk ka pasur asnjë lloj lidhje apo dijeni për atë aksion, dhe në mos gabohem në atë kohë ai ka qenë vetëm 17 vjeç.
Jaup Xhezo Iljazi, i burgosur nga gjermanët dhe komunistët, pas 46 vitesh u kthye në Shqipëri
Jaup Xhezo Iljazi u lind më 13 mars të vitit 1918 në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Në vitin 1940, ai mbaroi Institutin Tregtar të Vlorës dhe së bashku me shokun e tij të shkollës, Hysni Kapon, fituan nga një të drejtë studimi për të ndjekur fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Bolonjës në Itali. Pasi mbaroi vitin e parë të atij fakulteti, në vitin 1941, Jaupi u kthye në Shqipëri dhe u lidh me avokatin dhe nacionalistin e njohur, Skënder Muço, i cili asokohe udhëhiqte grupet e rezistencës antifashiste në Vlorë. Në fillimin e gushtit të vitit 1944, teksa kthehej nga nga Dukati i Vlorës, ku kishte shkuar së bashku me Skënder Muçon për të marrë një letër që ua kishte dërguar Komanda e Forcave Aleate e Mesdheut, ai u arrestua nga gjermanët. Letra e anglezëve që i’u gjet në xhep, u bë shkak për pushkatimin e Skënderit dhe internimin e tij në kampin e shfarosjes Rodium të Austrisë. Nga ai kamp Jaupi mundi të lirohet vetëm në prillin e vitit 1945, kur aty hynë forcat e Ushtisë së Kuqe dhe gjatë kthimit për në Shqipëri, ai u arrestua nga komunistët serbë në Suboticë të Jugosllavisë, duke u mbajtur për disa kohë në burgun e Zemunit. Më pas atë e kthyen të lidhur në Shqipëri, ku gjyqi ushtarak që i’u bë në qytetin e Elbasanit, e dënoi me 101 vjet, duke e akuzuar si “agjent të gjermanëve dhe englezëve”. Nga burgu politik ai mundi të lirohet në vitin 1949, kur u godit i ashtuquajturi grupi i Koci Xoxes. Më pas, me ndërhyrjen e ish-shokut të tij të ngushtë, Hysni Kapo, Jaupi u punësua si ekonomist e punëtor i thjeshtë, në Vlorë dhe Elbasan. Në vitin 1952, kur Sigurimi i Shtetit i zhduku pa asnjë gjurmë vëllanë e tij, Jaupi u arratis nga Shqipëria dhe doli në Jugosllavi. Gjatë qëndrimit të shkurtër në Jugosllavi si azilant politik, Jaupi nuk pranoi propozimin e Dushan Mugoshës për të bashkëpunuar me organizatën “TANEF” e cila luftonte për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Po në vitin 1952, Jaupi emigroi në Gjermaninë Perëndimore, ku qëndroi për dy vjet me rradh në “Kompaninë 4000”, pranë qytetit Karzeslatuten, ku asokohe ishin grumbulluar me mijra emigrantë antikomunistë nga vendet e ndryshme të Evropës Lindore, të cilët stërviteshin për të desantuar me misione në vendet e tyre. Pas suprimimit të atij kampi në vitin 1954, ai qëndroi për një kohë në Francë dhe më pas emigroi për në SHBA-ve, ku për disa vjet me rradh u përfshi në jetën politike të mërgatës shqiptare që jetonte në atë kontinent. Në vitin 1998, Jaupi u largua nga SHBA-ve dhe u kthye për të ngrysur ditët e pleqërisë në vendlindjen e tij në qytetin e Vlorës. Që nga ajo kohë e deri në vitin 2003 kur ai u nda nga jeta, vazhdoi të shkruante kujtimet e jetës së tij të gjatë dhe me peripecia të pafundme./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016