Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e shtatë
SPAÇI
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
E këqyra objektin që qiste avull duhmë-rëndë, si të ishte minë me sahat, po s’e pikasa ku duhej të ishte plumbi. Por Jemini ma zhvati dhe ndau në dy pjesë, derdhi guralecët, nxori nga xhepi një copëz kallaj, si plumbçet që përdoren për të fundosur grepat dhe e zhyti në lëfytin e kërrusur. Si fiksoi në mes një fijëz çeliku, sa një qime floku, e rrahu me të mprehtën e çekiçit.
Kur tërhoqi fijen, hodhi guralecët, bashkoi gjysmat dhe e mbushi depozitën me ujë, pasi lëvizi një tip pistoni, në pjesën e epërme, afroi çakmakun. Nga lëfyti shpërtheu një flakë e kuqërremtë, shoqëruar me aromën e vezës së prishur.
Atë ditë mësova se pa këto parapërgatitje, s’mund të futeshe në minierë. Vumë vagonin para dhe ndalëm si ndo nja dhjetë metër më tej, mbi një rrotullame metalike, që e quajtën pjatinë. E fiksuam mbi pjastër, që s’e kisha idenë për çfarë shërbente dhe Jemini rrotulloi vagonin me forcë. Ai fugoi, bashkë me të, fluturova edhe unë me këmbët në hava, ngërthyer pas buzëve të kazanit. Për një çast, më erdhi hyrja vërdallë, sa gati u shemba në vijën e ujit.
“U vrave? Duhet të kisha paralajmëruar, por kujtova se e dije”! – kolegu më doli në krah.
– “Jo, s’kam gjë”!
Ky fluturim më vlejti të tregohesha i vëmendshëm, në çdo rreth-rrotullim.
“Ku e ke kapën, bre”! – ulëriu Arshini, që e kish vënë të vetën me kohë. – “Po rrobat, more”?!
“Veshur jam”!
“Me këto cilivriqka, do ngrish fare, o derdimen? Caci, jepja peliçen këtij çunit, se e kemi lakuriq”! – i thirri njërit që po dilte nga brendësia e minierës.
“Është pis, po të mban ngrohtë”! – një faqedjegur më zgjati peliçen. E falënderova dhe e hodha mbi trungje.
“S’ke pse falënderon, po vishu”! – më sugjeroi Anastas Lapi, që shpejt do bëhej miku im. E vesha, ndonëse temperatura duhej të ishte mbi pesëmbëdhjetë gradë.
“Përpara”! – urdhëroi Arshini dhe vërviti barominat në kazan, sëpatën e sharrën në sup dhe hoqi udhë. Tashmë rrotat kuisnin mbi binarë, duke më dhënë ndjesinë e zhytjes ne tunel.
Kjo vrimë mes territ dhe kaosit, ndillte kob!
Sa më thellë depërtonim, aq më shumë nxironte.
“Në ndryshim nga të ngjashmit që joshin shpresën për dritë, në barkun e malit, të përpin terri dhe nata sterrane”.
Nën zbehtësinë e dritës së kandilave, hijet e trungjeve u shëmbëllenin çetave të përçudnuara, ku realja me surealen, plekseshin si në një lojë fantazmash.
“Ver dorë, o Perëndi dhe shpëtomë nga Hadi”!
M’u fanitën mitet me kuçedra, minotaurë dhe cerberë.
Por ne mjeranët e modernitetit, s’ishim Herakliu i lashtësisë që përballi gjigantët, as Perseu që mbyti Minotaurin, por ca viktima të brishta, që mëtonin t’u mbijetonin minotaurëve të kuq dhe kuçedrës komuniste, që po na zhysnin pa fill, në labirinte që të humbim drejtimin dhe të endeshin kuturu pas trarëve të shkalafitur nga korrozioni, shkëputur nga pjatinat dhe të brejtur e të shkallmuar nga dhëmbët prej cerberi, të acidit që i shndërronte në ndryshk.
Mandej na mungonte Ariana, për të na udhëhequr në labirintin terr, sepse hirushet tona rreckamane, i kishin degdisur në stallat kolektive, moçaleve të Myzeqesë, ku rropateshin për kotheren e mbijetesës, që ua hiqnin vocërrakëve nga goja, për t’u endur udhëve të burgjeve, ku dergjeshin prometenjtë e lidhur pas shkëmbit komunist…!
“Ruhu bre, se të këputi tubi kokën”! – më buçiti rrëzë veshit zëri i shokut.
Sakaq, një goditje e beftë më fluturoi kapelën dhe zboi ëndrrat me titanë, hirushe e promete.
“U vrave, mo”? – Jemini ndali vagonin.
“Jo”! – në fakt u trullosa, po s’ndjeva dhimbje.
“Të thashë ta ulje kokën, po s’di ku e pate mendjen”! Heshta i tromaksur.
“Hap sytë, tubat në kryqëzime janë një çikë të ulët dhe të këputin kryet, sidomos me vagonin plot, kur terreni ka pedencë, të merr pesha me vete”, – vazhdoi refrenin e qortim-mësimeve.
“S’u vrava, po më fluturoi kapelja:, – ia ktheva.
“S’paska vajtur në të s’ëmës kapelja”! – shau nëpër dhëmbë Arshini dhe e gjeti nën dritën e kandilit e ma ktheu. – “Hap sytë djalosh”!
“Sa metër jemi futur nën mal”? – pyeta për të ndërruar temë.
“Kaluam kilometrin, edhe pak arrijmë frontin”.
Dufi i ajrit përzier me grimca pluhuri dhe tym baruti, më shpoi hundët, sytë më përcëlluan, kurse shikimi s’i depërtonte dritat e venitura të kandilave.
“T’ëmën, s’paskan hapur ajrin, bre! Pa kthehuni te xhepi sa të pastrohet fronti, se e hëngrëm paparen”! – shau nëpër dhëmbë Arshini, duke luajtur diçka pas tubit.
Shfreu një turbulence, sa gati fiku kandilat, ndërsa ne braktisëm vagonin dhe u rikthyem nga erdhëm, morëm në të djathtë dhe u gjendëm sakaq, nën një hapësirë shkëmbi, të pa armuar.
Ajo pamje më tmerroi, u tërhoqa dhe u struka poshtë armaturës.
“Ku vete”? – bërtiti Jemini.
“Do na shembet mali mbi krye”! – ia ktheva i lemerisur.
“Jo, or jo, pas pesë minutash në grykën si oxhak do hyjë tymi dhe do marrë terma”.
Dritat e kandilave humbën lart pareteve të gllanikut dhe u tretën, pa arritur të depërtonte honin. U lëshova mbi një pirg gurësh, ndeza një cigare dhe u zgjata paketën shokëve.
“E paske keq me duhan or mik”! – qortoi Arshini dhe vijoi: – “Po këtu do të bëhen tre tymra bashkë, i karbitit, i dinamitit e i duhanit, dhe hajt dilu në kut”!
“E lashë njëherë, por më shtinë në birucë dhe më hyri prapë krimbi”! – u rreka të justifikohem.
“Ama llaf na the! Pse për verim na kanë prurë këtu?! Mblidh mendtë, kokë-ë, sa herë do na shtien e do na nxjerrin nga biruca, do nxikemi e do lëkemi duhanë”! – e mbylli vërejtjen qortuese.
Pas pesë minutash shtëllungat gufuan në grykën e furrnelit, si mjegulla nëpër humbellat malore, por ndalën në cepin ku ishim strukur ne, si t’i hiqnin për freri, bënë një gjeratore dhe mësynë oxhakun, si kuajt azat. Kjo lojë rrymash, më futi në refleksione aerodinamike, duket fitoi vesi për të lidhur gjithçka me gjendjen emocionale, edhe në zemër të tokës.
Arshini dhe Jemini po koteshin indiferentë.
“O Zot, flenë dhe nanurisen me rrezikun mbi krye”?
Teksa prisja të më derdhej mali, një zë shpoi terrin sa kumboi kubeja:
“Pse më prish gjumin mijëvjeçar”?!
“As ndërmend, as ndër fiqir të të shqetësoja, po më sollën me pranga”! – u shfajësova.
“Nonsenset humane, zgjidhini vetë, erdhe tek unë, s’sheh më dritë”!
“S’doja të vija, por më sollën përdhunshëm”! – iu ankova
“Këtu je i vdekur, pra”!
“S’më pyetën, më kapën për rreckash dhe më sollën me auto-burg”! – shtova, me shpresë të zbusja kërcënuesin e padukshëm.
“Më zi për ty! Qysh nga zanafilla, buisin miliarda shpirtra në mbretërinë time, ca më herët, ca më vonë, një më shumë një më pak, këtu do përfundoni”!
“Këtu qenka akull”!
“Parapërgatitje për përjetësinë”!
“Cili qenkeni ju”?
“Unë? Hadi”!
“S’dëshiroja të të takoja kaq herët, shoku Had”!
“Lufto të shpëtosh”!
“Vuan robi gjithë jetën, pa e ditur në do ta zërë e nesërmja! Ç’ke lënë në shtëpi, mo”? – foli terri. Unë kujtova se fliste Hadi.
“Hej pykë, me ty po flas”! – me shkundën për supesh.
“Me mua? Më kanë burgosur me damkën e armikut të Partisë dhe…”!
“Mblidhi dhitë, kokë-ë! Pse, neve si miq të Partisë, na paskan shtënë këtu, mo”! – fliste Arshini, por unë isha larg të gjallëve.
Mbase rezultoi fatale përballja me nën-dheun dhe më tronditi sa më kalli datën.
Zaten, përherë më kishin tmerruar mundimet e minatorëve. Në ekranin e trurit, më riprodhoheshin skenat makabre të Emil Zolasë dhe Archibald Kroninit, në zgafellet e qymyrit në Francë dhe në Britani, ku humbnin me dhjetëra fatkeq.
“O Zot, kur këto kobe ngjasin në vendet ku jeta vlerësohet, vaj halli te ne”!?
M’u drodh zemra dhe m’u ngjeth mishtë. Pas çdo shtylle, pashë një viktimë, pas çdo vagoni një të gjymtuar, në çdo pjatinë nga një të vdekur, në çdo front katrahurën, katastrofën pas rrezes që lashë jashtë dhe mornicat më përshkuan nga koka te këmbët.
“O Zot, shpëtomë”!
Terrori u përzje me misterin e të panjohurën që fshihte terri, më zgjuan instinktet kafshërore në nënvetëdije, teksa shokët koteshin pa e vrarë rradaken!
Më pas, impresionet e asaj dite do fashiteshin dhe do bjerrja kujdesin, sa do shtrihesha nën shkëmbinjtë e grykave të galerave të braktisura, pa u qederosur, madje do shijoja ëndrra lirie, më të bukura se mbi jatakun e burgut. Por kjo moskokëçarje i përket periudhës, kur do ambientohesha me rrezikun dhe do ta njehsoja jetën me harresën.
Sidoqoftë atë ditë u tmerrova vërtet.
Udhëve të ferrit
“Nisemi, do jetë pastruar fronti”! – Arshini tundi kandilin si lavjerrës dhe udhëhoqi gjer te pjatina.
Shtymë vagonin në të majtë, gjersa ngeci mbi inerte. Dritat feksnin si sy kukumjaçke, mes resë së tymtë. Pasi u mësuan sytë, dalluam një pirg gurësh dhe zhuri që kishin mbuluar shinat.
Nga pas ca shtyllave gjysmë të rrëzuara, Jemini nxori nja dy lopata, më zgjati njërën mua, ndërsa tjetrën e flaku tej.
“Po të vrau duart, do t’i ndërrojmë bishtin”, – foli duke u përkulur mbi pirgun e gurëve.
Sa më shumë avanconim, aq më të mëdhenj gurët, pas pesë minutash e mbushëm vagonin.
“Na këtë hun dhe vëre në të djathtë”! – por duket s’iu besoi fjalëve, sepse kaloi në krahun tim, kur u sigurua se pjesa fundore, dilte bri hijeve të mia, doli në anën e vet dhe urdhëroi: – “Shty fort”!
Rrotat lëvizën me përtesë duke kuisur si qen të rrahur.
“Kur të dalim jashtë, më kujto t’i grasatojmë, se paskan zënë pluhur. Po hap sytë, atje ku të ra kapela, lipset të frenojmë, se po na doli nga pjatina, hajt ta ngresh”! – këshilloi.
“Mua më ngjet njësoj galeria, si këtu, si më tej”! – u ankova.
“Do mësohesh, mos ne kemi ditur në fillim”!
Rrotat shkisnin më lehtë, po kuisja vijonte. Vagoni mori yrysh dhe Jemini u kacavar mbi hundën e shasisë, ndërsa unë u shqeva shalësh nëpër gropa, duke përndarë stërpika shllap-shllup, me çizme.
“Ç’shtyn, hip sipër se u shqeve”! – më bëzani ai.
“Druaj se godas kokën, në ndonjë tub”!
“Hidhu kur t’i qasemi, do frenojmë”!
“Ku bie ai vend”?
“Këtej si them unë”! – e mbylli instruktimin.
Teksa hipa mbi shasi, shpejtësia u rrit disa fish, duke e shndërruar trak-trukun në uturimë. Oh ç’kënaqësi!
M’u fanit fëmijëria dhe pajtonët që iu ngërthehesha pas, strukesha nën karkasën që t’i shpëtoja kamxhikut të karrocierit apo syrit të policit, se do ta gdhija natën në ndonjë bimsë.
Tashmë rrotat shkërbenin trokut të trenit, ndërsa vagoni fugonte si fërfëllimë ferri.
Xhiroja më lumturoi, por vetëdija se gjendesha në minierë dhe ndjesia mos përfundoja spurth pas armaturës, më bëri sy e veshë dhe më shtoi të rrahurat e zemrës. Droja nga ndonjë goditjeje e beftë, më detyroi ta ulja kryet, në nivelin e materialit, ndonëse lartësia kalonte mbi dy metër, teksa rrymat më rrahën fytyrën, pikat e ujit, ndonjëherë currila, derdheshin mbi kapele dhe më bënë qull.
“Ruaj këmbët kur të zbresësh, mos të zënë ters në ndonjë traverse”!
Kolegu u var me hurin në dorë, kurse unë ula këmbët, po çizmet hasën kurrizin e traversave.
“Zbrit, ç’pret”? – m’u hakërrye ai.
U hodha, por inercia më tërhoqi, sa gati përshesha turinjtë mbi shasi. Në çastin final, shoku më shpëtoi, vagoni shtoi shpejtësinë dhe humbi bashkë me ndriçuesit.
“Mbetëm mes territ”.
“Ku”?
“Zoti e di”!
“Mos luaj sa të ndez çakmakun”!
Pa mbyllur gojën ai, një rrapëllimë hekurishtesh provokoi një dridhmë, që shkundi kubenë dhe një lumë guralecësh na ranë mbi shpinë.
Nën një dritë të mekur çakmaku, pashë shokun t’i avitej vagonit që dergjej në vijën e ujit. Kandilat s’i pamë kund, mbase kishin përfunduar shtrydhur pas armaturës, ose kishin rënë në rrëke.
“Mos kolegu rri mes shinave, se do të të shtypë ndonjë vagon”! – ulëriu
U spostova në skaj, por s’isha i sigurt në isha bash në vendin e duhur. Të dridhurat më depërtuan ashtin, një Zot e di në ishin rrymat e ajrit, apo ethet e frikës!
“Këtu ngecëm në udhëkryqin më problematik”! – belbëzoi kolegu. – “Ku e ka zhytur turirin ky, s’e nxjerrim dot vetëm”! – shfreu i dëshpëruar dhe doli mënjanë.
Prita mos më qortonte, por u mjaftua me aq.
“Më fal, po vuan gabimin tim”! – i kërkova ndjesë.
“Fajtor jam unë, që i besova vetes”! – më lehtësoi. – “Gjej ndonjë skutë, sepse s’kemi ndriçim”!
“Po ti”? – i fola duke u dridhur.
“Unë do rri me çakmakun ndezur, sa të dëgjojmë zhurmë vagoni, t’u jap sinjal. Por më parë hajt presim rrugën, me nja dy trarë”.
Më la çakmakun dhe vuri do shkëmbinj mes shinave, gjeti edhe nja dy trarë dhe i shtriu pas gurëve.
“Më jep një cigare”! – duke mallkuar veten për mërzinë që i shkaktova, i zgjata paketën dhe çakmakun. – “Ndize edhe ti dhe po pe të afrohet ndonjë vagon, tunde mbi krye”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016