Nga Ilirjan Gjika
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në periudhën midis dy luftërave botërore, të gjitha vendet e Ballkanit u karakterizuan nga paqëndrueshmëria politike dhe lufta për pushtet midis grupeve të ndryshme. Kështu në Greqi, ndodhi konflikti i ashpër midis republikanëve dhe monarkistëve, që vazhdoi për më shumë se një dekadë. Nga ana tjetër Jugosllavia, njohu përplasjet ndëretnike midis grupit serb dhe atij kroato-slloven. Bullgaria dhe Rumania, patën përballje midis të majtës dhe të djathtës. Ndërsa në Shqipëri, situata paraqitej paksa ndryshe. Pas paqëndrueshmërisë politike të viteve 1920-1924, gjatë së cilës u ndërruan 12 qeveri, si dhe Kryengritjes së Qershorit 1924, u vendos së fundmi stabiliteti politik. Ai vijoi përgjatë viteve 1925-1939, kohë që njihet nga historia jonë si, periudha e drejtimit politik të Ahmet Zogut. Në këtë etapë për herë të parë në jetën e tij u bë edhe konsolidimi i shtetit shqiptar.
Këtu, grupi i “Organizatë së Fshehtë” përbëhej nga Riza Vala, Pasho Hysi, Tahir Grepcka, Ramiz Spathara etj. Përveç agjitacionit dhe propagandës, ai u mor edhe me anën organizative të kryengritjes së ardhshme. Për të qenë sa më pranë njerëzve dhe terrenit, në javën e fundit të muajit korrik, Riza Cerova, u zhvendos nga Tirana për në Skrapar, i shoqëruar nga bashkëluftëtari i tij Myrto Cerova (Belegu M., 1982: fq. 107).
Ndërsa autori Mane Nishova na jep një tjetër datë tjetër të lëvizjes së tij. “Pas 41 ditëve që ishte kthyer nga emigracioni, duke u mbajtur gjithmonë nën survejim, më datën 22 maj, Riza Cerova, u nis për në familjen e tij në Skrapar”, shkruan ai në monografinë “Riza Cerova” (Nishova M., 1971: fq. 92). Në bazë të planit të grupit të Skraparit dhe të miratuar edhe nga qendra e organizatës në Tiranë, kryengritësit nën drejtimin e Riza Cerovës, do të sulmonin Beratin, të cilin do ta merrnin nën kontroll.
Një gjë e tillë do të bëhej e mundur në bashkëpunim me grupin që vepronte në këtë qytet dhe që drejtohej nga Seid Vrioni. Pas marrjes së Beratit, këto forca do të avanconin drejt Lushnjes, për të vijuar më pas marshimin drejt Tiranës (Belegu M., 1982: fq. 108-109). Një hap tjetër i këtij plani, ishte që forcat kryengritëse, të mos sulmonin fillimisht qendrën e nënprefekturës, Çorovodën. Fillimisht ato do t’i afroheshin në fshehtësi Beratit, për të mos ngjalluar dyshime të cilat do të sillnin reagimin e forcave qeveritare.
Pas marrjes së Beratit, që ishte dhe qendra e prefekturës, do të niste sulmi në Çorovodë, nga forcat nën drejtimin e Pasho Hysit (Belegu M., 1982: fq. 108). Në bazë të kësaj skeme, nisën veprimet kryengritëse, ku Riza Cerova, mblodhi një grup të armatosur prej 70 personash, ku bënin pjesë edhe Myrto Cerova, Ramiz Spathara, Riza Vala, Hudai Cerova, Tahir Hasani, Ali Cerova etj. Në mbrëmjen e 13 gushtit 1935, kryengritësit, u nisën në drejtim të Beratit, duke përshkuar itinerarin Spatharë-Vëndreshë-Therepel-Ustinjë-Valë-Lirëz.
Ndërkohë që autoritetet në Çorovodë, ndryshe planifikimit të Riza Cerovës, nisën të vepronin duke njoftuar Ministrinë e Brendshme (Belegu M: fq. 109-110). Nënprefekti I. Dibra njoftonte Zyrën Sekrete, për atentatet që do të zhvilloheshin në Tiranë, nga grupi i grupi i skraparllinjve që shërbenin në xhandarmëri dhe lëvizjet e Riza Cerovës, shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, në librin e tij “Historia e Shtetit Shqiptar, 1912-2005”.
Biles në çetën e Riza Cerovës, Zyra Sekrete, kishte infiltruar informatorin E. Mollasi, i cili raportonte në lidhje me të. Ndërsa më pas, Prefekti Beratit Qazim Bodinaku, do të kërkonte anulimin e thirrjes në gjyq të këtij personi, i cili duke rrezikuar jetën, kishte dhënë informacione të sakta (Dervishi K., 2006: fq. 350, 355). Në zbatim të planin të saj, çeta e Skraparit, në mbrëmjen e 14 gushtit 1935, u vendos në fshehtësi në periferi të Beratit.
Këtu, Riza Cerova, do të mësonte se grupi “Organizatës së Fshehtë” ishte tërhequr nga kryengritja dhe se grupi i Fierit, ishte thyer në Lushnje. Në këto kushte, ai, vendosi të tërhiqej dhe e shpërndau grupin kryengritës. Së bashku me shtatë bashkëluftëtarët më të besuar, vendosën të arratiseshin në Jugosllavi, nëpërmjet Malit të Thatë. Duke u tërhequr në brendësi të vendit, grupi i tij u ndoq nga tre detashmente të forcave të xhandarmërisë të nisura nga Berati dhe Skrapari, që drejtoheshin nga Veiz Xhindi, Jako Kumani dhe Kamber Prishta (Nishova M., 1971: fq. 100).
Ndërsa një grup tjetër i nisur nga Pogradeci dhe që drejtohej nga Gjon Destanishta, u përpoq t’i priste rrugën (Belegu M., 1982: fq. 110-111). Për t’i shpëtuar ndjekjes, grupi i Riza Cerovës ndoqi itinerarin: mali i Tomorrit-Kulmak-Zaloshnjë-Mazrekë (Opar)-Krosnishtë (Gorë)-Marjan (Gorë). Pavarësisht kësaj, përpjekjet me armë e shoqëruan kudo. Në përballjen e fundit, Riza Cerova do të vdiste nga plagët e marra në orët e para të mëngjesit të 25 gushtit, në pyllin e Marianit në Pogradec.
Këtu ai do të shkruante edhe një letër të fundit dërguar familjes (Belegu M., 1982: fq. 110-111). Të njëjtin fat patën edhe shokët e tij Myrto Cerova dhe Ramiz Spathara, që do të vriteshin disa muaj më vonë, pikërisht në 10 tetor 1935. Ndërsa bashkëluftëtarët e tjerë si Riza Vala, Shuaip Hyseni dhe Tahir Hasani, do të kapeshin nga forcat qeveritare menjëherë pas vrasjes së tij (Belegu M., 1982: fq. 112-113).
Vdekja e tij u pasqyrua në dy qëndrime të ndryshme nga shtypi pro qeveritar në Shqipëri dhe nga ai që botonte emigracionit politik jashtë. Edhe media europiane shkroi për këtë ngjarje, ku së bashku me përshkrimin e saj, qarkulloi edhe fotografia e Riza Cerovës së vrarë.
3
Sapo batalionet e ushtrisë u futën në qytetin e Fierit, komanda e tyre shpalli gjendjen e shtetrrethimit, duke marre nën kontroll të gjitha pikat e rëndësishme. U shpërnda komisioni i përkohshëm administrativ dhe filluan arrestimet. Gjithashtu nisi veprimtarinë e saj gjykata e posaçme politike, e krijuar enkas për këtë rast me dekret mbretëror. Kryetari i trupit gjykues ishte Ali Rizai, komandant i operacionit.
Anëtarë të tjerë të tij ishin: major Hamza Kuçi, kapiten Zef Prenushi dhe gjyqtarët Petro Martini dhe Sadri Faslliu. Prokuror ishte Kiço Bisha, prokuror i përhershëm i Gjykatës së Posaçme (Gazeta “Besa”, 18 gusht 1935). Gjykimi u bë nën një regjim terrori dhe mbi të burgosurit u ushtruan edhe torturat të ndryshme. “Bashkia, shtëpitë e Qemal Vrionit, ato ditë ishin salla gjyqi dhe natën salla torturash, zyra e post telegrafit, dyqanet e Idris Bulos, zyra e gjindarmërisë e rrethit dhe ajo e post-komandës, shkolla “Plotore” e Fierit në Bishanak, hoteli i Ramis Omarit e të tjerë lokale, ishin burgje dhe salla torturash”, shkruan në kujtimet e tij vite më vonë Xhelal Staravecka, ish-pjesëmarrës në këtë kryengritje (Staravecka Xh., 2012).
Seanca e parë gjyqësore u zhvillua në ambientet e nënprefekturës dhe dënoi grupin e parë që përbëhej nga 21 xhandarë, pjesëmarrës në këtë kryengritje. Nga këta, 11 prej tyre u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan, ndërsa të tjerët e pësuan me afate të ndryshme burgimi. Më pas, gjyqi i zhvendosi gjykimet në shtëpinë e Qemal Bej Vrionit, i cili ishte një nga të arrestuarit. Gjykimet e tjera kishin të bënin me civilët që kishin marrë pjesë në kryengritje (Emiri H., 2001: fq. 178-179).
Në gjyqin e Fierit dolën 539 vetë, nga të cilët 17 ishin të arratisur politikë, të cilët u gjykuan në mungesë. Përveç ekzekutimit të njëmbëdhjetë xhandarëve, me vdekje u dënuan edhe 41 të tjerë, të cilët në prag të ekzekutimit, si rezultat i presionit ndërkombëtar, ju ndërrua dënimi në burgim të përjetshëm. Prej këtyre, vetëm Hekuran Maneku ekzekutua në Fier me varje, në 23 shtator 1935 (Belegu M., 1987: 136).
Midis personave të dënuar figuronin edhe anëtarët e disa familjeve të dëgjuara dhe me influencës siç ishin familjet: Vrioni, Dibra dhe Vlora. Ndaj këtyre personave gjykata nxori prova të dorës se dytë. Këto prova dëshmonin për një pakënaqësi të përgjithshme ndaj Mbretit, qeverisë dhe disa personave të veshur me pushtet si, ministrit të Brendshëm Musa Juka, ministrit të Luftës Xhemal Aranitasit dhe adjutantit të Zogut, Abdurrahman Krosit (Fischer, J. Bernd., 2004: fq. 256).
Gjyqit Politik të Fierit, ju nënshtrua në gjykim përveç grupeve të tjera, edhe ai i Skraparit. Gjykimi për pjesëmarrësit në çetën e Riza Cerovës, nisi në 9 gusht 1935 (Dervishi K., 2006: 357, fq. 359). Për ta u dhanë masa të ndryshme dënimesh. Gjyqi përfundoi në 17 shtator, pasi punoi me intensitet për një muaj rresht, duke lënë në Fier një klimë terrori, e cila arriti kulmin në datën 23 shtator me ekzekutimin e Hekuran Manekut. Ai ishte një nga pjesëmarrësit aktiv në kryengritje dhe u akuzua për vrasjen e Gilardit.
Për arsye të torturave të tmerrshme dhe qëndrimit burrëror që mbajti, Maneku, tentoi të vet-vrasjen, duke shpuar barkun me një gozhdë, që gjeti në murin e birucës. Duke qenë se nuk ju dha kujdesi shëndetësor, plaga ju infektua. Mjeku e vizitoi vetëm në momentet e fundit dhe deklaroi se gjendja e tij ishte e pashpresë. Për t’i shpëtuar diskreditimin në shtypin e huaj për torturat e përdoruara, regjimi, vendosi ekzekutimin e tij (Emiri H., 2001: fq. 178-180).
Por dënimet e ashpra të gjyqit politik të Fierit, goditën imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Do të ishin edhe torturat e përdorura mbi pjesëmarrësit, që sollën një reagim të madh, duke nisur nga shtypi i huaj, organizatat ndërkombëtare e, deri te Lidhja e Kombeve. Kështu, një ditë përpara mbylljes së gjyqit, në 16 shtator 1935, Shoqëria Juridike Internacionale, dërgoi në Tiranë avokaten franceze, Stodel.
Ndërsa pothuajse të gjitha gazetat më të njohura të shtypit të huaj, si; “Times”, “Daily Telegraph”, “Le Petit Parisien”, “Le Figaro”, “Journal de Geneve”, “Pravda”, “Kathimerini”, “Vreme”, etj., shkruan artikuj rreth kësaj ngjarjeje (Belegu M., 1987: fq. 144, 147, 149). Autorë të ndryshëm theksojnë se, problemit të keqtrajtimeve me të burgosurit e Gjyqit të Fierit, i kushtoi një seancë të posaçme edhe Lidhja e Kombeve.
Biles rreth kësaj çështjeje, gazetari dhe publicisti Tajar Zavalani, në librin ‘’Histori e Shqipnis’’, midis të tjerave shkruante se: ‘’Drama juridike e Fierit pat një jehonë të papritur në Europë. Lidhja për të Drejtat e Njeriut në Paris dhe organizata të tjera liberale protestuan pranë qeveris së Tiranës. Këshilli i Lidhjes së Kombeve, qi ishte mbledhë në atë kohë në Gjenevë, bani presion mbi delegacionin shqiptar qi të mos ekzekutohej ky masakrim i legalizum’’ (Zavalani T., 1998: 290).
Gjithsesi presioni ndërkombëtar e detyroi mbretin Zog, që vetëm dy muaj më pas pikërisht për përvjetorin e pavarësisë, në 28 Nëntor 1935, të shpallte një amnisti e cila i falte një pjesë të të dënuarve. Më pas ajo do të pasohej në 30 dhjetor nga një amnisti e dytë, ku një pjesë tjetër e të dënuarve u liruan. Ndërsa me dy amnistitë e tjera të viteve 1936 dhe 1937 u falën edhe të dënuari e fundit (Dervishi K., 2006: fq. 359-360).
Kryengritja e Fierit, ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër Mbretit Zog. Kjo lëvizje e tronditi seriozisht regjimin, gjë, që u pa në zhvillimet e seancave të gjyqit politik të Fierit apo në shkrimet e gazetës pro qeveritare “Besa”. Ajo u shoqërua me rrëzimin e qeverisë konservatore të kryeministrit Pandeli Evangjeli dhe zëvendësimin e saj, me qeverinë e re liberale e të moderuar të Mehdi Frashërit.
Ndërkohë që rreth kryengritjes, aludohej se në të kishte “dorë” edhe shërbimi i inteligjencës italiane. Natyrisht që italianët kishin dijeni për Organizatën e Fshehtë dhe kryengritjen, por ata nuk ndërhynë fillimisht në zhvillimet e saj. Në këtë kohë atyre nuk u interesonte zëvendësimi i regjimit të Zogut por vënia e tij në një situatë të vështirë, pikërisht në momentin e krizës së marrëdhënieve dypalëshe. Por në verën e vitit 1935, Italia, ishte e zënë me përgatitjet ushtarake të fushatës për pushtimin e Abisinisë në Afrikë.
Kështu, Italia, agjentura e të cilës ushtronte një aktivitet të gjerë në Shqipëri, konstatoi faktin se në “Organizatën e Fshehtë”, nisi të dominonte fryma nacionaliste dhe antiitaliane. Kështu ajo i këshilloi njerëzit e saj që ta braktisnin kryengritjen, biles edhe ta sabotonin atë në pikënisjen e saj. Kjo ishte një nga arsyet e dështimit të Kryengritjes së Fierit. Në këtë drejtim një shkak tjetër ishte se, “Organizata e Fshehtë”, gaboi në vlerësimin e situatës politike në vend, duke krijuar idenë se me fillimin e revoltës, regjimi, do të rrëzohej artificialisht.
Interesant është edhe fati i mëtejshëm i pjesëmarrësve dhe protagonistëve të kësaj lëvizjeje. Do të ishin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, ato që do të përcaktonin të ardhmen e tyre. Kështu, një pjesë ju bashkua rezistencës antifashiste, disa prej të cilëve ranë dëshmorë në luftë. Të tjerë, bashkëpunuan me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ndërkohë një pjesë tjetër u detyruan që pas lufte të emigronin, të zhvisheshin nga pasuria apo të burgoseshin. Ndërsa, të rrallë ishin ata që u bënë pjesë e elitës së periudhës së komunizmit. / Memorie.al