Nga Dr. Mirela Sinani
Pjesa e dytë
– Çfarë ishte e ashtuquajtura “organizatë sabotatore” në tharjen e kënetës së Maliqit? –
Memorie.al/ Cilët ishin personat që u akuzuan si pjesëtarë të saj? Çfarë formimi kulturor dhe profesional kishin ata? A kishte realisht një organizatë të tillë apo ishte një skenar që i shërbeu regjimit të kohës, për të arritur qëllime të caktuara? Këto janë disa nga pyetjet me të cilat, sot, kushdo që kërkon sado pak të vërtetën e kësaj ngjarjeje, kthen sytë nga e kaluara dhe përpiqet të gjejë përgjigje. Përgjigjet e plota shpesh është e vështirë të gjenden në dokumente, pasi dokumentet janë të mangët, ose edhe të falsifikuar. Ato mund të formulohen vetëm pas një njohjeje të plotë, të të gjitha fakteve të dokumentuara e, të analizuara me kujdes.
Grupi i dytë i “sabotatorëve” të tharjes së kënetës së Maliqit
Dënimi i inxhinierëve të kënetës së Maliqit dhe procesi i montuar gjyqësor Vendosja e sistemit totalitar në Shqipëri i ka fillimet e tij që para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur gjatë luftës që u zhvillua edhe midis krahëve të ndryshëm politikë u hodhën themelet e para drejt një diktature komuniste.
Procesi i instalimit të diktaturës, do të ishte një proces i përgjakshëm, ku do të persekutoheshin, dënoheshin dhe ekzekutoheshin individët dhe grupet që paraqisnin rrezikshmëri për regjimin: Ata që konsideroheshin armiq potencialë. Për këtë, u ndërtua një strukture shtetërore e kryesuar nga Partia Komuniste dhe me institucione plotësisht të kontrolluara nga vetë kjo organizatë drejtuese.
Sigurimi i Shtetit dhe gjykatat ushtarake, konsideroheshin si grushti i hekurt i sistemit totalitar kundër “armiqve të regjimit”, me anë të cilëve u dënuan dhe ekzekutuan shumë të pafajshëm. Kryesisht këtu bënin pjesë individët e shkolluar jashtë vendit, intelektualë dhe teknicienë. Regjimi ushtroi reprezalje kundrejt klerikëve, deputetëve që kërkonin një vend demokratik dhe të lirë, qytetarëve që kritikonin politikat e regjimit, si edhe intelektualëve të etiketuar si agjentë të huaj ose sabotues.
Megjithëse shumë herë të pafuqishme kundrejt veprimeve dhe metodave të përdorura nga regjimi totalitar, për të ndaluar dhe shtypur çdo mundësi rebelimi kundrejt tij, që në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ishin të pakta rezistencat e organizuara kundër regjimit komunist. Malësia e Madhe dhe Postriba, janë dy nga simbolet e kësaj rezistence, që tragjikisht përfunduan me pushkatimin e shumicës së pjesëmarrësve në to dhe me valë arrestimesh e internimesh, jo vetëm të familjarëve të pjesëmarrësve të rezistencës, por edhe të të afërmve të tyre.
Model kryesor për këto masa shtypëse, që synonin vendosjen e kontrollit absolut mbi popullin shqiptar, zhdukjen e çdo hapësire të lirisë individuale dhe kolektive, shërbyen praktikat komuniste kundër armikut të klasës, të zbatuara sidomos në Bashkimin Sovjetik, por edhe reprezaljet e kryera në Jugosllavi, kundër elementëve armiqësorë, që gjoja nuk pranonin bashkim-vëllazërimin e popujve, i cili në fakt ishte nënshtrim i çdo etnie apo kombi, ndaj kombit apo kombeve më të fuqishme.
Shpeshherë këto metoda goditjeje kundër njerëzve të dyshuar si armiq, apo rrezik potencial, u zbatuan me zell edhe më të lartë sesa në vetë Bashkimin Sovjetik. Ato ngjanin vetëm me urrejtjen me të cilën në Jugosllavinë titiste, përndiqeshin dhe asgjësoheshin patriotët shqiptarë. Ndërsa në Bashkimin Sovjetik dhe në shumë vende komuniste në lindje të Evropës, disa nga kundërshtarët e regjimit u nxorën jashtë kufijve, duke u dëbuar apo vetëm u përjashtuan nga aktiviteti publik, në Shqipëri, asgjësoheshin fizikisht, njësoj sikurse ndodhte në Jugosllavinë e mareshalit Tito.
Organet e posaçme të shtetit, krijuan incidente e kurthe me qëllim sajimin e preteksteve për arrestime, pushkatime e internime në masë. Parë në këtë këndvështrim, masat represive që u ndërmorën në Shqipëri, ishin shumë herë më të rënda se në vendet e tjera të Lindjes Komuniste. Raporti përkeqësohet akoma më shumë, po të mbahet parasysh numri i vogël i popullsisë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore apo, sipërfaqja e vogël e territorit ku ndodhnin këto goditje.
Ngjarja me inxhinierët, teknikët dhe punonjës të tjerë të ndërmarrjes për tharjen e kënetës së Maliqit, arrestimi i atyre që, në atë kohë ishin ndër njerëzit më të talentuar, më të arsimuar që kishte shoqëria shqiptare e pas luftës, të diplomuar në universitetet më të mira të kohës dhe procesi i montuar gjyqësor kundër tyre, është rast tipik i veprimit komunist, të nënshtruar ndaj klikës titiste, që ishte thellësisht antishqiptare.
Gjyqi, që filloi më datë 8.11.1946, u përdor nga regjimi për të akuzuar intelektualët si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja, si edhe shtetet përkatëse se po përziheshin në punët e brendshme të Shqipërisë. Regjimi komunist, kërkonte të zhdukte çdo detyrim që kishte përpara botës demokratike, për transparence në çështjet e politikës. Me këto akte, regjimi komunist po shkëpuste lidhjet e vendit me demokracitë perëndimore dhe po e izolonte vendin.
Vendet e demokracive perëndimore, ishin të interesuara për një shtet demokratik e paqësor në Shqipëri. Ato kishin mundësi të monitoronin dhe të hidhnin dritë mbi ecurinë e proceseve demokratike dhe të lirive politike. Gjithashtu, kishin edhe instrumente për ta detyruar regjimin komunist, të zbatonte angazhimet që kishte për ndërtimin e një shteti demokratik. Prandaj, regjimi komunist përshpejtoi shkëputjen e lidhjeve me vendet e demokracive Perëndimore, duke e futur vendin në errësirën e mos informimit dhe të veprimeve të hapura anti-demokratike.
Më shumë se një gjyq kundrejt kundërshtarëve, ky veprim ishin një demonstrim i urrejtjes sllavo-komuniste, kundrejt shtresave patriotike, atyre të arsimuara e të afta t’i dilnin zot vendit dhe ta ndërtonin atë të pavarur, si edhe dëshmonte planet e regjimit, për ta futur vendin nën varësinë e Jugosllavisë, si republikë e shtatë e saj, në kuadër të gjoja bashkim -vëllazërimit me popujt e tjerë jugosllavë.
Por, gjyqi ndaj inxhinierëve, ishte edhe një mjet propagande për të justifikuar dështimet dhe vështirësitë që regjimi komunist ishte duke hasur në fushën e ekonomisë. Këta njerëz pa shkollë, që kishin marrë në duar drejtimin e vendit, nuk kishin asnjë fije moral të mashtronin popullin, duke premtuar mirëqenie ekonomike, e nga ana tjetër, nuk ngurronin të sajonin armiq e sabotatorë, ku shkarkonin fajin për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit. Populli ishte në një gjendje të mjerueshme.
Mbyllja e kufijve dhe konfiskimi i dyqaneve, pronave apo mallrave të tregtarëve vendas, kishte bllokuar qarkullimin e lirë të mallrave, furnizimin e popullit me produktet bazë ushqimore. Tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës, ishte gjithashtu një politikë varfëruese, që e zhvishte tregtarin shqiptar, por jo vetëm atë, nga çdo mjet dhe rezervë ekonomike. Ndërsa për fshatarin e varfër, thika kishte arritur në palcë. Reforma Agrare që i dha tokën fshatarëve, shkarkoi barrën e përgjegjësisë për mungesën e ushqimit, te vetë fshatarësia.
Me mjete primitive dhe me krahë pune, ishte e pamundur të sigurohej punimi i tokës dhe sasia e nevojshme e prodhimit, për të siguruar bukën e gojës. Mungonin punimet bonifikuese, kanalet ujitëse, plehrat, dezinfektantët për mbrojtjen nga insektet, brejtësit, preparatet kimike, për mbrojtjen nga infeksionet e ndryshme, farërat e mira të përshtatshme për klimën vendase, si dhe asistenca e duhur me profesionistë në bujqësi e blegtori. Në kushtet e mungesës së mekanikës bujqësore, toka e ëndërruar në shekuj, nga shpëtim, u bë shumë shpejt një barrë e rëndë për fshatarësinë.
Në këtë situatë varfërie të gjithanshme, gjyqi kundër inxhinierëve, shërbeu si mjet për orientuar dhe shkarkuar tensionin social te “armiku i popullit” dhe njëkohësisht, shërbeu si mjet psikologjik terrorizues, për të frikësuar kudo intelektualët që të nënshtroheshin pa kushte. Ai synonte të përhapte ndjenjën e frikës, duke treguar se kushdo që ngrihej kundër regjimit, do të kishte fatin e inxhinierëve të kënetës së Maliqit. Ky gjyq është model i proceseve të montuara gjyqësore, nga një regjim komunist.
Torturat çnjerëzore dhe metodat antiligjore që hetuesit përdorën ndaj inxhinierëve, dalin qartë nga dosjet hetimore, proces-verbalet dhe dëshmitë e marra në kushte aspak normale. Aty vërehet se si të akuzuarit si armiq, detyrohen të pranojnë akuzat e fabrikuara nga mekanizmat shtetërorë të regjimit komunist, ndonëse ata ishin njerëz të ndershëm, të përkushtuar ndaj profesionit dhe atdheut të tyre dhe nuk kishin lidhje fare, me fajet e artikuluar në gjyq.
Përmbajtja e dosjes
Ajo që bie në sy nga shfletimi i dosjes është përpjekja e Sigurimit të Shtetit, për t’i dhënë ngjarjes përmasa sa më të mëdha. Për këtë arsye, për grupin e inxhinierëve dhe punonjësve të tjerë të akuzuar, është përdorur përcaktimi; “organizatë tekniko-sabotatore”. Gjithashtu, në proces-verbalet e mbajtura nga ana e Sigurimit, përdoren dendur përcaktimet: “tekniko-kriminale”, “organizatë agjenturore”, “organizatë tekniko-sabotatore” etj., që janë qartë forma propagande.
Për t’i dhënë këtij grupi inxhinierësh e punonjësish të zakonshëm pamjen e plotë dhe karakteristikat e një organizate kriminale, dhe për ta bërë këtë gjë edhe më të besueshme në popull, Sigurimi i Shtetit, shpiku edhe një element tjetër, që gjoja kishte kjo organizatë: simboli dallues i saj që përdorej për t’u lidhur me njeri-tjetrin. Në dosje përmendet se anëtarët e organizatës, vendosnin në krah një trekëndësh me një pikë të bardhë në mes, simbol ky që përdorej sidomos për takimet me agjentët e UNRRA-s dhe përfaqësues të misioneve të Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve.
Të gjitha dëshmitë e të pandehurve, të marra në kushte presioni dhe torturash, përshkruajnë se sabotimi i tharjes së kënetës, ishte kryer me qëllim shkaktimin e dëmeve të mëdha ekonomike vendit, për qëllime politike e për llogari të Harry Fultz-it, i cili përpiqej të rrëzonte regjimin komunist, të sapo vendosur. Në këto dëshmi, të pandehurit përmendin se me urdhër të Harry Fultz-it dhe sipas përgjegjësive përkatëse që mbanin në kryerjen e veprës, detyrat sabotuese ishin të ndara përkatësisht: “Abdyl Sharra, duhet të sabotonte krejt punët në kanal”, duke e paraqitur këtë të fundit, si organizator të sabotimeve.
Ndërsa, “Aleks Vasili, duhej të sabotonte në gurore dhe të ngjallte pakënaqësira te punëtorët; Eugenio Scaturro, do të sabotonte në sektorin e punës së tij, duke sjellë pakënaqësira në mencë, ose duke lënë qëllimisht pa ndrequr një vegël, për 2-3 ditë” (marrë nga proces-verbali i dëshmisë së Vasil Manos). Edhe dëshmitë e marra nga Kujtim Beqiri e Zyrika Mano, e cila në dosje akuzohet si përgjegjëse për kryerjen e ndërlidhjes e komunikimit, ndërmjet grupit të inxhinierëve në Maliq dhe Harry Fultz-it, ripohojnë të njëjtat fakte.
Sipas proces-verbaleve të mbajtura, janë zhvilluar gjithsej tri takime, midis inxhinierëve dhe të dërguarit të misionit amerikan UNRRA, ku në këmbim të kryerjes së sabotimit, këta të dërguar kanë ofruar shpërblime në sterlina dhe monedha floriri. Një tjetër element interesant në dosje, lidhet pikërisht me dëshmitë e shkruara dhe të firmosura nga ana e dëshmitarëve, që ishin punonjës në Maliq, të cilët akuzojnë grupin e inxhinierëve, për sabotim të veprës.
Kohë-zgjatja: Proceset gjyqësore të të pandehurve filluan në datën 8 nëntor 1946 dhe përfunduan pas 10 ditësh.
Të pandehurit përmendin se me urdhër të Harry Fultz-it dhe sipas përgjegjësive përkatëse që mbanin në kryerjen e veprës, detyrat sabotuese ishin të ndara përkatësisht: “Abdyl Sharra duhet të sabotonte krejt punët në kanal”, duke e paraqitur si organizator të sabotimeve.
Akt – akuza
Akt-akuza e ngritur nga prokurori vijon si më poshtë: “Grupi tekniko-sabotator, ka kryer (që në verë të 1945):
- Vepra sabotazhi me stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike.
- Vepra spiunazhi në favor të agjentëve të huaj.
Kanë formuar një grup tekniko-profesional, për të sabotuar rindërtimin, fuqinë ekonomike të vendit dhe, si pasojë, për të përmbysur gjendjen e stabilizuar në vendin tonë, në lidhje me monarko-fashistët grekë dhe me reaksionin e jashtëm.
Më 8 nëntor 1946, Prokuroria e Gjykatës së Lartë Ushtarake, dërgoi për gjykim:
- Vasil Mano (Inxhinier)
- Kujtim Beqiri (Inxhinier)
- Mario Guarnieri (Gjeometër)
- Scaturo Eugenio (Llogaritar)
- Abdul Sharra (Inxhinier)
- Pandeli Zografi (Gjeometër)
- Zyrika Mano
- Jani Vasili
- Anastas Risto
- Mihal Stratobërdha (Gjeometër)
Në akt-akuzë theksohej se: “Të gjithë të pandehurit e mësipërm që kanë qenë me përgjegjësi të ndryshme për tharjen e Maliqit dhe që kanë pasur lidhje me elementë të jashtëm, janë të akuzuar se kanë kryer sabotime të rënda, duke i shkaktuar shtetit dëme të mëdha”.
Gjithashtu, specifikohet se; “për të kryer këto sabotime, të pandehurit kanë kryer mbledhje të fshehta, që u kanë raportuartë huajve rreth punimeve dhe që kanë ndjekur urdhëresat e tyre, për kryerjen e sabotimeve. Për gjykimin e çështjes, u caktua data e sotme”.
Nga terminologjia e përdorur, del qartë se vendin e argumenteve juridikë e zë gjuha ideologjike.
Prokuroria e Gjykatës së Lartë Ushtarake, kërkoi këto dënime:
- Vasil Mano – Dënim me vdekje
- Kujtim Beqiri (Inxhinier) – Dënim me vdekje, duke u varur në litar.
- Mario Guarnieri (Gjeometër) – Burgim të përjetshëm.
- Eugenio Scaturo – Dënim me vdekje
- Abdul Shara (Inxhinier) – Dënim me vdekje, duke u varur në litar.
- Pandeli Zografi (Gjeometër) – Dënim me vdekje.
- Zyrika Mano – Dënim me vdekje.
- Jani Vasili – 1 vit burgim kondicional (me kusht)
- Anastas Risto – 5 vjet burgim.
- Mihal Stratobërdha – 15 vjet burgim.
Për të gjithë të dënuarit me 5 vjet e lart, konfiskimin e pasurisë të luajtshme e të paluajtshme.
Ndërsa Gjykata, vendosi: Fajësinë e të gjithë të pandehurve, duke i cilësuar si sabotatorë dhe armiq të popullit:
- Vasil Mano – Dënim me vdekje.
- Kujtim Beqiri (Inxhinier)-Dënim me vdekje duke u ekzekutuar në litar.
- Mario Guarnieri (Gjeometër)-Dënim me burgim të përjetshëm.
- Scaturo Eugenio – Dënim me vdekje.
- Abdul Shara (Inxhinier)-Dënim me vdekje duke u ekzekutuar në litar.
- Pandeli Zografi (Gjeometër)-Dënim me burgim të përjetshëm.
- Zyrika Mano – Dënim me vdekje.
- Mihal Stratoberdha – 10 vjet burgim, punë të detyrueshme
- Anastas Risto – 2 vjet burgim, punë të detyrueshme
- Jani Vasili – 1 vit burgim me kondicional, me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira.
Për të 5 të dënuarit me vdekje, u urdhërua ekzekutimi i tyre në Maliq. Për tetë të dënuarit e parë, u urdhërua gjithashtu konfiskimi i pasurisë së tyre personale dhe humbja e të drejtave qytetare e politike.
Regjimi komunist, nuk u mjaftua me kryerjen e këtij krimi. Ai internoi familjet e tyre, duke i detyruar të rrojnë në skamje e poshtërim të etiketuara si familje të armiqve të popullit. Gjithashtu, përdori gjithë makinën propagandistike të kohës, shkrimtarët dhe kinematografinë, për të ndërtuar romane e filma dokumentarë të falsifikuar, me temë goditjen e veprimtarisë “armiqësore” në fushën ekonomike të “sabotatorëve” të kënetës së Maliqit.
Nisur nga këto fakte, përpara historianëve dhe studiuesve, është sfida e vlerësimit të saktë të dosjeve dhe e rindërtimit të së vërtetës historike, në kushtet kur dosjet hetimore kanë qenë objekt i mekanizmave falsifikues të shtetit diktatorial.
Për këtë arsye, luan rol të madh eksperienca individuale e historianit apo studiuesit, në raste të ngjashme dhe njohja e mënyrës si kanë funksionuar mekanizmat falsifikues, por edhe aftësia për të zbuluar e vlerësuar çdo detaj sado i vogël, apo i parëndësishëm në dukje, që mund të shërbejë për të hedhur dritë mbi shkallën e falsifikimit të këtij gjyqi. Memorie.al