Nga Arben P. Llalla
Pjesa e dhjetë
– Kolaboracionistët grek, projektuesit dhe udhëheqësit e gjenocidit në Çamëri (1944-1945) E vërteta e bashkëpunimit të çamëve, me gjermanët –
PARATHËNIE
Memorie.al / Periudha që kam nisur për të shkruar librin ka qenë nga viti 2008-2016, duke mbledhur materialet pak e nga pak. E kam patur tepër të vështirë për të gjetur fotografitë origjinale dhe disa gazeta në gjuhën greke, për vitet që bëhet fjalë. Shteti grek me strukturat e saj shtetërore prej rreth 70 vitesh, e ushqejnë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, me libra dhe shkrime të gënjeshtrës rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1936-1945, në lidhje me minoritetin shqiptar në Çamëri-Epiri i Jugut.
KREU VI
Roli i klerikëve orthodoks grek në gjenocidin e viteve 1944-1945, kundër popullsisë shqiptare në Çamëri
Prandaj mendoj se ka ardhur koha që të hapet një diskutim i tillë serioz për t’u vënë drejtësia në vend dhe nderi i çamëve. Pas kaq shumë vitesh është mirë të bëhet korrigjimi i kësaj historie të shëmtuar, të akuzave të pavërtetuara për një vepër të pa bërë asnjëherë nga çamët në dëm të Greqisë dhe grekëve. Vetëm në këtë mënyrë grekët dhe shqiptarët do të mund ta shikojnë njeri-tjetrin në sy dhe të ndërtojnë fqinjësinë e mirë.
Foto 1. Historianët dhe studiuesit grek këtë foto e paraqesin se janë ushtarët çam me uniformë gjermane SS. Fotoja origjinale në gjuhën greke, thotë se janë myslimanët nga Bosnja-Hercegovina, me uniforma SS. Kjo foto origjinale gjendet në librin e Leon Degrelle; “Historia e Trupave SS”, botuar në Athinë më 1992.
Foto 2. Historianët dhe studiuesit grek këtë foto e paraqesin se janë ushtarët çam me uniformë italiane që përshëndeten nga një oficer gjerman. Për këtë foto studiuesi Robert Elsie shkruan se; janë Luftëtarët anti-komuniste në Shqipëri nën komandën gjermane, vjeshtë 1943.
Në librin e historianit polak, Janusz Piekalkieëicz, “Krieg auf Balkan 1940-1945”3, e kemi këtë me shënimin: “Albanien, Herbst 1943. Von Deutschen aufgestellte Anti-Partisaneneinheit in italienischen Uniformen, mit italienischen Waffen und in selbstgefertigten Schuhen” (Shqipëri, Vjeshtë 1943. Një njësi anti-partizane e ngritur nga gjermanët, me uniforma italiane, me armë italiane dhe me këpucë që i kanë bërë vetë).
Në një faqe interneti në Greqi, këtë foto e ndeshim duke shoqëruar një shkrim ku thuhet se janë vllehët e Legjioneve Romake të Autonomisë së Pindit4. Të njëjtën foto e gjejmë me shënimin se bëhet fjalë për “Legjionet Romake” të Vllehve të Pindit. Pra, nga kërkimet nxjerrim përfundimin se nuk janë shqiptarët e Çamërisë, por shqiptarët në Shqipëri.
Foto 3. Historianët dhe studiuesit grek këtë foto e paraqesin se janë ushtarët çam me uniformë italiane dhe gjermane SS. Por, e vërteta është se bëhet fjalë për shqiptarët në Tiranë me pushtuesit italianë, duke festuar 28 nëntorin përpara bustit të Abdyl Frashërit.
Për këtë foto edhe serbët shkruajnë se janë shqiptarët fashistë në Tiranë. Pra nuk bëhet fjalë assesi për shqiptarët e Çamërisë. Qartë dallohet se dy njerëz me rroba civile kanë plisin e bardhë në kokë, që e mbajnë shqiptarët e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipërinë e Veriut.
Foto 4. Historianët dhe studiuesit grek, këtë foto e paraqesin se janë ushtarët çam me uniformë italiane dhe gjermane SS, duke parakaluar në Çamëri. Në këtë foto mund të jenë shqiptarët e ish-Jugosllavisë, diku në Peje, Prizren ose Prishtinë, duke festuar 28 nëntorin.
Qartë dallohet se njerëzit kanë plisin e bardhë në kokë, që e mbajnë shqiptarët e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipërinë e Veriut. Një faqe interneti që e kanë serbët shkruajnë se; janë shqiptarët në ish-Jugosllavi.
Foto 5. Historianët dhe studiuesit grek këtë foto na e paraqesin se janë ushtarët çam me uniformë gjermane SS, duke biseduar me komandantin e përgjithshëm të trupave SS, Heinrich Himmler.
E vërteta është se Heinrich Himmler, ka qenë në Greqi në maj të 1941, por nuk është takuar me asnjë shqiptar të Çamërisë, por me ushtarakët grek.
Këtë fotografi e gjejmë në një faqe interneti greke, me shënimin për fotografinë në fjalë, se janë trupat shqiptare Skanderbeg SS në Kosovë.
Por unë kam dyshime se fotografia në fjalë, mund të jetë bërë në tetor 1942, në Kraljevo të Serbisë, duke shikuar kapelat që kanë në kokë civilët. Njeri prej tyre mban kapelën tradicionale popullore serb, të quajtur Shajkaça.
Heinrich Himmler qëndroj disa ditë pranë trupave gjermane në Kraljevo në tetor 1942. Por, sido që të jetë e vërteta e kësaj fotografie, e rëndësishme është se nuk bëhet fjalë për shqiptarët e Çamërisë, me uniformë gjermane SS.
Kryeministrat e Greqisë së pas luftës, bashkëpunëtorë të gjermanëve
Shqiptarët e Çamërisë ishin të vetmit që u masakruan, u përdhunuan, ju rrëmbye pasuria, u përzunë nga shtëpitë e tyre, nën akuzën se ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Kjo akuzë kolektive për herë të parë në historinë e re të botës, i ndodh një populli që të përbuzet kaq rëndë, vetëm e vetëm se disa individë që i përkisnin etnisë së saj, ishin spiunë apo bashkëpunëtorë të pushtuesit paqësor të Greqisë. Gjermanët u pritën me paqe dhe nderime nga politikanët, Kisha greke dhe populli i saj.
Pra, gjermanët mund të quhen me të drejtë pushtues paqësor të Greqisë. Me gjermanët bashkëpunuan mijëra grekë, vlleh, sllavo-maqedonas, bullgarë, romë, etj., shtetas të Greqisë, por familjet e këtyre bashkëpunëtorëve nuk u dënuan asnjëherë, nuk ju sekuestrua pasuria, por nga familjet e bashkëpunëtorëve të gjermanëve dolën kryeministra, ministra, deputet, figura të shquara të jetës shoqërore të Greqisë, pa u persekutuar asnjëherë.
Më poshtë do sjellim fakte që bashkëpunëtorët e gjermanëve u bënë deputet, ministra, kryeministra dhe kryetar shteti të Greqisë, të pas viteve 1945. Lista e politikanëve grek që rrjedhin nga familje që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, mund të jetë edhe më e madhe, por ne po sjellim emrat e disave që janë botuar në gazetat, revistat dhe librat e autorëve grek.
Bashkëpunim me gjermanët ka patur Gjeorgjio Merkuri, kryetari i partisë Nacional Socialiste Greke, i cili është gjyshi i ish-ministres dhe deputetes së ndjerë Merlina Merkuri. Gjeorgjio Simitis është babai i ish-kryeministrit të Greqisë Kosta Gjeorgjios Simitis, 1996-2004, ministër 1985-1990.
Gjeorgjio Simitis, gjatë kohës së pushtimit gjerman u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Bankave të Greqisë, një post i lartë shtetëror. Por në vitin 1944, Gjeorgjio Simitis duke nuhatur se gjermanët po e humbnin luftën, ju bashkua në male grupeve të rezistencës. Ai, u akuzua për zhdukjen e 8.000 paund, që kishin dërguar aleatët si ndihmë.
Konstandin G. Karamanlis (1907-1998), ishte një nga politikanët e njohur të Greqisë. Sipas disa dokumenteve të kohëve të fundit, del se ai ka qenë bashkëpunëtor i gjermanëve në Selanik, gjatë periudhës 1941-1945. Në dokumentin e CIA-as, 16 shtator 1962, thuhet se emri i Konstandin Karmanlis, është i përfshirë në listat e bashkëpunëtorëve të gjermanëve të Merten, për përzënien e hebrenjve.
Pas pak kohësh pritet të dalë në qarkullim libri i Mitch Fatouros, një greko-amerikan i cili do sjelli të dhëna nga dokumentet e CIA-as, fotografi për bashkëpunimin e Konstandin Karamanlisit me pseudonimin “Kryepeshkopi”. Gjatë periudhës së pushtimit gjerman, Konstandin Kramanlis shoqërohej me një femër të quajtur Lili Mak, me origjinë ruse, e cila ishte agjende e Gestapos gjermane.
Në vitin 1942, italianët e arrestojnë Lili Mak dhe gjyqi e dënon me burg, por me ndërhyrjen e gjermanëve, ajo u liriu. Në vitin 1946, Lili Mak, bashkë me nënën e saj Elenin, dolën përpara gjykatës greke në Athinë, me akuzën si bashkëpunëtorë të gjermanëve. Ato u mbrojtën në gjyq nga avokati dhe deputeti Konstandin Karamanlis, i cili e fitoj gjyqin dhe nuk u dënuan.
Kryeministrat e Greqisë së pas luftës bashkëpunëtorë të gjermanëve
Konstandin G. Karamanlisi, që nga viti 1946 ka qenë deputet, ministër dhe katër herë kryeministër i Greqisë nga viti 1955-1963, 1974-1980. Në vitin 1980-1985, ishte Kryetar i Republikës Demokratike të Greqisë, gjithashtu edhe më 1990 – 1995 ishte Kryetar i Greqisë.
Konstandin Karamalisi, është xhaxhai i ish-kryetarit të partisë Demokracia e Re, Kosta Aleksandër Karamanlis, i cili ishte kryeministër më 2004-2009. Nga viti 1989 e deri më sot, është deputet i Demokracisë së Re në Kuvendin e Greqisë.
Gjeorgjios Joanis Rallis (1918-2006), është djali i kryeministrit të Greqisë 1943-1944, Joani Rallis, i cili ishte bashkëpunëtor i gjermanëve dhe vdiq në burg. Gjeorgjios Rallis në vitin 1950, u zgjodh deputet në Kuvendin e Greqisë.
Ka qenë ministër i disa ministrive nga vitet 1950-1958, 1961-1963, 1967, 1974-1980. Në vitin 1980-1981, ishte kryetar i partisë Demokracia e Re dhe kryeministër i Greqisë. Dha dorëheqje si deputet dhe u tërhoq nga jeta politike në vitin 1993.
Konstandinos Micotaqis (1918-), është njeri nga politikanët e fortë të Greqisë. Micotaqi është nipi i ishkryeministrit Elefteros Venizellos. Konstandin Micotaqi u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1946, më 2004 dha dorëheqjen si deputet dhe nga jeta politike.
Ka qenë ministër i disa ministrive më 1965-1966, 1978-1981. Në vitin 1984 u zgjodh kryetar i partisë Demokracia e Re, dhe më 1990-1993, ishte kryeministër i Greqisë. Është babai i dy deputetëve, Dora Bakojani dhe Qiriako Micotaqis.
Gazeta greke ‘AVRIANI’ e qershorit të vitit 1985, botoj një fotografi ku shihet Konstandin Micotaqis, në mes të dy ushtarëve gjermanë. Në vitin 1989, pas rënies së murit të Berlinit, dy ish-agjentët e STASIT të Gjermanisë Lindore deklaruan në një emision televiziv se kishin marrë porosi që të gjenin materiale ku të vërtetohet bashkëpunimi i Micotaqit me nazistët gjermanë.
Ata kishin gjetur fotografinë në fjalë dhe ua dhanë porositësve. Pas disa vitesh gazeta ‘AVRIANI’, botoj një shkrim ku deklaronte se fotografinë ku shihet Micotaqis, me dy ushtar gjermanë ua kishte dhënë drejtuesi i lartë i PASOK-ut, Kosta Laliotis.
Sido që të jetë e vërteta ka bashkëpunuar apo jo me gjermanët ish-kryeministri Micotaqis, as gazeta ‘AVRIANI’, as Lalioti që u përfol se e ka siguruar këtë foto, dhe asnjë individë që e botoj ndër vite, familja Micotaqis nuk ngriti padi penale për shpifje ndaj tyre. Kjo le të nënkuptosh se fotografia kishte qenë origjinale.
Kosta A. Karamanlis (1956- ), është djali i vëllait të Konstandin G. Karamanlisit, i cili është akuzuar kohëve të fundit si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe ka patur të dashur në periudhën e pushtimit gjerman, një agjende të Gestapos, Lili Mak. Kosta Karamanlis, u zgjodh për herë të parë deputet më 1989 me partinë Demokracia e Re.
Në vitin 1997 u zgjodh kryetar i partisë së djathtë Demokracia e Re dhe nga viti 2004-2009. ishte kryeministër i Greqisë. Vazhdon të jetë deputet i partisë Demokracia e Re. Pra, Kosta Karamanlisi. u përket atyre familjeve që kanë bashkëpunuar me gjermanët. gjatë viteve 1941-1944.
Evangjelios Meimaraqis (1953-), ish-kryetar i partisë Demokracia e Re, ish-ministër 2006-2009, ish-kryetar i Kuvendit të Greqisë 2012-2015, deputet që nga viti 1989, rrjedh nga një familje që është akuzuar se ka përkrahur dhe bashkëpunuar me gjermanët në ishullin e Kretës.
Familja Meimaraqis, për herë të parë nxori deputet në vitin 1945, Vasileos Meimaraqis, i cili dënoj sulmet e kretasve kundër ushtrisë gjermane dhe përkrahu qeverinë e Gjeorgjio Çolakoglu.
Gjyshi i tij me të njëjtin emër, avokati Evangjelos Meimaraqis, përkrahu ushtrinë gjermane dhe dënonte sulmet e guerrilasve kundër tyre. Gazeta ‘AKROPOLI’, 4 qershor 1941, shkruan për vizitën e Vasili Meimaraqit në kampin e trajtimit të oficerëve të qeverisë Çolakoglu dhe dënoj krimet e kretasve kundër gjermanëve.
Më 27 prill 1944, britanikët dhe forcat e rezistencës në Kretë, rrëmbyen gjeneralin gjerman, Heinrich Kraipe. Emri i avokat Evangjelos Meimaraqis, figuron në peticionin e intelektualëve të Kretës, që dënonin sulmin dhe rrëmbimin e gjeneralit gjerman Kraipe. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm