Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili
Pjesa e parë
-Enver Hoxha falsifikoi historinë kombëtare, për hatër të Titos-
Memorie.al / Prania jugosllave në Shqipëri, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, filloi të rritej, duke dhënë ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Në cilësinë e ekspertëve, të dërguarit jugosllavë u vendosën në institucionet e Shtetit Shqiptar. Megjithatë, marrëdhëniet gjatë vitit 1945, u përqendruan kryesisht në fushën politike e diplomatike dhe më pak në atë ekonomike. Gjatë këtij viti, u nënshkrua vetëm një marrëveshje e përkohshme për shkëmbimin e mallrave. Por Jugosllavia me urdhrin e Titos i dërgoi Shqipërisë një ndihmë të madhe në materiale për ndërtimin e vendit dhe drithëra; grurë dhe misër. Shqipëria gjithnjë e më shumë po i nënshtrohej vullnetit të jugosllavëve, veçmas të Titos.
Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave u bënë edhe më të ngushta pas vizitës që Enver Hoxha bëri në Jugosllavi, më 23 qershor – 2 korrik 1946. Gjatë vizitës, u nënshkrua marrëveshja mbi bashkëpunimin ekonomik midis të dy vendeve dhe u ra dakord që të përfundohej një traktat miqësie e ndihmë reciproke, i cili u nënshkrua në më 9 korrik në Tiranë.
Nënshkrues të marrëveshjes, midis Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, ishte vetë Enver Hoxha, ndërsa nga pala jugosllave, ishte Stanoje Simiç, ku rëndësia e kësaj marrëveshje, kapte një afat kohor prej 20 vjet. Me automatizëm në afat vazhdimi për çdo pesë vjet, në qoftë se ndonjëra palë nënshkruese, nuk bënte kërkesë para 12 muajve, për pavlefshmërinë e kësaj marrëveshje.
Në nenin III të kësaj marrëveshje thuhej; “Në qoftë se ndonjëra nga palët nënshkruese të kësaj marrëveshje, i është cenuar pavarësia, robëruar ose marrë ndonjë pjesë territori, pala tjetër nënshkruese, pa humbur kohë, do t’i ndihmoj ushtarakisht, do t’i ofroj ndihma dhe mjete tjera disponuese”. Në Nenin VI: “Palët nënshkruese të marrëveshjes, obligohen që as njëra, as pala tjetër, nuk do të lidhin aleancë, as që do të marrin pjesë në një koalicion, që do të rrezikonte palën e marrëveshjes”. Në atë kohë, kishte dalë në paraskenë plani i Titos, për krijimin e Federatës Ballkanike, për këtë arsye, ai nënshkroi marrëveshje të njëllojtë edhe me Bullgarinë.
Krijimi i Federatës që do të përfshinte Jugosllavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë, ishte një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Jugosllavisë, për periudhën e pas luftës. Në pranverën e ardhshme, u zbulua krejtësisht se cilat qenë synimet e vërteta të politikës Jugosllave, në raport me Shqipërinë. Pikërisht, kur qeveria e Titos, i propozoi Nako Spiros, i cili ndodhej me mision në Beograd, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve, për nënshkrimin e një marrëveshjeje të fshehtë, për siguri dhe mbrojtjen e interesave jugosllave në Shqipëri, në rast rreziku të udhëheqjes së PKSH-së dhe hedhjen e njësiteve jugosllave në Shqipëri, në rast rreziku.
Por Spiru, refuzoi të firmos me rrjedhojë, në përfundim të misionit të tij, marrëdhëniet Shqiptaro jugosllave, bëhen më të ndera, nga sa ishin kur ai arriti në Beograd. Sipas Stalinit, “Nako Spiro, tentoi të helmonte marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”. Prandaj Nako, ishte kundër marrjes së kësaj kredie, prej dy miliard Lekë, që kapnin një vlerë 56,7% të ardhurave të buxhetit të vendit, të akorduar nga Kuvendi Popullor, me propozim të Boris Kidriçit, akorduar Shqipërisë ndihmë në të holla, pa kamatë dhe pa afat kthimi, duke ditur së për këtë gjest human, do të jetë mirënjohës populli shqiptar, miqësisë jugosllave.
Enver Hoxha, brenda 40 ditësh, shkoi dy herë në Beograd
Pa kaluar 45 ditë, Enver Hoxha përsëri u gjind në Jugosllavi, gjatë rrugës për në Paris, Hoxha arriti në Beograd dhe nga Beogradi, me aeroplan special, të dërguar nga vetë Tito, u ndal në qytetin bukur të Sllovenisë, në Bled, ku ishte Tito për pushim, në vilën e tij. Hoxha, në këtë takim me Titon, banoi në vilën e tij, ku merrnin pjesë dy udhëheqës të lartë të Titos: Vojo Tododroviqi dhe Sreten Zhujviqi, por nuk u bë publike për opinionin e gjerë. Prandaj ky takim, nuk pati jehonë, si takimi i parë në Beograd.
Por pas takimit të Parë në Beograd dhe arritjes së marrëveshjes për miqësi midis dy vendeve, takimi i Dytë, kishte karakter të brendshëm dhe ishte tejet sekret, për mbrojtjen e vendit nga pretendimet greke dhe italiane. Politika e shteteve ballanike shkoi aq larg, duke komentuar aktin miqësisë, si akt për themelimin e Federatës Jugosllave e cila, do të përfshinte edhe Shqipërinë, ku propaganda e Beogradit, e ka kushtëzuar këtë miqësi, si kompensim me humbjen e Triestes. Ndërsa tani për tani ky pakt, ishte i dedikuar mbrojtjes së Shqipërisë nga Greqia, pasi ajo kërkonte me këmbëngulje Epirin Verior.
Sipas aktit të paraparë në nenin III-të, “Jugosllavia, detyrohej t’i shpallë luftë Greqisë, në rast se ajo e përdorë forcën për të aneksuar Epirin e Veriut”. Por në rrethana që u zhvilluan bisedat e para dhe të dytat, në prag të Konferencës së Parisit, jepeshin alarme në shkrime sensacionale, për marrëdhëniet Tito-Hoxha në Bled, dhe njëkohësisht nënshkrimi i marrëveshjes në Tiranë. Edhe pse delegacioni i Titos, ende nuk e kishte ftuar Hoxhën në Paris. Bile, sa në rrethet diplomatike dhe ato gazetareske, u vu në pikëpyetje pavarësia e Shqipërisë.
Ndërsa takimi tetë a tetë, Tito-Hoxha në Bled, kaloi fshehurazi nga lajmet dhe agjencitë e huaja dhe të vendit, pa u hetuar fare. Por si detyrë e parë e marrëveshjes ishte, se si duhet kundërvu palës greke dhe kundërshtimin e propagandës së saj, për fitimin e statusit të Shqipërisë, në Bllokun Antifashist, të cilët grekët me ndihmën e disa shteteve perëndimore, fuqishëm e mohonin. Përfaqësuesit jugosllav, në mbledhjet ndërkombëtare, gjithmonë e kanë mbrojtur interesin e Shqipërisë.
Po ashtu edhe në mbledhjen e parë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Eduard Kardeli, ua paraqiti kërkesën e Enver Hoxhës, për pranim të Shqipërisë në organin e saj. Euard Kardeli, në arsyetimin e tij tha; “Shqipëria ishte një ndër viktimat e para të fashizmit në Evropë, populli shqiptar, me forcat veta, mori anën e luftës Nacionalçlirimtare, luftoi në krahun e Kombeve të Bashkuara, duke dhënë me forcat veta një kontribut të çmuar kundrejt agresorëve, si aleat i vendeve demokratike”.
Po ashtu delegacioni jugosllav, që mori pjesë në Konferencën për ndihma dhe riparime, në dhjetor 1945, kërkoi rritjen e ndihmave për Shqipërinë. Pas vizitës së parë, që i bëri Hoxha Beogradit, më 23 qershor 1946, u ranë dakord mbi bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve dhe vendosën të nënshkruhet një traktat miqësie dhe ndihmë reciproke. Në anën tjetër, kishte filluar një propagandë nga shtypi shqiptar, kundër Bashkimit Sovjetik, ku ishin larguar dhe refuzuar materialet sovjetike.
Gjergj Fishta, mallkohej nga komunistët jugosllav
Pas ardhjes së Hoxhës në pushtet, nuk ekzistonte fare më Kosova dhe trojet tjera shqiptare të Shqipërisë Lindore. Edhe pse Hoxha ishte betuar para varrit të Çerçiz Topullit, se; “tërë jetën do të luftojë për Shqipërinë Etnike dhe bashkimin kombëtar”, ai u gjunjëzua për një karrige, para jugosllavëve. Brenda atmosferës së Luftës së Ftohtë të Evropës së pasluftës, pozita e Shqipërisë ishte veçanërisht e pasigurt. Lidhjet e saj me Perëndimin, ishin keqësuar pas episodit të Korfuzit. Me niciativën e qeverisë jugosllave, ka rrjedhë marrëveshja me qeverinë shqiptare, që të konkludohet traktati mbi miqësinë dhe ndihmën reciproke.
Në qershor 1946, dy vendet nënshkruan Traktatin e Miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke, të iniciuar më parë nga vetë Tito dhe Jugosllavia. Duke fol mbi rëndësinë e këtij Traktati shqiptaro-jugosllav, gazeta “Borba” do të konstatojë: “Traktati i miqësisë përfaqëson një kontribut me një rëndësi të madhe për sigurimin e integritetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Por populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë u rezistuan heroikisht valëve të tërbuara të invadorëve dhe agjentëve të tyre shqiptaro-jugosllavë; popujt tanë mbajtën gjallë e të pavdekshme ndjenjën e rezistencës më të ashpër që mund të kenë treguar popujt e vegjël që kërcënoheshin në ekzistencën e tyre si popuj dhe si kombe.
Për të fituar lirinë dhe pavarësinë populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë, me shpirt dhe me zemër, ishin të lidhur kundër të njëjtëve armiq, si; turq, austro-hungarezë, italianë, gjermanë, etj. Në mes intrigave të panumërta dhe të shumëllojshme të armiqve të vendeve tona, shquante dhe qëndronte e fortë hallka që lidhte ndjenjat dhe aspiratat e popujve shqiptar dhe jugosllav: lufta për liri, kundër të njëjtëve armiq.
Ndër betejat e lashta kundër turqve, gjaku i njerëzve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, është përzier për të mbrojtur një ideal, të cilin e këndojnë këngët tona popullore, me aq zjarr dhe krenari sikundër që ishte lufta heroike e popujve tanë. Këto hallka të shëndosha që lidhin të dy popujt, nuk mund ti këpuste më as shpata e shtypësve tanë, as intrigat e imperialistëve, as vjershat e poetit të imperializmit dhe agjentit Italian, shovinistit At Gjergj Fishtës dhe as shkrimet e serbomadhit, Vlladan Gjorgjeviçit”.
(A ka, turp më të madh se ky krahasim, të vësh në vij të njëjtë të madhin Gjergj Fishta, me një shovinist serb, i cili në të gjitha shkrimet e tij; “Shan dhe fyen popullin shqiptar, Skënderbeun, e shpallë për serb”! Ky albanofob, tërë historiografinë serbe, e vënë në shërbim kundër Lëvizjes Kombëtare shqiptare. V.Xh.).
Enver Hoxha do të deklaroj: “Ndjenjat e vëllazërimit dhe të bashkëpunimit të popullit tonë dhe të popujve të Jugosllavisë, ishin diçka tjetër më e lartë, ishte vullneti i popujve tanë të pathyeshëm, që kapërcyen çdo pengesë, për të realizuar aspiratat e tyre shekullore, të çlirimit të vendeve të tyre nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm dhe për të vendosur të tilla marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi, sikundër ekzistojnë sot në mes dy popujve tanë. Një gjë e tillë nuk mund të realizohej pa Luftën e madhe Nacional-Çlirimtare të të dy vendeve, kundër të njëjtit armik, fashizmit, dhe kundër të njëjtëve armiq të brendshëm, vegla të përhershme të okupatorëve dhe armiq të betuar të popujve tanë”.
Enver Hoxha, harronte se Serbia ka qenë shtet nga viti 1804. Ndërsa Ali Pashë Janina dhe Dervish Cara, luftonin për të ringjallur shtetin e Skënderbeut. Enver Hoxha e çon në qiell veprën e malazezit, Miladin Popoviçit dhe deklaronte; “Ishte nga ata student përparimtarë të Universitetit të Beogradit, që demonstruan nëpër rrugë dhe kërkuan armë, për të ardhur në Shqipëri të luftonin krah për krah me popullin shqiptar, që në ditët e para të invazionit tonë.
Ai u hodh në luftë që në fillim të Luftës Nacional-Çlirimtare Jugosllave, ai ishte një djalë i vendosur deri në vdekje, për çlirimin e atdheut të tij. Atë që Miladin Popoviçi e kërkonte në demonstratën e Beogradit, rrethanat dhe peripecitë e luftës, iu realizuan. I internuar prej fashistëve italianë në kampet e përqendrimit në Shqipëri, i çliruar nga guerilet tona, ai e lidhi fatin e tij me luftën e popullit vëlla shqiptar dhe luftoi për Shqipëri deri në vdekje. Miladin Popoviçi, ‘Hero i Popullit’ Jugosllav, personifikon si duhet vëllazërimin e popujve tanë në luftë dhe në paqe, ai është i lidhur me luftën tonë, ashtu siç është lidhur Qemal Stafa dhe Asim Zeneli, me gjithë shokët e tyre.
Miladin Popoviçi pasi erdhi në Shqipëri, më foli për herë të parë për Josip Brozin, udhëheqësin e lavdishëm të Luftës Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë; për të, Jozip Brozi, personifikonte heroizmin, mençurinë, zotësinë luftarake, personifikonte fitoren e popujve të Jugosllavisë, shërbimet e informacionit tonë partizan, rrëmbyen një urdhër të Gestapos që i jepte shërbimit të SIMI-t italian dhe ku thuhej tekstualisht: ‘Të ruhen rrugët, postë blloqet, të bëhen perkuzicione në të katër anët e Shqipërisë, pse revolucionari i madh jugosllav Josip Broz Tito, mund të ndodhet në Shqipëri. Koka e tij të vihet në çmim’. Ngjitur fotografia dhe sinjalmenti (Përshkrimi i pamjes së jashtme i një njeriu për ta njohur) i Titos. Frika e armikut ishte e dukshme.
Sot shtrohet pyetja? Si ka mundësi të jetë ashtu, kur dihet që Jugosllavia, kapitulloi për më pak se 7 ditë. Titoja që personifikonte dhe udhëhiqte luftën e partizanëve jugosllavë, tmerronte Gestapon dhe SIM-in; këta e shihnin Titon, kudo në Ballkan dhe kokën e tij e kishin vënë në çmim. Por agjentët e SIMI-t dhe të Gestapos, mund të lodheshin më kot së kërkuari Titon në Shqipëri! Titoja s’ishte as në malet, as në qytetet e Shqipërisë, por ai ishte në zemrën e luftëtarëve të Shqipërisë dhe atje ishte zor i madh ta gjente dhe ta çrrënjoste SIM-i dhe Gastapoja. Emri i Titos mori dhen në të katër anët e Shqipërisë, për të fliste me admirim populli shqiptar”.
Shqiptarët fare nuk kanë ditur për Titon, deri në vitin 1943, kurrë komunistët shqiptar, tradhtuan Konferencën e Mukjes, pas intervenimit të Mugoshës. Hoxha për herë të parë, u gjunjëzua para emisarëve Jugosllav, duke shpallin luftë forcave nacionaliste, që nuk ishin me jugosllavët. Të cilët kërkonin bashkimin e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare; një shtet, një komb të bashkuar. “Për ne emri i Titos, u konfundua me atë të Jugosllavisë, me atë të Ushtrisë heroike Nacionalçlirimtare Jugosllave. Te Titoja, ne shihnim mikun e madh të popullit shqiptar, në luftë dhe në paqe, ashtu si shihnim në popujt e Jugosllavisë, miqtë dhe vëllezërit e popullit tonë”, deklaronte Enver Hoxha.
A mund të jenë sllavët vëllezërit tanë, pas atyre torturave dhe kanibalizmit që kanë bërë, (që nga periudha e Kongresit të Berlinit), në Zonat e Nishit, Surdulicës, Vrajës, etj. Ndërsa pas Luftës së Parë Ballkanike, ushtria serbe bëri kërdi në Kosovë dhe Luginën e Vardarit. Ka vetëm një të vërtet: Pas ardhjes së Hoxhës në pushtet, nuk ekzistonte më fare Kosova dhe trojet tjera shqiptare të Shqipërisë Lindore. Ai u gjunjëzua për një karrige para jugosllavëve. Bile sa, deri në vitin 1963, në Shqipëri, me ligj ishte i ndaluar emri i Heroit tonë kombëtar Hasan Prishtina. I cili e shkriu tërë pasurinë e tij për Kombin Shqiptar.
Falsifikimi i historisë kombëtare, për hir të vëllazërim- bashkimit me jugosllavët!
Enver Hoxha, për të fituar besimin e Titos, do të deklarojë, për forcat kombëtare shqiptare: “Ata përdorën parullat e vjetra të përçarjes, duke i stërholluar me metodat e Gebelesit dhe të Musolinit. Shovinistët dhe shqiptaro mëdhenjtë, më kot përdorën demagogjinë e tyre. Përalla e Oso Kukës, s’pinte më ujë, në Shkodër e në Liqen, atje ku përzihen ujërat e Shqipërisë dhe të Malit të Zi, ashtu sikundër përzihen dhe ndjenjat më të pastra të popujve tanë, u shkrua me gjakun e kulluar të malazezëve; Vaso Strugar, Filip Popoviçit dhe të shqiptarit Vasil Shantos, epopeja e përbashkët nga më të lavdishmet e historisë të vendeve tona, epopeja e madhe e çlirimit. Populli shqiptar, do të ruajë kujtimin e pavdekshëm të patriotëve malazezë, që ranë për Shqipërinë dhe njëkohësisht për kauzën e atdheut të tyre, Miladin Popoviçit, Vaso Strugarit, Filip Popoviçit”.
Çfarë, demagogjie komuniste, kjo parullë është barabartë, sikur t’i falen mëkatet Vaso Çubrillovit, për elaboratin që bëri, për pastrimin e shqiptarëve nga Kosova dhe Banovina e Vardarit.
Enver Hoxha, falsifikon letrën, pasi kërkohej që lufta të organizohej sipas kritereve jugosllave
Enver Hoxha, për të mashtruar popullin liridashës shqiptar, do të deklaroj: “Në male, na erdhi letra e parë e Titos, (është fjala për letrën që Titoja i dërgonte Komitetit Qendror të PKSH-së, me anë të Bllazhë Jovanoviçit, i cili mori pjesë në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH-së, mars 1943), si i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. (Enver Hoxha i falsifikon faktet: Për letrën e Titos ishte në dijeni vetëm udhëheqja e PKSH-së, as komunistët as partizanët, as populli nuk mësoi asgjë kurrë për këtë letër. Por Jugosllavët te Enver Hoxha, shihnin personin më të përshtatshëm për politikën e tyre hegjemoniste. (V.Xh.).
Enver Hoxha, falsifikon letrën, pasi aty kërkohej që lufta partizane të organizohej në bazë të kritereve jugosllave. Njësitet partizane në Shqipëri, tani e tutje duhej të lëviznin nëpër tërë Shqipërinë, pasi ata deri në këtë kohë, nuk kishin fare ndikim në Veri. Enveri, për të forcuar pozicionin e tij drejt marrjes së pushtetit, shkruan: “Me këtë letër Tito, përshëndeste nga zemra popullin shqiptar, që po luftonte për liri.
Letra historike, shënon një datë historike në historinë e popullit tonë, pse eksperiencën e luftës partizane në Jugosllavi, e shihnin tash më konkretisht dhe kjo na shërbeu pa masë ne luftën tonë. Dhe kur nga peripecitë e luftës sonë të ashpër kundër fashizmit, priteshin muaj dhe vjet me radhë, lidhjet tona me partizanët jugosllavë, zëri i Radios ‘Jugosllavia e Lirë’ na sillte në malet tona të çlirura, erën e freskët të maleve kreshnike të Jugosllavisë, ku luftonin me heroizmin e papërshkrueshëm partizanët jugosllav të Josip Broz Titos.
(Radion “Jugosllavia e lirë”, nuk e dëgjonte njeri në Shqipëri. Kryesisht në Shqipëri dëgjohej “Radio Londra”, kjo dëshmohet në bazë të dok. ekzistuese V.Xh). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm