Nga Prof. i Asoc. Klejd Këlliçi
-VARREZAT E USHTAREVE BRITANIKE, FRANCEZE, GJERMANE DHE GREKE, TE RENE GJATE LUFTËS E DYTE BOTËRORE NE SHQIPËRI-
Memorie.al / Në fund vitet ‘40-të të shekullit të kaluar dhe e më tutje, dhe si formë për të rikuperuar legjitimitet në popujt e tyre, vende si Gjermania apo Italia filluan të interesoheshin për të rikuperuar eshtrat e të vrarëve në konfliktin botëror dhe që tashmë gjendeshin të shpërndarë nga Rusia, në Afrikë e Ballkan, pra edhe në Shqipëri. Në vitin 1947, qeveria shqiptare, evidentoi të gjithë vendvarrimet e ushtarëve të huaj të rënë në Shqipëri dhe dërgimin e tyre në vendet e origjinës. Ky ishte një akt unilateral, i cili nuk merrte parasysh ndonjë vullnet të caktuar të shprehur nga vendet e origjinës dhe ku për më shumë një vend si Gjermania, që nuk gëzonte atëbotë sovranitet territorial.
Ushtria britanike, ishte e vetmja ndër ato aleate që veproi në mënyrë direkte në vend, e sidomos në bashkëpunim me forcat partizane, në disa aksione të rëndësishme në bregdetin shqiptar. Njëkohësisht aviacioni britanik, sidomos nga viti 1943 e tutje, ishte ai që mbajti peshën kryesore të mbështetjes në aksione të koordinuara, kundër trupave gjermane. Dhe pse numri i të vrarëve, ishte relativisht i vogël, rreth 35-40, historiografia komuniste, është munduar ta fshehë këtë fakt, e në mos t’i cilësojë ata si armiq dhe praninë e tyre në vend, si një provë gjenerale të asaj, që më pas ndodhi në Greqi në vitin 1944. I supozuar apo real, rreziku britanik, së bashku me krizën e Kanalit të Korfuzit, përfshiu dhe eshtrat e ushtarëve.
Në vitin 1946, pas një negocimi të gjatë, Misioni Britanik në Tiranë, arriti ta bindte qeverinë shqiptare, të pranonte një mision ushtarak, për kërkimin e të rënëve. Ky mision, i kryesuar nga Koloneli McIntosh, me vështirësi të mëdha arriti të lokalizonte të rënët, të cilët ndodheshin të shpërndarë në territor, si aviatorët apo ushtarët e reparteve komando, rënë në zonën e Sarandë-Himarës, në vitin 1944. Pas shumë peripecive, eshtrat e ushtarëve, arritën të mblidheshin në Tiranë. Trupat e ushtarëve britanikë, u varrosën përkohësisht prapa godinës së Komandës së Përgjithshme.Pavarësisht se autoritetet shqiptare i premtuan Komisionit Perandorak të Varrezave të Luftës, se do t’i jepnin një truall me afat përdorimi 99 vjet, ata nuk e realizuan kurrë këtë premtim.
Megjithatë, koloneli britanik u mundua që, dhe në mungesë të arritjes së një marrëveshjeje, të siguronte të paktën ruajtjen e vend-varrimit, duke i vendosur eshtrat në një vend të mbrojtur, ku të mos kishte mundësie ndërtimi. Në vitin 1948, në krah të varrezave britanike, u vendosën provizorisht ‘Varrezat e Dëshmorëve’. Një kronikë e kohës, shfaq kortezhin funebër që përcjell një numër të pacaktuar arkëmortesh, drejt kodrave të liqenit, për t’i vendosur në faqen e kodrës mes Universitetit Politeknik dhe Gardës së Republikës. Kamera, eviton të japë një plan më të gjerë të rrethinave, mbase pikërisht për afrinë disa-metroshe të këtyre varrezave, me ato të ushtarëve britanikë, si për ta përkufizuar kështu dhe kontributin e dëshmorëve e, për të mos e përzierë me të tjerët.
Pas largimit të komisionerit McIntosh dhe të misionit britanik, mbi varrezën e ushtarëve, bie heshtja. Britanikët, ndonëse u munduan ta ndiqnin më tej këtë çështje, u dorëzuan më 1950, vit që shënon dhe kontaktin e fundit, me qeverinë shqiptare. Në vitin 1951, Komisioni Perandorak i Varrezave të Luftës nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe në mungesë të ndonjë marrëveshje mes shteteve, i kërkonte qeverisë shqiptare, lajme mbi gjendjen e varrezës ushtarake. Pasi qeveria shqiptare shqyrtoi kërkesën, u zbulua se varrezat e ushtarëve britanikë, gjendeshin akoma prapa godinës në fjalë, por tashmë ishin të mbuluara nga ferrat e barishtet dhe vetëm tek-tuk, dukeshin ende copëza kryqesh të thyer. Sikurse dëshmon dhe dokumenti, ajo “është lënë në mëshirë të natyrës”.
Pavarësisht mungesës së marrëveshjes me britanikët, autoritetet shqiptare, u kufizuan vetëm me lënien pas dore të vend-varrimit, por gjithsesi, Komiteti Ekzekutiv i Tiranës, ndonëse kish pyllëzuar të gjithë zonën, ishte kujdesur të mos ndërhynte në perimetrin e varrezës. Pas këtij informacioni, Mehmet Shehu, kryeministri i kohës, shkruan: “Jam i mendimit të mos kthehet përgjigje”, duke mbyllur kështu çështjen e të rënëve britanikë në Shqipëri dhe duke ngushtuar edhe më kuptimin dhe kontributin e të tjerëve në çlirimin e vendit. Lufta dhe dëshmorët u përkufizuan ekskluzivisht me shqiptarët, pikërisht për të mbajtur në këmbë dhe për të përforcuar narrativën zyrtare; të çlirimit të vendit me forcat e veta. Me këtë logjikë, historia e Shqipërisë së re, niste me çlirimin, dhe monopolin e kësaj narrative, e mbanin dhe përçonin vetëm trupat e dëshmorëve shqiptarë, ekskluzivisht komunistë.
Për Shqipërinë, Lufta e Ftohtë nuk filloi thjeshtë me pozicionimin politik të vendit, e as me Incidentit e Korfuzit, por me përpjekjen për të anuluar kontributet aleate gjatë luftës, ku trupat e ushtarëve, ishin element simbolik thelbësor. Vend-ndodhja e tyre afër institucioneve dhe ndërtesave të ndërtuara në qendër të Tiranës, gjatë periudhës fashiste, por tashmë të banuara nga regjimi i ri, nuk mund të alternohej përveç se prej simboleve, që duhej të themelonin një narrativë ekskluzive dhe përjashtuese, sidomos ndaj të huajve. Në të njëjtën kohë, kërkimi i trupave të vdekur, sidomos të aviatorëve, do t’i mundësonte kolonelit McIntosh, të udhëtonte në të gjithë vendin, gjë që zgjonte dyshimet për spiunazh. Kështu koloneli, me gjithë përpjekjet e tij, u dëbua si spiun, aq sa ky episode, gjen vend dhe në librin e Enver Hoxhës, “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”, ku gjetja e trupave të aviatorëve, shihet si pretekst kontrolli e spiunazhi, nga ata që tashmë konsideroheshin armiq.
1. Varreza e ushtarëve britanikë, prapa godinës së Komandës së Ushtrisë Shqiptare Tiranë, 1946 (Burimi: A.Q.SH.) Mbarimi i Luftës së Ftohtë, evidentohet përmes të tjerave dhe me rishfaqjen e eshtrave dhe kujtimit të tyre. Fundi i saj, nuk shënon thjesht fillimin e regjimit të ri, por sidomos do kompletuar me kujdesin ndaj të rënëve, pasi vetëm me këtë ndryshim, përkujtimi bëhet i mundur. Zbulimi i eshtrave të ushtarëve të huaj, do të nxirrte në pah dhe atë që pasigurinë identitare, që regjimi komunist kishte në momentin kur vendosi të fshehte thuajse çdo gjurmë të pranisë së tyre. Statusi i tyre ushtarak nuk është i plotë, pasi pa shenja treguese, ato janë eshtra si gjithë të tjerët. Shteti britanik, në të njëjtën kohë, nuk kërkon riatdhesimin e tyre, pasi ai ruan të drejtën të mbajë pronësi mbi trupin, e ta përdorë atë në funksion të projektimeve të caktuara politike. Në rastin e britanikëve në Shqipëri, kjo agjendë prodhohet nëpërmjet faktit të pakundështuar të luftës ndaj gjermanëve, dhe pse historiografia shqiptare e fsheh, e përdor si argument kundërshtues, madje e konsideron të dëmshëm rolin britanik, në periudhën afatgjatë, që shtrihet përtej Luftës.
Por memoria e ushtarëve, ndonëse në pamundësi të gjetjes së fatit të tyre, vijon të ruhet, e të luajë rol strategjik e retorik të rëndësishëm. Mungesa e varrezës së ushtarëve dhe e dëshirës për t’i tërhequr ata, nuk e pengon shtetin apo agjencinë përgjegjëse për përkujtimin e tyre, të ndërtojë një narrativë dhe mbi pamundësinë e këtij përkujtimi. Kështu, për të rënët në Shqipëri, Komisioni Perandorak i Varrezave të Luftës, ndërtoi varre bosh, të cilët kishin një pllakë përkujtimore në varrezat e Falerionit në Greqi, vendi më i afërt me atë të rënies së ushtarëve. Të vdekurit duhet të përkujtohen, jo vetëm në raport me sakrificën e tyre, mundësimin e lidhjes e qetësimit të familjarëve, për të ruajtur minimalisht aspektin themeltar civilizues të nderimit të tyre, por dhe në vazhdimin e “punës” së tyre, në kuptimin e përpjekjeve të luftës. Mungesa e nderimit, pengimi e mohimi i përkujtimit dhe sakrificës së luftës, sidomos në kuadrin e asaj çka vjen pas Luftës së Ftohtë, ruan e bën më të ndjeshme vendimin, për të fshehur kontributit të ushtarëve britanikë, në çlirimin e Shqipërisë. Fundi i Luftës së Ftohtë, nuk vjen vetëm me “dorëzimin” e vendeve komuniste, specifikisht të Shqipërisë, por dhe me rishikimin e historisë përmes rikuperimit të trupave. Vetëm në vitin 1994, do të bëhet i mundur rikuperimi i trupave të ushtarëve britanikë dhe ndërtimi i varrezës, në kodrat e liqenit, në krah të varrezës përkujtimore të vëllezërve Frashëri.
Falë interesit të David Smileyt, ish-ushtarak i atashuar në vitet e Luftës pranë partizanëve, në fillimet e viteve 1990, Komisioni Perandorak i Varrezave të Luftës, arriti të gjente trupat e ushtarëve britanikë, vendosur në një gropë të përbashkët, pak metra më tutje vend-varrimit të parë, i cili ishte prishur, me shumë gjasa, gjatë zgjerimit të godinës së Universitetit, në mes vitet pesëdhjetë. Më pas, ushtarët britanikë u zhvendosën më sipër, në një copë tokë pranë monument varrezës së Vëllezërve Frashëri. Si për të dhënë dhe simbolikën e vazhdimësisë dhe memories së perandorisë britanike, tashmë të perënduar, gurët e varreve të ushtarëve u morën nga varrezat britanike të Falerionit e u vendosën në ato të Tiranës. Vendndodhja bart një simbolikë të fortë, pasi është vendi ku u zhvendosën varrezat e para të dëshmorëve, nga vendndodhja e tyre e parë në rrëzë të kodrës. Më pas, po aty, vendosen dhe eshtrat e ushtarëve gjermanë si për të shënjuar një akt për bashkimi e pajtimi mes kundërshtarëve (gjermanë e britanikë) por dhe e projekton vendin në një orientim thuajse të detyruar evropianizues. Krahas gjermanëve dhe britanikëve kemi dhe rilindasit, simbol i idesë së drejtimit modernizues evropian të vendit.
Por në të njëjtën kohë, ndërtimi i monumentit manifeston natyrën e pezulltisë që të këtilla monumente shkaktojnë. Ato qëndrojnë të pezullta pasi as nuk i dorëzohen totalisht territorit pritës e as nuk ndërlidhen me familjet e të rënëve. Kjo pronësi shtetërore mbi eshtrat e ushtarëve në dhe të huaj e disponohet në mënyrë ekskluzive. Ajo kërkon të neutralizojë lidhjen me territorin, për të mos rënë në keqkuptime, e megjithatë lidhja e saj direkte me shtetin e origjinës krijon një urë lidhëse që e tejkalon dhe vetë ngjarjen. Kësisoj, dhe pse të rënët e varrosur i përkasin Luftës së Dytë ata përkujtohen dhe në 11 nëntor, ditën e mbarimit të Luftës së Parë. Ky dyzim e tejkalon simbolikisht momentin përkujtimor, duke tentuar ta pozicionojë dhe Shqipërinë në një narrativë më të gjerë se konflikti botëror, por që njëherazi shënjon territorin dhe e fut në imagjinatën gati globale të ish-perandorisë britanike.
Në të njëjtën logjikë, Republika Federale Gjermane kërkoi nga ajo shqiptare, të mundësonte gjetjen e trupave të ushtarëve gjermanë të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1994, shteti gjerman, tashmë i bashkuar, kishte monopolin dhe të drejtën e rikuperimit të trupave, duke zgjedhur më së shumti t’i vendoste në vendet ku ata kishin rënë, se sa rikthimin në Gjermani. Me konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe, qeveritë nënshkruan një marrëveshje mbi eshtrat e ushtarëve, duke zgjeruar strategjikisht kufijtë dhe objektin e kërkimit. Nuk kërkohen vetëm ushtarët e Luftës së Dytë, por dhe të konflikteve pararendëse, sikurse ai i parë botëror. Përfshirja e kësaj kategorie, duket se kishte për qëllim, evitimin e problemeve simbolike që do të shkaktonte gjetja e ushtarëve të Luftës së Dytë, për shkak të rrethanave historike e problemeve që ajo bartte, të cilat kështu evitohen e bëhen më të pranueshme për palët.
Këto rrugëtime integruese përmes eshtrave, shfaqen dhe si urë lidhëse, mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Gjestet dhe në mungesë të marrëdhënieve diplomatike, shënjojnë dhe karakterin e pozitën e shtetit, që i prodhon. Në vitin 1957, ambasada e Greqisë në Moskë, i kërkon shtetit shqiptar informacione, për një grup oficerësh të cilët, sipas informacioneve, ishin varrosur në Vlorë. Interesant është fakti që këto informacione, prodhohen jo nga shteti grek, por nga qeveria italiane, e cila ka filluar ndërkohë negociatat, për tërheqjen e trupave të ushtarëve italianë. Mbarimi i konfliktit të dytë botëror, ka rikonfiguruar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, e kësisoj dhe të trupave dikur armiq e, tashmë të pozicionuar kah njeri-tjetri.
Krahas problemit të italianëve, shteti shqiptar, shqetësohet të evidentojë dhe këtë problem, i cili shton pikërisht listën e mëtimeve të shteteve fqinje, mbi trupat. Dhe pse kërkesa e parë e autoriteteve greke, nuk merret në konsideratë, ajo është një përpjekje për të parë të evidentuar gjeografikisht, pozicionimin e vend-varrimeve të ushtarëve grekë, problem ky më parë i injoruar e, pse jo i harruar. Eshtrat e këtyre oficerëve kanë vetinë, që janë të identifikueshëm e kësisoj, të aftë për të prodhuar aksionin humanitar e të moralshëm, atë të kthimit të tyre te familjet. Në këtë kontekst, autoritetet shqiptare, mundohen t’i identifikojnë dhe pse në gërmime gjenden përpara pasigurisë, duke qenë se udhëzimet në dokumente, nuk përkojnë me ato në terren.
Trupat e pretenduar, nuk gjenden atje ku duhet, duke qenë se vetë italianët kanë kaluara përpara dhe i kanë kanë marrë thuajse të gjithë eshtrat dhe në mungesë të shenjave dalluese. Autoritetet shqiptare, gjenden të dyzuar përpara eshtrave të gjetura, pasi një pjesë të tyre i kanë marrë italianët, të cilët i kanë etiketuar thjesht si të paidentifikueshëm, ndërsa të tjerët e mbetur, nuk bartin asnjë shenjë. “Gjenerali i deklaroi si italianë”, thotë dokumenti, sikur të kërkonte të tregojë se pronësia mbi trupin, i përket atij që e gjen dhe e përvetëson i pari. Dilema mbi identitetin është e rëndësishme, e pa korrespondueshme me dokumentacionin, por njëkohësisht pjesë e proceseve diplomatike mes vendeve. E kështu, identiteti zbulohet e ndërtohet, qoftë dhe pa një korrespondencë të qenësishme mes eshtrave dhe trupit. Rëndësi ka që atyre t’i jepet një identitet, sa kohë që nuk ka një konflikt apo pretendim mbi ta, kështu ata deklarohen si të tillë.
Në të njëjtën kohë, eshtrat e ushtarëve të huaj, sa kohë që ka pretendime mbi ta duhen evidentuar, e mbajtur nën kontroll pasi kësisoj, ato shërbejnë në procesin e komunikimit mes dy vendeve. Pozita e veçantë e eshtrave, interpretohet në aspektin e luftës, pasi oficerët grekë, kanë qenë të internuar në Vlorë, e janë vrarë kur po transportoheshin drejt vend-internimit në Itali. Gjesti humanitar i gjetjes, plotësohet me atë të kryerjes së shpenzimeve nga pala shqiptare, sa kohë që oficerët, cilësohen si viktima të fashizmit, e kështu akti është njëfarë drejtësie e munguar, që i njihet trupave të rënë në një luftë, që cilësohet e përbashkët. Precedenti i oficerëve, shërben për të venë në lëvizje dhe negociatat greko-shqiptare për trupat. Krahas problemeve të tjera, ato shihen si të rëndësishme, për mbarëvajtjen e këtyre të fundit.
I pari vjen procesi i njohjes dhe evidentimit të numrit të trupave, pasi ai përcakton natyrën e ndërhyrjes në territor, më pas vijnë probleme të natyrës logjistike, e pse jo të natyrës politike. Nëse italianët dhe jugosllavët, pranojnë deri diku faktin e kryer, atë ku të parët, duke pasur parasysh statusin, pranojnë dhe dhunën apo zhdukjen e vend-varrimeve, të dytët janë të ndërgjegjshëm, për kohën e efektet që ajo ka mbi trupat.
Fillimisht, ushtarët grekë në Shqipëri, nuk kanë patur statusin e pushtuesit, së dyti vend-varrimet e tyre, nuk kanë patur status kritik, pasi në shumicën e rasteve, ose janë varrosur nga vendasit, ose nga vetë italianët. Shteti grek, në pamundësi të pasjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, është kujdesur pak apo aspak, për fatin e eshtrave të tyre. Kritike është dhe situata e Shqipërisë, e cila marrëdhënien me fqinjët, e sheh si formë zbutjeje të rrugës të vetë-izolimit, e pse jo kërkimin mbi trupat e ushtarëve, e sheh dhe në një logjikë të thjeshtë të përfitimit, nga zhvarrimi i eshtrave.
Precedenti italian shërben si model, të cilin qeveria shqiptare e merr parasysh në evidentimin e problemit të trupave të ushtarëve grekë.
Gjatë fundit të viteve gjashtëdhjetë dhe fillimit të viteve shtatëdhjetë, autoritetet shqiptare, përballen me kërkesa private dhe shtetërore, për eshtrat e ushtarëve. Fillimisht, janë ato private të cilat, dhe pse në mungesë të një orientimi shtetëror, vijnë kryesisht përmes njohjeve dhe lidhjeve që diplomatë grekë, kanë me shtetin shqiptar. Deri në vitin 1973, në raste të veçanta, aty ku ka mundësi identifikimi, transferohen në Greqi trupa ushtarësh, që rikthehen në “pronësi” të familjeve. Ky proces, nënkuptonte vetëm aspektin njerëzor, ku shteti shërbente si ndërmjetës neutral e mundësues, i riatdhesimit të trupit, e ku ky i fundit zhvishej nga vetitë e tij ushtarake e simbolike, për t’u kthyer në një objekt përkujtimi, të një grupi më të ngushtë, atij familjar.
Përballë këtyre kërkesave, qeveria shqiptare u kërkon autoriteteve vendore, të evidentojnë vendvarrimet e ushtarëve grekë. Rezultatet nuk janë ato që priteshin, pasi të pakta janë rrethet që raportojnë vend-varrime të reja, përveç atyre të diturave në Dragot e Semjol të Tepelenës. Në shumë raste, ato ndodhen në varrezat e fshatrave me shumicë ortodokse, por pa shenja të qarta identifikimi, e në rastin më të keq ,në zona malore të pa arritshme, për shkak të kushteve të terrenit. Në Përmet, ato janë ngatërruar nga zhvarrimet e italianëve, e nuk kuptohet, se sa e ku janë. Për më tepër, të dhënat e shtetit grek janë të mangëta, e të paplota. Pretendimet mbi numrat, shtohen atëherë kur hyjnë në lojë solidaritetet ndëreshtërore mes shteteve.
Meqenëse në vitet 1941-‘42, autoritetet ushtarake italiane, varrosin krahas ushtarëve të tyre dhe ata grekë, në shenjë sa respekti, por edhe preokupimi sanitar, janë po autoritetet italiane, që informojnë autoritetet greke, mbi varrezat. Ato përforcohen dhe nga informacionet e mbledhura nga vetë gjenerali itlaian Bandini në vitet 1960-‘62, kur krahas rikuperimit të trupave italianë, përpiqet të identifikojë e mbajë shënim dhe ato të ushtarëve grekë, si për të shenjuar njëkohësisht dhe mosngatërrimin e eshtrave, por edhe mbajtjen parasysh të ekuilibrave të Luftës së Ftohtë, kur të dy vendet janë tashmë aleate. Mes viteve 1970-’72, ka një lloj dualiteti mes interesit publik e atij privat, mbi eshtrat e ushtarëve grekë. Nga njëra anë shteti grek, interesohet për trupat dhe për evidentimin e tyre, por pa u shprehur konkretisht për zgjidhjen e çështjes së cilësuar nga shqiptarët, si; “problemi i eshtrave të ushtarëve”, i cili si i tillë, duhet të zgjidhet e në tjetrën janë interesat privatë të familjarëve, që kërkojnë eshtrat e të afërmve të rënë në luftë.
Një element tjetër i rëndësishëm, është ai i përkujtimit. Grupe veteranësh, e jo vetëm familjarë të të rënëve, e kërkojnë një gjë të tillë. Në mënyrë e vazhdueshme e në forma të ndryshme, delegacione e autoritete greke, kërkojnë vendosjen e një monumenti përkujtimor, bashkë me një varrezë për të rënët. Më pas, çështja e ushtarëve, bie prapë në heshtje, deri në vitin 1977, kur ajo rihapet prapë. E nëse në vitet pararendëse, problemi shtrohet, vetëm në aspektin e njohjes, këtë herë, shteti shqiptar, duhet të përballet me peshën e numrave. Shteti grek, pretendon praninë në territorin shqiptar, të 12 mijë ushtarëve të rënë, ndërkohë që sipas Drejtorive Komunale, përgjegjëse për varrezat dhe për gjurmimin e vend-varrimeve të mundshme të ushtarakëve, numrat janë shumë më të paktë. Autoritetet vendore arrijnë të identifikojnë, vetëm 650 skelete, të gjetur në vend-varrime të ndryshme, shpërndarë në ato që dokumentacioni zyrtar, i cilëson si “rrethet e prekura”.
Sa i përket ndërtimit të memorialit, autoritetet shqiptare e anashkalojnë kërkesën, nisur dhe nga mungesa e një precedenti. Uniformiteti i memories kolektive në Shqipërinë socialiste, e ka të pamundur të pranojë monumente, që ofrojnë narrativa përkujtimore të huaja. Varrezat franceze të Luftës së Parë Botërore, i kanë shpëtuar vëmendjes së autoriteteve, dhe për presionin e vazhdueshëm të qeverisë franceze, por edhe pse regjimi, nuk mëton ndonjë kontroll të qenësishëm mbi historinë e Luftës së Parë. Në narrativën zyrtare, prania franceze në këtë luftë, lidhet me një tutelë politike beninje të përkohshme, mbi territorin, e kështu dhe varreza monumentale franceze, sjell pak shqetësime simbolike, për regjimin. Por në mendësinë e autoriteteve shqiptare, ndikon dhe fakti që trupat duhen rikuperuar e riatdhesuar, në vendin e origjinës. Elementi humanitar është gjithmonë i pranishëm, porse ai do realizuar pikërisht, në përpjekjet e vendit, kësisoj të shtetit grek, për të rimarrë trupat e të rënëve.
Në anën tjetër, ekziston tensioni mes riatdhesimit dhe përkujtimit, i cili është përherë i pranishëm, sidomos në rastin e ushtarëve të rënë. Ky lloj tensioni, vihet re dhe në reagimet e autoriteteve shqiptare, të cilat e kanë të vështirë t’i kuptojnë kërkesat e zyrtarëve grekë, mbi qëllimet reale në raport me të rënët. Në raste analoge, këto tensione janë përthyer në nevojën dhe pragmatikën e shteteve, për të vepruar sa më shpejt me trupat e të rënëve, në dilemat që ato patën mes riatdhesimeve dhe ndërtimit të monumenteve përkujtimore të posaçme. Këtu duhet marrë parasysh dhe rëndësia dhe pesha e fenomenit. Pas Luftës së Parë Botërore, kur numri i jashtëzakonshëm i viktimave diktoi dhe politikat e varrimit të ushtarëve në vend-rënie. Konflikti i parë botëror, provokoi dy fenomene, thuajse antitetike, në elementin e përkujtimit të ushtarëve.
Në radhë të parë ai prodhoi simbolika të forta kombëtare e, në të dytën, Lufta e Parë, u cilësua si e “madhe”, si për të shënjuar një ngjarje të paprecedentë e kësisoj të papërsëritshme, ku përkujtimi i të rënëve, shkonte përtej vetë narrativave nacionaliste, me të cilat ai u m’vesh më vonë. Në rastin e ushtarëve, të rënë në konfliktin e dytë botëror, emergjenca e nderimit, lidhet me tensionet që ekzistojnë mes të humburve dhe fituesve, përballjeve të mëdha ideologjike mes fashizmit e nazizmit. Janz shprehet se; në periudhën e pasluftës, përkujtimi i të vdekurve ishte i vështirë, sidomos për ata që kishin humbur luftën, në rastin konkret gjermanët. Falë vijimit të Luftës së Ftohtë, qeveritë gjermane, arritën të ndërtonin monumente përkujtimore, varreza me natyrë kolektive, në vendet perëndimore, ndërkohë që në ato lindore, përfshi Shqipërinë, përkujtimi ishte i pamundur.
Problemi kyç i çështjes së eshtrave të ushtarëve, është frika e përdorimit simbolik të tyre, për avancime të pretendimeve të natyrës territoriale në Shqipëri. Çështja e ushtarëve, bëhet një pengesë e cila i vendos autoritetet shqiptare, mes dilemës së evidentimit të problemit dhe mbajtjes së marrëdhënieve të mira me Greqinë. Nëse ministri i jashtëm i kohës, Malile, shprehet për; “mbylljen njëherë e mirë të problemit”, ai parashikon njëkohësisht eliminimin dhe tejkalimin e një çështjeje, që zgjidh jo vetëm tensionet që sjell monumentalizimi i të rënëve grekë, por gjithashtu, e vë vendin në një plan të barabartë negocimi e, marrëdhëniesh me Greqinë. Në vitet 1985-‘86, qeveria greke, i kalon palës shqiptare, një seri dokumentesh, hartash, listash emërore, përmes të cilave autoritetet shqiptare, kërkojnë e identifikojnë vend-varrimet e ushtarëve. Ato kanë si qëllim, parapërgatitjen dhe evadimin sa më shpejt që të jetë e mundur, të problemit të tyre, me qëllim parandalimin e çdo lloj përpjekje, për t’i lidhur ato me ngritjen e një memoriali.
Kur Karolos Papulias, viziton Shqipërinë në vitin 1987, autoriteteve shqiptare, i lihet të kuptohet se eshtrat e ushtarëve, do të transferohen në Greqi, e pala shqiptare përgatitet, e në bazë të dokumenteve që disponon, evidenton vendet e mundshme ku gjenden eshtrat. Ministri Papulias, hodhi asokohe mendimin e formimit të një komisioni të përbashkët shqiptaro-grek, i cili do të duhej të evidentonte rast pas rasti, të gjitha informacionet, e më pas të procedonte me zhvarrimet. Kjo gjë nuk pranohet nga shqiptarët pasi me shumë gjasa do të linte vend për keqkuptime. Kundërshtitë për komisionin, rridhnin nga fakti se shqiptarët, falë informacioneve nga shteti grek, por dhe përpjekjeve të tyre, e dinin se ku ndodheshin trupat. Kësisoj, prania e komisionit duket e tepërt, për të mos thënë se shihet si tentativë për cënimin e sovranitetit. Kështu, eshtrat e ushtarëve grekë, mbeten pezull, mes dëshirës së shtetit shqiptar, për t’i përcjellë, dyzimit të palës greke, për t’i marrë mbrapsht dhe lënies në gjendjen që ishin, në Shqipëri.
Problemi i tyre, nuk është më çështje diplomatike, tashmë prek instancat më të larta të shtetit. Ministri Malile, në çalltisjet e pafrytshme, për ta zgjidhur këtë çështje, vë në dijeni dhe autoritetet më të larta, kryeministrin e Byronë Politike, si për të kërkuar mbështetje. Nëse për eshtrat e ushtarëve italianë, zhvarrimi ishte një akt formal, e për më tepër financiar, i cili zgjidhet në forma e mënyra administrative, eshtrat e ushtarëve grekë “peshojnë” shumë më tepër. Statusi i tyre, është i vagullt, pasi ndryshe nga italianët, ata nuk hyjnë në kategorinë e armiqve, por as të aleatëve. Në të njëjtën kohë, ajo lidhet me problemet e hershme greko-shqiptare, mëtimet e pretendimet territorial, si dhe çështje të natyrës identitare. Këtë e tregon dhe paradoksi, i të ashtuquajturit “Ligj i Luftës”, për të cilin të dy vendet, janë ende në luftë. Zhvarrimi dhe përcjellja e trupave, bëhet kësisoj imperativë për palën shqiptare, së cilës ama, duhet t’i përkojë dëshira e Greqisë, për t’i tërhequr ato.
Negociatat kësisoj, ngecin në disa çështje, si identifikimi definitiv i trupave, që pre supozon dhe kërkimin e përbashkët të tyre, ndërtimin e një memoriali e, pse jo dhe të një varreze individuale trupash.
E vetmja dakordësi, është ajo mbi gjetjen dhe përcjelljen e tyre, shoqëruar kësaj radhe dhe me një ceremoni nderimi ushtarak, çka nuk iu ofrua misionit Italian, në vitet gjashtëdhjetë. Teksa pala shqiptare, pret e gatshme për të dorëzuar trupat, ajo greke, mëton të diskutojë së pari, për atë fatin e tyre, si për të mos hequr dorë, nga kërkesa për ndërtimin e memorialit të vendvarrimit. Rënia e sistemit komunist në Shqipëri e pezullon kërkimin e eshtrave, i cili nuk rihapet më. Harresa sidoqoftë është e përkohshme, pasi mbetjet fizike të ushtarëve, vijojnë të ndodhen po aty, e për më tepër, një pjesë është tashmë e evidentuar. Në momentin që ekzistenca e eshtrave zbulohet dhe pranohet, ajo krijon mes palëve një marrëdhënie pushteti, e si rrjedhojë detyrimi, i cili në momentin që njihet, nuk mund të zhbëhet më. Kthimi i eshtrave “në shtëpi”, mbetet vetëm një hipotezë, pasi shteti grek, nuk investohet plotësisht për t’i marrë ato. Sa kohë që këto eshtra do të ruhen, ato do të të ripërdoren gjithmonë, për farkëtimin e një relate në të cilën, në emër të marrëdhënieve të mira mes të dy vendeve, shteti shqiptar, kthehet gati me pahir, në rojtarin e tyre. Memorie.al