Nga Onide Donati (Fotograf)
– Një udhëtim fotografik në Shqipëri, në kohën e izolimit të vendit-
Memorie.al / Imazhet e Onide Donatit, dolën sërish nga një kuti me pluhur që i kishte mbijetuar tre lëvizjeve. Brenda ishte një fragment i kujtesës së Shqipërisë në një periudhë të vështirë të historisë së saj. Ishte fundi i verës së vitit 1982, më saktë ditët 21-27 shtator. Gjithmonë, ai beson se është nga të paktët që ka ngulitur në film dhe më pas ka ruajtur pamjet fotografike, që datojnë në një epokë tjetër politike dhe historike.
Historia
Në vitin e largët 1982, ai u informua nga reklamimi i një agjencie të specializuar për udhëtime në vendet e Lindjes Komuniste, në Rimini. Për herë të parë po i propozonin Shqipërinë dhe ai mendoi se ishte një mundësi joshëse për të shkuar e për të zbuluar vendin misterioz, në anën tjetër të Adriatikut.
Udhëtim
Ai kishte pasur më parë vetëm një kontakt me një shtetas shqiptar, një shofer kamioni me një ngarkesë domate, që e kishte takuar në Austri. Ai u propozoi udhëtimin disa miqve dhe katër e ndoqën.
Kujtimet e Onide Donati
“Në Shqipëri kemi hyrë nga Mali i Zi, vend-kalimi ishte nga Hani i Hotit, do të thosha duke parë pikat e mundshme kufitare në hartë. Më kujtohet se autobusi e zbriti grupin tonë para një kazerme dhe kufitarët jugosllavë na drejtuan pa formalitete drejt barrierës, që shënonte kufirin. Në të djathtë kishim liqenin e Shkodrës. Pasi kaluam njëqind metra tokë të askujt, kufitarët shqiptarë na morën në dorë.
Në të dy anët e ndërtesës, ushtarët jugosllavë dhe shqiptarë kontrollonin njëri-tjetrin plotësisht të armatosur, me sa duket me një të shtënë në tytë. Veprimet doganore ishin të gjata dhe të përpikta. Secili prej turistëve u kontrollua dhe çdo çantë u hap.
Librat u krahasuan me një listë që kishin rojeve kufitare dhe u sekuestruan mjaft prej tyre. Gazetat si; ‘Corriere della Sera’ dhe ‘Repubblica’ e kaluan shqyrtimin, por jo ‘L’Unità’ (gazeta ku unë do të punoja më vonë për më shumë se tridhjetë vjet).
Gjithsesi, të gjitha objektet u morrën në rrugën e kthimit, në të njëjtën kalim. Kamerat e mia kaluan të padëmtuara. Pasi përfunduan veprimet doganore, grupi iu besua dy guidave (një djalë dhe një vajzë) dhe hipëm në një minibus ‘Fiat’.
Shqipëri në vitin 1982
Ndalesa e parë në Shkodër, ku mbërritëm pasi përshkruam liqenin. Në qytet e gjetëm veten të zhytur në një epokë tjetër. Shkodra ishte shumë i varfër, gjysmë e rrënuar. Më ka goditur trishtimi i njerëzve dhe qëndrimi i tyre tashmë i tërhequr. Grupi kontrollohej me kujdes, kontaktet me vendasit ishin të pamundura, por sytë mjaftuan për të kuptuar shumë gjëra.
‘Ju mund të bëni fotografi, por me sa më shumë maturi të përdorni ato, aq më mire është për ju’ ishte porosia që na u dha nga shoqëruesit tanë. Ndalimi i vetëm që na u bë, ishte të drejtonim aparatin në kalatë e betonit, (bunkerët e qendrave të zjarrit), të shpërndara gjithandej, një garnizon mbrojtës i pamundur kundër një pushtimi armik. Pikërisht në Shkodër, vura re disa herë se po më monitoronin. Në një rast një person më është afruar dhe më ka lënë të kuptoj, që të mos bëj foto.
Shkodra 1982
Udhëtimi ishte i ethshëm, nuk lejohej kurrë më shumë se një ditë në të njëjtin vend. Nga Shkodra shkuam në Tiranë, nga Tirana në Durrës, nga Durrësi në Berat, nga Berati në Elbasan dhe më pas në Shkodër në kthim.
U vendosëm në hotele të thjeshta, por dinjitoze dhe hanim me maturi. Dialogjet e rralla me vendasit e lejuar nga guidat, u zhvilluan pa probleme gjuhësore, sepse pothuajse të gjithë e njihnin italishten, e mësuar nga televizioni.
Unë nuk kam shënime udhëtimi, kështu që po iki nga kujtesa. Disa ndezje m’u mbërthyen. Ndërkohë, ekzaltimi obsesiv nga shokët tanë, për sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste, Enver Hoxha, i cili mbretëroi mbi vendin e shqiponjave, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Më kujtohet parrulla “Lavdi udhëheqësit tonë të dashur, shokut Enver Hoxha” e shkruar kudo, edhe në kreshtat malore, me gurë të kompozuar në trajtë fjalësh.
Dhe pastaj mungesa absolute e makinave, rrugët e vogla të pushtuara nga biçikletat dhe karrocat e tërhequra nga kuajt e gomarët, disa motoçikleta të rrallë, disa autobusë publikë (mendoj se janë prodhuar në Çekosllovaki), kamionë të vjetër kinezë, disa ‘Fiat’ të rrallë dhe modern. Kamionë që përdoreshin për të eksportuar mallra (mendoj produkte bujqësore), në Perëndimin kapitalist.
Në Tiranë, ku standardi i jetesës ishte më i lartë se në pjesën tjetër të vendit, ndodhte herë pas here të shiheshin disa makina, zakonisht ‘Mercedes’ nga ambasadat dhe ministritë. Infrastruktura e rrugëve dhe shesheve, më dukesh më cilësore në kryeqytet, të këqija gjetkë.
Tiranë 1982
Më bëri përshtypje shkretimi i qytetit të Durrësit, ndryshku i portit të tij, nga ku do të niseshin anijet e refugjatëve, dhjetë vjet më vonë. Unë u godita shumë nga gratë e mbuluara: ‘tradita etnike’, na thanë shoqëruesit tanë shqiptarë të guidës, por në realitet ishte një manifestim i qartë fetar, në një vend të bazuar në ateizëm.
Ishte një moment i sikletshëm në Elbasan, kur në restorant, ndoshta falë disa gotave të tepërta me raki, disa nga grupi ynë filluan të këndojnë e të kërcejnë me ‘Tuca tuca’ të Raffaella Carrà-s, duke kërkuar që të shoqërohet një orkestër.
La Carrà, ishte shumë i njohur në Shqipëri dhe muzikantët skiconin notat e këngës. Por kjo u ndërpre në mënyrë kategorike, nga një zyrtar partie, i cili ishte paraqitur aty papritur. Një tjetër episod i keq, ka ndodhur në fund të udhëtimit për në Shkodër. Kishte ndodhur që një zonjë nga grupi ynë, duke dalë, kishte lënë në hotel një pako me rroba me shënimin: “Për të varfërit”.
Pakon ia ktheu zonjës në autobus nga zyrtari i zakonshëm, i cili e qortoi ashpër, duke i treguar se në Shqipëri nuk kishte të varfër dhe se nuk pranonin bamirësinë e kapitalistëve perëndimorë, si ne. Pjesa më e madhe e grupit protestoi dhe fundi i udhëtimit, përfundoi në një atmosferë të tensionuar, pas një ndalese në brigjet e liqenit të Shkodrës. Autoritetet kufitare na i kthyen keq objektet e konfiskuara në udhëtim dhe na bënë të kalonim tranzit nëpër Mal të Zi, pa denjuar të themi lamtumirë.
Fotografitë e mia, jam i vetëdijshëm, nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë artistike dhe teknike. Megjithatë, besoj se dokumentojnë klimën e atij viti 1982 në Shqipëri, në mes të pushtetit diktatorial të Enver Hoxhës.
E kam të vështirë t’i atribuoj informacione thelbësore secilës prej fotografive. Njoh disa qytete, në radhë të parë Beratin e pagabueshëm dhe karakteristik. Dy nga fotot më të bukura, ato të shitësit të akullores me karrocën, janë realizuar në Tiranë. Statuja e Stalinit, nën të cilën bëra foton time, ishte padyshim në Shkodër, siç munda ta verifikoja në Google.
Duke marrë parasysh atë që kisha parë dhe dokumentuar në Shqipëri në vitin 1982, kjo më duket si një mrekulli. Do të doja të ri gjurmoja hapat e atij udhëtimi të largët. Herët a vonë do ta bëj”. Memorie.al
(Marrë nga albanianews.al)