Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorëshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vendit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp, me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ve, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vend të largët, me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorëshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mi, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara. Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojëtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zezë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
Qershor 1973. I lidhur me hekura këmbë e duar në qelinë Nr. 4 të Degës së Brendshme të Sarandës!
Nuk fola asnjë fjalë. Kufoma ime ishte e mbyllur brenda këtyre mureve të zinj, por shpirti im ishte atje larg brenda atyre mureve të varfra të kasolles time. Mundohesha si mund të gjeja pak ngushëllim, dhembja e krahëve sa po vinte shtohej nga mos qarkullimi i gjakut. Në qetësinë varr të këtij burgu, dëgjoheshin hapat e çizmeve të policit, që patrullonte në korridor, ai herë pas here hapte sportelin, një vrimë 10 cm. me 10 cm. në mes të derës, ndizte dritën të shihte në isha gjallë!
Ashtu me dhimbje i rrëzuar përdhe, mbi ato lasa druri shtruar në dysheme, vrisja mendjen se kush ishin ata që më raportuan në organet e Sigurimit të Shtetit. Vrisja mendjen, mos vallë u kishin rënë në dorë ca shkrime?! Kujtime, ngjarje, vargje në poezi? Jam i sigurt se Operativët e Sigurimit e kontrolluan shtëpinë në çdo cep të saj. Isha tepër i friksuar se në qoftë se u kish rënë në dorë, kishin material të mjaftueshëm, që sipas ligjeve të tyre edhe mund të më pushkatonin. Mjaftonin fjalët me të cilat i kisha titulluar: ”Vite të rinj, ditë të zeza”, me karakter të thellë antikomunist kundër Partisë së Enver Hoxhës.
Zemërimi im ndjehej në çdo varg të shënimeve të mija, si te “Kënga e kazmaxhiut”, etj. I zhytur në mendime për akuzën që më bëhej, akuzë e rëndë që të dënonte me vdekje, më bëri që të harroj dhembjen e hekurave që kishin hyrë thellë në mish. Pas disa orësh në qoshen e qelisë ulur këmbëkryq, desha aq shumë të shtrihesha, megjithëse i lidhur me duart pas kurrizit, ishte tepër e vështirë. Në këtë qeli bodrum, nuk dëgjohej zhurma e qytetit, veçse aty – këtu, polici i bërtiste të paraburgosurve në qelitë e tjera, kështu që nuk isha vetëm në fund të këtij ferri.
Është dita e parë e verës 21 qershor, fushat e korrjes së grurit, grurin që e prodhojmë me duart tona, por që kurrë nuk e shijojmë bukën e grurit, pasi fshatarëve të kooperativës u shesin bukë misri, që se hanin as qentë. Vapa e qershorit po e thante barin e dalë në pranverë. Vapa që rreshkte fytyrat e fshatarëve fukarenj, vapë që rreshk gjithçka, shirat ishin të rralla në atë muaj. Sytë e mendjes time ishin atje, vështrojnë nga larg atë tokë që e desha aq shumë.
Nuk mund ta hiqja nga mendja atë skenë të llahtarshme të mëngjesit të asaj dite, më dukej se gjeja pak ngushëllim kur mendoja për njerëzit e mi, për vendim tim, dhenë tim dhe që më ushqente mua edhe armiqtë e mi, njerëzit që i shërbenin diktatorit. Ky regjim e kishte hedhur vëllanë kundër vëllait, asnjë s’ka besim tek tjetri, për të shprehur atë që po ndodh. Zagarët që bëjnë ligjin në fshat, janë ca laro pa asnjë ndjenjë humane, i shërbejnë me fanatizëm diktatorit, ato nuk lodhen, ata kanë gjithçka, ndërsa ne nuk kemi asgjë.
I quaj Laro, sepse nuk gjej dot fjalë më të ulët ta përshkruaj karakterin e tyre. Një nga këta ose që të gjithë ata zagar, ishin shkaku që unë ndodhesha në atë qeli të zezë. Kush vallë të jetë ky xhahil, kjo krijesë e ndyrë, kobure në duart e diktatorit?! Ky diktator rronte, sepse ka njerëz të tillë që i shërbejnë veprës së tij kriminale!
Mendja më shkonte tek Nafiz A…, nuk e di pse e urreja aq shumë, këtë komunist të ndyrë, me kuptimin e plotë të fjalës. Gjithnjë mundohesha që mos të kishin vend në shpirtin e zemrën time, ndjenja e urrejtjes të njeriut ndaj njeriut, nuk ma qaste karakteri im, megjithëse jo i formuar akoma mirë ideologjikisht, nuk i ndaja dot miqtë nga armiqtë, pasi i doja të gjithë njëlloj.
Kërkoja shkakun pse njerëzit nuk ishin të barabartë në shoqëri! Vrisja mendjen që në këto momente vlonte, për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve. Mos vallë është Rexhep R… me gjithë vëllezërit e tij. Leskua dhe Shefqet R…, dyshim kisha gjithashtu tek spiunët e Sigurimit, Petrit A…, Sadik S…, i biri i Saliko Sh. S. Këta spiuna, informatorë të makinerisë diktatoriale, jepnin informacion Sigurimit për cilindo! Në këto momente tepër të vështira, i mbledhur në këtë qeli, bodrum të zi, ndjehesha pesimist, i humbur, pa shpresë. Truri në kokë ziente si një tenxhere që valon në zjarr. I thashë vetes: ky është fundi!
I gjunjëzuar në atë qoshe të qelisë numër 4, prisja atë që nuk dija se çdo të ndodhte. Nuk dija se ç’orë ishte, ndërkohë çizmet e policit u dëgjuan pranë qelisë time numër 4. Ata hapën sportelin e vogël, ndezën dritën, hapën derën e rëndë me shumë zhurmë. U ngrita me shumë mundim në këmbë, sytë e mi ishin përshtatur errësirës së qelisë, i dalloja mirë muret e zezë të gërvishtur, plotë hieroglif gjithë andej, pasi të burgosurit që kalonin në këtë qeli, mundoheshin të shkruanin emrin e tyre për të lënë gjurmë.
Drita që ndezën ishte verbuese për sytë e mi që u mësuan me errësirën. I pashë shumë qartë fytyrat e atyre policëve bark- mëdhenj. Njëri nga ata ishte Beqo Sulo nga Ajnjari, sytë e tij të kërcyer jashtë nga gropa e syve, m’u dukën tepër të zgurdëlluar! Fytyra e atij bark madhi shkëlqente nga dhjami i shumtë. Ai nxori një duf të madh dhe më pyeti: “Çfarë ke bërë”? – gjoja sikur nuk dinte asgjë. Isha tepër i sigurt që padronët e tij, e kishin udhëzuar se si të më torturonin.
Bequa, ish polic me vite në Degën e Brendshme, e njihja këtë polic, sepse ai shkonte përmes Markatit, kur vente në Ajnjar, e njihja fytyrën e tij të buhavitur nga dhjami i tepërt. Ky bark i madh, i veshur me uniform ngjyrë blu të errët dhe me kapelën e policit që i rinte në majë të kokës, e bënte më hije rëndë.
Bequa, ishte polici që i nxirrte të burgosurit për në WC dhe u jepte ushqim. Nuk desha t’i përgjigjesha pyetjes së tij dhe doja të shprehja duke shtrënguar fort nofullat, se sa e urreja. Ai më urdhëroi të ktheja kurrizin dhe me një çelës, ç’vidhosi prangat e shtrënguara deri në kockë. Ndërkohë duart më ishin mpirë.
-“Shko në hale”! – më urdhëroi. Haleja ishte një derë më tej, qelbej aq shumë, e pa larë, e dezinfektuar kurrë ndonjëherë! Policët dhe Bequa, më ruanin. Nuk më vinte për të dalë jashtë, organizmi im kish pushuar së funksionuari.
-“Hajde”… – bërtiti, ‘ç’pret. Nesër në mëngjes do të të hapim përsëri derën”, thirri gjithë inat polici. –
-“Nuk kam nevojë për asgjë” … u’a ktheva. Beqo Sulo polici, u dha urdhër dy policëve të tjerë, të më futnin në birucën numër 4 përsëri, duke i urdhëruar të më vinin prangat, jo vetëm në duar, por tani edhe në këmbë. Të dy policët që ishin të rinj në moshë, si duket bënin shërbimin ushtarak. Pasi më hodhën, më urdhëruan të gjunjëzohesha për të lidhur duart e këmbët së bashku, ashtu si një kafshë, kur e shpie te kasapi!
Rashë i grumbulluar mbi ato dërrasa. Policët e rinj u treguan të mëshirshëm, ata nuk i shtrënguan shumë hekurat, sidoqoftë, imagjinoje, a mund të jetë e mundur që me orë të tëra të dergjeshe në këtë qeli, i lidhur në këtë mënyrë?! I mbylla sytë, pika loti u rrokullisën mbi faqen time, tani pa shpresë për të parë më nënon time, fëmijët e mi! Pak më interesonte për atë grua që i solli në jetë këta fëmijë, kisha dyshim se ajo i dha ndonjë informatë Sigurimit për qëndrimin tim antikomunist, nuk isha i sigurt, por dija sa ata zagar pyesnin këdo?!
Të gjithë “Ne”, të quajtur “të deklasuar”, domethënë njerëz “të pa dëshirueshëm” për regjimin e Enverit! Të gjithë këta njerëz do të kenë fatin tim?! Eliminim të plotë fizik, kushërinjtë e mi ishin antikomunistë. Selfo Hoxha, ish i dënuar politik, zagarët e Sigurimit të Shtetit e dinin shumë mirë që unë i doja njerëzit e mi.
Pasi erdhi në fshat me gjithë familjen e tij, ai mundi të arratisej në Greqi, bashkë me kunatin e tij, Bilal Xhaferrin dhe Bajram Shuaipin, djalin e Ferikut. Unë kisha simpati të madhe për Bilalin. Unë pata mundësi të lexoja librin e tij “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, libër i cili, u bë frymëzim për mua.
Kushëriri tjetër, Rexhep Hoxha, ishte arratisur më 1956-ën, në kohën kur i dërguari i Partisë, Shefqet Peçi, kërkonte ta bënte fshatin kooperativë. Xhaxhai tim Haxhiu, me gjithë gruan e tij, Xhexhon time të dashur dhe djalin e tij, Hiqmetin, i internuan në Dushk të Lushnjës. Më vonë Hiqmetin, regjimi i Enverit e dënoi me burg, për ta zhdukur fizikisht. Ai ishte i ri dhe mundi pas 16 vitesh, të lirohej, por jo plotësisht, pasi e internuan në Borsh të Sarandës. Ai erdhi në fshat, unë e prita, e çova në kasollen time të varfër, bashkë me djalin e Selfos, Alemin.
Asnjë i afërm nuk u qas për ta ngushëlluar për vështirësitë e tij në jetë, për humbjen e babait e nënës së tij. Njerëzia kishte frikë. E çova tek varri i babait, të cilin e varrosëm në qoshe të bahçes sonë! Qava bashkë me Hiqmetin mbi varrin e Xhaxha Haxhiut, i shihja njerëzit e Partisë që bënin roje rreth kasolles, mendonin se Hiqmeti erdhi në fshat që të arratisej! Ai dinte që e survejonin dhe e ruanin, pasi kishte eksperiencë të hidhur, se gjithë rininë e tij e shkoi në burg. Ai kishte vetëm 3 ditë leje nga Dega e Brendshme. Mori për kujtim nja dy velenza, që i kishin mbetur xhaxha Haxhiut dhe një stromë e vjetër e tij. Ishin të rënda, e ndihmova deri poshtë në fushë, ai u largua për mos t’u kthyer kur më në fshat.
Këto skena tragjike dhe njëkohësisht të frikshme, përshkonin tej e tej në ekranin e mendjes time. Unë kërkoja, vrisja mendjen, kush është ai zagar që më merr jetën. Mendja më shkoi tek ajo natë e gushtit 1969, kur kushëriri im, u arratis! Selfua, Bilal Xhaferi dhe Bajram Shuaipi, unë isha bashkë me ta deri vonë atë natë, ishte festa e Bogazit. Bilali erdhi për vizitë tek motra e tij, Jeta, e cila ish gruaja e Selfos. Ndoshta për të humbur gjurmët e shuar dyshimin, sepse Bilali ishte përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Regjimi i Enverit e internoi në fshatrat e Durrësit. Nuk e di se si mundi të marr leje nga Sigurimi, pasi Markati ishte zonë kufitare dhe çdo vizitor duhej të kishte leje nga policia.
Sidoqoftë, Selfua hapi fjalën se Bilali erdhi për tu fejuar me një vajzë në fshat, atë e quanin Manushaqe Idrizi, ishte nga një familje e deklasuar dhe ajo ishte rritur në internim së bashku me babanë e saj, xhaxhain dhe disa kushërinj, si: Rama, Dragua, Met’hati e Idrizi. Ajo ishte një vajzë me karakter, tepër e urtë dhe e respektuar. Do të ishte me të vërtetë një krushqi ideale për Selfon, që Bilali të martohej me këtë vajzë. Selfua, përgatiti një darkë, vajza e pranoi këtë ndërmjetësi që bëri Selfua, ra dakord dhe vitin që vinte, do të bëhej dasma. Ishin të gëzuar të gjithë në familjen e Selfos.
Mbaj mend, isha fëmijë, vështroja i frikësuar nga dritarja policët në oborrin e Selfos. Dëgjoja të qarët e Jetës. Ata nuk ishin vetëm kushërinjtë e mi, por edhe shokët e mi të vegjëlisë. Ata iknin për të mos u kthyer në fshat me vite të tëra. Vëllezërit e Selfos, nuk e di pse ata nuk i internuan?! Ata ishin tepër të frikësuar, Dashua dhe Idrizi ishin të martuar. Në fshat, nuk ishte akoma rrugë automobilistike, të tre vëllezërit e Selfos e ndihmuan Jetën me fëmijë, deri poshtë në fushë, ku i priste makina e policisë së Degës.
Tani ata ishin këtu në fshat bashkë me ne dhe gëzonin për fejesën e Bilalit. Ndejtëm deri vonë atë darkë, megjithëse ditën tjetër që bëhej festa e Bogazit, vendosëm të shkonim të gjithë. Gruaja time, Mejdua, me të cilën më martoi Selfua, sa kish mbushur të shtatëmbëdhjetat. Mejdua ishte shtatzënë dhe nuk mundte të vinte në festë të Bogazit, kështu që, shkova bashkë me Selfon dhe familjen e tij. Në festë erdhi për herë të parë pas shumë vitesh, Skëndo H… bashkë me Braho E…. Të dy këta dhe Dervish E…, ishin arratisur në Greqi. Këta ishin dërguar nga Sigurimi i Shtetit për të përçarë të arratisurit dhe më tepër për të informuar regjimin e Enverit, për veprimtarinë e emigrantëve politik që ndodheshin në Greqi. Në atë kohë krerët e Ballit Kombëtar, zhvillonin një diversion kundër regjimit komunist, me shpresë për një kryengritje të përgjithshme, për të përmbysur komunizmin në Shqipëri. Kreu i Ballit ishte Haki Rushiti.
Këta të ashtuquajturit me pseudonimet “Trimi” dhe “Gjoksi” ishin bërë të famshëm, pasi shumë banda diversantësh ranë në duart e Sigurimit. Spiunët e regjimit të Enver Hoxhës, informonin, ata asgjësoheshin sa hynin në kufi. Skënder H… dhe Dervish H… ishin kushërinj të parë të babait tim. Ai pyeti në se unë isha aty në festë, kërkoi të më shihte. Selfua që e shoqëronte, i tha se: e kam këtu Kason dhe ai më përqafoi. Jam i bindur se, ai i donte njerëzit e fisit të tij. Ai tani ishte njeri i privilegjuar nga regjimi.
Aty nga ora 1.30 e natës, Selfo erdhi tek hija e fshatit Markat, dhe na tha se kishte gjetur një makinë për Durrës direkt. Dukej se ishte tepër i nxituar! Na kishte thënë që në shtëpi, se do të shkonte me Bilalin në Durrës, me shpresë që bënte operacion dorën e shtrembër. E besuam. Ai u kthye në fshat nga dreka e ditës tjetër. Një ditë më pas fshati ishte mbushur me polic dhe “zagar” të Sigurimit.
Kujtoja gjithë këto histori dhe harroja dhembjet fizike, nuk dija se çfarë ore ishte?! Vetëm dëgjoja hapjen e “byzylykëve” me shumë zhurmë të dyerve të hekurta të birucave. Policët bërtisnin, ndoshta ishte mëngjes. Drita u ndez në atë vrimë nja dy metra lart derës dhe ajo më verboi. Polici hapi sportelin, (një vrimë e vogël në mes të derës) për të parë brenda qelisë. Isha ashtu siç më kishin lidhur, në atë pozicion, i rënë përmbys në krah të djathtë dhe i gjithë trupi më ishte mpirë nga mos qarkullimi i gjakut. Policët hapën derën, ata erdhën te koka ime. Pashë surratin e Beqos.
-“Zgjidheni” – i’u dha urdhër dy policëve dhe ai “proces”, u mori më tepër se pesë minuta kohë të më zgjidhnin zinxhirët!
Bequa më urdhëroi të shkoja në hale, që ishte një derë më tutje. U mundova të ngrihesha, më dhimbte gjithë trupi. Nuk më vinte as të shkoja në banjo. Më dukej se të gjitha organet e organizmit tim, tashmë kishin pushuar së funksionuari! Hyra në atë hale që qelbej aq shumë, e hapa çezmën, mora pak ujë të shpëlaja fytyrën, e vura dhe në gojë që më ishte tharë e u mundova të kaloja poshtë dy tre gllënjka me ujë. Beqoja bërtiste: “Mbarove, dil jashtë”!
Më futi përsëri në birucën time që u gdhiva, në derën e rëndë të hekurt, dukej qartë numri 4. Prisja të më lidhnin me hekura pasi më shtynë brenda. Ata e mbyllën derën, u mbështeta në murin e qelisë, pashë tek dera, Bequa kishte lënë tasin e aluminit me një lëng me ngjyrë, besoj se ishte çaj me një copë bukë të tharë! Pas pak, ai hapi sportelin dhe më tha me zë të lartë: “Ha ushqimin, për pak do vijë prokurori të firmosë ca dokumenta”.
Kisha dëgjuar që kryeprokuror i rrethit të Sarandës, ishte një lab që e quanin Abaz B…. Nuk fola, e kisha ngulur vështrimin tek tasi i aluminit, me atë ujë të turbullt. Mendja më shkonte, mos vallë kishin hedhur brenda ndonjë lëndë helmuese, kimike, që ndikon negativisht në mendje?! As e preka fare, as kisha uri! Prisja me ankth të papriturat e së nesërmes.
Nuk kishte kaluar as 10-15 minuta, Bequa e hapi përsëri derën, pa bukën dhe tasin që se kisha prekur fare: “Ke vendosur të mos hash’? – më pyeti: “do të vdesësh eëëë”?! Vazhdova të mos i ktheja përgjigje. Bequa që kishte hekurat në dorë, më urdhëroi të kthehesha nga mbrapa, për të më lidhur. Pasi më lidhi, më tërhoqi nga krahu duke më thënë: “Hajde me mua”.
Në fund të korridorit ishte një zyrë ku një tavolinë mbi të cilën qëndronte një makinë shkrimi dhe rrinin dy burra. E njoha njërin, ishte ai që më arrestoi, Halit K… Ata nuk lëvizën prej karrigeve ku ishin ulur. Halit K…, ku nën hundë i rrinë ca mustaqe të fëlliqura tha rëndë rëndë: “Duhet të firmosësh këtë proçes-verbal të arrestimit tënd”, dhe tjetri që as ja dija emrin, e nxori letrën nga makina e shkrimit dhe e vuri mbi tavolinë përpara meje.
Ky ishte kryeprokurori i rrethit, shoku Abas B…: ”firmose”, më urdhëroi. Unë, që as nuk e kisha lexuar, ja ktheva: “Nuk e firmos”! Munda të lexoj nja dy rreshtat e para, ku thuhej se: “Në emër të popullit arrestohet, për veprimtari armiqësore kundër Pushtetit Popullor”. – Ai bërtiti, nxori këpucën dhe me sa fuqi kishte më goditi në kokë, e duke ulëritur, u dha urdhër policëve: “Merreni këtë armik të qelbur, e dini vetë”!
Policët më tërhoqën zvarrë, sepse kisha rënë përdhe nga goditja në kokë, por nuk i kisha humbur ndjenjat! Më hodhën si një deng në birucë. Ata më godisnin me shqelma ku mundnin, ndjeva nga dhimbjet se ky ishte fundi! Më s’mbaj mend se çfarë ndodhi atë ditë të 22 qershorit 1973. Kur u përmenda nuk e di pas sa orësh, nuk mund të merrja dot frymë nga dhimbjet. E ndjeva veten të lagur qull, errësira që mbulonte qelinë, nuk më lejonte të shihja plagët, e njoma qelinë me gjak. Më kishin thyer brinjët! Errësira si qefin i zi, unë me hekura në duar pas shpine, dergjesha në dhimbje. Thashë me vete: Lamtumirë, pasi mendova se erdhi vdekja.
Kur Beqo e hapi përsëri derën e rëndë, bashkë me një tjetër, e zbërthen këmishën time, më zgjidhi prangat njeriu që ishte me Beqon. Ai ishte infermier dhe më mjekoi plagët e shkaktuara nga të rrahurat e xhahilëve. Bequa më pëshpëriti: “Pse e torturon veten, firmose?! Thuaj çfarë ke bërë”, – vazhdoi Bequa. Ndoshta i jepja pak të drejtë! Mendova mos do ishte më lehtë vuajtja, po të firmosja dhe të rrëfeja çfarë të donin për të mbushur akt – akuzën! Ashtu vendosa. Nuk e di ishte natë apo ditë. E dija, ata do vinin të më merrnin përsëri në pyetje, pasi donin që proçes- verbali i arrestimit, të ishte i firmosur brenda 24 orëve.
Pas pak u hap dera përsëri, ata ndezën dritën për të parë brenda në qeli, dy polic të rinj, më ngritën dhe më tërhoqën zvarrë deri te zyra, ku dy bark mëdhenjtë prisnin. Halit K… që ishte hetues dhe Abaz B…, Prokuror./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016