Nga Sofika Prifti Cara
Pjesa e njëmbëdhjetë
Të falësh…!
– Fisi i vjetër Kavajas – CARA
Memorie.al, publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
VDEKJA E MOMË SHEJES
Siç ju shkruajta për xha Lamin, ai kishte pasur dy gra: nënë Dudën, që ishte gjyshja e saktë e Bardhit; edhe për nënë Dudën tregova ca gjëra. Kurse gruaja e dytë, momë Sheja, ishte nga fisi i Dedejve, të Kavajës. Momë Sheja (Aishja) ishte grua e veçantë, e rrallë, shumë e urtë, e mençur, e dashur, punëtore dhe shumë pastërtore.
Ajo nuk u mërzit asnjëherë, duke na mësuar në çdo drejtim, ne, që ishim nuset e nipave të burrit. Për burrat tanë, ajo ishte si një nënë e mirë. Momë Sheja, i donte nipat e burrit dhe s’i ndante asnjëherë nga të katër fëmijët e djalit të saj, Rexhepit.
Kur u martova unë, Xha Lami kishte gjashtë-shtatë muaj që kishte vdekur, kështu që unë nuk e njoha fare. Më 11 prill 1985, gati një muaj pas vdekjes së babait, vdiq momë Sheja, (në një ditë me “xhaxhin” Enver!) Të katër vëllezërit, ishin lidhur shumë me momë Shejen, se ajo i kishte rritur vetë, prandaj vdekja e saj, i hidhëroi ata pa masë dhe e qanë me lot, si gratë.
Mirëpo edhe atë ditë, nuk mbetën pa e provokuar Xhevdetin, i cili doli të blinte disa paketa cigare. Një nga komshinjtë, që e kishte bërë shtëpinë në tokën e Bardhit, (kapter në Degën e Brendshme), ishte vërtetë “roje vigjilente”, që gjithmonë na thoshte me hipokrizi: “Ju jeni njerëz të mirë”! Ai i tha Xhevdetit në rrugë:
“Xhevdet! Paske qarë shumë, sa të janë ënjtur sytë, që vdiq shoku Enver! Ti edhe sikur të derdhësh një lumë me lot, nuk të beson njeri! Ne e dimë se çfarë ke hequr dhe sa e do ti. Apo ke frikë, se nuk të kam parë duke qarë e, të fusin në burg”?!
Xhevdeti, me qetësi e me maturi, i tha: “Të lutem, Ismail, më lër rehat, nuk kam kohë të dëgjoj fjalët e tua dhe nuk e di se kush ka vdekur. Mbrëmë na vdiq momë Sheja dhe ti e di, se si na ka rritur ajo”! Hafija e policisë, nuk ishte turbulluar fare, por e kishte zgjatur muhabetin me një batutë thumbuese:
“Pse, ju nuk e paskeni marrë vesh? Nuk e dëgjuat në radio vdekjen e shokut Enver?! Le që nuk është e nevojshme ta qani ju, atë e qan e gjithë Shqipëria, që është në zi”!
Kur Xhevdeti erdhi në shtëpi, na tha se kishte vdekur merhumi, i pari i vendit…! Për çudi, ai mori shishen e rakisë dhe filloi të pinte. Ai nuk pinte kurrë! I thashë me zë të ulët:
“Harrove që do të varrosim momën? Mos e prek me dorë të vdekurën, se është e larë me avdes, kurse ti ke pirë raki! Çfarë bën kështu o Xhevdet? Ti s’ke pirë kurrë raki”! Por Xhevdeti, m’u përgjigj mendueshëm:
“Rakia pihet për dy arsye; për të mirë ose për të keq. Sot unë i kam të dyja këto arsye: për hidhërimin e madh të vdekjes së momë Shejes dhe nga gëzimi, për vdekjen e diktatorit. Sikur të ishte moma gjallë, ajo do më thoshte: Pije, mor çun, pije me fund, ta bëj hallall, se e mora vesh kush ka vdekur…!
Vetëm një gjë nuk doja: të mos ndodhte vdekja e tij, në një ditë me momë Shejen”! Momë Shejen, këtë grua të rrallë, e përcollëm në banesën e fundit me shumë respekt. Momë Sheja do të mbetet e paharruar dhe e gjallë në zemrat tona, për jetë.
FËMIJËT E MI
Fëmijët e mi u rritën me shumë sakrifica e mungesa të mëdha. Djali, Beni, mbaroi klasën e katërt me nota shumë të mira. E zuri një grip i rëndë, me temperaturë shumë të lartë, 41-42 gradë, e për 15 ditë, nuk iu ul fare. Kjo na detyroi ta shtronim në spital. Por, për çudi, në spital e mbështillnim me çarçafë të njomë, e kishin futur në një dhomë mbyllur me çelës dhe mua nuk më linin të hyja, se “dyshonin”, për sëmundje të keqe!
Në jetë njeriu, njerëz të mirë gjen pak, më shumë ka të këqij. Kryeinfermierja aty quhej Marieta, ishte nga Elbasani. Asaj i erdhi shumë keq për djalin tim e, një ditë më tha pa rënë në sy:
“E di që e ke burrin në burg për politikë, por çfarë nëne je ti?! Merre djalin e çoje diku, mos e lër deri nesër! Është shumë rëndë e, nuk dihet se çfarë i ndodh. Sot nuk ia bëra gjilpërën që më thanë, po ajo tjetra, nesër do t’ia bëjë…”! Po çfarë të bëja unë në atë situatë?!
Nuk kisha asnjë mundësi, as fuqi, por ua lashë djalin në dorë, mjekëve të Fierit, të cilët e katandisën në atë gradë! Si çdo nënë, do të jepja edhe jetën për ta shpëtuar, sepse është e natyrshme, edhe një insekt, sado i vogël të jetë, po i preke të voglin, të sulmon.
“Ja ku e ke çelësin, – më tha infermierja e zemërmirë, – merre natën, në kohën kur ndërrohen turnet! Para se të marrësh djalin, merr çelësin nga dera dhe ma sill në mëngjes, në orën shtatë pa një çerek, tek ura e spitalit! Kur të ma japësh, kujdesu që mos të të shikojë njeri, sepse më përjashtojnë nga partia! Po të pyetën, thuaj se e gjete derën hapur, kur u ndërruan turnet…”!
Ika në shtëpi, i tregova kunatit, pastaj shkuam në orën 11.00 dhe e morëm djalin, po më parë hoqëm çelësin dhe shkuam në shtëpi. Në mëngjes ia çova atë Marietës, tek vendi që më tha. Në orën nëntë të mëngjesit, erdhi ambulanca me doktorin e rojës e Marietën, që më dha çelësin. Doktori po më kërkonte llogari:
“Përse e more djalin”?! e dërti e, mërti. Më bënte leksion për sëmundjen dhe gjilpërën që do t’i bënin djalit, që “gjoja” ishte për të mirën e tij. (Nga ajo gjilpërë kisha dëgjuar, që edhe kishin vdekur njerëz!) E acaruar shumë, i thashë atij:
“Si guxon të më bësh leksion, kur djalin ma sollët në këtë gjendje?! Me çfarë morali, apo me atë të bluzës së bardhë”?! I tregova emrat e atyre që e kishin pësuar si im bir, që vdiqën, e i thashë që e solla djalin aty, për ta shëruar, jo për të bërë prova me të. “Po qe se vdes, – i thashë me lot në sy, – le të vdesë në shtëpi, po e pati shkruar i madhi Zot”. Marieta më shkeli syrin, nuk foli fare.
“Si e hape derën”?! – më pyeti mjeku. Iu përgjigja se e kisha gjetur hapur, kur qenë ndërruar turnet.
“Na e jep djalin, se kemi ardhur për ta marrë”! – më foli doktori me ton urdhërues. Por unë kundërshtova:
“Ikni, se djalin nuk e jap”! “Nëse nuk do, – tha ai, -përgjegjësia do të bjerë mbi ty! Atëherë do të vini me ne tek drejtori, për të firmosur, që e keni marrë forcërisht vetë”!
“Ikni tashti, se vij vetë në spital! – i thashë. – Do të firmos kur të shkruhet, që ju s’e kuruat djalin tim, por keni bërë prova, që ai të vdesë”!
Kunati im foli me një kushëririn e vet mjek e, ai na tha ta dërgonim djalin në Tiranë, sa më shpejt. Shkuam në Tiranë. Ai kishte folur me një doktor kinez, nga ata që bënin vizita në Tiranë. Ishin specialistë të vërtetë! Ata e vizituan djalin, Benin, dhe thanë të revoltuar: “Çfarë i kanë bërë ata kështu!? I kanë prekur kësaj fëmijë nervin kryesor, që është lidhës i trurit”?!
I çuam dy ake, nga që e treta nuk na erdhi, sepse në atë kohë u prishëm me Kinën(!!) Ndofta për pak, djali do më kishte vdekur, po t’i bëhej edhe ajo gjilpërë! Për mua si nënë, unë them se djali im, nuk pati kujdesin e duhur. Ndoshta sepse i ati i tij ishte në burg. Zoti marrtë hak! (Me zemrën e nënës, i uroj infermieres Marieta, jetë të gjatë, shëndet e lumturi në familje).
Irma, vajza ime, mbaroi klasën e tetë, kurse në gjimnaz, nuk e regjistruan. Nuk ka vende, na thanë. Fieri atëherë kishte një gjimnaz. Shokët dhe shoqet e saj, i regjistruan, Irmën time jo! Ajo ndenji në shtëpi me gjyshen e saj, për shumë vite. Theksoj këtu që gjyshja për tetë vjet, ka qenë e sëmurë me sklerozë dhe kujdesi i Irmës për të, ishte shembullor. Vajza në atë kohë ishte 13 vjeçe.
Në atë moshë të njomë, Irmës i ra një barrë e rëndë, që jo vetëm do kujdesej për gjyshen, por edhe do të lante rrobat, do pastronte shtëpinë, do të gatuante, do të priste kush vinte në shtëpi, etj. U rrit para kohe shpirti i nënës! I gjithë ky mundim i vinte, sepse unë ikja në punë, në gjashtë të mëngjesit e kthehesha në shtëpi, në dhjetë të darkës.
LISTAT E PUSHKATIMIT
Fieri kishte shumë njerëz të mirë, të cilët shikonin punën e tyre, por kishte dhe njerëz të këqij, plot. Në atë qytet, ne sikur kishim një mallkim. Nuk mjaftuan burgimi, internimi, persekutimet, por njerëzit dhe strukturat përkatëse të qeverisë komuniste, morën dhe masa ekstreme: eliminimin fizik për dy persona!
Në familjen tonë, në vitin 1988, plasën dy “bomba”: ata kishin planifikuar me djallëzi, të bënin kurban dy njerëz të fisit Cara, Bardhin e Sabriun. Siç e kishte zakon kuçedra e kuqe, diktatori, që ushqehej me koka njerëzish, pasi vrau dhe shokët e tij, nuk u ngop, por donte koka dhe nga familja jonë.
Në këto lista, përveç burrave kishte dhe gra, për t’u pushkatuar 10 nga 10, në malet e Mallakastës. I nënti në listë, ishte Bardhi, kurse i dhjeti, ishte vëllai i tij, Sabriu. Me që nuk ia dolën me “luftën e klasave”, njerëzit e qeverisë komuniste enveriste, përdorën eliminimin fizik, për të ushtruar terror psikologjik tek njerëzit e thjeshtë. Donin t’i thanin, t’i vyshknin zemrat e nënave dhe të familjarëve.
GURI I RËNDË, NË VEND TË VET
Një fjalë e urtë popullore thotë: “Guri i rëndë, në vend të vet”. Të detyruar nga presionet e mëdha, të herëpashershme, nga burgimet, nga internimet e nga gjyqet e demaskimet e shumta në lagje, të inskenuara me shumë djallëzi, por edhe nga rreziku i pushkatimit, nisëm të mendonim, se si t’i shmangeshim disi këtyre cikloneve. Fëmijët na mbetën pa shkollë, pa u martuar, sepse lufta e klasave, shkonte e përcillej nga brezi në brez.
Ne, nga shtëpia e burrit, por edhe e prindërve, sikur ishim prekur nga sëmundja e le-prozës e, të gjithë na largoheshin me frikë. Kështu, e diskutuam familjarisht e, më në fund, vendosëm të largoheshim nga Fieri dhe erdhëm u vendosëm në vendlindjen e Bardhit e të Xhevdetit, në Kavajë. Xhevdeti, për fat, kishte gjetur një familje ushtarake, të Llazar Turtullit, i cili kishte qenë dikur shef me përgjegjësi në Brigadën e Kavajës, por që kishte vdekur. Në Kavajë, jetonte e shoqja me dy fëmijët. Të dy, burrë e grua, ishin nga Fieri, prandaj donin të vinin në Fier, afër njerëzve të tyre.
Një ditë Vangja, e shoqja e Llazarit, na ofroi shkëmbimin e shtëpive dhe punën me djalin, se të dy, ëmë e bir, punonin në NTAN. Ajo vetë i bëri të gjitha veprimet që duheshin: pasaportizimin, shkëmbimin e shtëpisë e të punës, pa asnjë problem. Edhe Xhevdeti, kërkonte të vinte në Kavajë e, më tha mua:
“Sofi, në Kavajë kemi të gjithë njerëzit tanë, ata do na mbështesin dhe nuk do na lënë të zhdukemi! Ç’është e vërteta, deri atëhere, ne s’e dinim që dy djemtë e parë të shtëpisë, ishin vënë në listën e pushkatimit, pa gjyq. Por një shok i kishte thënë një ditë Xhevdetit: “Ikni sa më parë nga Fieri, vëlla…”! Çudi, si ndalën pa e realizuar planin e tyre djallëzor?! Kemi shpëtuar mrekullisht! Në atë kohë nisën të frynin në vendin tonë, erërat e ngrohta të demokracisë.
Më 28 nëntor 1989, erdhëm të jetonim në Kavajë familjarisht. Ndieja vërtet keqardhje, dhimbje nga ky largim. Megjithëse, kisha hequr të zitë e ullirit në qytetin tim, në Fier, më vinte keq të ikja. Gjithçka u bë për Xhevdetin, i cili edhe ai bëri sakrificë të madhe, për fëmijët e mi, nuk u martua e mbeti beqar. Ai më thoshte:
“Po të martohem, do të jem me gruan time, ajo s’do t’i dojë fëmijët që vëllai m’i la amanet”. Sapo mbërritëm në Kavajë, Xhevdeti më tha, me gëzim fëminor:
“M’u zmadhuan mushkëritë këtu! Tashti po marr frymë lirisht, se atje në Fier, më ishte bllokuar frymëmarrja”! Ai sikur kishte vënë krahët e shqiponjës e, po fluturonte i lirë. “Ti më shpëtove vitet e jetës, pranove për mua të vije në Kavajë, s’ma prishe fjalën”!- më thoshte herë pas here, me mirënjohje, kurse unë i thosha:
“Xhevdet, jo, jo, se ti meriton më të mirën, s’ka çmim që të vlerëson. Je njeri xhevahir”!
Kur erdhëm këtu, ishim të gjithë pa punë, edhe djalin, që kishim bërë ndërrim me marrëveshje, na e futën në punë, me vonesë. Kavaja atëhere administrativisht, varej nga Durrësi. Në Këshillin Popullor të lagjes, shkoja çdo herë që kishin pritje dhe kërkoja punë. Por dilja duarthatë. Pas shumë përpjekjesh, me miq e dashamirës, mora një fletë-pune për tek lëkurat, ku kisha punuar 20 vjet.
DEMONSTRATAT E PARA ANTI-KOMUNISTE
Në Kavajë lëvizjet anti-komuniste, nuk nisën në vitin 1990, por shumë më parë. Kishte kohë që populli i Kavajës, kishte filluar ta shprehte pakënaqësinë e revoltën, kundër atij pushteti të urryer. Kjo kishte ndodhur nëpër ndërmarrjet e fabrikat e qytetit, ku qeveritarë të ndryshëm të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, ishin tallur e kishin ikur me turp në Tiranë. Pastaj nisën të shpërndaheshin trakte nëpër dyqane, në gjimnaz, nëpër mure ishin shkruar parulla anti-komuniste.
Sekretarin e partisë, që kishte ardhur nga Durrësi këtu për problemin e parullave, funksionar i lartë i qeverisë së Ramiz Alisë, njerëzit e revoltuar, e detyruan të shkelte me këpucët e veta, mbi veprat e mësuesit të tij, Enver Hoxhës! Shumë njerëz u rrahën rrugëve, u arrestuan, u torturuan: donin të gjenin iniciatorët e kësaj lëvizjeje, por nuk ia arritën qëllimit, përkundrazi, i nxitën e i ndezën edhe më shumë protestat masive.
Protesta të tilla, ishin bërë nga burrat e gratë në fabrikat e Letrës, të Qelqit, Gozhdë-bulonave, në Ndërmarrjen e Tekstilit e, kudo. Në gjithë Kavajën, “kazani” po ziente. Dhe jo vetëm kaq, por djemtë e Kavajës, e çuan pishtarin e flakës antikomuniste edhe në qytetet e tjera të vendit: Durrës, Tiranë, Shkodër, Lushnjë, Fier, Elbasan, etj. Në Lushnjë, Daut Elmazi, Edi Segeri, Arian Gjoni me shokë, i ngritën në këmbë lushnjarët dhe, kur ata i pyetën: “Nga jeni”?, këta iu përgjigjën pa frikë: “Ne jemi nga Kavaja!”
Më shumë se njëzet djem nga Kavaja, me fjalën e tyre grishëse, bënë që të mblidhen në bulevardin e Durrësit, një turmë e madhe njerëzish të revoltuar, duke hedhur parulla të ndryshme antiqeveritare. Durrësi nisi të gumëzhinte e, po kështu ndodhi në Patos, Fier, Shkodër, e në qytete të tjera. Dhe ja ku flaka e kësaj lëvizjeje të nisur në Kavajë, mbuloi gjithë vendin, e cila bëri të ndryshonin shumë gjëra në Shqipëri. Erdhën ditët e dëshiruara aq shumë e prej disa kohësh, kur populli ndjeu të shpërthenin “gonxhet e para të luleve” të demokracisë!
Pak nga pak këto “gonxhe” u rritën e aroma e tyre u përhap kudo, shumë e pritur kjo, jo vetëm për shtresën e të përndjekurve politikë, po për mbarë popullin, shumë të vuajtur të Shqipërisë. Fati i madh i familjes sonë e deshi, që kjo ngjarje e madhe historike, të na gjente në Kavajë. U desh të vinte e diela e 25 marsit 1990, kur rinia kavajase, u ngrit me guxim, i dha grushtin e parë diktaturës, duke vrarë një herë e përgjithmonë frikën. Atë të diel, skuadra e “Besës”, luante futboll në fushën e vet, me “Partizanin”.
Qeveria e nuhaste si qeni, rrezikun që i kanosej, e ndiente qartë afrimin e shembjes dhe përgatiste planet, si do vepronte. Ajo donte të zgjaste jetën e vet, përpiqej të mbahej akoma në këmbë. Diktatura mori masa të shumta, për të frikësuar e nxitur të gjithë pushtetarët, që të ishin gati për të parandaluar shpërthimin e uraganit, i cili nisi pikërisht në Kavajë.
Gjithë ato ditë, ishin bërë mbledhje urgjente nëpër shkolla, ndërmarrje e kooperativa bujqësore; policë shihje plot nëpër rrugë; qëllimi ishte që njerëzit të frenoheshin e, të mos shkonin për të parë atë ndeshje. Por atyre u kishte rrëshqitur situata nga duart e, nuk mund të bënin dot asgjë, veç të skërmitnin dhëmbët e, të kafshonin atë që kapnin. Atë të diel, sidomos në orët e pasdites, dukej sikur i gjithë qyteti, ishte i ftuar në një dasëm! Po, dasëm ishte, një dasëm mbarëpopullore!
E ajo dasëm, e kishte pistën në qilimin e blertë të stadiumit, ku do të luhej futboll dhe, në vend të thirrjeve “Goool”! do të dëgjoheshin thirrjet e të rinjve: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”! “Enver – Hitler”! “Poshtë dinastia”! “Liri- Demokraci”! “Poshtë Nexhmija”! etj.
Gjelbërimi ishte i ndotur nga dhjetëra qen kufiri e, nga sampistët me uniforma të frikshme e, nga policë e agjentë civilë të Sigurimit të Shtetit. Por populli i Kavajës nuk mbahej, sepse kishte arritur aty, ku s’mbante më! Me dhjetëra vepra të Enver Hoxhës, me qindra gazeta “Zëri i popullit”, u grisën e u hodhën në fushë, u dogjën! Njëzëri oshtiu kënga patriotike: “Eja, mblidhuni këtu-këtu, bashkë më ne…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016