Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Selfixhe Ciut me origjinë nga Gjirokastra, e cila në periudhën e Monarkisë së Zogut botoi poezitë dhe shkrimet e parë në gazetat e revistat si: “Bota Re” “Java”, “Diana”, “Drita”, “Shtypi”, duke i nënshkruar me pseudonimin “Kolombia”, të cilat u pritën mirë nga kritika e kohës, duke u vlerësuar me superlativa nga gazetari e publicist i njohur, Fiqëri Llagami, që shkroi për të në revistën “Java”. Vajtja e Selfixhes me studime në Firence të Italisë, ku ishte shoqe kursi në fakultetin e Letërsisë, me Qemal Stafën, Ramadan Sokolin, Musine Kokalarin, Andrea Varfin, etj., dhe kthimi në Shqipëri me të fejuarin e saj, Xhemal Broja, i cili kishte ndërprerë studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Grenoblë të Francës dhe kishte shkuar të ndiqte studimet për dramaturgji në Firence, ku ishte njohur edhe me Selfixhenë. Angazhimi i tyre me Grupin Komunist të Shkodrës, me mikun e tyre të ngushtë Zef Mala dhe më pas në Lëvizjen Antifashiste në atë qytet, ku Xhemali ishte komisar i çetës së parë partizane dhe në ditën e çlirimit të Shkodrës, ai i’u foli popullit nga ballkoni Bashkisë. Dënimi i Xhemalit dhe Selfixhesë në ’46-ën si anti-jugosllav dhe i internuan në Gusmar të Kurveleshit, ku ata qëndruan deri në ‘49-ën që u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë. Rehabilitimi e kthimi i tyre në Tiranë, ku Xhemali u emërua në Komitetin e Kulturës dhe Arteve, pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe Drejtor i Teatrit Kombëtar, nga ku dhe u shkarkua në vitin 1966 për “frymë dekadente në art e kulturë” për t’i internuar përsëri së bashku me Selfixhenë në fshatrat e Myzeqesë dhe pas internimit si punëtor në fermën “Gjergj Dimitrov” në Tiranë.
Kush ishte Selfixhe Broja?
Selfixhe Ciu (Broja) lindi në vitin 1918 në lagjen Varosh të Gjirokastrës dhe babai i saj Ibrahim Ciu, në atë kohë njihej si tregtar grosist. Selfixheja, që ishte fëmija i dytë i familjes (kishte dhe tre motra: Ditaren, Hanushen, Myzejenin dhe vëllain Kasemin) pasi mbaroi shkollën unike, vazhdoi mësimet për dy vite në Liceun e Gjirokastrës, por pas mbylljes së tij ajo erdhi dhe e përfundoi shkollën e mesme në Tiranë. Që në bangat e shkollës së mesme, Selfixheja kishte pasion Letërsinë dhe në atë kohë, ajo botoi dhe poezitë e tregimet e para në shtypin e kohës, të cilat i firmoste me pseudonimin letrar “Kolombia”. Poezinë e saj të pare. ajo e botoi në vitin 1935 në revistën “Populli”, kur nuk ishte më shumë se 17 vjeç. Pas poezisë së parë që u prit mirë në rrethet letrare të asaj kohe, Selfixheja filloi të botonte përsëri në revistat “Bota Re” “Java”, “Diana”, “Drita”, “Shtypi”, etj. Kur nuk kishin kaluar më shumë se dy vite nga botimi i poezisë së saj të parë, Selfixhe Ciu u vlerësua me konsiderata të larta nga publicist i njohur e asaj kohe, Fiqëri Llagami, që e cilësonte atë si shkrimtare me shumë talent. Midis të tjerash në revistën “Java”, Llagami shprehej: ”Kjo vajzë intelektuale, ashtë flamurtarja e evolucionit tonë që me punën e saj don me rrëzue një shkamb që ka tabelën e veseve të këqija shqiptare…”
Studente e Letërsisë në Firence
Gjatë periudhës që Selfixheja vazhdonte mësimet në gjimnazin e Tiranës, ajo u njoh dhe përqafoi idetë komuniste, nëpërmjet mikut të saj Zef Malës, i cili ishte kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës. Që kur ishte në bangat e shkollës në fundin e viteve ‘30-të, Selfixheja u lidh dhe pati një miqësi të ngushtë me Qemal Stafën dhe Vasil Shanton, me të cilët e prezantoi Zef Mala. Nga kjo miqësi që pati me Qemalin dhe Vasilin, Selfixheja u pranua si anëtare e Grupit Komunist të Shkodrës, ndonëse ishte studente në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1938, ajo fitoi një të drejtë studimi dhe shkoi në Itali për të ndjekur, Universitetin e Firences, në Fakultetin e Letërsisë. Lidhur me këtë, Selfixheja kujtonte: ”Në atë kohë së bashku me mua në atë universitet, studionin dhe Qemal Stafa, Nikolla Shurbani, Ramadan Sokoli, Andrea Varfi, Musine Kokalari dhe kushërira ime, Qibrie Ciu, me të cilët unë ruaja një miqësi të ngushtë”. Në prillin e vitit 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Selfixhe Ciu së bashku me disa student të tjerë shqiptar, në mënyrë demonstrative, i braktisën studimet, pasi disa herë kishte pasur konflikte të ashpra me pedagogët e saj italianë, në lidhje me agresionin fashist që Musolini kishte ndërmarrë në Shqipëri. Pas kësaj, aty nga fillimi i vitit 1940, Selfixheja u kthye në Shqipëri së bashku me të fejuarin e saj Xhemal Broja dhe me shumë student të tjerë shqiptar. Pas kthimit në atdhe, Selfixheja u rilidh me grupet komuniste dhe pas formimit të Partisë Komuniste Shqiptare, ajo u dërgua në Shkodër e ngarkuar për të punuar me Organizatën e Gruas Antifashiste të atij Qarkori.
Lidhja e Selfixhes me Xhemal Brojën
Pasi kishin disa vite lidhje të ngushtë midis tyre, pas kthimit nga Italia në vitin 1940, Xhemal Broja me Selfixhen lidhën kurorë dhe u martuan në qytetin e Shkodrës. Po kush ishte Xhemal Broja dhe nga ç’familje rridhte ai? Lidhur me këtë Selfixheja tregonte: ”Xhemali u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1918 dhe babai i tij Zenel Broja, pasi ishte diplomuar në Stamboll për Drejtësi, ishte kthyer në Shkodër dhe kishte hapur një zyrë noterie, ku kishte punësuar dhe një sekretar. Zeneli kishte dëshirë që edhe djali i tij i vetëm, Xhemali, të studionte për Drejtësi në një nga universitetet e Perëndimit. Këtë gjë ai e bëri realitet pasi Xhemali mbaroi gjimnazin e Fretërve Françeskanë në qytetin e lindjes në vitin 1936, duke e dërguar atë për studime, në Fakultetin e Drejtësisë në Grenobël të Francës. Gjatë asaj kohe që Xhemali studionte në Francë, krahas Fakultetit Juridik, ai frekuentoj edhe kurset e letërsisë dhe dramaturgjisë, për të cilat kishte një afeksion të veçantë. Gjatë periudhës së studimeve në Francë, Xhemali u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe aderoi edhe në Partinë Komuniste Franceze. Në prillin e vitit 1939, kur Italia ndërmori agresionin fashist ndaj Shqipërisë, studentët shqiptar të Francës zhvilluan një demonstratë përpara konsullatës italiane të atij qyteti dhe fjalën e protestës aty e lexoi Xhemali”, kujtonte Selfixheja, lidhur me bashkëshortin e saj Xhemal Brojën, që braktisi studimet në fakultetin Juridik të Grenoblës, pasi pasioni i tij ishte Letërsia dhe Dramaturgjia. Duke mos pasur asnjë dëshirë të diplomohej në Drejtësi ku kishte shkuar me insistimin e të atit, Xhemali i ndërpreu studimet në Francë dhe shkoi në Itali për të vazhduar studimet në Firence, ku asokohe studionte dhe e fejuara e tij Selfixhe Ciu. Pasi vazhdoi për disa kohë studimet në Itali, ku Xhemali u aktivizua dhe me Lëvizjen Antifashiste, ai u përjashtua nga fakulteti për shkak se në dosjen e tij që ishte përcjellë nga Franca, figuronte si organizator i protestës antifashiste para konsullatës italiane në prillin e 1939-ës.
Kthimi i Xhemalit dhe Selfixhesë në Shqipëri
Pas kthimit në qytetin e Shkodrës, Xhemali me Selfixhenë hapën një librari të cilën asokohe e shfrytëzuan jo vetëm për përhapjen e librave, por më shumë për aktivitetin e tyre antifashist. Në atë kohë aty mblidheshin të gjithë shokët e tyre komunistë të Shkodrës, duke e pasur si pikë takimi për aktivitetin e tyre. Më 22 shkurt të vitit 1942, në qytetin e Shkodrës u zhvillua një demonstratë antifashiste, ku Xhemal Broja, ishte një nga organizatorët kryesor i saj. Lidhur me këtë Selfixheja tregonte: ”Gjatë asaj demonstrate, në përpjekje për të më shpëtuar mua që më kishin kapur italianët, u vra shoku ynë i paharruar, Vaso Kadia (“Heroi i Popullit”). Pasi u arrestova nga italianët, u mbajta prej tyre për 11 muaj në burgun e Tiranës, kurse Xhemali, nga që u akuzua si një nga organizatorët kryesor të asaj demonstrate, kaloi në ilegalitet dhe u dërgua në zonën e Postribës. Në atë kohë, aty u krijua një grup i vogël partizanësh që shërbeu si bërthama e ardhshme e çetës partizane të Shkodrës, që më vonë mori emrin Batalioni “Perlat Rexhepi”. Në të dy ato formacione partizane, Xhemali u caktua me detyrën e komisarit, kurse komandant ishte Sadik Bekteshi. Që nga ajo kohë e deri në çlirimin e Shkodrës, Xhemali drejtoi edhe teknikën e shtypit illegal, duke qenë dhe anëtar i Qarkorit Komunist dhe i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Qarkut”, kujtonte Selfixhe Broja, lidhur me aktivitetin e saj dhe të Xhemalit në qytetin e Shkodrës, duke shtuar se në ditën e çlirimit të atij qyteti, Xhemali ishte një nga ata që përshëndeti popullin e Shkodrës nga ballkoni i Bashkisë.
Në 1946, Xhemali e Selfixheja shpallen “antiparti”
Pas mbarimit të Luftës, Xhemali u emërua dhe punoi në Komitetin e Arteve në Tiranë, kurse Selfixheja si gazetare në Ministrinë e Bujqësisë, ku nxirrej gazeta “Bujku i Ri”. Në atë kohë Xhemal Broja u shpreh hapur kundër mbështetjes që Partia Komuniste dhe qeveria Shqiptare i dhanë Jugosllavisë në lidhje me problemin e Triestes, duke thënë se edhe Kosova duhej t’i kthehej Shqipërisë. Nisur nga kjo, më 23 mars 1946, Xhemalin së bashku me Selfixhenë, i përjashtuan nga Partia, duke i cilësuar “armiq të popullit dhe agjent të misionit amerikan”. Lidhur me këtë ngjarje, Selfixheja tregonte: ”Në atë kohë që unë punoja si gazetare në Drejtorinë e Propagandës pranë Ministrisë së Bujqësisë, na lajmëruan se duhet të qëndronim në një mbledhje të jashtëzakonshme Partie, ku do të merrte pjesë dhe një i deleguar nga Komiteti Qendror. Po atë ditë unë me Xhemalin, kishim lënë që të shkonim për të parë një film dhe nisur nga kjo, m’u desh që ta lajmëroja atë për punën e mbledhjes. Kur e takova, ai më tha se edhe në Ministrinë e Kulturës ku ai punonte dhe ishte sekretari i organizatës bazë të partisë, ishin lajmëruar për një mbledhje. I deleguari i Komitetit Qendrorë erdhi shumë i vërejtur në fytyrë dhe nga ajo ne kuptuam se punët nuk ishin mirë. Sapo filloi leximin e qarkores, i deleguari u shpreh: ‘Kemi të bëjmë me dy lloj elementësh. Elementë që cilësohen antiparti, domethënë armiq të Partisë dhe dyert e Partisë për ta janë përfundimisht të mbyllura, dhe element që përjashtohen nga Partia, por me të drejtë rehabilitimi. Si element antiparti, është Xhemal Broja, intelektuali liberal, i cili është kundër vijës së Partisë për problemin e Kosovës, mik i Zef Malës dhe dhëndër i Metat Ciut’. Pas kësaj vështrimet e të gjithëve u kryqëzuan mbi mua dhe i deleguari vazhdoi të lexonte akuzën ku thuhej: ‘ambicioze, urren shoqet udhëheqëse, i përket borgjezisë, është e prekur për çështjen e xhaxhait, in aktive, influencohet prej Zef Malës]. Pas kësaj, po të njëjtat akuza u thanë edhe për bashkëshortët Zana Bogdo e Masar Shehu, ndonëse Zana ishte bij dëshmori dhe Masari komunist i hershëm, si dhe për Xhevo Shehun, e veja e Heroit të Popullit, Abaz Shehu”.
Internimi në Kurvelesh
Pas kësaj mbledhje ku ata u shpallën “element antiparti”, më 17 janar të vitit 1947, Xhemalin dhe Selfixhenë i internuan në Gusmar të Kurveleshit, ku ata punuan në punë më të rënda në bujqësi. Pas prishjes me Jugosllavinë e Titos, në 1949-ën, ata i rehabilituan dhe i kthyen përsëri në Tiranë. Pasi punoi disa kohë në Ministrinë e Arsimit, Selfixheja dha dorëheqjen. Lidhur me këtë ajo tregonte: ”Që aty u largova vetë, pasi nuk mund të pranoja të m’i sakatosin shkrimet e mija”. Pas kësaj ajo qëndroi në shtëpi duke u marrë me shkrime dhe tekste këngësh, kurse Xhemali për gati 17 vite shërbeu në disa detyra dhe funksione të larta në sektorin e artit e kulturës, si në: Komitetin e Arteve, Drejtor në Teatrin Popullor, pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, etj. Gjatë asaj periudhë kohe, edhe krahas detyrave dhe funksioneve zyrtare, Xhemali i’u përkushtua dramaturgjisë, pasionit të tij që në periudhën e rinisë së hershme kur ishte nxënës në gjimnazin e Shkodrës me profesor Skënder Luarasin, i cili e nxiste dhe inkurajonte në atë punë që kishte filluar. Kështu në ato vite, Xhemali shkroi disa drama të cilat u vunë në skenë si nga Teatri Popullor në Tiranë, ashtu dhe në disa teatro të rretheve. Përveç kësaj, ai u morr dhe me hartimin e botimin e një sërë tekstesh shkollore për studentët e Instituti të Lartë të Arteve. Por ajo punë që ai e bënte me shumë pasion e një vullnet të jashtëzakonshëm dhe i kishte kushtuar jetën, nuk ishte e thënë që të vazhdonte më tej, pasi në vitin 1966, Xhemalin dhe Selfixhenë, i internuan përsëri për gjashtë vite, në fshatin Gradishtë të Lushnjës, pasi i kishin akuzuar për “frymë dekadente” në Art dhe Letërsi. Pas kësaj u ndalua dhe shfaqja e filmit “Detyrë e Posaçme”, ku Xhemali kishte një nga rolet kryesore. Ata u rikthyen në Tiranë në vitin 1971 dhe në atë kohë Selfixhja u mbyll në shtëpi, kurse Xhemali, pasi punoi disa kohë në Kinostudio si administrator, u hoq që andej dhe u dërgua të punonte si punëtor në Fermën Bujqësore “Gjergj Dimitrov”. Në atë kohë Xhemalit dhe Selfixhesë i’u hoq edhe e drejta e botimit, pasi nga Lidhja e Shkrimtarëve ata ishin përjashtuar që në 1966-ën. Duke qenë të survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ata u mbyllën në shtëpi, ku Xhemali u muar me studime duke shkruar kujtimet dhe drama. Gjatë asaj kohe atyre i’u larguan dhe të gjithë miqtë e afërt që kishin, dhe në shtëpinë e tyre siç dëshmon Selfixhja, i’u shkelnin vetëm Llazar Siliqi e Muntaz Shehu, të cilët ishin dhe të vetmit që morën pjesë edhe në varrimin e Xhemal Brojës, i cili ndërroi jetë në vitin 1976, i denigruar nga regjimi komunist dhe i abandonuar nga të gjithë shokët dhe miqtë e tij./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016