Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet dhe fondi personal, i ish-sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, prej të cilave kemi shkëputur disa pjesë nga ditari i tij politik që i përket një periudhe kohore që nga fillimi i janarit të vitit 1979, e deri në shkurtin e 1982-it, ku në fokus të shënimeve të tij, janë ngjarjet e zhvilluara në Iran, ku forcat kryengritëse islamike të udhëhequra e të frymëzuara nga Ajatollah Kohmeini që arritën të rrëzonin nga froni Shahun Reza Phalevi, i cili duke pasur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u detyrua që të largohej me avion nga vendi, duke mbërritur fillimisht në Kajro, ku u prit si mik personal nga Presidenti Janvar Sadat e gjithashtu, edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zhehrar Ford, (që ndodhej ato ditë për vizitë në Egjypt), për t’u larguar më pas drejt SHBA-ës. Pas rrëzimit dhe kargimit nga vëndi të Shahut Reza Palehvi, në fund të janarit të vitit 1979, në Tehran mbërriti Ajatollah Kohmeini, udhëheqësi shpirtëror fetar i iranianëve shiit, që thuhej se drejtonte revolucionin për rrëzimin e dinastisë së Palehëveve, që nga Parisi, ku qëndronte prej vitesh. Si i ka përshkruar të gjitha ato ngjarje, në ditarin e tij politik, udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, i cili midis të tjerash shprehet: “Shahu, për t’u mbrojtur nga populli, kishte blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një sasi të madhe armatimesh nga më modernet që kanë shitur këto jashtë, kishte krijuar një ushtri prej qindra mijë vetash, me të gjitha llojet e armëve, me avionë, me tanke, me mitraloza, me raketa nga më modernet, kishte ndërtuar shumë aerodrome. Të gjitha këto, bëheshin për të mbrojtur pasuritë e amerikanëve në Iran dhe pasuritë e shahut, si dhe për ta mbajtur popullin në mjerim. Natyrisht, një gjendje e tillë, nuk mund të vazhdonte tërë jetën, megjithëse ndihma materiale ushtarake e politike Shahut, i vinin nga të katër anët e botës. Përveç të tjerëve, edhe perandoria e re kineze, i hodhi trëndafila Shahut. Vetë Hua Kuo Feni, shkoi në Iran dhe me përzemërsinë më të madhe, bisedoi për një: “miqësi madhe e të shëndoshë”, me Shahun e Persisë dhe i uroi jetë të gjatë këtij furnizuesi të fuqishëm me naftë, të miqve të mëdhenj të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kapitalizmit botëror”.
Ditari politik i Enver Hoxhës
E MARTE 13 SHKURT 1979
REVOLUCIONI I POPULLIT IRANIAN TRIUMFOI
Duhet njohur se midis udhëzimeve që jepen atje, ka edhe disa që janë të drejta, për shembull, ato që thonë se duhet të likuidohen elementët armiq të popullit iranian. Përveç të tjerave, revolucionarëve, marksistë-leninistëve; elementëve përparimtarë të klasave të ndryshme, u duhet të shkëputen nga zinxhirët e fesë dhe të ideologjisë e të mësimit fetar, duhet të çlirojnë, në radhë të parë, gruan nga robëria islamike, të zhduken çarçafët, perçet e grave dhe këtyre t’u zbulohet fytyra. Gruaja të futet në punë, në fabrika e kudo. Në Iran, në këtë vend ku ka sunduar deri këto ditë regjimi mesjetar fetar fashist dhe imperialist, gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë dhe, si kudo, janë një nga forcat më revolucionare, pas proletariatit.
Revolucionarët në Iran dhe marksist-leninistët, vetë proletariati duhet të kenë vënë mend, nga shfrytëzimi i egër që u ka bërë imperializmi amerikan, anglez, francez dhe gjithë kapitalizmi botëror, prandaj duhet të mos lejojnë më që pasuritë e vendit të tyre të ndahen përsëri me kuota të ndryshme midis po këtyre Imperialistëve: Natyrisht, Irani nuk mund të rrojë i izoluar dhe nuk mund të mos prodhojë e të mos e shesë naftën. Ajo është një pasuri e madhe për këtë vend, por është edhe një nerv i madh për botën perëndimore, sidomos për kapitalizmin botëror, i cili mund të shkojë deri në luftë për petrolin iranian. Irani mund të jetë një fushë lufte në mes shtetit amerikan dhe atij botëror, me social imperializmin sovjetik, i cili ka rreth dy mijë kilometra kufi, me Iranin, ku jetojnë mjaft azerbajxhanas.
Azerbajxhanasit e Iranit, kanë lidhje familjare e fisnore me azerbajxhanasit Bashkimit – Sovjetik, prandaj, është e pamundur. që ky të mos ketë influencë në revolucionin e popullit të Iranit, të mos ketë njerëzit e vet në partinë “Tudeh” e në shtresat e tjera politike. Kështu, duke e ditur se rëndësia e Iranit qëndron kryesisht te nafta, dhe për naftën do të luftojnë të gjithë, revolucionarët iranianë, duhet të jenë vigjilentë në këtë çështje. Agjencitë e lajmeve dhe njerëz me influencë, thonë dhe e konsiderojnë bllokimin e naftës së Iranit, shumë më të tmerrshëm se bllokadën e Berlinit, se luftën e Koresë, se luftën e Vietnamit, është fakt se ngjarjet në Iran, grevat katërmujore të punëtorëve të nxjerrjes së naftës, kanë shkaktuar një humbje dyvjeçare, në mos më shumë, të industrisë kapitaliste evropiane-amerikane.
Prandaj ky është një problem akut. Në rast se iranianët qëndrojnë të patundur në këto pozita revolucionare dhe ecin edhe në të ardhmen me këmbëngulje serioze, patjetër ky veprim i tyre do të ketë influencë të madhe edhe në vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Që tash, Khomeini ka refuzuar t’i japë naftë Izraelit, mikut të amerikanëve, i cili 75 për qind të petrolit e merrte nga Irani, po kështu Rodezisë dhe racistëve të Afrikës së Jugut. Në qoftë se pushteti i ri që po formohet, e trajton problemin e naftës në interes të popullit iranian dhe të popujve të tjerë që vuajnë nën thundrën e imperialistëve e të social-imperialistëve, atëherë kjo është një ecje përpara për revolucion. Por, natyrisht, revolucionarët, marksistë-leninistët dhe proletariati iranian duhet ta kuptojnë se nuk mund të bëhet ajo çka duan ata ashtu si e duan ata dhe fët e fët.
Duhen thelluar akoma më tej situata, gjendja e sotme objektive revolucionare, në anën subjektive të së cilës dominon elementi idealist fetar. Kësaj force, i duhen marrë krahët gradualisht nëpërmjet aleancave më përparimtare, ose duke e penguar në ato veprime, që janë në dëm të interesave të popullit, pikërisht nëpërmjet forcës së madhe revolucionare të popullit. Populli Iranian, duhet të bëhet i ndërgjegjshëm, se fitorja u arrit nga vetë ai, është vepër e luftës së tij e, jo nga Ajatollah Khomeini, allahu, hazret Aliu, e hazret Hyserri. Flitej dhe flitet akoma e, me siguri, do të flitet edhe në të ardhmen për frymëzimin islamik të këtij revolucioni, por vendimtar në të, ishte sulmi i popullit e i punëtorëve, që u vranë nëpër rrugë kundër Shahut, kundër perandorisë-mesjetare, kundër imperializmit, për një jetë të lirë e në të ardhmen edhe më të lumtur, për një demokraci të-vërtetë, derisa të arrihet në revolucionin socialist.
E MARTE 13 SHKURT 1979
TEZA PËR NJË ARTIKULL TE RI, PËR NGJARJET NE IRAN
U fola shokëve për nevojën e përgatitjes së një artikulli tjetër për revolucionin e popullit iranian, ku të theksohet se ky revolucion, që rrëzoi monarkinë feudale mesjetare të Shahut në Iran, u dha një grusht të rëndë edhe fuqive imperialiste, veçanërisht imperializmit amerikan, si dhe kapitalizmit botëror në përgjithësi, që kishte përfituar deri tash, duke grabitur naftën dhe duke shfrytëzuar deri në palcë, popullin e këtij vendi. Në këtë artikull, të theksojmë se po vërtetohet teza e Leninit që; epoka e sotme, është epoka e revolucioneve dhe e diktaturës së proletariatit. Edhe Partia jonë, të vëmë në dukje, ka thënë që aktualisht revolucioni, nuk është vetëm një aspiratë, por një çështje që qëndron në rendin e ditës dhe këtë tezë e vërteton edhe kryengritja e popullit iranian.
Në situatat aktuale të zhvillimit botëror ky revolucion do të pasohet me siguri nga revolucione të tjera, natyrisht, me intensitete të ndryshme. Edhe shembulli i Iranit do të influencojë në vendet e tjera, duke ndihmuar kështu në luftën e çlirimit të të gjithë popujve të shtypur. Në artikull nuk duhet të mohojmë influencën subjektive të sektit fetar shiit, pse ky luajti një rol pozitiv në rrëzimin e regjimit të perandorisë së dinastisë feudale të Pahlevëve. Por, në të njëjtën kohë, të theksojmë se ideologjia që e udhëheq këtë sekt është idealiste, fetare, prandaj nuk mund t’i realizojë dot kurrë si duhet deri në fund aspiratat demokratike të masave laike të popullit të Iranit, i cili nga ana e jashtme mund të duket besimtar, por në veprime, dhe pikërisht në këtë revolucion, u tregua i përparuar, objektiv dhe radikal.
Të dalë qartë se frymëzimi i këtij revolucioni kundër dinastisë feudale të Shahut Muhamed Reza Pahlevi dhe imperializmit nuk është thjesht fetar e idealist, por ka edhe karakter demokratik, përparimtar. Masat popullore u treguan të gatshme për transformime të rëndësishme, për reformën agrare, për një zhvillim kulturor përparimtar të vërtetë, për zhdukjen e prapambetjes së popullit, të grave e të vajzave të Iranit, të cilat, duke dalë nëpër rrugë për të luftuar, u përleshën e u gjakosën me SAVAK-un dhe me gardën imperiale. Pra, të vihet në dukje se për këto masa nuk shtrohej problemi i fesë islame, por problemi i çlirimit të popullit, të klasës punëtore, të fshatarësisë, të grave e të rinisë së këtij vendi. Të theksohet, gjithashtu, ajo që ka thënë Lenini për revolucionin, që ky është një çështje serioze, që, po iu fute, duhet t’i shkosh deri në fund.
Me këtë të tërhiqet vëmendja e popullit të Iranit që të jetë vigjilent, të mos lejojë të futet përsëri nën zgjedhën e imperialistëve të huaj, qofshin këta amerikanë, sovjetikë ose të tjerë, të cilët me siguri do të intrigojnë dhe, me anë të kompromiseve e të ryshfeteve, do të përpiqen të korruptojnë të korruptueshmit, për të rimarrë në dorë me forma të tjera “të reja” koncesionet dhe pozitat e vjetra, me fitime të mëdha për veten e tyre dhe me humbje për popullin e Iranit. Këtë, të theksojmë në artikull, nuk duhet ta lejojë populli iranian. Që t’ia arrijë kësaj, ai duhet të përmbysë nga themelet pushtetin e vjetër dhe të krijojë organet e reja të pushtetit, të përgatitë kushtetutën e tij të re, e cila nuk duhet të ketë asgjë të huajtur nga e ashtuquajtura demokraci borgjeze. Në çështjen e organizimit të pushtetit, populli Iranian, nuk duhet të lejojë feudo- borgjezinë, të infiltrohet në institucionet e tij, por t’i marrë këto vetë në dorë, duke vendosur përfaqësuesit e tij nga më besnikët, që të kryejnë reforma të mëdha e të vërteta shoqërore dhe ekonomike.
Pjesën në të cilën do të tërheqim vëmendjen se si duhet kuptuar teza e Leninit që revolucionit t’i shkohet deri në fund, ta shtjellojmë duke bërë të qartë se në revolucionin proletar nuk mund të shkohet me sot e me nesër. Forcat progresiste duhet të fitojnë hap pas hapi terren, pozita të shëndosha demokratike e përparimtare kundër të gjithë elementëve reaksionarë, sidomos kundër mbeturinave të feudalizmit prapanik të së kaluarës që do t’i rezistojnë revolucionit. Mund të theksohet në artikull edhe fakti që populli iranian t’i ketë mirë parasysh pozitën strategjike të vendit të tij dhe të gjitha mjetet që ka në duar për mbrojtjen e fitoreve të revolucionit. Midis tyre, nafta është arma më e fortë në duart e tij, pse dihet që kush ka naftën në Iran, ka forcën, prandaj klasa punëtore të mos lejojë askënd që këtë armë të fuqishme t’ia rrëmbejnë nga duart. Gjatë gjithë revolucionit iranian, sidomos katër muajt e fundit, nafta tronditi dhe vazhdon ta tronditë botën kapitaliste.
Prandaj të theksojmë që populli i Iranit duhet të bëhet i ndërgjegjshëm për ta mbajtur fort në dorë këtë armë, të mos ketë frikë as nga amerikanët, as nga sovjetikët, as nga koalicionet e tjera, të mos ketë frikë nga izolimi dhe ta mbrojë me vendosmëri këtë pasuri. Një vend në revolucion që ka një armë të tillë në dorë si nafta, që ka një popull kaq kurajoz, që rrëzoi një botë të vjetër e të kalbur, siç ishte perandoria e dinastia e Pahlevëve, për të ndërtuar një jetë të re, duke shfrytëzuar si duhet me mençuri e zgjuarsi koniunkturat, duke pasur kurdoherë parasysh interesat e atdheut të tij dhe interesat e popujve të tjerë të botës, që luftojnë për liri, është në gjendje t’u rezistojë të gjithë armiqve. Populli iranian, mund të themi, duhet të mendojë se lufta e tij ndihmon edhe luftën e çlirimit të të gjithë popujve. Për këtë ne, shqiptarët, kemi një respekt jashtëzakonisht të madh dhe përulemi përpara të rënëve heroikë që luftuan nëpër rrugët e qyteteve iraniane e dhanë jetën për këtë fitore.
Të përmendim në artikull edhe komunistët marksistë-leninistë dhe revolucionarët e vërtetë. Këta, të themi, duhet të jenë në ballë të luftës dhe të mos jenë as sektarë, as oportunistë në këto momente, në asnjë rast të mos bëjnë lojën e atyre që me një mijë dredhi do të përpiqen të gënjejnë popullin, të pengojnë reformat radikale dhe t’u shërbejnë superfuqive, nën çdo maskë që të paraqiten. Përpara ngulmimit e vendosmërisë së popullit, për të fituar të drejtat e tij, monarkia, perandoria e Pahlevëve dhe kasta e lartë e ushtarakëve, pavarësisht se u mbështetën nga imperializmi amerikan dhe nga social-imperializmi sovjetik, nuk qëndruan dot, u rrëzuan. Në këtë kryengritje popullore kasta ushtarake, qen rojë e Shahut të Iranit, e majmur nga dollarët amerikanë, nuk mundi ta ruante unitetin e ushtrisë, sepse djemtë e popullit nuk i shkuan pas. Forca kryesore në çdo ushtri, të vihet në dukje, janë djemtë e popullit, prandaj ushtria e re në Iran, duhet të jetë një ushtri demokratike. Njerëzit përparimtarë që do të vihen në krye të saj, të mos lejojnë që të penetrojnë në radhët e saj elementë të kastës reaksionare ushtarake, që do të përpiqet t’i çojë djemtë e popullit për të vrarë popullin. Të thuhet se edhe në Revolucionin Demokratike- Borgjez të Francës, sankylotët nxorën nga gjiri komandantë të shquar dhe e vunë përpara ushtrinë e mbretërve, të aristokracisë e të feudalizmit francez. Ky moment, mund të themi, është shumë karakteristik edhe për kohët e sotme, kur armët janë bërë tmerri i botës, por varet kush i ka këto armë në dorë dhe kundër kujt i drejton.
E MËRKURE 14 SHKURT 1979
TEZA TË REJA PËR ARTIKULLIN MBI NGJARJET NE IRAN
I thashë shokut Ramiz, që në artikullin që do të botohet për Iranin, kur të flitet për masat e gjera të popullit që dolën me miliona në rrugë dhe ngritën krye kundër Shahut dhe padronit të tij, imperializmit, bënë revolucion, nuk është keq të citohen pjesë nga artikulli që kemi shkruar 10-11 vjet më pare, në prag të pushtimit të Çekosllovakisë nga social-imperialistët sovjetikë. Një kjo. E dyta, i thashë të dalë mirë në pah, se; revolucioni, nuk bëhet pa dhunë. Ja, në Iran qindra dhe mijëra njerëz u vranë nëpër rrugë nga bandat e Shahut. Atje revolucioni fitoi, po ai u fitua me gjak. Pastaj shpreha mendimin që disa çështje në artikull duhet t’i shoqërojmë me pjesë të marra nga libri ‘Imperializmi dhe revolucioni’.
Partia jonë, ka mbrojtur tezat e rëndësishme të marksizëm-leninizmit që revolucioni fitohet me dhunë, që revolucioni është sot në rendin e ditës, që shumë klika të brendshme janë në shërbim të imperializmit dhe, po nuk u luftuan ato, nuk mund të luftohet me sukses kundër imperializmit. Ngjarjet e Iranit e vërtetojnë drejtësinë e këtyre tezave dhe të theksohet se, kështu siç ndodhi në Iran, do të ndodhë edhe në vendet e tjera. Gjithashtu, në këtë artikull, të dalë mirë në dukje fakti që klasa punëtore, mori armët në dorë dhe doli në rrugë, u hodh në luftë, bojkotoi administratën e Shahut dhe, duke qëndruar në ballë të luftës së popullit Iranian për të shpëtuar nga shfrytëzimi i egër i Shahut dhe i imperialistëve të huaj, tronditi imperializmin amerikan dhe gjithë botën kapitaliste perëndimore. Klasa punëtore iraniane, me luftën që bëri e rolin që luajti në këtë revolucion demokratik, antifeudal e antiimperialist, i tregoi botës se ajo është e vetmja forcë shoqërore, së cilës i takon e ardhmja.
Në artikull duhet të theksohet se në bazë të mësimeve të Leninit, e vetmja klasë që duhet ta udhëheqë revolucionin është klasa punëtore. Kryengritja e popullit të Iranit, e udhëhequr nga klasa punëtore, vërteton të kundërtën e predikimeve borgjezo-revizioniste për rolin e kësaj klase në revolucion. Ishte pikërisht klasa punëtore iraniane, që e tronditi në themel botën e kalbur borgjeze, veçse ajo duhet të jetë vigjilente që të mos e shkelin përsëri në kurriz. Ashtu siç ngjau në Iran, do të ngjasë në të gjitha vendet e tjera të ashtuquajtura të pavarura e demokratike, qofshin mbretëri apo republikë, ku në kurriz të popujve sundon borgjezia e madhe shtypëse, e lidhur kokë e këmbë me të huajt. Pra, me këtë artikull t’u japim një shpjegim plotësues tezave të Partisë sonë të shprehura në dokumente të ndryshme të saj. Porsa të dalë, porosita që këtë artikull ta transmetojnë menjëherë me radio, sepse revolucioni i popullit iranian kundër monarkisë dhe imperializmit është një ngjarje me rëndësi të madhe botërore.
E ENJTE 15 SHKURT 1979
DISA MENDIME MBI NGJARJET NE IRAN DHE GJENDJEN AKTUALE
Revolucioni antiimperialist i popullit iranian, do të lërë mbresa të mëdha jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në të gjithë botën, veçanërisht në botën imperialiste, kapitalisto-revizioniste. Siç kam shkruar edhe më përpara, ky ishte një revolucion popullor antifeudal e antiimperialist, me tiparet e një revolucioni demokratiko-borgjez. Karakterin popullor atij, ia jep pjesëmarrja shumë e gjerë në të e masave punonjëse të qytetit e të fshatit, punëtorë të naftës e të degëve të tjera të ekonomisë, fshatarë të varfër, rini studenteske, elementë përparimtarë të inteligjencies, politikanë demokratë-borgjezë, udhëheqës të sektit shiit, ushtarë, bij të popullit. Por, nëse ai do të shndërrohet në një revolucion të vërtetë demokratiko- borgjez, për këtë, mendoj unë, duhet pritur, sepse varet nga reformat që duhet e që do të bëhen pas fitores së tij, sidomos nga zbatimi i një reforme të thellë agrare, e cila t’ua kthejë tokën e grabitur atyre që e punojnë, fshatarëve iranianë, nga reforma të tjera që t’i sigurojnë popullit liri të vërteta demokratike dhe të vazhdohet pa kompromis lufta kundër ndikimit dhe ndërhyrjes së imperializmit, të çdo ngjyre që të jetë, në punët e brendshme të Iranit.
Këtë do të na e tregojë koha. Populli iranian ishte lënë në errësirë, në prapambetje, veçanërisht fshati, ku latifondistët e mëdhenj bënin ligjin mesjetar. Edhe ai pseudo-modernizim industrial që shihej ndër qytete, sidomos në kryeqytet dhe në qytetet e tjera kryesore, si Ispahani etj., ishte një industrializim i sforcuar, i krijuar nga inflacioni i madh i petro-dollarit, që nuk e kishte nxjerrë popullin punonjës iranian nga varfëria dhe nga mizerja. Klasa punëtore iraniane, e shtypur dhe e shfrytëzuar, është me të vërtetë një klasë heroike; vetë populli iranian është një popull i zgjuar, me kulturë të lashtë e të shumanshme, nga gjiri i të cilit kanë dalë njerëz të mëdhenj, por shfrytëzuesit imperialistë anglezë dhe më vonë ata amerikanë, kanë vepruar së bashku në mënyrë të atillë që ai të lihej në prapambetje dhe pasuritë e Iranit të kalonin në pronësinë e tyre, tokat e nëntoka me të gjitha pasuritë e saj, pra i gjithë Irani të bëhej pronë e kapitalizmit botëror.
Këtu, shoqëritë e mëdha të naftës, që nga ato zë, amerikane, holandeze etj., kishin në Iran njerëzit e tyre, kuadro e specialistë të lartë dhe të mesëm, kurse klasa punëtore iraniane ishte lënë në atë gradë sa zor që nga radhët e saj të dilnin njerëz të kualifikuar që të drejtonin prodhimin në fabrikat, uzinat, rafineritë. Ata që kishin arritur të bëheshin drejtues të tillë dhe ishin dërguar nëpër shkolla, ishin njerëz të zgjedhur vetëm nga borgjezia, e cila ishte majmur dhe korruptuar në kulm, tok me Shahun. Në gjendjen në të cilën ishin katandisur “përparimi e zhvillimi” në Iran, arsimi dhe kultura ishin mbuluar nga një mjegull e dendur, për të mos thënë se nuk ekzistonin fare. Kultura zhvillohej me një avashllëk të madh dhe ishte deformuar në mënyrë të tillë, që t’i mbante masat të shtypura nën regjimin e autokratëve. Natyrisht, në këtë mes kanë luajtur rol të madh, përfaqësuesit reaksionarë të fees që bënin punën e tyre obskurantiste, që në kohën e dinastisë së Haxharëve e, të Pahlevëve.
Për frenimin e zhvillimit të ndërgjegjes së popullit për çlirimin nacional nga zgjedha e okupatorëve imperialistë, ata ndërhynë veçanërisht në superstrukturë, pra, edhe në art e në kulturë. Arti dhe kultura e lashtë persiane ishin injoruar, kishin humbur, dhe në artin e në kulturën iraniane dominonte filozofia islame e imamëve. Tash xhamitë, nuk ishin më edhe shtëpi kulture, siç ishin në kohën e Sadiut e të Firdusiut, ku, përveç riteve fetare, zhvilloheshin edhe debate filozofike, debate mbi astronominë, mbi matematikën dhe mbi gjendjen sociale të njerëzve. Jo. Tani ato kishin të njëjtin funksion si ato të Perandorisë Osmane, shërbenin vetëm për t’iu falur Muhamedit dhe zotit, pasardhësve të Muhamedit, imam Aliut, imam Hysenit dhe imamëve të tjerë. Kjo gjendje rëndonte shumë mbi masat e popullit, por me kohë shtypja u thellua; nafta, kjo pasuri e madhe e nëntokës së Iranit, u bë një armë e mprehtë në duart e imperialistëve dhe në duart e Shahut e të sheikëve, të cilët, të pangopur për pasuri, luanin me fatin e me pasuritë e popullit, në favor të perandorisë dhe të ushtrisë shtypëse që ata krijonin.
Kështu që shahu i Iranit ishte nga pasanikët më të mëdhenj në botë. Ushtria iraniane, për nga armatimi e nga fuqia e zjarrit, numërohej si e katërta në botë. Por gjeneralët dhe oficerët madhorë të kësaj ushtrie përbënin një klikë të korruptuar, mbrojtëse të pasurive të panumërta të shahut dhe të pasuesve të tij. Midis kësaj klike oficerësh dhe ushtarëve, bijve të popullit, ekzistonte një hendek i madh. Këtë ushtri, siç thashë, të katërtën në botë e të armatosur me armët më të sofistikuara, revolucioni popullor antiimperialist i popullit të Iranit e bëri të pavlefshme. Kështu ushtria e shahut nuk mundi të luante atë rol që i kishin vënë si detyrë shahu dhe padroni i tij, imperializmi amerikan. Pra, kjo shtypje, kjo pakënaqësi e shtrirë mbi tërë masat e popullit, u konkretizua, u vërtetua kalimi nga sasia në cilësi dhe momentet më të përshtatshme, objektive e subjektive, u gjendën pikërisht nga ana e popullit, nga ana e punëtorëve, gjë që çoi në revoltën e popullit kundër shahut dhe kundër imperializmit amerikan e imperialistëve të tjerë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016