Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor me siglën “Sekret” të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) që i përket muajit korrik të vitit 1990, ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të mbajtur më dt. 23 korrik të vitit 1990, e cila nën drejtimin e Ramiz Alisë, morri në analizë dhe diskutoj deri me detaje, të gjitha ngjarjet e ndodhura në fillimin e atij muaji, ku me qindra e mijra shtetas shqiptar, të të gjitha moshave, shpërthye n muret e kangjellat e ambasadave të huaja që ishin akredituara në atë kohë në Tiranë dhe u futën aty duke kërkuar që të emigronin jashtë shtetit si azilant politik. Proces-verbali i plotë i asaj mbledhje ku merrte pjesë edhe Nexhmije Hoxha, në funksionin e Kryetarit të Frontit Demokratik të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku përveç tyre, diskutuan edhe sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, Foto Çami e Xhelil Gjoni, sekretari i parë i Komitit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, Lisen Bashkurti, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranë e anëtar i Komiteti Qendror, Pirro Kondi, etj. Diskutimi i plotë i Ramiz Alisë dhe debatet e tij me pjesmarrësit e asaj mbledhje, për shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, lidhur me mospranimin e tij për të dhënë një intervistë në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku të prononcohej hapur kundër atyre që u futën nëpër ambasada, si dhe “indiferencën e intelektualëve shqiptarë, që nuk thanë asnjë fjalë për ftesën që presidenti francez, François Mitterrand, i bëri Kadaresë për të shkuar në Francë dhe për të marrë pjesë si i ftuar special, në festimet e 200 vjetorit të Revolucionit Francez”?!
Ky dokument që po publikojmë në këtë pjesë të librit, është me mjaft interes, pasi që prej gati tre dekadash, fatkeqësisht dhe paradoksalisht, është thënë se: Kadare është shprehur për refugjatët që hynë në ambasada në korrikun e vitit 1990, duke i konsideruar ata si: “Jashtëqitja e kombit”. Dokumenti në fjalë është një proces-verbal i mbledhjes se Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të datës 23 korrik i vitit 1990, (plot tre javë pas hapjes së ambasadave) dhe aty marrin pjesë pothuaj e gjithë kupola e regjimit komunist në fuqi, përfshi dhe Nexhmije Hoxhën, si dhe disa të ftuar të tjerë, po funksionarë të lartë të regjimit.
Dhe që në fillim të mbledhjes, Ramiz Alia, i’u bën të ditur të pranishmëve se; “pushtetin nuk do ta lëshojnë pa gjak” dhe në kuadër të kësaj situate, ai jep udhëzimet e nevojshme, ku midis të tjerash shprehet: “Fotoja, Pirroja, dhe ti Lisien, këtu në Tiranë duhet të hartoni një program pune edukative për të ngritur në këmbë opinionin e shëndoshë. Mund të mbani rreth jush edhe disa intelektualë të njohur e me autoritet, si: Dritëro Agolli etj…, se Ismail Kadareja nuk po ndihet”. Pra Ramizi ka informacione të sakta se Kadare, nuk është bashkuar me ta, d.m.th., me regjimin dhe linjën e Tiranës zyrtare. Dhe pyetjes së tij, i përgjigjet Lisien Bashkurti, duke thënë: “Ismailit i kemi shkuar tre herë në shtëpi, për t’i kërkuar një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë”, por nuk pranoi ta përgatiste….”.
Ndërkaq, Ramiz Alia u jep bashkëbiseduesve një përgjigje sa sugjeruese, aq dhe urdhëruese: “Po pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadare nuk pranoi të jepte intervistë?! Kështu do ta vinit para përgjegjësisë morale dhe para opinionit të mbarë rinisë”. Pra siç shihet dhe nga këto që cituam më lart, Ismail Kadare, nuk është shprehur fare ndaj atyre shqiptarëve që hynë në ambasada, edhe pse i kanë shkuar tre herë në shtëpi për t’ia kërkuar me ngulm atë gjë.
Dhe tërbimi i Ramiz Alisë ndaj qëndrimit të Kadaresë që s’pranoi të bëhet pjesë e korit apo propagandës së partisë për të sulmuar njerëzit e ambasadave, shkon më tej. Në vijim të mbledhjes, ai aludon dhe akuzon hapur Kadarenë, se: është vënë në shërbim të Perëndimit dhe u bën thirrje intelektualëve shqiptarë që të shprehen hapur në shtyp kundër tij dhe presidentit francez, François Mitterrand, që sipas tij (pra Ramizit), ftoi Kadarenë për vizitë në Francë, pikërisht në atë kohë, “kur kryheshin tërë ato veprime të kurdisura armiqësore dhe villte vrer kundër Shqipërisë”. Ashtu si dhe pjesa tjetër e dokumenteve që publikohen në këtë libër, edhe ky jepet i plotë.
Proces-verbali i mbledhjes së 23 korrikut 1990
Sekret Mbledhje e Sekretarëve të K.Q. të Partisë
23 Korrik 1990
Në këtë mbledhje shoku Ramiz Alia trajtoi disa konkluzione, probleme e detyra që dalin nga zhvillimi i situatave të brendshme e të jashtme, veçanërisht pas ngjarjeve të 2 Korrikut 1990 në Tiranë. Ai porositi sekretarin e K.Q. të Partisë shokun Foto Çami, sekretarin e K.Q. të Partisë së rrethit të Tiranës shokun Pirro Kondi, dhe sekretarin e parë të K.Q. të PPSH-së Lisen Bashkurtin, të marrin kontakte direkte me masat sidomos me rininë studentore e intelektualët, të ndërtojnë një program pune të kualifikuar e të larmishëm dhe të bashkërendojnë më mirë tërë punën edukative.
Zhvillimi i mbledhjes.
SHOKU FOTO ÇAMI: Edhe unë e lidha përgjigjen që i dhashë atij me një shembull: Në qoftë se dikush do t’i shkonte për t’i vjedhur shtëpinë, çdo të bënte ai?
SHOKU RAMIZ ALIA: Në këtë rast nuk mund të bëhet krahasimi me vjedhjen e shtëpisë, se shtëpia është pronë personale, ndërsa arkivi i Kinostudios është një pronë me vlerë të madhe shtetërore e kombëtare. Natyrisht kur polici vret një njeri që kërkon të djegë Kinostudion, në nuk i themi “mirë bëre që e vrave!” Ai njeri mund edhe të kapej e të dënohej pse të plagosej lehtë në këmbë etj. Por as fajtor nuk mund ta bëjmë policinë, sepse kur një njeri qëllohet me armë, edhe mund të vritet. Këto çështje duhen sqaruar e përcaktuar drejt. Armiku përfiton si nga gabimet tona dhe interpretimet e fryra të tyre, ashtu dhe nga mungesat që ka tregu. Për shembull, kam marrë vesh se në tregun e Tiranës domatet e specat shiten me çmim shumë të shtrenjtë. Si është e mundur të shiten tani, në pikun e verës, 5.50 lekë një kilogram speca? A është politikan shoku Llambi Gegprifti? Po shefi i Tregtisë në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, a e gjykon si njeri politik këtë çështje? E njëjta gjendje ndodh edhe në tregun e Durrësit, ku vetëm në plazh tani ka rreth 15 mijë veta. Këto veprime nuk shkojnë me vijën e Partisë.
SHOKU PIRRO KONDI: Në Tiranë domatet janë shitur dhe me 1 lek kilen, vetëm specat u shitën shtrenjtë disa ditë më parë, por tani çmimi i tyre u ul në 3.50 lekë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dakord Pirro. Por çështja shtrohet se këta shokë që drejtojnë, e bëjnë edhe politikën, atë nuk mund ta bëjmë vetëm unë e ti. Ekonomia dhe politika lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Duhet të punojmë të gjithë bashkë, në të gjitha frontet. Në qoftë se në merremi kryesisht me politikë, shokët që drejtojnë ekonominë, të merren me ekonomi, të këshillohen me një grup specialistësh të sektorit përkatës dhe t’i shohin në plan politik këto çështje që krijojnë probleme. Partia duhet t’i vëzhgojë e t’i luftojë këto të meta ashtu siç duhet të punojë me kujdes me njerëzit që i ngrenë problemet në mënyrë tendencioze, ose qëndrojnë thjesht në rolin e konstatuesit. Këtyre njerëzve u duhet kundërvënë më parë platforma jonë themelore dhe, pasi të kemi rënë dakord për këtë, atëherë tu themi “ejani të luftojmë bashkë kundër këtyre fenomeneve të dëmshme”. Në Kavajë për shembull, armiku gjeti terren të favorshëm veprimesh sepse kishte edhe shumë të papunë. Po pse Komiteti i Partisë i Durrësit apo ai i rajonit të Kavajës, të mos mendonin më parë për të hapur fronte pune?! Përse pritën ata derisa të shkonte Pali e t’u sugjeronte të prodhonin sende poçerie për t’i vënë njerëzit në punë? Dihet nga të gjithë se në Shqipërinë e mesme, përveç Farkës, Kavaja ka qenë qendra më e madhe dhe me traditë për prodhime poçerie, ndërsa tani atje nuk prodhohen më poçeri. Po të organizohet një kooperativë poçerie, mund të zihet me punë edhe 500 forca të lira. Qypat e Kavajës mund të çohen deri në Zagori, Sarandë, e Vlorë ku ka shumë nevojë. Kudo ka mundësi për punësimin e forcave të lira, por këto mundësi duhen studiuar. Edhe në Tiranë ishte shqetësues ky problem. Tani Komiteti i Partisë në Tiranë, e mori në dorë situatën dhe po kërkon rrugëzgjidhje. Po përse nuk kërkoheshin më parë këto rrugëzgjidhje?! Si ta shpjegojmë apatinë e pasivitetin e komunistëve të organeve tona të Partisë dhe të pushtetit, përballë parullave çoroditëse të armikut!? Shoku
SHOKU XHELIL GJONI: Kjo ndodh se jo të gjithë njerëzit kanë formim, besim e bindje të shëndosha për rrugën e vijën tonë.
SHOKU FOTO ÇAMI: Duhet Përpunuar opinioni, të krijohen bindje për ndryshimet që kanë ndodhur e ndodhin për rrugën e vijën tonë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ne duhet të jemi kurdoherë në sulm ndaj çdo parulle që hedh armiku dhe për këtë duhet ndërtuar një punë e veçantë. Për shembull, u hap fjala në Tiranë se bota kërkon fuqi punëtore dhe ka ndonjë që pyet: “Pse të mos çojmë fuqi punëtore në eksport?” Askush nuk ka nevojë sot për fuqi punëtore të pakualifikuar. Në Çeki u hoqën nga puna emigrantët vietnamezë. Shqiptarët që hynë në ambasadën italiane e shkuan në Itali, po i çojnë vetëm në bujqësi. Edhe ata vetë tani po thonë: “Pse, për të punuar në bujqësi erdhën ne”!? “Kurse të tjerët që shkuan në Francë, filluan të vjedhin”. Radio Parisi njofton se policia franceze po kërkon refugjatët shqiptarë që kanë dalë e po vjedhin njerëzit e shtëpitë në qytetin e Resit. Për refugjatët që shkuan në Gjermani, janë vënë shpallje: “Shqiptarë, mos na vidhni biçikletat”. Si është e mundur të mendohet që vendet e Evropës apo vendet të tjera të botës duan të marrin nga në fuqi punëtore!? Edhe në qoftë se diku mund të ketë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar, a mund të pranojmë në të shkatërrojmë ekonominë tonë, duke i çuar gjetiu njerëzit tanë më të kualifikuar? Veç kësaj, kujt do t’i shërbente ky lloj morali që pranon shitjen e fuqisë punëtore? E rëndësishme është të përpiqemi t’u gjejmë njerëzve punë, t’u krijojmë mundësi të punojnë brenda atdheut, për interesat e tyre dhe të Shqipërisë. Prandaj duhet ndërtuar një punë shumë efektive, që njerëzit të binden për këtë çështje themelore dhe pastaj së bashku të luftojmë për çka duhet rregulluar. Por kjo punë ndesh mjaft vështirësi dhe kërkon sakrifica. Mirëpo mos do të ishte më e ndershme dhe më e moralshme braktisja e atdheut!? Mos duhet që përpara vështirësish ta lëmë pushtetin, t’ua shesim vendin të tjerëve?!! Me këtë gjuhë u duhet folur atyre që ngrenë duart e heshtin përpara parullave të armikut, qofshin djem, vajza të reja apo intelektualë. Në mënyrë të veçantë duhet punuar me organizatat e Partisë e komunistët. Sot më shumë se kurrë, flet shembulli dhe qëndrimi i secilit komunist, kudo e përpara çdo situate. Kemi 25 mijë komunistë në Tiranë. A janë të gjithë luftëtarë e militantë? Fatkeqësisht duhet pranuar se midis tyre ka edhe mjaft komunistë që nuk vlejnë. Duhet të gjejmë e t’i ngremë në këmbë pikërisht ata që janë më militantët, më të vendosur dhe më aktivë. Edhe organizata e Rinisë në këtë situatë duhet të mbështetet tek veprimtarët e saj më të gjallë e më aktivë. Fotoja, Pirroja, dhe ti Lisien, këtu në Tiranë duhet të hartoni një program pune edukative për të ngritur në këmbë opinionin e shëndoshë. Mund të mbani rreth jush edhe disa intelektualë të njohur e me autoritet, si Dritëro Agolli etj… se Ismail Kadareja nuk po ndihet.
SHOKU LISIEN BASHKURTI: Ismailit i kemi shkuar tre herë në shtëpi për t’i kërkuar një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë” por nuk pranoi ta përgatiste….
SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadare nuk pranoi të jepte intervistë!? Kështu do ta vinit para përgjegjësisë morale dhe para opinionit të mbarë rinisë.
SHOKU LISIEN BASHKURTI: Kur bisedoi me të gojarisht Remzi Lani i tha se intervistën tjetër që i’a paraqiti “Zërit të Rinisë” me dëshirën e tij, i’a botuam menjëherë, kurse tani ka nevojë vetë redaksia t’i drejtohet atij. Në një farë mënyre e vuri para përgjegjësisë….!?
SHOKU RAMIZ ALIA: Këtyre njerëzve në kemi të drejtë tu themi: “Këtë situatë në Tiranë e nxiti dhe e krijoi armiku. Ja ç kërkon armiku! Po ti që hesht me kë je”!? A është në nderin e intelektualit tonë të mos i thotë një fjalë presidentit Mitterrand që e ftoi Ismail Kadarenë për vizitë në Francë, pikërisht në këtë kohë kur kryheshin tërë ato veprime të kurdisura armiqësore dhe propaganda e tyre borgjeze villte vrer kundër Shqipërisë? Demokracia e humanizmi, për të cilat flet Ismaili nuk janë të drejta abstrakte, as nuk mund të konceptohen si të tilla. Për cilët njerëz kërkohen këto të drejta në qoftë se nuk gjejnë shprehjen konkrete tek interesat e atdheut e të popullit? Jashtë këtyre interesave çdo lloj demokracie është demagogji. A mund ta mohojë kush tani se temat për Partinë, Enver Hoxhën, atdheun, socializmin, janë boshti kryesor që përshkon tërë veprën e Ismailit, që nga poemat “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, e deri tek romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit”, etj? Situata e tanishme kërkon që Ismaili me emrin e qëndrimin e tij prej intelektuali të njohur t’i bëjë një shërbim të ri popullit, Partisë, dhe atdheut. Ky qëndrim do ta lartësonte ndryshe a mund të qëndronte në krahun tjetër e të premtonte si Tuxhmani se ka gabuar dikur kur ishte i ri? Është koha kur ndonjë intelektuali të tillë i duhet thënë: “Ti që flet me kaq zjarr për demokracinë lirinë e individit, e indinjohesh pse polici përdor shkopin e sheh se ç’po bën i huaji kundër lirisë së Shqipërisë? Kujt do t’i vlenin botimet e tua kur nuk thua një fjalë për këto që sheh? Desha të tërheq vëmendjen se ka disa tipa njerëzish me prirje negative e formim jo të shëndoshë. Në përgjithësi ata janë intelektualët e rinj, si ndonjë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ndonjë punonjës në Kinostudio, apo në shtypin letrar, ndonjë piktor etj. Me ta duhet punuar me durim e duhen mbajtur afër për t’ua thyer mitet për të mos i lejuar të bëhen përçues të një vije të gabuar.
SHOKU XHELIL GJONI: Ndoshta ka nevojë të organizohen me këta njerëz disa debate në grupe të ngushta për problem të ndryshme që kërkojnë të sqarohen. Për shembull, ka patur mjaft pyetje për çështjen e marrjes së kredive. Mund të ftohen në auditorë të ndryshëm njerëzish, shokë kompetentë e me nivel, si Farudin Hoxha. Po kështu mund të veprohet për çështje të tjera. Diskutohet mjaft për problemin e Kosovës, si dhe për pozicionin e inteligjencës kosovare. Reaksioni dhe në këtë çështje përpiqet të hedhë vrer kundër nesh. Flitet për problemin e bashkimit me Kosovën me ne, për të cilën thonë se është e interesuar edhe Amerika që pas këtij bashkimi vetvetiu mund të arrihet një zgjidhje e përgjithshme.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ka dhe nga ata që e përziejnë këtë çështje me pozitën e disa intelektualëve kosovarë që propagandojnë se duhet braktisur ideologjia dhe të merremi me nacionalizmin. Parulla e tyre është Shqipëria Etnike. Por të pranosh nacionalizmin, do të thotë të pranosh Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. në nuk mund të sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë etnike. Mund të ketë ndonjë tjetër që ekzaltohet për një shtëpi evropiane, krejt të hapur me plot kate e apartamente po të dojë, veç me një ideologji të borgjezisë!! E theksoj se përballë këtyre dëshirave e parullave nuk duhet të tërhiqemi por të hidhemi në sulm. Veprimtaria jonë duhet të jetë e efektshme. Mitingu që u organizua në Tiranë, për shembull ishte mjaft i mirë dhe e arriti qëllimin, por ai nuk u shoqërua më pas me punë intensive. Duhet të njihen mirë të tëra problemet që më pas të zgjidhen. Mund të krijohet edhe një shtab kundër parullave armiqësore. Sot nuk mund t’u flitet masave me slogane e fjalë të përgjithshme. Ndonjëherë është më e efektshme një bisedë e çiltër qoftë edhe me 2-3 vetë ku rrihen mendimet dhe konkluzionet janë bindëse. Do të ishte mirë të organizohej dhe ndonjë takim me një grup intelektualësh prej 15 vetash. Me ta duhet biseduar më parë se si e shohin situatën aktuale dhe pastaj një nga një t’u thyhet me argument ndonjë pikëpamje e gabuar. Po kështu duhet vepruar edhe me disa të rinj përpara se të mblidhen organizatat e rinisë. Me inteligjencën duhet ndërtuar një punë e veçantë e programuar sipas kategorive, duke u ndalur sidomos në disa institucione e qendra të mëdha si Kinostudio, Lidhja e Shkrimtarëve, Radio-Televizioni, etj. Duhet të gjallërohet tërë veprimtaria me të rinj universitarë e shkollarë, si në formë dhe në përmbajtje. Veprimtari të mëdha për shembull të zhvillohen me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në mjedise të ndryshme, në formë mitingjesh koncertesh dhe lojërash sportive. Që tani dhe gjatë gjithë muajit Gusht duhen marrë masa për organizim të rregullt të jetës nëpër konvikte. Nëpërmjet tërë llojeve të veprimtarive duhet synuar që rininë ta mbajmë kurdoherë pranë e ta ushqejmë me ideologjinë tonë sepse pas dështimit që pësoi në fazën e parë të programit të tij armiku, do të synojë mbështetjen të rinia studentore. Atij i intereson të prekë këtë shtresë delikate të përbërë nga bijtë e popullit për të atakuar vijën e Partisë. Në rast se ndaj veprimeve të disa huliganëve e patëm më të lehtë të mbanim qëndrim e të ngrinim opinionin nga që populli i njihte si të tillë, është shumë vështirë ta ngresh këtë opinion kundër atyre elementëve të rinisë studentore që mund të bien në prehrin e armikut. Opinioni i shëndoshë duhet mbajtur në këmbë e duhet hedhur në veprim edhe ndaj familjeve, pjesëtarët e të cilëve hynë nëpër ambasada. Kujdes i duhet kushtuar edhe informacionit për popullin lidhur me zbatimin e vendimeve të plenumeve të fundit për problemet e ndryshme. Nga organet qendrore si dhe nga disa organe të bazës ka shumë zvarritje në zbatimin e vendimeve të marra në Plenumin e 8-të të KQ të PPSH-së për ndërtimin e banesave private. Populli ka nevojë për informacion më të gjerë. Përse ngurohet për shembull të jepet informacion publik nëpërmjet mjeteve të propagandës për studime të tilla si ai i rritjes së pagave që janë nën 600 lekë? Ky studim ka kohë që ka filluar. Situatat kërkojnë që dhe çdo shok i udhëheqjes së Partisë e të shtetit pa qenë nevoja për fjalime të mëdha nëpërmjet televizionit apo takimeve direkte me popullin të zbërthejë tezat e plenumeve të fundit. Ai mund të sjellë një informacion më të plotë për sektorin që mbulon për problemet dhe rrugëzgjidhjet që kërkohen. Kjo do ta rriste më shumë përgjegjësinë e secilit prej nesh por dhe do tu priste rrugën mjaft thashethemeve e parullave armiqësore se në udhëheqje ka përçarje, ka konservatorë e liberalë. Natyrisht në këto pozita nuk qëndron asnjë nga shokët tanë, por ngadalësia dhe burokracia kudo që shfaqen nuk mund të mos lënë gjurmë në ndërgjegjen e popullit. Ato duhen luftuar me këmbëngulje e punë të palodhur, duke gjallëruar e perfeksionuar vazhdimisht edhe tërë mjetet e format e informacionit dhe të propagandës sonë./Memorie.al
Shefi i Sektorit të Përgjithshëm
Fatmir Zaloshnja
Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Komiteti Qendror i PPSH-së, (Organet Udhëheqëse), Dosja 24. Viti 1990
Ky shkrim është marrë nga libri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Ëndrrave”, i autorit Dashnor Kaloçi, botim i UET PRESS, Tiranë, 2018
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016