Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Riza Kishtës me origjinë nga Gramshi ku familja e tij ishte një nga më të pasurat e asaj krahine dhe ai mundi të shkollohej fillimisht në “Normale”-n e Elbasanit dhe më pas në Akademitë Ushtarake të Stambollit dhe Firences në Itali, ku u diplomua në degët Artilerisë e Kavalerisë. Shërbimi për dy vjet në Gardën Kombëtare si oficer besnik i kryeministrit Ahmet Zogu dhe zgjedhja si deputet në zonën e Gramshit, shërbeu deri në vitin 1936, duke u konsideruar si “Jorgani i krahinës së Vërçës”, për kujdesin që ai tregonte për fshatarët e varfër të asaj krahine. Emërimi i Rizait si Qarkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës dhe Peshkopisë ku ai shërbeu deri në 7 prillin e ’39-ës, dhe më pas si Rrethkomandant i Xhandarmërisë së Gramshit deri në ‘43-in kur u internua në Bergamo të Italisë, pasi s’kishte luftuar ndaj partizanëve të Mestan Ujanikut. Angazhimi në luftë në krye të një çete nacionaliste ku në “Operacionin e Dimrit”, ai strehoi dhe ndihmoi Shtabin e Përgjithshëm të Enver Hoxhën, duke e shpëtuar atë nga një konfrontim me forcat balliste në fshatin Kishtë. Zgjedhja e Rizait si anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë në Kongresin e Përmetit dhe Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar në mbledhjen e Beratit, për kontributin që ai kishte dhënë gjatë Luftës. Kandidimi i tij për deputet në zgjedhjet 2 dhjetorit të ’45-ës ku ai fitoi më shumë vota se rivali i tij dhe arratisja në mal pasi Sigurimi i Shtetit e ndiqte për ta arrestuar për shkak të lidhjeve të tij me “Grupin e Deputetëve”. Vdekja e tij tragjike nën tortura në qelitë e Elbasanit, ku ai ishte vetëdorzuar me dy djemtë e tij, për të shpëtuar sadopak nga vuajtjet familjen që i’a kishin internuar në kampin e Tepelenës.
Kush ishte Riza Kishta?
Riza Kishta u lind në vitin 1897, në fshatin Kishtë të Rrethit të Gramshit, prej nga është dhe origjina e hershme e asaj familjeje, e cila, së bashku me familjet Musai, Dërmishi dhe Shahini, janë ndër shtëpitë më të njohura të asaj krahine. Kishta-t ka qenë një ndër familjet e pasura të asaj zone, dhe përveç shtëpisë së madhe (me dy kate dhe 12 dhoma), në fshatin Kishtë, ajo kishte në pronësi të saj edhe disa hektarë tokë e qindra kokë dele e kullota. Ndonëse Xhemal Kishta, i pari i asaj familjeje të famshme nuk ishte vetë i shkolluar dhe merrej vetëm me administrimin e pasurisë së tij, ai kishte dëshirë që dy djemtë e tij, Rizain e Nazifin, t‘i shkollonte, duke i dërguar për studime në Turqi. Por, Xhemali me bashkëshorten e tij vdiqën në një moshë fare të re dhe dy djemtë e tyre mbetën jetimë në një moshë të njomë. Pas vdekjes së dy prindërve, me shumë mundime Rizai mundi të mbaronte shkollën Unike (në gjuhën turke), në fshatin e tij të lindjes, Kishtë. Pas kësaj, disa nga të afërmit e familjes, si për të mbajtur amanetin e Xhemalit, u kujdesën për Rizain dhe e dërguan atë në qytetin e Elbasanit, ku ato vite sapo ishte hapur shkolla “Normale”. Gjatë atyre viteve që Rizai ndiqte mësimet në “Normale”, për të u kujdesën disa nga familjet e njohura të qytetit të Elbasanit si: Hasekiu, Peni, Dakli, Daiu etj. Pasi Rizai mbaroi shkollën “Normale”, duke u diplomuar me rezultate të larta, në vitin 1914 ai u emërua si mësues i lëndës së Gjuhës Shqipe në Komunën e Rishtanit (e cila asokohe ishte nën juridiksionin e Gramshit), ku shërbeu për disa vjet. Sipas disa dëshmive të njerëzve të afërm të familjes së Riza Kishtës, thuhet se gjatë kësaj periudhe ai u njoh me Ahmet Zogun, kur ai mori pjesë në Kongresin e Elbasanit në vitin 1917. Lidhur me veprimtarinë e mëtejshme të Riza Kishtës, nipi i tij, Hilmi Kishta, dëshmon: “Pasi Rizai shërbeu për disa vjet si mësues në komunën e Rashtanit, ai u thirr nga kryetari i Komunës, Asllan Shahini, dhe u emërua si sekretar i asaj komune. Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur krahina e Gramshit kaloi nën juridiksionin e trupave ushtarake franceze që ishin në Shqipëri, në vitin 1918, Rizai u transferua që andej dhe u emërua po si sekretar komune në Sojnik, ku kryetar ishte Refat Dermishi. Pasi shërbeu për disa vjet si mësues dhe sekretar i atyre komunave, në vitin 1919, Rizai shkoi në Stamboll dhe studioi për një vit në Akademinë Ushtarake të atij qyteti, ku dhe u diplomua në degën e Artilerisë, duke marrë gradën e togerit”.
Diplomimi në Akademinë Ushtarake të Firences
Pas diplomimit në armën e Artilerisë së Akademisë Ushtarake të Stambollit, Riza Kishta u kthye në Shqipëri diku aty nga fundi i vitit 1919 dhe pas Kongresit të Lushnjës në vitin 1920, ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, e futi atë në listën e oficerëve që do të shkonin për të studiuar në akademitë ushtarake të Italisë. Pas kësaj, Rizai shkoi në Itali dhe studioi për dy vjet në Akademinë Ushtarake të Firences, ku dhe u diplomua me rezultate të larta në degën e Kavalerisë. Lidhur me këtë, nipi i tij, Hilmiu, dëshmon: “Pas diplomimit në Akademinë Ushtarake të Firences, gjyshi im, Riza Kishta, u kthye menjëherë në Shqipëri dhe Ahmet Zogu, i cili në atë kohë ishte në postin e Kryeministrit, e emëroi atë në një nga repartet e Kavalerisë që kishte asokohe Garnizoni Ushtarak i Tiranës. Pasi shërbeu për disa vjet pranë atij reparti, në janarin e vitit 1925, kur sapo ishte rikrijuar Garda Kombëtare, Ahmet Zogu e emëroi Rizain si oficer efektiv të atij reparti special. Ky emërim erdhi pasi Rizai kishte treguar shenja besnikërie ndaj tij që në qershorin e vitit 1924, kur ai nuk kishte pranuar të vihej nën urdhrat e ushtarakëve që dolën kundër Zogut dhe u bashkuan me forcat fanoliste që ndërmorën kryengritjen e armatosur ndaj qeverisë së ligjshme të asaj kohe, të kryesuar prej Shefqet Vërlacit. Në Gardën Kombëtare Shqiptare, Riza Kishta shërbeu deri në vitin 1927, duke u njohur si një nga oficerët besnikë të kryeministrit dhe kryetarit të shtetit shqiptar të asaj kohe, Ahmet Zogut”.
Deputet në Parlamentin shqiptar në vitet 1927-‘36
Lidhur me largimin nga Garda Kombëtare të Riza Kishtës, nipi i tij, Hilmiu, dëshmon: “Në atë kohë (viti 1927), Riza Kishta u largua nga Garda Kombëtare dhe ikja e tij u bë me kërkesën direkt të Ahmet Zogut, i cili, duke e vlerësuar atë si një nga njerëzit më besnikë, i propozoi që të kandidonte për deputet në zgjedhjet parlamentare. Riza e pranoi propozimin e kryetarit të shtetit, Ahmet Zogut, dhe kandidoi në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën po atë vit. Kështu, Riza Kishta u zgjodh si deputet i Gramshit në Parlamentin shqiptar të asaj kohe, duke arritur që të zgjidhej edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare e dalë nga ai Parlament. Gjatë viteve 1927-‘36, kohë në të cilën Riza Kishta ushtroi dy mandate deputeti në Parlamentin shqiptar, ai u mor shumë me hallet dhe problemet që kishin banorët e zonës së tij elektorale në krahinën e Gramshit. Gjatë atyre viteve, shtëpia e tij në Kishtë të Gramshit ishte një derë e hapur për të gjithë banorët dhe hallexhinjtë e asaj krahine. Si rezultat i kësaj dhe ndihmës e përkrahjes së madhe që ai u jepte hallexhinjve dhe banorëve të asaj krahine, Riza Kishta konsiderohej dhe u quajt “Jorgani i krahinës së Vërçës”, dëshmon Hilmi Kishta, për gjyshin e tij, Rizain, i cili pasi ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Turqisë dhe Italisë, shërbeu për disa vjet si oficer i Kavalerisë në Gardën Kombëtare Shqiptare, për t‘u zgjedhur më pas deputet në Parlamentin shqiptar pas kërkesës dhe propozimit që i bëri kryeministri Ahmet Zogu.
Debatet e Riza Kishtës në Parlamentin e Zogut në vitin 1931
Gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, Riza Kishta ishte një nga deputetët më të njohur dhe mjaft aktivë të Parlamentit shqiptar, duke arritur deri në sekretar i Komisionit të Lutjeve dhe Amnistive, i cili si kryetar kishte patriotin e famshëm Jashar Erebara, një nga zërat më potencialë të atij Parlamenti. Sipas dokumenteve që gjenden në arkivat e shtetit shqiptar, bëhet e ditur se gjatë një seance parlamentare, deputeti Riza Kishta i kërkonte qeverisë që ajo të furnizonte me drithë malësinë e Gramshit. Lidhur me këtë gjë, në procesverbalin e asaj seance parlamentare midis të tjerash thuhet: “Z. Riza Kishta. Sipas përgjigjes që dha Z. Ministër i Ekonomisë Kombëtare, u kënaqëm, vetëm përsëris dhe njëherë lutjen time qi në viset e Gramshit të çohet misri me shpejtësi, se po xuni dimni, shinat bora, nuk mund të çohet kurrsesi. Me përjashtim të një sasie të pakët familjesh, nuk jam i mendjes që ky misër të jepet gratis, po kundrejt punimit në rruga. Si mbas nji hesapi qi kam ba, Gramshit i nevojitet s‘paku 3000 kuintal misër”. Në një seancë tjetër, Riza Kishta i kërkonte qeverisë që ajo të zbatonte ligjin që kishte miratuar vetë për faljet e amnistitë dhe si shembull ai merrte një nga fshatarët e zonës së tij elektorale të Gramshit, i cili, dhe pse ishte falur nga qeveria, vazhdonte të ishte në arrati, pasi emri i tij nuk figuronte në listën e personave që përfitonin nga ajo amnisti. Lidhur me këtë, në mes të tjerash aty thuhet: “Kënaqem nga fjala e Z. Ministër i Punëve të Brendshme, dhe i kujtoj Z. së tij se vetë Ministria e Brendshme i ka njoftue autoriteteve lokale që të mos ndiqen, se do të futen në listë për falje. Shkresa e Ministrisë ka numrin 647/V m datë 2/X/1930, të cilën e kam pa vetë me sytë e mi dhe përmbajtja e saj asht qi i thuhet autoriteteve t‘Elbasanit mos të ndiqen këta persona. Mbasi do të falen. Pse ka mbetë pa u shti në listë, nuk e di. Vetëm besoj se do të jetë harrue”.
Qarkomandant i Xhandarmërisë në Gjirokastër
Pas vitit 1936, kur Riza Kishta u largua nga funksioni i deputetit, ku kishte shërbyer në dy mandate për dhjetë vjet me radhë, ai u kthye në jetën e tij private, duke u marrë me pronat dhe pasurinë e familjes së tij. Në atë kohë ai bleu një sasi të madhe toke kullotash në fshatin Cerragë të krahinës së Dumresë së Elbasanit, si dhe një tokë tjetër truall, ku ndërtoi një shtëpi të madhe për familjen e tij. Edhe pas ndërtimit të kësaj shtëpie të madhe në fshatin Cerragë, Riza Kishta nuk u shpërngul nga vendlindja e tij, Kishtë, por vazhdoi të qëndronte atje ku kishte dhe një pjesë të madh të pasurisë së familjes së tij. Ndërkohë, pas vitit 1935, kur ishte shtypur Kryengritja e Fierit, Mbreti Zog u kujdes që në disa prej prefekturave që konsideroheshin si më problematiket, të dërgonte si Qarkomandant Xhandarmërie disa prej njerëzve të tij më besnikë dhe të përgatitur nga ana profesionale. Duke u nisur nga kjo, në fillimin e vitit 1936, Mbreti Zog e emëroi kapiten Riza Kishtën në detyrën e Qarkomandantit të Xhandarmërisë në Prefekturën e Gjirokastrës. Lidhur me këtë, nipi i tij, Hilmi Kishta, dëshmon: “Pasi gjyshi im, Riza Kishta, shërbeu për afro tre vjet me radhë në detyrën e Qarkomandantit të Xhandarmërisë në Prefekturën e Gjirokastrës, në vitin 1938, Mbreti Zog e transferoi atë që andej dhe e dërgoi në nënprefekturën e Peshkopisë. Në atë qytet, Rizai shërbeu në të njëjtën detyrë deri në prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak, duke pushtuar Shqipërinë. Kështu, pas pushtimit të vendit tonë, Riza Kishta nuk pranoi të shërbente më në atë detyrë dhe dha dorëheqjen, duke u kthyer në fshatin e tij të lindjes, në Kishtë. Pas kthimit në fshat, ai qëndronte sa aty, sa në fshatin Cerragë, ku kishte ndërtuar shtëpinë e re. Në vitin 1940, kur filloi lufta italo-greke, italianët e thirrën Rizain dhe e emëruan në detyrën e Rrethkomandantit të Xhandarmërisë së zonës së Gramshit. Në atë kohë, ashtu si në shumë nënprefektura të tjera, edhe në nënprefekturën e Gramshit autoritetet italiane të pushtimit nisën të formonin disa batalione milicie me pagesë, të cilat u duheshin për t‘i dërguar në frontin e luftës me Greqinë. Po kështu, përveç këtyre batalioneve që u krijuan për t‘u shkuar në ndihmë forcave të rregullta ushtarake të ushtrisë italiane që ishin në frontin e luftës me Greqinë, në atë kohë u krijuan edhe disa reparte të tjera milicie që do të përdoreshin për ruajtjen e rendit dhe qetësisë nëpër prefektura të ndryshme që konsideroheshin si më problematike. Në atë kohë, për t‘ju ardhur në ndihmë shumë familjeve të varfra të krahinës së Gramshit, Riza Kishta regjistroi në mënyrë fiktive në evidencat e atyre reparteve shumë nga bashkëfshatarët e tij, të cilët u paguan rregullisht dhe përfituan edhe ushqime e veshmbathje”, dëshmon Hilmi Kishta lidhur me gjyshin e tij, Rizain, për periudhën që ai shërbeu si Qarkomandant Xhandarmërie në Gjirokastër e Peshkopi, si dhe ndihmën që ai u dha bashkëfshatarëve të tij, duke i paguar ata me rroga, gjoja si efektivë të reparteve të milicisë të krijuara nga italianët për mbajtjen e rregullit e qetësisë.
Internimi në Itali, pasi nuk sulmoi partizanët
Edhe pas përfundimit të Luftës italo-greke, Riza Kishta vazhdoi të shërbente në detyrën e Rrethkomandantit të Xhandarmërisë së krahinës së Gramshit. Lidhur me këtë periudhë kohe, nipi i tij, Hilmiu, dëshmon: “Gjatë atyre viteve që Rizai ishte në atë detyrë, në zonën e Gramshit dhe krahinat e tjera përreth, filluan të krijoheshin çetat e para nacionaliste dhe ato partizane. Nisur nga funksioni i Rrethkomandantit të Xhandarmërisë, Rizai kishte si detyrë që t‘i godiste ato grupe dhe çeta të armatosura, por ai jo vetëm që nuk ndërmori asnjë veprim të tillë, por përkundrazi, i ndihmoi vazhdimisht ato. Edhe pse iu dha urdhër disa herë që të godiste forcat partizane, Rizai nuk e zbatoi kurrë një urdhër të tillë dhe nuk dërgoi asnjëherë milicët që komandonte për të ndjekur forcat partizane. Një nga ato çeta që pati ndihmën e Riza Kishtës ishte ajo e Mestan Ujanikut (formacioni i parë partizan që u krijua në Shqipëri), në rrethin e Skraparit, e cila u përkrah shpesh herë nga Rizai. Komandantin legjendar dhe nacionalistin e famshëm, Mestan Ujaniku, së bashku me çetën e tij, Riza Kishta i strehoi disa herë në shtëpinë ë tij. Po kështu, përveç asaj çete, në atë kohë Riza Kishta mbante marrëdhënie korrekte edhe me forcat e milicisë, siç ishin ato të komanduara nga Xhaf Bali. Gjatë një përpjekjeje të armatosur të ndodhur në vitin 1942, kur forcat e Xhaf Balit u thyen keqazi prej forcave të çetës së Mestan Ujanikut, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Italiane në Shqipëri, në ndihmë të tij, dërgoi forca xhandarmërie (kryesisht me burra nga zona e Verçës) të komanduara nga Riza Kishta. Por, edhe pse Rizai me forcat e xhandarmërisë që komandonte shkoi në vendin ku zhvillohej përpjekja ndërmjet forcave të Mestan Ujanikut dhe atyre të Xhaf Balit, ai nuk pranoi të hynte në luftime kundër forcave partizane të Mestan Ujanikut, duke u shprehur: “Edhe ata janë djemtë tanë”. Duke parë qëndrimin dashamirës të Riza Kishtës ndaj forcave partizane, dhe duke mos-zbatuar urdhrin e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Italiane në Shqipëri për të shkuar në ndihmë të forcave të milicisë së Xhaf Balit, qeveria e kryeministrit Shefqet Vërlaci (me të cilën Rizai nuk kishte marrëdhënie të mira), nxori urdhrin dhe e internoi Rizain në Itali”, dëshmon Hilmi Kishta, lidhur me veprimin e gjyshit të tij, Riza Kishtës, ish-Rrethkomandant i Xhandarmërisë së Gramshit, i cili përfundoi i internuar në Itali, pasi nuk zbatoi urdhrin për të goditur çetën partizane të Mestan Ujanikut.
Si u përgatit internimi i Rizait në Itali
Pasi Riza Kishta nuk kishte zbatuar urdhrin e eprorëve të tij për të shkuar në ndihmë të forcave të milicisë italiane të Xhafer Balit, të cilat ishin duke luftuar kundër çetës partizane të komanduar nga Mestan Ujaniku, Ministria e Brendshme në Tiranë urdhëroi shpërbërjen e batalionit të milicë që komandonte ai, i cili, në përbërje të tij kishte rreth 600 forca. Po kështu, pas këtij veprimi, Ministria e Brendshme urdhëroi kuesturat e Beratit dhe Elbasanit që të organizonin survejimin e vazhdueshëm të Riza Kishtës dhe aktivitetit të tij. Më datë 16.1.1943, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Papalilo, njoftoi qeverinë e Tiranës për rrezikshmërinë politike të Rizait. Lidhur me këtë gjë, bën fjalë shkresa e Komandës Supreme të Karabinierisë (A.Q.SH. shkresa me nr. prot. 4900. Datë 7.12.1942) dhe një promemorie e dates 13.11.1942, për internimin e Riza Kishtës si element me rrezikshmëri të lartë ndaj autoriteteve fashiste, si dhe mjaft dokumente të tjera që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Pas kësaj, duke parë autoritetin dhe popullaritetin e madh që gëzonte Riza Kishta, jo vetëm në krahinën e tij, për të shmangur ndonjë incident apo trazirë që mund të kryenin mbështetësit e tij, autoritetet italiane u kujdesën që internimi i tij në Itali të bëhej sa më i kamufluar dhe pa bujë. Ata i përgatitën një kurth, duke i dhënë një leje për të ikur në Itali, ku ai do të shoqëronte dy djemtë që shkonin në Firence për studime. Më datë 30.10.1942, Rizai, i veshur me uniformën e kapitenit të karabinierisë, u nis për në Itali dhe pas pesë ditësh ai u thirr në Karabinierinë e Firences, gjoja për një takim, ku dhe u krye arrestimi dhe çarmatosja e tij. Pas kësaj, me urdhër të mëkëmbësit të Mbretit në Tiranë, Rizai u internua në një vend të izoluar të alpeve në veri të Itali, (në rajonin e Bergamos, Komuna Guandino), ku qëndroi për gati dy vjet me radhë. Pas përfundimit të afatit të internimit, disa miq të tij, personalitete të jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri, ndërhynë pranë qeverisë së Tiranës dhe autoriteteve italiane, që ai të lirohej dhe të kthehej në shtëpinë e tij. Si rezultat i këtyre ndërhyrjeve, më datën 17.6.1943, Rizai, së bashku me mikun e tij, Zef Çoba nga Shkodra, u liruan dhe u kthyen në Shqipëri.
Komandant i një çete nacionaliste
Pas kthimit në Shqipëri, Rizai hyri në kontakte me krerët kryesorë të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, si Mit‘hat Frashëri, Abaz Ermenji etj., dhe pas bisedimeve me ta, ai formoi një çetë nacionaliste në zonën e tij të Gramshit (duke qenë vetë komandant i saj), e cila numëronte rreth 800 forca të armatosura. Lidhur me aktivitetin e Riza Kishtës pas kthimit nga internimi, dëshmon ish-partizani Murat Rustem Kasapi (nga fshati Karbunarë i Lushnjës), i cili, midis të tjerash shprehet: “Kam qenë partizan i batalionit të Myzeqesë dhe në atë kohë kam luftuar në zonën e Lushnjës, Pezës, Dumresë, Shpatit, Elbasanit dhe Gramshit. Në vitin 1943, kur batalioni ynë kaloi në zonën e Gramshit, jam njohur me Riza Kishtën, i cili ishte komandant i një çete nacionaliste. Në atë kohë, unë me disa partizanë të një çete tjetër, po shoqëroja për në atë fshat fëmijët e komandantit tonë, Rrahman Ruçi. Në hyrje të Gramshit ne u ndeshëm me ballistët e Çekinit dhe luftuam për katër orë me ta. Në atë kohë, u lajmërua Riza Kishta dhe ai, me anë të një korrieri, i dërgoi një letër komandantit të ballistëve, në të cilën thuhej: ‘Të lejoni menjëherë çetën partizane të kalojë pa prekur asnjë me dorë, se ndryshe do të keni pasoja’. Pas kësaj, menjëherë ballistët hapën rrethimin dhe u larguan, kurse ne kaluam të qetë në zonën e Vërrçës. Në bisedat që bëra me Rizanë, mësova se ai kishte qenë oficer akademist dhe kishte shërbyer në Oborrin Mbretëror të Zogut, si dhe deputet në Parlamentin shqiptar. Nuk ishte hera e parë që Rizai ndihmonte partizanët. Ai, që në vitin 1942, kishte bërë një kompromis me çetën partizane të Mestan Ujanikut, që të luftonin kundër italianëve. Për këtë gjë, qeveria kuislinge e internoi në Itali”. Lidhur me kompromisin që Riza Kishta bëri në atë kohë me partizanët, nipi i tij, Hilmiu, dëshmon: “Më 4 shtator të vitit 1944, Riza Kishta i dërgoi një letër komandantit të forcave partizane, Xhemal Llallës, që ata të takoheshin në Gramsh. Qëllimi i këtij takimi në mes partizanëve dhe forcave nacionaliste të Riza Kishtës ishte arritja e një marrëveshjeje që ata të ndalonin vëllavrasjen. Takimi u realizua në Gramsh dhe Rizai e nënshkroi marrëveshjen, ndonëse partizanët i vunë kushte mjaft të vështira”. Lidhur me këtë marrëveshje, ish-kuadri partizan, Kadri Musai, në kujtimet e tija (Muzeu i Gramshit. fq. 271) ka shkruar: “Ne nuk ishim dakord, por megjithatë pranuam duke vënë disa kushte që ballistët të mos ishin dakord, takimi të mos bëhej dhe faji t‘ju ngelej atyre”.
Shpëton Enverin dhe Shtabin nga konfrontimi me ballistët
Në atë kohë që Rizai kishte krijuar çetën e tij nacionaliste që vepronte në zonën e Gramshit, ai fitoi një emër dhe autoritet të madh, si nga forcat partizane, ashtu dhe nga ato nacionaliste. Lidhur me këtë, nipi i tij, Hilmi Kishta, dëshmon: “Siç më ka treguar babai im, Qemali, aty nga janari i vitit 1944, kur kishte filluar Operacioni gjerman i Dimrit, Enver Hoxha, me një pjesë të Shtabit të Përgjithshëm, u strehuan në fshatin tonë Kishtë. Para se të vinte në Kishtë, Enver Hoxha, me anë të një korrieri, i dërgoi një letër Rizait, ku i thoshte se ai po vinte të strehohej aty dhe kërkonte prej tij që të merrte masa për sigurinë e shokëve të Shtabit, pasi kishte dijeni se aty ndodhej dhe një çetë balliste. Rizai, pasi mori letrën, thirri mikun e tij të ngushtë Lime (Halim) Musain dhe e dërgoi që t‘i dilte para Shtabit të Përgjithshëm, e t‘i merrte ata në shtëpinë e tij, e cila ishte ngjitur me shtëpinë tonë. Ndërsa Enver Hoxha, me shokët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, erdhën dhe u strehuan te shtëpia e Lime Musait. Në një shtëpi tjetër, që ishte fare pranë asaj ku ishin ata, ndodhej edhe një çetë ballistësh. Ndonëse Enveri me shtabin kishin dijeni se ballistët ishin aty, dhe po ashtu edhe ballistët e dinin se Enveri me shtabin ishin ngjitur me ta, nuk ndodhi asnjë incident midis tyre, edhe pse në atë kohë “Balli” me partizanët kishin kohë që ishin në luftë ndërmjet tyre. Kjo gjë ndodhi për të vetmen arsye se shtabi i Enver Hoxhës, ashtu dhe ballistët, nuk mund të bënin asnjë veprim në atë fshat, pa lejen e Riza Kishtës, i cili i kishte marrë ata në besë. Pasi Enveri me shtabin qëndruan të qetë në shtëpinë e Lim Musait, ku i kishte caktuar Rizai, ata i kërkuan atij që t‘i ndihmonte të largoheshin që andej. Pas kësaj, Rizai dërgoi njerëzit e tij, të cilët e shoqëruan Enverin deri në Grabovë dhe aty ata i gjetën shoqërues të tjerë për t‘i përcjellë deri në krahinën e Gorës, ku ata do të shkonin. Lidhur me këtë ngjarje, në kujtimet e tij (Vepra IV, bot. 1970) midis të tjerash, Enver Hoxha ka shkruar: “Këta (Riza Kishta e njerzit e tij) e njihnin mirë situatën dhe familjet që përkrahnin Lëvizjen Nac-Çlirimtare, e me siguri po të kishin ndërmend të bënin ndonjë kontroll, shtëpia e xha Halimit do të ishte e para”. Po kështu, në atë kohë, edhe Mehmet Shehu e vlerësonte mjaft kontributin e Riza Kishtës në dobi të Luftës Antifashiste. Në një letër që ai i dërgonte në atë kohë Shtabit të Përgjithshëm, (vepra e zgjedhur. vëll. I. fq. 238), midis të tjerash shkruante: “Me disa oficerë të vegjël, si dhe me Riza Kishtën, duhet të mbajmë qëndrim admirues”.
Zgjidhet në Këshillin Antifashist në Kongresin e Përmetit
Duke e parë dhe vlerësuar qëndrimin e nacionalistit Riza Kishta dhe aktivitetin e tij si antifashist, krerët kryesorë të Partisë Komuniste që udhëhiqnin asokohe Frontin Demokratik, e zgjodhën atë si anëtar të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, në mbledhjen e Beratit, e cila i zhvilloi punimet nga data 20 deri më 23 shtator të vitit 1944. Lidhur me këtë, nipi i tij, Hilmiu dëshmon: “Siç më ka treguar babai im, Qemali, në atë mbledhje, njëri nga diskutantët ishte ngritur dhe kishte përmendur për keq Cen Elezin dhe Riza Kishtën. Menjëherë pas tij e kishte kërkuar fjalën Baba Faja Martaneshi, i cili e kishte marrë në mbrojtje Rizain dhe pas asaj, ai ishte zgjedhur në mënyrë unanime si anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar”. Po kështu, disa muaj më parë, në majin e vitit 1944, kur u zhvillua Kongresi i Përmetit, Riza Kishta ishte zgjedhur si anëtar i Kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë. Lidhur me këtë, ish-partizani Murat Kasapi, dëshmon: “Në Kongresin e Përmetit, ku kam qenë vetë prezent, edhe pse Riza Kishta nuk ishte aty, ai u zgjodh në mungesë si anëtar i Kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë. Më pas, në një mbledhje tjetër të Frontit që u bë në Tiranë, në fundin e vitit 1944, u propozua përsëri si anëtar i Kryesisë së Frontit. Në atë mbledhje që Rizai ishte vetë prezent, kundërshtoi dhe tha: “Ka të tjerë që i kanë dhënë kësaj lufte më shumë se sa unë dhe janë më të rinj”. Pas kësaj, u ngrit Abdyl Këllezi dhe tha: “Që të mos i ngusim njerëzit, kur nuk do vetë, nuk ka asnjë problem”.
2 dhjetor 1945, kandidon për deputet me Frontin Demokratik
Për kontributin e madh që Riza Kishta kishte dhënë në periudhën e Luftës, si dhe për autoritetin e padiskutueshëm që ai gëzonte në të gjithë zonën e Gramshit dhe Elbasanit, Partia Komuniste vendosi që ai të kandidonte në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, si përfaqësues i Frontit Demokratik. Ndonëse e zgjodhën për të kandiduar si përfaqësues i Frontit, krerët kryesorë të Partisë Komuniste i udhëzuan njerëzit e tyre që aty të mbështetej kandidatura e Kadri Musait dhe jo e Riza Kishtës. Kjo gjë lidhej me disa informacione të Sigurimit të Shtetit, i cili e akuzonte Rizain se mbante lidhje me një grup intelektualësh (Grupi i Deputetëve që u dënuan më pas), të cilët, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e misioneve anglo-amerikane në Shqipëri, po bënin tentativa për të formuar një opozitë brenda radhëve të Frontit Demokratik. Kështu, pas atyre zgjedhjeve, Kadri Musai fitoi 4738 vota pro dhe 208 kundër, kurse Riza Kishta, 2510 vota pro dhe asnjë kundër. Lidhur me këtë, nipi i tij, Hilmiu dëshmon: “Udhëheqja e lartë komuniste në atë kohë filloi ta shihte me dyshim Riza Kishtën dhe prandaj nuk e mbështeti në ato votime. Kjo gjë kishte filluar që nga mbarimi i Luftës, kur babanë tim Qemalin, (ish-guerilas), i cili në atë kohë punonte në Kryesinë e Bashkimit të Rinisë Antifashiste, (BRASH), filluan ta pyesnin për babanë e tij, Rizain. Qemalin e thërrisnin shpesh dhe e pyesnin se me kë takohej babai i tij, Rizai, dhe cilët ishin njerëzit që i vinin në shtëpi për ta takuar. Pas kësaj, ndaj Rizait filluan survejimet e Sigurimit, të cilët i erdhën në shtëpi dhe i bënë presione, duke i kërkuar që të dorëzonte pistoletën që kishte përdorur gjatë luftës. Kjo kërkesë ishte mjaft e qartë dhe ajo do të thoshte se ai ishte në prag të arrestimit, pasi kjo skemë (kërkesa për dorëzimin e armës), ishte përdorur edhe me nacionalistë të tjerë që ishin arrestuar më pas. Duke e parë gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej, gjyshi Rizai shkoi në Çërragë dhe thirri në shtëpi dy djemtë e tij, Qemalin (babai im), dhe Qaniun, e bisedoi gjatë me ta. Pas kësaj, në shtatorin e vitit 1946, ata të tre vendosën dhe u arratisën në mal”, dëshmon Hilmi Kishta, lidhur me arratisjen e gjyshit të tij Rizait, që rrezikohej të arrestohej nga regjimi komunist i Tiranës.
Arratisja dhe vdekja në qelitë e Elbasanit
Në atë kohë që Riza Kishta me dy djemtë e tij, Qemalin dhe Qaniun, ishin të arratisur dhe qëndronin të fshehur në pyjet e Lushnjës, Dumresë dhe Gramshit, bashkë me ta u bashkuan dhe disa kushërinj të tyre, si Shazo Ismaili etj. Lidhur me këtë, nipi i tij Hilmiu dëshmon: “Menjëherë pas arratisjes së gjyshit dhe dy djemve e nipave të tij, Forcat e Ndjekjes erdhën e sekuestruan gjithë pasurinë që kishte familja jonë, si dhe shtëpinë dykatëshe në Çërragë, të cilën e kthyen në shkollë për fëmijët. Pas kësaj, gjyshen tonë, Refaien, (gruan e Rizait), së bashku me tre djemtë e tjerë, i dërguan në internim në Berat dhe më pas në kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Ndërsa ata ndodheshim në internim, gjyshi Rizai, me babanë tim, Qemalin dhe xhaxhanë Qaniun, e kushërinjtë që ishin të arratisur në male, ranë disa herë në pritat e Forcave të Ndjekjes që i ndiqnin kudo këmba-këmbës. Në atë kohë, Ali Turbohova, (një nga eksponentët e tjerë të arratisur në male), i propozoi gjyshit Rizai që së bashku me njerëzit e tij të arratiseshin jashtë, pasi do të kishin edhe ndihmën e misioneve anglo-amerikane që vepronin asokohe në Shqipëri. Por Riza Kishta nuk e pranoi atë sugjerim dhe duke e parë gjendjen e vështirë ku ata ndodheshin, si dhe gjyshen me tre djemtë e tjerë që vuanin tmerrësisht në Tepelenë, së bashkë me dy djemtë, vendosën të dorëzoheshin. Pasi kishin qëndruar 17 muaj në arrati, ata u vetëdorëzuan në fshatin Kishtë. Pas dorëzimit, gjyshin Rizain dhe dy djemtë e tij, e kushërinjtë e tyre i mbajtën disa kohë të izoluar në Gramsh, e më pas i dërguan në qelitë e Degës së Brendshme të Elbasanit. Siç më ka treguar babai Qemali, gjatë hetuesisë, atyre i’u bënë torturat më çnjerëzore dhe si rezultat i atij trajtimi, gjyshi Riza Kishta vdiq në qeli, se nuk mundi t‘i përballonte dot ato. Babai Qemali, me xhaxhanë Qaniun, dolën para gjyqit më 17 janar të vitit 1948, të akuzuar për “tentativë të përmbysjes së pushtetit popullor në bashkëpunim”. Pas kësaj, babai Qemali u dënua me pesë vjet burg, kurse Qaniu me kohën e paraburgimit. Ndërsa babai e vuajti të gjithë dënimin dhe u lirua nga burgu në vitin 1953, e gjithë familja jonë vuajti luftën e tmerrshme të klasave deri në vitin 1990”, e përfundon rrëfimin Hilmi Kishta, për familjen e tij dhe gjyshin Riza Kishta, ish-oficerin akademist të Gardës Kombëtare të Zogut dhe deputetin e Monarkisë, i cili vdiq nën tortura në qelitë e Elbasanit në vitin 1947, pasi ishte akuzuar si pjesëtar i “Grupit të Deputetëve” që donin të formonin një opozitë liberale brenda radhëve të Frontit Demokratik./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016