Pjesa e dytë
Memorie.al / Abas Ermenji (1913-2003) ishte një figurë politike dhe luftëtar i rezistencës antifashiste së periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Skrapar dhe pasi u shkollua në Berat e Shkodër, fitoi një të drejtë studimi për në Francë, ku ndoqi studimet e larta në universitetin e Sorbonës vitet 1934-1938, ku u diplomua për Histori. Pasi u kthehet në Shqipëri në vitin 1938, ai emërohet si pedagog në Liceun e Korçës dhe në nëntor 1939, për aktivitetin e tij antifashist, (gjë të cilën ai e kishte demonstruar hapur që në prillin e ’39-ës), kur doli në ballë të demonstratave kundër pushtimit fashist, ai u arrestua nga italianët në Greqi, kur po përpiqej të mblidhte një forcë luftarake, të të internuarve shqiptarë dhe u mbajt në internim në ishullin Ventotene në Itali, deri në vitin 1941. Me kthimin e tij të dytë në Shqipëri, ai u bë një figurë udhëheqëse e Lëvizjes së Rezistencës së Antifashiste, si një nga krerët kryesorë të organizatës nacionaliste të “Ballit Kombëtar” dhe me forcat e tij të armatosura, ai mori pjesë aktive në luftimet për çlirimin qytetit të Beratit, nga pushtimi italian. Ermenji gjithashtu ishte ishte një antikomunist i flaktë dhe kur partizanët e Enver Hoxhës zbritën nga malet dhe morën pushtetin në Shqipëri, ai u arratis në Greqi (1946-1947) dhe më pas në Paris, ku në gusht të vitit 1954, së bashku me Vasil Andonin, themeluan Komitetin Nacional Demokratik Antikomunist për Shqipërinë e Lirë (“Shqypnija e lire”), ku përfshiheshin shumë elementë me prirje nacionaliste që ishin në mërgim. Ermenji u kthye në Shqipëri në vitin 1991 kur u shemb regjimi komunist dhe kur “Balli Kombëtar”, u rithemelua dhe ai e drejtoi partinë në vitet ’90-të. Në periudhën 1949-1951, në kulmin e Luftës së Ftohtë, Abas Ermenji u përfshi në përpjekjet e anglo-amerikanëve, për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Ai e përshkruan përfshirjen e tij në operacionin e dështuar, në dy intervistat e mëposhtme, dhënë Lordit Nicholas Bethell (1938-2007), autor i librit “Tradhtia e Madhe: Historia e patreguar e grushtit më të madh të Kim Philby” (Londër 1984).
Rrëfimi i Abaz Ermenjit për Lordin anglez, Nicholas Bethell, në Paris më 15 prill 1983 dhe 23 korrik 1983
Unë erdha në Londër atë verë dhe takova anëtarë të shërbimeve të inteligjencës britanike dhe amerikane. Unë u thashë atyre se ose duhet të veprojmë seriozisht dhe të çlirojmë Shqipërinë, me një numër të konsiderueshëm forcash njerëzore ose, duhet të anulojmë operacionin në interes të shpëtimit të jetëve të njerëzve.
Më dëgjuan dhe më lutën që të shkoja edhe një herë në Maltë. Kështu që shkova atje në shtator 1951. Nuk do të jepja autoritetin tim për dërgimin e ndonjë grupi tjetër në vend. Mendoj se kanë bërë edhe një grup pa mua, me ndihmën e Ihsan Toptanit.
Michael Burke, ishte shumë inteligjent dhe i kuptueshëm, por pas tij Joe Leib, ishte një fatkeqësi. Dhe sekretari i komitetit ekzekutiv, që ishte edhe sekretar i Lëvizjes Zogiste, ishte një idiot, gati më idiot se Leib. Një herë kam shkuar në shkollën e trajnimit (Kompania 4000), në Gjermani.
Ishte një shtëpi e madhe, e izoluar, me një park. Mangelly ishte një burrë rreth 30 vjeç, me një grua dhe një djalë. Prindërit e tij kishin ardhur në Amerikë nga Shqipëria. Dhe unë shkova një herë në Hohenbrunn, për të qetësuar njerëzit për incidentin e varrit të Zogut në dëborë. Ishte një marrëzi që po kërcënonte të bëhej një betejë mes dy palëve.
Gjithçka që vendosën Leib dhe Gaqo Gogo, u bë e njohur për ambasadën komuniste në Romë. Gogo fliste për këtë në kafene. Komunistët kishin agjentë mes zogistëve, veçanërisht njëfarë Rr. B. Nuk ishte vetëm ambasada shqiptare, por edhe ambasada sovjetike dhe jugosllave. Dhe pastaj ishte Philby në anën britanike. Të gjitha këto detaje Gogo i dinte paraprakisht, datat dhe vendet e zbarkimeve dhe i përfliste Rr.B. e të tjerëve.
Ai paguhej shumë mirë nga Leib dhe kalonte çdo mbrëmje në ‘Casino delle Rose’ me dashnoren e tij. Ai vishej me shije shumë të mirë dhe shkonte kudo me taksi. Ai jetonte në një apartament shumë të bukur në Romë. Nuk e pashë Leib më shumë se dy ose tre herë. E pashë menjëherë se ishte një njeri i parëndësishëm. Kur ai donte të më takonte, zakonisht dërgoja Andonin ose Zef Palin dhe ata bënin një justifikim pse nuk mund të isha atje.
Ernest Koliqi dhe Vërlaci, ishin profashistët kryesorë që erdhën në Komitet, me Xhafer Devën, që ishte ministër i Brendshëm i gjermanëve dhe agjent i Gestapos, Hasan Dosti, ishte tip i mjerë. Ai bënte intriga me zogistët dhe amerikanët e dinin që Dosti, do të bënte gjithçka që i kërkonin. Dosti ishte një tip i dobët, që nuk mund të linte kurrë përshtypje te njerëzit që ishin më të fortë se ai.
Nuk bëhej fjalë për para me të, megjithëse ndoshta ishte me të tjerët. Nuk kishim asgjë kundër që ai të ishte ministër i fashistëve, i Mustafa Krujës. Kjo në një kohë kur italianët ishin pro kolonizimit të Shqipërisë, me arbëreshët me origjinë shqiptare, të emigruar në Itali. Dosti gjeti një pretekst për t’u bërë ministër i Drejtësisë në qeverinë e propozuar për ta kundërshtuar këtë. Ai u sakrifikua për një qëllim të mirë. Ai kishte miratimin e Frashërit për këtë.
McLean dhe Amery, ishin në Romë gjatë verës së vitit 1949, por ata nuk morën pjesë në diskutimet, që formuan Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Më kontaktuan McLean dhe Amery në Athinë, në maj 1949. Unë isha i vetmi udhëheqës i ‘Ballit Kombëtar’ atje në atë kohë. Unë jetoja në një banesë, por grekët më mbanin peng.
Ne folëm për dëbimin e Jugosllavisë, nga KOMINFORM dhe ata më treguan që Shqipëria ishte bërë një vend pa mbrojtje, se ishte bërë një “vakum” midis Jugosllavisë dhe Greqisë. Të gjithë menduam se ishte e mundshme që Greqia dhe Jugosllavia, do të ndërmerrnin veprime ushtarake kundër Shqipërisë.
Megjithatë, thanë ata, autoritetet amerikane dhe britanike, ishin kundër kësaj. Ata më sugjeruan se ishte e gabuar të lija një vakum atje. Kjo ishte arsyeja, pse një veprim shqiptar, ishte i nevojshëm, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë, për të kufizuar ambiciet greke dhe jugosllave.
Ideja e çlirimit të Shqipërisë nga komunistët, shkoi paralelisht me këtë. Shqipëria do të bëhej një vend i aftë, për t’u bërë rezistencë dy fqinjëve të saj, natyrisht si anëtare e kampit Perëndimor. Amery dhe McLean, më thanë se unë isha i vetmi person që mund të merrja një niciativë të tillë dhe ta bënte atë më mirë. Ata e dinin popullaritetin tim, tek të rinjtë shqiptarë.
Nuk më thanë se në të njëjtën kohë amerikanët, po lidhnin kontakte me Mid’hat Frashërin në Stamboll dhe se sigurisht disa personalitete të tjera aleate, kishin folur me Mbretin Zog në Kajro. Pranova në parim, por u thashë që nuk mund të merrja rolin kryesor, sepse ishim parti politike dhe kryetar i partisë ishte Mid’hat Frashëri.
Në atë fazë nuk përmendej as Mbretërorët, (zogistët) që merrnin pjesë, as Frashëri në Stamboll, përmendja e parë e tyre, ishte në Romë, në fund të majit ose në fillim të qershorit.
Unë e pranova pjesëmarrjen e Mbretërorve, jo sepse ata nënkuptonin diçka brenda Shqipërisë, por për shkak të botës së jashtme, e cila e njihte Shqipërinë, vetëm si Mbretërinë e Zogut. Nuk mund ta bindnim botën e jashtme, se Zogu nuk ishte më asgjë në Shqipëri.
Britanikët dhe amerikanët më çuan në Trieste. Por më vonë e kuptuan se Frashëri, nuk do të hynte në asnjë marrëveshje pa mua. Pastaj erdhën në Trieste dhe më folën kërcënues. Nëse do të vazhdoja kundërshtimin, thoshin, do të braktisnin fatin e Shqipërisë dhe do t’ua dorëzonin grekëve dhe jugosllavëve.
Më çuan në Trieste, pjesërisht sepse ishte një qytet nën kontrollin ndërkombëtar dhe donin të më mbronin nga italianët, të cilët do të dilnin të më arrestonin çdo ditë, pjesërisht për të më vënë nën presion, që të pajtohesha me atë që donin. Ata menduan se do të ishte më e lehtë të manipuloja të tjerët, nëse do të isha larg Romës.
Por të tjerët nuk do të merrnin një vendim pa mua. Kur britanikët vazhduan të kërcënonin, unë thashë se po të ishte e nevojshme, do të trokisja në derën e ambasadës së parë sovjetike, që mund të gjeja për të shpëtuar Shqipërinë. Sovjetikët janë inteligjentë, u thashë dhe ata e dinë se çfarë përfaqëson partia jonë.
Gjithsesi, biseda me ta përfundoi në paqe dhe me të qeshura. I telefonova Frashërit në Romë dhe e këshillova të pranonte propozimin e një kryesie, pjesë e së cilës, do të isha edhe unë. Më pas, pas marrëveshjes, më kërkuan të vija të takohesha me guvernatorin italian të Triestes.
Ai më priti shumë mirë, më dha dokumente të rregullta me leje qëndrimi, më pas më çuan me makinë në Udine dhe më pas me avion ushtarak amerikan, në Romë. Kjo ishte në fillim të gushtit, rreth tre javë përpara shpalljes së Komitetit “Shqipëria e Lirë”, në Paris më 26 gusht.
Doja që mbështetësit tanë të na jepnin mjetet për të stërvitur një ushtri të vogël dhe të pajisur mirë, gjithashtu për t’i zbarkuar në Shqipëri dhe për t’i furnizuar nga ajri. Kjo do të na lejonte të krijonim qendra rezistence dhe më pas, të ngrinim popullsinë kundër qeverisë komuniste të kryesuar nga Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehu.
Populli do të ishte në anën tonë menjëherë dhe do të na ishin bashkuar edhe njësitë e ushtrisë shqiptare. Ky ishte informacioni ynë. Askush në atë kohë nuk mendonte se regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri, do të mbijetonte. Sigurisht që ishte momenti më i favorshëm për ta përmbysur atë.
Një kolonel i ushtrisë shqiptare në Gjirokastër, i tha një prej agjentëve tanë, se ai dhe shumë të tjerë ishin të përgatitur të lëviznin, me kusht që të dërgonim një forcë të konsiderueshme dhe të hidhnim me parashutë, pajisjet e nevojshme. Pra, pati disa indikacione pozitive si rezultat i zbarkimeve të para nga Malta.
I gjithë ky informacion erdhi nga grupet e stërvitura nga britanikët. Nuk morëm pothuajse asgjë nga grupet e stërvitura nga amerikanët, të cilët pothuajse të gjithë u zhdukën.
Mësuam gjithashtu se diku në bregdetin e Ishmit, (në veri të Durrësit), ekzistonte një bazë nëndetëse sovjetike, si dhe baza kryesore në ishullin e Sazanit. Këto rezultate nuk ishin dekurajuese, por ajo që ishte dekurajuese, ishte qëndrimi i britanikëve dhe amerikanëve, mungesa e vullnetit të tyre, për të ndërmarrë një operacion në stil të gjerë.
Ishte një “tenxhere” që nuk mund të zihej në një flakë të vogël. Nuk ishte e mundur në kushtet shqiptare të mblidheshin grupe njerëzish dhe të krijoheshin skuadra me pesë apo gjashtë vetë. Kontrollet ishin shumë të shtrënguara.
Gjithashtu britanikët dhe amerikanët, hezituan shumë gjatë. Kjo u lejoi vendeve të tjera, veçanërisht Jugosllavisë dhe Greqisë, të përgatisnin dhe të dërgonin agjentët e tyre. Dhe e gjithë kjo e hutoi popullin shqiptar.
Ata mund të kuptonin dhe pranonin një operacion të organizuar nga shqiptarët, nën mbështetjen e britanikëve apo amerikanëve, por kush ishin këta agjentë të Greqisë dhe Jugosllavisë, dy vendet që donin të na shkatërronin? Pra, pas këtyre përpjekjeve të para, ne u thamë mbështetësve tanë, se çlirimi ishte një mundësi praktike, por vetëm me forca serioze.
Amerikanët përdorën mjete më pak të sofistikuara se britanikët. Dhe ata duhej të merreshin me mbretërorët e Zogut. Dhe kishte rrjedhje në anën Mbretërore, pasi brenda vendit, kishte një forcë të fortë policore dhe një popullsi të terrorizuar. Kjo është arsyeja pse gjithçka dështoi.
Masakra kryesore ishte në vitin 1954. Pas gjyqit të Zenel Shehut dhe Hamit Matjanit, komunistët ekzekutuan dhe vranë rreth 400 njerëz, në rajonin e Matit, me dhe pa gjyq. Fillimisht u pushkatuan familjet e të dënuarve në gjyq. Më pas ishin personat me të cilët Zeneli dhe të tjerët, duhej të kontaktonin. Zeneli u dha komunistëve të gjithë emrat e tyre, pasi u mbajt nën tortura çnjerëzore.
Më pas, kur këta persona u arrestuan, implikonin persona të tjerë, gjithashtu nën tortura, shpesh njerëz që nuk ishin të përfshirë në asnjë mënyrë në asnjë veprimtari kundër regjimit komunist. Ata do të bënin gjithçka për të ndaluar torturën. Një gjakderdhje e tillë, nuk do të kishte ndodhur kurrë, po të ishte përfshirë partia jonë, por 400 shqiptarë, pak a shumë ishte diçka që Zogut nuk i interesonte. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016