Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së njohur tiranase, Kërçiku, që njihet si pasardhëse e Sulejman Pashë Bargjinit, themeluesit të qytetit të Tiranës, prej nga kanë dalë shumë pinjollë të njohur, që kanë bërë emër të madhm gjatë gjithë historisë së këtij qyteti që në vitin 1920-të u bë kryeqendra e Shqipërisë. Siç ishte Sulejman Bej Kërçiku, Komisari i Policisë së Tiranës që arrestoi Haxhi Qamilin në vitin 1914-të kur ai u vu në krye të një lëvizje rebele të fshatarëve të Shqipërisë së Mesme dhe vite më pas do të nderohej nga Mbreti Zog, për kontributin e madh që ai kishte dhënë në Tiranë duke vendosur rendin dhe qetësinë. Historia e djemve të Sulejmanit, nga Hajdari që u diplomua në Austri dhe shërbeu për shumë vite si krye-arkitekt i Bashkisë së Grazit, te Dr. Kadri Kërçiku, mjeku i famshëm që bëri emër të madh në profesionin e tij deri sa ndërroi jetë në vitin 1972, si dhe disa prej pasardhësve të tyre që vuajtën në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si “armiq të popullit”!
Sulejman Bej Kërçiku, Komisari i Tiranës që arrestoi Haxhi Qamilin
Një nga ato familje të mëdha tiranase e cila ka nxjerrë burra të shquar dhe ka lënë gjurmët e saj në historinë e këtij qyteti dhe gjithë Shqipërisë, është dhe familja e Sulejman Bej Kërçikut, ish komisarit të Policisë së Tiranës, i cili veç të tjerave është i njohur edhe për arrestimin e Haxhi Qamilit në vitin 1915. Po kështu nga kjo familje e njohur tiranase e cila është pasardhëse e Sulejman Pash Bargjinit, që njihet si themelues i qytetit të Tiranës, kanë dalë edhe shumë pinjollë të tjerë të njohur, si mjeku i njohur dermatolog, Prof.Dr. Kadri Kërçiku, apo vëllai i tij, Hajdari i cili pasi u diplomua në Universitetin e Grazit, arriti që të emërohej dhe të punonte për vite si kryearkitekt i Bashkisë së atij qyteti të njohur austriak, Graz. Lidhur me historinë e dhimbshme të kësaj familje të njohur tiranase, e cila u godit dhe persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, na njeh nipi i Dr.Kërçikut, Gëzim Peshkëpia, ish-arsimtar që vuajti për tetë vite në burgjet e diktaturës.
Kërçiku, pasardhës i Bargjinëve
Sulejman Bej Kërçiku lindi në vitin 1873 në qytetin e Tiranës prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila njihet si pasardhëse e familjes Sulejman Bej Bargjinollit, siç quhet ndryshe themeluesi i qytetit të Tiranës që vuri gurët e parë në themelin e xhamisë në qendër të kryeqytetit të ardhshëm, që në vitin 1618. Babai i Sulejmanit, ishte Mustafai, i cili kishte lindur në vitin 1841, ndërsa babai i Mustafait ishte Haxhiu. Qenia e Sulejman Bej Kërçikut dhe e pinjollëve të tjerë të asaj familje si pasardhës të themeluesit të qytetit të Tiranës, bëhet e ditur edhe nga mbishkrimet që janë dhe sot në gurët e varreve të të parëve të këtij fisi, si Haxhi Bej Vogli (Kërçiku), Mustafa Bej Kërçiku, (Bargjinolli), Sulejman Bej Kërçiku (Bargjinolli) dhe Shyqëri Kërçku (Bargjini). Këto varre fillimisht kanë qenë në oborrin e xhamisë e cila ka ekzistuar aty ku sot ndodhet monumenti i “Ushtarit të panjohur”, xhami e cila është njohur me emrin e njeriut që e ndërtoi atë dhe më pas ato varre u spostuan edhe dy herë të tjera për në “Vorrin e Bamit” dhe së fundi në Tufinë, ku prehen edhe sot eshtrat e Bargjinollëve. Shtëpitë dhe dyqanet e familjes Bargjinolli apo Kërçiku siç janë njohur më pas, janë aty fare pranë Pazarit të Ri (tek sheshi Avni Rustemi) dhe ato kanë qenë të shtrira deri aty ku ndodhej kinema“Partizani”.Të parët e familjes Kërçiku dhe më vonë pasardhësit e tyre, kanë qenë të njohur si pronarë të mëdhenj tokash, pasi pronat e tyre u shtrinë deri në Babrru. Nisur nga kjo, ata nuk janë shquar për ndonjë lloj zejtarie, por janë marrë vazhdimisht vetëm me administrimin e tokave dhe pronave të tyre.
Sulejman Bej Kërçiku, komisar i Tiranës
Ndër burrat më të njohur të kësaj familje, ka qenë Sulejman Bej Kërçiku, i biri i Mustafa Bej Kërçikut i cili lindi në vitin 1880-të në qytetin e Tiranës. Pasi mori mësimet e para në gjuhën turke në qytetin e Tiranës, Sul Kërçiku u dërgua për të vazhduar mësimet në një shkollë ushtarake (të mesme) në Stamboll. Pas mbarimit të asaj shkolle, në vitet e fundit të shekullit XVIII, Sulejmani u kthye në vendlindjen e tij dhe menjëherë u emërua në radhët e policisë së Selanikut, ku në funksionin e Komisarit të asaj policie, ishte Esat Pashë Toptani. Lidhur me periudhën që Sul Kërçiku shërbeu në radhët e policisë së Selanikut dhe më pas si Komisar Policie i Shijakut dhe Tiranës, nipi i tij, (djali i vajzës) Gezim Peshkëpia, kujton: ”Nga nëna ime kam dëgjuar të flitej shumë për gjyshin tonë, Sul Kërçikun, sidomos për periudhën që ai ishte në Selanik dhe Tiranë. Pasi shërbeu për disa vite në Xhandarmërinë e Selanikut, Sula u transferua duke u emëruar në funksionin e Komisarit të Policisë të qytetit të vogël të Shijakut, ku ai shërbeu për disa vite. Gjatë asaj periudhe kur Sula shërbente në atë qytet, ai u martua me një vajzë nga familja Deliallisi, e quajtur Hajrie, e cila ishte vajza e Abdulla Bej Deliallisit dhe motra e vetme e katër vëllezërve. Nga kjo martesë erdhën në jetë pesë fëmijë: Shyqëriu, Hamdiu, Kadriu, Nadirja dhe Hajdari.
Si e gjeti vajzën e rrëmbyer?
”Edhe në Tiranë, ashtu si në qytetin e Shijakut, gjyshi im, Sula, bëri një punë të madhe në vendosjen e rendit dhe mbajtjen e qetësisë, duke përdorur me efikasitet një rrjet të tërë agjentësh sekret shumë të fortë, të cilët e informonin për gjithçka ndodhte në prefekturën e Tiranës. Nëna ime më ka treguar se në atë kohë, një fshatar nga malësia e Tiranës, rrëmbeu një vajzë të vogël 15-vjeç nga fshati Ibë, të cilën e dërgoi në shtëpinë e tij me mendimin për ta marrë për nuse. Rrëmbimi i vajzës bëri bujë dhe familja e saj erdhi deri në Tiranë, duke u ankuar dhe kërkuar ndihmën e Sulës. Pasi u vu në dijen, Sula menjëherë organizoi planin për gjetjen e vajzës së mitur dhe në krye të 40-të agjentëve të policisë, u nis për në malësinë e Tiranës, ku dyshohej se ndodhej vajza e grabitur. Për një kohë të shkurtër ai e gjeti vendndodhjen e saj dhe pasi rrethoi shtëpinë me njerëzit e tij, i vetëm, hyri brenda duke i habitur të zotët e shtëpisë dhe pas kësaj, Sula hyri në bisedime me njerëzit e shtëpisë dhe me vajzën e cila nga frika nuk fliste. Sula e mori me vete vajzën 15-vjeçare dhe për ta siguruar se asaj nuk do t’i ndodhte gjë, ai e çoi në shtëpinë e tij, ku ajo u rrit dhe doli nuse nga ajo shtëpi që ishte trajtuar si të gjithë pjestarët e tjerë të familjes së Sul Kërçikut.
Si e arrestoi Haxhi Qamilin?
Por një nga ngjarjet që i dha emër të madh Komisarit të Policisë së Tiranës, është ajo e vitit 1914-të, kur Sul Kërçiku arriti të arrestonte, Haxhi Qamilin, nga Sharra e Tiranës, i cili ishte vetë-emëruar si “Komandant ushtarak i Lëvizjes së fshatarëve të Shqipërisë së Mesme”. Lidhur me këtë ngjarje, Gëzim Peshkëpia shprehet: ”Nëna ime dha dajat, më kanë treguar për gjyshin, i cili arriti të arrestonte Haxhi Qamilin, pasi ai ishte vënë në krye të një lëvizje rebelësh, duke u bërë tmerri i familjeve të pasura e bejlerëve të Shqipërisë së Mesme, që ua dogji shtëpitë dhe ua grabiti pasurinë. Në atë kohë që kishte filluar “Lëvizja fshatare” e udhëhequr nga Myftiu i Tiranës, Musa Qazimi, gjyshi ynë Sula, u detyrua që të dilte në mal si firar, për arsye se Haxhi Qamili i’a dogji shtëpitë, duke ia rrafshuar gjithçka. Por pas disa kohësh që qëndroi si firar, (i fshehur) Sula zbriti përsëri në Tiranë, ku pasi mblodhi disa nga njerëzit e tij besnik, bashkë me ta u nis në drejtim të Shijakut, ku kishte shtëpinë Haxhi Qamili. Pasi bëri planin për kapjen e tij, duke i’u shmangur një lufte me forcat e Haxhi Qamilit, arriti që ta kapte të gjallë atë duke e lidhur këmbë e duar. Pas kësaj Sula insistoi tek Esat Pasha që Haxhi Qamili të mos ekzekutohej, por të mbyllej në burg dhe të gjykohej në bazë të të gjitha rregullave e ligjeve të asaj kohe”.
Nderim nga Mbreti Zog
Në vitin 1920, kur forcat serbe erdhën deri në Shkallën e Tujanit në veri-lindje të Tiranës, Sulejman Bej Kërçiku mori pjesë personalisht në qëndresën që iu bë atyre nga forcat qeveritare të komanduara nga Osman Gazepi dhe ato vullnetare të udhëhequra nga Qazim Mulleti. Lidhur me këtë Peshkëpia shprehet: ”Siç më ka pas treguar nëna ime, kur gjyshi ynë Sula me disa nga forcat e tij policore shkoi në ndihmë të Ushtrisë në Shkallën e Tujanit, kjo gjë që e habiti Ahmet Zogun që ishte aty prezent. Pas viteve ’20-të, kur jeta politike në Tiranë filloi të acarohej, Sula u tërhoq në jetën private duke mos u përzier në asnjë nga forcat politike që ndesheshin asokohe në mes tyre për të ardhur në pushtet. Në fillimin e vitit 1924, djali i madh i Sulës, Shyqëriu, u bashkua me Avni Rustemin në organizatën “Bashkimi”, por Sula e këshilloi atë që të hiqte dorë prej saj dhe që nga ajo kohë Shyqëriu nuk mori pjesë në asnjë aktivitet të asaj shoqërie, e megjithatë ai u pushua nga puna në Postë-Telegrafë. Në shenjë respekti për aktivitetin dhe kontributin që kishte dhënë gjatë kohës që kishte shërbyer si Komisar i Policisë së Tiranës dhe pjesëmarrjen në luftën e Shkallës së Tujanit kundër forcave serbe, në vitin 1928, Mbreti Zog i bëri një vizitë në shtëpi Sulejman Bej Kërçikut, duke e vlerësuar lart shërbimin që i kishte bërë ai qytetit të Tiranës. Sulejman Bej Kërçiku që ishte edhe një besimtar i madh I fesë islame, vdiq në vitin 1940 në moshën 67-vjeçare, duke u përcjellë për në banesën e fundit me të gjitha nderet dhe respektet nga autoritetet zyrtare të asaj kohe
Shyqëri Kërçiku, në Drejtorinë e Postave
Sulejman Bej Kërçiku me bashkëshorten e tij Hajrie Deliallisin, lanë pesë fëmijë, të cilët patën fate të ndryshme në jetë. Më i madhi i tyre, ishte Shyqëriu i cili lindi në vitin 1901 në Tiranë. Lidhur me jetën e tij, Gëzim Peshkëpia, nipi i familjes Kërçiku, tregon: ”Shyqëriu, djali i madh i familjes Kërçiku, ndryshe nga vëllezërit e tjerë nuk pati kryer ndonjë shkollë të lartë, por bëri disa vite shkollë në qytetin e Tiranës. Ai pati bërë një kurs kualifikimi që ishte hapur asokohe nga Drejtoria e Përgjithshme e Postë Telegrafëve dhe disa kohë pati punuar në Postën e Tiranës. Shyqëriu ka qenë i martuar me një vajzë nga familja e njohur, Peza, të quajtur Nadire dhe nga kjo martesë erdhën në jetë pesë fëmijë: Naimi, Faiku, Estrefi, Skënderi dhe Liljana. Pas ardhjes së Zogut në pushtet, në fillim të viteve 1925, Shyqëriu u pusha nga puna, për arsye të vëllait më të vogël, Hamdiut, i njohur për tendencat e tij antizogiste. Që nga ajo kohë, Shyqëriu u mor me administrimin e pronave dhe tokave bujqësore të familjes së tij të cilat ndodheshin në Babrru. Edhe pas vitit 1945 kur erdhën komunistët në pushtet, Shyqëriu u morr përsëri me administrimin e pronave të familjes së tij. Ai ndërroi jetë në mesin e viteve 80-të, në moshën 86-vjeçare, duke e pasur si brengë të madhe arrestimin dhe dënimin dy herë nga komunistët, të djalit të tij të tretë, Estrefit, i cili punonte si saldator në Ndërmarrjen e Ndërtimit “21 Dhjetori” në Tiranë. Estrefi vuajti mbi 13 vite si i dënuar politik në kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Shyqëriu kishte pesë fëmijë, ku dy prej tyre, Naimi dhe Faiku u diplomuan si inxhinier dhe punuan si gjeodet e ndërtues”.
Hamdi Kërçiku, Kryetar i Dhomës së Tregtisë
Djali i dytë i Sulejman Bej Kërçikut, ishte Hamdiu që lindi në vitin 1903 në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës fillore, ai u regjistrua dhe ndoqi mësimet në shkollën Teknike amerikane të ”Harry Fultz”-it, të cilën e mbaroi me rezultate të larta. Hamdiu zotëronte gjuhën anglishte dhe përkthente axhanset e “New York Times” për zyrën e shtypit të qeverisë së asaj kohe. Pas mbarimit të kësaj shkolle në vitin 1927, Hamdiu u mbajt aty duke u caktuar në detyrën e kujdestarit të shkollës për konviktorët, gjë të cilën e ushtroi gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut. Në periudhën e pushtimit italian të vendit, Hamdiu punoi si Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Tiranës dhe në fundin e viteve’30-të, ai u martua me Fitretin, motrën e Kryeministrit, Mustafa Merlika Kruja. Gjatë periudhës së Luftës, Hamdi Kërçiku ishte simpatizant i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe bindjet e tij politike ishin thellësisht antikomuniste. Në fundin e vitit 1944, duke e ditur se si do të silleshin me të komunistët, për shkak të krushqisë së tij me familjen Merlika. Hamdiu, u largua nga Shqipëria dhe fillimisht u vendos në Itali e Austri. Në fillimin e viteve ’50-të ai iku nga Austria dhe u vendos ne SHBA, ku Hamdiu ndoqi studimet e larta duke u diplomuar për Financë. Pas diplomimit ai punoi për shumë vite si nëpunës finance. Ndërsa e shoqja e tij, Fitreti, me tre vajzat, vuajti për vite në kampet e internimit. Ajo ishte një grua fisnike me karakter që punonte bashkë me të shoqen e oficerit akademik, Reshat Stërmasit, Nafijen, dhe të shoqen e ish-deputetit, Irfan Majuni (që të dy të pushkatuar në vitin 1947) Feriden, duke punuar si punëtore në ndërtim. Hamdiu ndërroi jetë në vitin 1978 dhe ai la tre vajza: Afërditën, Mirgjinën dhe Gjeraqinën, të cilat sot jetojnë në Berlin.
Prof. Dr. Kadri Kërçiku, mjeku i njohur
Djali i tretë i Sulejman Baj Kërçikut, ishte Kadriu, i cili lindi në vitin 1905 në Tiranë dhe ka qenë i njohur pothuaj në gjithë Shqipërinë, si një nga mjekët më të mirë që ka pasur vendi ynë. Lidhur me historinë e jetës së Dr. Kadri Kërçikut, nipi i tij, Gëzimi Peshkëpia kujton: ”Pasi mbaroi shkollën fillore në Tiranë, ai shkoi në Austri ku studioi për 16 vite duke u diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë së Vjenës ku dhe u specializua për Dermatologji. Në fillimin e viteve ’30-të, Mbreti Zog e thirri Dr. Kërçikun në Pallat dhe i propozoi që ai të shërbente si mjek i familjes së tij. Por Kadriu nuk pranoi duke i thënë Zogut: ”Siç e dini, unë jam specializuar për sëmundjet veneriane dhe po të punoj pranë jush, kundërshtarët e t’u politik, do ta shfrytëzojnë këtë dhe do të sulmojnë duke thënë se në oborrin tuaj ka probleme të kësaj natyre”. Pas këtyre fjalëve, Mbreti Zog u afrua tek dritarja e tij dhe i tha Dr. Kadriut: ”Ato shtëpi që po ndërtohen aty tek Pazari i Ri, tuajat janë? Shko e mbaroi ato shtëpi” dhe i rrahu shpatullat. Ato fjalë Zogu ia tha, për arsye se Dr. Kërçiku punonte edhe pranë Spitalit Civil të Tiranës, edhe në klinikën e tij private, ku vazhdimisht rriteshin radhët e njerëzve që prisnin të vizitoheshin. Në fundin e vitit 1944, Dr. Kërçiku hyri në bisedime me gjeneralin gjerman, Fitzzum dhe influencoi që Spitali Civil i Tiranës, të mos hidhej në erë, në shenjë hakmarrje ndaj një aksioni që kishin bërë komunistët në afërsi të Medresesë, ku mbetën të vrarë 16 ushtarë nazist. Edhe pas mbarimit të Luftës Dr. Kadri Kërçiku e vazhdoi profesionin e tij, duke arritur që të bëhej një nga mjekët më të njohur, i cili ndërroi jetë në vitin 1972, në moshën 67-vjeçare.
Hajdar Kërçiku, kryearkitekt i Grazit
Më i vogli i vëllezërve, Kërçiku, ishte Hajdari i cili lindi në vitin 1912-të në Tiranë. Ashtu si edhe i vëllai i tij, Hamdiu, Hajdari vazhdoi shkollën Teknike amerikane të Fultz-it në Tiranë dhe në moshën 17-vjeçare ai shkoi në Austri ku studionte i vëllai, Kadriu, dhe u regjistrua në Fakultetin e Arkitekturës në Vjenë. Edhe pas diplomimit, Hajdari, nuk u kthye më në Shqipëri, por qëndroi në Austri, ku dhe u martua me një vajzë austriake të quajtur, Leopoldina Lukan, e cila më pas fitoi titullin ”Profesor” që i’a dorëzoi Presidenti i atëhershëm i Austrisë. Në vitet që pasuan, bashkëshortja e Hajdarit, Leopoldina, mori një famë të madhe si piktorë-reasturatore, duke bërë disa punë shumë të mëdha në objektet antike në vende të ndryshme të Europës. Ndërsa Hajdari arriti që të bëhej kryearkitekt i Bashkisë së Grazit në Austri dhe gjatë atyre viteve që shërbeu në atë detyrë, ai projektoi disa vepra mjaft të mira, ku mes tyre vlen për t’u përmendur një spital për murgeshat që specializoheshin në infermieri si dhe një bankë për sindikatat e punëtorëve. Gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, Hajdar Kërçiku u lejua disa herë që të vizitonte familjet e dy vëllezërve që kishte në Tiranë, pasi ai kishte ndihmuar disa herë qeverinë shqiptare për problemet e Tregtisë me Austrinë. Në shenjë mirënjohje për ato që ai kishte bërë për shtetin shqiptar, në vitin 1968, ai u ftua zyrtarisht nga qeveria shqiptare për të marrë pjesë në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, me statusin e Kryetarit të Kolonisë shqiptare të Austrisë. Hajdar Kërçiku ndërroi jetë në vitin 1980 dhe ai la dy vajza, Mirjamin që punon si pedagoge e Historisë së Artit në një shkollë artistike të Grazit dhe Hajrien, e cila është pedagoge në Universitetin e Mynihut në Gjermani”, shprehet Gëzim Peshkëpia, për dajën e tij, Hajdarin i cili arriti të bëhej kryearkitekt i Bashkisë së Grazit dhe familjen e tij. Përveç katër djemve: Shyqëriut, Hamdiut, Kadriut dhe Hajdarit, Sulejman Bej Kërçiku kishte dhe një vajzë Nadiren, nënën e Gëzim Peshkopisë, që u martua me Manush Peshkëpinë, i cili u ekzekutua në vitin 1951 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u akuzuar për “incidentin e bombës në ambasadën sovjetike” në Tiranë. Gjatë kohës që dy vëllezërit e saj Kadriu me Hajdarin studionin në Austri, ata morën me vete dhe motrën e tyre, Nadirin, e cila ndoqi një kurs për ekonomi shtëpiake pranë një kolegji murgeshash. Pasi qëndroi për shumë vite nëpër internime, Nadiri ndërroi jetë në vitin 1981, duke lënë dy fëmijë, Xhanfizen dhe Gëzimin, i cili vuajti për 8 vite i dënuar i ndërgjegjes në burgjet politike të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kështu rrodhi jeta e pesë fëmijëve të ish Komisarit të Policisë të Tiranës, Sulejman Bej Kërçikut, familja e të cilit gjatë periudhës së regjimit komunist u pa me sy të keq, duke u konsideruar si familje borgjeze dhe reaksionare. Ajo mundi të shpëtonte nga vuajtjet e mëtejshme, vetëm në saj të Prof. Dr. Kadri Kërçikut, mjekut të njohur dermatolog që aq shumë ja kishin nevojën./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016