Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa ngjarje me dëshmi dhe fakte të panjohura nga historia e shumë përfolur të ashtuquajturit “Grupi komplotist çam” që u inskenua nga Sigurimi i Shtetit me në krye ministrin e Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu, në vitin 1960, i cili zbatoi lojën e këshilltarëve sovjetik, që insistonin për një “Grup komplotist” të lidhur me fije spiunazhi me Asfalinë Greke dhe UDB-në Jugosllave, që sipas tyre synonte të rrëzonte regjimin komunist në Shqipëri, me ndihmën e Flotës së VI-të Amerikane që ishte në Mesdhe. Përse e miratoi Enver Hoxha goditjen e atij grupi me në krye Teme Sejkon dhe çfarë kanë dëshmuar lidhur me këtë, ish-nënkryetari i Gjykatës së Lartë, nënkolonel, Mustafa Qilimi, oficeri i Lartë i Sigurimit të Shtetit, Strati Papai dhe avokati i atij gjyqi, Koço Dilo, i cili mes të tjerash ka treguar edhe për dëshmitarin kryesor të atij gjyqi, shtetasin grek, Kosta Fili, që në këmbim të pranimit se ishte “agjent grek dhe ndërlidhës me grupin e Teme Sejkos”, iu premtua liria, por vuajti plot 25 vjet në burgun e Burrelit dhe u riatdhesua në vitin 1986…?!
Përse e krijuan sovjetikët legjendën me “grupin komplotist çam” të Teme Sejkos?
Sipas disa dëshmive, historia e “Grupit komplotist çam” të kryesuar nga Kundëradmirali i Flotës Luftarake Detare, Teme Sejko, e ka zanafillën diku nga pranvera e vitit 1960, kur marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik po vinin duke u acaruar gjithnjë e më shumë dhe po shkonin drejt ndërprerjes edhe të marrëdhënieve diplomatike. Në këtë kohë, këshilltarët sovjetikë të KGB-së që ishin pranë Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, krijuan një legjendë, sikur në Shqipëri vepronte një grup armiqësor që ishte i lidhur me fije spiunazhi me Zbulimin Grek dhe atë Amerikan, të cilët kishin si qëllim përgatitjen e një komploti për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Gjë e cila sipas tyre do të realizohej me anë të një grushti shteti nga brenda dhe do të mbështetej nga Flota e VI-të Amerikane që vepronte në Mesdhe. Sipas legjendës të krijuar prej këshilltarëve sovjetikë, ky “grup armiqësor” që përbëhej nga disa persona me origjinë nga zona jugore e vendit, në kufi me Greqinë, kryesohej nga një oficer i lartë i Ushtrisë Shqiptare që mbante gradën e kolonelit. Po kështu sovjetikët thonin se ai kolonel, ishte fjala për Teme Sejkon, merrte mesazhe nga zbulimi grek për të gjithë veprimtarinë se si do të vepronte grupi i kryesuar prej tij. Pra, faktin se gjoja një oficer i lartë i Ushtrisë Shqiptare ishte i lidhur me Zbulimin Grek, sovjetikët ia kishin thënë fillimisht Kadri Hazbiut, nga fundi i vitit 1959 apo fillimi i vitit 1960-të, kur kishte filluar një krisje në marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe bashkimit Sovjetik. E gjithë kjo lojë apo legjendë që u sajua nga sovjetikët, kishte për qëllim që t’ju thoshte udhëheqjes së lartë shqiptare me në krye Enver Hoxhën, se: Shqipëria rrezikohej nga një sulm eventual i amerikanëve, me anë të Flotës së VI-të që vepronte në Mesdhe, e cila do invadonte nëpërmjet Greqisë. Sipas kësaj, nënteksti apo mesazhi i sovjetikëve ishte më se i qartë: “Enver Hoxha duhet t’i vinte gishtin kokës për rrezikun që i kanosej Shqipërisë dhe i vetmi shpëtim ishte, mbajtja e sovjetikëve në bazën e Pasha-Limanit”. Pra e gjithë loja dhe legjenda e krijuar nga sovjetikët, që gjoja në Shqipëri vepronte një “grup agjenturor armiqësor” që ishte i lidhur me Zbulimin Grek dhe atë Amerikan, synonte për të trembur Enver Hoxhën. Ky plan i sovjetikëve u pranua nga Kadri Hazbiu, sepse me “zbulimin e goditjen e atij grupi armiqësor”, njëkohësisht do të dilte në pah forca e Sigurimit të Shtetit dhe ai, Kadri Hazbiu, që ishte në krye të Sigurimit, do të merrte një “merita” të madhe duke u konsideruar si “shpëtimtar i vendit nga planet djallëzorë dhe synimet e amerikanëve që donin të rrëzonin me forcën e armëve pushtetin popullor në Shqipërinë komuniste”.
Përse u eliminua gjeneral-major Hilmi Seiti?
Pasi Kadri Hazbiu e pranoi planin e këshilltarëve sovjetikë, për legjendën e “grupit komplotist” ai thirri në zyrën e tij, Drejtorin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës, gjeneral-major Hilmi Seitin, të cilët i kërkoi që të merrte përsipër planin e tyre, duke pranuar se ishte “koka e komplotit”. Pasi Hilmi Seiti nuk e pranoi, atë e eliminuan fizikisht duke e helmuar, gjë e cila është e konfirmuar nga disa burime të besueshme që në kohën që ndodhi ajo në 26 prillin e vitit 1960. Eliminimi fizik i tij u bë pasi loja e kurdisur nga këshilltarët sovjetikë dhe Kadri Hazbiu, rrezikohej të dështonte, duke qenë se ishte dekonspiruar si plan, për të cilin kishte dijeni një person me funksion të lartë si Seiti, që nuk kishte pranuar të behej pjesë e tij. Në praktikën e shërbimeve të fshehta të vendeve komuniste, (sipas shkollës ruse të KGB-së e themeluar në vitin 1918 nga Felix Dzerzhinsky),kjo nuk mund të ndodhte kurrsesi dhe personi që kishte dijeni për atë plan dhe nuk pranonte ta zbatonte, eliminohej me mënyra të ndryshme dhe shpallej sikur kishte rënë në krye të detyrës. Kështu u veprua edhe me Hilmi Seitin. Pas kësaj, kjo gjë iu ngarkua Kundër admiralit të Flotës Luftarake-Detare, gjeneral-major Teme Sejkos, e cila vazhdoi me goditjen e “Grupit komplotist çam”, kjo bëri që sovjetikët ta shtynin edhe për disa kohë qëndrimin e tyre në Shqipëri.
Përse Enveri miratoi goditjen e “komplotit çam”?
Pasi plani për rekrutimin e Hilmi Seitit, dështoi, këshilltarët sovjetikë me Ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiun, vendosën që t’ia ngarkonin, gjeneral-major Teme Sejkos, i cili ishte personi me origjinë çame, që asokohe mbante detyrën më të lartë në Shqipëri. Por ndryshe nga si ishte vepruar me gjeneral Hilmi Seitin, Teme Sejkos do t’i kërkohej, pra “kreu i komplotit”, pasi ai të ishte arrestuar, në mënyrë që të mos përsëritej gabimi i bërë me gjeneral Seitin. Para se të vihej në zbatim ky plan, ministri Hazbiu shkoi vetë tek Enver Hoxha që po pushonte në vilën e tij në malin e Dajtit dhe ia raportoi atij gojarisht si të vërtetë të gjithë legjendën e krijuar, duke i thënë se kishte zbuluar një grup komplotist të kryesuar nga vëllezërit Teme e Taho Sejko dhe disa persona të tjerë me origjinë nga Çamëria. (Gjë e cila shihet edhe nga relacioni tepër sekret i datës 24 mars 1961, Dosja 278, i zbuluar në Arkivin e Ministrisë së Brendshme) Pasi Enver Hoxha e dëgjoi më vëmendje ministrin Hazbiu për të gjitha ato që ai i raportoi, ai i dha atij miratimin për goditjen dhe arrestimin e pjesëtarëve të atij grupi, duke filluar nga “krerët” kryesorë si: Teme Sejko, gjeneral-major dhe Kundëradmiral i Flotës Luftarake-Detare, Taho Sejko, (vëllai i Temes, ish-funksionar në Kontrollin e Planit të Shtetit dhe redaksinë e gazetës, “Zëri i Popullit” që ishte shkarkuar pas Konferencës së Tiranës të vitit 1956 dhe që punonte si Drejtor në Parkun e Automjeteve të Shkodrës, Tahir Demi, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nënkolonel Avdul Resuli, Kryetar I Degës Ushtarake të Rekrutimit të Tiranës, etj. Pra faktin se Kadri Hazbiu, shkoi dhe i serviri Enverit, ekzistencën e “grupit komplotist çam”, e ka pranuar vetë Enveri dhe ajo është e njohur për publikun e gjerë nga një dokumentar i shfaqur disa herë në disa kanale televizive, në të cilin bëhet fjalë për Plenumin e tetorit të vitit 1982, kur Enver Hoxha po godiste Kadri Hazbiun. Po kështu ai fakt është i njohur edhe nga një libër me kujtime i Enverit (Për Organet e Punëve të Brendshme) i botuar po atë vit.
Arrestimet e “komplotistëve çam”
Pas miratimit që i bëri Enver Hoxha planit të Kadri Hazbiut, për goditjen e “grupit armiqësor çam”, filluan menjëherë arrestimet në masë. Ministri Hazbiu në bashkëpunim me Hetuesinë dhe Prokurorinë e Përgjithshme që asokohe vareshin nga Ministria e Brendshme, kishte marrë të gjitha masat për arrestimet e të gjithë pjesëtarëve të atij “komploti” duke dërguar nëpër të gjitha Degët e Brendshme të rretheve të ndryshme, të gjitha listat e personave që do të arrestoheshin. Përgatitjet ishin bërë deri në atë shkallë saqë ishin caktuar edhe makinat që do të transportonin të arrestuarit dhe qelitë e nevojshme ku do të izoloheshin ata. Përveç “krerëve kryesorë të komplotit” si Teme dhe Taho Sejko, Tahir Demi, Avdul Resuli, Jonuz Purizio, Adem Osmani, Hajri Mane, Sami Murati, Ali Xhelo Arapi, Hasan Mero, Gani Tartari, Ali Goxhaj, numri i të arrestuarve dhe të ndaluarve fillimisht shkoi në rreth 367 persona, gjë e cila korrespondon edhe me dokumentet që ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Kështu, përveç Grupit të Tiranës ku ndodheshin Teme Sejko, Avdul Resuli, etj., arrestimet u shtrinë edhe në Shkodër me Taho Sejkon e Spiro Rexhon (“korrier i Tahos”) dhe vazhduan më tej më “Grupin e Konispolit” të kryesuar nga Ali Xhelo, “Grupin e Mursisë” të kryesuar nga Kostandin Petro Vaso, “Grupin e Shalësit” të kryesuar nga Rexhep Selimi, “Grupi i Grave-Karroq” i kryesuar nga Vangjel Xhomaka dhe Ziso Biraçi, “Grupi Hoxhë-Sopik-Haderaga-Pandelejmon” i kryesuar nga Kiço Sotiri dhe Ilia Gjyzeli, “Grupi i pesë të rinjve” në Vervë, me në krye Xhemal Balin (27-vjeçar), “Grupi i Minoritetit Dropull-Gjirokastër” i kryesuar nga Pandeli Varezi dhe Dr. Aleksandër Kalivopulli, “Grupi i Leskovik-Devoll” i kryesuar nga Jani Zoga dhe Musa Çeliku, etj., etj. Po kështu arrestime të shumta me persona të akuzuar si pjesëtar të “komplotit çam” pati edhe në Përmet, Leskovik, Pogradec, Elbasan, Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, gjeneral-major Nevzat Haznedari, që udhëhiqte arrestimet, duke parë numrin e madh të të arrestuarve, kishte marrë masa paraprake sipas planit të përgatitur më parë. Kështu duke mos pasur makina të vogla për arrestimet, që më parë ishin përgatitur automjete tip “Zis” të ndarë si koshere bletësh dhe ishin boshatisur të gjitha hetuesitë e Tiranës e ato të rretheve, ku numri i “bokseve” në makinat e ndara, do të korrespondonte me numrin e qelive ku do dërgoheshin të arrestuarit sipas planit dhe listave të parapërgatitura e përpiluara nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në të gjitha rrethet ku pati arrestime, ato drejtoheshin nga sekretarët e parë të Komiteteve të Partive dhe Kryetarët e Degëve të Brendshme, të cilët ishin kokat e drejtimit të operacionit që drejtohej nga Tirana nëpërmjet Kadri Hazbiut, Beqir Ballukut, Rita Markos, Halim Xhelos, Nevzat Haznedarit dhe Rexhep Kollit.
Dëshmia: Taho Sejko tentoi vetëvrasjen në qeli
Duke filluar nga “Krerët e Komplotit” si Teme dhe Taho Sejko, Tahir Demi, Avdul Resuli e të gjithë të tjerët, akuzat ishin të njëjta: “Grup armiqësor të lidhur me zbulimet greke të Asfalisë, dhe CIA-n Amerikane, si dhe me zbulimet e huaja të disa shteteve perëndimore, që kishin si qëllim përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri dhe instalimin këtu të klasave të përmbysura”. Kadri Hazbiu me këshilltarët sovjetikë të KGB-së dhe vartësit e tij që kishin inskenuar procesin e “Komplotit çam”, në periudhën e hetimeve përdorën të gjitha metodat që të arrestuarit të pranonin akuzat dhe të dëshmonin në gjyq atë ç’ka atyre do t’u servirej. Në përfundim të hetimeve nga “Kokat e Komplotit” nuk fliste vetëm Taho Sejko, ndaj të cilit u përdorën të gjitha torturat dhe u ndërruan disa hetues, deri tek i fundit, Ferhat Matohiti të cilit Taho i ka deklaruar: ”Nuk e pranoj akuzën, nuk kam qenë kurrë spiun, nuk i kam dhënë asnjë rrjeti agjenturor informata sekrete. Organet e sigurimit të Shtetit si në 1946 dhe tani do mbështeten në gënjeshtra kundër meje”. Duke mos i duruar torturat dhe presionet, thuhet nga disa dëshmie, se Taho tentoi të bëjë vetëvrasje duke i rënë murit me kokë dhe nga kjo goditje ai pati dëmtime. Duke parë shkatërrimin e plotë nervor të Tahos, i cili nuk komandonte më veten, atë nuk e nxorën fare në gjyq, duke veçuar çështjen e tij. Sa më sipër konfirmohet edhe nga dosja hetimore ndaj Taho Sejkos dhe disa dëshmive që kemi marrë së bashku me të birin e tij, Hektor Sejko, pas një pune të gjatë investigative që kemi bërë tek persona që kishin dijeni apo lidhje pune me atë ngjarje, si dhe të tjerë shokë e miq të afërt të Tahos dhe familjes së tij, të cilët edhe sot e kësaj dite ende nuk kanë një përgjigje të saktë se ç’ndodhi me Tahoi Sejkon dhe ku mund të ndodhen eshtrat e tij?!
Dëshmia: Teme Sejko u mbajt pesë ditë në arkivol
Edhe pse nën tortura fizike dhe psikologjike, Teme Sejko për një kohë të gjatë nuk e pranoi lojën që bëhej “për hir të interesave të larta të Partisë dhe atdheut” për të qenë ai “koka e komplotit”. Lidhur me këtë Strati Papai ish eksponent i lartë i Sigurimit të Shtetit, në atë kohë i dënuar në burg politik, ka dëshmuar: ”Temja është mbajtur për pesë ditë me radhë i mbyllur në një arkivol, ditën e pestë ka ardhur në hetuesi (Burgu 313) Mehmet Shehu, që ishte njeriu që e ka dashur më shumë Temen që nga koha kur e kishte partizan në Brigadën e Parë Sulmuese dhe i ka mbushur atij mendjen që të pranonte të ishte “koka e komplotit” për hir të interesave të larta të atdheut si detyrë Partie. Teme Sejko e pranoi atë gjë vetëm mbasi Mehmet Shehu i doli atij garant se pas gjyqit, ai bashkë me familjen do të jetonte në cilindo shtet të botës që do të kërkonte, duke pasur garanci të plotë nga qeveria shqiptare. Pak ditë para zhvillimit të gjyqit të famshëm, shkarkohet nga detyra nënkryetari i Gjykatës së Lartë Mustafa Qilimi, pa asnjë motivacion dhe kur ai ankohet për këtë te Rita Marko që asokohe mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit, ai i thotë:”Je shok i Tahir Demit e Taho Sejkos dhe po të donim ose po të duam, mund të arrestojmë”. Kurse Ministri i Drejtësisë Bilbil Klosi i thotë në kofidencë Mustafa Qilimit:”Taho po tregohet burrë me karakter dhe trim”.
“Komplotistët” para gjyqit të popullit!
Më 16 maj 1961 në kinemanë e Brigadave në Tiranë u hap gjyqi kundër “komplotistëve” ku trupi gjykues përbëhej nga një këshill gjyqësor i posaçëm i Gjykatës së Lartë i caktuar me dekret të posaçëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, i kryesuar nga Shuaip Panariti, kryetar i Gjykatës së Lartë dhe anëtar: gjeneral-major Muharrem Kokomani, kolonel Sotir Spiro, kolonel Bejto Isufi dhe nënkolonel Hilmi Telegrafi. Akuzën kundër të pandehurve e mbronte Prokurori i Përgjithshëm, Aranit Çela.
Zhvillimit të atij gjyqi i ishte bërë një propagandë e madhe që disa ditë më parë nga Radio-Tirana dhe të gjitha organet e shtypit, si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” etj., dhe ajo gjë vazhdoi edhe gjithashtu gjatë zhvillimit të gjithë seancave gjyqësore të cilat regjistroheshin e jepeshin edhe për publikun që ishte jashtë sallës, me anë të altoparlantëve, ndërsa të pranishmit në sallën e gjyqit ishin njerëz të zgjedhur që më parë dhe të pajisur me ftesa, ku dominonin ushtarakë me grada të larta dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit.
Akuza e prokurorit, Aranit Çela
Në fjalën e tij, midis të tjerash Prokurori Aranit Çela akuzoi të pandehurit, si: “Agjentë të Asfalisë Greke të rekrutuar prej saj që në vitet ’30-të e në vazhdim kur ata janë rekrutuar dhe nga Zbulimi Amerikan, të cilët kanë hyrë në lidhje me Haki Rushitin, agjent i vjetër i qarqeve shoviniste greke, dezertor i Luftës Nacionalçlirimtare, major i milicisë fashiste dhe bashkëpunëtor i ngushtë i nazistëve gjermanë e agjent i regjur i imperializmit amerikan dhe me Panajot Plakun, tradhtar i poshtër i popullit dhe partisë, agjent i vjetër i revizionistëve jugosllavë dhe i maskuar në parti për vite me radhë. Të pandehurit duke shfrytëzuar postet e larta që mbanin, kanë mbledhur informata me karakter sekret shtetëror dhe nëpërmjet dy të pandehurve Hasan Mero e Novruz Beljeri, ushtarak të Drejtorisë së Kundërzbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, i kanë çuar ato tek Haki Rushiti e Panajot Plaku, të cilët janë agjentë të Asfalisë greke, zbulimit amerikan e UDB–së jugosllave, dhe bashkëpunojnë ngushtë me Drejtorin e Zbulimit Grek, Kosta Diandopullos, e kolonelin amerikan Stefan”.
Shtetas grek, Kosta Fili, dëshmitar në gjyq
Dëshmitari Vangjel Kosta Zaho, si i pandehur deklaroi në gjyq se ai është anëtar i Komitetit Qendror të organizatës së Vorio-epirit dhe ka marrë pjesë në një mbledhje që është bërë në Greqi në vitin 1957 nga “Qeva” dhe të deleguar nga qeveria greke kanë marrë pjesë gjeneralët Boçaris dhe Nuova dhe një farë Kosta Dhima i ardhur nga SHBA. Në këtë mbledhje është diskutuar organizimi i një ndërhyrje të armatosur në Shqipëri. Një nga dëshmitarët e tjerë të këtij gjyqi, ishte shtetasi grek i quajtur Kosta Fili, i cili deklaroi në sallën e gjyqit:”Unë kam qenë pjesëtar aktiv i Zbulimit Amerikan e Grek, dhe kam hyrë disa herë në Shqipëri me misione sekrete, dhe disa herë në krye të bandave të diversantëve si oficer i Zbulimit Grek për të marrë kontakte me agjentë të ndryshëm tanët që vepronin këtu në lidhje me kryengritjen e armatosur”.
Të gjitha akuzat që ju bënë të pandehurve në gjyq, u pranuan të gjitha nga ata, ashtu siç dhe u ishte kërkuar me anë të dhunës fizike dhe psikologjike gjatë procesit hetimor ku ndaj tyre janë përdorur tortura çnjerëzore. Kur atyre ju bëhej pyetje në lidhje me “veprimtarinë e tyre agjenturore”, ata flisnin dhe për gjëra të tjera që nuk ishin pyetur, derisa detyrohej Prokurori e ndërhynte: ”I pandehur, për ato gjëra do të pyesim më vonë”.
Lidhur “me pranimin e të gjitha akuzave” nga ana e të pandehurve, në një koment politik të Radio-Beogradit të atyre ditëve, midis të tjerave thuhej:”Është rast i pa preçendet në historinë botërore të Jurisprudencës, ku të pandehurit e avokatët e tyre, nuk mbrojnë veten, por akuzën”. Mustafa Qilimi ish nënkryetari i Gjykatës së Lartë lidhur me falsitetin e këtij gjyqi na ka dëshmuar publikisht në shtyp, duke thënë:”Kryetari i gjyqit, Shuaip Panariti, ishte një njeri naiv dhe ai dremiste (flinte) gjatë seancave. Në një moment, pasi kishte dremitur, për të treguar se ishte duke ndjekur me vëmendje deponimet e të pandehurve, i drejtohet me një pyetje Teme Sejkos, i cili i përgjigjet: Shoku prokuror, do të dalë më vonë aty”.
Kush ishte në të vërtetë “agjenti” grek, Kosta Fili?
Ndërsa lidhur me dëshmitarin Kosta Fili, i cili hiqej si “agjent i Zbulimit Amerikan e Asfalisë greke dhe ndërlidhës i tyre me Teme Sejkon”, na ka dëshmuar publikisht në shtyp edhe Koço Dilo, një nga avokatët e famshëm të këtij gjyqi, i cili midis të tjerash tregonte: ”Dëshmitari Kosta Fili, ishte një njeri me aftësi të kufizuara (nga ana e shëndetit mendor), dhe ai kishte punuar si çirak tek një afendiko grek, diku në periferi të Athinës. Aq ngushtë ia kishte sjellë ai afendikoit të tij, sa për ta hequr qafe, sajoi një lojë sikur kishte fshehur një teneqe me flori diku në Qafën e Muzinës dhe duke ia treguar vendin në një hartë të vogël, i kërkoi që Kosta të shkonte dhe ta merrte, pasi atë do ta ndanin bashkë. Kosta pranoi dhe pasi kaloi kufirin grek, u kap nga rojet kufitare shqiptare dhe gjatë procesit hetimor, atë e përgatitën që të pranonte se ishte “agjent grek dhe ndërlidhës me grupin e Teme Sejkos”, duke i premtuar se do ta lironin dhe do ta kthenin përsëri në Greqi së bashku me “teneqenë e floririt” që Sigurimi i Shtetit, “kishte gjetur” në Qafën e Muzinës”. Por edhe pse Kosta Fili e zbatoi deri në një detyrën që i’u ngarkua nga Sigurimi i Shtetit duke pranuar se ishte “agjent grek”, ai jo vetëm që nuk u lirua ashtu siç i kishin premtuar, por u dënua me 25 vjet burg, të cilat i vuajti të gjitha në burgun e Burrelit, nga ku u lirua diku nga viti 1986 dhe pasi e mbajtën disa ditë në Hotel-Turizmin e qytetit sa iu përgatit pasaporta, e riatdhesuan në Greqi, ku ai ka jetuar deri para disa vjetësh diku në periferi të Janinës. Përveç dëshmive të disa ish-të burgosurve politikë që e kanë njohur nga afër “agjentin” Kosta Fili, për atë fatkeq që u shfrytëzua nga Sigurimi i Shtetit, ka shkruar gjatë në librin e tij me titull, “Rrëfimet e punëtorit operativ të burgut të Burrelit”, edhe Pirro Nuredini, ish-punëtor operativ i atij burgu, i cili ka qenë dhe personi i fundit që e ka takuar para riatdhesimit në lokalin e Hotel-Turizmit të Burrelit ku atë e kishin akomoduar./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016