Memorie.al, ekskluzivisht po publikon reportazhin e gazetarit amerikan Joshua Yaffa, i cili është korrespondenti i të së përditshmes amerikane “The New Yorker” në Moskë. Në këtë reportazh Yaffa, ka përshkruar me hollësi përshkrimet e banorëve të një prej ndërtesave më të mëdha dhe më rëndësishme, për sa i përket aspektit të historisë në këtë vend. Asaj që rëndom në zhargonin e banorëve rusë, quhet si “Shtëpia në Argjinaturë”. Përmes këtij përshkrimi, vijnë qartë opinionet personale, të një pjese të banorëve të mbetur, të kësaj ndërtese të cilët, rrëfejnë historitë e tyre sa të lumtura, aq edhe të dhimbshme. Historia e kësaj ndërtese madhështore, njëkohësisht dhe të zymtë u rrëfye në vitet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në veprat e Yuri Trifonov-it, dhe Yuri Slezkine-it. E përshkruar me mjeshtëri në romanet “The House on the Embankment” në vitin 1999 dhe, “The House of Government” në 2017, në to tregohet sesi regjimi komunist sovjetik arriti që për së paku çerek shekulli, gjatë epokës staliniste të shkatërronte ëndrrat dhe jetën e vetë idealistëve të tij, që patën “fatin” të jetonin së bashku në këtë ndërtesë.
Shtëpia e Hijeve
Disa vite më parë, pasi shikova një gjysmë duzine apartamentesh në të gjithë Moskën, zgjodha një ndërtesë të gjerë përtej lumit, përballë Kremlinit, e njohur ndryshe, si “Shtëpia në Argjinaturë”. Në vitin 1931, kur banorët, kishin filluar të lëvizin brenda tij, ai ishte kompleksi më i madh rezidencial në Evropë. Një botë e vetë-organizuar, me përmasat e disa blloqeve pallatesh të qytetit. Shtëpia e Qeverisë, siç u quajt fillimisht, ishte një ndërthurje e gjeometrisë së konstruktivizmit dhe pompozitetit të neoklasicizmit. Në të ishin, 505 apartamente komode, që strehonin komisarët e qeverisë, të Bashkimit Sovjetik, gjeneralët e Ushtrisë së Kuqe dhe intelektualët marksistë. Në ditën që e vizitova, pronarja e apartamentit, Marina, një grua e qeshur, në të dyzetat e saj e cila punonte për një kompani shumëkombëshe të naftës dhe gazit, më takoi në oborr. Ajo më çoi deri në apartament, i cili kishte qenë i familjes së saj, për katër breza. Ishin dy dhoma gjumi me një ballkon të vogël.
Rinovimet e njëpasnjëshme, i kishin lënë vendin pa shumë detaje origjinalitetit arkitekturor, por si rezultat ishte një shtëpi e rehatshme. Më pak aparatçikë në të dhe më shumë produkte të Ikea-s. Dritaret e larta në dhomën e ndenjes, shikonin mbi kthesat e gjëra të Kremlinit. Vendosa të futem brenda . Deri në atë kohë, “Shtëpia në Argjinaturë”, ishte e njohur për qytetarët. Ajo gjithashtu, ishte e famshme dhe për afërsinë e saj, në zonën e restoranteve dhe bareve të natës. Kjo ishte një hapësirë industriale e rinovuar, që dikur i përkiste fabrikës së ëmbëlsirave “Tetori i Kuq”.
Një institut i projektimit dhe arkitekturës, sapo ishte hapur përbri rrugës. Unë shpesh merrja lab-topin dhe punoja në kafenenë e saj e cila ishte zbukuruar me mobilie të cilësisë së mirë. Shpejt, zura miq të rinj në këtë ndërtesë. Një ndër ta ishte Olaf, një gazetar holandez dhe gruaja e tij, Anya e cila punonte në shkollën e projektimit. Gjithashtu dhe Masha, pronari i një kafeneje popullore të stilit francez në Parkun Gorky. Me kalimin e kohës, unë u njoha dhe me Anatoly Golubovskyn, një historian dhe producent dokumentarësh, miku i Tolyas. Ai është 60 vjeç dhe është një nga tregimtarët më interesantë, që munda të njoh. Golubovsky dhe gruaja e tij jetojnë në një apartament, jo larg apartamentit tim, që u zu fillimisht nga gjyshi i tij, i cili ishte krye-çensori letrar në periudhën e Stalinit. Gjëja më e habitshme në lidhje me ndërtesën ishte dhe është historia e saj. Në vitet 30-40, gjatë spastrimeve të Stalinit, “Shtëpia e Qeverisë” pati një nam të keq, për numrin më të lartë për frymë të arrestimeve dhe ekzekutimeve, nga çdo ndërtese apartamentesh në Moskë.
Asnjë adresë tjetër në qytet nuk të ofronte një fakt kaq bindës, në botën e privilegjit burokratik të epokës sovjetike dhe tmerrin e vrasjeve të cilave shpesh i drejtohet ky fat. Kurioziteti popullor në lidhje me ndërtesën sot e konsideron atë si një lloj muzeu fantazmagorik, të përhumbur të shekullit të kaluar të Rusisë. E pyeta Tolyan se çfarë bëri ai nga fama e keqe e ndërtesës sonë. “Pse kjo shtëpi ka një atmosferë kaq të rëndë dhe të vështirë”? tha ai. “Kjo është arsyeja, që nga njëra anë, banorët e saj jetuan si një klasë e re fisnikërie dhe nga ana tjetër ata e dinin se në çdo sekondë, ata mund të tërhiqeshin zvarrë në shkallët e tyre”.
Para një shekulli, në vjeshtën e trazuar të vitit 1917, bolshevikët, të udhëhequr nga Vladimir Lenin, shfrytëzuan një moment të kaosit politik në Rusi. Perandoria ishte rritur e dobët dhe pa fryte. Në shkurtin e mëparshëm, Car Nikolai II e kishte lënë fronin e tij, duke sjellë mbylljen e epokës së Romanovëve, një dinasti mbretërore që sundoi në më shumë se treqind vjet. Atë tetor, Lenini dhe bolshevikët rrëzuan qeverinë e përkohshme, duke kapur pushtetin dhe duke vënë në lëvizje diktaturën e proletariatit. Në atë kohë, bolshevikët nuk ishin partia më e madhe ose më e popullarizuara e vendit, por ata ishin siguria më e mirë e premtimeve të tyre. Ata ishin, në thelb, sekti i parë apokaliptik me bazë besimin që merrte përgjegjësinë e një vendi.
Ky është argumenti fillestar i një libri të ri magjik të Yuri Slezkinein, një historian rus me origjinë hebreje, i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1983. Ai, ka qenë profesor në Universitetin e Berkeleyt, të Kalifornisë, për shumë vite. Libri i tij, “Shtëpia e Qeverisë”, është një përshkrim epik 1200 faqesh, që rrëfen historinë e ndërtesës së famshme dhe banorëve të saj. Në tregimet e Slezkinit, bolshevikët ishin në thelb një kult mijëra-vjeçar, një fis i vogël që kundërshtonte rrënjësisht botën e korruptuar. Me nxitjen e Leninit, ata u përpoqën të sillnin revolucionin e premtuar ose fasadën, e cila do të krijonte një epokë më fisnike dhe të ndershme. Sigurisht, kjo nuk ndodhi. Libri i Slezkinit, është një përrallë e “profecisë së dështuar”, dhe vetë shtëpia ime në vitet e fundit është “një vend ku revolucionarët u kthyen në shtëpi dhe revolucioni vdiq”.
Në vitet pas Revolucionit Socialist të Tetorit të Madh, siç do të quhej në letërsinë sovjetike, liderët bolshevikë e gjetën veten të modifikuar si zyrtarë të Partisë Komuniste. Ata u përballën me konfliktin se si ta shndërrojnë sektin e tyre në një kishë, domethënë si të kapërcejnë retorikën e ditëve të fundit dhe të krijojnë një sistem të qëndrueshëm të qeverisjes. Lenini vdiq në vitin 1924 dhe Stalini, pasi manovroi në pushtet, shpalli se revolucioni global nuk ishte i nevojshëm dhe se utopia socialiste mund të vendosej edhe në një vend të vetëm. “Ndërtimi” i socializmit ishte metafora vepruese, për atë që u bë e njohur si Revolucioni Stalin. I cili u përcaktua nga urbanizimi i shpejtë dhe industrializimi. Furia e ndërtimit ishte menduar si një lloj miti krijimtarie. Në ditën e parë, Partia Komuniste ndërtoi Fabrikën e Çelikut në Magnitogorsk; në të dytën, Fabrikën e Traktorëve në Kharkiv. Në Moskë, qytetarët u mahnitën nga metroja, e cila filloi funksionimin në mesin e viteve 30-të. Stacionet e saj gjigante, me llambadarët dhe mermerët e tyre, ndiheshin si pallate për epokën e re komuniste. Në mënyrë të pashmangshme, ndërtuesit e këtij shteti të ri kishin nevojë për një shtëpi të tyren. Pas revolucionit, zyrtarët e lartë të Partisë kishin marrë dhoma në zonat, më të sigurta të qytetit, duke pushtuar Kremlinin, Hotelin Kombëtar Metropolitan.
Një strehim i tillë mendohej se ishte një domosdoshmëri e përkohshme që shpejt do t’i jepte rrugë vazhdës së jetesës kolektive. Vitet e para post-revolucionare ishin një kohë e eksperimentimit utopik, në arkitekturë, si dhe në inxhinierinë sociale. Konstruktivisti Konstantin Melnikov hartoi skica për “laboratorët gjigantë të gjumit”, në të cilat qindra punëtorë mund të shkonin qetësisht në punë dhe më pas të ktheheshin në zonat e tyre të afërta të banimit. Zyrtarët e lartë të Partisë ishin mësuar me komoditetet e hoteleve të tyre dhe ish-pallateve të fisnikërisë. Ndërtimi i ”Shtëpisë së Qeverisë”, filloi në vitin 1928, me një model, nga Boris Iofan, të “tipit kalimtar” që është, një ndërtesë me shërbime komunale, por që për momentin, i lejoi banorët të jetonin në apartamente tradicionale familjare. Kur u hap, në pranverën e vitit 1931, shkruan Slezkin, ajo dispononte, një bar-restorant të aftë për ti shërbyer të gjithë banorëve të ndërtesës, një teatër për 1500 spektatorë, një bibliotekë, disa dhjetëra dhoma për aktivitete të ndryshme, që nga lojërat në pishina, e deri tek salloni i orkestrës simfonike. Dhe më pas vazhdonte me teatrin, disa fusha tenisi, futbolli, dhe basketbolli, dy palestra, dhe dhoma gjigante dushi. Kishte gjithashtu një bankë, lavanderi, zyrë postare, qendër kujdestarie për fëmijët dhe të moshuarit, klinikë mjekësore, sallon parukerie, dyqan ushqimesh,markete, dhe kinema për 2000 spektatorë. Për të përfunduar me kafenenë, bibliotekën, dhe sallat e dëfrimeve. Banesat u shpërndanë në mesin e atyre që ishin përgjegjës për projektin e sapoardhur të komunizmit.
Nikolai Podvoisky, një ish-seminarist që drejtoi sulmin në Pallatin të Dimrit të Carit, në vitin 1917, u zhvendos në Apartamentin 280. Boris Zbarsky, një kimist që kryesoi punimet për balsamosjen e trupit të Leninit brenda në mauzoleumin e tij, në Sheshin e Kuq, iu dha Apartamenti 28. Nikita Hrushov, asokohe kryetari dyzet vjeçar i Komitetit të Partisë së Moskës, u zhvendos në banesën, Nr 206. Vetë Iofan mori një papafingo gjigante. Banesa ime e tanishme, në një krah më pak të favorshëm, të ndërtesës, u zu nga familja e Mikhail Sergachev, i cili lindi në një familje fshatare në 1886 dhe u interesua për politikën socialiste ndërsa punonte në një fabrikë porcelani në Riga. Pronarja ime, Marina, stërmbesa e Sergushev-it, më tha që, në vitet pas revolucionit, ai udhëtoi në qindra rajone, duke ndihmuar në krijimin e komunizmit në të gjithë zonat rurale sovjetike. Vetëm fjala e tij mund të vendoste fatin e zyrtarëve lokalë, madje edhe të tërë fshatrave, dhe kooperativave bujqësore. Në fillim, Sergachev, u zhvendos në një apartament me shtatë dhoma në një rezidencë, ku djali i tij do të shëtiste me biçikletë nga dhoma në dhomë. Megjithatë, shëndeti i Sergushev-it ishte i dobët, dhe më 1930, ai vdiq nga tuberkulozi. Një vit më pas, gruaja dhe djali i tij u transferuan në “Shtëpinë e Qeverisë”.
Tranzicioni që ndërtesa kishte për qëllim të bënte kurrë nuk u bë. Në vend të kësaj, banorët e saj u zhvendosën më tej nga idealet kolektiviste dhe adoptuan stilet e jetës që dukeshin pa dyshim aristokrate. Banorët i kishin përgatitur veshmbathjet dhe ushqimet e tyre në mënyrë që ata të mund të kalonin tërë ditën dhe pjesën më të madhe të natës në punë. Ndërsa, fëmijët e tyre mund të ishin të qetë, duke lexuar Shakespeare dhe Goethe-n. Ndërtesa, kishte një staf të madh, me një punonjës për çdo katër banorë. Slezkine, krahason “Shtëpinë e Qeverisë”, me një pallat të kapitalizmit në New York, përgjatë Central Park, ku banorët mund të hanin në një restorant luksoz, dhe të luanin tenis dhe kriket në ambiente të posaçme.
Një raport i përgatitur për Komitetin Qendror të Bashkimit Sovjetik në 1935, tregoi se kostoja e drejtimit të “Shtëpisë së Qeverisë” tejkaloi normën e Moskës me 650 përqind. Në atë masë sa “Shtëpia e Qeverisë” lehtësoi transformimin social, nga një sekt asketikësh në një klerikalizëm të elitës së mprehtë. Ashtu siç ndërtesa ra nën dritën e premtimit të saj, edhe Bashkimi Sovjetik i hershëm dështoi të zbatonte profecitë e tij për një shoqëri të drejtë, pa klasa. Mungesa e ushqimit, strehimi i pa zgjidhur, dhe shumë aspekte indinjuese të jetës, vazhduan. Të gjitha lëvizjet mijëra-vjeçare përballen me këtë moment herët a vonë. Ky është “Zhgënjimi i Madh”, një term që Slezkine huazoi nga historia e William Millerit, një fermer në Massaçusets, i cili profetizoi se apokalipsi do të ndodhte në 1843, dhe kur nuk u bë, e zhvendosi datën në 22 Tetor 1844.
Bashkimi Sovjetik kishte përjetuar dy revolucione, atë të Leninit dhe Stalinit dhe megjithatë, në vargjet e Slezkinit, “Bota nuk mbaron, zogu blu nuk kthehet, dashuria nuk zbulon vetvetiu gjithë butësinë dhe bamirësinë e saj të thellë, vdekja, vajtimi, qarja dhe dhimbja nuk zhduken”. ”Çfarë të bëjmë atëherë”? Përgjigja ishte sakrifica njerëzore, “një nga lokomotivat më të vjetra të historisë”, shkruan Slezkin. “Sa më e fortë të jetë pritja, aq më të padurueshëm janë armiqtë, sa më shumë të padurueshëm armiqtë, aq më e madhe është nevoja për kohezion të brendshëm, sa më e madhe të jetë nevoja për kohezion të brendshëm, aq më e ngutshme kërkimi i flijimeve njerëzore”. Shpejt, në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, filluan spastrimet. Nuk do të kishte diçka të tillë aksidente ose gabime. Çdo devijim nga virtyti dhe nga arritjet e premtuara ishte rezultat i sabotimit të qëllimshëm. Kjo është logjika e magjisë së zezë, e shpirtrave të shtrigave dhe e gjuetisë së shtrigave. Ishte e natyrshme që viktimat e gjuetisë të gjenden në mesin e atyre që vënë në lëvizje profecinë origjinale.
Është e vështirë të imagjinohet tani, një ndërtesë, me shesh lojërash për fëmijë në një nga oborret e tij dhe një bar komod aziatik, në katin e parë. Por përgjatë 1937 dhe 1938, “Shtëpia e Qeverisë” ishte një arenë, zhdukjesh, arrestimesh dhe vdekjesh. Lista e arrestimeve u përgatit nga NKVD, policia sekrete sovjetike, e cila më vonë u bë KGB, dhe u miratuan nga Stalini dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Arrestimet ndodhën në mes të natës. Një grup i oficerëve të NKVD-së, mbërritën në ndërtesë me “Korbat e zi” nofka që i’u vu veturave standarde të policisë sekrete të cilat, krijonin siluetën e një grabitqari që lëshohet mbi prenë e tij. Një histori që kam dëgjuar shumë herë, por që duket e pabesueshme, është se agjentët e NKVD-së, ndonjëherë, përdorin tuba të mëdhenj të ujërave të zeza për të hyrë në apartamente, brenda shtëpisë së një të dyshuari pa pasur nevojë të trokisnin në derë. Pas një procesi gjyqësor, i cili mund të zgjasë tre deri në pesë minuta, të burgosurit çoheshin në të majtë ose në të djathtë. Në të majtë burgosje, ndërsa në të djathtë ekzekutim. Shumica e banuesve të “Shtëpisë së Qeverisë” u morën në të djathtë, shkruan Slezkin. Askush nuk i përmendi publikisht të akuzuarit ose nuk foli për gjendjen e vështirë të anëtarëve të familjes që mbijetuan. Në tërësi, thekson Slezkine, ata që jetonin në “Shtëpinë e Qeverisë”, besonin se armiqtë ishin në të vërtetë kudo./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016