Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Hekuran Zhitit, poetit, aktorit dhe dramaturgut të famshëm me origjinë nga fshati Mëlovë e Skraparit, i cili shkroi poezitë e para dhe disa pjesë teatrale që kur ishte nxënës në shkollën “Normale” të Elbasanit, nën kujdesin dhe nxitjen e dy profesorëve të njohur të asaj shkolle, pedagogët Karlo Ljarja dhe Simon Shuteriqi, të cilat u vunë në skenë dhe u interpretuan po prej tij në qytetin e Elbasanit etj., dhe për të shkroi shtypi i Monarkisë së Zogut që e konsideronte një poet dhe aktor mjaft të talentuar. Qëndrimi i ekuilibruar i Hekuranit gjatë periudhës së Luftës ku ai kishte miqësi të ngushtë si me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar ashtu dhe me ato komuniste dhe poema e tij “Përqafimi i dy kundërshtarëve” ku bënte thirrje për pajtim dhe për t’i dhënë fund luftës vëllavrasëse, gjë e cila i kushtoi shtrenjtë, pasi përveçse i arrestuan dhe i vranë në tortura në qytetin e Beratit njërin nga vëllezërit që ishte mësues, e arrestuan dhe torturuan edhe vetë Hekuranin, kurse vëllai i tretë, Ahmeti që kishte qenë partizan dhe emri i tij figuronte edhe në Muzeun e Çorovodës si partizan i orëve të para, ndërroi jetë para disa vitesh në qytetin e Durrësit, si veteran i nderuar i Luftës.
Persekutimi i gjatë nga regjimi komunist duke mos i dhënë mundësinë e botimit edhe pse atë e thirrën për të themeluar Estradën profesioniste të qytetit të Lushnjes, ku nuk e lanë të punonte gjatë, duke e dërguar të punonte si hamall në Portin e Durrësit dhe Ndërrmarjen Komunale të atij qyteti, si punëtor në shtrimin e mirëmbajtjen e rrugëve, ku ndërroi jetë në vitin 1989, i verbuar, pasi më parë i kishin arrestuar dhe dënuar me dhjetë vjet burg, të birin, Visarin
Hekurani, “Normalist” në Elbasan
Hekurani, ishte fëmija i dytë nga tre djemtë e familjes Zhiti, lindi në atë fshat në vitin 1913-të dhe pasi morri mësimet e para në qytetin e Beratit, ai dërgohet me bursë shtetërore në shkollën e Elbasanit që njihet ndryshe me emrin “Normalja”, të cilën e filloi në vitin 1927. Ndërmjet shumë bashkëmoshatarëve të tij që mësonin në atë shkollë, Hekurani do të zinte një miqësi të ngushtë me shokun e klasës, Sterjo Spassen dhe gjithashtu pedagogun e tyre, Simon Shuteriqin, (babai i prof. Dhimitër Shuteriqit), miqësi që do ta ruanin deri në vitet e fundit të jetës së tyre. Që në fillimet e tija në këtë shkollë, Hekurani shfaqi prirje për të shkruar poezi, të cilat ja tregonte mësuesit të tij, Karlo Ljarja (babai i aktorit të famshëm Rikard Ljarja nga Shkodra), i cili e ndihmonte dhe e inkurajonte duke parë tek ai një talent që premtonte. Pasionin për të shkruar, Hekurani e kishte fituar nga babai i tij Hasani, që si bektashi adhuronte dhe njihte mjaft mirë shumë nga poemat e poezitë e Naim Frashërit (në persisht), që i kishte të gjitha në shtëpi dhe i ruanin si gjërat më të shtrenjta. Përveç prirjeve që Hekurani kishte për poezinë, ai shfaq një talent si interpretues për teatrin. Në shkollë me punën e insistimin e tij, si dhe me ndihmën e pedagogut Karlo Ljarja, ai formoi një grup teatral, i cili filloi të shfaqte pjesë të shkurtra brenda mureve të “Normales”, e më pas deri në skenat e improvizuara të qytetit të Elbasanit, ku mblidheshin me qindra njerëz. Një nga bashkëmoshatarët e tij Haki Ballshi, (ish-normalist) në kujtimet e tija ndërmjet të tjerash shkruan: “E qeshura që të ngjallte Hekurani, kishte me vete optimizmin e jetës, duke rrëzuar pikëpyetjet e kota. Ai ishte Omar Khajami ynë. Por Zhiti me humorin e tij, dinte të sillte dhe dimrin në fytyrat e atyre që anonin nga e keqja. Ai kishte një aftësi të çuditshme improvizimi, dhe hipi në skenat e kohës duke luajtur rolet kryesore. Mjafton që të shkruhej nëpër afishe se interpretonte Zhiti, e salla e kinemasë mbushej plot. Portretin e tij nëpër reklama, e shisnin hamejtë e skenës rrugëve të qyteteve, duke u bërë kështu ndoshta një nga aktorët më të njohur në gjithë Jugun e Shqipërisë. Edhe pjesët e huaja si “Martesa me pahir”, ai i adoptonte dhe i përshtaste publikut të kohës. Unë s’mund të harroj suksesin e bujshëm në Kavajë, aq sa dhe profesori ynë Vasil Andoni, që bënte punën e suflerit, s’duroi dot dhe nga gëzimi u fut në skenë. Dhe Hekurani për të mos prishur pjesën e futi në rol. “Në revistën “Normalisti” të asaj kohe (2 dhe 3 të vitit 1933), midis të tjerash shkruhej: “Gazi e të përplasunat e duarve ndigjoheshin gjithkah, pse Zhiti ja din m’shehtësinë jetës… të gjithë mbetën shumë të kënaqun dhe i luteshin Zhitit që të mos harrojë dhe për vitin tjetër”.
Takimi me Fishtën
Me të ardhurat që mundën të fitonin nga shfaqjet modeste teatrale, që vunë nëpër skenat e Elbasanit dhe të disa qyteteve të tjera, nxënësit e “Normales” bënë një turne nëpër Shqipëri. Në këtë ekskursion të gjatë, që u bë me qëllime njohjeje të vendlindjes, klasa e Hekuranit shkoi dhe në Shkodër, ku u prit në një takim dhe nga poeti i njohur Padër Gjergj Fishta. Lidhur me këtë bashkënxënësi i tij Haki Ballshi, përsëri kujton: “Të magjepsur para tij, Hekurani guxoi dhe bëri shaka e Fishta e përgëzoi”. Po kështu dhe vetë Hekurani, lidhur me takimin që bëri me poetin e madh, do të ndalej gjatë në kujtimet e tija, ku midis të tjerave shkruan: “At Gjergj Fishta na zgjati me radhë paketën. Asnjë prej djemve nuk guxoi të merrte cigaret para pedagogëve. Unë ja mora për t’i bërë qejfin dhe i thashë: ‘Po e marr, se ma jep ajo dorë që ka shkruar atë poemë të mrekullueshme’. Nga ai takim, Hekurani do të merrte prej Fishtës si kujtim kryeveprën e tij, “Lahuta e Malcisë”, të cilën familja Zhiti e mbajti të fshehur gjatë periudhës së regjimit komunist, edhe pse ajo vepër ishte një relike dy herë e rrezikshme, pasi përveçse kishte autor Fishtën e ndaluar, aty ishte dhe autografi vëllait të madh të Hekuranit, që kishte vdekur nën torturat e komunistëve, gjë e cila e bënte atë një “zjarr” që mund “t’a digjte” atë shtëpi. (Ky libër ruhet edhe sot nga familja Zhiti, si një relike e rrallë, duke e konsideruar atë si pasurinë më të madhe që kanë ata si familje). Nisur nga talenti i madh i Zhitit dhe nga admirimi që kishin nxënësit e pedagogët e “Normales” për të, në fundin e vitit shkollor 1932, ata i dërguan një letër Mbretit Zog që ta çonte atë për studime në një shkollë teatri në Itali, gjë e cila nuk u realizua dot. Po në vitin 1932, pas vrasjes së Riza Cerovës (mikut të familjes Zhiti), Hekurani shkroi një elegji, të cilën e interpretonte vetë. Nga kjo ai u arrestua nga besnikët e Mbretit si anti-monarkist por nuk mbahet gjatë dhe lirohet përsëri. Pas mbarimit të “Normales” së Elbasanit, Hekurani merr diplomën dhe emërohet mësues në Roskovec të Fierit e në fshatrat e minoritetit (Pogon), ku jep mësim për tre vjet. Hekurani gjithashtu ishte një nga intelektualët e asaj kohe që kundërshtuan pushtimin fashist të Shqipërisë. Ai shkroi një poezi për 7 Prillin, e cila për dhjetëra vjet ka qenë në librat e këndimit të klasave të ulëta, por anonime, pa emrin e tij.
Shkruan poemën e famshme
Në vitet e pushtimit të Shqipërisë, Hekurani ishte mësues në Berat, ku bënte një jetë aktive intelektuale. Ai kishte një miqësi të ngushtë me profesorët Abaz Ermenji e Sejfi Protopapa, (fizikant në SHBA, ka ndërruar jetë para disa vitesh). Në atë qytet, Hekurani drejtoi jetën artistike dhe shkruante shumë në prozë, poezi dhe skeçe e pjesë teatrale që i vinte vetë në skenë. Si rrallë njeri në atë kohë, Hekurani kishte miqësi të ngushtë dhe me krerët e Ballit Kombëtar ashtu dhe me komunistët. Ai luftën në mes tyre e quante një fatkeqësi dhe tragjedi kombëtare. Ai shkonte dhe merrte pjesë në varrimet e të vrarëve që bëheshin nga të dy kampet kundërshtare, nacionalistët e komunistët, ku lexonte elegjitë që i shkruante enkas për ta. Në një rast, Hekurani ndërhyri pranë krerëve të Ballit Kombëtar në qytetin e Beratit, për të liruar një komunist, pasi kishte marrë më parë letër nga Mit’hat Frashëri. Xhandari Pjetër Gurakuqi, që i dorëzoi komunistin e kapur, kur pa letrën e Mit’hatit, iu drejtua atij: “Dëgjo Hekuran, po ta kapin partizanët Mit’hatin do ja këpusin gjuhën”. Në një nga poezitë e tija të shkruara në atë kohë, në të cilën përshkruan luftën vëllavrasëse, ai shprehet
“…Gur e pllaka janë skuqur, faqe tokës është vaditur/
Ulurin shgab` e Tomorit mbi fatosat që janë shtritur/
këtë gjak që kam në gji, do t’a çoni në Oqeanë/
Që ta shohë gjithë bota, sesa gjak shpien lumenjt t`anë…”.
Në atë kohë njëri nga vëllezërit e tij (Ahmeti) kishte dalë partizan, kurse Hekurani largohet prej komunistëve. Midis të tjerave, shkak për këtë u bë dhe një poemë që shkroi ai dhe që konsiderohet nga më të famshmet e asaj kohe. Kjo poemë, do të bëhej dhe shkaku i mëvonshëm i arrestimit të tij nga komunistët, titullohej “Përqafimi i dy kundërshtarëve”. Subjekt i saj ishin dy vëllezër, njeri me Ballin Kombëtar dhe tjetri komunist, që vriten midis tyre dhe ashtu pa dhënë shpirt përqafohen. Kjo poemë, konsiderohet e rrallë për atë kohë, sepse kudo që shkruhej njëra palë sulmonte tjetrën, kurse ai bën thirrje për pajtim. Kjo poemë asokohe pati një jehonë të madhe në rrethet nacionaliste dhe u botua e ribotua në shumë gazeta, si “Oshëtima e Korçës” (nr.1. shkurt 1944), “Luftëtari i Lirisë” etj. Asokohe në Berat, Hekurani shkroi me dhjetëra pjesë teatrale, ku shumë prej tyre i vuri në skenë, duke interpretuar vetë. Me shumë sukses ishin: “Krismat për Liri”, “Të falimentuarit”, “Plagët e Shqipërisë”, “Dramë për Kongresin e Lushnjes”, “Shakaxhi e batakçinj” etj. Nga kulmet e krijimtarisë së tij konsiderohet drama “Nusja memece”, ku ai interpretonte vetë rolin kryesor.
Arrestimi, vëllanë ja vrasin komunistët
Nisur nga fakti që Hekuran Zhiti gjatë periudhës së Luftës ishte angazhuar me organizatën nacionaliste ‘Balli Kombëtar’ duke bashkëpunuar ngushtë dhe paqësisht me kreun e asaj organizate nacionaliste, Mit’hat Frashërin, pak kohë para mbarimit të Luftës, Hekuranit i bënë thirrje që të largohej nga Shqipëria, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë. Ai nuk u largua, duke pasur dhe besim se nuk do ta ngacmonin, sepse vëllai i tij (Ahmeti) zbriste nga malet bashkë me të fituarit e asaj lufte. Ai qëndroi në Berat, ku vazhdoi të shkruaj dhe pjesët e tija jepeshin nga Radio-Berati, siç quhej asokohe një qendër zëri e partizanëve. Hekurani kishte një miqësi shumë të ngushtë me Vexhi Buharanë dhe Mustafa Greblleshin, me të cilët kalonte pjesën më të madhe të kohës. Pas zgjedhjeve të para të pasluftës, Hekuranit i arrestojnë vëllanë e madh (Maksutin) që ishte mësues, duke e akuzuar si: “Të përzier me ‘Grupin e deputetëve”. Ai vdes në tortura, duke e hedhur nga shkallët e hetuesisë në qytetin e Beratit dhe sot e kësaj dite ende nuk i’a kanë gjetur dot eshtrat! Pas kësaj, Hekuranin e heqin nga puna dhe e caktojnë punëtor në një magazinë duhani. Në 1946-ën arrestohet dhe ai, e torturohet çnjerëzisht. Atë e akuzojnë për poemën e njohur, e cila, sipas tyre, ju kishte bërë shumë dëme gjatë Luftës dhe se e kishin lënë aty me mision Abaz Ermenji e Mit’hat Frashëri. Pas një viti e gjysmë në hetuesi, e lirojnë, duke e shpallur të padëshirueshëm në Berat. Ai së bashku me gruan dhe dy fëmijët e vegjël, largohet e shkon në Durrës, ku gjen strehë në një magazinë të rrënuar dhe fillon punë si hamall në port. Por pas kësaj e mësuan dhe e hoqën nga porti, dhe ai mezi e rregullon që të punojë në komunale, duke shtruar rrugët.
Në Estradën e Lushnjes
Asokohe dy nga miqtë e Hekuranit, shkrimtarët e njohur Nonda Bulka dhe Petro Marko ndërhyjnë në instancat e larta që Hekurani të punonte tek revista “Hosteni”. Kjo nuk ju pranua, por u lejua që të punonte si mësues ne Karbunarë të Lushnjes, gjë e cila erdhi falë ndihmës së mikut të Hekuranit, Karaman Yllit, që asokohe ishte me pozitë të lartë në arsim, si dhe të miqve të tij shkrimtarë. Në atë fshat, ai filloi të përgatiste grupet artistike, gjë e cila u bë shkas ta thërrisnin në Lushnje, ku do të hapej Estrada profesioniste e këtij qyteti. Hekurani u bë një nga themeluesit e kësaj Estrade, së bashku me Fotaq Filipeun (pianistin që kishte shoqëruar Tefta Tashko Koçon në turnetë e saja nëpër Shqipëri në periudhën e Monarkisë së Zogut), i cili sapo kishte dalë nga burgu politik. Në atë Estradë, së bashku me Zhitin do shënonte dhe fillimin e karrierës së saj artistike, e madhja Vaçe Zela, e Xhosho Vasija (aktori i njohur shkodran), i cili ishte i internuar në fshatrat e Lushnjes. Hekurani punoi si aktor profesionist pranë asaj Estrade që nga krijimi i saj në 1961-in, e deri sa e nxorën në pension të detyrueshëm në vitin 1972, kur filloi goditja ndaj “shfaqjeve të huaja dhe liberalizmit”. Gjatë atyre viteve, ai qëndroi si në gjemba, pasi i përmendej biografia (pas letrave anonime të shumta) dhe i kujtoheshin poezi që nuk kishin partishmëri. Ai interpretoi aty me dhjetëra role në skeçe të ndryshme, shumë nga të cilat i shkruante vetë. Gjatë një turneu në Korçë, ai tërhoqi vëmendjen e regjisorit Pirro Mani, i cili kërkoi që ta merrte në Tiranë, por nuk ishte e thënë të bëhej, pasi regjisorit të njohur i kujtuan biografinë e njeriut që ai kërkonte. Në atë vit që e nxorën në pension, ai shkroi dramën “Kongres mbi baltë”, kushtuar Kongresit të Lushnjes, por që nuk arriti dot ta vinte në skenë. Po kështu shkrimtari i njohur Mojsi Zaloshnja, tentoi që t’i botonte librin “Magazinierët e matematikës”, por nuk e lejuan, pasi kërkohej leje nga lart, ndonëse disa poezi të tija ishin futur në librat e folklorit si anonim.
I biri, Visari, në burg politik, Hekurani vdes i verbër
Në atë kohë, kur Hekuranin e larguan nga Estrada, dy fëmijëve të tij nuk iu dha e drejta që të shkonin në universitet për të ndjekur studimet e larta. Më pas vetëm njëri nga fëmijët e tij, Visari, mundi që të mbaronte studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Shkodër. Dy djemtë ja pushojnë nga puna dhe të tretin, Visarin, që ishte mësues në një fshat të thellë në Kukës, ja arrestojnë dhe dënojnë me dhjetë vjet burg politik, pasi kishte shkruar poezi dekadente. (Gjë e cila kishte ardhur pas një shënimi që kishte bërë Ramiz Alia mbi raport-informacionin e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së ku “specialistët” kishin “zbërthyer” e analizuar poezitë e Visarit). Kjo ngjarje shënoi një goditje fatale për Hekuranin, pasi ai ishte goditur rëndë, ndoshta atje ku nuk e priste dhe pas kësaj ai u vetë burgos në shtëpi. I verbuar dhe pa ndihmë, ai ndërroi jetë në vitin 1989 nga goditjet e herë pas hershme që pësoi, ku më e rënda ishte ajo e të birit, Visarit. I konsideruar si armik, në varrimin e tij munguan përfaqësuesit zyrtarë dhe njerëzit e artit, ndërsa nga miqtë e tij të ngushtë nuk mund të mungonte kurrsesi, Fotaq Filipeu, I vetmi që pati kurajon ta përcillte Hekuranin për në banesën e fundit. Fjala e lamtumirës aty, u mbajt nga një njeri i thjeshtë, që ishte punëtor ferme. Një nga shokët e tij të vjetër (Haki Ballshi) i goditur si ai, kujtoi një nga poezitë e Hekuranit ku thuhej. “… Si të gjithë të shikoja / Pa çdo gjë do ta duroja / Ah kështu, pra qenka thënë, / të mos shoh as diell as hënë…”. Pas viteve ’90-të, Hekuran Zhitit i janë botuar postume poemat, komedi dhe drama, kurse ‘Grupi i Skraparit’ i ka ngritur këngë. Po kështu pas viteve ’90-të, Hekuran Zhiti është shpallur ‘Qytetar Nderi’ i Lushnjes dhe emrin e tij e mban edhe një nga rrugët e atij qyteti ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës me brenga dhe dëshpërime. Vitin që shkoi me titullin ‘Qytetar Nderi’ i Lushnjes, u nderua dhe i biri, Visar Zhiti, një nga emrat më në zë të letërsisë shqipe pas viteve ’90-të. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016