Nga Ahmet Bushati
Pjesa e tridhjetekatër
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Cilindo njeri që ta shohësh se e torturojnë, të ban përshtypje, po rasti i nji ish-mësuesi tand, ndryshon prej gjithë të tjerëve, si për nji respekt të veçantë qe ai gëzon për jetë prej ish-nxanësve të tij.
Z. Qazimi kishte qene nji prej atyne mësueseve që, veç tjerash, në shkollën e Perashit kishte pasë realizue nji oborr të vërtete sportiv, me fusha e mjete për të gjitha llojet e sportit, si futboll, basketboll, volejboll, si dhe pistë e kande atletike. Pa u zgjatë me punën e madhe që ai të kishte ba jo vetëm me nxanës, po edhe me shumë sportistë e atletë të njohun të qytetit, vlen për t’u kujtue se ekipi përfaqësueses i asaj shkolle filloreje, u veshte qysh në atë kohë me uniformë të rregullt sportive e, se nën drejtimin e Z. Qazimit, konkurronte me sukses në ndeshjet e futbollit me klasat e ulta të gjimnazit. Vetë z. Qazimi, për shumë vjet me radhë, kishte qenë futbollist i shquem i ekipit “Vllaznia” e njeriu që nga shkolla e Harry Fultzit kishte sjelle në Shkodër lojën e basketbollit. Deri para se të hynte në burg, ai u mbante si arbitri ma i mirë shqiptar, e Ballkaniada e 1946-ës, e zhvillueme në Tiranë, do ta konfirmonte edhe nji herë atë gja.
Ndër tjera, do t’i kujtojsha zotni Qazimit edhe shëtitjet që në kohë pranvere, kur ai bashkë me mësues tjerë të shkollës tonë të Perashit, na kishin pasë nxjerrë për anë livadhesh të gjelbrueme e sipër ndër kodra. Këto e të tjera i kujtojsha z. Qazimit, ndërsa e shihja në atë gjendje të dhimbsun në të cilën e kishin katandise, me fundet e pantollave si të ngranë mijsh e rreth gjunjve të çelun sa me iu duke edhe misht.
Po diku afër me birucën e tij, u ndodhte nji tjetër qytetar, që prej dëshpërimit po vuente kriza të forta nervore. Shpeshherë gjatë ditës atij iu mbushte mendja se u ndodhte në luftë, dhe tue imitue me gojë krisma pushkësh “bam-bam”, “bam-bam”, do të vazhdonte derisa t’u lodhte, që atë luftim të tij imagjinar prej disa minutash, por të përsëritun tash e parë gjatë ditës, ta mbyllte me nji “baaaaa”, disi të shkrehun. Veç sa ma sipër, te ky njeri do të më bante përshtypje edhe nji shikim i tij i shpërqendruam e tragjik, që u dukte sikur lëshonte xixa.
Lidhun me dy të burgosunit e masipërm, unë kisha gdhendë në njenë faqe lajthije nji palë pantoll të grisun, që do të më kujtojshin z. Qazimin, kurse në faqen tjetër të saj, nji si pushkë të gjatë, që të më kujtonte të burgosunin e panjohun. Ngjitë me birucën time ato ditë patën sjellë nji burrë të vjetër me origjinë prej Mirditet. Nga sa pata ndigjue prej shpjegimeve që ai nji ditë po i jepte nji oficeri, ishte pasë burgosë mbasi që kishte mbytë me sëpatë nji oficer që kishte qenë dashunue me të bijën e zotnisë së tij, të i cili ky qysh prej disa vitesh, kishte qenë pajtue si shërbëtor. Gjithë ato ditë ai do t’i kalonte i qetë dhe sa herë që t’u pyeste për kureshtje prej ndonji hetuesi rreth vrasjes që kishte krye, ai pa ndrojtje e siç duket edhe pa pasë marrë parasysh pasojat dhe do të kishte prej saj, do t’u fliste si për nji akt, që si mbas zakonit, kishte qenë i detyruem me e krye. Mirëpo ai, ndër ditët e fundit, luejti mendësh e ndër të tjera, do të thirrte me sa za që kishte: “Shiqoni, shiqoni, ka hypë. Krishti mbi gomar”!
Mbasi që e dënuen me vdekje, mendja i qe ndriçue edhe nji herë dhe do t’ishte shumë i qetë kur plaçkat e trupit e të fjetjes, t’i linte amanet me ua shpërnda pjesë-pjesë disa shokëve të tij të vorfën, siç kishte kenë edhe vetë, tue i emërtue ata me nga dy mbiemna, si p.sh., Llesh Hilë Zefit, Ndue Frrok Pjetrit etj. Edhe këtë viktimë të traditës, si pjesë të ditarit, unë do ta fiksojsha në njenë faqe lajthie përmes shifrës 11, që ishte numri i birucës së tij, e në faqen tjetër të saj, nji si opingë.
Selman Disha prej katundit Domën i Postrribës
Nji mbas dreke herët, kur polici i shërbimit me emnin Mërkur e pyeti të burgosunin e birucës nr. 15, se ç’emën kishte, mue më zue veshi se përgjigja qe; “Selman Disha”, e kur polici e pyeti edhe se prej ç’vendit ishte, unë përsëri ndigjova se ai i përmendi kantundin “Domën”. Kështu unë, tue fillue ç’prej asaj dite, po i dijsha emnin e vendin nga ishte ai plak, të cilin prej kohe e kisha ndjekë prej vrimës se derës me nji ndjenjë mëshire e kjo, jo vetëm për dhimbjen që më shkaktonte si ma i vjetri që duhet të ishte në atë burg, po edhe për disa tipare të imta e fisnike që kishte ajo fytyrë e tij e vogël e që i vinte pak si e mprehët, që mue do të më flitshin si për nji njeri të mirë.
Merkuri, polici brun që përgjithësisht u sillte mirë e që prej natyre dukej t’ishte indiferent, atë ditë, ndoshta tue kërkue me shkundë plogështinë e gjumin që e kishin pushtue mbas ngranëjes së drekës, si kreu nja tre-katër xhiro të shpejta nëpër korridor, – nga që s’dinte ç’të bante – iu tek të hapte sportelin e birucës ma të afërt me vendqëndrimin e tij të shërbimit, birucë brenda së cilës u ndodhte pra i burgosuni politik, Selman Disha, plak e prej katundit Domën. Për t’u tallë me Selmanin e ngratë, Mërkuri kishte vendosë grykën e automatikut në sportel të derës së tij dhe e friksonte tue i thanë se do ta vriste. Unë prej larg, nuk arrita me i kuptue fjalët e Selmanit, por si njeri i butë që duhet t’ishte, ai po u frikësonte seriozisht.
Me nji za të hollë shumë, ai po iu luste për nji gja Mërkurit, për nji gja që veshi nuk po ma kapte. Sidoqoftë, prej te friksuemit të Selman Dishës, unë u preka dhe mezi po u përmbajsha. E vetmja gja që po vononte ndërhymjen time te Mërkuri, ishte frika e zbulimit të vrimës që kisha në derë. Tue vazhdue Mërkuri lojën e tij me Selmanin, unë në nji kohë nuk u durova ma, dhe me qëllim që të çlirojsha Selmanin prej tij, i rashë derës nja dy-tri herë, derisa u sigurova se Mërkuri mori drejtimin kah biruca ime. Sa më hapi sportelin, më pyeti me qetësi: “Ç’ke”?! Nuk ma mori për të keq, kur unë i fola sa pata mendue dhe ai u largue pa më dhanë përgjigje, po edhe pa shkue ma te Selman Disha.
Mbas disa ditësh tjera, përsëri herët në nji mbas dreke, m’qe ba se po ndigjojsha nji burrë, që me nji za të hollë, po qante. Në fillim pata përshtypjen se ai po u shtrëngonte ta mbante veten që t’mos u ndigjonte prej të tjerëve, por me kalimin e pak minutave, siç duket prej frikës apo mallit për të vetët, erdh e u ligështue aq shumë, sa nuk vonoi e u zhgreh në nji vaj të pandalshëm e me dënesë.
Më shkonte mendja se mos ai i burgosun t’ishte Selman Disha, por që megjithatë, nuk isha i sigurt. Aty me shërbim u ndodhte nji polic që u dukte pak në moshë, po që ishte edhe dembel, sepse s’luente kurrë prej vendit, e në këtë rast, tue mos e durue ma gjatë atë të burgosun që i qante mbas shpindet të tij, iu vërsul në sportel tue e pyet me zemërim: “Нё mo, ç’ke që qanë”?! Kishte pasë qenë vete Selmani, që tue qa edhe ma shumë, do t’iu përgjigjte atij: “Drue se m’ka dekë djali”!
Malsori Selman Disha, për moshën që kishte, duhet t’mos kishte mendue s’prej vitesh për vete. Tue u ndodhë i vetëm në nji birucë burgu, siç duket mendja i kishte shkue për të keq, pra që t’i kishte vdekë i biri. Me e pa, ai s’kishte mbetë, veç si i thojnë, “nji grusht me koca”! Vetëm nji pushtet komunist mund ta çmonte atë për njeri të rrezikshëm, ta quente “armik të popullit” e, para se ta dënonte, ta mbante për muej të tanë në nji biruce Sigurimi e nën hetim e torturë
Për të kujtue sa ma sipër, unë pata gdhendë mbi faqen e nji lajthie nji katror me nji kryq brenda tij, që të më kujtonte sportelin ku me radhë ishin zhvillue dy dialogje të Selmanit dhe ma poshtë, numrin 15 të birucës së tij. Gjatë periudhës në vazhdim, relativisht të qetë, unë pata krijue edhe katër poezi, që ma shumë pasqyrojshin gjendjen time shpirtnore e dispozitat e mia të revoltës, që si mbas radhës, titujt e tyne patën qene: “Nanës”.
“Nanave tona”
“Liri t’jam falë” dhe e fundit erotikja; “Prendverë e mall”! Për t’i mbajtë mend, unë i përsëritsha çdo ditë e përfundimisht dy të parat, si ma të përsërituna që patën qenë, arrijtën t’i shpëtojshin pjesërisht harresës, kurse dy të fundit, si të krijueme në prag të rifillimit të torturave, do të më dilshin kujteset.
Mbetjet e dy poezive janë:
NANËS TIME, NANAVE TONA
“Sytë e tu te mëdhaj
Të larme e si n’ vaj,
Mbyllun n’qeli,
prangash shtërgue,
Territ verbu(e),
lagshtinet kalbë,
M’bahet se tash e parë
T’i shoh, e shtrejta nanë.
IV
Pashë njata sy, nanë,
Gjiun që m’ke dhane,
s’dola ktej i gjalle,
Ti a m’ke falë?
Ujet mbaru(e),
trupin gjithë plagë,
Nana, oh!
S’ka gja,
lirisë i jem falë.
III
Hymne do këndohen flamurit rreth,
Sa t’tundet dheu der n’qiell e diku tej,
Nanave t’u thuhet, se zi ma s’mbahet,
Për t’ramt e shgypes, ndalu(e) të qahet”
Nga biruca e errët me nr. 9, më çojnë në atë me nr. 2 kah drita. Ka qenë nji ditë e javës së parë të korrikut, kur në paradreken e saj më nxorën nga biruca 9, e më çuan në atë me nr. 2, kah drita. Kisha qenë mësue aq shumë me birucën time nr. 9, që po e lejsha, sa vazhdimisht më qe dukë ma e mira edhe pse ajo ishte e errët e me lagështinë. Keqardhja se po ndërrojsha birucë zgjati aq kohë sa më qe dashtë për me mbështjellë plaçkat e fjetjes, plus rrugën prej rreth pesë-gjashte metrash, që ndante njenën birucë prej tjetrës.
Sa bana kambë në birucën e re, u befasova shumë prej dritës që aty ishte derdhë pa kursim, aq sa nga çudia e gëzimi, ndoshta po u përmbajsha me zor pa nxjerrë nji pasthirme që mund t’u shprehte me nji; baaaaaaaa! të tejzgjatun. Ajo dritare e vogël atje nalt nën tavan, ndoshta nuk do t’ishte e mjaftueshme as për vetë birucën, por me qenë se unë aty vijsha mbas gjashtë muajsh qëndrimi brenda nji biruce të errët, ajo po m’u dukte shumë e ndriçueme, e përtej saj, drita e kthjellët dhe e pastër e nji dite vere, nji mbrekulli. E para gja që thashë me vete porsa u gjeta brenda saj, qe:
“Paska burg e burg! Ai i vërteti qenka andej korridorit, kah ana e errët”! Polici pat mbyllë derën e qe largue, ndërkohë që unë, gjithnji i shtangun nga sa po shifsha me sy, vazhdojsha me qëndrue mbi plaçkat e fjetjes që pritshin me u shtrue, e vërejsha kah dritarja ngjitë me tavan, prej kah nuk hynte vetëm dritë e bardhë vere, po edhe nji ajër i pastër e i freskët, që m’u dukte se më futej me andje drejt e në krahnor, krejt ndrysh prej atij të birucës time të “dashtun” me nr. 9, me kundërmim të randë myku, që vazhdimisht më kishte pasë zanë fyt e hundë.
Ndërsa vazhdojsha me qëndrue si i hutuem mbi plaçka, para dritares kaloi me shpejtësi nji tufë dallndyshesh në fluturimin e tyne të shkathët e kapriçioz, tue pasë qenë edhe kjo nji gja e paparashikueshme e me randësi për mue. Për herë të parë po kuptojsha se atje në birucën nr. 9, ku s’isha ma, shpirti im, prej errësinës e amullisë, se seriozisht kishte pasë fillue disi me u venitë.
Mbasi shtrova dyshekun anës se murit, nisa të inspektoj birucën e re e shumë shpejt rashë në gjurmët e pararendësve të mi fatkëqij: iniciale emnash të burgosunish të gdhendun imtë, por qartë, mbi sipërfaqet e vogla të disa gurzëve të zez’ lumi, që kishin ngri për faqe të suvasë së murit, si fletë të dhimbshme ditarësh anonime. Çdo gja që i burgosuni gjen të shkrueme prej të burgosunve para tij, do ta marrë si përshëndetje e mesazh, si të përbashkët që ka me ta fatin, dhe përnjëherë do të kërkojë me ditë: “Cili të ketë qenë ai njeri”? E mandej, të thojë me vete: “A thue të jetë gjithnji gjallë? Po tashti ku duhet të ndodhet ai njeri? A mos ta kenë mbytë ndër tortura, a ta kenë pushkatue” etj. etj.
Përveç inicialeve te emnave, aty do të gjejsha të gdhenduna edhe data të plota, që nuk ishin shoqnue me asnji tregues tjetër, tue më pasë futë në sa mendime të dyshimta, si: “A mos ai i burgosun të kishte dashtë me tregue ditën e arrestimit të tij, ose ndonji ngjarje me rëndësi që aty t’i ketë ndodhë, si p.sh.; nji torturë e pazakontë, dënim me vdekje, ose ditë kur atë do ta merrshin për ta ekzekutue etj., që i burgosuni mbas tij, si rasti im, i vëren gjithmonë me emocion.
Diku poshtë murit, do të shifsha të gdhendun mbi faqen e ndritshme të nji guri të vogël e të zi, inicialet XH.Q., që pa asnji dyshim, ishin të shokut tim Xhevat Qukut, me të cilin më lidhte nji jetë e tanë e gjithçka. Pernjherë me mbluen valë të ngrohta malli e kujtime mbas kujtimesh, si në sekuenca të shpejtueme filmi, më kaluen para mendjes, njeni mbas tjetrit. Po m’u kujtojshin të gjitha, biseda, opinione e plane, përfshi edhe burgosjen eventuale tonë, në ç’rast qëndresa duhet të ishte kategorike. Ngjitë me burgun tonë u ndodhte nji godinë boshe, e madhe dhe e naltë, nji “hardallinë” e vërtetë me vetëm mure anash e çati sipër, ku ndonjëherë kishin sjellë berberin për të na qethë e rrue e, ku edhe dallëndyshet e shumta kishin ngrijtë foletë e tyne.
Sidomos pasditeve e derisa t’u errte natë, do të ndigjojsha vazhdimisht zane të gëzueshem fëmijsh që luejshin deri në t’errun. Disa herë në mbramje, do të zejsha vend përballë dritares e sa ma larg saj, tue u ngrijtë në maje të gishtave të kambëve, me qëllim që me shikim, të rroksha sa ma shumë hapsinë prej firmamentit të qiellit me yje plot, vezullimi i mistershëm i të cilëve, bashkë me magjinë e përgjithshme të mbramjes e afshit të saj veror, do të ndillshin në mue mendime e ndjesi disi të veçanta, tue u pase ba në njifarë mënyret, pjesë e përditshme e me randësi e jetës time në birucë. Më dukej vetja sikur isha zgjue mbas nji letargjie të gjatë!
Bijsha me fjete, e ajrin e freskët që hynte aty pa pushim gjatë gjithë natës, unë e ndjejsha fizikisht e, ishte edhe nji tjetër kënaqësi e veçantë për mue. Nëse gjatë natës do të me dilte gjumi për nji çast, unë do t’u kthejsha në krahun tjetër me idenë e gëzueshme se përsëri po u bante gati me lindë nji ditë si ajo që kishte kalue, që në biruce do të më fuste përsëri dritë e ajër e, bashke me to, edhe mendime të mira, si dhe një spektër kujtimesh që përditë e ma tepër po vinte tue m’u shtue.
Por, për fat të keq, ato ditë të mrekullueshme, do të kishin fatin e keq me kenë të pakta, e se ai ngazëllim i tyne i brishte, shumë shpejt të rezultonte i rrejshëm, që do t’u vriste e t’u treste si gjaja ma efimere, sepse mue shumë shpejt do të më duhej t’i nënshtrohesha nji cikli të pambarim torturash tepër të vështira, nën kërkesën e vazhdueshme e kategorike të Sigurimit: “proçes”, ose “vdekje”, kur edhe unë gjatë gjithë asajë kohe, t’mos kërkojsha tjetër veç nji vdekje me nderë e sa ma të shpejtë.
Tre muej, mes jetës dhe vdekjes!
Hetuesi i im i ri do të ishte nji njeri burralec e burracak me emnin Ali Xhunga, i ardhun në Shkodër prej fshatrave të Përmetit me gradën e ultë të aspirantit, gja që e tregonte se edhe ne luftë nuk kishte shkue në kohën e duhun, megjithë moshën e përshtatshme që kishte pasë. Vinte mjaft i shkurtë nga trupi e kur ndodhte qe të m’u afronte tue më bërtitë e kërcënue, më vinte të pëlcitsha prej inadit, që e shifsha nji pllambe nën vete.
Shkurtabiq siç ishte, i ulun në karrige, u frynte e u ngrefoste si gjel, e për t’i dhanë vetes rëndësi, merrte artificialisht poza serioze. Ky hetues karrierist, tue mos pasë qenë aty ma injoranti dhe as ma brutali, sikurse dhe as ma krimineli, u bante shumë i rrezikshëm për viktimën që t’i servirej për ta hetue, për arësyen e vetme se ishte frikacak e shumë i nënshtruem ndaj eprorëve të tij. Po të ndodhte gjë gjatë hetimit të nji të burgosuni, atij t’i hynte zyrë p.sh. shefi, ai menjëherë do t’u mpinte e t’u bante bardh në fytyrë prej friket. Si mbas meje, atij i mungonte çdo personalitet, qoftë edhe ai negativ i kriminelit. Me siguri që ai ishte tipi i nji lloji të keq të mercenarit, që ishte pasë vue në shërbim të krimit për qëllime përfitimi.
Do t’ishte hetuesi Ali Xhunga ai, që për tre muaj rresht do të me mbante të varun si Krishtin, dhe si t’mos i mjaftonte kjo, në ndonjë rast, do të më bante edhe tortura të tjera, me qëllim që unë domosdoshmërish të bajsha proçes. “Proçes ose vdekje”, – do t’ishte motoja e punës së tij kriminale me mue. Qysh prej ditës së parë të hetimit e deri në atë të fundit, ai me pat lanë të braktisun mes torturës ma ekstreme e vdekjes, vdekje që për shumë kohë do t’ishte shpresa e ime e vetme, e nëse unë nuk pata dekë, ajo qe për nji mrekulli të pashpjegueshme të fatit tim.
Kur unë u thirra për herë të parë prej tij, atë e gjeta tek po më priste i ulun në karrige, serioz e me nji qëndrim impozant, ashtu si duhet ta kishte mendue qysh ma parë. “Ulu”, – me tha ftoftë e premë, dhe me qëllim intimidimi, vazhdoi edhe për pak kohë të qëndronte i heshtun e gjoja mendueshëm. Unë ndërkaq, si zakonisht, kërkova me sy kalendarin për të ditë datë e ditë dhe shpejt dallova se sipër mbi mur, ai shënonte 28 korrik 1948.
Mandej ai tue tundë dorën me autoritet drejt meje, do të më thonte: “Jam i fundit hetues që merret me ty. Për të folë, do të flasësh se s’bën, por puna është që t’mos arrish deri atje, se je i ri e se ke edhe familje, por në fund ne s’pyesim për asgjë fare, as për jetën tënde. Sa ka parë ky vend e farë burrash! Të çuditet mëndja, prandaj mendohu sa s’është vonë”! Në të nesërmen e asaj dite, më thirri përsëri dhe në vazhdim, i zemruem nga qetësia e heshtja e ime, si e nji ditë ma parë, ai la karrigen e m’u afrue tue më fole me ton: “E di që ju prisni të vinë këtu anglo-amerikanët e juaj, por ta dini mirë, se edhe sikur ata vërtetë të vijnë, ne më parë do t’ju therim të gjithëve aty, ndër biruca ku ju kemi, birucë për birucë e, një për një”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016