Nga Uran Kalakulla
Pjesa e tridhjetenëntë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Kështu për të ishte krejt e papranueshme vetëvrasja e cilitdo nga ata. Pse, a ka ndodhur ndonjëherë të vetëvritet Perëndia dhe i dërguari i tij në tokë? Burri i botës, jo vetëm u habit nga komunikata partiake e qeveritare, por arriti deri të pësojë një lloj shokimi. Gjumi e braktisi për netë të tëra, të ngrënit iu neverit, nuk fliste gati me asnjërin prej dhomës, çohej e lëvizte kur ishte e detyrueshme, sipas rregullave, për ajrosje a vajtje në mensë ose, në nevojtore, si një automat, pa folur me askënd, me sytë gjithnjë përtokë, a thua se e kërkonte atje shpjegimin e “gjëmës” që kishte ndodhur.
Këtë njeri e kishin futur në burg dhe e kishin dënuar dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Me një adhurim të tillë paranojak për drejtuesit e partisë në përgjithësi e, për dy kryesorët, “komandantin” dhe zëvendësin e tij, “shokun Mehmet” në veçanti. E pra, si mund të ishte e mundur një gjë e tillë? Ai, madje, edhe pse ishte në burg aty mes nesh, nuk hiqte dorë kurrë nga bindjet e tij, nga “ideali” i tij. Dhe burgimi kishte qenë, me siguri, ose një keqkuptim ose, një intrigë e kolegëve të tij të rrethit të Mirditës, si duket nga cmira e tyre për “aftësitë” e tij të veçanta, jo vetëm në terren, por sidomos për aftësitë teorike.
Burrit të botës, me një lloj kursi apo shkolle partie, ishte mbushur mëndja top, se e njihte me themel filozofinë e Marksit, ligjet e dialektikës, atë të mohimit të mohimit e kështu me radhë. Dhe meqë tashmë e mbante veten intelektual të formuar plotësisht, jepte mendime në çdo fushë të kulturës, sidomos aty ku mund të hynte, qoftë edhe artificialisht, ideologjia. Kjo siguri e besimi i madh në vetvete, më bënin shpesh, ta mbaja gazin më shumë zor. Nuk thotë kot latini: “I druhem njeriut që ka lexuar vetëm një libër”.
Ja, të tillë “njerëz të rinj”, kishte pasur “ofiçina” e Partisë. Po le të kthehemi tek altoparlanti, i cili, mbi kokën time më ishte bërë një torturë e vërtetë. Ta shkulja andej? Meazallah! Të gjenin, jo një bela, por një sërë belash pa mbarim, jo vetëm dru e birucë, por, me siguri matematike, edhe dhjetë vjet të tjera dënim.
Mendoni, ngrihej njeriu nga gjumi, nën bilbilin shurdhues të policit, që në orën pesë të mëngjesit, le në verë, por edhe në dimër, kur ishte shumë ftohtë. Pikërisht në orën pesë, në vagëllimën e ëndrrës, ku kishe parë njerëzit e dashur të familjes: djalin, gruan, nënën, vëlla e motër. Dhe, pas bilbilit të tmerrshëm të policit, ia fillonte altoparlanti me çiftelinë apo ison labe, jo për dashurinë, por për partinë e shokun Enver! O Zot i madh, çfarë torture shpirtërore. Gjurmët e saj më kanë mbetur ende në shpirt, qysh në ato vite, vitet më të errëta të jetës sime.
Të rënët nga fiku
A nuk thotë populli ynë, për një që ka qenë në post të lartë në qeveri, kur e heqin dhe kthehet në qytetar të thjeshte, “ish” apo me një thimth ironik; “i rënë nga fiku”? Më ka rënë rasti të njoh në vitet e burgimit tim, mjaft nga këta njerëz. Më duket se ia vlen të shkruash diçka edhe për ta, jo aq për vlerat e tyre vetjake si njerëz, por për një dukuri të shëmtuar apo qesharake, po të doni, që ka të bëjë me ta. Pushteti shtetëror është një lloj skene e stërmadhe teatri, ku aktorë të caktuar, shpesh të improvizuar (dhe ky fakt ka një rëndësi të madhe në rastin tonë!), luajnë një rol të caktuar, përgjithësisht dramatik, herë me nuanca komike e, here tragjike, si ta sjellë puna.
Kështu X-i luan rolin e Mbretit, të një Cezari, Oktavian Augusti, Karli të Madh, Napoleoni etj. Pra, gjithë madhështi skenike, pompë, lavdi, himne me tam-tame e hosanara. Një tjetër ka rolin e këshilltarit të afërt të Mbretit August, atë të një politikani apo diplomati të hollë. Tjetri të një pazhi që i sillet rrotull fronit, për t’iu gjendur Mbretit gati në çdo çast, kur t’i teket për ndonjë send. Një tjetër, ndërkaq, luan rolin e spiunit apo, të intrigantit, një tjetër atë të besnikut të betuar ndaj Monarkut e, një tjetër rolin e bufonit.
Se çfarë ndodh rreth fronit e brenda Oborrit Mbretëror, populli di pak ose aspak. Populli i thjeshtë sheh vetëm shkëlqimin e jashtëm, madhështinë e veshjeve, kurorave, skeptrave, butaforive, trombave dhe trumbetave zhurmëmëdha, paradave me banda, me flamurë, me kalorës e këmbësori. E kështu me radhë. Ai nuk e di se Mbreti mezi qëndron në fron, se vuan keq nga majasëlli, se ai nuk e ka mendjen fare te gjenerali që ndalet tek tribuna për t’i paraqitur forcën, por tek e shoqja e tij Mbretëreshë, e cila është larguar nga froni atë kohë, sepse ka një takim dashurie me filan oficer të Oborrit, ose se vajza e tij, pra princesha, po lind një kopil në një nga manastiret e Mbretërisë.
Ose një nga agjentët i raporton Mbretit në vesh, se ka të dhëna të sakta, që ndërsa po zhvillohet parada, në filan kështjellë, janë mbledhur aksh feudalë dhe po përgatisin komplot për vrasjen e Mbretit dhe për rrëzimin e kurorës. Ca më keq, pastaj kur në atë komplot marrin pjesë edhe disa nga oborrtarët “me besnikë” të Mbretit. Madje deri favoritja (dashnorja) numër një e Mbretit, e cila kërkon të mos mbetet më e tillë, por të bëhet vetë mbretëreshë. Të gjitha këto mund të mos jenë aspak të vërteta, por vetëm një fanepsje e mendjes së sëmurë prej paranojaku e Mbretit vetë, i cili nuk sheh tjetër rreth vetes veçse komplote e intriga, ngaqë është marrë gjithë jetën me to, deri sa zuri fronin që gëzon e që kërkon ta ruajë me çdo kusht, me thonj e me dhëmbë.
Atëherë, Mbreti, me të mbaruar parada, jep urdhra në të majtë e në të djathtë për arrestime, ekzekutime e internime. Dhe viktimat e tij të para, janë ish-bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Por mund të ndodhë edhe ndryshe. Kur Mbreti vdes papritmas, nga një goditje në zemër, froni bie në duart e birit të tij, dhe atëherë ky bir i flak tutje bashkëpunëtorët e të atit dhe e mbush Oborrin me të rinj, besnikë të tij, ish- shokë të qejfeve, gjahut dhe mejhaneve me emër të dyshimtë.
Ç’bëhen atëherë ish-oborrtarët tashmë të braktisur? Ata katandisen në qytetarë të thjeshtë, siç kanë qenë dikur, e atëherë populli i sheh mirë se çfarë malli janë ata, të cilët dje në pushtet i dukeshin si gjysmë perëndi dhe fjalët e tyre (përfshi, sigurisht e në radhë të parë, vetë Mbretin), dukeshin si urdhra e fjalë të perëndishme. Populli sheh e dëgjon se ata flasin si gomerë, që janë ne fakt, deri fjalë gati banale, nga ato të rrugës dhe atëherë populli gajaset së qeshuri e së talluri me ta, ose tallet më mirë akoma, me gomarllëkun e vet që çoç i kishte pandehur.
Edhe më shkoqur akoma: shoku Pali, shoqja Lenka apo, shoku Rita shkonte në një rreth për inspektim e direktiva të reja. Lajmi merr dhenë. Sekretari i parë i Partisë, kryetari i Komitetit Ekzekutiv, kryetari i Degës së Brendshme çojnë në këmbë gjithë rrethin, deri edhe kooperativistët: “Do vije shoku Pali, ose shoqja Lenka! O burrani, në këmbë, mobilizim total. Edhe bajgat e gomerëve mos të duken në rrugët e fshatit, pale të tjerat. Dhe hapni veshët mirë, kur të flasë shoqja Lenka, se ajo i ka fjalët fort të thella dhe e ka kokën plot me mësimet e shokut Enver”!
Por kur vdes “shoku Enver”, më në fund (shyqyr, o Zot!) dhe kalon ai vetë në inventarin e portierit të xhehenemit, a të magazinierit që e pajis me brirë cjapi, si gjithë të tjerët, pra kur vdes “Perandori” Enver dhe fronin e tij e zë i biri shpirtëror, apo delfini i tij, shoku Ramiz, punët sikur ndryshojnë, se Lenka, Pali, Rita e shokë të tjerë bien nga fiku dhe atëherë këta kthehen, në një farë mënyre, në bazën e tyre të vërtetë e të merituar, siç kishin qenë më parë. Pra, Lenka te stalla e derrave të kooperativës, Pali te kamioni i tij “Skoda” me rimorkio në minierën a gatrën e druve të Pukes dhe Rita pranë banakut të pijetores si kamerier.
Atëherë popullit sikur i del pija dhe shikon se kot ishte habitur me ta, ngaqë ata flasin jo më me fjalë të mëdha, të mësuara përmendesh, mbi “ligjin e mohimit të mohimit” të materializmit dialektik, por për dosën e stallës, për kollodokun e “Skodës”, për bakshishin në lokal e, kështu me radhë. Po sikur këta derbederë të vinin në burg te ne, si do të silleshin, si do të ishin, si do të flisnin? Dale, se ka edhe shembuj të këtij lloji. Ja, shikoni:
Ish-shefi i Sigurimit të Ushtrisë, ish-kryetari i Degës së Brendshme të Tiranës, ku u vranë fare pa faj, me dhjetëra njerëz për punë të bombës në Ambasadën Sovjetike, andej nga viti 195l. gjeneral-majori Halim Xhelo, në kamp-burgun e Laçit, sillej me filxhanin e kafesë në dorë, duke kërkuar fallxhorin e kampit (një shejtan më vete ky), që t’i shihte fatin dhe t’i thoshte se sa burg kishte për të bërë akoma, megjithëse sapo kishte “bërë bismilah” në burg. Ndërsa, në burgun e Burrelit, kërkonte “të drejtat” e tij dhe zihej me komandantin e këtij burgu.
Ish-sekretari i dytë i Komitetit të Partisë së Tiranës, fort i egri dhe fanatiku, akoma më fort kapadai, (……….) kur ra në burg dhe e çuan në kamp-burgun e Ballshit, u bë një spiun dhe servil i neveritshëm i komandës, i komandantit Sulë Manoku, duke u “graduar” me postin e “kryetarit të këshillit të riedukimit”. domethënë të krye-spiunit, krye-dallkaukut, krye-servilit, krye-palaços së gjithë kampit, madje me aq zell (për t’iu shmangur punës fizike dhe për të merituar faljen nga Partia e Pushteti Popullor), sa nga zelli i madh u sëmur e vdiq pa dalë fare nga burgu!
Ky ish-kriminel gjatë Luftës, në zonën e Gjirokastres, dhe satrap i arsimit mbas Luftës, (qe ca kohë edhe ambasador në Paris, por më vonë ra nga fiku se ishte baxhanak i Bedri Spahiut, kur edhe ky kishte rënë nga fiku), më dërgonte “shumë të fala” që nga kamp-burgu i Ballshit, me një të burgosur që erdhi në burgun e Burrelit. Më dërgonte të fala pikërisht mua, që isha grindur me të disa herë në mbledhjet plenare të arsimtarëve të rrethit të Tiranës, se më binte kot së koti në qafë, me që isha “kllasë e përmbysur” e që mezi pata shpëtuar për qime, pa më pushuar nga puna. Dhe natyrisht unë i ktheva të falat mbrapsht, siç e meritonte.
Gjenerali Gjin Marku, që nga burgu i Burrelit, me paratë që i dërgonte familja për ushqim, i bënte telegrame Enver Hoxhës, të gjata sa një artikull gazete, duke i uruar datëlindjet çdo 16 tetor! Madje deri aq, sa operativi i burgut ia përplasi në fytyrë një ndër telegramet, duke i thëne: “Ik ore, mbushu me gjithë telegramet, se s’ka nevojë shoku Enver për urimet tuaja”! Lipe Nashi, që shpëtoi nga pushkatimi në “grupin e naftës”, ku lanë kokën ish-anëtarë të Byrosë Politike, si Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi e inxhinierë të thjeshtë, në burgun e Burrelit, u katandis të pranonte të bëhej kuzhinier i “revizionistëve”,
Hazbi Lamçe, kolonel dhe ish-komandant i disa kampe-burgjeve të rrezikshëm për dekada të tëra, me pasojat që dihen, i dënuar nga partia e vet për hajdutllëk nja dy herë, e së fundi edhe si “armik”, u katandis të behej pastrues i pjesës së “revizionisteve” të burgut të Burrelit si dhe spiun i komandës, aq sa një i burgosur e rrahu keqas, ish-oficer edhe ky, duke ia futur kokën ne koshin e qymyrit të kuzhinës. Shikoni pra se sa poshtë “binte katundi”! A ka më nevojë për fakte të tjera? O i madhi Zot, çfarë shëmtirash e tiranësh të vërtetë ka pasur mbi kokë ky populli ynë fatkeq, për afro gjysëm shekulli me radhë!
Me njerëzit e Zotit
E dinë të gjithë që, krahas intelektualëve (si truri i kombit), diktatura përndoqi me tërbim edhe klerikët, këta përfaqësues të edukatës shpirtërore. Kështu, duke u prerë kokën këtyre njerëzve, trupi i popullit mbetej pa drejtim dhe atëherë ishte Partia ajo që do të drejtonte drejt rrugës së mallkuar, udhës së djallit. E, duke shembur Mbret e Zot me dhunë, vendin e të dyve do ta zinte “udhëheqësi me brirë”.
E dinë të gjithë se komunizmi, në rrënjët e tij ideologjike, ishte materialist, pra ateist. Teorikisht, ai nuk e pranonte
“Njëshin”, qoftë ky Zot, qoftë dhe Mbret, në botën e vogël materiale. A nuk fillonin vargjet e para të Internacionales së Parë të Marksit, me mohimin e çdo prijësi, duke filluar nga Zoti e duke mbaruar te heronjtë, dhe se “çlirimin” do ta fitonin vetë proletarët e bashkuar? Të bashkuar, por pa bari? Kush do t’i printe? Do t’i printe Partia! Pra, asnjë kult për asnjë udhëheqës, i çdo lloji që të ishte ky, por një “Shtab Drejtues”, me emrin Parti. Kështu, evitohej “njëshi” dhe na dilte në shesh nocioni i një udhëheqjeje kolektive.
Në vështrimin e parë ky nocion, duket vërtet demokratik, popullor, racional. Por në të vërtetë, nën komunizëm apo më mirë të themi në “socializmin real”, pra në teorinë e zbatuar, nocioni fillestar ideologjik u tradhtua tërësisht. Ja që edhe Partia nuk ishte aspak udhëheqja demokratike e një republike parlamentare apo, një monarkie kushtetuese, forma qeverisjeje këto të vendosura dhe të sprovuara nga përpjekjet dhe lufta e pandërprere e demokracisë mbi çdo lloj absolutizmi e diktature ku, si Mbreti, si Presidenti, në fakt, nuk janë veçse simbolikisht ceremoniale e, asgjë më shumë.
“Kryetarët e shtetit”, se, ta themi troç, ata janë veçse “shefa”! Shihni realitetin historik të sotëm, produkt i evolucionit dhe maturisë, kur udhëheqës në demokraci është në fakt parlamenti, domethënë kolektiviteti. Vetëm një udhëheqës suprem kanë njerëzit (ata që besojnë), ky është Zoti, i madh, mëshirëplotë, krijues i Universit, botës sonë, njerëzve e gjithçkaje. Kurse nën komunizëm, edhe Zoti shfronësohet dhe në krye të gjithçkaje na lind një “Diell” me dhëmbë që, në vend të të ndriçojë e të të japë ngrohtësi; të kafshon herë si gjarpri, herë si tigri a peshkaqeni dhe të bluan deri kocka e kokalla.
Kështu, “Zoti Diell” (si të egjiptianët e vjetër), tashmë është bërë një Lenin, një Stalin, një Mao Ce Dun e, deri një farë shoku Enver. Besoj se kaq mjafton, për të vënë në dukje sa absurdin, aq edhe sofizmin gjer në rrënjë të ideologjisë komuniste, që niset si super-popullore e super-demokratike, sa kohë që nuk është në pushtet dhe kur merr pushtetin, na dalin në shesh, ngulur në fronin absolut deri në vdekje, lloj-lloj biçimësh, më mizorë e mendjemëdhenj, se faraonët e Egjiptit të lashtë.
Gjithë jetën time, që kur “rashë në mendtë e mi”, siç thotë një shprehje popullore e shqipes, jam mësuar të adhuroj korifenjtë e dijes dhe të artit. Jam mësuar të nderoj edhe figura të tilla madhore të udhëheqësve të shquar të botës, si: një Perikli Athinjot, një Katon, Ciceron e Cincinat, një Xheferson apo një Kened, një Uintson Çurçill apo, një Aidenahuer o Erhard, një Gand apo një De Gasper e Sandro Pertini e, kështu edhe të tjerë në fushën e demokracisë e humanitetit.
Ndërsa në planin kombëtar: një Skënderbe, një Ismail Qemal, një Fan Nol e një Ahmet Zog dhe në planin fetar, ku shpesh ushtrimi i fesë harmonizohej aq bukur me veprimtarinë kombëtare e kulturore: një Papë Vojtila, një Gjergi Fishtë, një Shtjefen Gjeçov, një Ndre Mjede, Vinçenc Prenush, prapë Fan Nol, At Kisi e At Ireneu, një Hafiz Ali Korça e të tjerë të këtij kalibri.
Dhe, sido që fetarisht (që nga lindja), më takon të jem mysliman (edhe pse nuk më ka pyetur kurrkush për fenë që duhej të zgjidhja!), për klerikët shqiptare, sidomos ata të urdhrit françeskan, kam pasur gjithmonë një konsideratë madhore. Si rregull, ata nuk e ndanin kurrë fenë nga Atdheu dhe kanë vënë bazat e kulturës sonë kombëtare, që nga origjina. Mjafton të përmendim këtu Buzukun, Bardhin, Veribobën, Budin, Bardhin, Bogdanin etj.
Pikërisht, këtë themel tradite shembën të parën komunistët e Enver Hoxhës. Dhe ky qe një krim shekullor! Unë, për kohën që rashë në burg, nuk kam pasur as rastin dhe as fatin të njoh personalisht figura të tilla të ndritura, si: At Bernardin Palajn, Dom Nikollë Gazullin, Dom Lazër Shantojën, At Gjon Shllakun, At Pjetër Mëshkallën, Dom Vinçenc Prenushin e shokë të tyre të denjë si këta. Por, kam njohur klerikë katolikë, si: At Konrad Volajn, Dom Nikollë Mazrekun, At Gegë Lumën, Dom Ndoc Nikajn, Dom Simon Jubanin e, ndonjë tjetër.
Drapëri i përgjakur i diktaturës së kuqe, kishte kryer tashmë punën e tij makabre mbi korifenjtë e parë të Kishës Katolike. Kujtojmë këtu At Visarion Xhuvanin, at Ireneun, At Kisin të Kishës Orthodokse apo, Hafiz Ali Korçën, Hafiz Durgutin, Hafiz Ali Tarin etj., klerikë islamike. At Konrad Voljan e kam njohur në kamp-burgun e Elbasanit, rreth viteve ’67-’68. Ishte një burrë me shtat mesatar, më një fytyrë të rregullt, me një qëndrim gjithnjë serioz, përgjithësisht disi i ngrysur, gjithnjë i heshtur dhe që parapëlqente më fort të rrinte vetëm. Kisha me të vetëm një përshëndetje mirësjelljeje, asgjë më tepër. Dhe ndaj nuk iu afrova (dhe as m’u afrua), duke dashur të respektoj dëshirën e tij për izolim vullnetar. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm