Pjesa e dytë
-Një vit pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Tiranën, Boni dërgon “hulumtuesit” e parë në “vendin e shqipeve”! –
Memorie.al / Një material i rrallë na ngacmoi të botojmë thuajse të plotë, përmbajtjen e një reportazhi të botuar në një numër special të revistës prestigjioze gjermane (asokohe “gjermano-perëndimore”) “Stern” të vitit 1987. Një grup gazetarësh, të pajisur sigurisht edhe me fotografë, bëhen kësisoj dëshmitarë të një atmosfere sa shpresëdhënëse, aq dhe të dhimbshme për popullin shqiptar, në vitet e fundit të ekzistencës së monizmit. Të ardhur si turistë e të mbartur në autobusët “luksozë” (për metrin e shqiptarëve të kohës) pajisur me kondicionerë, ata shohin një realitet të hidhur, megjithëse mundohen të jenë sa më shumë objektivë e të pasqyrojnë ato që ata vërtet kanë parë, duke na dhënë edhe plot anë pozitive të asaj që tashmë në mbarë botën, njihet si; “mikpritja e bujaria shqiptare”.
Fotografi i “Stern”-it (revistës gjermane), Cornelius Meffert dhe unë, ndihemi në xhiron e parë që bëjmë në Shkodër si fëmijë kopshti, kur dalin për të parë kolegët e kopshteve të tjera. Është ndokush gjithmonë që na sheh edhe lëvizjet e gishtave.
Bukur, monumentet mund të fotografohen pa problem, të partizanëve, shkrimtarëve e poetëve, dhe gjithashtu heronjve të popullit dhe të pashmangshmit Stalin. Edhe parullat, fasha të mëdha në të kuqërremtë dhe në të zezë.
Por karrocat me kalë, që kalojnë në bulevard me bidonë të mëdhenj me qumësht, ndërsa karrocieri ngre me forcë kamxhikun lart, bëjnë që aparati i fotografit tonë Meffert, të ngrihet e të shkëpusë shpejt e shpejt një foto.
Pastaj disa fëmijë venë duart para fytyrës e, ia mbathin me vrap. Por sytë që na vështrojnë nga ballkonet e stolat e parkut, na shoqërojnë gjatë tërë kohës.
“Mirëdita”, përshëndes unë punëtorët e mirëmbajtjes që na shohin gjithë kureshtje. “A jeni mirë”? Ata na buzëqeshin. Ne shkëmbejmë nga një cigare. “Deutschland gut”, – na thonë ata. Bekenbauer, Rumenige. Dhe Cornelius Meffert, arrin të shkëpusë fotot e para në liri, ndërsa vazhdojmë të buzëqeshim e të përshëndetemi.
Është e shtunë mbrëma. Në dhjetë e gjysmë televizioni luan himnin kombëtar. Fundi i programit. Më 23:00 mbyllet dhe hoteli. Por duke pasur parasysh faktin se ka miq të huaj, ata e kanë shtyrë orarin me një orë. Shqipëria shkon të flejë herët. Punëtorët duhet të çlodhen.
Por ne nuk mund të flemë. Nga restoranti në bulevardin “Stalin”, përballë hotelit tonë, dëgjohet muzikë ritmike dansi, klarinete e saksi. 22 të ftuar kërcejnë e këndojnë së bashku duke ndjekur ritmin. Po festojnë një dasmë.
Shkojmë aty pranë e një burrë i moshuar ngrihet e na përcjell me dashamirësi e buzëqeshje drejt sallës. Ne na duhet të festojmë me gota të mbushura plot me raki dhe të shohim para syve male me djathë, proshuta e mish.
Nusja bën një fytyrë disi të mërzitur në dukje. Ajo po lë përgjithmonë shtëpinë e prindërve sot. Ndërsa dhëndri, i mbytur në djersë, na uron mirëseardhjen. Babai i nuses na shoqëron deri te dera e, vëllai i tij na merr në krahë. “Ju falënderojmë për nderin që na bëtë”, – na thotë ai. Më tej ajo çka ne duhet të shohim, si rregull përcaktohet nga “Albturist”.
Agjencia shtetërore e Turizmit ka projektuar një program vizitash, që ne na mundëson kësisoj përftimin e një panorame të qartë mbi atë se çfarë është arritur në Republikën Popullore Socialiste.
Shohim kopshte fëmijësh me vogëlushë që thonë vjersha për partinë (“Ne jemi lulet e partisë”). Qëndrojmë pastaj të ulur në një laborator të një shkolle të mesme në Peshkopi dhe dëgjojmë se para Revolucionit të 1944-ës, më shumë se 90% e shqiptarëve, ishin analfabetë. Ndërsa tashmë, tetëvjeçarja është e detyrueshme.
Një ndër tre shqiptarë sot ulet në bankat e shkollës. Mosha mesatare e popullsisë është e ulët. Së bashku me provincën shqiptare të Kosovës, në Jugosllavinë fqinje, Shqipëria regjistron përqindjen më të lartë të lindjeve në Evropë. Çdo vit, popullsia rritet me 2.1% (Republika Federale Gjermane, për krahasim, e ka normën: minus 0.1%).
Frika nga lufta shihet ngado. Edhe në një resort pushimi e turistik në plazhin e Durrësit, shihen bunkerë dhe në zyrat e PTT-ve dhe fabrika qëndrojnë varur llamba që në “ditën X”, tregojnë se çfarë lloj rreziku kërcënon: nga ajri, kimik, bakteriologjik apo atomik.
Vizitojmë gjithashtu edhe një fabrikë trikotazhi, një punishte qilimash e një tjetër për prodhimin e telave të bakrit. Karl Marksi do të kishte pësuar në vend infarkt. Kushtet e punës këtu të kujtojnë kohët më të këqija të hapave të parë të kapitalizmit.
Helmet që prodhojnë mbetjet e fabrikës, ndotin mbarë mjedisin rreth e përqark. Fjala “mbrojtje e mjedisit” për shqiptarët, është e panjohur. Një fjalë e tillë madje as nuk ekziston në fjalorin e tyre. “Prodhim”, është imperativi i kohës.
Rrogat e ulëta neto (taksat mbi to janë hequr), mjaftojnë që të kënaqen nevojat ditore. Punëtorët e kualifikuar përfitojnë 200 deri në 250 marka në muaj, por u duhet të paguajnë edhe qiranë për banesat shtetërore.
Akademikët dhe funksionarët arrijnë të marrin deri në 400 marka në muaj dhe për të paguar qiranë e shtëpive të tyre, u duhet të punojnë dy ditë. Asnjë shqiptar nuk duhet të përfitojë një rrogë që shkon më shumë se dyfishi i asaj të “shokut” më të thjeshtë.
Socializmi këtu i ka rrëzuar me të vërtetë, të gjitha dallimet klasore. Në dyqane gjithmonë do mungojë diçka. Diku vera, diku uji mineral, diku sallami e diku djathi dhe dyqanet e mishit e të peshkut, qëndrojnë mbyllur deri në orën dy, por gjithsesi, diçka për të ngrënë gjendet ngado.
Ushtri lypësish, fëmijësh gangsterë e rrezik urie, Shqipëria nuk njeh në kontrast me disa vende të botës së tretë si Brazili, apo India, ku megjithëse falë kreditimit nga jashtë kanë arritur një shkallë të konsiderueshme të zhvillimit teknologjik, nuk kanë mundur gjithsesi t‘i bëjnë ballë varfërisë në vendet e tyre.
Mijëra parulla u bëjnë jehonë sukseseve të partisë në 46-vjetorin e themelimit të saj dhe festojnë fitoret e revolucionit. Dhe qindra memorialë, varreza dëshmorësh e muze përkujtojnë të rënët, të cilët i mundësuan popullit shqiptar këto arritje.
Vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, vdiqën 28.000 shqiptarë, ose më mirë “një dëshmor për çdo kilometër katror të atdheut”. Shtëpitë e këtyre heronjve të popullit, janë pajisur me tabela e pllakate përkujtimore.
Këpucët e tyre dhe stilolapsat paraqiten në vitrinat e muzeve e, ruhen si relike dhe madje edhe biblat e gërmuara ku ndodheshin të fshehura revolverët e guerilasve e partizanëve. Në vend që të flasin për pushtues italianë e gjermanë, ciceronët e muzeve flasin më shpesh për fashistët e nazistët, që ata kanë mposhtur.
Ideologjia duhet të shkojë në një linjë me politikën e ditës shtetërore. Prej kohësh Tirana dhe Roma kanë shkëmbyer sërish ambasadorë. Edhe Boni zyrtar tashmë është i përfaqësuar me përfaqësinë e vet në Tiranë.
Shqipëria, që me Uashingtonin dhe Moskën nuk dëshiron të ketë të bëjë dhe që me Pekinin akoma “gërricet”, ka nevojë të ngutshme për teknologji të reja, për industrinë e saj tashmë totalisht të vjetruar.
“Made in Germany” është shumë e kërkuar. Qysh nga lidhja e marrëdhënieve diplomatike, shpresohet shumë në ndihmën gjermano-perëndimore, në fushat e minierave dhe përpunimit industrial, si dhe priten akordim bursash për nxënësit e studentët shqiptarë.
Teknikët e parë gjermanë kanë nisur ndërkohë punën në vend, me dëshirën e mirë të shefit reformator të partisë, Ramiz Alia, që para dy vjetësh mori trashëgiminë e Enver Hoxhës.
Rroftë shoku Ramiz Alia!
Shqiptarët të dhënë pas qejfeve të jetës, të cilët shfrytëzojnë çdo mbrëmje nën rrezet e diellit që perëndon, mbushin bulevardet e rrugët e tyre kryesore të qyteteve e fshatrave, për të shijuar të qetë shëtitjen e pasdites. Shpresojnë shumë për një përmirësim të standardeve të jetesës, nga udhëheqja e tyre.
Disa duan më shumë qese plastike e të kuq buzësh, ndërsa disa të tjerë syze dielli dhe motorë, që shihen si simbole të atyre personave që kanë njerëz jashtë shtetit.
Thuajse çdo familje zotëron një televizor dhe qëkurse kanalet, programet e reklamat italiane mund të kapen lirisht, uria e “shokëve” për të gëzuar disi më shumë luks ditor, sa vjen e rritet.
“Bon giorno”, “Va ben”
Italishtja e përzier me gjeste e lëvizje duarsh e koke, na josh t‘i shkojmë prapa një adoleshenti nga qyteti antik i Elbasanit. Chiesa? – Kisha. Ai dëshiron të na tregojë fshehtas një kishë në këmbim të një çamçakëzi.
Feja në Shqipëri akoma përbën një temë tabu. Për shekuj me radhë myslimanët shqiptarë, katolikët dhe ortodoksët janë shtënë shpesh në zënka me motive politike mes tyre.
Ndasitë po shkonin dikur aq larg, saqë poeti e shkrimtari Vaso Pasha, në vitin 1860, u bëri një thirrje pasionante gjithë shqiptarëve: “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria”.
Në këtë apel historik u mbështet edhe partia, kur ajo në vitin 1967, mbrojti ateizmin. Të gjitha kishat dhe xhamitë u mbyllën, ose u shndërruan në fabrika e uzina, magazina e muzeume. Kryqet dhe gjysmëhënat u thyen e, priftërinjtë e imamët u dërguan në kampe pune.
Vetëm në vitin 1982, ndalimi total i besimit fetar u tolerua disi: kush ndjente se duhej të falej me domosdo, mund ta bënte këtë gjë vetëm në shtëpinë e tij dhe këtë i vetëm fare, e jo në prani të anëtarëve të tjerë të familjes.
E kjo nuk i shkonte për shtat shumëkujt. Kështu që në radhët e popullit, ndihet se ka nisur një protestë e heshtur. Pas çdo proteste (kështu kemi dëgjuar), policia nëpër rrugë tashmë gjen shpesh edhe kryqe druri, të sajuara me dorë.
Dhe në qytetin industrial, Korçë, në Jug të Shqipërisë, ne fotografuam derën e mbyllur të një xhamie, të cilën disa të panjohur, natën, e kishin gërvishtur duke vizatur kryqe. Një provë e rrezikshme guximi kjo, pasi “ruajtësit e rendit”, mund të gjenden ngado. Ata rrallë harrojnë. / Memorie.al
Përgatiti për botim, Armand Plaka