Nga Elsa Demo
Memorie.al / Duke kërkuar në dosjet e gjysmës së parë të shekullit të XX-të, dokumente arkivorë në Arkivit Qendror të Shtetit, për një figurë që kishte patur rol të rëndësishëm si intelektual dhe diplomat kësaj kohe, emri i tij ndeshej dhe brenda kapakëve ku ruhet korrespondenca e At Gjergj Fishtës, nga viti 1931, deri në fund të jetës. Zarfi i kreut mban brenda dy letra, që kleriku françeskan ia pat dërguar Benito Mussolinit dhe më vonë po të njëjtit njeri të pushtetshëm, kreut të fashizmit të vetëquajtur Duçe. Letra e parë niset nga Livorno në vitin 1934.
Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme, të cilën po e botojmë për herë të parë të përkthyer, duke u munduar ta sjellim në një variant geg. Fakti që e bën me interes botimin e kësaj letre, është kërkesa e Fishtës (1871-1940), nisur nga pozitat e shkrimtarit dhe klerikut. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, ai i kërkon Mussolinit, që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë Urdhri Françeskan, as Provinca e Fishtës. Dhe të ardhurat nga shitja e veprës, t’i kalojnë kësaj province.
Deri në atë kohë, dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë krijimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsiston në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës, ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada, Molieri etj.. Benito Mussolini, njeriu që shpalli i pari idetë fashiste, do të angazhonte qysh me bërjen publike të këtyre ideve, intelektualë, artistë e shkrimtarë të njohur italianë. Ishte e njohur lakmia e tij si shkrimtar dhe gazetar.
Në fillimet kishte punuar si redaktor i gazetës socialiste milaneze “Avanti” dhe në vitin 1915, krijoi gazetën e tij “Populli i Italisë”. Pra kishte një karrierë si gazetar dhe nisi të zhvillojë idetë që u bënë njohura si Fashizëm, deri në mars 1919, kur krijoi Partinë Kombëtare Fashiste. Mesi i viteve ’30-të, është i begatë për popullaritetin që fiton mes italianëve. E para gjë që e bëri hero italian Mussolinini, duke i dhënë jehonë emrit dhe rolit të tij në arenën ndërkombëtare, ishte konflikti në zonën kufitare ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Ai nisi në këtë zonë përfaqësinë e tij në Komisionin Ndërkombëtar dhe në gusht 1923, të gjithë italianët u gjetën të vrarë në territorin grek.
Kujtojmë se në këtë hark kohor të viteve ’30-të, At Gjergj Fishta ndodhej në Itali, pasi përndiqej nga regjimi i Mbretit Zog. Në letrën e 27 prillit të vitit 1940, e cila ashtu si e para mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, ai i drejtohet nga Roma tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për Prof. Gino Bottiglioni-n, i Universitetit të Bolonjës, që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – e ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë.
“Qendra jonë e Studimeve Shqiptare, do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës, ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur”, për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Dosja e korrespondencës së Fishtës, përmban vetëm letrat që ai ka dërguar dhe nuk mund të thuhet nëse këto dy kërkesa-lutje morën ndonjëherë përgjigje të drejtpërdrejtë, nga kreu i fashizmit.
Letra e tretë është ndoshta më me interes se dy të parat, pasi arsye për lutje drejtuar Françesko Jakomonit, Mëkëmbësit të Mbretit italian të shqiptarëve, Viktor Emanuelit, është shpëtimi nga vala e holokaustit në prag, albanologun Norbert Jokl. Ky themelues i albanologjisë moderne, profesor në Universitetin e Vjenës, kishte botuar tashmë “Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” dhe “Kërkime gjuhësore – kulturo-historike nga fusha e shqipes”. Kishte lidhje të ngushta me intelektualë shqiptarë të asaj kohe Faik Konicën, Aleksandër Xhuvanin, Ernest Koliqin dhe Gjergj Fishtën.
Thuhet se në vitin 1937, kishte vizituar një herë të vetme Shqipërinë, ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, u nderua me çmimin “Urdhni i Skënderbeut”. Dhe tani nën terrorin e Hitlerit, Shqipëria shihej si vend i shpëtimit të tij, për shkak të origjinës hebreje. Për këtë dihet që intelektualët shqiptarë, bënë të pamundurën ta ndihmonin. Në tetor 1941, Ernest Koliqi i ishte drejtuar me një letër konsullit shqiptar, Nikollë Rrota në Vjenë, ku e njoftonte se kishte angazhuar profesor Joklin, si organizator të bibliotekave të Shqipërisë, me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Albanologu mendonte të shkonte në Shqipëri e, të merrte me vete edhe bibliotekën e tij personale.
Nga letra e Fishtës mësojmë se Shqipëria ishte vërtet vendi që u tregua i gatshëm ta strehonte, por Jokl-i kërkonte të nisej drejt Amerikës. Letra drejtuar Jakomonit, e nisur nga Shkodra, është e datës 23 shtator 1939. Shqipëria ishte pushtuar në 7 prill 1939 nga Italia fashiste. Në 12 prill, Viktor Emanueli III u shpall Mbret i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe Francesco Jacomoni (ish-ambasador i Italisë në Shqipëri), u bë Mëkëmbës i tij, me të cilin qeveria e re shqiptare nën drejtimin e Shefqet bej Vërlacit, nënshkroi një sërë marrëveshjesh. Kjo ishte situata në vend kur kërkohej shpëtimi i Jokl-it. Fundi është tragjik. Ky njeri u arrestua nga Gestapo në 4 mars 1942, në banesën e tij Vjenë. Po ky vit shënohet si vit i vdekjes së albanologut.
Letra e Fishtës për Benito Mussolinin
Livorno 10 korrik 1934
12 Via delle Galera
Shkëlqesisë së tij
Benito Musolini, kryetar i së Ndritmes qeveri Mbretnore t’Italisë, Romë
Shkëlqesi, në periudhën e gjatë prej dyzet vjetsh veprimtariet fetare e kulturale në Shqipni, kush ju shkruen ka prodhue një vepër letrare në gjuhën shqipe, qi e ndame simas natyrës të formës e të llojeve të ndryshme të argumenteve të trajtueme, do t’përfshihej në shtatë volume, në format gjashtëmbëdhjetsh – gjashtë në vargje e nji në prozë – me nji mesatare prej 300 faqesh sejcila. I shkuem në moshë siç jam, due me gjithë zemër, me e pa të rishtypme kët vepër, në nji botim homogjen e t’paraqitshëm.
As Urdhni Françeskan, as Provinca jeme, nuk i kanë tash për tash mjetet për kët qëllim. Me besim pra, i drejtohem Shkëlqesisë tuej, duke iu lutun që kjo e Ndritme Qeveri Mbretnore e Italisë, me bujarinë e saj të naltë, mirësisht t’më akordojë t’ardhunat e nevojshme për rishtypjen e kësaj vepre teme letrare. Vepra do t’shtypej n’Itali e, mund të dorëzohet brenda tetë muajsh. Meqenëse në kët mënyrë çmimi i veprës mund të ulej, ajo do të mund të shpërndahej ma gjanësisht ndër popullin shqiptar.
T’gjitha të ardhurat materiale që mund të rrjedhin nga ky botim, do t’i derdheshin ekskluzivisht Provincës Françeskane t’Shqypnisë, qi kaq nevojë ka për ndihmë. Si françeskanët, ashtu edhe intelektualët e Shqypnisë, do të ruanin në kujtim të përjetshëm kët bujari kaq të naltë, që me besim unë ia lus të ndritmes qeveri Mbretnore t’Italisë.
Ndërsa ju shkruej, Shkëlqesisë Tuej
Ju falenderoj
At Gjergj Fishta
Lettore Giubilato e definitore della Provincia d’Albania
Letra drejtuar Francesco Jacomonit
Shkodër, 23 shtator 1939
XVII
Shkëlqesisë së tij, Françesko Jakomonit, Mëkëmbësit Tiranë
Shkëlqesi
Duke marrë parasysh se më i miri filolog i gjallë i gjuhës shqipe në Evropë, është profesor Norbert Jokl, me kombësi hebreje, i cili para Aushvicit ishte bibliotekan i Universitetit të Vjenës dhe profesor i Filologjisë në të njëjtin universitet, tani më shkruajnë nga Vjena, se autoritetet lokale kanë njoftuar për këtë albanolog të shquar, të largohet brenda 30 ditëve nga territori i Rajhut.
Ai është tashmë i pamartuar dhe me një fat të përulur. Për këtë, natyrisht, duhet bërë më e mira, për t’i gjetur një vënd, kudo qoftë, sa për të jetuar. Duket se dëshiron të transferohet në Amerikë.
Shkëlqesi, pa dyshim që do të ishte një fatkeqësi e rëndë për gjuhën kombëtare shqiptare, që ky dijetar, me famë evropiane – të cilin unë e njoh mirë dhe që me autoritetin e padiskutueshëm, ka mbajtur ngjall interesin e më të shquarve filologë për gjuhën shqipe – që ta lërë Evropën nga zori!
Gjithë kombi shqiptar, do t’ju ishte borxhli pamasë, nëse V. E., do mundej të gjente shtegun, për ta sjellë në Shqipëri, për t’i atribuar, një detyrë, megjithëse jo fort të shpërblyer, në krahasim me famën e tij si shkencëtar dhe filolog fisnik.
Me bindje të plotë se do ta gjykoni me interesim të njerëzishëm këtë propozim timin – që unë e ndiej për ta çuar përpara, në emër të gjithë intelektualëve shqiptarë, gjej këtë rast për t’Ju lutur të pranoni ndjenjat e stimës sime më të vërtetë dhe mirënjohjes së thellë./ Memorie.al
Besimtar i devotshëm
At Gjergj Fishta