Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon ekskluzivisht dokumente të panjohura të Sigurimit të Shtetit, Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Komitetit të Partisë së Durrësit dhe Shkodrës të vitit 1970-të, ku ata kritikojnë ALBTURIZM-in për punën e dobët që po bënte me turistët e huaj që vinin në Shqipëri, pasi sipas vëzhgimeve të tyre, grupeve të huaja turistike, ku një pjesë kryesore zinin grupet marksiste-leniniste, nuk u krijoheshin kushtet më minimale të akomodimit dhe jetesës këtu për aq kohë sa qëndronin.
Në informacionin e Sigurimit të Shtetit, të shkruar nga Drejtori i Sigurimit dhe njëkohësisht, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu, në adresë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Behar Shtylla dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alisë, bie në sy preokupimi i madh i organeve tona kompetente, që ndjeheshin keq për stilin e kërcimeve, që bënin turistët e huaj të pista e Hotel “Adriatikut”- në Durrës, ku mblidheshin shumë njerëz të cilët shihnin me admirim. Po kështu, një nga problemet kryesore të shtetit shqiptar të asaj kohe, ishte dhe fakti se sapo turistët e huaj dilnin nga autobusët, ata ndiqeshin nga turma fëmijësh kureshtarë, në një rast në Pogradec, shoqëruesit ishin detyruar që t’i fusnin turistët në një lokal dhe t’i nxirrnin vetëm pasi kishte ardhur policia dhe kishte larguar fëmijët. Për këto dhe të tjera fakte e ngjarje nga Shqipëria turistike e para viteve ’90-të, na njohin dokumentet arkivore që Memorie. al i sjell në këtë shkrim ekskluzivisht për lexuesit e saj.
Raporti
DISA PROBLEME TE PUNËS SE TURISTEVE QE VIJNË NE VENDIN TONE
Që Albturizmi të kryejë si duhet detyrat që përmendëm në këtë relacion, është e domosdoshme të merren dhe këto masa:
a) Përbërja e kuadrit drejtues të kësaj ndërmarrjeje duhet të forcohet me shokë të aftë politikisht, që t’i shikojnë problemet e turizmit në radhë të parë në prizmin politik.
b) T’i jepet një kuadër i aftë që të merret me punën e problemet e propagandës. Në organikë ajo e ka këtë vend, por nuk i jepet dhe me këtë problem deri tani merret zv/ Drejtori, i cili është i ngarkuar edhe me shumë çështje të tjera dhe është vazhdimisht në lëvizje.
c) Krahas rritjes së numrit të turistëve që vijnë në vendin tonë, problemi i shoqëruesve po bëhet gjithnjë dhe më i vështirë si për Sigurimin, ashtu dhe për përgatitjen e tyre. Nevojat e Albturizmit për këta njerëz nuk kuptohen dhe nuk plotësohen nga institucionet e ndryshme dhe sidomos nga Universiteti Shtetëror i Tiranës që duhet të japë më shumë. Pa këta njerëz as që bëhet fjalë që të punohet me turistët. Këtu do të ishte patjetër e nevojshëm një ndërhyrje e Këshillit të Ministrave, për të komanduar në këtë shërbim gjatë dy tre muajve të verës disa kuadro të përshtatshme nga institucionet tona qendrore.
Duhet shënuar gjithashtu se niveli ideo-politik i shoqëruesve që janë vënë në dispozicion, (shumica studentë) ka qenë i ulët dhe shpesh herë ata nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë kërkesat dhe ngandonjëherë dhe me karakter provokues të turistëve. Këtë na e kanë vënë në dukje edhe miqtë e Partisë që e kanë konstatuar.
Raporti: Për turistët duhet një kuadër për propagandën
c) Në Durrës, ku në muajt korrik-gusht ndodhen çdo ditë rreth 500 turistë, ndjehet nevoja që të ketë një kuadër që të merret me organizimin dhe punën propagandistike. Një kuadër të tillë dhe për kaq kohë të shkurtër nuk do ishte e vështirë ta vinte në dispozicion Komiteti i Partisë së Durrësit. Ai mund të ishte një pensionist arsimtar ose dhe ndonjë aktivist tjetër shoqëror. Për këtë shërbim, turizmi edhe do ta paguante.
d) Albturizmi nuk ka qenë në gjendje këtë sezon që të plotësojë të gjitha kërkesat e turistëve për ekskursione, për mungesë të autobuzave. Kjo punë përveç të tjerave sjellë edhe të ardhura të mëdha. Gjatë këtij sezoni nga ekskursionet p.sh. u arkëtuan rreth 40.000 dollarë që janë baras me vlerën e dy autobuzave.
Do të ishte mirë që për problemet e turizmit, të organizohej një seminar në qendër, ku të merrnin pjesë përveç kuadrove që punojnë në këtë sektor, edhe shokë nga Komitetet e Partive dhe Komitetet Ekzekutive të rretheve.
Raporti: Marinarët e huaj pinë dhe bëjnë sherr te INTER-KLUB-i
Mbi Inter-klubin
Në Portin e Durrësit vinë me dhjetëra anije në muaj, nga shumë vende të botës që kanë ekuipazhe të mëdha. Për t’u shërbyer këtyre anijeve, para disa vjetësh u ndërtua “INTERKLUBI”. Ai varet nga Albturizmi dhe përveç detyrës së furnizimit të anijeve dhe plotësimit të nevojave materiale të ekuipazheve të tyre, është ngarkuar të bëjë dhe një punë propagandistike. Sipas të dhënave të shokëve të Komitetit të Partisë të Durrësit, ky institucion nuk po i kryhen si duhet detyrat e ngarkuara dhe është shndërruar në një qendër ku marinarët e huaj dehen dhe rrihen me njëri-tjetrin.
Pjesa më e madhe e marinarëve që vijnë në Portin e Durrësit, shumica e të cilëve janë njerëz të varfër, të shtypur dhe të shfrytëzuar, në bazë të rregullave tona, nuk lejohet të dalin në qytet dhe e kalojnë kohën e qëndrimit në vapor, ose në sallat e “Interklubit” që është në territorin e portit. Kjo gjë nuk mund të mos ngjallë te marinarët, të cilët janë mësuar të bredhin lirisht në çdo port, një farë zemërimi ndaj vendit tonë. Nga ana tjetër jemi mësuar që me këtë masë të madhe njerëzish të punojmë, prandaj mendojmë se në këtë çështje të vërë dorë si Komiteti i Partisë së Durrësit, i cili nuk duhet të bëjë sehir në këtë situatë, ashtu dhe organet shtetërore qendrore. Për ta shndërruar atë në një qendër model dhe propaganduese të ideve të Partisë dhe realizimeve të mëdha të vendit tonë.
Për ta bërë këtë mendojmë se duhen të merren këto masa:
- Tani po diskutohet që administratori i INTERKLUBIT t’i kalojë Ministrisë së Komunikacionit dhe ai të varet direkt nga Drejtoria e Portit, e cila ka lidhje pune me anijet.Përvoja ka treguar se Albturizmi nuk mund ta bëjë si duhet këtë punë.
- Komiteti i Partisë së rrethit të Durrësit të caktojë një kuadër të përshtatshëm si drejtues të Klubit dhe të ndihmojë e kontrollojë siç duhet punën e tij në radhë të parë punën ideopolitike dhe propagandistike.
- Të pajiset salla e leximit me bibliotekë dhe në botime në gjuhë të huaj, revista, ilustracione, foto-ekspozita, e materiale të tjera figurative nga vendi ynë.
- Të organizohet më mirë projektimi i filmave tanë, artistikë dhe dokumentarë.
- Interklubi të organizojë me grupe marinarësh, si mbas dëshirës së tyre dhe kundrejt pagesës, ekskursione kolektive në qytetin e Durrësit dhe jashtë tij, duke vizituar, sipas rastit, edhe ndonjë qendër industriale e bujqësore. Shpesh të tilla ekskursione kërkohen.
- Të organizohet më mirë tregtimi i librit në gjuhë të huaj, i disqeve, i kartolinave, pullave, albumeve dhe punimeve të artizanatit.
- Në rastet kur kemi interes, mund të organizohen edhe ne qytet, koncerte me numra të zgjedhur nga grupet folklorike për marinarët e huaj.
- Interklubi të kryej më mirë edhe detyrën e furnizimit të anijeve me prodhime ushqimore, sepse ka raste që neglizhohet në këtë drejtim dhe lë t’i shpëtojë shtetit sasira valute.
Tiranë, më 5.X.1970 Sektori i Jashtëm
Informacioni: Me turistët ka ardhur gruaja e të arratisurit
PARTIA E PUNËS SHQIPERISE Sekret
KOMITETI I PARTISË SE RRETHIT Ekzemplar Nr.1
Nr. 627 Prot. Shkodër, 25/9/1970
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(Sektorit te Jashtëm) Tiranë
Nga fundi i muajit Gusht të këtij viti, së bashku me një grup turistësh nga Suedia, erdhi për të kaluar pushimet në vendin tonë, gruaja dhe vajza e Çesk Kallmetit, i arratisur në vitin 1944 së bashku me okupatorin nazist gjerman, i cili tani ndodhet në Suedi.
Ashtu si shumë turistë të tjerë, përveç qëndrimit në Durrës, edhe gruaja dhe vajza e të sipërmit, vizituan edhe qytetin e Shkodrës. Me ardhjen në qytetin tonë, me gjithë marrjen e masave nga organet, për të vëzhguar në lëvizjet e tyre, gjatë vizitës këtu i bënë një vizitë në shtëpi, kunatit të tyre, Pac Kallmetit.
Kjo grua e ardhur “si turiste e thjeshtë” u ka sjell dy vëllezërve të burrit, Pacit dhe Kolës, mjaft plaçka, të cilat ua ka dorëzuar me këtë rast. Ajo vetë si person ka origjinë dhe kombësi jugosllave dhe së bashku me të bijën 19 vjeçare, janë paraqitur me pasaportë suedeze. Gjatë takimit kanë përdorur gjuhën jugosllave, sidomos përjashta familjes, por dyshohet se në biseda intime mund të kenë përdorur e gjuhën shqipe.
Në familjen ku shkuan për vizitë në lagjen “Skënderbeg” kanë fotografuar ish shtëpinë e vjetër, në të cilën ka banuar i arratisuri bashkë me vëllezërit e tij si dhe rrugën, gjoja për t’i mbajtur kujtim.
Ne u përpoqëm të interesoheshim menjëherë porsa morëm informacionin nga baza, se në ç’mënyrë u ishte e dhënë e drejta për të ardhur si turistë në Shqipëri dhe përgjigja e shokëve të Degës së Punëve të Brendshme këtu është se ata nuk dinin plotësisht gjë për këtë, e aq më tepër se ajo ishte gruaja e një personi që kishte braktisur atdheun e tij.
Prandaj duke u nisur nga këto të dhëna, mendojmë dhe propozojmë që personat që do të vijnë si turistë në vendin tonë, të kontrollohen më mirë dhe njerëz të tillë si këta, që nuk meritojnë, të mos u jepet mundësia për një gjë të tillë, për vetë faktin se ardhja e tyre lë përshtypje jo të mirë, takimi i tyre me familje me përbërje jo të mirë politike, mund t’ju jap shkas për propagandë kundër vendit tonë dhe nga ana tjetër, masave që i njohin, u krijohen iluzione për qëndrime liberale ndaj njerëzve me përbërje të tillë./Memorie.al
P/KOMITETIN E PARTISË SE RRETHIT
SEKRETARJA
ZINA FRANJA
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016