Nga Hysni Daja
Memorie.al / Një muaj para se të formohej Brigada e VII-të Sulmuese në Vlushë të Skraparit, në Panarit, u organizua një mbledhje e kuadrove politikë, që e drejtonte vetë Enver Hoxha. Në fotografi dallojmë Myqerem Fugën, Adil Çarçanin, Ramiz Alinë, Sadik Bocajn, Mihal Bishën, Zihni Sakon, Behar Shtyllën dhe pranë titullarit Shpresa Hoxhën (Fugën). Fotografi të tilla origjinale vuajnë nga sëmundja e retushimit, sepse në to janë fshirë disa titullarë. 60 vjetori i krijimit të Brigadës së VII-të na kujton disa nga kuadrot që përmendëm më lart, të cilët përbëjnë bërthamën e kuadrove politikë si Adil Çarçani, Myqerem Fuga, Niazi Demi, Tajar Grepcka, Ramiz Alia, Nexhmedin Ballka etj.
Më vonë dolën kuadro drejtuese të kompanive të kësaj Brigade, komunistë që ashtu si e nënvizon Myqerem Fuga, u bënë promotori i celulave të kompanive dhe dhanë një kontribut të madh në forcën goditëse të Brigadës, si Foto Çami, Koli Myzeqari, (dëshmor), Skënder Libohova (dëshmor), Guçe Stropani etj.
Roli i Gjin Markut?
Me të marrë urdhrin, Gjin Marku iu vu punës organizuese të kësaj Brigade. Në shtëpinë e Kahreman Yllit, në prani të Myqerem Fugës u bë organizimi i Brigadës, ashtu si është dhënë në historik. Batalioni i Parë u formua kryesisht me partizanë të Qarkut të Beratit, me një kompani nga Devolli, Batalioni i Dytë kryesisht me partizanë të grupit të Skraparit, ndërsa Batalioni i Tretë, u formua nga partizanë të Qarkut të Gjirokastrës, me në krye Gani Nivicën (dëshmor), me një kompani nga Batalioni i Dëshnicës. Ceremonia u zhvillua më 17 mars 1944, në fshatin Vlushë të Skraparit, në atë fshat, ku dy muaj më parë nazistët gjermanë vranë 114 skraparllinj, duke përfshirë edhe ata të fshatrave Krushovë, Kapinovë e Turbehovë.
I njëqindepesëmbëdhjeti, Veseli, rrojti, jetoi, për t’u treguar ditëve të pasçlirimit tmerret e luftës dhe vuajtjet e atij populli liridashës. “Vlusha vlon”, “Stalini sulmon”. Këto ishin parulla e kundërparulla të natës së parë, drejt aksionit, drejt Beratit. Në garnizonin e Beratit e kryesisht në Kuçovë kishte pak gjermanë, kryesisht kishte forca të Ballit Kombëtar dhe të Gjindarmërisë. Mbrojtja ishte organizuar kryesisht me pikëmbështetje të forta. Mund të përmendim Kalanë, Shëndëllinë, Lisin e Beçit dhe vetë kazermat ushtarake. Kuçova, vetë fusha e Otllakut dhe Ura Vajgurore, kishin të tjerë garnizone mbrojtje. Këto objekte, të lidhura me copa transhe dhe hendeklidhje, përbënin një mbrojtje të fuqishme, me të cilat do të përballej Brigada e VII-të.
Sekreti i armikut qëndronte në shumëllojshmërinë e pozicioneve të zjarrit. Disa nga këto ishin të pushtuara dhe disa jo. Tanket nuk qëndronin në qytet. Ato afroheshin pranë kazermave vetëm kur partizanët e Brigadës së VII-të, e rrezikonin qytetin. Pas urdhrit të komandantit, vinin urdhra të tjerë, të nënshkruara nga Spiro Moisiu për çlirimin e Beratit, për përballimin e Operacionit të Qershorit, për çlirimin e Kuçovës etj. Për çlirimin e Beratit dhanë ndihmesën e tyre vetë beratasit. Qysh në goditjen e parë mbi harkun e parë mbrojtës, u vra partizani Thoma Shqina, një nga të rinjtë e zjarrtë të këtij qyteti. Po atë ditë ra Rahmi Stropani nga treva atdhetare e Devollit. Nuk mund të numërohen aktet heroike të partizanëve nga Zona e Skraparit dhe e Dëshnicës.
Dëshmitë e Myqerem Fugës
Në Mirditë ra Firdes Beqari dhe në Malin e Zi, ra Zyrako Xhako. Në faqet e historisë së Brigadës së VII-të Sulmuese, radhiten shumë partizanë e kuadro që ranë në ballë të luftës. Po përmendim disa nga kuadrot drejtuese politikë: Koli Myzeqarin, Skënder Libohova, komandant batalioni, Haxhi Dokon, Fahri Zaimin, Mehdi Vilën, Loni Odriçanin, Thimi Tanin, Naim Gurin, komisar kompanie. Lidhur me këto, në kujtimet e tij, Myqerem Fuga kujton: “Ngritën këshillat apo u rizgjodhën këshillat nacionalçlirimtarë në zonën e nahijes së Beratit, në Sulovë, në zonën e Shpriagut, në zonën e Tërpanit dhe deri në zonat e thella të Roskovecit, të Myzeqesë e të Dumresë”.
Myqerem Fuga, një ndër luftëtarët e vjetër të kësaj krahine, me punën e tij këmbëngulëse, harmonizoi veprimet e partizanëve qytetarë, me atë të fshatrave të Skraparit. Përkrah Brigadës së VII-të, vepronte edhe Grupi i Skraparit. Veprimet luftarake i koordinonte komandanti i Brigadës, Gjin Marku me komandantin e Grupit të Skraparit, Njazi Çepanin. Një punë të mirë kuadrot e kësaj Brigadek bënë edhe me organizatën e rinisë. Në krye të të rinjve qëndronte Ramiz Alia. Batalioni i dytë u kthye nëpër fshatrat e Komunës së Potomit dhe asaj të Çepanit, ku me dhjetëra partizanë të rinj shtuan radhët e Brigadës. Goditjet e njëpasnjëshme të batalioneve të Brigadës kanë qenë të furishme të cilat arritën deri në Mollas të Sulovës, kurse nga krahu i majtë deri në afërsi të Fierit.
Nuk mund të lëmë pa përmendur punën e shoqes Shpresa Hoxha (Fuga) në Skrapar, në Berat e deri në Fier e Dumre. Në punën organizuese në Qarkun e Beratit u dalluan mjaft kuadro, sa është e vështirë t’i radhisim të gjithë. Veprimet luftarake të Brigadës në përballimin e Operacionit të Qershorit qenë të tilla, që i detyruan qysh në fillim forcat gjermane të tërhiqeshin në Berat. Meqenëse disfata e këtyre forcave deformonte planet për të dalë në bregdetin shqiptar, filloi përsëri sulmi drejt Paraspuarit e Qafë-Shkozës dhe takimi i këtyre forcave do të bëhej në Kreshtat jugore të Skraparit. Tre kuadrot kryesore; Gjin Marku, Kadri Hoxha dhe Neshat Hysi, ishin në Kongres të Përmetit. Iu deshën Adil Çarçanit, Ramiz Alisë dhe Njazi Demit, t’i viheshin kundërveprimit të forcave armike-tregon Myqerem Fuga.
“… Pritni armikut rrugën që të çon në Përmet. Mundohuni të futeni pykë në rreshtat e tij; njoftoni si u zhvilluan luftimet sot”. Kështu thuhej në një nga radiogramet e Shtabit të Përgjithshëm. Ndërsa në një radiogram të Gjindarmërisë thuhej: “Janë 9 të vrarë, 27 të plagosur dhe 15 të humbur! Humbjet e forcave gjermane nuk na janë njoftuar”. Është i njohur dokumenti nr.8523, (sekret) ku në mes të tjerash thuhej: “Në perëndim të Korçës, u shpartallua Brigada e 4-të e Kuqe dhe u zhvillua me sukses sulmi kundër një armiku të fortë (Brigadës së VII-të të kuqe), e cila humbi 200 të vrarë, të konstatuar”, dhe më poshtë vazhdon: “Është e vërtetë kjo? Grupi luftarak ‘Burgemeister’ nuk arriti pikësynimin e vet për shkak të rezistencës…”!
Më poshtë tregon për bisedime telefonike midis Komandës së Divizionit. 100 dhe 297 nazist. Luftimet në Paraspuar-Qafë-Shkozë-Vokopolë dhe në thellësi, janë të mahnitshme. Situata ishte e vështirë. Shumë kuadro dhe partizanë u kacafytën me forcat hitleriane dhe me ato reaksionare. Në Qafë-Shkozë u vra komandanti i Batalionit të tretë, Gani Nivica e dhjetëra partizanë. Me dhjetëra të tjerë u plagosën dhe ishte rrezik të kapeshin të gjallë. Edhe pse shokët e komandës erdhën nga Kongresi i Përmetit, ishte rrezik që forcat kryesore të Brigadës të përplaseshin midis forcave të Divizionit 100 malor dhe forcave të Div. 297. Lufta vazhdoi.
Betejat heroike kundër gjermanëve
Në Arkivin Qendror të Ushtrisë, është një copë radiogram që udhëzon forcat partizane në rast shpartallimi, të përqendrohen tek stanet e Sinan Leshnjes në Turbohovë dhe te shtëpitë e Feim Gërmenjit, tek mullinjtë, me parullën dhe kundërparullën “Lufta-Liria”. Po ku i dinin këto vende kaq të fshehta?! Kjo ndodhte sepse vetë komandanti, i kishte shkelur me kohë këto vende. Jo pa qëllim e dërgonin atë radiogram Myqerem Fuga dhe Aqif Ylli, që komandonte detashmentin e ruajtjes së Shtabit. Por ajo që ngjalli habinë e partizanëve të Brigadës dhe të të gjithë ushtrisë partizane, që forcat e kësaj Brigade kryen natën atë manovër të guximshme, do të mbetet historike.
Ndërsa gjermanët u hodhën përtej Osumit e Çorovodës, forcat e Brigadës kaluan në marenë e Kakrukës, në anën tjetër të Osumit, por kjo kërkonte guxim, fshehtësi e disiplinë. Këta ishin partizanët trima të Brigadës së VII-të Sulmuese. Më 10 qershor u grumbulluan tek Stanet e Babait, rrëzë malit Tomorr. Pas analizës kaluan në lojëra të bukura dhe festuan fitoren për çlirimin e Beratit. Ditën e fundit u vra partizani Thoma Arbëri. Para se të niseshim për në Veri të Shqipërisë, u grumbulluam në Mollas të Sulovës. Na u shtua efektivi me 150 partizanë të rinj nga qyteti i çliruar i Beratit. Kush ndihmoi më tepër për organizimin e tyre? Të gjithë kuadrot, beratas por veçanërisht Myqerem Fuga e Luan Qafëzezi.
Marshimi i gjatë na lodhi, por më 19 tetor 1944 u ndodhëm përpara Shënpalit e Gëziqit të Mirditës dhe përpara urës së Fanit. Ajo që tërhoqi vëmendjen e partizanëve dhe të popullit të këtyre anëve ishte kalimi në befasi i batalionit të II-të dhe të Batalionit të IV-të me në krye komandantin e Brigadës, para se të sulmohej Shënpali dhe kjo qe një veçori e lavdishme. Pasi u morr Shënpali filloi ajo luftë që do të mbahet në histori. Gjermanët u munduan me çdo kusht që ta mbanin të hapur këtë rrugë, kurse partizanët kurrsesi nuk i lejonin. Në krah të Brigadës së VII-të, arriti Brigada e VI-të dhe në krah të majtë Brigada e XXII-të. Nuk do të flasim për heroizmin e Brigadës, sepse ajo shkruhet qartë në historikun e saj. Për 6 ditë e netë jehoi ajo luftë e paparë ku dhanë jetën 35 partizanë dhe u plagosën 40 të tjerë. Do të ndalem pak në veprimet e Batalionit të III-të, që për shkak të dëmtimit të kuadrove kryesorë e mbulonte Myqerem Fuga.
Pasi pushtoi Rubikun, u qep lart në malin e Melungut, tek sheshi i Shpardhës; rrethoi dhe shtiu në dorë këtë bazë të rëndësishme me 24 anglezë. Abaz Kupi kishte dy ditë që ishte larguar për në Itali. Kur u bë mbledhja e popullit në Rubik, Myqerem Fuga i tha kapitenit anglez: “Foli popullit”! “Nuk jam politikan,- tha anglezi, – por u thoni: Ndihmoni ata që luftojnë fashizmin”. Në këtë vend të vogël të Shqipërisë ndodhnin ngjarje të mëdha. Ja, këtu, në shtëpinë e Gjon Fushës, në shtator të vitit 1944, u bë një nga mbledhjet më të mëdha, që është mirë ta dijë populli, partizanët dhe armiqtë. Në mbledhje ishin: Mitat Frashëri, Gjon Markagjoni, Ali Këlcyra, Patër Anton Arapi, Luigj Mikeli, Abaz Kupi (gjithë paria shqiptare). Midis tyre ishte dhe një misionar anglez.
Në mbledhje u ngritën zëra të fuqishëm: “Ka ardhë koha t’i kthejmë pushkën gjermanit”. Po të ndodhte kjo, partizanët nuk do ta kishin të vështirë. Ky është mendimi im si ushtarak, por falë Gjon Markagjonit, që vuri veton, u kujtoi “besën shqiptare” dhe mbledhja u prish; nuk do t’u kthehej pushka nazistëve. Në shkallën më të lartë, majori anglez Nil, i lutej Komandës Gjermane që të rezistonin në Shqipëri, derisa forcat e tyre të zbarkonin në Gjirin e Shëngjinit e, mandej forcat gjermane do të ishin të lira të ktheheshin në Gjermani. Këto gjëra në luftë ndodhin. Këtë e vërteton kapiteni Helmut Muat, i kapur rob nga partizanët.
Këto duhet t’i njohë populli, bile edhe partizanët. Lufta vazhdoi nga ura e Matit deri në Shëngjin, ku ngeli si lapidar partizani Bektash Guri. Me këto luftime që zhvilloi kryesisht Batalioni i III-të thuhet se u vranë 100 gjermanë dhe u dëmtuan 40 automjete, por çfarë thonë dokumentet e vetë gjermanëve? Divizioni i ushtrisë gjermane për këtë rajon vërteton se u vranë 111 gjermanë dhe u dogjën 12 automjete. Kjo është përgjigja për ata që kanë tendenca të nënvleftësojnë luftën partizane. Për shkak të kufizimit të materialit, nuk mund të vëmë emrat e atyre që u vranë në këtë luftë, por do të përmendim çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Në ditarin gjerman kjo jepet qartë në një tekst me rënien e Kotorit!
Luftimet në Mal të Zi
Nuk mund të lë pa përmendur luftën në Malin e Zi, sakrificat që bënë partizanët Veip Çepani (Goga) dhe Pero Nepravishta, të cilët mbetën invalidë të përjetshëm. Të gjithë jemi dëshmitarë se Perua nuk mori pjesë në festat e fitores të çdo viti, madje ajo u deklarua e “vrarë” dhe kështu rezulton në listat e vjetra, por vitet e fundit ajo zbriti në Vlorë nga një fshat i thellë, si një klloçkë me fëmijë dhe ne, me të drejtë, shikonim njëri-tjetrin. Por ja që ndodh edhe kështu. Po i referohem edhe një çështjeje shumë të rëndësishme: Në gjithë shkrimet e mia nuk kam vlerësuar sa duhet luftën e anglezëve. Në fitoren që patëm në Zejmen dhe Grykë-Manati, gjatë rrugës dy aleatë anglezë na ndihmuan shumë për të minuar rrugën. Gjithashtu na ndihmuan edhe në Grykën e Moraçës në Malin e Zi.
Zbuluesit tanë e kaluan lumin Drinos. Tek partizanët tanë ishte ngulitur thellë dëshira për të vazhduar luftën deri në Berlin. Por pa pritur vjen urdhri “Divizioni i VI-të të këpusë kontaktin me armikun dhe të kthehet në Shqipëri”! Komandanti i Divizionit e lexoi këtë urdhër në të gjithë efektivat dhe proteston: Falë kësaj proteste vjen urdhri nr.3: “Divizioni të niset për në Kosovë”. Me rastin e 60 vjetorit të Brigadës dua t’u kujtoj të gjithë ata që i dhanë kësaj lufte dhe nuk jetojnë më, si: Adil Çarçanin, Gjin Markun, Kadri Hoxhën, Myqerem Fugën, Njazi Demin, Myzafer Trebeshinën, Irfan Peshtanin, Luan Qafëzezin, Mustafa Beqon, Ismail Gjerbësin, Tajar Grepckën, Novruz Gjerbësin, Kajmak Qerimin (Kaloçin), Novruz Malindin, Adil Prishtën, Xhavit Strugën, Habib Seitllarin, Foto Pukën, Mark Çukun, Miti Teneqexhiun, Rushit Dervishin e shumë të tjerë. Memorie.al