Nga Ahmet Bushati
Pjesa e dyzetenjë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Pjerini, Nushi e shokët e tyne, do t’u ndjejshin shumë krenarë e entuziastë për kurajon që kishin tregue në gjyq. Nushi do të më tregonte deri në hollësi se si ata kishin diskreditue Enver Hoxhën e Komitetin Qendror, për të gjitha të këqijat që i kishin sjellë vendit deri atëherë. Kulmi, si mbas tyne, kishte qenë kur Pjerin Kçira, si ish-oficer Sigurimi, kishte denoncue vetë Sigurimin si autor të futjes së armëve në kishë, tue e çlirue kështu Kishën për herë të parë e publikisht prej nji akuze të randë, gja që te të pranishmit në sallë, u kishte pasë ba shumë përshtypje. Ndër tjera, do të më tregonte Nushi, se si pranë tyne kishte kenë afrue mësuesja e nderueme Meliha Dervishi, – bashkëshorte e Qazim Dervishit të burgosun – që e entuziazmueme prej qëndrimit të tyne në atë gjyq, u kishte thanë: “Ju jeni heronj”! Përfundimisht Pjerin Kçirën e dënuen me njizet vjet burg, kurse të tjerët me ma pak.
Nuk do të kalojshin veç disa ditë e gjyqi i tyne – për bujën e madhe që kishte shkaktue në popull, lidhun me denoncimin e Pjerin Kçirës – bashkë me vendimet e tij, do t’u anulojshin e nji trup tjetër gjykues, ushtarak e jo ma civil si deri atëherë, do t’i gjykonte prej s’parit e, përfundimisht t’i dënonte ma randë nga ç’kishin qenë dënue herën e parë, kurse vetë Pjerinin, me vdekje. E kur ata, atë mbas dreke vonë, t’u kthejshin prej këtij gjyqi të fundit, Pjerini, pa humbë asnji minutë kohë, do të më thirrte tue më folë: “Pjerinin me vdekje”! gja që në të vërtetë mue më bani shumë përshtypje, por që unë, me qëllim inkurajimi, do t’i thojsha gjoja si me indifference se;
“Nji vendim i këtillë, nuk do t’u zbatonte asnjiherë”, kryesisht për moshën e re që ai kishte, si edhe se ai vendim ishte marrë formalisht, sa për të mbajt në fre popullin, që tue përfitue prej klimës disi të liberalizueme, mund të sillte ndonji shqetësim për ta, e tjera dokrra të mia, që te Pjerini i squet e i guximshëm, nuk do të ndikojshin aspak, sepse ai, siç do të thonte edhe vetë, i njihte ma mirë se kushdo tjetër komunistët, gja që do ta tregonte edhe përgjigja që aty për aty më pat dhanë: “Jo, jo, ata vendimin me vdekje, s’e ndrrojnë kurrë ma, prandej u ba ky gjyq i dytë, që mue të më dënojshin me vdekje. Ata s’ma falin kurrë dekonspirimin që u kam ba në lidhje me futjen e armëve në kishë. S’ka gajle, unë boll që bana temen”!
Unë nuk di se në ç’shqipe duhen përkthye këto fjalë të mrekullueshme të Pjerin Kçirës, “lapidare” për nji të ri që ishte nisë me vdekë, fjalë kaq të sinqerta, ndër ma të fundit e jetës se tij të re, që të mund meritojnë, në mos levdatën e dhimbjen nga ana e ndonji të zemruemi të përjetshëm, s’pakut gjykimin e drejtë e njerëzor nga ana e të gjithëve pa përjashtim. Siguria e tij se do t’u ekzekutonte e qetësia me të cilën ai po e fliste atë gja, provojshin edhe nji herë se ai, jo vetëm që s’po kishte frikë prej saj, por edhe se “espiacionit” (shlymjes së mëkateve), pa kompromis e lëkundje, po i shkonte me vendosmëni deri në fund. Nga bisedat e tij “telefonike”, prej birucës në birucë, disa herë kishte vue në dukje pendesën e thellë për të kaluemen e tij komuniste e, në Sigurim.
Nuk ma merrte mendja që ato dy-tri biseda të shkurta që pata ba me të atë mbas dreke vonë, të kishin qenë të fundit. Si pa u kuptue, në t’errun Pjerinin papritmas e nisën për në burgun e Gestapos, për të mos e takue kurr ma. Mbasi edhe na t’ishim dënue e kalue në Burgun e Ri, do të ndigjojsha me dhimbje se Pjerinin e kishin pushkatue, rreth dy muej mbas kësaj kohe, d.m.th., diku kah fundi i atij gushti.
Për ditën e fundit të jetës së Pjerin Kçirës në burgun e Gestapos, ma s’parit mue do të më fliste njifarë Ndue Lalet prej Mirditet, që edhe ai kishte qenë i dënuem me vdekje e, në nji burg me Pjerinin, por jo në nji dhomë burgu me të. Si Ndoj, do të më fliste mbas do ditësh tjera edhe Ruzhdi Rroji e, gjithashtu edhe ndonji tjetër, por ma me hollësi do të më fliste Gjon Ljarja, që me Pjerinin atje në burgun e Gestapos, e kishte pasë nda vetëm nji perde muri: “Nadjen e ditës së fundit te Pjerini, erdhën me radhë Rasim Dedja – që ishte shef Sigurimi në atë kohë – dhe Ali Xhunga ma vonë, të cilët i komunikuen se lutja për falje jete që kishte ba familja, nuk i ishte marrë parasysh. Ata në atë rast ia kishin njoftue edhe orën, në të cilën ai do t’u pushkatonte atë natë.
Andej kah dreka i sollën në takim të fundit nanën e të fejuemen e tij, dhe ndërsa ato gjatë takimit do të qajshin me dënesë e, tue ia ndukë e puthe Pjerinit edhe rrobat deri poshtë ndër kambë, Pjerini nga ana e tij, vazhdimisht kërkonte me u dhanë zemër atyne, tue u thanë: “Mos qani, mos qani, mos ndieni hiç, se shokët kanë me ma marrë hakun”!
Mbasi Gjoni të tregonte se si në nji vakt dreke aty ia kish mbërrij edhe i vëllau, Biku, prej Gomsiqes, ku ishte mësues, do të vazhdonte me më tregue se ai vetë në atë kohë ndodhej në nji dhomë burgu me Lin Sallakun e, nji mirditor. “Me nxitjen kambëngulëse të Linit, që në atë ditë qëndronte i mërzitun shumë, unë ma në fund pranova me hypë në shpinë të atij mirditori e prej hekurave sipër derës, ta pyetsha Pjerinin, lidhun me ardhjen e atyne oficerëve në nadje e mesditë. Pjerini më sqaroi fjalët e tyne lidhun me pushkatimin që do t’i bahej në mbramje vonë”. E Gjoni prap do të vazhdonte: “Gjatë mbas drekës, na e ndigjoshim se si ai këndonte me za të ultë, kangë kombëtare. Para mesnate atë e nxorën prej dhomës për ta çue me e pushkatue. Sa doli Pjerini në korridor të burgut, thirri fort nja dy-tri herë, “Lamtumirë shokë, ma bani hallallë! Lamtumirë shokë”! – thirri edhe ma me forcë kur duel në oborr të burgut e, përsëri edhe kur po e hypshin në makinën që po e çonte për në Zallë të Kirit!
Lidhun me të kaluemen e Pjerinit si hetues për trembëdhjetë muej me radhë, unë dhe askush nuk mund ta përjashtojë atë prej dhunës që ai mund të ketë përdorë mbi viktimat, që atij t’i jenë afrue për t’i hetue, sepse përndryshe, ai s’do të kishte qenë hetues Sigurimi. Por që megjithatë, ka pasë edhe ish-të proceduem prej tij, që kanë pohue se ai mbi ta nuk ka përdorë dhunë e nji prej tyne do t’ ishte edhe Ruzhdi Rroji. Nji gja të tillë do të ma konfirmonte edhe Matish Çefa, si i interesuem që kishte kenë për ish-shokun e tij të klasës e bankës në Shkollën e Fretënve. Patër Leon Kabashi, do të kishte fjalët ma të mira për ish-nxanësin e tij, Pjerinin, në shkollë të Fretënve e, se për aktin e tij të sakrificës në dobi e nderë të Kishës, ai do të lente të shkrueme gjashtë faqe fletorjet, ku ta quente Pjerinin edhe hero.
Mue nji herë Patër Leoni do të më përshkruente miqësisht nji rast, kur ai kishte kenë tue dhanë meshë në Kishë të Fretënve, viti 1991, e si atij në predikim e sipër, ashtu papritmas, i ishte shfaqë Pjerini, nën nji dritë të veçantë e si hyjnore, nga e cila gja ai kishte shtangë pa ditë se ç’po ndodhte me të, e do të provonte emocione edhe mbas dy-tri vjetësh mbrapa, kur t’u përpiqte me ma tregue, pa qenë përsëri në gjendje me e shpjegue si duhet atë rast, për vetë pamundësinë me u shpjegue, si mbas vetë Patër Leonit.
Askush në Shkodër s’ka pse të jetë i ashpër me nji birin e saj të denjë, për shkak se ai gjatë rreth trembëdhjetë muejve i paska shërbye diktaturës, si oficer Sigurimi. Ka qenë pendesa e tij e thellë dhe e sinqertë, si pasojë e mundimit të tij në ndërgjegje, që atë, për të shlye nji gabim pa dashje të rinisë së tij, e pat çue deri në luftë me pushtetin komunist, për çka ai mbrapa do të vuente me dinjitet disa muej biruce e hetuesie, do të sfidonte nji pushtet të egër e hakmarrës, kur në gjyq, – pavarësisht prej pasojave- të lëshonte më shumë kurajo atë deklaratë të tij të famshme, mbas së cilës ai do të priste mandej me qetësi edhe vdekjen, në kohë që s’kishte pasë veç njëzetekatër-njëzetepesë vjet jetë.
Ia kemi me borxh dy fjalë edhe Bajram Bajraktarit, që në Shkodër bani burg e ku edhe pushon me vorr!
Bajram Bajraktari, vëlla ma i vogël i Muharrem Bajraktarit, kishte ndjekë e mbarue me medalje të artë shkollën e mesme në Romë e ndërpre universitetin n’ degën e Jurisprudencës, mbas tre vjetësh, për t’u kthye në Shqipni përkrah vllaut të tij, Muharremit, për të luftue pushtuesin italian. Katër herë kishte qenë plagosë Bajram Baraktari: ma s’parit në përpjekje me milicët fashistë, dy herë tjera në luftime me partizanë shqiptarë e, nji herë të fundit, kur bashkë me çetën e të vllaut, po tentonte për me kalue me luftë kufinin maqedono-grek, kur pra mbas dy ditësh luftimi, Muharrem Bajraktari do t’ia dilte me u hedhë në Greqi, por tue pasë lanë 22 trima të tij të vramë e, Bajramin e plagosun randë e, ndër duer të partizanëve maqedonas.
Të gjithë ata që patën kenë në nji dhomë burgu me Bajram Bajraktarin, do të kishin fjalët ma të mira për të, e nji ndër ta edhe Gjon Ljarja, i cili fjalët e Bajramit, do të na i transmetonte kështu: “Jugosllavët më mbajtën për disa kohë në nji burg në Beograd. Funksionarëve të atyne burgjeve, unë vazhimisht iu lutsha që të më kthejshin në Shqipni dhe ata, në të gjitha rastet, do të më thojshin se në Shqipni unë do ta kisha punën ma keq se në vendin tyne, gja që unë s’e besojsha kurrë, e se disa herë unë iu kisha përgjegje atyne; ‘S’ka gja, ata janë vëllaznit e mi’”! Ma në fund, do të vazhdonte Gjoni me fjalët e Bajramit: “Ata, tue pasë parasyshë lutjet e mija të vazhdueshme, nji ditë më sollën në Kukës, ku nji Zot e din se ç’kam hjekë prej torturave që më kanë ba për nji muej rresht. Për shumë kohë kam lutë vdekjen”!
Në vitin 1949, Bajram Bajraktarin e dënojnë me vdekje dhe bashkë me të tjerë të dënuem me vdekje, do t’i mbajshin për disa muej të izoluem në nji nga qelitë e Burgut të Gestapos. Nji ndër ta do t’ishte edhe Ndue Lala prej Mirditet, i dënuem me vdekje mbas vrasjes së Bardhok Bibës, që të falun jetet, do ta sillshin mbrapa në nji dhomë burgu me mue, me ç’rast ai do të më fliste kështu për Bajram Bajraktarin: “Kam pa e s’kam pa, por trim si Bajram Bajraktarin, nuk pata pa në jetën teme e, s’ka si t’jetë kush ma trim se ai. Të gjithë të dënuemt me dekë ishim në nji vend e, Bajrami rrinte sa me njenin, aq me tjetrin, tue i dhanë zemër secilit e, tue u mundue me binde herë njenin e herë tjetrin, se nuk do ta pushkatojshin, e tue përsëritë vazhdimisht se i vetmi që do t’u pushkatonte nga ajo dhomë, do t’ishte ai vetë, si vëlla i Muharrem Bajraktarit që ishte. Sidomos iu dhimbte Ruzhdi Rroji, si ma i riu ndër ta, e i rrinte ma afër se tjerëve”.
Këto fjalë të Ndue Lalës, do të m’i konfirmonte edhe vetë Ruzhdi Rroji, mbasi t’ia kishin falë jetën. Bajram Bajraktarin do ta pushkatojshin me 30 shtator 1949, pikërisht ditën kur ai po mbushte tridhjetë vjet jetë.
Fran Gjoni prej Boget e, Durmish Vehapi prej Lumet, në nji birucë me mue në dy-tri javët e fundit të mia në Sigurim!
Mbas nji qëndrimi prej shtatëmbëdhjetë muejsh i vetëm në birucë, për herë të parë më fusin aty nji burrë me trup pak a shumë të shkurtë, që ishte prej Boget të Malcisë së Madhe e, që emnin e kishte Fran Gjoni. E kishin burgosë për opinion brenda nji mbledhjet të thirrun prej Këshillit të Katundit, ku edhe pa paralajmerim e as pretekst, por për terror, e kishte plagosë në kambë krimineli Asllan Lici. Bisedat me Franin nuk do të kishin të mbaruem. Ai ishte i squt, i shkathët e shumë i rrahun me jetën. Kishte miqësi me disa familje të njohuna shkodrane, si ato të Rexhep Vjerdhës, Sait Bilalit, Dan Dibrës etj.
Për bisedat e shumta e të ndryshme që ai më bante, m’u dukte se me vete aty në birucë kishte sjellë për mue nji botë. Ndonjiherë, mbas nji bisede të gjatë që mund të kishim ba, m’u jepte me e ngacmue në pretendimet e tij prej malcori, dhe ai, disa herë në kësi rastesh, do të reagonte fizikisht. Për të thye rutinën e nji biruce burgu, ndonjiherë do të bajshim edhe mundje, kur ai, tue përfitue prej dobsimit tim fizik, me ndonji përjashtim të rrallë, rregullisht ai do të dilte fitues.
Meqë edhe birucës time i ishte hapë dera, mbas nja nji jave tjetër aty na sollën nji burrë prej Lumet, me emnin Durmish Vehapi e me veshje karakteristike të vendit të tij. Në atë kohë ai m’u dukte mjaft i vjetër e, në fakt mund t’mos ketë qenë aq. Fytyrën e kishte të zeshkët e gjithë rrudha. Sidomos në ballë, rrudhat i kishte të thella, ndonëse tiparet e buta të fytyrës së tij ishin pasqyrë e vërtetë e nji karakteri të mirë e fisnik.
Edhe po ta ngacmojshim ndonjiherë unë ose Frani, ai asnjiherë s’do të na e merrte për të keq, përkundrazi, edhe vetë do të qeshte mbrapa bashkë me ne për nji përgjigje naive që mund të na kishte dhanë. Kështu nji herë e pyeta Durmishin: “Durmish, tash që po ban edhe burgun si politikan, nesër me ndrrue puna, ç’ka do të dishrojshe me u ba”? Dhe Durmishi buzagaz, por sinqerisht e me naivitet, do të m’u përgjigjte: “Xhandar”! Ku ishte gazi i jonë! Qeshte edhe vetë ai. Dhe mandej i ngrati Durmish, me fjalët e tij të thjeshta, do të na shpjegonte se detyrën e xhandarit nuk e donte për me i ba kujt keq, por për randësinë që ai do të merrte me atë rast para tjerëve, prej uniformës që do të kishte veshë.
Bisedojshim për gjithçka e deri natën vonë, e natyrisht edhe qeshshim për ndonji gja. Tue pasë parasysh Durmishin që ishte aq i mirë si njeri, kushedi sa herë kisha thanë me vete: “Si asht e mundun, që njerëzit si Durmishi, tue pasë qenë kaq të vorfën e në luftë të përhershme me jetën, të kishin ruejtë të paprekun gjithaq ngrohtësi njerëzore e zemër të bardhë”?! Në mbasditen e 25 qershorit të 1949-ës, na do ta mbyllshim gjyqin tonë e para se me disa të dënuem të tjerë të na çojshin në burgun e Çekës, mue më kthyen edhe nji herë në burg të Sigurimit. Asht e vështirë të përshkruhet malli me të cilin u ndamë unë e dy miqtë e mi të birucës. Ndërkohë që Durmishi nisi të qante si fëmijë, ende pa u pasë përqafue me mue, Frani ishte ngri e kërkonte të mbante veten, tue mos me shikue në fytyrë.
Kur mue policët të më nxirrshin në korridor për të më bashkue me të burgosunit e tjerë – që edhe ata si unë, kishin të njajtin destinacion – Durmishi, tue përfitue prej derës së birucës ende të pambyllun, jashta çdo rregulli të burgut, po vinte mbas meje gjithnji tue qa, e natyrisht, pa mundë me nxjerrë asnji fjalë prej gojet. Do të më përqafonte e përqafonte disa e disa herë e gjithnji tue qa, dhe mund të them se në qoftë që unë ndonjiherë gjatë jetës time, kam kalue brenda gojës lot të tjetërkujt, e provue me bollëk shijen e njelmët të tyne, kanë qenë ata të plakut Durmish Vehapi prej Bicajve të Lumës, të cilin, si shumë të tjerë e të tjerë, s’e pashë kurr ma. Mbrapa do të ndigjojsha se si Frani, ashtu edhe Durmishi, tue pasë përfitue nga “kthesa”, ishin lirue si të pafajshëm.
Pështjellim i papritun në të gjithë burgun!
Burgu i jonë, me shumicë prej atyne që pritshin me dalë në gjyq nji natë, krejt papritmas, do t’u përfshinte në dialogje të shkurta e shumë të zhurmeshme të burgosunish, sidomos mes atyne që u akuzojshin për tentativë ose, akte të kryeme në bashkëpunim. Mjaftoi që nji i burgosun t’i fliste prej së largu me ton e kërcënim nji tjetri, për nji proces me të pavërteta që ai kishte nënshkrue nën presion e dhunë, dhe i gjithë burgu të shpërthente si vullkan, në të folme të pandalshme prej nji biruce në tjetrën.
Ma të shumtët, tue përfitue prej asaj gjendjeje të shkrehun, po kërkojshin në atë rast me kombinue me njeni-tjetrin qëndrimet që do të mbajshin para gjyqit. Po ndërkaq, kishte edhe nga ata të burgosun, që tue thirre nji shok a mik të tyne, do t’u mjaftojshin me pyetje e urime të shkurta si: “Si je? A hoqe keq? A ke marrë vesht kah shpija”? e; “Ishallah shkon e i gjenë mirë e sa ma parë”!
Në këtë rast, urimet pak a shumë do t’ishin të njajtat, kurse përgjigjet për pyetjet “A hoqe keq”, “A vuejte shumë”, etj., do të ishin edhe:”Boll besa, veç der nja ty”; ose “Mos pvet, mos pvet”; ose edhe; “Pak pa më pasë dalë shpirti”, etj. Kishte edhe raste kur nji i burgosun, edhe pse e dinte që fjalët e tij po u ndigjojshin prej të tjerëve, u detyronte që në emën të dramës që ma s’parit kishte gjet familjen e tij, si dhe atë vetë, të bante me atë rast edhe deklaratë, si p.sh.; ajo e L. Barbullushit, që te shtëpia kishte lanë grue e fëmijë të vegjël e, që në hetuesi kishte rezistue për t’mos marrë mbi vete faje të paqena.
Nën tonin e ashpër e autoritar të tij, do të binte në heshtje i gjithë burgu: “Xh. B., ndigjo mirë ç’ka po t’tham: ke rastin ta rregullosh punën kur të dalim në gjyq. Duhet t’i mohosh pa tjetër shpifjet që me ke ba në hetuesi. Nuk t’ka borh familja jeme. Veje mirë në vesh ça po të thom, pra t’i mohosh në gjyq, të tana ça ke thanë për mue, përndryshe e din vetë”. Kurse vetë i ngrati Xh. B., që e ndigjonte e ndigjonte, sa prej turpit, aq edhe prej rimorsit, për mosqendresën e tij në hetuesi, ku nën presion e torturë kishte firmosë nji deklaratë plot me akuza, për vete e të tjerët, nuk u bante i gjallë.
Mbas nji viti e gjysë në Sigurim, takohem edhe nji herë me Beqirin, policin e mirë!
Tue pasë shkrue për ditët e para të burgosjes time, diku kam folë edhe për nji polic të mirë me emin Beqir, që me sa mbaj mend prej bisedës me të, kishte qenë prej fshatrave të Devollit. Tue shfletue edhe nji herë ditarin tim të përciptë mbas daljes prej burgut, lidhun me këtë njeri, gjej të shkrueme: “Edhe pa folë, fytyra e tij ishte e kuqe e u skuqte edhe ma, po të hynte në bashkëbisedim me njeri. Buzët e tij si dy shirita të hollë mishi në ngjyrë mavi dhe nji kapotë e madhe partizane që atë e mbështillte lirshëm, do të më fliste për nji trup të brishtë që kishte, të brishtë, por që brenda i rrihte nji zemër e madhe shqiptari të thjeshtë. ”
Kur ndër ato ditë të vështira të fillimit të hetimit, s’ndigjojsha tjetër veç kërcënime e klithma kriminelësh të Sigurimit, do t’ishte ky Beqiri, që në kundërshtim me ta, do t’m’u afronte në sportel me sjelljen njerëzore të nji njeriu të mirë e, të më fliste ditë për ditë si të kishte qenë nji i njohun i imi. Qeshë nda prej tij andej kah shkurti i vjetit të kaluem, për t’mos u pa ma asnjiherë mbrapa, veç në mbramjen e rëmujshme të kësaj nate, për të cilën po flitsha pak ma sipër:
U ndodhsha pranë derës së birucës tue ndigjue “mesazhet” që të burgosunit i transmetojshin shoqishojt, kur papritmas, para fytyrës time hapet sporteli prej policit të shërbimit, në fytyrën e të cilit unë menjiherë do të njifsha Beqirin e dikurshëm, ndërkohë që shikimi i tij i ftohët, tregonte se ai me kishte harrue krejt. Koha e gjatë që kishte kalue deri atëherë, ndryshimet dhe unë kisha pësue prej torturave e qëndrimit të gjatë aty, kishin ba që ai, tue mos më njohë, të më shikonte me indiferencë për ndonji çast e t’u largonte menjiherë, nëse unë, tue vue buzën në gaz, nuk do t’i thosha:
“Beqir, a s’po më njef-a”?! Mbas kësaj, ai rrudhi ballin mendueshëm e si m’i nguli fort sytë, u zmbraps që të më shikonte edhe ma mirë nga distanca, por përsëri pa mu nda me ditë se cili isha. Ai nuk do të më njihte, as kur unë t’i thojsha: “Si mor Beqir, nuk po më njeh”?! dhe të vazhdojsha: “Beqir, nja nji vitë gjysë ma parë, ti a pate njohë aty në birucën nr. 9 nji djal të ri, student, me emnin Ahmet Bushati”? U vue të mendonte e mbas pak çastesh, i ndezun në fytyrë, u hodh si me sustë e, tue lëshue i çuditun disa nga ato pasthirmat e t’folmes toske; “Ua, ua, ua”! dhe mandej, sikur të ishte tue pyetë veten, të vazhdonte: “Ti, Ahmet Bushati?! Ti, Ahmeti”?! – e në vazhdim, me sy të përlotun: “Po ç’të paskan bërë, mor Ahmet?! Po si, që atherë këtu?! Ua, ua”! e do të çonte vazhdimisht vetullat përpjetë nga keqardhja e çudia. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016