Përgatiti D. Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/Ka kaluar më shumë se shtatë dekada, që nga koha kur shteti grek vendosi dhe mban ende në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë. Kjo gjë u bë me pretekstin, se: nga tokat shqiptare ishte lejuar ushtria italiane që të sulmonte Greqinë. Por si qëndron e vërteta rreth kësaj ngjarje dhe a ishte përgjegjës shteti shqiptar për sulmin Italian, karshi fqinjës së saj jugore?
Lidhur me këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, përveç studiuesve dhe historianëve tanë, janë angazhuar dhe kanë botuar disa libra edhe studiuesit e historianët e huaj, ku si më seriozet vlerësohen ato të Kontit Ciano, ish – Ministri i Jashtëm i Italisë së asaj kohe, (“The Ciano Diaries”, “Ciano` s Hidden Diaries”, “Ciano` s Diplomatic Papers”) që ishte një nga aktorët kryesorë të atyre ngjarjeve, pas Benito Mussolinit.
Këto libra të tij, si dhe të disa autorëve të tjerë, janë shfrytëzuar nga Bernd J. Fischer ( një nga studiuesit e njohur të historisë së Shqipërisë) në librin e tij voluminoz “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”, i cili është botuar para disa viteve në Tiranë. Duke ju referuar Fischerit, si edhe disa historianëve të huaj si: David B. Funderburk, (“Anglo-Albanian relations, 1920-1939) Mack Smith, (“Mussolini` s Roman Empire”) George M. Self (“Foreign relations of Albania”) etj., do të shohim se: shteti shqiptar asokohe kur u sulmua Greqia prej Italisë fashiste të Mussolinit, nuk kishte asnjë lloj mundësie që ta parandalonte atë sulm, pasi ai ishte i okupuar për vete nën thundrën fashiste. Përveç këtij fakti të pa mohushëm, asokohe edhe dy batalionet shqiptare që u dërguan të luftonin në frontin grek, pothuaj dezertuan të gjithë, duke mos dashur të luftonin kundra fqinjëve të tyre.
Propaganda anti greke
Të nesërmen më 11 gusht 1940-të, Ducja kërkoi hollësi të mëtejshme rreth Çamërisë dhe dha urdhër që agjencia “Stefan”, të niste transmetimet agjitative për këtë çështje. Brenda ditës shtypi italo-shqiptar, botoi artikuj të pafund e me shkronja të mëdha, që kritikonin shtypjen greke mbi popullin e Çamërisë. Kjo gjë ishte më se e vërtetë, sepse grekët i kishin keqtrajtuar shqiptarët e Greqisë së Veriut. Gjithashtu Mussolini urdhëroi Jakomonin dhe Visconti Prasca, të raportonin në Romë, ku do të diskutohej vendosmëria e tij e re për të ndërrmarë një sulm të befasishëm kundra Greqisë. Më 12 gusht, Musolini i deklaroi Çianos, Jakomonit dhe Prascas, se sikur Korfuzi dhe Çamëria të mos i dorzoheshin Italisë pa luftime, “Italia do të kapërcente pragun”.
Sipas Cianos, Jakomoni dhe Konti Prasca i thanë atij se ai veprim ishte shumë i lehtë. Lufta u afrua dhe një hap më shumë, kur një nëndetëse italiane fundosi kryqëzorin grek “Helli” në ujërat greke në datën 15 gusht. Pas këtyre ngjarjeve, Berlini u alarmua dhe i kërkoi Romës që të ruhej statukuoja në Ballkan. Mussolini bëri sikur e pranoi atë gjë, por nga ana tjetër i vazhdoi përgatitjet për luftë ndaj Greqisë. Visconti Prasca nxitoi dhe dërgoi njësi ushtarake italiane në kufirin grek, ndërsa Jakomoni itensifikoi veprimet e tija për përgatitjen e guerriljeve shqiptare për përhapjen e terrorit dhe krijimin e trazirave në prapavijat greke.
Po në atë kohë, Jakomoni i dërgonte mesazhe të njëpasnjëshme Cianos, ku i vinte në dukje kushtet e mjerueshme dhe të rënda të cilave u nënshtroheshin shqiptarët e Çamërisë. Krahas kësaj, ai u jepte udhëzime shtypit dhe radios shqiptare që të vazhdonte të ngrinte figurën e Daut Hoxhës, që ishte vrarë në Greqi. Në kulmin e entuziazmin e tij rreth projektit të pushtimit, Jakomoni arriti deri aty sa të sugjeronte se operacioni në fjalë, duhet të fillonte me një sulm sa për sy e faqe të gueriljeve shqiptare, mbi një post-komandë kufitare italiane, gjë e cila do të shërbente si pretekst për fillimin e sulmit mbi Greqinë. Edhe pse kundërshtimet e gjermanëve e patën bindur përkohësisht Mussolinin që të hiqte dorë nga planet për pushtimin e Greqisë, aksioni gjerman në Rumani e nxiti atë të hidhej menjëherë në veprim. Kur më 12 tetor trupat gjermane hynë në Rumani, Mussolini u bë si i tërbuar dhe i deklaroi Cianos: “Hitleri më vë gjithmonë përball faktit të kryer. Kësaj radhe kam vendosur me të njëjtën monedhë. Ka për ta marrë vesh nëpërmjet gazetave se unë kam pushtuar Greqinë”.
Ndonëse ende kishte njëfarë rezistence për mos fillimin e sulmit ndaj Greqisë, veçanërisht prej gjeneral Badoglios, Mussolini e hodhi poshtë atë me vendosmëri, duke shpallur: “Unë do të jap menjëherë dorëheqjen si italian, në rast se dikush nxjerr kundërshtime ndaj sulmit tonë kundër Greqisë”. Edhe Ciano ishte i bindur se ai operacion do të ishte i lehtë. Ndërkohë lajmet nga Shqipëria ishin të gjitha pozitive, Jakomoni njoftonte se: shqiptarët e Çamërisë i përkrahnin italianët dhe po përgatiteshin për ti ndihmuar ata. Gjithashtu ai njoftonte se rinia shqiptare, e cila kishte qenë gjithmonë e përmbajtur, po shfaqte shenja të hapura miratimi ndaj pushtimit të Greqisë dhe se të gjithë patriotët dhe trupat shqiptare, po digjeshin nga dëshira për të çliruar Epirin (Greqinë e Veriut) njëherë e përgjithmonë. Jakomoni shkonte deri aty sa thoshte se mezi po i përmbante shqiptarët për të kaluar kufirin. Mussolini i bindur e duke i kujtuar për të vërteta këto marrëzira që i servirnin vartësit e tij, pati frikë se mos pjesëmarrja e gjerë ushtarake e shqiptarëve në luftime, mund t’u krijonte atyre përshtypjen se fitorja e pashmangshme kundër grekëve, ishte rezultat i arritur prej armëve shqiptare. Në fund të raportit të tij, Jakomoni njoftonte Mussolinin se shqiptarët ishin entuziastë dhe grekët me moral të ulët.
Pushtimi italian i Greqisë
Sipas urdhrit të Mussolinit, më 28 tetor 1940, tetë divizione italiane të përbërë prej 140.000 trupash, sulmuan tokën greke në një front të gjatë prej 200 km. Në atë operacion, italianët ndërmorën një numër sulmesh ajrore mbi popullsinë civile. Forcat italiane që morën pjesë në atë operacion, ishin të përgatitura me nxitim dhe të pajisura keq, e të stërvitura dhe drejtuara nga oficerë jo kopetentë. Megjithë këtë në veprimet luftarake ata arritën që të depërtonin rreth 15 km. në territorin grek. Por në qendër të sulmit, përparimi i forcave që drejtoheshin nga Konti Prascas, u frenua shumë shpejt, gjë e cila e detyroi Kontin Ciano që të vinte me avion në Tiranë, për t’ju dhënë zemër gjeneralëve italianë. Frika e tij u fashit disi përkohësisht, si pasojë e optimizmit të vazhdueshëm të Kontit Prascas, i cili i raportonte se pavarësisht prej vështirësive, trupat e tij po qëndronin mire, madje dhe batalionet e milicisë me ushtarë shqiptarë, kishin një moral të lartë.
Ndër të tjera raportohej se një ushtar shqiptar i plagosur, me një italishte çalë-çalë, kishte thënë: “Ne vdesim të gjithë, që Ducja të kalojë mbi trupat tanë”. Në këtë vazhdë keqinformimi, kontribuoi dhe shtypi italian, që njoftonte se grekët po i uronin mirëseardhjen ushtarëve italianë. Në të vërtetë, gjendja luftarake e trupave italiane u keqësua shumë shpejt. Më 6 nëntor, Ciano pranoi se inisiativa kishte kaluar në kampin e grekëve. Grekët kishin kundërsulmuar në frontin e Maqedonisë perëndimore, duke ju shkaktuar një disfatë pjesës më të mirë të trupave italo-shqiptare, e konkretisht batalionit prej njëmijë vetësh “Tomorri”.
Grekët marrin Jugun e Shqipërisë
Më 14 shtator 1940-të, gjenerali Alexandros Papagos, shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë greke, nisi kundërofensivën me një numër forcash disi më të mëdha se ato italiane. Trupat e tija të paisura dhe të furnizuara më së miri, jo vetëm që i detyruan italianët që të tëriqeshin nga territori grek, por shumë shpejt ata vunë nën kontroll, një pjesë të mirë të territorit shqiptar. Kështu Korça, qyteti i tretë i Shqipërisë për nga madhësia, ra në duart e grekëve më 22 nëntor, gjë e cila përbënte një goditje të fortë për prestigjin italian. Pas kësaj disfatat e italianëve ndoqën njëra tjetrën. Në dhjetor italianët morën dhe Gjirokastrën, Sarandën, Pogradecin si dhe disa territore të tjera që përbënin 25 % të gjithë territorit shqiptar. Me qëllim që të kthente moralin e humbur të ushtarëve italianë, në janarin e 1941-it, Musolini dha urdhër që të gjithë ata që ishin nën 45 vjeç, të shkonin në front në Shqipëri. Ky urdhër ishte për të gjithë pa përjashtim dhe elita fashiste e hutuar nga ky urdhër, u dërgua që të luftonte në malet me baltë dhe me borë të Shqipërisë. Kështu gati një e treta e ushtrisë italiane e përbërë prej 300.000 trupash, nisi një kundërofenisvë të përgjithshme.
Me gjithë atë epërsi, ajo ofensivë nuk solli ndonjë rezultat të ndjeshëm. Që nga ai moment, morali i trupave italiane u dëmtua në mënyrë të pa ndreqshme dhe Mussolini i ktheu sytë nga Gjermania. Humbjet i italianëve në atë kohë ishin mjaft të mëdha, e shënonin mbi 14.000 të vrarë, 50.000 të plagosur, 25.000 të humbur dhe mbi 12.000 vetë të tjerë të gjymtuar prej acarit të dimrit. Faji për këtë disfatë u hodh tek të gjithë dhe Zenone Benini e Mussolini, në bisedat me Hitlerin, u a hodhën fajin shqiptarëve. Në të vërtetë, pavarësisht prej shpresave të mëdha dhe të pabaza që ushqente Ciano, Jakomoni dhe Visconti Prasca, shqiptarët shfaqën një mungesë të theksuar entuziazmi, qoftë për italianët dhe qoftë për grekët.
Dezertimi i shqiptarëve nga front i luftës
Forcat e armatosura shqiptare në radhët e ushtrisë italiane, luajtën një rol fare të vogël në mbështetje të italianëve. Mussolini pretendonte se divizionet italiane që pushtuan Greqinë fillimisht, kishin në përbërje të tyre nga dy batalione shqiptare. Kjo gjë ishte tepër e ekzagjeruar dhe nuk ishte aspak e vërtetë, sepse vetëm dy batalionet shqiptare “Taraboshi” dhe “Tomorri”, morën pjesë në operacionet ushtarake që u zhvilluan kundër grekëve në rajonin e Korçës. Të përballuar me realitetin e ashpër të një fushate ushtarake malore, ndaj një armiku të vendosur, njësitë shqiptare ose dezertonin ose largoheshin nga fusha e betejës grupe grupe. Ata që mbetën, luftuan aq keq, saqë komanda italiane u detyrua dhe dha urdhër që ata të tërhiqeshin nga fronti dhe i mbylli në një kamp përqendrimi diku në Shqipërinë e Mesme.
Asokohe thuhej se në qoftë se italianët do të kishin përdorur trupat shqiptare në krahinën shqiptare të Çamërisë dhe jo në zonat ortodokse të Korçës, milicia shqiptare do të kishte treguar ndoshta më shumë vendosmëri dhe entuziazëm. Bashkëpunimi i rastësishëm i shqiptarëve me italianët, ishte mjaft i kufizuar. Me gjithë shumat e mëdha që Jakomoni shpenzoi për qëllimet “politike”, rezultati përfundimtar ishte mjaft negativ. Agjentët shqiptarë, duke u përpjekur që t`u jepnin italianëve ato lajme që ata i kishin qejf, në mes të tjerash i bindën, se shqiptarët që ishin në Greqi, do të ngriheshin, madje pati dhe nga ata informatorë që thonin se edhe vetë grekët do të ngriheshin në përkrahje të italianëve.
Pasi grekët arritën që të pushtonin disa pjesë të Shqipërisë, agjentët shqiptarë që paguheshin e punonin për llogari të italianëve, duhej të punonin për të marrë informata përtej trupave italiane, në afërsi të trupave greke. Asokohe nga ana e agjentëve shqiptarë pati disa sabotime të cilat konsistonin në ndërprerjen e linjave telefonike dhe shërbimit telegrafik ushtarak. Por ato aksione të kufizuara të shqiptarëve ishin pa ndonjë pasojë të madhe, e nuk luajtën asnjë lloj roli në fushën e luftës.
Sipas italianëve, të gjithë agjentët dhe sabotatorët shqiptarë, thuhej se kishin vetëm motivin e parasë. Ajo gjë ilustrohet nga ana e tyre, me faktin se ata nuk arritën kurrë të lokalizonin vend-ndodhjen e Shtatmadhorisë greke, që italianët shpresonin t’a bombardonin. Ndonëse kjo gjë është hedhur poshtë nga historiografia komuniste shqiptare, në të vërtetë shqiptarët në atë luftë i ndihmuan fare pak grekët. Sipas disa dokumentave që ndodhen në arkivat e Berlinit, bëhet e ditur se shqiptarët më shumë në atë luftë ndihmuan grekët, se sa italianët dhe pakica greke në Jug të vendit e priti mjaft mirë mbërritjen e trupave greke aty. Arsyeja që shqiptarët nuk pranuan të ndihmonin italianët, ishte e qartë. Italianët në Shqipëri konsideroheshin si pushtues dhe ndjenja e irredentizmit në vend, nuk ishte aq shumë e përhapur sa kishte shpresuar Konti Ciano. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016