Nga Reshat Kripa
Memorie.al / Fisnikëria lind bashkë me njeriun. Ajo trashëgoi brez pas brezi dhe reflektohet në veprimet dhe sjelljet e tyre karshi të tjerëve. Atë nuk mund ta përçudnojë asgjë. Ajo është një dhuratë e Zotit, të cilën nuk mund ta kenë fat të gjithë. Ky gjak nuk mungonte në dejet e familjes Tërshana. Edipi i lindur më 15 mars 1907, ishte djali i katërt i Abdurrahmanit dhe Sabries. I ati anëtar i klubit patriotik “Bashkimi”, merr pjesë në Kuvendin e Dibrës më 23 korrik 1909. Punon për hapjen e shkollave shqipe me alfabetin latin dhe është pjesëmarrës me armë në dorë i përpjekjeve të mëdha të viteve 1912-1913, kundër serbëve.
Shkollën fillore, Edipi e filloi në vitin 1916 në shkollën shqipe të Dibrës. Më 1920, ajo mbyllet dhe ai fillon punë si çirak në një repart qeleshpunuesish. Në vitin 1922, vendosen në Peshkopi. Po atë vit vazhdon shkollën qytetëse të hapur në Tiranë, me vendimin e qeverisë së Sulejman Delvinës, për fëmijët dibranë. E mbaron në vitin 1923, dhe po atë vit fillon shkollën ‘Normale’ në Elbasan, të cilën e mbaron në vitin 1928.
Më 16 shtator 1928, fillon punë si mësues i klasës së parë në shkollën platore Shijak. Kështu vazhdon vite me radhë. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, e priti me indinjatë. Refuzon me përbuzje propozimin, për t’u rregjistruar si anëtar i Partisë Fashiste.
Më 27 nëntor 1942, kur ishte 30-vjetori i shpalljes së pavarësisë, me nismën e tij vihet në skenë drama e Foqion Postolit, “Lulja e Kujtimit” dhe entuziazmi ishte i paparë. Sallën e ndezën më tepër fjalët e zjarrta të Edip Tërshanës dhe Beqir Haçit. Të nesërmen manifestimi i madh në shesh, për ditën e flamurit. Përleshje me forcat e kuesturës.
Në pranverën e vitit 1942, Edipi bie në kontakt me elementë antifashistë si Irfan Hajrullai dhe Mustafa Gjinishi. Ata e njohin me punimet e Konferencës së Pezës. Në bazë të vendimeve të saj, shtruan nevojën e krijimit të Këshillit Antifashist të Dibrës. Me krijimin e tij, zgjidhet kryetar i këtij Këshilli. Motivi kryesor i tij, ishte lufta kundër pushtuesve fashiste. Në të bënin pjesë të gjitha forcat politike të vendit.
Në 8 shtator 1943, Italia kapitullon dhe Edipi merr kontakt me kapitenin anglez, Hendz dhe komandantin e batalionit italian “Firence”, Armando Picci, për të ardhmen e këtij batalioni. Vendosin që forcat e këtij batalioni, të vihen në dispozicion të Komandës së Divizionit të Lartë Aleat të Lindjes së Mesme.
Divizioni largohet nga Dibra dhe Këshilli Antifashist del nga ilegaliteti, por rrugët morën një rrjedhë tjetër, fare të papranueshme. Mbrojtjen e qytetit e mori komanda partizane që priste kthimin e Haxhi Lleshit.
Çuditërisht filluan plaçkitjet në qytet dhe u dogjën edhe disa shtëpi, kryesisht të nacionalistëve. Më 9 shtator 1943, organizohet një mbledhje në Prefekturë. Edipi kërkon shpjegime për gjendjen, por askush nuk i kthen përgjigje.
Tradhtia e madhe e Konferencës së Mukjes, kishte filluar të vihej në zbatim nga krerët e Lëvizjes Komuniste. Edipi detyrohet të japë dorëheqjen nga kryetari i Këshillit Antifashist, në shenjë proteste.
Tashmë pasojat e Mukjes ishin shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Edipi dhe kapiteni anglez Hendz, kërkojnë të gjejnë një rrugë pajtimi, ndërmjet forcave që po vinin drejt një lufte vëllavrasëse.
Më 24 shtator 1943, organizohet një takim i Mit’hat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzit, me krerët dibranë, Fiqiri Dine dhe Cen Elezi, që kishte si qëllim organizimin e një Komiteti Kombëtar dibran.
Por ngjarjet kishin marrë rrugë. Komunistët kishin mundur të marrin në dorë drejtimin e Këshillit. Sipas udhëzimeve të tyre, krahas flamurit shqiptar, u ngrit edhe ai maqedonas. Shenja e parë e tradhtisë së madhe që do vazhdonte më vonë, me dorëzimin e këtyre krahinave jugosllave. Edipi heq dorë përfundimisht nga ky këshill.
Në mars 1945, shkon të takojë dhëndrin e tij, Habib Gegën, që ndodhej në burg. Merr kontakt me Qenan Dibrën, i cili i rekomandon për avokat Suat Asllanin. Ata e informojnë për lëvizjen antikomuniste, që kishte filluar në Tiranë, me pjesëmarrjen e personave të rrymave të ndryshme. Ata i parashtruan organizimin e një organizate të tillë antikomuniste dhe demokrate në Dibër.
Këtë gjë, Edipi filloi ta vinte në zbatim porsa mbërriti në qytetin e tij. Aty takohet me miqtë e tij, Shefqet Shehun, Eqerem Kukelin, Rasin Fetahun, Islam dhe Xheladin Ndreun, me të cilët krijon bërthamën e organizatës që do të quhej “Bashkimi Demokratik” dhe që do të përmblidhte rreth vetes, përfaqësues nga rryma të ndryshme, si social-demokratë, monarkistë dhe të grupit të rezistencës. Lidhjet me Tiranën, i mbante nëpërmjet Qenan Dibrës.
Aktiviteti i mësipërm nuk kishte si të mos binte në sy të Sigurimit të Shtetit. Për këtë sipas udhëzimeve nga qendra, Edipi tërhiqet për pak kohë. Cen Elezi me dhjetë djemtë e tij; Islamin, Xhelalin, Ganiun, Xheladin Ndreun, etj., Dan Kaloshi dhe Menajt e Lurës, detyrohen të marrin malet.
Shefqet Shehu, Rasim Fetahu dhe Eqerem Kukeli, arrestohen. Po ashtu, arrestohen në Tiranë edhe Qenan Dibra, Suat Asllani, Ivzi Golja dhe të tjerë. Kishte filluar terrori i tmerrshëm komunist.
Ardhja e Hysni Alimerkos si profesor i letërsisë në fund të shtatorit 1946, i dha hov të ri lëvizjes së fshehtë antikomuniste. Ajo kishte gjetur në personin e tij, njeriun që dinte të drejtonte dhe të jepte leksione të shkëlqyera organizimi. Hysni Alimerkua i lindur në Tragjas të Vlorës, mori mësimet fillore dhe të mesme në vendin e tij.
Pastaj shkoi për studimet e larta në Firence të Italisë, ku u diplomua për letërsi. Gjatë luftës, ka qenë sekretar i Financës së Komitetit Krahinor të Organizatës së “Ballit Kombëtar” për Vlorën. Takimi me Edipin, bëri që pikëpamjet e tyre të ishin të njëjta. Së bashku me Jani Ikonomin, Alqi Nushin dhe Kozma Gjergon, u bënë strumbullari i Lëvizjes Antikomuniste në Peshkopi.
Më 17 maj 1947, në Dobrovë, shefi i Sigurimit të Shtetit për atë zone, krimineli Kopi Niko, kryen arrestimin e Edip Tërshanës. Arrestohen gjithashtu edhe Hysni Alimerko, Jani Ikonomi, Alqi Nushi dhe të tjerë. Për të detyruar të arrestuarit të pranonin akuzat falso, u provuan llojet më të tmerrshme të torturave.
Vetëm ata që i kanë provuar ato në shpinën e tyre, mund t’iu tregojnë për to. Por më mirë të mos flasë. Ato duken si të pabesueshme dhe të sajuara. Megjithatë një gjë dihet. Të gjithë qëndruan si luanë, pa u përkulur para dhunës së ushtruar.
Në mbarim të hetuesisë, Edipin e lejojnë të takojë vajzën dhe djalin. Ky takim la mbresa në shpirtin e tij. Ju kujtua e kaluara. Ata i kishin sjellë disa ushqime të mbështjella me një gazetë “Bashkimi”, që qarkullonte në atë kohë. Anët e kësaj gazete përdori Edipi, për të shkruar dy letra, njërën për të bijën, Lirinë, kurse tjetrën për diktatorin Enver Hoxha.
Pastaj vendosi t’i jap fund jetës, duke prerë damarët. Të mbytur në gjak e gjeti një nga rojet rastësisht. Në letrën drejtuar Lirisë shkruan:
“Ëndrra ime është që Shqipëria të bëhet siç dua unë. Ajo do të realizohet dhe ju do të gëzoni emrin, si bij të saj. Të jeni kryelartë se vdes si shqiptar”.
Ndërsa në letrën drejtuar diktatorit Enver Hoxha, ndërmjet të tjerave, thekson me krenarinë e një nacionalisti të vërtetë:
“Ideali kombëtar më ka ba qi të jem kundra Lëvizjes Nacionalçlirimtare, unë qi kam qenë krijuesi i saj. Ju, jo vetëm hoqët dorë nga Kosova dhe Dibra, por, sot pushteti juej i quejtun popullor, asht në robni të Belgradit politikisht dhe ekonomikisht. Kjo asht tradhti!
Jam kundra për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq, qi i bahen këtij populli. Jam kundra për burgosjet e 20.000 apo 30.000 shqiptarëve, vetëm e vetëm se nuk janë komunistë. Dhe kjo vetëm pse kështu don sllavi. Kjo asht tradhti”!
Më 17 nëntor 1947, filloi gjyqi kundër 12 të akuzuarve. Para gjykatësve komunistë, ndodhen Edip Tërshana, Hysni Alimerko, Jani Ikonomi, Ali Nushi, Rexhep Mborja, Selim Graceni, Adem Shehu, Rifat Dibra, Mahmut Ndreu, Elez Selishta, Ferit Pervizi dhe Munir Shatku, të cilët para gjykatësve, qëndruan si heronj.
Më 21 nëntor jepet vendimi. Edipi, Hysniu dhe Jani, dënohen me vdekje me pushkatim. Të tjerët me burgime të rënda. Të arrestuarit kthehen në qeli, në pritje të zbatimit të vendimit. Në fund të dhjetorit, lejohet takimi i fundit. Xhevria, e shoqja Edipit, dërgon fëmijët. Fjala e fundit e Edipit, drejtuar atyre ishte: “Mos vishi petkun e tradhtisë”!
Personalisht kam patur fatin të njihem me dy nga personazhet kryesore të këtij grupi. Avokatin Jani Ikonomi, e kam njohur në kampin e Urës Vajgurore. Një burrë i veçantë. Një intelektual dhe idealist i rrallë. Një mësues i ndjenjave nacionaliste, për ne të burgosurit e brezit të ri. Shpesh herë na thoshte: “Mos u ligështoni, mos u përkulni para torturave dhe urisë!
Qëndroni me kryet lart, ashtu si kanë qëndruar paraardhësit tanë! E ardhmja e Shqipërisë, është e sigurt. Gjaku i të rënëve, është ushqimi i saj. Do të vijë koha, kur njerëzit do të shkëputen nga demagogjia e kuqe dhe do të fillojnë të ndërtojnë të ardhmen e atdheut, të ardhmen me të vërtetë demokratike. Për këtë jam i sigurt”.
Sot, Jani nuk jeton më, por ideali i tij triumfoi mbi dogmat komuniste. Me Hysniun u njoha mbasi doli nga burgu, por më tepër u lidhëm me ndryshimet demokratike, kur luftonim në Shoqatën e ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, për realizimin e amanetit të të rënëve tanë, për çrrënjosjen e komunizmit nga vendi ynë. Idhulli i tij, ishte Edip Tërshana.
Kur u lirua nga burgu i Burrelit mbas 20 vjetësh dhe po kthehej për në shtëpi, ndaloi në qytetin e Kavajës. Donte të takonte Xhevrien, Lirinë dhe Nihatin, familjen e mikut të tij më të mirë, të cilët banonin atje. Trokiti në portë. Ajo u hap dhe ata mbetën të shtangur. Ju duk sikur para tyre, u shfaq Edipi. Ndenjën atë mbrëmje gjithë natën, duke biseduar dhe të nesërmen ai u nis për në Vlorë.
Nuk mund të harronte çastet e fundit të mikut të tij të pavdekshëm, Edipit, të përshkruara me aq dhimbje para tij: “Kishte kaluar mesi i natës dhe qoftë nga ngarkesa psikologjike, qoftë nga të ftohtit, nuk na kishte marrë gjumi. Duhet të ketë qenë ora dy e gjysëm e natës, kur dëgjojmë një urdhër që u jepet ushtarëve: Përgatitni armët! Nga biruca e tij, dëgjojmë zërin e Edipit që na thotë:
– ‘Nuk janë shenja të mira. Unë jam njëqind për qind i vdekur. Sidoqoftë, kushdo që do të shpëtojë, t’u tregojë fëmijëve të vërtetën. Amanet djalin’! S”vonoi shumë kur dëgjojmë Kopi Nikon, që i drejtohet Edipit. – ‘Qenke bërë gati? Dil atëherë’.
E hipën në makinë dhe u nisën. Zhurma e saj u dëgjua edhe pak kohë pastaj e mbuloi zhurma e lumit. Mbas pak u dëgjua një breshëri armësh. Edipi ishte ndarë prej nesh. Një rreshter nga Pogradeci, që shërbente aty na tregoi çastet e fundit të tij. Kur e kishte pyetur prokurori, për fjalën e fundit, ai u përgjigj: – ‘Rroftë Shqypnia’”! Në sytë e Hysniut, pashë të rridhnin dy pika lot. Memorie.al