NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e tridhjetë e pestë
-VRASJA E PARALAJMËRUAR E NJË KLERIKU RILINDËS –
Memorie.al / Përpara se të fillojmë të analizojmë përciptazi dosjen hetimore e gjyqësore në ngarkim të pandehurit Shtjefën Kurti e të tjerë, për lexuesin do të bëjmë një parantezë të të drejtës dhe historisë se saj në shoqërinë njerëzore, me qëllimin e përqendruar për të ardhur tek e drejta jonë penale e procedurale, që në fillimet e saj dhe përgjatë viteve të diktaturës.
Një rishqyrtim i gjykimit të parë, për të kuptuar gjyqin e dytë
Vendimi i gjyqësor
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPЁRISЁ
GJYKATA E RRETHIT KRUJЁ
Nr.54 i vendimit
Dt. 30/7/1971
NR.46 i aktit
I pandehuri Shtjefёn Kurti, megjithёse ka pranuar akuzёn kundёr tij, tё bёrё nga i pandehuri Mark (Bardhok) Marku, se nё vitin 1967, i pandehuri i ka thёnё se: “vidhni djersёn tuaj dhe se me vjedhur, nuk ёshtё gjynah”, u shpreh me rezervё, duke thёnё se: e dёgjova qё po bisedohej çёshtja e vjedhjeve, por nuk mё kujtohet te kem thёnё atёhere kёtё fjalё, por meqё po thonё kёta, po e pranoj”. Gjykata çmon se pretendimi i tё pandehurit, duhet tё rrёzohet pёr shkak se u provua e kundёrta e pretendimeve të tij, me anё tё dёshmisё sё Luigj Vates, si dhe mё gjithё veprimet e mёvoshme tё cilat, i ka kryer i pandehuri, derisa arrin të bёjë thirrje pёr tё vjedhur, qё tё shkatёrrohet kooperativa. Ёshte pikёrisht kjo linjё qё ndoqi i pandehuri Shtjefёn, gjatё veprimtarisë armiqёsore pёr minimin e kooperativёs.
Gjatё gjykimit tё çёshtjes’ u provua se i pandehuri Ndue Leti, qё nga viti 1962 deri ditёn e arrestimit, herё pas herё vetё, e nё bashkёpunim me persona tё tjerё, ka pёrvetёsuar nga prodhimet, pronёsi e kooperativёs bujqёsore.
I pandehuri Ndue nё bashkёpunim me tё pandehurin Pjetёr Biba, ka vjedhur 700 kg. misёr me vlerё 1.680 lekё, nё bashkёpunim me tё pandehurin Pjetёr Biba e Mark (Bardhok) Marku, 300 kg. misёr me vlerёn 720 lekё, nё bashkёpunim me tё pandehurin Mark Bardhok Marku, 200 kg. misёr me vlerё 480 lekё, nё bashkëpunim me tё pandehurin Fran Noci, 700 kg. me vlerёn 1.680 lekë, veç kёtyre ka pёrvetёsuar 310 kg. misёr, 90 kg. grurё me vlerё 1.014 lekё, 116 lekё nga ujimi i mullirit, si dhe 12 copё thasё me vlerё 60 lekë. Në kёtё mёnyre u provua se i pandehuri Ndue Leti, ka pёrvetёsuar vetёm ose nё bashkёpunim nё 14 raste, pasurinё e kooperativёs nё shumёn prej 5.750 lekё. Nё kёto rrethana, i pandehuri ka kryer krimin e parashikuar nga neni 80/1 i K. Penal. Vepra e tё pandehurit provohet me pohimet e tij, tё cilat pёrputhen me ato tё: Pjetër Biba, Mark Bardhok Marku e Fran Noci, e me thёniet e dёshmitarёve: Bajram Cafi, Gjoka Nika, Pashk Miri, Like Hyseni, nё proçes-vebalin e kontrollit tё banesёs, si dhe dokumentin nё datё 28/11/1960.
Gjatё gjykimit tё çёshtjes, u provua se i pandehuri Pjetёr Biba e Ndue Leti, prej kohёsh dhe gjatё viteve 1968 dhe 1969, kanё luajtur bixhoz, duke kryer krimin e parashikuar nga neni 285/2 i Kodit Penal. Vepra e tё pandehurve provohet me pohimet e tyre, si dhe me atribuimet e bёra nga i pandehuri Mark Bardhok Marku si dhe me thёniet nё hetuesi, tё dёshmitarit Dodë Miri.
Gjatё gjykimit tё çёshtjes u vёrtetua qё tё pandehurit kanё zhvilluar veprimtarinё kriminale pёr njё kohё tё gjatё nё mёnyrё tё vazhdueshme e sistematike. Kjo veprimtari ka ardhur duke u rritur, si pёrsa i pёrket volumit, ashtu dhe numrit tё personave tё implikuar nё krim. U provua gjithashtu se 5 nga 7 tё pandehur, fillimisht degjeneruan moralisht, duke kryer krimin e vjedhjes, 2 nga kёto edhe tё bixhozit edhe pastaj pёrfunduan nё parazitё, janё njerёz tё pakёnaqur, e nё fund armiq tё pushtetit popullor.
Duke u frymёzuar nga ndjenja qё, tё vidhet me çdo kusht nё çdo rast e me cilindo që mund të degjenerojë nё kёtё anё. Tё pandehurit kanё implikuar nё krim njё rrjedhё tё gjerё personash, i pandehuri Mark Bardhok Marku, ka vepruar me 8 grupe, i pandehuri Pjetër e Ndue Leti, me nga 5 grupe, i pandehuri Fran Ndoci, ka vepruar nё 3 grupe, i pandehuri Zef Nishi, ka vepruar me 2 grupe, pёrmes tё cilave kanё dёmtuar rëndё ndёrgjegjen e shumё njerёzve dhe pasurinë socialiste. Njё veprimtari me njё pjesёmarrje tё tille dhe synimi i tё pandehurve Shtjefёn Kurti dhe Mark Bardhok Marku, Pjetёr Biba, Agustin Preçi, Fran Ndoci e Zef Nishi, qё mё veprёn e tyre tё arrijnё qё tё zvogёlohen tё ardhurat nё kooperativё, tё rritet pakёnaqёsia e masave deri nё atё shkallё, sa tё ngrihen nё revoltё pёr shkatёrrimin e kooperativёs bujqёsore edhe zhvendosjen e rendit tё pёrmendur e tё urryer kapitalist, e bёn tё theksuar rrezikshmёrinё e veprёs sё tyre.
Tё pandehurit duke qenё nё pozita armiqёsore kundёr pushtetit popullor, u larguan plotёsisht nga realiteti ynё socialist dhe çdo gjё filluan ta shofin pёrsёprapthi. Ata harruan gjëndjen e mjeruar tё fshatarit gurzak nё tё kaluarёn, harruan se kush livadhiste para çlirimit nё tokat e Gurëzit, harruan se çfarë uji pinin gurëzakёt, se ç’pёsonin nga lumi Mat, harruan kasollet me gardh e baltё, harruan se mё parё nё Gurëz askush nuk kujdesej pёr lartёsimin kultural, as pёr sёmundjet e gurëzakёve. Atyre argjinatura e Matit, kanalet e mёdhenj sistemues e kullues e vaditёs, shkollat fillore e 8 vjeçare nё çdo lagje tё Gurëzit, qendra mjekesore, uji i nxjerrë nga thellësia e tokës, dritat elektrike, radiot gati në çdo shtëpi, objektet e tjera, social-kulturore, ndёrtesat ekonomike si stalla, koçekё, etj.
Nё vend qё ta krijonin bindjen mbi superioritetin pёrkundrazi krijuan urrejtjen. Ndёrsa populli gurëzak me djersёn e mundin e tij ndёrtonte vepra tё tilla qё kanё lulёzuar fshatin, pёrkundrazi tё pandehur tё tillё, si: Mark Bardhok Marku, Agustin Preçi dhe Fran Ndoci, thurnin plane si t’u vejnё zjarrin e si tё helmonin popullin etj. Edhe uji dhe dritat qё solli pushteti popullor nё Gurëz, prodhoi helme dhe u verboi sytё kёtyre tё pandehurve. Ata nё vend qё tё tёrhiqeshin pёrpara kёtij realiteti, u futёn thellё e mё thellё dhe arrjnё tё guxojnё tё ngrejnё dorёn kundёr pushtetin popullor qё ёshtё pjellё e gjakut tё 28 mijё dёshmorёve dhe fitorja mё e madhe qё ka arritur populli ynё nё historinё e tij.
Tё pandehurit janё me origjinё:
Shtjefёn Kurti tregtar i pasur, Fran Ndoci, fshatar tё mesёm; ndёrsa Mark Bardhok Marku, Agustin Preçi, Pjetёr Biba e Ndue Leti, me origjinё tё varfёr tё pёrfituar nga reforma agrare, kёto dy tё fundit tё pёrjashtuar nga partia. Me gjithё pёrberjen e mirё tё disa tё pandehurve, ata degjeneruan duke tradhёtuar interesat e klasёs prej nga erdhёn edhe u kthyen ne shёrbyes tё klasave tё rrёzuara njёherё e pёrgjithmonё. Ata ranё nё ketё gjëndje nёn ndikimin e presionit tё ideologjisё sё huaj kapitalisto-revizioniste, qё e linin nёpermes dёgjimit e komentit të radiostacioneve tё huaja, si dhe nёpёrmjet influencёs sё madhe tё fanatizmes fetare tё stёrholluar e tё zhvilluar me mjeshtёri nga i pandehuri Shtjefёn Kurti, klerik katolik, me predispoziocion tё madh armiqёsor. I pandehuri Shtjefёn duke qenё armik i besuar i pushtetit popullor dhe besnik e vegёl e klasave tё rrёzuara dhe i Vatikanit, u bё frymёzuesi shpirtёror, nxitёs e organizuesi kryesor i kёsaj veprimtarie.
Ai nuk mёsoi nga pёsimi i paraardhёsve tё tij, ai nuk mёsoi as nga pёsimi i vet. Në vitin 1947, i pandehuri Shtjefёn, ngriti dorё kundёr pushtetit, prandaj edhe Gjykata Ushtarake e Tiranёs, mё vendimin Nr.162 datë 17/4/1947, e dёnoi për krime kundёr shtetit nё bashkёpunim me grupin tradhёtar tё Sami Qelibashit, me 20 vjet heqje lirie, duke shpresuar sё nё fund edhe ky i pandehur do tё reflektonte mbi tё vёrtetёn. Pёrkundrazi i pandehuri Shtjefёn, posa u lirua nga dera e burgut e shkeli nё tokёn e Gurёzit, nuk vonoi tё vjellё vrerё kundrejt pushtetit tё popullit dhe i hyri nxitjes dhe organizimit tё njё vepre tё tillё kundёr revolucionare, siç ёshte ngritja e popullit kundёr kooperativёs sё vet. Duke vepruar nё kёtё mёnyrё, ai tregoi edhe një herё mbi konseguencёn e tij nё veprimtarinё armiqёsore. Ai megjithёse nё gjyq pranoi fajёsinё, ka humbur shpresёn mё tё vogёl tё rehabilimitit.
I pandehuri Mark (Bardhok) Marku, ka zhvilluar agjitacion e propaganda nё njё rreth tё gjerё pёrsonash me gjithё tё pandehurit, pёr njё periudhё tё gjatё qe nga viti 1964, ka vjedhur sistematikisht nё shuma tё mёdha pёr njё kohё tё gjatё e me njё rreth tё gjerё pёrsonash, ka sobotuar ekonominё me anё tё vjedhjeve dhe dëmtimeve, ёshte implikuar nё 8 grupe përvetёsuesish dhe ka numrin mё tё madh tё episodёve, periudhёn mё tё gjatё dhe rrethin e personave më të gjerё, me tё cilёt ka vepruar. Ai nga ana tjetёr rrjedh nga njё familje me origjinё fshatare tё varfёr, qё ka pёrfituar nga reforma agrare, ёshte autodidakt, me moshё mesatare dhe nё gjyq ka mbajtur qёndrim pendues dhe ka kontribuar nё zbulimin e zbёrthimin e veprimtarisë sё tij dhe tё pandehurve tё tjerё. Megjithatё rrezikshmëria e tё pandehurit dhe veprёs sё tij, ёshtё e madhe duke parё gjerёsinё, rrethin dhe vazhdimёsinё e kёsaj veprimtarie.
I pandehuri Agustin Preçi, veprimtarinё propogandistike kundёr pushtetit popullor, e ka zhvilluar pёr njё periudhё tё gjatё nga viti 1964, ndёrsa aktiviteti sabotonjёs, e ka kryer atё me anё tё dёmtimeve gjatё kryerjes sё punёve tё ndryshme nё kooperativё. Ish – mёsues, nё ngritje mesatare kulturale, me moshё tё re, por me njё rol tё posaçёm nё grup. Rrjedh nga origjnё fshatar i varfёr, i pёrfituar nga Reforma Agrare, ka pranuar fajёsinë para gjykatёs dhe tregohet i penduar, ёshtё i sёmurё, ka njё dajё tё dёnuar pёr krime kundёr shtetit.
I pandehuri Fran Ndoci, ka zhvilluar agjitacion e propagandё armiqёsore kundёr pushtetit popullor qё nga viti 1964. Ka bёrё herё pas herё pёrvetёsime nё pasurinё socialiste. Veprёn sabotuese e ka bёrё edhe me anёn e dёmtimit tё pasurisё gjatё kryerjes sё punimeve. Rrjedh nga njё familje me origjinё e mesme, ka arsim 7 vjeçar dhe me moshё tё re. Nё gjyq nuk ka pranuar pёrsa i takon sabotimit.
I pandehuri Pjetёr Biba, ka filluar agjitacionin dhe propagandёn qё nga viti 1964. Veprimtarinё sabotuese e ka kryer me anё tё pёrvetёsimeve sistematike nё shuma tё mёdha nё bashkёpunim. Rrjedh nga njё shtresё e varfёr, i pёrfituar nga Reforma Agrare, ёshtё element dembel e bixhozxhi, me arsim autodidakt dhe pa ndonjё zhvillim kultural, me moshё tё pjekur, i pёrjashtuar nga partia. Para gjykatёs u tregua i penduar dhe pranoi fajёsinё.
I pandehuri Zef Nishi, veprimtarinё armiqёsore e ka filluar nё vitin 1969, si agjitacionin e propagandёn ashtu edhe veprёn e sabotimit. Gjatё vitit 1969 ka pёrvetёsuar pasurinё socialiste nё shuma tё mёdha, nё grup dhe nё mёnyrё sistematike. Rrjedh nga njё familje me origjinё tё mesme fshatare, me arsim 7 vjeçar, me moshё mesatare. Nё gjyq ka pranuar fajёsinё edhe ёshtё i penduar.
I penduari Ndue Leti, ka zhvilluar agjitacion e propagandё nga viti 1964 dhe ka pёrvetёsuar pasurinё socialiste nё shuma tё mёdha nё bashkёpunim. Akuzёn e agjitacionit e propagandёs nuk e ka pranuar. Ёshtё me arsim fillor tё pambaruar, me moshё tё pjekur, i pёrjashtuar nga partia.
Gjykata, pёrveç kёtyre nё caktimin e masёs sё dёnimit ka patur parasysh dhe rrethana tё tjera tё cilat, kanё influencuar nё zhvillimin e kёsaj veprimtarie, siç janё mbeturinat e sё kaluarёs tё cilat i ka ushqyer rrethimi kapitalist revizionist dhe i ka nxitur elementi armik i betuar, siç janё ndjenja e pronёs paraziteriste, dёshira pёr tё jetuar me djersёn e tjetrit. Nё zhvillimin e kёsaj veprimtarie, ka influencuar dhe mungesa e vigjilencёs, vёnia e njerёzve nё vende me pёrgjegjёsi materiale ku ruhen vlera materiale pa i kontrolluar nё mёnyrё sistematike, si dhe shkeljet e rёnda nё zbatimin e rregullave tё caktuara pёr administrimin e vlerave materiale.
Duke patur parasysh gjithё kёto, trupi gjykues i mbёshtetur nё nenet 278, 279 tё K.PR.P.
V E N D O S I:
1-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Shtjefёn Kurti, pёr krimin e sabotimit dhe nё bazё tё nenit 72-12 e 42 gёrma “a” të K.P e dёnon me vdekje me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisё.
-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Shtjefёn Kurti, pёr krimin e agjitacionit dhe propagandёs dhe nё bazё tё nenit 73/1 të K.P. e dёnon me 10 vjet heqje lirie.
– Nё bazё tё nenit 27,28 te K.P. e dёnon me heqje tё tё drejtave elektorale pёr 5 vjet.
Pёrfundimisht nё bazё tё nenit 48 te K.P. e dёnon me vdekje me pushkatim, me konfiskim tё pasurisё dhe nё bazё tё neneve 27, 28 te K.P., me heqjen e tё drejtave elektorale pёr 5 vjet.
2-Tё deklarohet fajtor i pandehuri Mark (Bardhok) Marku, pёr krimin e sabotimit dhe nё bazё tё nenit nenit 72/12 tё K.P., e dёnon me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskimin e pasurisё.
-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Mark (Bardhok) Marku, pёr krimin e agjitacionit dhe propagandёs dhe nё bazё tё nenit 72/1 te K.P., e dёnon me 6 vjet heqje lirie .
-Nё bazё tё nenit 27, 28 te K.P., e dёnon me heqje tё tё drejtave elektorale pёr 3 vjet.
Pёrfundimisht, nё bazё tё nenit 48 tё K.P., e dёnon me 18 (tetёmbedhjetё) vjet heqje tё lirisё, me konfiskimin e pasurisё dhe heqjen e tё drejtave elektorale pёr 3 vjet.
3-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Agustin Preçi, pёr krimin e sabotimit dhe nё bazё tё nenit 72/12 tё K.P., e dёnon me 12 vjet heqje lirie dhe konfisikim tё pasurisё.
-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Agustin Preçi, pёr krimin e agjitacionit dhe propagandёs dhe nё bazё tё nenit 73/1 tё K. Penal, e dёnon me 8 vjet heqje lirie.
– Nё bazё tё nenit 27, 28 tё K.P., e dёnon me heqjen e tё drejtave elektorale pёr 3 vjet.
Pёrfundimisht nё bazё tё nenit 48 te K.P., e dёnon me 13 vjet heqje lirie, me konfiskimin e pasurisё e heqjen e tё drejtave elektorale pёr 3 vjet.
4-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Pjetёr Biba, pёr krimin e sabotimit dhe nё bazё tё nenit 72/12 te K.P., e dёnon me 12 vjet heqje lirie, nё konfiskimin e pasurisё.
-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Pjetёr Biba, pёr krimin e agjitacionit e propagandёs dhe nё bazё tё nenit 73 tё K.P., e dёnon me 5 vjet heqje lirie.
-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Pjetёr Biba, pёr krimin e bixhozit dhe nё bazё tё nenit 285/2 te K.P., e dёnon me 6 muaj heqje lirie.
– Nё bazё tё nenit 27, 28 tё K.P.e dёnon me heqjen e tё drejtave elektorale pёr 3 vjet.
Pёrfundimisht nё bazё tё nenit 48 tё K.P., e dёnon me 14 vjet heqje lirie, me konfiskimin e pasurisё dhe heqjen e tё drejtave elektorale pёr 3 vjet.
5-Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Zef Nishi, pёr krimin e sabotimit dhe nё bazё tё nenit 72/12 te K.P., e dёnon me 12 vjet heqje lirie e me konfiskim tё pasurisё.
– Tё deklarojё fajtor tё pandehurin Zef Nishi, pёr krimin e agjitacionit dhe propagandёs dhe nё bazё tё nenit 73/1 tё K.P., e dёnon me 4 vjet heqje lirie.
– Nё bazё tё nenit 27, 28 tё K.P., e dёnon me heqjen e tё drejtave elektorale pёr 3 vjet.
Pёrfundimisht nё bazё tё nenit 48 tё K.P., e dёnon tё pandehurin Zef Nishi, me 12 vjet heqje lirie, me konfiskimin e pasurisё dhe heqjen e tё drejtave elektorale pёr 3 vjet.
Gjykatë apo bandë terroriste ?!
Gjykimet penale në vendin tonë, përgjatë kohës së Diktaturës, pasqyronin karakteristikat e formës së qeverisjes dhe shtetit të Diktaturës se Proletariatit. Gjykata është pasaporta e një shteti, ai nuk mund të ketë një fytyrë më të mirë se sa Drejtësia e tij. Që në organizimet e hershme, nuk kanë munguar përpjekjet e personaliteteve të pushtetshëm të kohës, për t’u kujdesur për Drejtësinë e tyre. Duke qenë se në vendin tonë ka munguar tradita shtetërore, përgjatë gjithë historisë ajo është zëvendësuar me Të Drejtën Zakonore, apo siç quhet Kanuni, lashtësia e tij, është ende edhe sot një debat i pashtruara, por që të gjithë bien dakord se është shumë shekullor, shumë më përpara se koha e personalitetit që mban emrin e tij.
Ligji i lashtë zakonor shqiptarë, ani pse i pashkruar, zbatohej me një rigorozitet të mahnitshëm, pa një forcë shtrënguese, por në mënyrë vetë operuese. Kështu ka funksionuar për shekuj me radhë dhe si për paradoks, ai u mblodh dhe u botua në vitet e para të formimit të shtetit shqiptarë, nga i përndrituri At Shtjefën Gjeçovi, miku i të dënuarit me vdekje, me pushkatim nga vendimi i mësipërm i gjykatës (apo më mirë Bandës së Krujës).
Dënimi me vdekje në Kanunin e Lekës, por edhe të Skëndërbeut, apo të Labërisë, ishte një sanksion jashtëzakonisht i rrallë, përjashtimisht për krime shumë të rënda. Do të rrotullohej në varr Leka, Skëndërbeu dhe hartuesit e Labërisë së Kanunit të tyre, nëse do ti vinim përpara vendimin e kësaj gjykate të shtetit shqiptarë, të dhënë shumë shekuj pas tyre, paradoksalisht pikërisht aty, në atë fshat ku Titanët tanë, kishin shpartalluar Ushtrinë më të madhe e të fuqishme të kohës, është fjala për Betejën e Fushës së Kuqe, apo Albulenës. Ata do të lemeriteshin! Ata do të ngriheshin prej varrit dhe do të na vinin lugat mbi ne, kur të merrnin vesh se një gjykatë e shtetit shqiptarë, ka dënuar me vdekje me pushkatim një Prift Rilindas 73 vjeç, vetëm e vetëm për mendimet e tija të ndryshme nga pushteti dhe Paria e vendit!
Ah se harrova, edhe se disa mjeranë, nuk kanë prashitur mirë ca bimë misri, krim për të cilin u dënuan me 72 vjet burgim të tmerrshëm! Pastaj do të na mohonin, kur të merrnin vesh se asnjëri prej atyre terroristëve që thërriteshin gjyqtarë, nuk ka mbajtur përgjegjësi për atë mënyrë. Madje as falje të kërkuar nuk kanë denjuar të bëjnë, përveç njërit prej tyre! Pastaj nuk e di se çfarë do të kishin bërë kur të dëgjonin se ai vendim, është lënë në fuqi nga Gjykata më e Naltë e vendit të tyre! Jo vetëm kaq, por se kanë mbërritur në majat tanimë demokratike të Drejtësisë!
Të drejtat e njeriut, nuk njiheshin as për qytetarët që pre-supozoheshin se ishin të lirë, pa bërë fjalë për shtetasit e marrë të pandehur, të cilët trajtoheshin si kafshë, nëpër dhomat e paraburgimit, por edhe më pas dënimit të tyre. Dhuna ndaj të pandehurve, por edhe më pas, pavarësisht se nga ana formale ligjore nuk lejohej, ushtrohej në mënyrë sistematike nga hetues dhe prokurorë. Hetimi dhe gjykimi vinin në shkelje të tërësisë së parimeve të një hetimi, apo gjykimi normal, parime këto të vendosura si standard gjykimi që në civilizimet e hershme si në atë Helen, Romak, në Kodet Penale Franceze, Italiane etj., sigurisht duke përjashtuar Mesjetën, si një periudhë e errët e shoqërisë njerëzore. Shkelja e parimit të Prezumimit të Pafajësisë, deri në një vendim të formës së prerë, nuk është ndonjë shpikje moderne, por një parim i lashtë, i zbatuar me rigorozitet në të gjitha qytetërimet e lartpërmendura.
Ky parim i rëndësishëm as që përmendej në ligjet procedurale penale të kohës së diktaturës dhe për pasojë konsiderohej si një parim i huaj, i cili nuk kishte vend në të drejtën tonë. Gjithashtu e drejta e mbrojtjes, është një parim i vendosur që me lindjen e të drejtës dhe heqja me “ligj” e saj, e shndërrojë gjykimin në vendin tonë si një shpendi që i këput njërin krah dhe i thua fluturo tani, se kështu dua unë! Për të mos folur më tej për barazinë e armëve në një proces, etj., etj.
Sigurisht që Gjykata e rrethit Krujë, gjatë procesit të këtij shqyrtimi gjyqësor, i cili as emrin nuk mund ta kishte të tillë, pasi nuk ishte më i mirë se sa një proces inkuizicioni të Mesjetës do të kishte për produkt atë Vendim të turpshëm, kriminal, me akuza të sajuara dhe të montuara jashtë çdo logjike juridike.
Për të dhënë një vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj dhe fakte të provuara gjyqësisht, gjykata paraprakisht duhet të evidentojë faktin se për të pasur një figurë konkrete të veprës penale, është e domosdoshme ekzistenca e të gjithë elementëve përbërës të saj të marra së bashku, të cilët janë: a) objekti i veprës penale; b) ana objektive; c) subjekti dhe ç) ana subjektive. Provueshmëria e elementëve objektive dhe subjektive të figurës së veprës penale, shërben si bazë për të vënë një person përpara përgjegjësisë penale. Gjithashtu, vepra penale paraqet në vetvete një unitet të të gjithë elementëve të figurës së saj. Ajo konsiderohet e kryer në mënyrë të plotë atëherë kur ekzistojnë të katër elementët e saj: objekti, ana objektive, subjekti dhe ana subjektive.
Nëse mungon njëri prej këtyre elementëve, vepra penale nuk ekziston. Prandaj, në çështjen konkrete, gjykata, duhej të verifikonte, ekzistencën e të gjithë elementëve të veprës penale dhe të figurës së saj në veçanti, në mënyrë të identifikuar për secilin të pandehur. Figura e veprës penale, pasqyron formën juridike të veprës penale, ndërsa për sa i përket rastit konkret, mund të themi se nuk jemi në mënyrë absolute, përpara asnjë elementi të veprës penale të Sabotimit, si dhe as vjedhjes në përpjesëtime të mëdha, por vetëm të asaj të thjeshtë që ashtu siç thamë më lartë, dispozita parashikuese e saj, parashikonte një dënim në maksimum prej pesë vitesh heqje lirie.
Për kualifikimin ligjor të veprës është e rëndësishme përveç identifikimit të elementëve që përmendem më lartë, detyrimisht kërkohet të vërtetohet pasoja e ardhur nga veprimet e kundra-ligjshme të të gjykuarve, si element i anës objektive të veprës penale, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, si standard i të provuarit.
Gjykata para se të disponojë me dënimin penal, duhet të ketë parasysh parimet dhe kriteret e përgjithshme të caktimit të dënimit. Gjykata thekson se legjislacioni penal ka për detyrë të mbrojë vlera të rëndësishme të tilla si, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë minimale të tij, etj. Për sa i përket qëllimit (ratio), të dënimit penal, sigurisht që ai duhet të përmbush dy funksione të ndryshme, të lidhura në një unitet me njëra tjetrën, të cilat mund të konsiderohen si edukative, pikë së pari për vetë të dënuarin nga njëra anë dhe nga ana tjetër qëndron funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale, pasi kërcënimi se shteti do të zbatojë sanksione penale sa herë që shtetasit do të kryejnë veprime të dënueshme nga legjislacioni penal, funksionon si një mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar cilindo nga shtetasit që të ndërmarrë veprime që bien në kundërshtim me normat penale.
Nga ana tjetër qëndron funksioni i parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale. Parë në këtë vështrim dënimi kapital del përtej këtyre funksioneve, por edhe dënimet e rënda di proporcionale, si të rastit konkret, vijnë në kundërshtim me këtë metodologji të dhënies së vendimit dhe karakterit edukues të tij. Vendime të tilla, si i Gjykatës së Krujës, nuk bëjnë gjë tjetër përveçse ngjallin terror, si në kohën e Inkuizicionit. Sanksioni penal i cilësdo natyre duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore.
Në këtë mënyrë, që të mund të ketë një proces riedukativ të suksesshëm, duhet që ndëshkimi penal të perceptohet nga autori i veprës si i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën e kryer. Karakteri i drejtë i një dënimi lidhet me përputhjen e tij me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe të autorit të saj, por nga ana tjetër edhe të respektimit të dinjitetit njerëzor, të një baraspeshimi mes rëndësisë së masës ndëshkuese dhe rëndësisë së veprës penale, të parashikuar nga ligji.
Është shumë i rëndësishëm fakti se gjykata duhet të vlerësoje se dënimi penal është rezultat i vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale nga njëra anë dhe shkallës së fajit të autorit të saj nga ana tjetër, por ky detyrim as që merret në konsideratë gjatë gjykimit të të pandehurve, nga Gjykata e Krujës. Sigurisht që në këtë rast duhet theksuar se përcaktimi i veprave penale dhe llojeve të dënimeve janë në diskrecion të ligjvënësit, ashtu siç i ka vlerësuar ai, pa marrë parasysh se sanksionet, sidomos për veprat penale kundër shtetit janë drakoniane, nga ana tjetër individualizimi i tyre, rast pas rasti, është në diskrecion dhe njëkohësisht në detyrim të gjykatës, e cila duke shqyrtuar gjithë elementët juridikë të veprës penale, shkallën e fajit dhe pasojat e ardhura nga vepra penale, cakton llojin dhe masën e dënimit për autorët e veprave penale, por duke zbatuar urdhrat e pushtetit, si në rastin tonë, gjykata shndërrohet në një bandë terroriste që dënimet i jep sipas porosive! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016