Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të tre vajzave gjermane, Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, sekretare dhe daktilografiste të Komandantit të Përgjithshëm gjerman në Shqipëri, gjeneralit Fiztum, të cilat më 5 shtator të vitit 1944, teksa ishin duke u larguar nga Shqipëria me një autokolonë gjermane, u kapën rob në rrugën Kukës-Prizren nga një kompani partizane që kishte zënë pritë aty dhe më pas me urdhër të Enver Hoxhës u mbajtën peng në Tiranë, në tentativë për t’i shkëmbyer me dhjetëra të burgosur që mbaheshin të izoluar në Kampin e Prishtinës. Si u kryen negociatat për një marrëveshje për shkëmbimin e tyre nga ana e të dërguarit të Enver Hoxhës dhe përkthyesit të Gestapos në Tiranë, Petraq Pekmezi, i cili tre ditë para çlirimit të Tiranës, u ekzekutua nga një skuadër partizane në shtëpinë e tij buzë Lanës, dhe fati tragjik i tre vajzave që vuajtën kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë komuniste, deri në vitin 1955 kur u lidh marrëveshja Hrushov-Adenaur për shkëmbimin e robërve…
Partizanët zënë rob vajzat e çuditshme
Ishte 5 shtator i vitit 1944, kur në rrugën automobilistike Kukës-Prizren, një autokolonë gjermane që tërhiqej drejt Jugosllavisë, bie në pritën e një çete partizane shqiptare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha. Pas një shkëmbimi zjarri, partizanët arritën të shtien në dorë njërën nga auto veturat e autokolonës, pikërisht atë që kishte brenda tre vajza me uniformë ushtarake. Pasi i dorëzohen komandës së forcave partizane të Kosovë – Metohisë që asokohe komandohej nga Fadil Hoxha, si dhe pas disa hetimesh paraprake, mësohet qartë identiteti i vajzave dhe ata panë se kishin të bënin me një “gjah të mirë”?! Njëra nga vajzat quhej Elsa Koch dhe ishte sekretare personale të Komandantit të Përgjithshëm të forcave gjermane në Shqipëri, gjeneral Jozef Fiztum. Kurse dy të tjerat ishin Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, përkatësisht stenografistë pranë asaj komande gjermane, që asokohe ishte vendosur te ndërtesa ku sot është korpusi kryesor i Universitetit të Tiranës. Në librin e saj Elsa Koch dëshmon:”Isha mobilizuar në radhët e forcave gjermane në Graz në vitin 1943 dhe më pas u caktova në varësi të gjeneralit Fiztum. Kur u kapa nga partizanët dhe pasi ata morën vesh se kush isha unë dhe shoqet e mia, pas pak ditësh na kthyen në Tiranë. Siç morëm vesh më vonë ky kishte qenë një urdhër i ardhur prerazi nga Enver Hoxha: “Të sillen urgjentisht në kryeqytet nën masa të rrepta sigurie”.
Berlini tentoi kompromisin
Nga shtatori deri në nëntor të vitit 1944, tre vajzat pengje u mbajtën të izoluara nëpër male me roje të shumta partizane. Në fillim të nëntorit sillen në Priskë të Tiranës pranë Korpusit të Parë të komanduar nga Mehmet Shehu, që ndërkohë përgatitej të sulmonte Tiranën. Por vetëm pak ditë pas arrestimit të tyre, për fatin e tre vajzave interesohet vetë Komanda e Lartë Gjermane në Berlin. “Gjeneral Fiztum, kujton Elsa Koch, kishte marrë urdhër nga eprorët e tij, që të gjithë femrat naziste të niseshin për në atdhe, por nisja jonë u vonua, deri ditën që u zumë rob nga partizanët”. Enver Hoxha vihet në dijeni nga kapiteni i Gestapos dhe njëkohësisht përkthyesi i gjermanëve Petraq Pekmezi, lidhur me interesimin e gjermanëve për lirimin e tre vajzave që mbaheshin të izoluara me roje të shumta diku në një shtëpi të fshatit Priskë, rrëzë malit të Dajtit. Thuhet se në një takim kokë më kokë që është bërë ndërmjet kapitenit të Gestapos, Pekmezit dhe një të dërguari të Enver Hoxhës (që mbante gradën e kolonelit), sipas urdhrave që kishin marrë nga eprorët e tyre, të dy bien dakord që pengjet të lirohen. Por duke i shkëmbyer me dhjetëra komunistë dhe partizanë shqiptarë e jugosllavë të zënë rob nga gjermanët që ndodheshin të burgosur në kampin e Prishtinës, ku listën e të cilëve i kishte Fadil Hoxha. Në shenjë besimi dhe korrektese, pas kësaj marrëveshje, komanda gjermane e kampit, liron dhjetë nga partizanët e listës, gjë të cilën na e ka dëshmuar edhe Luigj Filipi, një nga të burgosurit e kampit të Prishtinës, i cili shpëtoi gjallë nga ai kamp dhe në vitet e para të pas luftës do të mbante funksionin e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Lidhur me atë ngjarje, Luigj Filipi tregonte: “Atë ditë në kamp erdhën disa të dërguar të komunistëve, për të marrë të liruarit. Mes tyre edhe një djali i ri nga fisi i njohur Qoku”.
Enver Hoxha prishi marrëveshjen, ekzekuton 104 të dënuarit
Pas lirimit të dhjetëshes së parë, Komanda Gjermane priste lirimin e tre vajzave sipas marrëveshjes së bërë dhe fjalës së dhënë nga Enver Hoxha. Ndërkohë sipas disa dëshmitarëve të asaj kohe, thuhet se disa bajraktarëve të njohur dhe me influencë të zonës së Kukësit, u ishin paguar shuma të mëdha parash, për lirimin e këtyre tre vajzave, që duket ishin aq të rëndësishme sa dhe Qendra në Berlin, kishte autorizuar shkëmbimin e tyre me 104 robër nga kampi i Prishtinës. Ndërkaq, thuhet se gjenerali gjerman Fiztum, kishte kërkuar një provë nga komunistët se vajzat ishin gjallë, një letër me firmën e Elsa Koch, shkrimin e së cilës e njihte mirë. Një provë që në fakt nuk i’u dorëzua kurrë! Ndërkaq pala partizane vonoi përgjigjen dhe gjithashtu shkëmbimin e robërve. Pas disa kohësh, Komanda Gjermane njofton kapiten Pekmezin që të flasë edhe një herë me emisarët e Enver Hoxhës, duke i lënë edhe një afat tjetër për lirimin e tre vajzave gjermane. Takimi realizohet, por pas tij Pekmezi njofton qendrën, se për tre vajzat gjermane, Enver Hoxha kërkon lirimin e të gjithë komunistëve të burgosur në kampin e Prishtinës! Pas kësaj, gjeneral Fiztum, i irrituar, i thotë Pekmezit t’i transmetojë Hoxhës ultimatumin, se: nëse tre vajzat nuk lirohen në afatin e caktuar sipas marrëveshjes, nga ai kamp do të pushkatohen 104 të burgosurit shqiptarë dhe kjo gjë është e pa negociueshme. Kapiteni Pekmezi e përcolli ku duhet mesazhin e plotë të gjeneralit gjerman, por gjeneral Hoxha nuk kthen përgjigje brenda afatit të kërkuar dhe as më pas…?! Si rezultat, pak ditë më pas, më 23 tetor 1944, brenda një nate në kampin e Prishtinës, masakrohen duke u pushkatuar 104 të dënuar shqiptarë, ku shumica ishin komunistë dhe oficeri gjerman i thërriste me identitetet e tyre të sakta, duke i veçuar nga të tjerët, pasi emrat e tyre ishin në një listë që komanda gjermane e kishte kapur në zyrat e Komandës së lartë të Ushtrisë italiane në Shqipëri që në shtatorin e vitit 1943 kur ajo sapo hyri në qytetet shqiptare. Sipas Elsa Koch, koha e ekzekutimit të 104 të dënuarave shqiptarë të Kampit të Prishtinës, përputhet edhe me disa fonograme të lëshuara nga Berlini, ku thuhet se ndodhet edhe “premtimi” i gjeneralit Fiztum, gjë e cila tregon qartë se ajo gjë, pra ekzekutimi i 104 të dënuarave, është kryer pikërisht si pasojë e prishjes së “pazarit” nga ana e Enver Hoxhës, e “rakorduar” me Berlinin. Lidhur me këtë masakër, që gjermanët kryen në Kampin e Prishtinës, Elsa Koch një nga pengjet e Hoxhës, jep një fakt konfirmues më tepër, ndërsa në librin e saj, justifikon kështu veprimin e gjeneralit Fiztum: ”Komanda ekzekutoi 104 robërit shqiptarë, pasi nuk kishte asnjë informacion se ne të treja ishim gjallë. Po të kishin qoftë edhe një dyshim, ata do të bënin të gjitha përpjekjet që të na shkëmbenin me ta”. Lidhur me marrëveshjen e Enver Hoxhës me gjermanët dhe lirimin e disa robërve shqiptarë që mbaheshin në kampin e Prishtinës, na ka dëshmuar publikisht në shtyp, edhe Kristo Budo, një nga të dënuarit e atij kampi, që pas mbarimit të Luftës mbajti detyra të larta shtetërore deri në kryeministri. Lidhur me këtë, në mes të tjerash, Budo shprehej: “Ka ardhur Kapiten Petraq Pekmezi disa herë në kampin e Prishtinës, ku edhe ka liruar disa nga të burgosurit që ishin në atë kamp. Petraqi është vëllai i dëshmorit Trajan Pekmezi, ka ditur shumë gjëra, sepse ai ka ndërmjetësuar në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandës gjermane, ku thuhej se në atë kohë është bërë një marrëveshje në mes tyre, ku partizanët nuk do t’i godisnin forcat gjermane gjatë tërheqjes së tyre nga Tirana”.
Përgjegjësia për 104 shqiptarët e masakruar, shtyu Enver Hoxhën të zhdukë gjurmët e krimit.
I vetmi njeri që kishte dijeni për marrëveshjen e shkelur, ishte pikërisht Petraq Pekmezi, kapiteni shqiptar i Gestapos, që kishte biseduar kokë më kokë me të dërguarin e Enver Hoxhës. Kështu më 14 nëntor 1944, tre ditë para çlirimit të Tiranës, diku pranë bregut të Lanës, sot lagja “Ali Demi”, në shtëpinë e Pekmezëve bie dera. Gruaja e Petraqit hap portën dhe fut brenda tre partizanë. ”Kemi ardhur të marrim Petraqin, kemi një punë në Komandë”, i fletë qetë qetë zonjës së shtëpisë, njëri nga tre partizanët që nga veshja dhe armatimi, dukej se ishte komandanti i tyre. Ndërsa Petraqi bëhet gati, zonja e tij i bën nga një kafe tre të ardhurve, pa e ditur se ata kishin ardhur për t’ja marrë përgjithmonë njeriun me të cilën ajo kishte lidhur jetën. Por, sikur të parandiente diçka të kobshme, apo thjesht instikti vetëmbrojtës, ajo i kërkoi Petraqit që të shkonte dhe ajo me ta…, por ai nuk pranoi. ”Kthehem shpejt. Mos u bëj merak”, ishin fjalët e tij të thëna me qetësinë më të madhe, por që fatkeqësisht do të rezultonin dhe fjalët e fundit që ajo dëgjonte nga goja e bashkëshorti të saj. Në fakt kthimi nuk vonoi, por jo ashtu siç e kishte menduar Petraqi…?! Pasi, pas pak çastesh, fare pranë Lanës, dëgjohen disa breshëri armësh, të cilët i morën jetën Petraq Pekmezit, i cili u gjet nga bashkëshortja e tij ashtu i dergjur përdhe ku gjaku vazhdonte t’i shkonte rrëke. Lidhur me ekzekutimin e Pekmezit, Kristo Budo midis të tjerash na ka dëshmuar publikisht në shtyp: “Të vërtetën e marrëveshjes së Enverit me gjermanët e ka ditur vetëm Petraq Pekmezi, të cilin partizanët e pushkatuan në oborrin e shtëpisë, dy tre ditë para çlirimit të Tiranës. Petraqi u kishte bërë shumë punë komunistëve dhe duke e ndjerë veten të pastër, nuk pranoi të largohej nga Tirana me gjermanët. Por fatkeqësisht atë e vranë”. Kështu, me ekzekutimin e Pekmezit, humbnin deri diku gjurmët e “marrëveshjes” që Enver Hoxha kishte bërë me gjermanët për lirimin e tre vajzave, pasi për atë gjë kishte dijeni edhe një person tjetër. Emisari i Enver Hoxhës me gradën e kolonelit, i cili do të arrestohej dhe do të dënohej me vdekje vetëm dy vite më pas, i akuzuar se ishte i implikuar me “Grupin e Deputetëve”?!
Dënimi me burg dhe kompromisi Hrushov Adenauer
Në janar të vitit 1945, tre vajzat gjermane Elsa, Irmgrand dhe Erna, dërgohen në Burgun e vjetër të Tiranës. Ato merreshin çdo natë në pyetje, sidomos Elsa, pasi akuzoheshin si “shkaktare të vrasjes së 104 të burgosurve shqiptarë në Prishtinë”. Mbas nënshkrimit të deklaratave në hetuesi, për Elsën dhe dy shoqet e saj, formulohet dhe akt-akuza ku ndër të tjera thuhej: “Qenia e saj si sekretare e gjeneralit Fiztum dhe këmbëngulja e komandës gjermane për t’i tërhequr, pas refuzimit të palës shqiptare për shkëmbim robërish, u bë shkak për vrasjen e 104 komunistëve dhe partizanëve tanë që mbaheshin të izoluar aty . Kjo, sepse Elsa Koch, ishte vegël e ndërgjegjshme e okupatorit”. Pas formulimit të akuzës së bërë nga prokuroria e një Gjykate Ushtarake në Tiranë, Elsa dënohet me 20 vite burg, ndërsa Erna dhe Irmgrand me nga dy vite. Kështu deri në vitin 1955, tre vajzat, Elsa, Erna dhe Irmgrand, provojnë tmerret e burgjeve dhe kampeve të internimit në Tiranë, Tepelenë, Porto Palermo, Savër, Kampi i Fabrikës së Tullave në Tiranë, etj., dhe kudo që ato shkonin, nga të dënuarit dhe efektivat e kampe-burgjeve, ato do të identifikoheshin si “shkaku i pushkatimit të 104 të burgosurve shqiptarë të Prishtinës”. Aventura shqiptare e tre vajzave gjermane në ferrin e regjimit komunist të Enver Hoxhës do të zgjaste deri aty nga shtatori i vitit 1955, kur Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Konrad Adenauer, mbërriti për një vizitë në Moskë, ku ndër të tjera nënshkroi edhe një marrëveshje me kreun e Kremlinit, Nikita Hrushov, (i sapoardhur në fuqi pas vdekjes së Stalinit), e cila lejonte shkëmbimin e robërve rus me ata gjermanë që mbaheshin ende të izoluar në Kampet e Siberisë. Gjë e cila bëhej në kuadrin e liberalizimit të politikës së jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe gjithashtu dënimin e krimeve të Stalinit dhe kultit të tij të individit. Ishte kjo marrëveshje që ndriti edhe njëherë “yllin” e tre vajzave gjermane që endeshin në kampet e internimit kënetave të Shqipërisë komuniste, duke punuar në bujqësisë, si hapje kanalesh, tharje kënetash, apo Fabrikën e Tullave në Tiranë. Pas kësaj, një ditë diku aty nga fundi i vitit 1955, në Shqipëri mbërriti ambasadori gjerman në Beograd, së bashku me dokumentet e riatdhesimit të tre vajzave gjermane, që fati desh t’i linte rob në një vend të vogël e të humbur, të Ballkanit, edhe 12 vite pas mbarimit të Luftës së Dytë Botëror./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016