Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur e dy intelektualëve të njohur shqiptar, profesor Namik Resulit me origjinë nga Berati, Mahmut Cungut nga Elbasani, të cilët pasi përfituan bursa nga qeveria e Mbretit Zog, studiuan dhe u diplomuan në universitetet më prestigjioze të Italisë dhe Turqisë. Nga kontributi studimor e shkencor i Resulit në lëmin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitetet italiane, tek përkthimet brilante të Cungut, i cili punoi për vite si inxhinier në Bashkinë e New Yorkut dhe në firmat të mëdha në SHBA, ku ai ishte mik i ngushtë i Presidentit, Richard Nixon.
Namik Resuli dhe puna e tij studimore
Namik Resuli u lind në qytetin e Beratit më 10 Shtator të vitit 1912. Pasi kreu mësimet e shkollës fillore në Shqipëri, atë e dërguan të studionte në Itali, mbaroi Liceun dhe më pas studimet e larta, duke u laureuar në Glotologji, pranë Universitetin të Torinos. Gjatë atyre viteve që Resuli studioi në atë universitet, ai ishte nën patronazhin e mjeshtri të famshëm italian, profesor Bartoli. Teza që mbrojti Resuli në punën e diplomës ishte: “Studime rreth stratifikacioneve në gjuhën shqipe”. Pasi kreu studimet universitare në Torino, ai u kthye në Shqipëri ku u emërua profesor në klasat e larta të Shkollës “Normale” të Elbasanit. Por një vit më vonë, ai u transferua në gjimnazin e Shkodrës. Shërbeu për disa kohë në Shkodër, më pas u transferua në gjimnazin e Tiranës dhe në prillin e vitit 1939, ai u dërgua në Itali, si asistent profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës.
Në këtë detyrë ai qëndroi dhjetë vjet dhe në të njëjtën kohë ai ishte emëruar Inspektor Superior në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, ku qëndroi për katër vjet, deri në vitin 1944. Në vitin 1955 Namik Resuli mori gradën shkencore (“Libera docenza”) në Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe dhe u emërua si i ngarkuar i gjuhës shqipe, në Institutin Universitar Oriental të Napolit. Në këtë institut ai u ngarkua edhe me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike. Kur u kthye në Shqipëri, ai e kuptoi menjëherë se fusha linguistike dhe ajo historiko-letrare ishin krejt të pazhvilluara.
Mësuesit e Shqipes ndeshnin vështirësi të mëdha dhe mbi të gjitha u mungonte një gjuhë e njësuar. Shkrimtarët shqiptarë të asaj kohe shkruanin në dy dialekte të ndryshme, shpesh herë të përzier nga njëri-tjetri, pa një ortografi të caktuar. Në fushën historiko-letrare, gjendja ishte gjithashtu e mjerë, aq sa mungonte një tekst i historisë së letërsisë shqipe. Përpara një gjendje të tillë, ai e përqendroi veprimtarinë e tij, drejt dy objektivave të caktuara: në fushën linguistike dhe në atë letrare. Në fushën linguistike, duke marrë parasysh se ende nuk ekzistonte një gjendje e pjekur për zgjedhjen e njërit nga dy dialektet, si gjuhë kombëtare (atë kohë nuk mendonte kush se një problem i tillë mund të zgjidhej me një dekret qeveritar, si ngjau më vonë), ai u përpoq që të afrojë sa më tepër toskërishten ndaj gegërishtes, sidomos atje ku këto dialekte bashkoheshin me njëri tjetrin. Në atë periudhë Resuli shkroi disa artikuj dhe studime, si; “Gegënishtja apo toskërishtja?”, “Përpjekje të lashta dhe të reja për një gjuhë të përbashkët shqipe”, “Për një gjuhë të përbashkët”, etj.
Këto studime patën një farë jehone në atë kohë dhe shkaktuan reagime e polemika të shumta. Ato lanë gjurmë që duken edhe në formulimin e gjuhës së tashme letrare, por sigurisht ato ia hapën atij derën e komisionit të ortografisë shqipe, që ishte krijuar pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Përveç studimeve në këto fusha, Namik Resuli, nuk i’u nda asnjëherë publicistikës, gjë të cilën ai e kishte filluar në një moshë mjaft të re, duke shkruar në gazeta dhe revista të ndryshme.
Kontributi i Resulit në Letërsi
Në fushën letrare, sikurse e thotë ai vetë në shkrimin “Katërqind vjet letërsi shqipe”, në periudhën e viteve ’30-të, në gjuhën shqipe, ekzistonte vetëm një manual i françeskanit Justin Rrota, kurse në gjuhën italiane, kishim veprën monumentale të Gaetano Petrotës, “Popolo, lingua e letteratura albanese”. Kjo vepër e Petrotës përbënte një burim të pazëvendësueshëm njohurish të çmueshme mbi popullin, gjuhën dhe letërsinë shqiptare, por nuk mund të thuhet se ishte një histori e vërtetë e historisë letrare shqipe.
Në atë kohë nevojitej një inkuadrim, një periodizim i gjithë prodhimit letrar shqiptar, nga fillimi gjer në vitin 1940. Kjo duhej bërë me një studim të çdo autori në bazë të rëndësisë së veprimtarisë së tij kulturore-letrare, në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit letrar të kohës së tij dhe në bazë të rëndësisë së veprës si prodhim letrar, për t’i caktuar vendin e drejtë që i përkiste. Duke patur këto synime, Resuli botoi studimin “Zhvillimi kulturor e letrar në Shqipëri nga shekulli XV-të në shekullin e XX-të”. Ky studim doli në një vëllim më vete botuar nga Ministria e Arsimit, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë. Mirëpo kjo temë u trajtua më vonë, në mënyrë më të plotë në studimin: “Për një ndarje metodike të prodhimit letrar shqiptar”, që doli në revistën “Shkolla Kombëtare”. Në të njëjtën kohë, Resuli i bëri të njohur publikut të gjerë mbar shqiptar, disa nga shkrimtarët e vjetër shqiptarë, sidomos ata katolikë, duke vënë në dukje cilësitë e tyre të paçmueshme, si autorë dhe patriotë, të cilët kishin mbetur gjer atëherë krejt në harresë për shkak të përmbajtjes fetare të veprave të tyre.
Në vitin 1939, Resuli botoi një përmbledhje të poezive më të bukura të “Milosaos” të De Radës. Atëherë të gjithë flisnin për poetin e madh arbëresh, por të paktët ishin ata që kishin mundur të lexonin, qoftë edhe kryeveprën e tij, sepse veprat e De Radës, nuk gjendeshin jo vetëm në bibliotekat italiane, por as në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Në vitin 1940 Resuli u ngarkua nga Ministria e Arsimit, të hartonte një vepër në formë historie letrare dhe antologjie. Gjë të cilën ai e realizoi duke nxjerrë një vepër në dy vëllime (gjithsej 915 faqe), me titullin “Shkrimtarët shqiptarë”.
Në këtë vepër ai ftoi të merrnin pjesë edhe studiuesit e letrarët më të mirë të kohës, por introduktat dhe ndarja e letërsisë shqipe në periudha të ndryshme, si dhe pjesa më e madhe e monografive të vëllimit të parë, ishin të Resulit. Në vitin 1940 kur u themelua në Tiranë Instituti i Studimeve Shqiptare (në shkallën e Akademisë), Namik Resuli ishte një nga anëtarët e atij Instituti, i cili u ngarkua që të përgatiste një botim të ri të “Meshar”-it të Buzukut.
Studimet për Naimin, Fishtën e Nolin
Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos ato të pasluftës, ia ndërprenë Namik Resulit, qoftë edhe përkohësisht, veprimtarinë e tij shkencore dhe letrare. Por në vitin 1948, me themelimin e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare, pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Palermos, ai u ftua të bëjë pjesë si anëtar efektiv i tij dhe aty ai paraqiti një studim, mbi atdheun e origjinës së Buzukut.
Pas kësaj, Resuli paraqiti edhe studime të tjera, si: ”Rëndësia e dialekteve italo-shqiptare për studimin e historisë linguistike shqipe”, “Herezira në Mesharin e Buzukut”, “Zef Skiroi midis dy letërsive”, “Fytyra e Skënderbeut në poemën deradiane “Scanderbeccu i pafaan”, Kontributi i Misionarëve italianë për zhvillimin e kulturës shqiptare”, etj. Në vitin 1954 Resuli filloi të botojë në Torino revistën “Shpirti Shqiptar”. Më pas ai botoi dy vëllime të vogla “I piu antichi testi albanesi” dhe “Vocabolarietto di Arnold von Harff”, si dhe një studim në gjuhën shqipe me titullin “Naim Frashëri poeti i mirësisë”.
Në vitin 1958 Namik Resuli botoi integralisht “Meshar”-in e Gjon Buzukut, me një parathënie dhe me një pjesë kritike. Në tetor të vitit 1966, ai mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Shoqërisë Akademike Rumune, që u mbajt në Salamanca, me relacionin “Kronologjia e dialekteve shqiptare në lidhje me simbiozën shqiptaro-rumune”. Pas kësaj, ai u ftua në New York në Seminarin Ndërkombëtar të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës që e organizonte Shoqata “Vatra”.
Aty Resuli paraqiti relacionin “Aktualiteti i Naimit”, në të cilën sqaroi një këndvështrim gjer atëherë të lënë mbas dore, atë të anës religjioze të Naimit. Në vitin 1971 ai u ftua të përkujtonte poetin e madh françeskan, Gjergj Fishtën, në Ateneun Antonian të Romës, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes të poetit. Alokucioni i gjatë i Namikut, i mbajtur në gjuhën italiane, u botua pjesërisht i përkthyer në shqip në gazetën “Flamuri” dhe integralisht, në versionin shqip dhe anglisht, në gazetën “Dielli” në Boston. Mbi Fishtën ai ka pas mbajtur edhe një relacion, “Strutture nella poesia di Fishta”, në mbledhjen e VII të Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo.
Në vitin 1963, Namik Resuli botoi (në serinë “Letteratura Universale”) veprën “Storia della Lestteratura albanese” dhe “Antologia della letteratura albanese”. Në 1976, Resuli u ftua përsëri në New York nga Shoqëria “Vatra”, ku mbajti kumtesën “Faik Konica në njëqindvjetorin e lindjes”. Pas kësaj, në vitin 1982 ai u ftua përsëri nga “Vatra” në përkujtimet e Fan Stilian Nolit. Studimi i tij me titullin “Fan S. Noli sot”, që mbajti me rastin e njëqind-vjetorit të lindjes së Nolit, sikurse edhe ai mbi Faik Konicën, u botuan nga “Vatra” dhe përbëjnë një kontribut shumë të çmueshëm të Namik Resulit, për njohjen e këtyre dy fytyrave të kombit shqiptar.
Në vitet e fundit të jetës, Namik Resuli kishte në shtyp një gramatikë shqipe, më e gjera dhe më e plota vepër e këtij lloji (gjithsej 620 faqe), të cilën ai u mundua ta nxirrte në qarkullim, që me gjalljen e tij. Për këto shkrime Namik Resuli përmendet në të gjitha historitë e Letërsisë Shqipe, sikurse në atë të Gaetano Petrottës, të Maksimilian Lambertz-it, të Stuart Mann, si dhe në mes të shkrimtarëve shqiptarë, që përmend revista “Arena” e P.E.N. Club. Me vdekjen e Namik Resulit, më 12 shtator të vitit 1984, historia e Letërsisë Shqipe, e sidomos shkenca e gjuhësisë shqiptare, humbi një nga elementët më të vyer, që është vështirë të zëvendësohet.
Kush ishte Mahmut Cungu?
Mahmut Cungu u lind në qytetin e Elbasanit në 23 maj të vitit 1913, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e tij të lindjes, ai erdhi në Tiranë ku në vitin 1932, mbaroi me rezultate shumë të mira shkollën “Teknike” amerikane të Harry Fultz-it. Më pas ai shkoi në Turqi dhe në vitin 1940-të, përfundoi studimet në “Robert Kolexh” të Stambollit, ku mori dhe titullin Inxhinier. Në vitin 1943, Mahmut Cungu u kthye në Shqipëri, pasi qëndroi disa kohë tek i vëllai i tij, profesor Ali Cungu, (një nga përkthyesit më të njohur të anglishtes të asaj kohë), u largua përsëri nga vendlindja e tij dhe shkoi në Turqi.
Në vitin 1944, Mahmuti u martua me një vajzë nga fisi i njohur Xhixhi (Çoçoli) i Tiranës, e quajtur Hatixhe, e cila ishte mbesa e Baba Syrriut, që shërbente në Teqenë Bektashiane të Kajros në Egjypt. Hatixheja kishte dhe tre vëllezër të tjerë, të quajtur Lumo, Arbnor dhe Ilir, të cilët vite më pas, morën pjesë në Luftën e Vietnamit. Pasi Mahmut Cungu qëndroi disa kohë në Stamboll, ai u largua përsëri në disa vende të Lindjes së Mesme, si Egjypt, Siri etj. Në këto shtete ai ushtroi profesionin e inxhinierit, duke punuar në ndërtime veprash të ndryshme me disa firma perëndimore.
Në vitin 1961, ai u largua nga vendet e Lindjes së Mesme, ku punoi për afro 15-të vjet me radhë dhe shkoi në SHBA. Duke qenë se Cungu e njihte dhe zotëronte shumë mirë gjuhën angleze, ai menjëherë mori lejen e nevojshme të ushtrimit të profesionit, duke dhënë provimet përkatëse. Pasi u vendos në SHBA, Mahmuti punoi për disa kohë në shtetet e Colorados dhe Arizonës, në profesionin e tij të inxhinierit, me disa firma të mëdha industriale. Më pas Mahmuti u kthye në qytetin e New Yorkut ku punoi si inxhinier në Bashkinë e atij qyteti dhe më pas për 15-vjet me radhë ai punoi si kryeinxhinier civil në Nassau Conty, LI. Ndonëse qëndroi për afro 50-vjet në mërgim në dhe të huaj, Mahmuti e fliste dhe e shkruante shumë bukur gjuhën shqipe. Ai ishte njeri me shumë humor dhe gjatë gjithë kohës, që jetoi larg atdheut, i ruajti zakonet e traditat e vend-lindjes së tij.
Mahmut Cungu kundër komunistëve
Ndonëse ishte me profesion inxhinier, Mahmuti vazhdimisht u mor me përkthime të ndryshme nga anglishtja në shqip, duke botuar herë pas here, në shtypin e shqiptarëve të diasporës. Ai kishte një dell poetik dhe liri shprehje në dy gjuhët në shqip dhe anglisht. Në atë kohë ai përktheu në gjuhën letrare kryeveprën e Naim Frashërit, “Bagëti e Bujqësi” që ishte filluar në Tiranë nga i vëllai i tij Ali Cungu.
Në vitin 1964, Mahmuti botoi në Egjipt një monografi prej afro gjashtëdhjetë faqesh, me titull “Demokraci apo Diktaturë”. Aty Mahmuti tregonte se si përkufizohej demokracia, duke vënë në radhë të parë, lirinë e fjalës, shtypit, besimit, lirinë e lëvizjes dhe zhdukjen e frikës. I gjithë ai libër ishte një “shuplakë” për regjimin komunist të Tiranës, ku jetonte e persekutuar familja e tij.
Në atë libër në mes të tjerash, ai shkruante: “Fatkeqësia ashtë se ndonëse komunistët tanë flasin kaq tepër, për të drejtat e Kombit, vetë interpretimi që ata i japin pavarësisë, lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, asht ai që ia shmang popullit këto të drejta. Për komunistët, Pamvarësi Kombëtare don me thanë, bashkim me popullin sllav (1946), Liri, e drejta e pamohueshme e tyne me mendue si ata, e jo si e drejta e atyne që mendojnë ndryshe. Drejtësi, me u vra e burgosë kundërshtarët e sistemit komunist dhe fundit, Demokraci, këta i thonë asaj forme qeverimi që dirigjohet prej një partie të vetme: Partisë Komuniste, prej së cilës del dhe parlamenti dhe Qeveria”.
Duke përkthyer Roza Luksemburgun, Mahmuti shkruante: “Liri që gëzohet vetëm nga përkrahësit e qeverisë, vetëm nga anëtarët e një partie, nuk asht liri. Liria asht liri gjithmonë dhe vetëm atëherë kur ajo gëzohet dhe nga ai, që mendon ndryshe. Jo prej ndonjë ideje fanatike të “Drejtësisë”, por sepse gjithçka e dobishme, e mirë dhe dlirëse, buron nga kjo dhe rëndësia e saj zhduket kur liria bahet privilegj i një pale”.
Mahmuti gjithashtu në atë libër kritikonte diktaturën e komunistëve të maskuar nën petkun e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe nuk ngurronte të kritikonte edhe disa gabime nga koha e Monarkisë së Zogut, apo ajo e pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë. Në atë libër gjendej edhe një shtojcë ku ai tregonte me hollësira Mbledhjen e Mukjes që u mbajt në vjeshtën e vitit 1943, në mes të komunistëve, ballistëve dhe legalistëve, marrëveshje e cila u prish në mënyrë të njëanshme nga Enver Hoxha, i shtyrë nga dy emisarët jugosllavë që qëndronin pranë tij.
Cungu, mik i presidentit Nixon
Mahmut Cungu në vitin 1976 konkurroi për postin e drejtuesit të Shoqatës “Vatra” dhe më pas ai u zgjodh edhe në funksionin e Kryetarit të Qendrës Islame Shqiptare të Amerikës, ku u mundua të bënte një reformë të plotë dhe miradministrim të objekteve të kultit në SHBA. Më pas Mahmuti mori pjesë aktive në Partinë Republikane Amerikane, duke qenë me mandat të rregullt në disa prej kuvendeve të saj në Boston, Filadelfia, Uashington etj.
Gjatë asaj kohe ai u ftua edhe në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Nixon, i cili e falënderoi për kontributin e dhënë në Partinë Republikane. Pas një sëmundje të gjatë që ai e kishte marrë që në rininë e tij, Mahmut Cungu u nda nga jeta më 14 gusht të vitit 1983, në një spital universitar të Long Island të New Yorkut, ku përveç zonjës së tij, Xhixhit, dhe tre djemve, iu gjendën pranë dhe shumë nga shokët, miqtë dhe personalitetet e tjera të diasporës shqiptare që jetonte në SHBA./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016