Nga Fazli Hajrizi
Pjesa e parë
Memorie.al / Rexhep Mitrovica, është një figurë madhore, komplekse e dramatike, luftëtar i orëve të para për krijimin e Shqipërisë etnike, një personalitet i shquar dhe i veçantë i luftës për liri, demokraci dhe bashkim kombëtar, një intelektual i mirëfilltë, drejtues e edukator, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, deputet i Pejës e Gjakovës në Parlamentin Shqiptar, ministër i Arsimit (1922-1924), reformator i arsimit kombëtar, kryetar i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë, kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e Kryeministër i Shqipërisë.
Këtë njeri të qetë e të kulturuar, të urtë, fjalëpakë e gojëmbël, me drejtësi të kulluar, që mendjen e ndritur e zemrën e zjarrtë, fjalën e shenjtëruar e veprën e pavdekshme ua kushtoi atdheut e kombit, literatura historike gjatë periudhës mbi 50-vjeçare e dha në mënyrë të njëanshme, duke e quajtur: “bashkëpunëtor të nazizmit, tradhtar, pijanec, tuberkuloz” dhe qeverinë e tij kolaboracioniste.
Ai, krahas nacionalistëve të tjerë nga Kosova, si: Xhafer Deva, Bedri Gjinaj, Dr. Xhelal Mitrovica, Bedri Pejani, Selman Riza, Ahmet Gashi, Ymer Berisha, Shefqet Shkupi, Luan Gashi, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e, shumë të tjerë, dha një ndihmesë të shquar në mbajtjen gjallë të nacionalizmit shqiptar, të kulturës, arsimit dhe rezistencës kombëtare.
Organizator për dëbimin e turqve nga Shqipëria
Duke shfrytëzuar Revolucionin xhonturk, pas 20 korrikut 1908, d.m.th., pas shpalljes së Konstitucionit, u hapën shkolla në gjuhën shqipe, si në Elbasan, Filat, Frashër, etj. Duke hapur shkolla, duke shkruar libra në gjuhën shqipe, vetëm me alfabetin latin, synohej të mbahej i bashkuar populli ynë pa dallim feje, regjioni, etj. Fill pas Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908), ku u miratua Alfabeti, ky libër i shenjtë i atdhedashurisë, Rexhep Mitrovica, së bashku me Sali Gjukën, i hyri punës për dhënien e mësimit në shkollat shqipe me këtë alfabet.
Librat, që u botuan me alfabetin latin, të miratuar në Kongresin e Manastirit, kalonin dorë më dorë. Deputetët shqiptarë, si; Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Nexhip Draga e, ndonjë tjetër, zhvillonin një aktivitet të dendur në parlamentin turk në Stamboll, e në qendra të ndryshme. Rexhep Mitrovica, ishte i njohur me veprimtarinë e tyre, po edhe me veprimet e hapura reaksionare të turqve të rinj, të cilët goditnin pa mëshirë, e në mënyrë tinëzare, klubet, shkollat kombëtare, patriotët dhe lëvizjen kombëtare, që u masovizua në të gjitha krahinat shqiptare.
Ai vuri kontakte me rrethet patriotike dhe komitetet e fshehta, për organizimin e kryengritjeve të armatosura kundër regjimit osman. Sulmit të luftëtarëve shqiptarë të rrethit të Mitrovicës, Vushtrrisë e Podujevës, në fillim të prillit 1910, kundër garnizonit turk në Prishtinë, i parapriu aksioni i pajtimit të gjaqeve. Këtë aksion të pajtimit të gjaqeve dhe kryengritjen e armatosur, i përkrahu me tërë qenien e tij, Rexhep Mitrovica.
Ai shprehu njëkohësisht domosdoshmërinë e një kryengritjeje të përgjithshme, mbështeti Memorandumin e Gërçës, të miratuar më 23 qershor 1911, në Malësinë e Madhe, 12 pikat e tij të paraqitura nga Kuvendi që iu dërguan Portës së Lartë, si: njohjen e kombit shqiptar, bashkimin e vilajeteve shqiptare, vendosjen e një administrate me nëpunës shqiptarë, lirinë e plotë të mësimit të gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave kombëtare.
Memorandumi i Gërçës, ngriti peshë shpirtrat dhe zemrat e atdhetarëve, duke i dhënë fund qëndrimit pritës të disa komiteteve në krahinat tjera dhe, në rrafshin politik të viteve 1912-1913, ai çonte në realizimin e kërkesave të shqiptarëve, në krijimin e një krahine autonome shqiptare.
Ndër të parët, që nënshkroi peticionin për autonomi drejtuar prefektit të Mitrovicës, është pikërisht Rexhep Mitrovica, i cili propagandonte idenë se; për të siguruar autonominë e Shqipërisë, lëvizja kombëtare, duhet të kthehet në kryengritje të përgjithshme. Rexhep Mitrovica, shprehte domosdoshmërinë e formimit të një lidershipi udhëheqës, për lëvizjen kombëtare, sepse, sipas tij, asaj i mungonte drejtimi dhe organizimi i nevojshëm.
Në detin e hapur e plot tallaze, anija pa timonier, shpejt mund të fundoset. Edhe në këto kohë të trazuara, popullit shqiptar, i duhen prijës të shkathët, që do ta drejtojnë kah qëllimi. Sipas tij, faktori i brendshëm është kurdoherë imponues, mirëpo, më parë, duhet të sigurohet ndonjë aleat i jashtëm. Në vetëdijen e tij, ishte ngulitur thellë mendimi, se pavarësia, është e vetmja alternativë për mbrojtjen e qenies dhe trungut kombëtar.
Lufta për pavarësinë
Mitrovica, iu bashkua Hasan Prishinës, Mehmet Pashë Derallës, Ali Riza Kosovës, duke ideuar një varg betejash kundër Turqisë dhe duke i paraprirë nëntorit të lavdishëm të vitit 1912. Pas Kuvendit të Junikut (12 maj 1912) kryengritja nisi të përhapet me shpejtësi nga Mitrovica, deri në Prevezë. Emri i Rexhep Mitrovicës, u bë i njohur në tërë Kosovën edhe për shpirtin e paepur, për besnikërinë dhe devocionin ndaj ndjenjës nacionaliste.
Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, për shkaqet që dihen, përfundoi pa i arritur plotësisht objektivat e caktuara. Forcat serbe pushtuan Kosovën dhe përparuan drejt Elbasanit e Durrësit, për të dalë në det. Shpallja e pavarësisë, ishte bërë e domosdoshme, pra shpëtimi në independencë, ishte zgjidhja më e drejtë me këtë akt madhor, mëvetësia e Shqipërisë, ekzistenca e saj kombëtare e shtetërore, do të ishte fakt i kryer, përpara Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike.
Nga Shkupi e Mitrovica, deri në Durrës e Vlorë
Pavarësinë e kërkonin shqiptarët e të gjitha krahinave që nga Mitrovica e Prishtina, Shkodra e Shkupi, Tetova e Ulqini deri te Gjirokastra, Preveza e Janina. Kështu, më 14 tetor 1912, në Shkup, që ishte kryeqendër e vilajetit të Kosovës, atdhetarët shqiptarë organizuan një tubim, ku vendosën që të mbahet një kuvend kombëtar, i cili do të merrte vendime për fatin e atdheut të rrezikuar. Në këtë kuvend, morën pjesë Rexhep Mitrovica, Mit´hat Frashëri, Bedri Pejani, Sali Xhuka, etj. Sipas vendimeve të Kuvendit të Shkupit, në tërë hapësirën shqiptare, filloi zgjedhja e delegatëve për në Kuvendin Kombëtar.
Hasan Prishtina, mendonte se akti i pavarësisë së Shqipërisë të bëhej në Prizren. Më 16 tetor, Rexhep Mitrovica, Sali Xhuka, Bedri Pejani e Mit´hat Frashëri, u nisën me tren për në Mitrovicë, ku në këtë kohë kishte filluar shpërndarja e armëve. Nga Mitrovica në Pejë, udhëtuan me një qerre të mbuluar. Pas Pejës, ku qëndruan disa ditë, vizituan Gjakovën, një nga qendrat më të rëndësishme të Kosovës. Aty takojnë Isa Boletinin. Nga Gjakova, kalojnë nëpër Qafë të Prushit. Në fshatin Arnë, takojnë Ramadan Zaskocin. Disa ditë i kalojnë në Reç, Mirditë, te kulla e Oroshit, ku takojnë imzot Preng Doçin, pjesëmarrës aktiv të Lidhjes së Prizrenit, themelues i shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër.
Zbresin në Luginën e Fanit, në Rubik, pastaj në Tiranë e Durrës, ku paria ngriti zërin, për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë. Meqë Durrësi ishte i pasigurt për kuvend, u përcaktua Elbasani. Më 21 nëntor 1912, Rexhep Mitrovica, së bashku me Mit´hat Frashërin, Sali Xhukën e Bedri Pejanin, arritën në Elbasan, duke shprehur bindjen e tyre se ky qytet, është më i përshtatshëm për këtë akt madhor.
Meqë Prizreni dhe Elbasani ishin të rrezikuara nga pushtuesit serbë, e as Durrësi nuk u gjet i përshtatshëm, delegatët u nisën për në Vlorë. Rexhep Mitrovica, porositi bashkatdhetarët që të qëndrojnë me gjithë barbarizmat e shkijeve e, të bashkohen me gjithë armiqësitë e përçarjet që mbollën ata e veglat e tyre.
Vlora u caktua për kuvend, sepse paraqiste vend më të sigurt e më të përshtatshëm, që të korrespondohej me Evropën. Duke kaluar nëpër Myzeqe, pastaj duke zbritur Ardenicës, takuan karvanin e kalorësve, që vinte nga Durrësi, me delegatët e Bukureshtit, Durrësit, Tiranës, Kavajës etj., me në krye Ismail Qemalin.
Pas pak ditësh, në Vlorë arritën edhe delegatë të Beratit, Janinës, Gjirokastrës, Çamërisë, etj. Me iniciativën e Ismail Qemalit dhe të atdhetarëve tjerë, më 28 nëntor, u thirr Kuvendi i Vlorës, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë dhe për të formuar Qeverinë e saj të Përkohshme.
Si e ngritën flamurin në Vlorë?
Kosova, duke qenë e pushtuar nga serbët, u përfaqësua në Kuvendin e Vlorës nga Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka e Bedri Pejani, delegatë të Gjakovës, Pejës e Gucisë. Një ditë më vonë, mbërritën në Kuvend edhe Isa Boletini, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen Budakova, Tafil Boletini, Dervish Mitrovica, Zejnel Begolli, Halim Musë Bajgora, Ahmet Ali Llapi, Riza Beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hajdin Draga, etj., të cilët u pritën me gëzim të madh nga popullsia dhe delegatët e kuvendit. Delegatët e nënshkruan aktin historik të kësaj ngjarjeje kulmore. Midis nënshkruesve, ishin edhe Rexhep Mitrovica, Mit´hat Frashëri, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka, të cilët erdhën nga Shkupi në Vlorë, bashkërisht.
Është e vështirë të përfytyrohet edhe sot udha mbi dhjetë ditë në këmbë, nëpër male e dhiare të vështira, nëpër të cilat kaluan këta atdhetarë për të arritur deri në Vlorë! Serbët kishin ngritur shumë kurthe e prita. Nacionalisti i flakët Ferid Vokopola, në kujtimet e tij, lidhur me ato ditë të vështira, në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, (viti II, nr. 6-7 të dt.30 janar e 1 shkurt 1914), shkruan: “Vjen shoku im, i ndjeri Nebi Sefa, para se të nisesh për Kavajë, e më lajmëron se Komanda Otomane, ka burgosur në hotel të Shaqir Beut, delegatët nga Kosova, zotërinjtë Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovicën. Menjëherë biseduam me shokë dhe morëm udhën të vemi, unë, Nebi Sefa e Taulla Sinani, me një patrullë pesë vetësh, për t’i liruar…”!
Dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë, e botuan gazeta “Përlindje e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, si dhe më vonë edhe Lef Nosi, në përmbledhjen e dokumenteve historike, por regjimi komunist i Enver Hoxhës, i falsifikoi këto dhe shumë dokumente të tjera, duke mbuluar kështu emrat e Rexhep Mitrovicës, Mit´hat Frashërit, Lef Nosit etj., jo vetëm nga dokumenti përkatës, po edhe nga historia. Emri i Rexhep Mitrovicës, u fshi nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1908-1912, po edhe nga ato të mëvonshmet, sepse regjimit komunist nuk i konvenonte që ai të figuronte si protagonist i Kongresit të Manastirit, i Kuvendit të Vlorës etj.
Po në këtë gazetë dhe po në këtë numër, është shkruar se si në çeljen e Kuvendit të Madh të Vlorës, para delegatëve dhe burrave të ardhur nga të gjitha trojet etnike, pas verifikimit të mandatit, foli edhe i respektuari Rexhep Mitrovica: “Si u mbaruan këto punë, zoti Rexhep Beu, mori fjalën e tha, që si kryetar të kuvendit, të zgjedhet Ismail Qemal Beu, si shkronjës i parë Luigj Gurakuqi, e shkronjës i dytë, z. Shefqet Bej Daiu.
Delegatët e pëlqyen këtë kërkim dhe të propozuarit me të përplasur duarsh”. Ismail Qemalit i hyri në zemër ky atdhetar. E mori pranë vetes, sepse e respektonte zgjuarsinë e tij. Rexhepi, 24 vjeç, i shpjegoi për situatën në Kosovë, duke i folur me mallëngjim edhe për Mitrovicën, vendlindjen e tij.
Në tubimet e protestat që u organizuan për të kundërshtuar politikën hegjemoniste të serbëve, grekëve e malazezve, aktet gjenocidiale të serbëve në Kosovë, e të grekëve në jugun e Shqipërisë, ai ngriti zërin fuqishëm, duke demaskuar politikën diskriminuese edhe në faqet e shtypit evropian të kohës. U rreshtua në radhët e para të luftëtarëve, që luftuan për etninë shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Vlorë, pos me Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Mit´hat Frashërin, Bedri Pejanin, Sali Gjukën, u njoh edhe krijoi miqësi, si të thuash me të gjitha personalitetet e atyre ngjarjeve dhe ditëve të shpalljes së pavarësisë, si me; Dom Nikollë Kaçorin, nënkryetar, Mehmet Pashë Derallën, ministër i Luftës, Petro Pogën, ministër i Drejtësisë, Myfit Bej Libohovën, ministër i Punëve të Brendshme, Abdi Bej Toptanin, ministër i Financave, Pandeli Calën, Lef Nosin, Riza Bej Jakovën, Syrja Vrijonin, Musa Hekalin, Alem Tragjasin, Mehmet Radhimën, Qazim Kokoshin, Ahmet Mersinin, Cano Sharrën etj…!
Kush ishte Rexhep Mitrovica?
Rexhep Mitrovica u lind më 1888, në qytetin buzë Lumit të Bardhë, në një familje atdhetare. E pa dritën e jetës në kohën kur Lidhja Shqiptare u shua me gjak, kur vendimet e Traktatit të Berlinit, po zbatoheshin në dëm të shqiptarëve, në kohën kur plagët e muhaxherëve të ardhur nga rrethet e Leskocit, Nishit etj., po kullonin dhembje, rrëfimet e tyre trondisnin gur e dru.
Erdhi në këtë botë, në kohën kur jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte shtrirë edhe në Mitrovicë dhe si synim parësor, kishte lirinë dhe pavarësinë e trojeve shqiptare. Në vend-lindje e kaloi fëmijërinë. Mësimet e fesë dhe njohuritë fillestare të diturisë, i mori në gjuhën turke, ndonëse në Mitrovicë flitej një gjuhë e pastër dhe e bukur shqipe. Si fëmijë i zgjuar, ai përcolli me vëmendje bisedat e miqve, që silleshin rreth Shqipërisë, fatit të saj.
Ato lanë gjurmë në shpirtin dhe temperamentin e heshtur të djaloshit me shikim ëndërrimtar. Kudo e kahdo që e përcollën valët e jetës, në zemër e në mendje, e mbajti qytetin e bukur e të pastër. Shpesh shkruante me mall për të, për lumin, për kalanë madhështore, për Trepçën e artë, rrëfente me krenari për luftëtarët trima, e racën e stralltë shqiptare, që banonte në kufirin verior të Shqipërisë etnike.
Atëbotë në Mitrovicë, vepronte dega e Komitetit të Lidhjes, që qeveriste vendin dhe organizonte luftëra të armatosura, për të krijuar Shqipërinë e bashkuar. Forcat e armatosura të Lidhjes, kishin çliruar Mitrovicën më 25 janar 1881. Këtë detaj, e përmendnin me krenari banorët e këtij mjedisi. Rexhep Mitrovica, i cili ishte një vërejtës i kujdesshëm, çdo gjë e regjistronte në kujtesën e tij të jashtëzakonshme. E dallonte dëshira e madhe për të mësuar. Fill pas mësimeve në vendlindje, mori rrugën për në Shkup, në këtë qendër të rëndësishme patriotike.
U regjistrua në gjimnaz. Për mbiemër mori emrin e qytetit të lindjes. Ishte njëri ndër nxënësit më të zellshëm e më të talentuar. Serioz e studios siç ishte, menjëherë tërhoqi vëmendjen e mësimdhënësve, të cilët tek ai shihnin shpresën e atdheut, dhe të shokëve, të cilët te bashkëmoshatari i tyre shihnin mikun besnik e të sinqertë. Studionte me zell të madh, duke qenë kështu i bindur se atdheu, në agun e shekullit të ri, ka nevojë shumë për penë e dituri, që një ditë do t’i paraprinin jehonës së armëve të lirisë.
Si gjimnazist i vihet studimit të disa disiplinave: historisë, gjeografisë, matematikës, mësimit të gjuhëve të huaja, etj. Lexonte literaturë artistike, sidomos autorët klasikë e bashkëkohorë. Veprat e rilindësve i lexonte me pasion. U vu në kërkim të vetvetes, në kërkim të zbulimit të rolit që i kish caktuar fati. Librat, për të cilët kishte një pasion të veçantë, u bënë miqtë e tij më të mirë.
Si nxënës i gjimnazit, nën ndikimin e rilindësve tanë, filloi edhe vet punën e në drejtim të rritjes së ndërgjegjes kombëtare. Ndonëse ende i ri, ai u bë i njohur dhe i respektuar edhe në rrethet intelektuale. U njoh me shkrimet e Mit´hat Frashërit, të cilat i pëlqente shumë.
Pikëpamjet e tij se; vetëm me dituri, mund të bëjmë punë të mëdha, se shqiptarit, aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma, se për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb etj., i mbështeste me tërë qenien. Së bashku me Bedri Pejanin e Sali Gjukën, më 1908, udhëhoqi një fushatë propagandistike, si parapërgatitje për Kongresin e Manastirit.
Tubimin historik të Manastirit, ai nuk e quante thjesht një mbledhje gjuhëtarësh, po një Kongres kombëtar për çështjen më të rëndësishme të lëvizjes sonë. U arrit një shkallë e lartë e ndërgjegjësimit kombëtar, njësimi i abe-ve, i dëshmuan botës, për qenien e kombit shqiptar, i cili, edhe pse i pranguar, perspektivën e vet e shihte vetëm kah perëndimi.
Ndërgjegjësimin e bashkimin e shqiptarëve e shihte si shpresën e vetme përballë rrezikut. Ideja e lirisë që ishte trajtuar në mënyrë të përgjithshme nga rilindësit tanë, te Rexhep Mitrovica merr trajtim konkret dhe bashkëkohor. Ai është kundër lirisë primitive me pushkë në dorë dhe me vdekje në dhëmbë, që është e egër dhe e dhembshme, e rrezikshme, por për një liri që ka hapësira dhe mundësi të jashtëzakonshme.
Në dekadën e parë të shekullit XX-të në Shkup, në Manastir e në qytete të tjera, lëvizja kombëtare u gjallërua shumë dhe po shënonte një shkallë të lartë të zhvillimit. U themeluan shoqëri, klube kulturore, të cilat u kthyen në qendra për organizimin dhe drejtimin e lëvizjes kombëtare. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016