Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Pjetër Llesh Dodës, me origjinë nga fshati Domgjon i Mirditës, i cili në mëngjesin e 31 dhjetorit 1966, u nis të rregullonte linjën që lidhte Kukësin me Tiranën dhe nuk u kthye më në shtëpi! Dëshmitë e rralla të bashkëshortes së tij Liza dhe të birit, Zefit mbi historinë e dhimbshme të ‘fillrojtësit Dedë’, i cili sikur kishte para ndjerë fundin e tij tragjik, I kishte lënë amanetet gruas së tij! Si dështuan përpjekjet e fshatarëve të asaj zone për gjetjen e tij në malet më dëborë të asaj zone të thellë në Veri të vendit dhe dyshimet e Sigurimit të Shtetit, të cilët mendonin se ai ishte arratisur në Jugosllavi dhe u bënë gati t’i internonin familjen?! Si u bë e mundur gjetja e tij në shkurt të vitit 1967, në fshatin Kolsh të rrethit të Kukësit dhe varrimi madhështor pasi ai u shpall “Hero i Punës Socialiste”, si dhe kujdesia e shtetit dhe e vetë udhëheqësit kryesor, Enver Hoxha, për t’u mbaruar shtëpinë e lënë përgjysmë, shkollimin e fëmijëve dhe punësimin e Lizës si centraliste. Historia e ‘fillrojtësit Dedë’, familja e të cilit thirri aktorin Rikard Ljarja në dasmën e djalit të dytë, madje duke e vënë atë në krye të vendit, aty ku do ishte Pjetri, ndërsa me centralisten ‘Zana”, do të takoheshin familjarisht, vetëm në vitin 2015, në studion e një emisioni televiziv …?! Memorie.al, publikon për herë të parë historinë e panjohur, edhe në shenjë homazhi për aktorët Rikard Ljarja dhe Elida Cangonji, si dhe të Lizës, bashkëshortes së fillrojtësit Pjetër Llesh Doda, e cila u nda nga jeta para disa ditësh, në moshën 84 vjeçare!
“Mbasi u dhashë fjalën se do shkoja në dasmën e djalit të tyre, pas disa ditësh, e shtunë ka qenë, dola nga shtëpia dhe u nisa me shku te Kafe “Flora”. Kisha lënë me u taku me dy punonjësit e Kinostudios, që do vinin me më marr me makinë, për me shku në fshatin Domgjon të Mirditës, ku e kishte shtëpinë familja e fillrojtësit Pjetër Llesh Doda. Pak pa mbërrit te vendi ku ata do vinin, rastësisht takoj Dor Kekon, që sapo kishte dalë nga shtëpie që e kish po aty ngjit me Kafe “Flora”. Ai më ftoi të uleshim aty për kafe dhe ndonjë gotë. Edhe pse Keko insistoi shumë, nuk ndeja, duke i than se nuk kisha kohë, pasi po më priste makina, me të cilin do udhëtoja për në fshatin e largët të Mirditës dhe i tregova arsyen se pse po shkoja atje. Pa mbaru mirë fjalën, Dori më tha: ‘Ouuu, po kjo qenka një mrekulli, do t’ja propozoj shefit tim, kryeredaktorit, sa të shkoj në redaksi dhe do ta bëj shkrim te “Drita”, ku…’! aty u ndamë me Kekon. Kështu, unë shkova në atë dasëm, më pritën me shumë përzemërsi, duke më vënë në krye të vendit, si i pari dasmës, njësoj sikur aty të ishte i zoti i shtëpisë, Pjetër Llesh Doda, fillrojtësi, rolin e të cilit unë e kisha pas rastin me e luajt në film. Pas dy tre ditësh, erdhi më takoj Keko, i cili bëri një shkrim në “Drita”, për atë histori që i kallzova…”!
Historia e vërtetë e ‘fillrojtësit Dedë” te filmi Rrugë të bardha
Quhej Dedë, u nis të rregullonte linjën telefonike pasi bëri një dorë gallatë me shokët beqarë dhe pasi takoi vajzën për të cilën zemra kishte nisur t’i rrihte fort. Pastaj mbeti në bardhësinë e borës, i ngrirë kallkan, i vdekur, apo siç thuhej në ato kohë: “në krye të detyrës”. Vdiq për të mundësuar lidhjen me telefon të një zone të bllokuar nga dëbora në veri të vendit. Filmi shqiptar me titull “Rrugë të bardha” (me skenar të Vath Koreshit dhe regji të Viktor Gjikës), i bënte njerëzit për të qarë, i bënte të vlerësonin vetësakrifikimin e tjetrit për të mirën e përgjithshme, shkurt propaganda e komuniste e kohës, me anë të tij, ja kishte arritur qëllimit. Por pas dekadash të shkuara, përkundër pamjeve të ngritura në art dhe shkëlqimit të skenave të luajtura me mjeshtëri nga artisti i njohur Rikard Ljarja, shumë pak shqiptarë e dinë, se subjekti i këtij filmi, i shfaqur në kinematë shqiptare në vitin 1974 dhe më pas për vite me rardhë edhe në Radio-Televizionin Shqiptar, është marrë nga një ngjarje e vërtetë. Nga një ngjarje e dhimbshme, me protagonist babanë e pesë fëmijëve fare të vegjël, të cilët pas vdekjes së tij u detyruan të rriteshin jetimë.
Kështu ngjarja reale, nuk ka asnjë lidhje me pjesën e parë të filmit, pra nuk ka Dedë që çante arra në hyrje të kinemasë, nuk ka humor me shokët, nuk ka as takim me atë vajzën që i’a donte zemra! Krejt ndryshe, filmi i jetës reale nis me një djalë 5-vjeçar, të ushqyer keq, që mëngjesin e ditës së fundit të vitit 1966, përpiqej të barazonte, me hapat e shkurtra, shalokun e të atit dymetrosh, nëpër rrugën me akull të fshatit Domgjon të Mirditës. Ca trokëllima të forta hapash, dy silueta, një gjigande dhe një fare e vocërr, përmes një rrugice gri, të ngrirë deri në palcë edhe prej asaj që do të ndodhte më pas. Ka një përcjellje të dhimbshme nga një fëmijë, I cili ndjek të atin nga pas, sikur ta parandjente se s’do ta shihte më të gjallë…?! Dhe që nga ajo ditë, e gjithë pjesa tjetër e jetës, do ta fshikullonte me fatin e një jetimi! Në fund ka një përshëndetje, kujtesë ndaj të birit, të mos ngatërrojë rrugën në kthim, për te shtëpia dhe zhytje në bardhësinë e pakufishme.
Dëshmia e bashkëshortes, Liza dhe djalit, Zefit: “Si e kujtojmë Pjetrin…”?
“Im atë quhej Pjetër, Pjetër Llesh Doda. Ishte 45 vjeç dhe në atë kohë ne banonim në fshatin Domgjon të Mirditës”, rrëfen rehatuar në një kolltuk në shtëpinë e vet dykatëshe diku në periferi të Tiranës, Zef Lleshi, pikërisht ai djali 5-vjeçar që në ngjarjen reale, mëngjesin e 31 dhjetorit 1966, shoqëroi të atin deri në fund të shtëpive të fshatit. Familja e varfër kishte si burim jetese pikërisht rrogën prej fillrojtësi të Pjetrit, ndërkohë që gruaja e shtëpisë, Liza, nuk punonte, pasi kujdesej për fëmijët, më i madhi 8 vjeç dhe më të vegjlit, dy binjakë motakë, djalë e vajzë. Ndërsa Zefi ishte djali i madh nga tri të tillë. Prandaj i ati kishte pranuar që vocërraku t’a shoqëronte deri në fund të fshatit në rrugën e pakthim.
“Ishte mëngjesi i ditës së festës së Vitit të Ri, 31 dhjetori 1966-ës, kur Pjetri u bë gati, veshi çizmet e mori pajimet, këmbalecët, mushamanë, aparatin telefonik dhe u nis për në punë. E kishin lajmëruar se linja me Kukësin ishte prishur. Duke u veshur më tha që të shtroja tryezën dhe darka e festës së Vitit të Ri të niste, edhe nëse ai do të vonohej”, rrëfente Liza, bashkëshortja e Pjetrit, që deri ditën që u nda nga kjo jetë (para tre javësh), ka jetuar me njërin nga djemtë në qytetin e Durrësit.
Nënë Liza, tregonte se në kohën kur bashkëshorti i saj, Pjetri humbi jetën, ajo ishte vetëm 29 vjeçe dhe se drithërohej sa herë që i ai nisej nëpër borë të rregullonte linjën telefonike me Kukësin. “Ik e martohu se sivjet do ngel në borë”, i kishte ngrirë ai gjakun edhe atij mëngjesi. “Kështu më thoshte gjithmonë, sa herë nisej në punë, ndërsa unë bëhesha gjysmë njeriu duke e pritur, sepse e dija se mund të ndodhte”, rrëfente gruaja që, përkundër asaj dëshire për humor të të shoqit, nuk u martua kurrë pas vdekjes së tij, duke i’a kushtuar jetën rritjes së fëmijëve. Sipas Lizës, me Pjetrin ishin martuar me shkuesi, por gjithsesi ajo e kishte njohur edhe më parë fillrojtësin. Në kohën që ndodhi ngjarja, ata ishin duke ndërtuar shtëpinë e tyre në Domgjon të Mirditës, madje sapo ishin futur në dhomën e vetme të rregulluar. “Nuk kthehem pa e lidhur linjën”, kishte qenë fjala e fundit, që nëna e pesë fëmijëve ka dëgjuar nga bashkëshorti.
Një vendim që në ato kohëra përzihej me kurajon e malësorit për të realizuar gjithçka të mundshme, por edhe me kërkesat e kohës, pasi ajo linjë telefonike ishte lidhja e vetme me Kukësin, ai fill i hollë prej metali bakri mbante gjallë, mbante me shpresë, gjithë zonën e rrethuar nga bora. Por në pritje që Pjetri të kthehej, fëmijët dhe nëna e tyre do shtroheshin në darkën e Vitit të Ri, pa njeriun e tyre të afërt…! Ndërsa ushqimi ishte konsumuar si në darkë zie, gjatë gjithë natës, Liza nuk vuri gjumë në sy, duke menduar më të keqen, ndërkohë që në mëngjes, lajmi se linja me Kukësin ishte rregulluar, i kishte sjellë shpresë.
Liza: “U hap lajm se Pjetri ishte arratisur në Jugosllavi”!
Rivendosja e lidhjes me Kukësin dhjetë orë pasi Pjetri ishte larguar nga shtëpia, pra në mbrëmjen e ditës së fundit të vitit 1966, kishte zgjuar shpresat e familjes Lleshi, një ditë më pas. Por nuk ishte e thënë që Pjetri të kthehej, as gjatë gjithë ditës dhe natës tjetër. Ditë më pas, ishin hapur fjalë se ai ishte arratisur për në Jugosllavi…! “Pas një jave, i thanë nënës se, dyshohej që Pjetri kishte tradhtuar atdheun për t’u arratisur”, rrëfen Zefi, djali i madh i fillrojtësit nga Domgjoni. “Një javë pas zhdukjes së Pjetrit, në fshat erdhën ata të Sigurimit të Shtetit dhe u hapën fjalë se e gjithë familja jonë do të arrestohej”, tregonte Liza, duke këmbëngulur se në të njëjtën kohë ishte gëzuar shumë. “Unë kërcënimin që po na vinte e mora me gëzim. U gëzova, pasi mendova se Pjetri ishte gjallë. Sepse ata të Sigurimit të Shtetit kishin mundësinë e informacioneve të sakta”, kujtonte Liza, që i ishte përgjigjur njeriut që i kishte sjellë lajmin: “Vetëm të jetë gjallë Pjetri, pa le të shkoj edhe në burg…”!
Kërkimet për të gjetur Pjetrin, deri në fillimin e shkurtit 1967!
Grupe të ndryshme banorësh nga fshati Domgjon, ishin nisur të kërkonin gjurmët e Pjetër Lleshit, duke ndjekur linjën e shtyllave që mbanin telat e telefonit. E njëjta linjë, nga Fani në drejtim të tunelit të Thirrë-Kalimash, ku tashmë ndodhet autostrada Durrës-Kukës. Por, penguar edhe nga bora që atë dimër kalonte mesataren, (dy metër trashësi), njerëzit që kërkonin nuk kishin pasur fat të gjenin trupin e fillrojtësit. Ai ishte gjetur vetëm pas pesë javësh, në Kolsh të Kukësit, në fillim të shkurtit 1967, nga një bari dhe kjo falë shkrirjes së borës. “Çobani e gjeti të padëmtuar. Gojëdhënat e zonës thoshin se; trupi i njeriut nuk prishet derisa ta shohë dikush. U gjet i ruajtur nga bora, nën njërën nga shtyllat. Grupe të shumta kërkuesish i kishin kaluar sipër pa e vënë re”, rrëfen Zefi, i biri. “Erdhën përfaqësuesit e shtetit që më dhanë lajmin e gjetjes së trupit të Pjetrit. Erdhën nga Kukësi, pasi Tirana ishte larg dhe rrugët ishin të bllokuara nga bora”, tregonte Liza, tashmë, një nga momentet më të vështira të jetës së saj. Një moment kur mendja kishte nisur t’i bënte llogari të vështira. Kishte pesë fëmijë të mitur për të rritur krejt e vetme. Ndërsa kohët ishin të papërballueshme, mes një varfërie ekstreme dhe përpjekjesh për të siguruar vetëm mbijetesën. Trupi i Pjetrit kishte mbërritur për t’u varrosur në Domgjon të Mirditës nga Kukësi, pasi i ishte bërë autopsia zyrtare. Kishte mbërritur i mbyllur në arkivol, ndërsa Liza dhe prindërit e Pjetrit, të cilët ishin ende gjallë, nuk kishin këmbëngulur ta hapnin. “Nuk këmbëngulëm se na thanë që trupi është i dëmtuar. Por edhe nuk e hapëm që të mos e shihnin dashakeqët”, rrëfente Liza. Shpejt, lajmi i gjetjes së fillrojtësit të ngrirë, pasi më parë kishte mundur të bënte punën e vet duke lidhur linjën e dëmtuar telefonike me Kukësin, kishte rënë në vesh të krerëve të shtetit komunist në Tiranë. U kishte rënë në vesh në një kohë kur propaganda raste të ngjashme i kërkonte “me qiri”! I kërkonte për t’i bërë shembuj, frymëzim për të tjerët. Shembuj frymëzimi për të drejtuar turmën atje ku ata kishin paracaktuar të shkonte.
Varrimi i madhështor i Pjetrit dhe letra e Enver Hoxhës!
“Ndërsa Enver Hoxha na dërgoi dhurata”, rrëfen Zefi që edhe pse në atë kohë ka qenë vetëm 5 vjeç, betohet se pamjet vizive të ngjarjeve i ka shumë të qarta. Ndihma nga shteti nuk kishte vonuar të dukej. Sipas Lizës, kooperativa kishte marrë një fond për rregullimin e shtëpisë së mbetur në mes të fillrojtësit Pjetër Lleshi. “Shtëpia u bë model. E bëri shteti me fondet e veta. Më të njëjtin fond u blenë edhe pajisjet e mobilimit të brendshëm. Kuptohet, mobilim si në fshat”, sqaron Zefi. Bashkë me këto lëvizje, shteti komunist kishte ndihmuar pafundësisht familjen mirditore të mbetur në pikë të hallit pas vdekjes së burrit të shtëpisë. Me urdhër nga lart, e shoqja Liza, ishte punësuar si centraliste, një vend pune që kishte lidhje me atë të të shoqit të vdekur, ku ajo pati shërbyer edhe pas shëmbjes së regjimit komunist, madje deri më 1994-ën. Por edhe fëmijët, ishin ndihmuar nga shteti i asaj kohe për arsimim. Fëmija më i madh i Lizës dhe Pjetrit, që ishte vajzë, ishte dërguar nga shteti të përfundonte shkollën Pedagogjike, ndërsa vetë Zefi, kishte mbaruar gjimnazin për të nisur punë si gjeolog. Surprizat nuk kishin të sosur. Në të njëjtën periudhë, në shtëpinë e familjes Lleshi erdhi një letër e shkruar nga vetë Enver Hoxha. “Në letër ai shkruante për aktin heroik të babait e të tjera të ngjashme. Letrën e kam ruajtur deri vonë, por për fat të keq, më ka humbur bashkë me do sende të tjera, gjatë kohës kur ndërruam vendbanim”, shpjegon Zefi, i biri i fillrojtësit Pjetër Llesh Doda. Gjithsesi, nuk kishte mbaruar gjithçka këtu, sepse pak kohë më pas, kooperativës i kishte mbërritur edhe një kamion “ZIS”, krejt i ri, si dhuratë për aktin heroik të Pjetër Lleshit, shoqëruar nga porosia që të reklamohej si ‘dhuratë e dërguar nga vetë Enver Hoxha’. Njëkohësisht kooperativa e Domgjonit, kishte marrë emrin “Pjetër Llesh Doda”.
Filmi “Rrugë të bardha”!
“Ne nuk dinim asgjë deri në kohën kur në shtëpi na erdhën nga Kukësi ca përfaqësues të Komitetit të Partisë dhe na thanë se për Pjetrin, ishte bërë një film”, rrëfnte Liza. Ndërsa sipas Zefit, filmi ishte realizuar në vitin 1973, pra rreth 6-7 vjet pas ngjarjes. Por filmin fillimisht do ta shikonte vetëm Liza, për të cilën ishte dërguar një makinë nga Kukësi. “Filmi më rikujtoi Pjetrin. Ishte e dhimbshme. Mos më pyesni kot, se nuk qava. Kisha qarë boll deri në atë kohë dhe nuk më dilnin më lot. Pastaj njeriu duhet të durojë. Unë jam mirditore dhe kam ruajtur respekt për zakonet. Në ato kohëra gratë nuk duhet të përloteshin”, tregonte gruaja e fillrojtësit Pjetër. Fëmijët e kishin parë filmin pak vite më vonë, më 1977, ndërsa surpriza më e madhe, ishte shënuar në dasmën e Markut, djalit të dytë të Pjetrit dhe Lizës. “Në dasmë na erdhi vetë Rikard Ljarja, me ca të tjerë të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ishte një ditë e vërtetë gëzimi, sepse Rikardi me figurën e vet në film, na dukej si ta kishim baba të dytë”, rrëfen Zefi, duke shtuar se marrëdhëniet me artistin e njohur, i ka ruajtur deri vonë.
Mbërritur në ‘erën tonë’, historia vetësakrifikuese e Pjetër Lleshit, e përdorur nga propaganda e kohës së komunizmit, pothuaj është harruar. Harruar nëse shumëkush nuk do të përdorë capak batuta nga filmi si “alo Dedë?” apo “na ishte se ç’na ishte, na ishte një njeri që çante arra tek dera e kinemasë, kush na ishte? Dedaaa”. Ose, ose përdorimi i asaj shprehjes krahasuese: “Ngriva si Deda majë shtyllës”. Por kaluar perceptimit kolektiv, në jetë ka ende një grua të vjetër, e veja e ish-fillrojtësit real, historia e të cilit u bë film, e cila bluante në mend më shumë se këto batuta. “Më vjen shumë keq që tashmë historia dhe sakrifica e Pjetrit është harruar nga e gjithë shoqëria. Atij nuk i përmendet më emri kurrkund. Madje thonë se edhe dokumentet për aktin e tij në dobi të shtetit, kanë humbur që të gjitha. Por tani nuk ka më mirënjohje. Ajo është varrosur…”, përfundonte Liza, tregimin e saj të parë dhe të fundit për bashkëshortin e saj, Pjetrin, pasi edhe ajo vetë, u nda nga jeta para disa ditësh./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016