• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, May 20, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Italianin Orlando e dënuan me vdekje, por babai i Perlat Rexhepit, i mori 90 mijë franga ari dhe Hysni Kapo ia fali jetën, pasi i mori 800 napolona flori…”/ Dëshmia e rrallë e ish-ballistit nga Vlora

Memorie.al
“Në qelinë e burgut, isha lidhur së bashku me Tahir Hoxhën, babanë e prokurorit, Lufterit, i cili më tha: Më vjen keq more bir, që të dënuan kaq shumë’…”/ Historia tragjike e vlonajtit, që vuajti 37 vite burg
Firmëtar i Pavarësisë, në krye të Luftës së Vlorës e Kryetar Bashkie, delegat në Lushnje, u burgos nga Zogu,  italianët e gjermanët, dhe komunistët e vdiqën në tortura / Historia e panjohur e…
“Me besnikët e tij; Hysni Kapo, Balluku, Koleka, Peristeri, Manush Myftiu, etj., Enveri, akuzoi P. K. Jugosllave dhe goditi Koci Xoxen e…”/ Kujtimet e ish-ministrit dhe themeluesit të PKSH-së
“Në qelinë e burgut, isha lidhur së bashku me Tahir Hoxhën, babanë e prokurorit, Lufterit, i cili më tha: Më vjen keq more bir, që të dënuan kaq shumë’…”/ Historia tragjike e vlonajtit, që vuajti 37 vite burg
“Në Burrel, babait i shkonin në katër të mëngjesit në qeli dhe i thoshin; ‘çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar’, duke e detyruar të hapte gropën, varrin e tij…”/ Dëshmia e trishtë e Qazim Kokoshit

Nga Petrit Velaj

Pjesa e katërt

Memorie.al / Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, si pa kuptuar na rrëmbyen dallgët e Luftës Antifashiste. Ne ishim bashkë-shokë shkolle, si djem qyteti, unë, Bajram Tushi, Hajredin Bylyshi, Hiqmet Buzi, Mumin Selami (Kallarati). Mes ëndrrave e dëshirave e romanizmit të letërsisë. Me këta miq të mi, më lidhin shumë kujtime. Prindërit tanë, nënat tona, njerëz të ndershëm e bujarë. Një nënë patriote, mama Tina e Tol Arapit, patriotit të njohur, na mblidhte rreth vetes si klloçka zogjtë. Ishte mëma e shokut tim të rinisë, që ne e quanim: “lulja e rinisë vlonjate”, Vllas Arapit. Këtë epitet, më duket se Vllasit ia vuri Mumin Kallarati. Unë shoqërohesha me çdo mik e shok, që ishte i ndershëm dhe i sinqertë.  Kjo na bashkonte në shoqërinë tonë me bashkëmoshatarët: Hazis Sharra, Qemal Xhyheri, Xhemil Beqo etj. Edhe pse mendimet ishin të ndryshme, ne shkonim së bashku në piknikë, lodra dhe kinema. Një mbledhje në shtëpinë e Lef Sallatës. Papritur në shoqërinë tonë shpërthyen mendime të politizuara. Debati u ndez me të riun revolucionar, Kastriot Muço. Ishte njeri i ndershëm. Pas katër a pesë ditëve, Kastrioti më thotë: “Petrit, kur do ta bësh mbledhjen e rinisë në lagjen Çerekçie? Në aktivin e qytetit, je zgjedhur përgjegjës i grupit të rinisë së lagjes”. Pas disa ditëve organizuam mbledhjen e rinisë në lagjen “Çerekçie”. 

                                                Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Baballarë të arratisur, fëmijë që nuk i njohën kurrë prindërit, familje të ndara, frikë për të nesërmen, për atë që mund të vinte…”/ Historitë e panjohura të “njerëzve të ndaluar”, të Savrës, Bedatit, Gjazës etj.

“Shumë të burgosun, tuj mos durue torturën që i bante hetuesi i tij mizor, Ali Xhunga, t’iu luste atij me nji za të shuem: Aman bre burrë, për hatër t’Zotit, mos ma…”! Kujtimet e Ahmet Bushatit

Arturo Orlando ishte një burrë dy metro e dhjetë centimetra i gjatë, njeri bujar por i frikësuar. Aty kishim një gardian që e quanin Hate. Ai e hiqte veten si të zgjuar dhe pandehte se na i hidhte. Na shitej për engjëll, por ne e dinim që ishte shejtan. Të binte në sy pamja fallco e këtij njeriu, e cila shoqërohej me një servilizëm e hipokrizi të dukshme. Kishim dhe një gardian tjetër. E quanin Hodo. Ishte i kunati i Gjon Banushit. Kryente detyrën e policit, por njihej prej gjithë të burgosurve që ishte kapiten. E keqja ishte, se ai nuk e kuptonte që ne dinim se ai ishte me detyrë “të veçantë”! Drejtor i burgut të Vlorës, ka qenë Muço Maska, nga Kropishti. Një burrë i leshtë dhe injorant. Ishte me plot kuptimin, njeri zemërzi.

Ky njeri na u pështiros, pasi e shihnim me sytë tanë, si plaçkiste të burgosurit që pushkatoheshin, u merrte unazat dhe orët e xhepit. Kështu u ndodhi edhe me orën e florinjtë të xhepit të Hamdi Çeprratit. Pasi i mori sahatin Hamdiut, kur e pushkatuan, e tregonte në oborrin e burgut. E nxirrte dhe e shikonte në sytë tanë. Neve na vinte keq, sepse në burg ishte edhe babai i Hamdiut, Hair Çeprrati si dhe vëllai i tij, Seit Çeprrati. Më thotë një dite, Seit Ceprrati: “Sa herë që Muçua nxjerrë sahatin e vëllait, mua më duket sikur ai mban në dorë zemrën e Hamdiut”! Kjo më preku shumë dhe më mbeti në mendje. Për këto që bënte drejtori i burgut të Vlorës, dikush nga të burgosurit me të drejtë e quajti “bishë stepe”.

Pas dy javësh na vijnë për vizitë në burg: Kadri Hazbiu, Rrapo Dervishi, Siri Çarçani dhe Vasil Kati. Shoqëroheshin nga Hito Çako dhe Qatip Dervishi. Herë pas here në burg, vinte edhe Rrahman Parllaku, ose siç njihej në Vlorë, me emrin; “Rrahman Havllaxhiu”. Rrahmanin e rriti Vlora. Ai ja shpërbleu Vlorës, duke kryer atentate kundër nacionalistëve e atdhetarëve vlonjatë. Edhe në burg ku ishim, ne kujtonim vitet e rinisë dhe të rezistencës sonë antifashiste. Sillnim momente nga mbresat me luftëtarët vlonjatë, si; Kastriot Muço, Bajram Tushe, Teli Ndini, Mumin Selami, Hajredin Bylyshi, Petrit Bisha, Qemal Gorishova, Haki Xhelo, Duro Elmazi, Hiqmet Buzi, etj.

Ata ishin për ne, pavarësisht nga mendimet e tyre politike, pishtarë të lirisë e të luftës antifashiste. Duke qenë në burg, sillja ndër mend fjalët e një martiri: “E ku ta dinin këta martirë, se gjaku i tyre do të vadiste kolltuqet e karrieristëve e politikanëve antikombëtarë të Shqipërisë…”?! Janë fjalët e profesor Tahir Hoxhës. Duke parë portrete luftëtaresh e atdhetarësh në burgun e Vlorës, ma zgjonin gjumin mes një tronditjeje të madhe, britmat e atyre që pushkatoheshin. Gjithmonë fjalët e tyre të fundit, kanë qenë: “Rroftë Shqipëria”, “E duam Shqipërinë me Kosovë e Çamëri”, “Rroftë flamuri kuq e zi”.

Mes goditjeve të policëve, ne na shfaqeshin edhe portretet e urdhëruesve të tyre, prokurorëve: Namik Xhafa, Selim Alimerko, Lufter Hoxha, Namik Cakrani, si dhe njëfarë Dalip Hyseni, i cili në mënyrën më të poshtër, akuzoi dhe dënoi Qazim Kokoshin, një nga shqiptarët e mëdhenj të Vlorës, një ndër organizatorët e Luftës së Vlorës të vitit 1920. Gardianët e burgut përherë bënin kontrolle të rrepta, sa na e bënin jetën të mërzitshme. Për ta ishte normë pune, përdorimi i drurit, rrahjeve e torturave. Bile disa prej tyre thoshin se ishin të repartit: “Dajaku dhe uria”, pra, veç torturave fizike, përdornin edhe atë që të burgosurit i mbanin disa ditë pa buke, ne izolim në dhoma të veçanta. Hetimet ishin sa për sy e faqe. Hetuesi kishte mbushur me dhjetëra fletë dhe t’i vinte përpara.

Pas gjithë këtyre, më 2 shkurt të vitit 1946, dola para gjyqit, në bangon e të akuzuarve. Më përpara u dënua profesori im, Bego Gjonzeneli, me pesë vjet burg dhe pas tij, profesor Tahir Hoxha me vdekje. Me vdekje u dënua edhe; Abdyl Kuçi, Tasim Murati, Qemal Xhyheri, Nazif Çala, Muharrem Sharra, të cilët pas ca ditëve, u ekzekutuan. Atë ditë, mua me çuan në gjyq të lidhur për dore me Arturo Orlandin, pronar i fermës së Llakatundit, Terrucin – drejtor i Bankës së Vlorës, Belucin – nëndrejtor i Bankës së Vlorës, si dhe Luto e Rushit Grabova. Gjyqi ishte hapët. Që nga burgu e deri tek kinemaja e Shyqyri Çupishtit, që ishte caktuar si sallë gjyqi, populli nga godiste me gurë, na shante e fyente me pa të drejte. Ne u gëzuam, sepse atë ditë ishte ndërruar edhe trupi gjykues. U hoq prokurori Namik Xhafa. Ai, me të drejtë, u akuzua nga të burgosurit me fakte, se kishte qenë federal i Partisë Fashiste të Vlorës, për dy vjet e gjysëm.

Fjalët që i thanë në gjyq, ishin këto: “Kushdo mundet të na dënojë, por jo ti Namik Xhafa, sepse poshtë këmishës së kuqe, ke të veshur akoma këmishën e zezë fashiste”! Dhe kështu rrodhi që atë ditë, kryetar gjyqi ishte Qemal Klosi. Në kohën që vëllai i tij, Sulo Klosi, po varej në Rubik, si sabotator, Qemali dënonte nacionalistët vlonjatë me vdekje…! O tempora! O mores! Medet, medet! I thashë një shoku të burgosur: “A ishte mallkimi i zotit për ne shqiptarët”?! Po ç’të vazhdojë më tej, me portretet e trupit gjykues?! Prokuror ishte Lufter Hoxha. I ati i tij, Tahir Hoxha, priste në qeli ekzekutimin e dënimit me vdekje, i biri dënonte bashkëluftëtarët e babait të vet. Anëtar i gjykatës, ishte edhe plaku patriot, Islam Harizi, nga Tërbaçi i Vlorës.

Njeri i urtë dhe i matur, që kurrë nuk e fëlliqi gojën me fjalë të këqija, siç bënin të tjerët, “gojacët e gjykatës”, siç u thoshim ne. Kur Lufter Hoxha, shoku im i shkollës dhe i rinisë, kërkoi dënimin tim me vdekje, m’u duk se edhe tavani i kinemasë së Çupishtit, u bë i zi, si zemra e prokurorit. Atë ditë, bashkë me mua, iu dha pretenca e dënimit me vdekje, edhe italianëve Orlando, Terruci, Verdi Nino. Në çastin që Orlando dëgjoi vendimin, i ra të fikët. Trupi i tij qe peshonte më shumë se 180 kilogram, ngaqë ishte i lidhur me mua, më tërhoqi pas vetiu. Mbasi i hodhën disa kova me ujë, u përmend në sallën e gjyqit. Pas seancës, na çuan drejt e në burg.

Më kujtohet se, porsa më pa Tahir Hoxha dhe kish marrë vesh dënimin tim me vdekje, me afrohet e me thotë: “Po edhe për ty, more bir, dhanë dënim kapital?!” Pas tij u ngrit Bego Gjonzeneli i revoltuar e ngriti zërin në dhomën e burgut dhe bërtiti: “Pse mua më dënojnë me pesë vjet, ndërsa nxënësin tim e dënojnë me vdekje?!”. Aty pranë ishte edhe Kudret Kokoshi, i cili edhe ai ishte dënuar me vdekje. Afrohet tek profesor Begua dhe i thotë: “Bego, komunistët me ty do të bëjnë lojë. Ata do të të lirojnë, që të jesh në shërbim të tyre…”! Dhe kështu ndodhi. Pas ca kohësh Begon e liruan. Kur doli nga dera e burgut, e shoqëruan Rrapo Dervishi e Vasil Kati.

Ata shkuan së bashku nëpër bulevard, drejt Sheshit të “Flamurit”. Profesori i mençur e kuptoi këtë manovër të tyre dhe kur mbërriti tek Sheshi i “Flamurit”, tek Lulishtja “Ismail Qemali”, u kthye nga ata dhe filloi të debatonte tërë zjarr. Njerëzit u grumbulluan dhe po dëgjonin. Demaskimi që u bëri Bego Gjonzeneli komunistëve atë ditë, ishte një shuplake e rëndë për Rrapo Dervishin dhe Vasil Katin, sepse gjithë qyteti nisi të fliste për fjalët shpotitëse kundër regjimit dhe persekutorëve të rinj të vendit. Rrapo Dervishi e Vasil Kati, çanë mes turmës se njerëzve që ishte grumbulluar, ndërsa Begua u la i lirë dhe mori rrugën e shtëpisë.

Pa arritur tek dera e shtëpisë, policët e thirrën të ndalonte dhe kështu e arrestuan serish. “E dija që do më arrestonit, se më kish thënë Kudret Kokoshi që në burg, por s’ma mori mendja pa u çmallur me njerëzit e mi…”?! Erdhi përsëri në burg profesori. Brenda një kohe të shkurtër, e nxorën në gjyq, e dënuan me pushkatim dhe e ekzekutuan. Duke ndenjur në qelinë e burgut, çdo natë me shfaqeshin para syve skenat e gjyqit tim. Kryetari, Qemal Klosi, e hapi gjyqin duke më pyetur: “Çfarë funksioni dhe çfarë detyrash kini patur në Ballin Kombëtar”?! Unë u përgjigja: “Kam qenë në radhët e ‘Ballit Kombëtar’, qysh në vitin 1942. Në vitin 1943, më ngarkuan me detyrën e Sekretarit Politik të Rinisë së ‘Ballit Kombëtar’ për Qarkun e Vlorës.

Me gjithë të rinjtë vlonjatë, kishim shoqëri, pasi ishim antifashistë. Mirëpo politika sllave, ia mbërriti qëllimit: “dividi ed impera”. Pyetja e dytë që më bëri kryetari i gjyqit Qemal Klosi, ishte: “Akuzohesh se ke sabotuar Luftën Nacionalçlirimtare, duke propaganduar për ‘Ballin Kombëtar’”! Përgjigja ime ishte: “Unë nuk kam qenë kurrë kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shumë nga ata që morën pjesë në Luftë, ishin edhe shokët e mi të rinisë. I vetmi debat që ka qenë mes nesh, ishte se unë e shokët e mi, e donim Shqipërinë me Kosovën e Çamërinë, ndërsa ata thoshin se; ‘të bëjmë luftën, pa të shohim…”! Ndërkohë më sulmon ashpër prokurori, Lufter Hoxha, duke më thënë: “Ti, Petrit, more rrugën e tradhtisë…”!

Unë e dëgjova dhe iu përgjigja aty për aty: “Nuk e di, të quhesh tradhtar, kur e do Shqipërinë dhe lufton për të?! Oratori i revolucionit frëng, Gabriel H’Onore De Mirabo, ka thënë kështu përpara popullit të Parisit: ‘Njeriu që lufton për arsye dhe për Atdhe, nuk mundet kollaj’! Unë nuk kam patur nevojë të marrë mësim nga ju, zoti prokuror, sepse e dija shumë mirë që distanca ndërmjet kapitalit dhe Shkëmbit të Tarpejenit, është shumë e shkurtër. Por dëshiroj të them se këto shpifje që po më bëhen, nuk kanë asnjë bazë. Për t’ju a argumentuar edhe më mirë, se shpifjet tuaja nuk kanë bazë, po jap principin tim.

Mbështes në jetën time, formulën e famshme të nxjerrë nga Etili, kryeministri i Britanisë, Trumani, Presidenti i Amerikës, Blumi, kryeministër i Francës: “Liri individuale, e shoqërore me ekonomi të planifikuar, demokraci me të drejta shoqërore…”! Pas kësaj, prokurori më thotë se akuzohesha për një atentat në rrugën e Topanasë. Bëhej fjalë për atentatin që u krye ndaj meje, kur shkoja tek motra; siç e kam përshkruar edhe më lart. Por, për çudinë time, nga mesi i sallës ngrihet Medin Bardhi, pjesëmarrës në atentat, punonjës i Sigurimit të Shtetit, dhe tha: “Po qe se Petrit Velaj dënohet me këtë akuzë, kjo nuk qëndron. E vërteta është se ne të njësitit gueril, i zumë pusi Petritit kur shkonte për tek motra në ‘Topana’ dhe jo ai neve!

Petriti i qëndroi goditjes sonë”.

Edhe salla nuk e priste përgjigjen e këtij djali. Prokurori Lufter Hoxha, duke deklaruar se Petrit Velaj është nacionalist, më jep dënimin me vdekje. Kryetari i gjyqit, Qemal Klosi, më dha fjalën për të fundit herë: “Kini ndonjë gjë për Qemal Klosi”. Përsërita edhe një herë fjalët e shkrimtarit të madh, Romen Rolan, i cili thotë: “Të vuash s’është gjë dhe të vdesësh prapë asgjë, kur e di arsyen se përse”! Duke sjellë këto nder mend, në qelitë e errëta e tërë lagështirë të qytetit tim, profesor Tahir Hoxha më thotë; “Më vjen keq, more djalë, që të dënuan kaq rëndë…”! Unë ja ktheva zotit Tahir, që më kishte hedhur dorën në qafë dhe i thashë: “Zoti Tahir, Petritër ka plot Shqipëria. Por unë uroj që Shqipëria të mos ketë Lufterë, Namikër, Selimër sepse këta do të bëhen lugetër për shqiptarët. Pa këta, edhe Shqipëria jonë e dashur, do të jetë, edhe me fisnike edhe më kreshnike”!

Në ditët e mëpastajme, qëndroja pranë Arturo Orlandit, i cili nuk po e merrte ende veten. Një mbrëmje më thërret e më thotë: “Petrit, po të le disa amanete. Buzëqesha me veten time e, mendova se ai harroi që edhe mua m’u dha dënimi me vdekje. Megjithatë me vëmendje më të madhe, e dëgjova. Ai më tha: “Në muajin mars të vitit 1944, më ka ardhur Hysni Kapua në Llakatund, në fermë dhe më kërkoi për luftën partizane, një sasi floriri dhe një sasi grurë. I dhashë 800 napolona flori dhe i premtova se do t’i jepja edhe njëmijë kuintalë grurë. Tani habitem se si më dënojnë me vdekje edhe mua, që kam kontribuar për shqiptarët”?! Atëherë unë mora guximin dhe i thashë të shkonte tek dera e hekurave dhe të kërkonte takim me Rexhep Sulejmanin, babain e Perlat Rexhepit, pasi ai ishte njeri me kredo politike e civile në qytet. Dhe kështu bëri.

Të nesërmen erdhi në burg vetë Rexhep Sulejmani. Orlandua më kërkoi mua si përkthyes. Pasi u morën vesh, një tjetër mbas dite, erdhi përsëri Rexhep Sulejmani, e mori Orlandon dhe shkuan në Llakatund. Siç më ka thënë Orlandua, i ka dhënë Rexhep Sulejmanit edhe 90 mijë franga ari, në arkën e Llakatundit. Se ku shkuan ato, nuk e dimë. Pas nja dy ditësh, i bëmë një telegram Hysni Kapos. Telegramin ia shkrova unë: “Kërkoj takim personal me ty. Orlando. Burgu i Vlorës”. Pas tre-katër ditësh, Orlandon e kërkuan në drejtorinë e burgut. Si përkthyes më mori mua. Shkuam atje. Në krye të dhomës na priti vetë Hysni Kapua. Ishte i pranishëm edhe drejtori i burgut, Muço Maska. Mbasi u përshëndetëm, Hysni Kapua e filloi i pari bisedën: “Orlando, unë e di për çfarë më ke thirrur. Nuk po e zgjatim bisedën. Vetëm po të them se, jo vetëm që nuk do të pushkatohesh, por do të kesh minimumin e dënimit. Atë do ta kryesh në fermën e Llakatundit. Sa të mbarosh dënimin, do të nis në shtëpi në Itali”!

Orlandua u gëzua shumë. U ngritëm të dalim nga drejtoria. – “Se për ty Petrit isha tek xhaxhai, Murat Terbaçi, në Ujët e Ftohtë. Shkuam e pimë edhe një kafe tek babai yt, xha Ahmeti. Ti rri i qetë, se unë i njoh mirë ambiciet e vlonjatëve”,- më tha Hysni Kapo. Më vonë mora vesh, se po atë ditë, Hysni Kapoja kishte qenë edhe në mbledhjen e Komitetit të Partisë. Atje kishte rënë biseda edhe për mua, ku Rrapo Dervishi më kishte sulmuar keq. Po Hysniu i ishte kthyer, duke thënë se: “Ty Rrapo të vjen inat që Petrit Velaj, ka qenë nxënësi më i shkëlqyer i shkollës Tregtare. Edhe në Luftë, ka qenë shumë trim. E kam parë vetë në luftën e Tiranës”. Mbas disa ditësh, dolëm në gjyq për të marrë vendimin. Në gjyq u lexua deklarata e Hysni Kapos, e cila thoshte: “Petrit Velaj, i ri revolucionar, ka marrë pjesë në demonstratat kundër fashizmit italian. E kam njohur qysh në fëmijëri dhe në shkollën Tregtare të Ujit të Ftohtë. Familja e tij ka ushqyer ndjenja të larta atdhetare”!

Duke e përfunduar deklaratën e vet, Hysni Kapoja përfundonte: “Veçse shtoj se, përsa i takon pjesëmarrjes në ‘Ballin Kombëtar’ nuk ka për të ndryshuar mejtim”! Pas kësaj deklarate, u lexua edhe deklarata e dytë. Atë e kishte bërë sekretarja e rinisë për Kukësin, Nënoçe Osmani, nga Kanina. Ajo shkruante: “Petrit Velaj, aktivist i shkëlqyer i rinisë vlonjate. Pjesëmarrës në demonstratat antifashiste. I detyruar nga rrethi i tij, ka marrë pjesë në radhët e Ballit Kombëtar”. Dëshmia e tretë ishte e zonjës Neka Osmani, anëtare e kryesisë së Gruas Antifashiste të qarkut të Vlorës. Ajo me fjalët e saj, kishte bërë një apologji të përkryer. Dëshminë e katërt e nënshkruanin tregtarët: Polizoi Kosta dhe Sallabanda. Në deklaratën e tyre pohonin: “Petrit Velaj në Vlorë, njihet si një nga të rinjtë e ndershëm të këtij qyteti, pavarësisht nga bindjet e tij politike”!

Me gjithë këto deklarata, u dhanë dënimet: unë me burgim të përjetshëm, ndërsa Orlandua me katër vjet punë të detyruar në fermën e Llakatundit. U kthyem përsëri në qelinë tonë, në burgun e Vlorës. Një ditë, duke qenë në dhomën time, më vjen i vëllai i Hysni Kapos, Karafil Kapua, i cili ishte caktuar komandant i rojeve të burgut. Dikur, në femërinë tonë, kishim lozur së bashku, tek kopshti i xha Muratit. Pa të keq, më vjen në takim, duke më sjellë edhe rroba e ushqime nga shtëpia e vet. Duke biseduar, më thotë: “Petro, meqenëse unë do të punoj këtu ca kohë, teshat t’i shpie unë në shtëpi”. Unë qëndrova për një çast dhe nuk pranova. Ai me një zë dashamirës më thotë: “Po ç’ke ti, mua s’më gjen gjë, se jam i vëllai i Hysni Kapos”! Duke përfituar nga intimiteti, i them me zë të ulur: “Karafil, ky sistem, nuk pyet as për Leninin e Stalinin që e kanë krijuar, e jo për ty e Hysni Kapon…”!

Më dëgjoi dhe nuk bëri fjalë. Vinte shpesh e këmbenim fjalë me njeri-tjetrin, sa ishte në atë detyrë. Më vonë, mora vesh se, kur shkoi për studime në Bashkimin Sovjetik, vrau veten, thoshin disa, të tjerë se e kanë vrarë…! Ndërmjet të burgosurve, më ka lënë mbresa edhe Fatosh Kokoshi. Ai kishte kryer studimet e larta për Drejtësi në Itali dhe më vonë në Francë. Njeri me kulturë të gjerë dhe mjaft i matur. Në burg vuante ekonomikisht, por edhe shpirtërisht. E mundonte shumë, edhe të qenurit në burg e babait të tij, Qazim Kokoshit. Qazim Kokoshin e kam admiruar qysh kur kam qenë fëmijë. Prania e tyre në burg, e forcoi edhe më shumë miqësinë e shoqërisë tonë. Kur bisedoja me Fatoshin, fjalët e tij, me ngrohnin, më jepnin kurajo dhe nuk e di por shpesh thosha, se ato ishin fjalë magjike.

Kur u dënua i ati, Qazimi, ai filloi të më fliste më shumë për të. Qazim Kokoshi ishte kundërshtar i hapur i Ahmet Zogut dhe i qeverisë së tij. Zogu e dënoi me vdekje. Megjithatë, s’kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, e thirri konsulli italian Salvoni. Ai i kishte thënë: “Shkëlqesë, kemi shume respekt për ju. Ju treguat burrërinë tuaj, më 1920-ën. Italia fashiste ju vlerëson edhe njëherë si burrë shteti. Meqenëse gëzoni respekt e popullaritet në Vlorë, po ju them se, pas pak ditësh, trupat fashiste do të zbarkojnë në Vlorë dhe Durrës”. Sa dëgjoi këto fjalë nga goja e Konsullit, Qazim Kokoshi i’u përgjigj në mënyrë të prerë: “Mos gaboni të vini përsëri, zotërinj. Ndryshe do t’ju pres fati i Drashovicës. Po të keni koka të tepërta në Itali, provojeni të shkelni tokën tonë…”! Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Liri Gega kërkonte pushkatimin tim, por Hysni Kapo, si kryetar gjyqi, më mbrojti, foli shumë mirë për mua e familjen, edhe Bako Dervishi e Vehbi Hoxha...”/ Kujtimet e ish-ballistit nga Vlora, që vuajti 36 vite burg

Next Post

“Studenti i sapo kthyer nga Franca, në bulevardin e Peshkopisë, binte në sy, tërhiqte vëmendjen prej lëkurës së bardhë dhe...|? Historia e trishtë e intelektualit të diplomuar në Paris, që vuajti 8 vite në Spaç

Artikuj të ngjashëm

“Kur mësuesi në Tepelenë, më ndaloi dhe më pyeti; nëse unë e doja babën tim, e i thashë po, ai mori vizoren dhe më goditi…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të internuarit, Simon Mirakaj
Dossier

“Baballarë të arratisur, fëmijë që nuk i njohën kurrë prindërit, familje të ndara, frikë për të nesërmen, për atë që mund të vinte…”/ Historitë e panjohura të “njerëzve të ndaluar”, të Savrës, Bedatit, Gjazës etj.

May 19, 2025
“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Dossier

“Shumë të burgosun, tuj mos durue torturën që i bante hetuesi i tij mizor, Ali Xhunga, t’iu luste atij me nji za të shuem: Aman bre burrë, për hatër t’Zotit, mos ma…”! Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 20, 2025
“Pasi paraqet rrezikshmëri për arratisje jashtë shtetit, Gjyle Avdi Leci, të internohet për 3 vjet në T’pla të Tropojës, kurse Ramadan Zhazedin Daullxhiu, me tetë fëmijë…”/ Zbulohen vendimet e vitit 1972
Dossier

“Pasi paraqet rrezikshmëri për arratisje jashtë shtetit, Gjyle Avdi Leci, të internohet për 3 vjet në T’pla të Tropojës, kurse Ramadan Zhazedin Daullxhiu, me tetë fëmijë…”/ Zbulohen vendimet e vitit 1972

May 18, 2025
“Kur u mësua në Tiranë, se ne ndërtuam një tunel mbi 1 km., poshtë qytetit, erdhën urgjent Kadri Hazbiu me Adil Çarçanin dhe…”/ Dëshmia e rrallë ish-ushtarakut, për objektin e rrallë të Sarandës
Dossier

“Kur u mësua në Tiranë, se ne ndërtuam një tunel mbi 1 km., poshtë qytetit, erdhën urgjent Kadri Hazbiu me Adil Çarçanin dhe…”/ Dëshmia e rrallë ish-ushtarakut, për objektin e rrallë të Sarandës

May 18, 2025
“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Dossier

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 18, 2025
“Djali i ri, brigadier në Lukovë, me teserën e komunistit në xhep, shkoi në kampin e internimit në Savër të Lushnje, për të kërkuar vajzën që e njohu në aksion…”/ Historia tronditëse dhe takimi pas 25 vitesh
Dossier

“Për arsye se në tetor 1971, u arratis jashtë shtetit, në Greqi, pjesëtari i familjes së tyre, Besnik Aliko, komisioni vendosi të internojë në katundin Fushë-bardhë të Gjirokastrës…”/ Zbulohen vendimet e vitit 1972

May 19, 2025
Next Post
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë

“Studenti i sapo kthyer nga Franca, në bulevardin e Peshkopisë, binte në sy, tërhiqte vëmendjen prej lëkurës së bardhë dhe...|? Historia e trishtë e intelektualit të diplomuar në Paris, që vuajti 8 vite në Spaç

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!