Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me zinxhirë e të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë dhe ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 60 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
PROCES-VERBALI I HETUESIT TË DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU, PËR IDENTIFIKIMIN E KUFOMËS SË FËMIJËS TË GJETUR NGA ROJET KUFITARE SHQIPTARE NË LIQENIN E SHKODRËS
PROCES-VERBAL
(Për njohje)
Sot më datën 4.9.1976, në qytetin e Shkodrës, unë Jake Tefiku, me detyrë hetues në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, paraqita për identifikim një kufomë fëmije të seksit femër, qytetarit Xhemal Shaban Seferi, me banim në lagjen “Partizani”, Rruga “Lek Dukagjini” nr. 113, Shkodër. Qyetetari Shaban Seferi, pasi e kqyri mirë e mirë kufomën të zhveshur, deklaroi se: “Kufoma që më paraqitet për identifikim, unë e njoh, është e Valbona Hamit Myrto, e moshës 8 vjeçare, atë e njoh shumë mirë, sepse e kam mbesën time, d.m.th., vajzën e vajzës time, Hasije”.
Gjithashtu deklaroi se; jo vetëm për fytyrë e trup që e njoh shumë mirë, por në të njëjtën kohë deklaroi, se ajo kur ishte gjallë, se ka pas veshur pulovër leshi bojë qielli, xhup leshi të kuq, sandale të ngjyrës kafe, çorape të bardha e të shkurtra, mbathje të bardha. Po ashtu deklaroi se Valbona kishte fytyrë të rrumbullakët, flokë gështenjë si në bionde të shkurtra, trup të zhvilluar që po ta shikoje kur ishte gjallë, dhe sot që është e vdekur, të linte përshtypje që ishte e moshës 10-12 vjeçe! “Përfundimisht, unë deklaroi se kufoma është e Valbona Hamit Myrtja dhe këtë e njoh mirë. Përveç meje, këtë e njohin dhe robt e shtëpisë time dhe komshija. Nuk gaboi dhe jam shumë i sigurt”.
Proces-verbalin e lexova dhe e nënshkrova.
Dëshmitari Hetuesi
Xhemal Seferi Jake Tefiku
DOKUMENTI I HARTUAR NGA ZV. KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS NDUE GJINI, DËRGUAR GJENDJES CIVILE TË QYTETIT PËR ÇREGJISTRIMIN E VAJZËS 8 VJEÇARE TË HAMIT MYRTOS, QË U GJET E MBYTUR NË LIQENIN E SHKODRËS DHE LEJEN PËR TA MARRË TRUPIN E SAJ NGA MORGU GJYSHI I SAJ XHEMAL SEFERI
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Shkodër, më 5.9.1976
ANA E PUNËVE TË BRENDSHME
(Sektori i Hetuesisë)
Nr. 340
ZYRËS SË GJENDJES CIVILE
SHKODËR
Urdhërojmë çregjistrimin prej themeltarëve të vajzës së mitur, Valbona Hamit Myrto, e bija e Hamitit dhe Hasijes, vjeç 8, lindur e banuese në Lagjen “Partizani”, Rruga Tregu i Ri, nr. 113 Shkodër, për arsye se më datën 4.9.1976, në orët e mbrëmjes, është gjetur e mbytur në liqenin e Shkodrës.
ZV/KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME
Ndue Gjini
SPITALIT CIVIL
SHKODËR
Kufomën që ndodhet në morg pranë atij spitali, e vajzës Valbona Hamit Myrto, vjeç 8 ne gjysëm, e mbytur në liqenin e Shkodrës, t’i dorëzohet kryefamiljarit Xhemal Seferaj, me banim në Lagjen “Partizani”, e cila është mbesa e tij.
Bashkë me kufomën, t’i dorëzohen edhe sendet personale të kufomës, që ka pasë veshur.
ZV/KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME
Ndue Gjini
KËRKESA PËR STREHIM QË HAMIT MYRTJA KISHTE BËRË PRANË KËSHILLIT POPULLOR TË QYTETIT, DISA VITE PARA ARRATISJES
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Shkodër, më datën 29.8.1974
KËSHILLI POPULLOR I QYTETIT
SHKODËR
Nr, 138/1 Prot.
QYTETARIT HAMIT ARIF MYRTJA
Banor i Lagjes “PARTIZANI”
Këtu
Kryesia e Këshillit Popullor të Qytetit, mori në shqyrtim kërkesën tuaj për strehim, juve duhet që t’i drejtoheni qendrës suaj të punës, sipas kushteve, mundësive dhe radhës, do të bëjnë plotësimin e kërkesave për strehim.
P/KËSHILLIN POPULLOR TË QYTETIT
KRYETARI
Hilmi Nurja
DOKUMENTI I KOMISIONIT LOKAL TË KUFIRIT I PALËS JUGOSLLAVE, DËRGUAR AUTORITETEVE SHQIPTARE, ME NJOFTIMIN PËR GJETJEN E TRUPAVE TË VDEKUR TË GRUAS DHE TRE FËMIJËVE TË HAMIT MYRTJES, I ARRATISUR NË JUGOSLLAVI NGA LIQENI I SHKODRËS
Pala jugosllave e komisionit lokal të përzier për sektorin Nr 1
Letra Nr 2
4.9.1976
Palës Shqiptare të komisionit lokal të përzier për sektorin Nr 1
Natën mes 31 Gushtit dhe 1 Shtatorit 1976, qytetari i Republikës Popullore të Shqipërisë, Hamit Myrtja, nga babai Arif, dhe nënës Lutfije, me mbiemrin Kalimani, lindur më 13.6.1944 në fshatin Shirokë të rrethit Shkodër, me banim në Shkodër, rruga “Partizani” Nr 113, ka kaluar ilegalisht vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav, në liqenin e Shkodrës në afërsi të fshatit Cklla në territorin jugosllav.
I lartpërmenduri, ka marrë me vete dhe familjen dhe konkretisht, gruan Hasien në moshën 26 vjeç, vajzën Valbona 8 vjeçe, dhe djemtë Zamirin 5 vjeç, dhe Petritin 3 vjeç, të cilët janë mbytur në ujërat territoriale jugosllave, për arsye të përmbytjes së lundrës, nga koha shumë e keqe. Kufomat e gruas Hasije dhe të dy djemve janë gjetur, ndërsa kufoma e vajzës, akoma nuk është gjetur. Karshi Hamit Myrtos, ndiqet procedura nga organet kompetente jugosllave.
Për palën jugosllave të komisionit lokal të përzier për sektorin Nr 1
Kryetari
Miodrag Kovaçeviç d.v.
E përktheu Xheladin Seknaj
PROCES-VERBALI I ORGANEVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME JUGOSLLAVE, PËR DORËZIMIN E HAMIT ARIF MYRTJA PALËS SHQIPTARE, NË PIKËN KUFITARE TË HANIT TË HOTIT
PROCES-VERBAL
Mbi dorëzimin e Hamit Myrtos organeve të R.P. të Shqipërisë në datën 7.10.1976 në pikën e kalimit të kufirit Han i Hotit -Bozhaj.
PREZENT
Nga pala jugosllave Nga pala shqiptare
Bogoljub Rakoçeviç Sejdin Duçkollari
Miodrag Kovaçeviç Bajram Shima
Në datën 7 Tetor 1976, në orën 9.00 organet R.F.S. Jugosllave, kryen dorëzimin organeve Shqiptare të Hamit Myrtja, nënshtetas i R.P. të Shqipërisë nga babai Arif, dhe nënës Lutfije Kalimani, lindur më 13.6.1944 në fshatin Shirokë të rrethit Shkodër. Palës shqiptare në këtë moment, i është dorëzuar një borset grash me bojë të mbyllur.
Nga pala jugosllave Nga pala shqiptare
Nënshkrimet Nënshkrimet
Bozhaj – Hani i Hotit
7.10.1976
Kio nr. 225/76
Hetuesi gjyqësor i gjykatës së rrethit në Titograd, me objekt kriminal karshi Hamit Myrtjes nga Shkodra, e Republikës Popullore të Shqipërisë, për shkak të veprimeve kriminale të vrasjes, të parashkruar nga nenet 135, faqe 1 K.Z. në bazë të kërkesës GJ.T. në Titograd k.t. Nr 326/76 datë 21.9.1976 në mënyrë vendimtare në bazë të nenit 140, faqe 1, Z.K.P. solli:
Vendim
Për të ndjekur hetimet karshi Hamit Myrtja, nga babai Arif, dhe nënës Lutfije, lindur në 13.6.1944 në Shirokë, afër Shkodrës, me nënshtetësi shqiptare, punëtor peshkimi, i martuar, baba i tre fëmijëve, ka kryer 4 klasë fillore, shërbimin ushtarak e ka kryer në vitin 1966, në Lushnje të R.P. të Shqipërisë. Për arsye dyshimi se natën e datës 31 Gusht 1976, rreth orës 23.00 në Shkodër, ka marrë jetën e Fadil Brezies, i cili nga ky ka grabitur pushkën dhe me të i ka rënë disa herë në pjesën e kokës të dëmtuarin, pastaj me thikë ka prerë kokën, e më pas ka fshehur kufomën. Po të jetë ky veprim kriminal vrasje, parashikohet nga neni 135 faqe 1 K.Z. Karshi këtij vendimi i pandehuri mund ta apelojë brenda 3 ditëve, nga marrja e vendimit pranë Këshillit Gjyqësor të Rrethit Titograd.
MBI KËTË MOTIVACION
OJT në Titograd, vendosi në mbështetje të kërkesës të ndiqen hetimet karshi Hamit Myrtos, për shkaqe të dyshimta, se ka kryer veprime kriminale të mësipërme. I akuzuari pranoi se në Shkodër tek e ashtuquajtura Ndërmarrja e Peshkimit, i ka rënë dy herë me qytën e pushkës, në trurin e vogël, Fadil Brezies, por jo me qëllimin e marrjes së jetës së tij, por që të jetë i paaftë me qëllim që t’i jepet mundësia për veten dhe familjen e tij për arratisje në Jugosllavi. Dyshimi kryesor është se i akuzuari, ka kryer krimin e mësipërm që dalin nga deklarata penale e RSUP Titograd dhe të tjera shkrime, për të cilat ka kondita që karshi tij të ndiqen hetimet. Nga sa më sipër dhe në bazë të nenit 148, faqe 1 Z.K.P. u zgjidh si me fjalë.
GJYKATA E RRETHIT TITOGRAD
Datë 21.9.1976
HETUESI GJYQËSOR
Radojko Gjuriçanin d.v.
E përktheu Xheladin Seknaj
P.P. nr 5689/76 – 4
Gjyqtari i Komunës (Bashkisë) për shkeljen në Titograd duke zgjidhur shkeljen e veprimit karshi Hamit Myrtos nga Shkodra, për shkak të shkeljes nga neni 7 faqe 1 të ligjit mbi kalimin e kufirit shtetëror, në bazë të nenit 92,199 dhe 201 të ligjit mbi shkeljen SL faqe SRCG, nr 3/74 datë 6.9.1974 ka sjellë:
VENDIM
Fajtori Hamit Myrto, i biri i Arifit dhe i Lutfijes, lindur në 1944 në Shirokë të Shkodrës, shtetas shqiptar, me gjendje të varfër, pa vend-banim të përhershëm.
Është fajtor
Se më 31 Gusht 1976, ka kaluar kufirin shqiptaro-jugosllav, tek fshati Cklla në liqenin e Shkodrës, jashtë vendit të caktuar për kalim. Mbasi ka kryer këtë shkelje në bazë të nenit 7, faqe 1, të ligjit mbi kalimin e kufirit shtetëror dhe lëvizjen mbi brezin kufitar dhe në bazë të nenit 69, faqe 1, pika 1, e të njëjtit ligj.
Dënohet
Me dënim burgim që do të zgjasë 15 ditë. Konform nenit 264 të urdhëresave faqe 1, pika 1, të ligjit mbi shkeljen, fajtori menjëherë dërgohet në vendin e vuajtjes së dënimit. Konform nenit 126 të ligjit mbi shkeljen i dënuari, lirohet nga detyrimi i shpërblimit në tërësi për shkeljen e shkaktuar.
Mbi këtë motivacion
Seksioni i Punëve të Brendshme të komunës së Tivarit me nr 2684 datë 3.9.1976 ka paraqitur kërkesën karshi fajtorit të ndiqet procedura e shkeljes, për shkak të shkeljes së shënuar në këtë vendim. Duke vepruar sipas kërkesës është ndjekur, i akuzuari me pjesëmarrjen e përkthyesit Jako Daniloviç, nga Titogradi është marrë në pyetje në bazë të rrethanave dhe kërkesës. Nga deponimi i tij shkaktari, ka pranuar shkeljen dhe paraqet që më 31 Gusht 1976 rreth orës 23.45, me bashkëshorten e tre fëmijët, është nisur me lundër nga Shiroka e Shkodrës me qëllim arratisjen në Jugosllavi, dhe gjatë udhëtimit në liqenin e Shkodrës lundra ku janë ndodhur, është mbytur nga koha e keqe.
Gruaja dhe tre fëmijët e tij kanë vdekur, ndërsa ai arriti të dalë në tokë tek vendi Cklla i komunës Tivar, dhe nëpërmjet fshatarëve është dorëzuar tek Seksioni i Punëve të Brendshme të Tivarit. Për vendosjen e dënimit janë vlerësuar të gjitha rrethanat që kanë influencuar në shkallën e dënimit, si dhe rrethanat që e detyruan të kryejë shkeljen. Pranimin i të pandehurit, rrethanat materiale të të pandehurit dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprimeve të kryera. Ky gjyqtar, mendon se me dhënien e dënimit do të arrihet qëllimi i dënimit, si dhe shkalla e dënimit mbështetur në shkallën e përgjegjësisë së të pandehurit.
Gjithashtu ky gjyqtar ka gjetur se i jepet mundësia të dyshohet nga frika me qëllim që i pandehuri ti ikë dënimit të dhënë mbasi nuk ka asnjë dokument mbi identitetin e tij, nuk ka asnjë vendbanim të përhershëm, është shtetas i huaj, dhe në mbështetje të nenit 264 faqe 1 pika 1 mbi shkeljen, vendosi që i pandehuri të largohet nga dënimi i dhënë. I pandehuri me deponimet e tij, ka deklaruar se s’ka asnjë mjet jetese dhe për këtë arsye ky gjyqtar në bazë të nenit 126 të ligjit mbi shkeljen, ka dhënë vendim që të lirohet nga shpenzimet e bëra me rastin e veprimit të shkaktuar. Memorie.al
Gjyqtar i Komunës për shkeljen
Në Titograd më 6.9.1976
Gjyqtari për shkeljen Sekretar
Nikolla Tomiç Makbule Shahoviç
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016