Monika Stafa*
Legjendat, tregimet e moçme dhe shkrimet e autorëve të lashtësisë tregojnë se Ilirët dhe Hebrenjtë të vendosur në dy brigjet e Detit Mesdhe megjithëse i ndanin më shumë se 2000 km kanë bashkëjetuar, kanë shkëmbyer mesazhe miqësie dhe kanë lënë tek njëri- tjetri gjurmë të ndërsjella, të cilat mbeten burim hulumtimi.
Nga fundi i shek. të XII para Krishtit shumë ilirë u shpërngulën nga gadishulli ilirik dhe zunë vend në Azinë e Vogël. Ndër këto fise përmenden Pelesët të cilët u vendosën në bregdetin jugor të Sirisë, nga mendohet se edhe vendi mund të ketë marrë emrin Palestinë. Përsa i takon traditës së lidhjeve të hershme të hebrenjve me ilirët është shkruar vetëm kalimthi dhe në mënyrë fragmentare. Përkundër vëmendjes së merituar që studimet shqiptare i kanë kushtuar pranisë së kulturës helene, asaj latine apo osmane, kultura hebraike ka mbetur për dekada me radhë krejt mënjanë.
Prej shkrimeve biblike-ungjillore, ka disa njohuri fillestare mbi apostujt e krishterimit të hershëm, ku përfshihet edhe apostulli Pal. Ndër të tjera aty thuhet se predikimet e para u janë prezantuar bashkësive hebraike në Perandorinë Romake, duke përfshirë edhe Illyricum-in.
Informacionet e para për këtë marrëdhënie vijnë deri në ditët tona nga një legjendë e cila parë në sytë e studiuesve shërbeu si një referencë jo pak serioze. Hebrenjtë sipas saj, nuk u zhdukën. Ata u strehuan në Iliri, popullsia e së cilës i ndihmoi skllevërit, që ishin hebrenj të humbur. Të dhënat arkeologjike na mundësojnë praninë hebraike në Iliri në një periudhë prej 15 shekujsh.
Zbulimi i sinagogës së Sarandës hedh dritë mbi ekzistencën e komuniteteve hebraike në Shqipëri të paktën që në fillimet e shek. VI pas Krishtit. Po ashtu u zbuluan edhe disa rrënoja të një sinagoge të gjetur në qytetin e Elbasanit. Profesori i arkeologjisë, Myzafer Korkuti shkruan në lidhje me një mbishkrim të lashtë hebraik të zbuluar në Durrësin antik, që ruhet në Muzeun Arkeologjik të qytetit. Të dhëna për mbishkrime të lashta hebraike ka edhe për Shkodrën, Tivarin, Lezhën, të cilat janë qytete historike dhe me traditë lëvizjeje në këtë kohë. Një tjetër sinagogë e lashtë, është gjetur dhe në Kosovë, përkatësisht në Ulpianë, në afërsi të Prishtinës, por nuk ka të dhëna më shumë.
Komuniteti hebre mesjetar i Durrësit përmendet për herë të parë gjatë shek. XIII, kur bëhej fjalë për familje hebraike që merreshin me tregtinë e kripës. Të dhënat mbi këtë komunitet i përkasin më tepër sferës tregtare, ku siç dihet hebrenjtë gjithmonë kanë qenë me famë. Më vonë, me ndryshimin e rrethanave politike roli i komunitetit të hebrenjve të Durrësit, erdhi duke rënë dhe më tepër, derisa në fillimet e shek. XV ai përmendet në burimet e kohës si i paktë në numër dhe shumë i varfëruar.
Kalvari i hebrenjve i cili fillon të përshkallëzohet që nga koha e sundimit romak, është i mbushur me shpërngulje masive nga vendbanimet e tyre historike drejt vendeve të ndryshme të Perëndimit apo të Lindjes. Sulltan Murati I (1360-1389) pushton krahina të tëra të Ballkanit por këto pushtime nuk dëmtuan dhe aq komunitetin hebre që gjendej në këto territore. Sundimtarët e rinj ishin shumë tolerantë ndaj hebrenjve dhe i trajtonin ata në mënyrë të ndershme dhe shumë më mirë sesa sundimtarët ortodoksë të Perandorisë Bizantine. Ata shumë shpejt arritën të mësonin gjuhën turke duke u integruar lehtësisht në jetën shoqërore dhe ekonomike të rajonit. Bashkësitë hebraike filluan të ngrinin institucionet e tyre të arsimit duke tërhequr në to nxënës nga e gjithë perandoria por dhe nga vende të tjera si nga Hungaria, Polonia dhe Rusia. Një fazë kjo e periudhës historike sa i përket hebrenjve të rajonit e cila është konsideruar unike dhe që nuk mund të krahasohet me asnjë periudhë tjetër.
Kontingjentet e refugjatëve hebrenj që mbërritën në shtetin osman nuk ishin homogjene nga pikëpamja e përkatësisë social-kulturore. Një pjesë e rëndësishme e tyre i përkiste degës Ashkënazi, e cila vinte nga vendet e Europës Veriore dhe Qendrore si Franca, Gjermania, Hungaria etj. Një tjetër kontingjent të madh të të shpërngulurve nga Europa Perëndimore formonin hebrenjtë e degës sefarade (Sefardikë) me prejardhje nga vendet e Gadishullit Iberik (Spanjë dhe Portugali), të cilët pas vitit 1492, u vendosën në epiqendër të problemit hebraik duke krijuar qarqet antisemite të Europës.
Gjatë shekujve pasues, mendja dhe puna e tyre e ktheu Ballkanin në një prej tokave më prodhuese në Mesdheun Lindor. Hebrenjtë u morën me tregti duke gëzuar të drejta të plota dhe jetonin e visheshin sipas mënyrës së tyre pa asnjë problem. Ata mund të udhëtonin në të gjitha anët e perandorisë lehtësisht duke mos paguar asnjë taksë. Dalëngadalë hebrenjtë ia dolën të menaxhonin tregtinë osmane, ndërsa vetë këta të fundit të administronin politikisht qytetet në përgjithësi. Kjo ishte një ndarje e punës që u përshtatej të dyja palëve, prandaj gjatë shek. XVI, Perandoria Osmane lulëzoi.
Si dhe mund të kuptohet fare qartë, arsyeja kryesore e vendosjes së tyre, ishte lehtësia e lëvizjes për transportimin e mallrave me vapor duke qenë se kushtonte më lirë. Italia ishte në atë kohë vendburimi kryesor për hebrenjtë e Shqipërisë dhe të Greqisë. Në fakt, krahasuar me qytetet e tjera të Ballkanit, ato shqiptare, nuk kanë pasur një fluks të ardhurish nga komuniteti në fjalë. Mendojmë se arsyeja lidhet me terrenin e ashpër e të pazhvilluar ekonomik. Studiuesi Kostantinos Giakoumis i përmend hebrenjtë si komunitet edhe në Elbasan. Ndonëse nuk jep shumë detaje ai evidenton si datë të mbërritjes së tyre në kërthizën e Shqipërisë, vitin 1501. Prania e hebrenjve në qytet evidentohet edhe nga emri i tregut të vjetër të qytetit, i cili njihej si “Tregu i çifutëve”. Diplomati amerikan Herman Bernstein në vitin 1934 tregonte se patriku i Kishës Ortodokse Shqiptare, Visarion Xhuvani i kishte folur për një vendbanim të madh hebrenjsh shumë vite përpara në Elbasan, si dhe për një ndërtesë të madhe me Yllin e Davidit që kish qenë sinagogë dhe më vonë ishte përdorur nga osmanët si han. Ky i fundit njihej si “Hani i Shehetilës” dhe sipas tregimeve të banorëve në themelet e tij, mbi të cilat në vitin 1930 ishte ngritur pazari i Elbasanit, ishin gjetur monedha ari me shenja hebraike.
Ambasadori amerikan, më tej, shkruante se, kjo pjesë e Elbasanit ish njohur si qendër banimi e hebrenjve dhe se ortodoksët që banonin aty mbanin emra biblikë, si Abraham, Isak, Jakov, etj. Më pas sipas kujtimeve të Visarionit, ai shkruante edhe për ndihmesën e dhënë prej hebrenjve në zhvillimin e qytetërimit dhe denoncoi persekutimet kundra tyre në vendet e tjera. Ai përmend edhe disa pjesë nga testamenti i vjetër hebraik, gjë që hedh idenë se Patriku Visarion mund të ishte me prejardhje hebrenjsh që jetonin prej vitesh në Shqipëri. Më tej ambasadori amerikan Herman Bernstein shkruante se “në arkivat e qytetit të Elbasanit gjeta një dokument të vjetër të shkruar me dorë dhe mbajtur nga një turk, rreth 200 vjet përpara, i cili bënte fjalë për tregtarë të shumtë hebrenjsh që ishin përpjekur të shkelnin ligjet turke dhe ishin ndëshkuar prej tyre”. Në afërsi të fshatit Xibrakë, pranë Cërrikut të Elbasanit, në rrugën e cila të con në Belsh, ndodhet një varr me qemer guri që quhej “Varri i cifutit” e që sipas gojëdhënave kish qenë tregtar. Në muzeun e Elbasanit ndodhet një tepsi dhe një sahan bakri me Yllin e Davidit dhe mbishkrime hebraishte.
Në Durrës “metropol i Ilirikut” dëshmohet një konsistencë dhe vazhdimësi më e plotë e pranisë hebraike. Për rolin dhe rëndësinë e tij, Durrësi kishte marrë përmasat e një kozmopoli: aty gjeje banorë bujtës të huaj, sa bizantinë, aq edhe venecianë, raguzianë, gjenovezë etj. Nuk mund të mungonin edhe hebrenjtë. Për një prani domethënëse të hebrenjve në Durrës flet qartë një dokument i vitit 1417 ku përmendet për herë të parë një “Judaica Duracchi”. Me këtë emër në Venedik, “Judaica” quheshin në mesjetë lagjet e qyteteve italiane të rezervuara për hebrenjtë. Në Durrës por dhe në Vlorë e në qendrat e tjera urbane, hebrenjtë kishin statusin e bujtësit apo të banorit dhe jo atë të qytetarit që e kishin vendasit. Përgjithësisht, në Shqipëri nuk shquhen gjurmë të qëndrimeve diskriminuese e antisemite, siç ndodhte rëndom në Europën e krishterë të asaj kohe. Shqiptarët ndër dokumente kanë qenë vlerësuar në të gjitha kohërat për tolerancën e vet ndaj minoriteteve. Kjo vlen si për popullin ashtu dhe për autoritetet. Këto nuk mungonin t’i afronin përfaqësuesit e komunitetit hebraik deri edhe në detyra e poste prestigjoze. Këtu kemi padyshim një tregues të integrimit në nivelin më të lartë të hebrenjve në realitetin vendas. Integrim që ishte akoma dhe më i dukshëm në nivelet e tjera të jetës qytetare.
E njëjta gjë vijoi edhe më pas kur me dëbimin e parë zyrtar nga Mbretëria e Napolit (vitet 1510-1511), një masë e konsiderueshme hebrenjsh të shpërngulur nga territori i kësaj mbretërie, zbarkoi në mjaft pika të bregdetit shqiptar, duke u përqendruar kryesisht në qytetin e Vlorës. Të ardhurit rishtarë, ose krijuan bashkësi të reja, ose iu bashkëngjitën asaj ekzistuese duke përtërirë dhe zgjeruar radhët, tashmë të tkurrura tej mase.
Me historinë e hebrenjve të Vlorës ka qenë e lidhur ngushtë edhe ajo e bashkësisë hebraike të Beratit. Si dy qendrat kryesore urbane dhe administrative të sanxhakut të Vlorës (kanë ndërruar me njëra-tjetrën rolin e kryeqendrës së këtij sanxhaku), të dyja qytetet, përveç afërsisë gjeografike me njëri-tjetrin, kanë pasur lidhje ekonomike të veçanta midis tyre. Këto rrethana kanë përcaktuar edhe marrëdhëniet specifike midis bashkësive hebreje përkatëse. Ndryshe nga bashkësia e hebrenjve të Vlorës, e cila në pjesën e saj dërrmuese i kishte rrënjët nga vendet perëndimore (Spanjë, Portugali, Itali), hebrenjtë e Beratit ishin të ardhur nga Vlora. Bashkësia hebraike e Beratit ishte e vogël, ndaj dhe mjaftohej me një sinagogë të vetme. Praninë e tyre aty e vërtetojnë dhjetëra dokumente të kohës. Po si ndodhi kjo? Kur Vlora u sulmua nga një flotë europiane venedikase, hebrenjtë e këtij qyteti u larguan dhe shkuan në Berat për t’i shpëtuar shkatërrimit të qytetit bregdetar. Kjo çoi në rritjen e numrit të tyre në këtë qytet. Emigrantëve të ardhur nga Vlora, ashtu si dhe vendasve iu kërkua të paguanin taksa nga autoritetet turke, por të ardhurit nuk kishin me se të paguanin. Atëherë u vendos që ato të përballoheshin nga hebrenjtë e Beratit. Kjo shkaktoi pakënaqësi dhe kundërshtim nga ana e tyre. Prania e komunitetit hebraik në Berat lidhet me emrin e një figure të jashtëzakonshme, të famshmit Sabatai Zevi, prijësin e një kryengritjeje të fshehtë të hebrenjve kundër Perandorisë Osmane, e mbiquajtur mesianike (nga Messiah).
Ndonëse nga bashkëkohësit u konsiderua si mashtrues, ai ia doli të krijojë lëvizjen fetare me emrin e tij “sabatianizëm”. Sabatai Zevi ishte udhëheqësi shpirtëror i hebrenjve. Ai predikonte juadizmin në fshehtësi për shkak të përndjekjes nga Perandoria Osmane. Ai u kap nga turqit dhe u dënua me vdekje nga sulltani por kjo solli lëvizje të mëdha tronditëse duke u shpërndarë në të gjitha komunitetet hebraike që jetonin në territoret osmane. Kjo e detyroi Portën e Lartë të tërhiqte vendimin e saj dhe ta dëbonte liderin mesianik të hebrenjve në Shqipëri së bashku me familjen e tij. Ai u dënua me internim të përjetshëm. Sabatai Zevi, i detyruar, u kthye në mysliman me emrin Aziz Mehmed. Disa studiues të huaj thonë se ka qenë i internuar në Berat ku dhe ka vdekur. Të dhëna gojore tregojnë se në lagjen Vakëf ka mbetur toponimi “Te varri i cifutit” pikërisht duke iu referuar varrit të tij. Por, nga disa autorë hebrenj të cilët e kanë studiuar mirë jetën e tij, ka dalë mendimi se ai mund të jetë varrosur në Fterrë të Sarandës ose në Ulqin. Varri i tij kërkohej për t’u bërë vend pelegrinazhi për besimtarët hebrenj. Si dhe kuptohet, lëvizja e tij pati një jehonë të gjerë në të gjithë pellgun mesdhetar e deri në Holandë. Sikurse ka provuar studiuesi hebre Gershom Gerhard Scholem në studimin e tij, ‘Sabbatai Zevi-The Mystical Messiah’, ai së bashku me luftëtarët e tij gjeti mbrojtje edhe mes shqiptarëve. Ai la gjurmët e tij kudo ku shkoi në qytetet shqiptare si në Vlorë, Berat apo dhe Ulqin./Memorie.al
*Shkëputur nga libri i autores “Hebrenjtë në Shqipëri”
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016