Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, të cilat çuan në rrëzimin e udhëheqësit komunist, Nikolae Çaushesku, i cili e kishte qeverisur atë vend, që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit. Dëshmitë e rralla të gazetarit e moderatorit të njohur, Rezar Xhaxhiu, i cili nga viti 1987 e deri në marsin e 1991-it, shërbeu si atashe i Shtypit dhe Kulturës pranë asaj ambasade, që rrëfen ekskluzivisht për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, se si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun, ku për disa ditë me radhë, personeli i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine? Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë, kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea që ishin bashkuar me protestuesit, pas hapjes së lajmit se, diktatori rumun, Çaushesku, me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!
Zoti Xhaxhiu, ju theksuat pak më lart, që për t‘u nisur si diplomat i Shqipërisë, në ambasadat e akredituara në Europë dhe në vende të tjera të botës, duhet të ishe patjetër i martuar. Mund të na shpjegoni më qartë, se pse ishte ky rregull?
Kjo ishte një nga çuditë dhe absurditetet e para që u ndesha jo vetëm në atë ministri, por dhe në të gjithë mekanizmin e diplomacisë shqiptare me jashtë në periudhën e viteve ‘80-të. Që në ditët e para të emërimit tonë atje, ministri Reiz Malile, na komunikoi se duhet të ishim patjetër të martuar, nëse kishim dëshire për të vazhduar karrierën tonë si diplomatë nëpër ambasada të ndryshme. Ishte një absurd për ne që ishim studentë pak muaj më parë, diçka që na dukej sikur ishte një shaka. Por më pas e kuptuam që ky ishte një kusht ‘sine qua non‘, nëse doje të katapultoheshe si diplomat karriere nëpër ambasadat e Shqipërisë në botë. Edhe sot nuk arrij ta kuptoj se përse duhej një gjë e tillë. Por çdo përpjekje për ta kuptuar, më rezulton e kotë.
Pasi e morët vesh këtë “rregull” si vepruat ju?
Veprova si duhej të veprohej. Pra, u vura ne kërkim të nuses dhe të bashkëshortes sime të ardhshme (qesh). Bëj shaka. Jo thjesht i thashë vajzës që njihja në atë kohë që, nëse nga e dashura ime, do të donte të bëhej bashkëshortja ime? Madje këtë gjë, i‘ a thashë për shpejt, pasi realisht koha nuk priste. Dhe ja u zgjidh. Pa ndonjë sforco dhe eksperimentime apo kërkime lart e poshtë, (qesh). Isha me pak fat në këtë drejtim.
A do të kalonte nëpër filtrat zyrtare biografia e bashkëshortes suaj, dhe e familjes së saj?
Në atë kohë, duhej që emri i vajzës që do të bëhej në të ardhmen bashkëshortja ime, të çohej po në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dhe në mos gaboj, në zyrën e kuadrit e cila atë emër dhe mbiemër të vajzës përkatëse, e merrte dhe e fuste nëpër të gjithë rotativat dhe mekanizmat filtrues, pastrues, kontrollues, dhe verifikues, të Sigurimit të Shtetit, për të parë nëse në brezin e dytë, apo të tretë, te kushërinjtë e tretë apo te katërt, të kishte ndonjë cen, që nuk do ta lejonte që në të ardhmen, të bëhej gruaja e një diplomati.
Sa zgjati ky proces?
Pas një periudhe 15 ditore pritjeje, do të vinte dhe përgjigja e shumëpritur zyrtare. Ajo thoshte tekstualisht që: “Gruaja jote e ardhshme është e denjë, që të vijë me ty ne ambasadë“. Diçka e tillë, ishte si përgjigje. Dhe këtu merrte fund pritja, dhe bashkë me të, edhe ankthi, padurimi, etj. Kur e mendoj sot them…,si ka mundësi, që të ndodhë gjithë kjo gjë?! Por as për këtë nuk kam marrë ndonjë përgjigje të sinqertë!
Para se të niseshit për në Rumani, patët orientime të caktuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, sesi duhet të silleshit, dhe çfarë duhet të bënit ose jo, në atë vend?
Sigurisht që po. Do të ishin një seri takimesh të tilla, por ai takim final, që do t‘i vinte vulën përfundimisht, do të zhvillohej, me zotin Polena, i cili, si skrupuloz dhe teknicien profesionist që ishte, nuk harronte që të jepte porositë në detajet më të imta të sjelljes sonë si diplomatë, dhe të kujdesit që ne, duhet të kishim si punonjës zyrtarë, në një vend revizionist sikurse etiketohej, Rumania e Çausheskut në atë kohë. Këshillat, ishin nga më të çuditshmet dhe nga më absurdet e asaj periudhe, por që gjithsesi duheshin marrë me seriozitetin dhe ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë.
Si e kujtoni nisjen tuaj për në Rumani dhe në cilin vit shkuat atje?
Ka qene tetori i vitit 1987. U nisëm nga Tirana me një fluturim të “TAROM“-it (linja ajrore rumune), në një Rinas të shkretuar, pasi në atë kohë, dy ishin kompanitë e fluturimit që operonin në aeroportin tonë, “TAROM“-i rumun dhe “MALEV“-i hungarez.
Si e përjetuat këtë ndjesi?
Ishte një udhëtim drejt të panjohurës dhe drejt një jete të re. Një jetë ku, një pjesë e së cilës nuk do të ishte më e jotja, por e të tjerëve, që do të survejonin vazhdimisht, do të kontrollonin imtësisht, dhe do të këshillonin në mënyrë permanente. Unë, po nisesha drejt një bote të re që nuk do të ishte aspak, ashtu sikundër e kisha menduar më parë. Ambasada ishte edhe një copëz Shqipëri në dhe të huaj, me të mirat dhe te këqijat e saj.
Cilin sektor të ambasadës sonë do të mbulonit ju si diplomat?
Unë po mbërrija në Rumani, si Sekretar i Shtypit dhe i Kulturës, ose siç njihet ndryshe në gjuhën diplomatike,‘atashe‘. Ky do të ishte dhe rangu me i ulët në hierarkinë e punonjësve të ambasadës shqiptare në atë kohe.
Në çfarë distrikti të Bukureshtit ndodhej godina e ambasadës së Shqipërisë?
Godina e ambasadës sonë, ka qenë në një zonë me ambasadat e tjera, diku tek Bulevardi “Aviatilor“ në mos gaboj. Ajo ka qenë në krah të ambasadës argjentinase, ku sot është rruga e famshme e përfaqësive diplomatike, e quajtur “Modrogan“.
Është e vërtetë që ajo vilë, dikur kishte qenë një nga rezidencat e mbretëreshës së Rumanisë?
Po, kjo është mëse e vërtetë. Ajo ndërtesë, ka qenë një vilë trekatëshe e shekullit te XVIII-të me ambiente dhe hapësira të bollshme, dhe si dhe me një super oborr të gjelbëruar në krah të saj. Kjo vilë, i takonte si rezidence banimi, njërës prej mbretëreshave të Rumanisë, emri i së cilës tani nuk më kujtohet.
Kush do t’ju priste në aeroport, dhe kush ju shoqëroi më pas për në ambientet e ambasadës?
Në aeroportin e Bukureshtit na pritën punonjësit e ambasadës. Ishte Sekretari i parë, Këshilltari Ekonomik, dhe shoferi nëse nuk gaboj. Më pas patëm një takim miqësor në ambientet e ambasadës, me ambasadorin Zoi Toska dhe me punonjësit e tjerë të saj.
Nga sa persona përbëhej personeli i ambasadës shqiptare në Rumani?
Ne ishim diku tek 13 ose 14 familje të atashuara në ambasadë në atë periudhë.
Cili ishte impakti i parë që ju la kryeqyteti rumun, Bukureshti, po të kemi parasysh që është një nga metropolet më të zhvilluara të rajonit, i cilësuar ndryshe dhe si “Parisi i Ballkanit”?
Ishte padyshim një impakt, goditës. Që në fillim, u ndeshëm me bulevarde super të gjerë, me ndërtesa të shekullit XVIII-të dhe XIX-të, me hotele tejet luksoze, padyshim dhe me ndërtime gjigante, të pajisur me një ndriçim tejet elegant, semaforë të shumtë, parqe të pafundme çlodhëse, gjithkund liqene dhe kopshte të mrekullueshme, njërës të mbajtur dhe të veshur mirë, për të mos harruar këtu, lumin e makinave që jo pak herë, shkaktonte kaos dhe trafik në qytet. Pra një shok total, duke marrë parasysh shkretëtirën e Rinasit, që kishim lënë dy orë më parë, por edhe trishtimin e një Tirane të mjeruar të fundviteve ’80-të.
A mund t‘i kujtoni emrat e punonjësve shqiptarë të ambasadës shqiptare, dhe me çfarë detyrash konkrete merreshin ata, atje.
Zoi Toska ishte ambasadori jonë në Rumani, në periudhën kur mbërrita unë. Ai, e njihte gjuhën rumune shumë mire, ndoshta kishte bërë studimet atje. Viktor Dhroso, ishte Sekretari i Parë i ambasadës, pra, vinte i dyti në rang hierarkik, pas ambasadorit Toska. Pas tij vinte Sekretari i Dytë, Qemal Gjokutaj. Nga Ministria e Tregtisë me Jashtë, kishim Viron Andrean, ndërsa si Sekretar Ekonomik, ishte Ilir Shijaku. I ndjeri Marko Bello, ishte si unë, sekretar për Shtypin dhe Kulturën. Shifrant ishte, Andon Koçi, si dhe personel të tjerë, si Sekretarë të Tretë, Atashe të Mbrojtjes, radistë, shoferë, etj. Mund të përmend emra të ndryshëm të këtyre pozicioneve, si Vangjel Kovaçi, Ymer Xhaferri, Ali Kuka, Lulzim Fuga, Luan Visha, Xhevair Ago, etj.
Cilat ishin, marrëdhëniet tuaja me ta?
Ne ishim si të thuash, si një familje aty në ambasadë. Brenda së cilës, ka herë marrëdhënie të mira dhe herë marrëdhënie të tensionuara. Herë pak xhelozi, e herë të tjera cmirë, zilia, konkurrencë, fjalë pas krahëve, thashetheme, raportime pa të keq, pa zarar, siç i themi ne.
Mund të shpjegoheni më konkretisht në lidhje më këtë gjë?
Gra që kishin zili njëra tjetrën, deri edhe për veshjet e tyre, burra që influencoheshin nga gratë e tyre, shoferë që silleshin, si të ishin diplomatë të vërtetë. Kishte nga te gjitha aspektet e jetës, ambasada jonë në Bukuresht. Ishte një Shqipëri e vogël, në miniaturë. Por, mua nuk më takon që rrobat e palara, t‘i nxjerr në ballkon (qesh).
Përsa i përket rezidencave të banimit, ku do të akomodoheshit ju dhe familja juaj?
Një pjesë e personelit, pra katër familje (përfshi këtu dhe familjen time), do të jetonin jashtë godinës së ambasadës, në një bllok banimi me rumunët e thjeshtë.
Ku ndodhej ky bllok banimi?
Ai bllok banimi, ndodhej në një zonë diku fare afër Cirkut Kombëtar të Rumanisë. Ishte një zonë e qetë në Rrugën 15, “Circului“ të zonës së dytë të Bukureshtit.
Në raport me Tiranën, si ishin kushtet e jetesës në Bukuresht?
Në krahasim me Tiranën, kushtet e jetesës në kryeqytetin rumun, ishin krejt normale. Vendi ku banonim ne ishte një apartament i mobiluar në mënyrën më bazike të mundshme, me mobilie të Pogradecit, ose si te Pogradecit. Dhe nëse nuk kishin ardhur nga Tirana, duhet të ishin porositur në ndonjë Pogradec të Rumanisë…! (qesh).
Pra kushtet e jetesës në Bukuresht, ishin të njëjta në simotrën e saj, të Tiranës?
Në të vërtetë, ato ishin ku e ku më të mira. Shikoni, në apartamentin tim, kishim një sistem të ngrohjes qendrore me gaz, që në Tiranën e kohës së komunizmit, nuk njihej. Po kështu, gjithçka gatuhej me gaz, ndërsa ekzistonin metrotë e tramvajet, që të lehtësonin qarkullimin e përditshme. Gjithashtu kishte dhe magazina stërmëdha, edhe pse këto në kohën e Çausheskut, ishin bosh nga mallrat dhe nga produktet…!
Ju thatë pak më parë, që do të mbulonit sektorin e Shtypit dhe Kulturës në ambasadë. Cilat ishin raportet kulturore midis Shqipërisë dhe Rumanisë së viteve ’80-të?
Raportet kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë komuniste, nuk do të ishin shumë intensive, pasi kishte pak shkëmbime kulturore ndërmjet Tiranës dhe Bukureshtit zyrtar. Problemet e mëdha ekonomike, të të dyja vendeve, ishin kryefjala e ditës dhe marrëdhëniet kulturore midis dy vendeve, në raport me çështjet politike dhe ekonomike, dilnin në plan të dytë!
Keni pasur kontakte me studentët shqiptarë të cilët studionin në universitetet rumune?
Në atë periudhë që unë kam shërbyer në ambasadë, nuk kishte studentë shqiptarë që studionin në Rumani. Nëse nuk gaboj, brezi i fundit i këtyre studentëve, i takonte viteve ’70-të, mesit apo fundit të atyre viteve.
A mund të përshkruani me pak fjalë pasqyrën politike, ekonomike, dhe sociale, të Rumanisë së Çausheskut?
Një Rumani stërmadhe, gati sa gjysma e Gadishullit të Ballkanit, me 25 milionë banorë, dhe me fusha të pafundme, e pasuri mbi dhe nëntokësore të gjithanshme, ishte totalisht, e tëra e zhytur në një varfëri migjeniane, dhe me një skamje te çuditshme.
Cilat ishin tiparet dhe karakteristikat e shoqërisë rumune, që binin më shumë në sy, në periudhën e fundviteve ‘80-të?
Ajo, ishte një shoqëri e hapur por e opresuar, rumunët, ishin një popull që kryenin lirshëm ritet fetare, por që u ndalohej të takoheshin me të huaj, qofshin këtë edhe turistë. Një rumun i thjeshtë, kishte një makinë private, por që ishte i survejuar non-stop, dhe që nuk duhej të shprehte asnjë mendim të tijin, të lirë dhe të pavarur./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016