Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e katërmbëdhjetë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Më kthe përsëri trupin që nuk dirgjet i shtërnguem me hekura, e mendjen e lëshueme në kujtime të pastërta, e qëllime të çiltërta të nji shpirti të lindun me dashunue. Fllad, o fllad! Merrmë me vete! Në hapsinën e pafund të fushës që unë nuk shoh ma, ti më ço. Atje ku në fëmijërinë time, i lirë e i lumtun, mësova të vrapoj, flutura tue ndjekë e lule tue mbledhë, e shokët tue shoqnue në nji botë që iku shpejt pa e kuptue, më merr përsëri. Atje ku gazi kurrë nuk mungonte, e fytyra ime veç galdimin tregonte për prind, e tjerë të rritun që më këshillojshin mos me vrapue se rrëzohem, e ftohem….!
Vetëm muzgun njihsha ato ditë, kur terri dalëngadalë largonte fluturat e mshihte lulet ndër fusha, derisa nuk dukeshin ma. Shokët kah shtëpia shkojshin, e unë mbas tyne pa u nda deri në banesë. Nana më priste me nji të puthun, që kurrë nuk mjaftoi për mue, as për atë, kur unë ia kthejsha me nxehtësi. Mbas darkës së bekueme me djersën e babës, që punonte, në shtrat u struksha si qingji i pakujdesun, pa muejt me dhanë ma shumë se nji përqafim për prindët, që më dojshin me shpirt.
Fillojsha atë çast jetën e nji bote tjetër, botën e andrrave, që gjatë gjithë natës nuk m’u ndajshin asnjiherë që të mos shkëputej lumnia e ditës së ngrysun…! O fllad! Merrmë me vete! Në hapsinën e atij mali që njoha gjatë verimit, më merr! Në ajrin e kaltërt e blu që mbushte luginën, ti më lësho. Freskinë e papreme që sjell pylli, më jep dorën t’a shijoj përsëri. Më përcjell në ograja të katundit malot, që në rininë time të shkujdesun, nji bote të re më zbuloi. Fyllin e zumaren e bariut, e meloditë e vajzës që këndon e këndon me grigjën që blegron në kullota, dëshiroj përsëri me ndigjue.
Zanin e të rijve zemër-çiltërt që qeshin pa kujdes e drojë, tash jam tue kujtue, e zemra me heq me u thanë përsëri si dikur: “Eni, eni! Nji kangë të bukur qyteti do t’ju mësoj”. Me njerëzit e thjeshtë, që flasin ç’ka ndiejnë pse nuk dinë ç’ka asht e keqja, digjem sot me fol…! * Në mbramje, kumbonet e Kishës françeskane tingëllojshin si nji hymn qiellor. Më kujtohej ky tingull, kur në mbramjet e lira buzë liqenit, ndigjohej i qartë e paqësor. Atëherë, ishte koha me u kthye në shtëpi.
Por në ato ditë, paqja e perëndimit të diellit, e mbramja që e ndiqte, ishin të pandërpreme, të pacoptueme, të pavrame nga zanet e të burgosunve, që ndigjohen në qelitë, dhe pa frikën e vdekjes sime e të shokëve të mi në torturë. Në qeli, ky himn qiellor, ishte kthye në nji Meshë Solemne për trupat e dërrmuem, e shpirtët e viktimave, që shuheshin çdo ditë në errësirën e Sigurimit kriminel komunist. Kisha nji ndjenje të çuditshme, kur ndigjojsha zanet e të burgosunve.
Flitshin me za të ulët, sa që nuk njiheshin ma, sikur dojshin me tregue së gjatë periudhës së torturës diçka thelbësore kishte ndryshue tek ata, se nuk ishin akoma ata të paraburgimit, por krijesa të reja të linduna nga vuejtja e torturës, jo përgjegjës për gjendjen e tyne të re, fantazma të asaj që kishin qenë dikur…! Vetëm pak javë mbas kësaj “ndërpremje”, që ma vonë kuptova se ishte shkaktue nga nji vizitë e Komisionit të OKB-së, në Shqipninë e Jugut, filloi hetuesia për mue. Kësaj radhe, akuzat ishin edhe ma “fantastike”, se të parat.
Gojë me gojë, kishim marrë vesh, se disa “deputet” ishin arrestue, e se do të dilshin për së shpejti para gjyqit. Sigurimi i Shtetit, bante përpjekje mbinjerëzore me i kompromentue, tue detyrue të burgosunit me deponue kundër tyne. Në zyrën e hetuesisë, gjeta përsëri “shefin” e ditës parë dhe oficerin e hetuesisë sime. Nga pyetjet e shënueme në letër, e të lexueme nga oficeri, kuptova se kisha të bëj me nji hetuesi të mbarsun me mundesitë e rreziqeve të paparapame, ndoshta vdekjen gjatë torturës, ndoshta ekzekutimin me gjyq, padyshim nji periudhe të gjatë burgimi të rëndë.
“Akoma nuk ke proces”, tha shefi. “Tani do përfundojmë, akuza të reja kanë dalë në shesh, kundër teje”. Nuk fola, por kujtimi i torturave të maparshme, më rrëqethi trupin. Ai filloi me tregue, se nga arrestimet e reja, Sigurimi, kishte grumbullue materiale që tregojshin “pa asnjë dyshim”, se rrjeti i organizimit të rinisë studenteske në Shkodër, ishte shumë ma i gjanë se mendohej, dhe se unë; “pa asnjë dyshim” isha nderlidhësi i të rinjve me “Grupin e Deputetëve”.
Tashti, nuk mbetej tjetër veçse të flitsha, ata do të shkruajshin, e kështu do të përfundonte procesi, e unë do të shpëtojsha prej torturave. Mbeta me gojë hapët. Nuk fola. Ata pritën pak e kërkuan nji përgjigje. “Zoti major”, fillova unë, “nuk njoh asnji deputet, as kam nji ide për atë që më akuzoni…! Unë nuk kam takue asnji të huaj…ju betohem”!
Në brendinë time e dijsha mirë, se kjo përgjigje më siguronte tortura të reja; por njëkohësisht, u bana edhe ma i ndërgjegjshëm, se ishte e domosdoshme me ruajtë qartësinë mendore, e me u mbrojtë në çdo mënyrë nga sulmi i paevitueshëm, mos me lejue shkatërrimin tim të pareparueshëm. Nji ditë ma parë, para derës së qelisë sime, tue tërheqë rrëshqanë, sollën nji të burgosun të panjohun. Nuk ndigjova zanë, përveç zhurmës së trupit që u përplas për shesh, kur e lëshuen dy partizanët.
Nji orë ma vonë, në heshtjen e madhe që ndoqi, e që ndërprehej nga fshamje e kollitje, u ndigjuen kambët e roje bashkë me atë të nji tjetri që e ndiqte. “Ja ku është”, i tha roja. “Shtrirë përdhe si një derr….”! “Ngreu, ngreu”! bërtiti polici tjetër. “Ngreu mo të them…”! – “Afrohu o derëbardhë! Afrohu, mos kij frikë…”! tha roja, e me za të ulët: “Është i vdekur…! E vrau togeri me dru…lart në zyrë….”! – “Po ky është akoma i lidhur ore…ç’thua”?! – “E, o derëbardhë”! Në këtë gjendje shpirtnore, ballafaqova hetuesit e mij. Kësaj radhe nuk kishte diskutim.
Po, ose jo! Jo, donte të thonte përsëri torturë, e nga veprimi i tyne kuptohej, se kërkojshin rezultate pa vonesë. Por, pyetjet që më drejtoheshin në lidhje me “Grupin e Deputetëve”, nuk kishin të bajnë fare me mue. Prapëseprapë, mohimet e mia nuk i besojshin! Ashtu si herën e parë, ata paraqitën nji të burgosun të lidhun me litarë e zinxhirë, që deklaroi, se “kishte ndigjue prej të tjerëve”, që unë isha organizatori e ndërlidhësi i “Grupit të të rinjve shkodranë” me Tiranën.
Pranimi i kësaj akuze më siguronte dënimin me vdekje. Mbas nji përvojë të gjatë në torturë, e me frikën se pranimi i akuzave falso më fundoste, vendosa mos me kapitullue. Tortura, nga dy oficer e nji roje, filloi menjiherë dhe e përqendrueme. Druni i pagdhendun, ishte forma klasike ma e lehtë. Kësaj radhe, korrenti elektrik në të dy veshët e në organet gjenitale njëkohësisht, nuk u ndërpre, pothuajse fare. I sulmuem nga të tre, u përpoqa të mbrohesha ashtu si munda, natyrisht pa sukses. Për nji çast, të tre pushuem.
Shpresova se ishin të lodhun me mue, e se do të pushojshin për atë natë. U gabova! Roja më hoqi pantallonat e brekët. I lidhun për karrige me duar mbrapa, më përmbysën e koka preku dyshemenë.
Dy kambët, ishin nalt të ekspozueme. Oficeri mori nji thikë, e me tehun e saj më preu mishin në rranzë të kofshës. Gjaku filloi me rrjedhë. Ai mori krypën nga tryeza, e mbuloi plagët me të. Dhimbja që më shkaktoi, kalonte mundësitë e durimit. Në këtë pikë humba zanin. Nuk shihsha ma para vetes, as ndigjojsha zanet e tyne. Atëherë, oficeri m’u afrue. M’u duk sikur nji za, më urdhëroi me hapë gojën. Unë nuk kuptova.
Ai futi gishtat në gojën time, e mbajti të hapun, e me nji tub kartë, filloi me lëshue krypë në grykë. Kjo më shkaktoi të vjelluna, që nuk delshin përjashta, sepse ishte zanë gryka. Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, oficeri tjetër, me nji shufër metalike shtynte krypën, sa ma thellë në grykë. Me kokën në shesh, me kambët në ajër e i lidhun për karrike, mendova se po vdes. Me nji forcë të jashtëzakonshme, u kollita e nxora përjashta krypën. Oficerët u larguan. Karriga u kthye nga e djathta, e unë fillova të marr frymë përsëri. Në grykë digjte shija e krypës, qe përpiqesha me hedhë përjashta.
Ma në fund, nji pështymë e madhe e përzieme me gjakun qe më shkaktoi gërvishtja në fyt, doli e papërmbajtun, e ra në dysheme. “Derr! Mos pështyj në shesh”, më tha oficeri. Nuk nxora za. Ata shikuen njeni-tjetrin, e urdhnuen rojën të më kthejë në qeli. Në qeli, roja më hoqi dyshekun. Tue dal përjashta më tha: “Nesër, në orën gjashtë të mëngjesit, do të ekzekutohesh”! Nji shaka…?! Nuk ditsha, në se duhej t’a besojsha këtë llum të shoqnisë, që kënaqej me vuajtjet tona. Por nuk kisha mjaft guxim me mendue, se ai e bante vetëm për kënaqësinë shtazarake?! A po ishte nji kërcënim i bamë me urdhën, si presion për kapitullim?!
Në terrin e plotë të qelisë, plotësisht i izoluem nga bota, i dërrmuem nga dhimbjet fizike, me duar e kambë në pranga, gojën me kripë, i shtrimë në shesh çimentoje, pritsha me tmerr, se ç’ka do të bahej me mue. Nga sahati i Kishës Françeskane, ra ora katër e mëngjesit. Kishte ende dy orë. Kisha humbë edhe aftësinë me mendue drejt. Ndiejsha vetëm dhimbje, e kisha frikë. Nji frikë e madhe, e gjithanshme, që më shtonte edhe ma shumë të dridhunat nga të ftohtit. Koka më pëlciste nga kripa, e nevoja me ngrënë mbas kaq kohë vuajtje, ishte shue…!
Rreth orës gjashtë të mëngjesit, ndigjova nji zhurmë kamioni që u afrue e ndaloi para burgut tonë. Partizanët zbritën shkallët tue ba shaka me rojën. Zhurmet e këpucës plot thumba, tingëllojshin si krisma pushke në veshin tim, e zanet e tyne të naltë si kumbonë vdekje, ne ambientin tonë ku mbretnonte heshtja. Rojet qeshnin; të burgosunit rënkojshin. Zhurma afrohej edhe ma shumë, deri sa erdhi brenda seksionit ku gjindeshin qelitë. Ankthi im u rrit. Frika e ekzekutimit, më zuni për gryke, e nuk muejsha me marrë frymë. Isha i ri, njizet e dy vjeçar!
Më dukej vetja sa nji grusht, e ushqejsha iluzionin, se kështu ndoshta nuk më shohin, nuk më gjejnë…! Mendojsha shkelmimet e të dënuemve me vdekje e, keqtrajtimin e tyne para ekzekutimit, e varrosjen pa ceremoni, pa dinjitet, kambët e policëve që shtypshin dheun mbi viktimat gjysëm të mbulueme, e largimin e tyne nga skena e ekzekutimit, tue këndue kangë partizane…! Ky do të ishte fundi im?! Atëherë, nuk mbetej veçse me pritë ditën kur qentë e lagjes, do të zbulojshin kufomat e mbulueme pa kujdes, që të marrë fund akti i mbramë, i asgjasimit të pareparueshëm të jetës sime.
E si kurorëzim…të vijnë talljet e atyne, që unë kisha njohë e kundërshtue, e që për hipokrizi para diktatorit, ose çnjerëzim të pakorigjueshëm, do të ngrejshin dollinë në shenjë urimi, për vdekjen e nji “agjenti të imperializmit gjakatar amerikan”. Ndigjova hapat e policëve që u larguen me të qeshuna, e u qetësova. Për shtatë netë me radhë, mbas mesnate, u thirra në zyrë, u pyeta për të njëjtat “faje”, u torturova pa mëshirë, e u dënova pa ujë e, pa ushqim. Ditën e fundit isha jashtëzakonisht i lodhun.
I shtrimë në shesh, e në pamundësi me ndejë në karrige nga plagët e marruna e kotuzionet, që më mbulojshin gjithë trupin. Gjendja ime ishte keqësue, aq shumë sa edhe “hetuesi” e kuptoi, se trupi im nuk duronte tortura të reja. Atëherë, me za kërcënues më pyeti: – “I pranon akuzat”? – “Jo”, thashë me nji gjysëm zani, e kokën e ulët. – “Duhet të përfundojmë procesin”, më tha; “i gjallë ose i vdekun”! – “Po!”, përgjigja me nji lëvizje kokë të këputun.
XII
U ktheva në qelinë e errët me shpresën se, tortura fizike, kishte marrë fund. Isha i bindun, se nuk mund të kalojsha pa nji “proces”, mbarë ose mbrapsht, por jo ashtu si e kërkojshin “xhelatët”. Njikohësisht, ndjeva veten, aq të dërrmuem, sa që isha i sigurt se nji valë e re torturash, do të më vdiste fare. “Do të firmoj procesin”, mendova, “mjafton që të mos torturohem përsëri”! Në gjendjen që isha, vdekja randonte ma pak se tortura, akti ma i ulët i veprimtarisë çnjerëzore, poshtnimi ma i thellë që i bahet individit viktimë, e simboli i degradimit moral e politik absolut i “shtetit” e shoqnisë, që prodhon xhelatë për torturë…!
Në këtë gjendje, fizikisht paralizuese nga dhimbjet e frika, revoltimi kundër torturuesit kishte arrijtë kulmin. Anatemat ndiqshin njena-tjetrën, ditë e natë pa ndërpremje. Zemërligësia e xhelatëve, më kishte prue në nji pikë, sa që edhe fytyra, edhe zani, ashtu vetë si xhelati, me neveritshin, sa herë që më kujtoheshin. Nuk shihsha asnji shenj, se ekzistonte tek ata nji ndjesi, që i naltësonte si qenie njerëzore. Asnji! Të zhveshun plotësisht nga petku që fisnikon, “ata”, për mendimin tim, ishin kafshë të egra, mishngranëse, banorë të kënetës së qelbun komuniste…!
Megjithatë, nji diçka e brendshme, që nuk ishte thirrja e mishit e gjakut, sikur më ftonte me kërkue nji rrugë të re. Në kundërshtim me atë që pritej, për të parën herë gjatë burgimit, fillova të konceptoj mundësinë e faljes, e të mëshirimit. Nji frymë e re përpiqej me më largue nga ai mal urrejtjeje, që ishte zemra ime atë natë, e nga dëshira për hakmarrje, që ushqehej nga çdo qelizë e trupit tim. Për çudinë time, kuptova se ndjenja “fetare”, bante hapat e parë e kundërshtonte instinktin e ngjallun, nga vuejtja trupore e përditshme.
Pse të mos mendohen mënyrat ma të përpunueme të hakmarrjes, kundër atyne që më kishin prue në këtë gjendje, mendojsha, kundër atyne që më shkaktojshin këto vuejtje? Kundër thirrjes se mishit e gjakut, në brendinë time ndigjojsha nji za, të lehtë, por kambëngulës, që më urdhnonte: “Mos e humb shkëndinë njerëzore, që të naltëson. Ngreu në sferën, ku ndërgjegja mbetet e pastër, e nuk bren. Sepse, dhuna e paligjshme e tortura nuk janë mjete që të lirojnë, as sigurojnë vëllazën e motra. Ato, nuk janë në gjendje me të nxjerrë nga qeliza e vetmisë ku jeton secili prej nesh, përsa kohë, që nuk zbulohet solidariteti me qenie tjera që vuejnë si ti”.
Pa ndërhymjen time të ndërgjegjshme, kuptova, që po kalojsha nëpër nji eksperiencë “fetare”. Ishte nji revelacion i vërtetë! Në këtë natë torturash të randa, i vetëm në “izolim”, ndigjova zanin e brendshëm, që më thonte: “Jo! Mos i lejo vetes më ra aq poshtë, sa torturuesi yt. Ai nuk asht njeri. Me ndërgjegje të plotë, ai ka nxjerrë veten jashtë kuadrit të njerëzimit, jashtë fushës ku vëllau përqafohet me vëlla, jashtë botës ku çdonjeni nga ne, sado i mjerë, mbetet qendra e vëmendjes dhe e kujdesit tonë, jashtë shoqnisë, ku shpëtimi edhe i nji jete të vetme, asht nji fitore e pakrahasueshme.
Sepse asgja, asgja nuk vlen ma shumë, se nji jetë njeriu. Mos lakmo xhelatin, që torturon e nuk ndan dhimbjen sakatuese të atyne që vuejnë prej tij. Për atë, jeta ka kuptim vetëm kur shërbehet instikti shkatërrues, kur zhytet në thellësitë e së keqes së pafund, e pa kthim, aty ku vdekja mbretnon mbi jetë…”! Atë natë, ndjeva me fuqi dhe besova të mbinatyrshmen, hyjnoren. Atë natë ngadhnjeva, u ndjeva i lirë, e në këtë liri të brendshme, të plotë e të ndërgjegjshme, gjeta Krijuesin tim, zbulova Simbolin e se Mirës pa kushte, e idealin që frymëzonte, dhe e përqafova për jetë.
Dhimbja e trupit të dërrmuem, e tmerri i vdekjes në vetmi, më dhuruen shpëtimin e shpirtit tim. Në qelinë e errët e kërcënuese të burgut, fitova paqen e përhershme, dritën e pashueme që ngjall dashuninë për njeriun vëlla…., e kriminel. Për tri ditë me radhë, më lanë të qetë. As pyetje, as tortura. Por unë ndihesha i lehtësuem edhe shpirtnisht. Për të parën herë, qysh nga dita e arrestimit, kisha përshtypjen se nji forcë madhore, ma e fuqishme se terrori që më rrethonte, nji “autoritet” që qëndronte mbi atë që urdhnonte torturën kundër meje, nji shtyllë e pathyeshme pranë meje, ishte ba mbështetje për mue.
Përvoja shpirtnore që kalova atë natë, tri herë të zezë e, tri herë mizore, më kishte ngritë mbi të përditshmen e urrejtun, e kishte zbutë frikën paralizuese të vdekjes në torturë. Ndigjojsha zanet e të burgosunve në qelitë rreth meje. Dikush fshante thellësisht, dikush i trokiste derës, e i lutej rojes kuqe. Të tjerë shqiptojshin me za të naltë fjalë e shprehje, që nuk kuptojsha.
Unë isha i qetë! Me këtë përziemje zanesh të nëntokës, më dukej sikur gjejsha nji lidhje shpirtnore, që krijonte vuejtja e përbashkët, e që në vetminë e gjatë e absolute me lejonte me shijue tingujt e tyne, si nji melodi, që më ndihmonte me dalë jashtë qelisë sime, me krijonte kontaktin me të jashtmen që më mohohej, tue lidhë mendimin tim me ata, të panjohuni, me nji ndjesi qe ishte shoqnim i pastër njerëzor…!
Të ndamë fizikisht nga muret e trasha të burgut, u bashkojsha me ata në dëshirën e devocionin e përbashkët për liri. Ishte kulmi i solidaritetit! Të nesërmen, më prunë rrobat e ardhuna nga shtëpia e ushqimin. Pa u pastrue për ma shumë se nji vjetë, i zvarritun në baltën e oborrit, korridorit, e qelisë së papastrueme, isha aq i ndytë në trup, saqë çdo gja mbi vete, mbante nji erë me të marrë frymën.
Roja më zgjidhi duert e kambët. “Pesë minuta” tha, e mbylli derën. U ngrita në kambë me vështirësi, e tue u mbajtë për mur, fillova të heq nga trupi çdo gja. Isha i mbushun me morra, të çdo ngjyre e madhësie. Flokët e papreme, e mjekra e parrueme, ishin ba të padurueshme. Por ajo që më shqetësoi shumë, ishin brekët e përgjakuna mbas torturës me thikë, e që unë nuk pata zemër me i kthye në shtëpi. “Nana do të tronditet”, thashë me vete, megjithëse rrobet e tjera mjaftojshin më dhanë nji ide të gjendjes sime, e të vendit ku mbahesha.
Por nxjerrja e rrobeve jashtë ishte e paevitueshme, ashtu si edhe tronditja e familjes. Plagët e hapuna me thikë e të mbushuna me kripë, ishin infektue nga milionat e insekteve të ndytë. Fshiva trupin me nji leckë, e vesha rrobet e pastërta. Ndjenja e pastërtisë që më dhanë, më kujtoi gëzimin e thjeshtë të pastrimit të përditshëm, e më përmalloi shumë, “Sa poshtë ke ra, mor i mjerë”! thashë me vete, “sa poshtë ke ra”?! Rrjedha e mendimeve u ndërpre nga roja e kuqe që hyni brendë, më vështroi, mori strajcen me rrobe të palame, e u largue pa asnji fjalë.
Unë u ula përsëri në shesh, e fillova të shijoj ushqimin e shtëpisë. Por nuk kisha oreks, me gjithë urinë e madhe që më mundonte. Diçka më kishte zanë fytin, e nuk më jepej me vue gja në gojë. Fillova të mëshiroj veten, gjendjen ku kisha ra, familjen e vuejtjet e tyne, e u ngashreva shumë. Zemra më kishte lëshue, kisha arrijtë pikën ma të ulët. Më dukej vetja nji leckë në duart e rojeve e oficerëve të Sigurimit gjakatar komunist, nji hije e harrueme e në pritje të aktit përfundimtar të jetës sime.
Nuk e dij sa kohë kalova në këtë gjendje depresioni të thellë. Kur hyni roja përsëri, e pau ushqimin posa të prekun, më shikoi me habitje, mori ushqimin, e pa thanë asnji fjalë, mbylli deren me shul. Më dukej, se edhe uria nuk më trazonte me gjithë barkun e zbrazët. Kisha nevojë me derdhë lot, me u lehtësue. Si ishte e mundun, që më kishin prue në këtë gjendje të mjerueshme? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm