Nga Sokrat Shyti
Pjesa e pesëdhjetetre
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Kujdesi i vazhduar nga provokimet të mbron të mos biesh në kurth. Sigurisht bashkë do shihemi rrallë. Mos i shfaq asnjë përshtypje komisarit dhe komandant Sulës, kur të futesh në fjetoren hangar. Përmbaje veten dhe mos paraqit asnjë habi tmerri nga kjo pamje, si stallë provizore kuajsh. Apo kur të lahesh në dushet primitive e, të veshësh uniformën e ushtarit. E kam ngritur zërin disa herë, duke e shoqëruar me preventivin e shpenzimeve, për të ndërtuar një fjetore sipas standardeve. Por prapavija e ministrisë e ka bërë veshin të shurdhër, ndonëse ne nuk i kërkojmë asnjë lek nga buxheti i shtetit, i përballojmë të gjitha shpenzimet me të ardhurat tona. Madje disa burokrate që kapardisen nëpër zyra komode, hedhin thumba: ‘Dashka kolonel Josifi t’i japë NBU-së pamjen e një reparti ushtarak, me fjetore e dushe modernë, kur ushtarët e tij, janë bujq dhe barinj’?!
T’i thash këto hollësi, që të ruhesh në çdo hap, pasi do jesh vazhdimisht në thepin e shënjestrës të ndëshkimit. Duhet ta dish, se shefat e rrethit Lushnje, ata që të kanë halë në sy, do tjerrin fije merimange me drejtuesit e divizionit tonë, për të ngritur gracka të padukshme. Kur të pyesi komisari dhe komandant Sula, si të priti drejtori, do t’i thuash: më sqaroi fije për pe’ rregulloren e brendshme të repartit, pasi i tregova arsimimin dhe ku kam punuar. Kaq, asnjë fjalë me tepër! Sepse menjëherë pas teje, ka për të trokitur komisari, që të dëgjojë përgjigjen time. E di që zgurdha çjerrëse e kapterit, bashkë me pamjen e tij, sikur ka dalë nga një pellg me ujë të kuq, do të acarojë.
Por je i detyruar të sforcohesh, që të mos i kthesh fjalë, edhe pse ma merr mendja që komisari e ka tërhequr mënjanë, për t’i dhënë porositë e duhura për ty. Pas këtyre këshillave, ke ndonjë gjë për të shtuar”?…..- theksoi në fund me vështrim të lodhur, njësoj sikur të kishte thënë: “Të trajtova me dashamirësi, si vëllanë tim. Prandaj duhet të tregohesh mirënjohës ndaj meje”! Ka ndihmësmjek në repart”? – e pyeta me njëfarë druajtje.
– “Ke ndonjë shqetësim”? – u interesua koloneli.
– “Kohët e fundit, nga puna e sforcuar, kam patur herë pas here hemorragji nga hemorroidet”!
– “Qenka diçka serioze, – tha i menduar drejtori. – Atëherë në një nga ditët e javës tjetër, kur ndihmësmjeku ynë shkon tek doktori i divizionit, do ta porosit të marrë me vete për kontroll. Atje do jepet mendim, nëse mund të mjekohesh në spitalin e divizionit, apo duhet të shtrohesh në spitalin e Përgjithshëm Ushtarak. Bëre mirë që e vure në dukje para se të filloje karantina. Tani kam unë një pyetje: nëse nuk të vjen rëndë, çfarë pune ke kryer gjatë këtyre viteve në rrethin e Lushnjes”?
– “Hamall: transportoja me krahë bidonin me naftë nga pika e karburantit në SMT tek traktori, aty ku punonte”! – iu përgjigja duke u rrëqethur.
– “Kaq keq të paskan trajtuar?!…Po aty, në Lushnje, më duket kryetari i Komitetit Ekzekutiv është fshatar vendas, dhe duhet ta njohë familjen tuaj të nderuar… – tha koloneli. – Apo gabohem”?
– “Jeni mjaft i saktë! – theksova unë. – Prandaj dhe u habita në fillim pse më priti me këmbët e para, sikur të isha biri i një krimineli”!
– “Nuk e njoh personalisht, ndaj nuk jap dot mendim. Por trajtimi kaq i ashpër për familjen tuaj, më lë shije shumë të hidhur, sepse i ka patur të gjitha mundësitë të sillet me dashamirësi”- shtoi koloneli.
Në këtë çast u dëgjuan trokitje në derë. Drejtori më tha me zë të ulët të kem parasysh të gjitha këshillat e tij, dhe ta kujtoj për ndihmësmjekun, sepse edhe mund të harroj. Shikimi i tij i ngrohtë më përcolli deri tek dera. Kur e hapa, në kornizë qëndronte i ngurtësuar komisari, me pamjen e Shvejkut.
– “Mund të hyj, shoku kolonel”? – pyeti ai, kur unë kapërceva pragun. Në oborr më rroku syri siluetën e komandant Sulës, dhe u drejtova andej.
– “Hë, si shkoi bashkëbisedimi me kolonelin”? – pyeti ai me kureshtje.
– “Sipas parashikimit tuaj”, – i thash për t’i bërë qejfin.
– “Do të mbajë shkrues të repartit, apo përgjegjës të kulturës”? – shtoi me interesim.
– “Saktësisht nuk më shkoqiti asgjë konkrete. Por nga biseda e zhvilluar, nuhata se anonte më shumë në krahun e drejtuesit të aktiviteteve artistike”.
– “Jam shumë i kënaqur që ecuria e shërbimit këtu për ty, mori drejtimin e duhur! – theksoi me nënkuptim: duhet të kesh gjithnjë parasysh, se unë jam strumbullari, ndaj kam pjesën time të meritës! – Tani do shkojmë tek dushet e famshme, që të lahesh. Por më parë duhen tërhequr uniforma ushtarake dhe teshat e brendshme, në magazinë, që pas larjes të ndërrohesh e ta ndryshosh tërësisht lëkurën. Sipas porosisë së komisarit, duhen provuar uniformat e reja, të cilat mbahen rezervë në rast inspektimi, pasi zakonisht ushtarët e këtushëm, pajisen vetëm me rrobat e punës. Më vjen mirë që drejtuesit po të trajtojnë ashtu si të takon”!…shtoi ai.
Magazinier i repartit ishte nënoficer karriere, me shtat mesatar, rreth të tridhjetave, me flokë të shkurtuara. Ky menjëherë mori drejtqëndrim, kur u fut komandant Sula, dhe vendosi mbi banak tre uniforma të reja, me të gjitha pajisjet.
– “Ishte komisari pak më parë dhe bëri porosinë – i shpjegoi magazinieri nëntogerit. – Janë fringo të reja, të paveshura. Le t’i provojë me radhë cila i rri me puthitur pas trupit. Pastaj kalojmë tek këpucët. Dini si përdoren pecet, në vend të çorapeve”? – më pyeti ai.
– “Në fillim uniforma e pastaj pecat”, – tha komandant Sula.
– “Ky do kryejë shërbim të plotë ushtarak, apo gjashtë muaj, si oficer rezervist”? – pyeti nën zë magazinieri nëntogerin, kur unë fillova të vishja uniformen. Nëntogeri nuk i ktheu përgjigje, njësoj sikur t’i thoshte: “Nuk janë as vendi e as koha, për kësi muhabetesh”! Pasi vesha uniformën, i pyeta të dy, si më rrinë në trup. Dhe kur mora pëlqimin e tyre, u mora me pecet e këmbëve. Fatmirësisht, këpucët nuk më shtrëngonin.
– “Tani po i marrim të paketuara, dhe shkojmë tek dushet, – tha komandant Sula. – Sepse pas veshjes së uniformës, do vizitojmë fjetoren e famshme për të caktuar shtratin tënd…”! Dushi formohej nga një fuçi, ku qenë salduar dy tuba metalike me hapëset dhe mbyllëset e ujit tek secili: tek njëri tub rridhte ujë i ftohtë i çezmës, tek tjetri vinte ujë i nxehtë nga kazani i madh i kuzhinës. U deshën disa minuta për të rregulluar temperaturën e përshtatshme të ujit. Por në fund ia dola. Pasi u lava dhe u fshiva, vesha teshat e brendshme, uniformën ushtarake, pecet dhe këpucët me qafa. Komandant Sula shprehu pëlqimin e tij për pamjen time të re, me uniformë ushtarake. Sipas tij, me thinjat e dukshme në kokën e qethur, krijoja përshtypjen e një oficeri rezervist, i cili ka ardhur të bëjë disa ditë shërbim sipas rregullores.
– “Tani i erdhi radha të shikosh pjesën më tronditëse të repartit, barakën e stërmadhe, sa gjysma e fushës së sportit…” – më pëshpëriti ai. Pasi zbritëm disa metra të tatëpjetën e kodrës, mbi një rrafshinë u shfaq mbi shtylla druri baraka me pamje tmerrësisht të trishtuar, që të rrëqethte: në vend të mureve, qenë mbërthyer me gozhdë trari dërrasa të pagdhendura, në largësi mbi dy gisht nga njëra tjetra, dhe përsipër qe mbuluar me llamarina! Brenda kësaj hapësire, pa tavan, me truall, qenë vendosur në të dy anët krevate marinari prej druri. Ishte fjetorja masive më e llahtarshme, që kisha pare, e cila në verë të përvëlonte si saç, nxehtësia e padurueshme e çatisë prej llamarine, ndërsa në dimër, të mpihej e ngrinte trupi nga athëtima djegëse, dhe se mushkëritë mbusheshin me ajrin e ftohtë plot lagështirë, që futej nga jashtë nëpër ndarëset mes dërrasave.
Pas pak në hyrjen e fjetores, (ku në vend të kanatave të derës, kishte dy korniza binarësh me një iks, të cilat në verë liheshin gjithnjë të palosur pas “murit” të dërrasave, ndërsa në dimër mbi të mbërthehej me gozhdë, letër e trashë lyer me zift), u shfaq krejt befas qenia më e shpifur dhe e frikshme e repartit, që ua merrte frymën dhe shpirtin rekrutëve të rinj gjatë karantinës, kapteri sykuq e kokëkuq, i cili më shumë përqasej me një gjallesë ujore, se sa pranohej si krijesë njerëzore me arsye!
Shoferi i kamionit e përcaktoi shumë drejtë, kur tha se ka dalë jo nga barku i nënës, por nga Deti i Kuq. Klithmat ulëritëse gjatë dhënies së komandave, apo kur bënte zgjimin e mëngjesit, u shkaktonin të gjithëve një trysni nervore tmerrësisht acaruese. Për të shpëtuar prej tyre, drejtori përdorte tapa speciale për bllokimin e veshëve, masa e vetme mbrojtëse për të ndërprerë çmendurinë e kësaj ulërime, të cilën e kishte peshqesh nga zëvendësministri hakmarrës. (Madje gjeneralit iu duk dënim mjaft i zbutur transferimi, nga shef artilerie në ministri, si drejtor ferme bujqësore, edhe pse e degdisën nga kryeqyteti, në një fshat fare të humbur të Burrelit!
Dhe meqë s’u përmbush sipas përfytyrimit të tij hakmarrja e përbindshme, ta torturonte kundërshtarin e urryer si shqiponja që pickonte çdo ditë mëlçinë Prometeut, gjeti një zgjidhje vetjake origjinale, e cila zbatohej lehtësisht pa ndërhyrjen e komandave eprore dhe e kryente mrekullisht funksionin, pruri në NBU-në e Burrelit, një qenie të ngjashme me dinozaurin dykëmbësh, i aftë të nxirrte nga zgurdha klithma kaq të llahtarshme, që do t’ia luanin kolonelit mendjen e kokës, deri në lajthitje!
Dhe ia doli ne krye, pasi kjo torturë e përhershme, e zhbironte deri në palce, i kujtonte se hakmarrja e ndëshkimit, nuk do t’i ndahej deri sa të katandiset në gjysmë njeriu! Pas dy ditëve shkova në spitalin e divizionit, në Burrel, i shoqëruar me ndihmësmjekun e repartit. Shtatë kilometrat i bëmë në këmbë, sepse vetëm për raste të jashtëzakonshme, tepër urgjente, vinte ambulanca.
Ashtu siç pritej, shoqëruesi e nisi bisedën gjatë rrugës me ulërimat çjerrëse të kapterit, duke bëre të njëjtën ankesë, si shoferi i kamionit, por shtoi nga ana e tij, se kur i vjen radha të kryejë shërbimin e oficerit të rojës, në postbllok, dy herë në javë, i zë veshët me dyllë blete, që te mos i luaj tepeleku i kokës.
– “Sikletin më të madh e heq koloneli, pasi ky ngryset e gdhihet në repart, kështu që ulërimat e kapterit, nuk i ndahen as ditën e, as natën, – tha ndihmësmjeku. – E çuditshme nga i del tërë ajo zgurdhë!..- shtoi ai me vështrim të habitur. – E pyeta një herë doktorin e divizionit, çfarë duhet të ketë në gurmaz kapteri ynë, që me klithmat e tij, ua kalon luanëve”?!…- “Si u përgjigj? – ja ktheva unë, për t’i treguar që po e dëgjoja me vëmendje.
– “Që ai ka diçka të veçantë, të cilën nuk e kanë të tjerët, nuk e vë në dyshim. Por se çfarë konkretisht, jo unë, por as laringologët s’e përcaktojnë dot…, – tha ai duke qeshur. – Sepse askujt në divizionin tonë, nuk ia merrte mendja se ulërimat e kapterit tuaj, do dëgjohen deri këtu. Hiç mos u habit. Prandaj ja qajmë hallin kolonelit tuaj, që e ka në pipëz të veshit”.
Doktori i divizionit u tregua mjaft i sjellshëm ndaj meje. Nga mënyra si më vizitoi, me një humor të këndshëm, (kur tha se me mua nuk turpërohen gratë e vajzat, që hapin shalët, e jo ti që je mashkull), formova përshtypjen se me të duhet të ketë biseduar në telefon koloneli, dhe kjo pandehmë më bëri të besoj, se mes tyre ka marrëdhënie miqësore të ndërsjella. Por edhe pse pata këtë mendim, unë prapë iu luta me mirësjellje, që gjatë vizitës, të mos jenë të pranishëm as infermiere e, as ndihmës mjeku i repartit tonë.
– “Më duket fare e pakuptimtë druajtja jote, duke patur parasysh që ke bredhur jashtë shtetit e, ke parë botë me sy, pra pa tjetër të ka rënë rasti të kryesh kontrolle shëndetësore i zhveshur krejt lakuriq”, – tha doktori pas vizitës, para se të përshkruante si do veprohet në të ardhmen. – Tani po t’i them të dy variantet: Hemorroidet mund të kurohen përkohësisht. Por e mira është të operohen. Sa për dijeni: ky operacion nuk paraqet asnjë ndërlikim e vështirësi, pasi bëhet pothuaj sipërfaqësor, ndaj quhet ndërhyrje kirurgjikale, pa pasoja të mëvonshme, dhe kryhet me narkozë parciale.
Përveç kësaj, të jepet rasti më i mirë të çlodhësh disa ditë veshët nga ulërimat e kuqos tuaj…shtoi ai, duke u gajasur së qeshuri. – Sepse gati një javë do jesh i shtruar në spital, para dhe pas operimit. Pastaj do të jepet një javë pushim absolut, me shënimin pranë familjes, jo në repart. Këtë e marr unë përsipër, – theksoi ai serioz. – Së pari do bisedoj paraprakisht me drejtorin tuaj, duke ia përshkruar tërë procedurën, që menjëherë pas daljes nga spitali, të shkosh mëndje mbledhur në shtëpi, pa u shqetësuar se thyen rregulloren ushtarake”.
– “Ju do më shoqëroni deri në spitalin e Përgjithshëm Ushtarak”? – desha të sigurohesha se atje nuk do ketë ndërlikime.
– “Sigurisht unë, – ma ktheu doktori. – Dy vjet më parë, bëja pjesë në stafin e mjekëve të këtij spitali, kështu që kam një pjesë të shoqërisë time. Transferim i detyruar: stazhi i partisë…”, – shtoi ai duke ngritur vetullat, njësoj sikur të thoshte: “kështu i do mushka drutë”!
– “Atëherë paskeni shpresa të riktheheni pas kryerjes së stazhit”, – i thashë unë.
– “Vetëm kësaj nuk i dihet, – theksoi me mosbesim të hapur. – Sepse përdoren makinacione të ndryshme, për ta zvarritur kthimin, duke përfshirë në radhë të parë zëvendësuesin tim, i cili vë në lëvizje të gjithë ingranazhet, që pengojnë ardhjen time në vendin e mëparshëm”.
– “Sidoqoftë, shpresat janë, – shtova unë duke psherëtirë, njësoj sikur t’i kisha thënë: një dite do ta sjellë dallëndyshja lajmin e gëzuar”.
Pas kësaj bisede shoqërore, doktori më ftoi të pimë një kafe në lokalin e divizionit, në katin e parë të ngrehinës hijerëndë të komandës dhe shtabit. Edhe pse kjo ftesë tregonte mirësjellje nga ana e tij, unë nuk e dëshiroja, sepse mund të rastiste ndonjë fytyrë e njohur nga oficerët e këtushëm, dhe vetvetiu do të shfaqeshin ngacmimet e rrezikshme. Por fatmirësisht, lokali ishte bosh, përveç banakierit. – “Sapo të dale urdhri i udhëtimit të ambulancës për në spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, pasi në ushtri çdo veprim kryhet vetëm me urdhra, do vij në repart të marre në dorëzim”, – tha doktori kur dolëm nga lokali.
– “Tani të shohim mos ndonjë makinë e divizionit, e ka rrugën poshtë, andej nga ju…’, – shtoi ai, duke i bërë shenjë me dorë një ushtari të qasej pranë nesh. – Niset ndonjë rrotë drejt NBU-së së Kongrazhdit”? – e pyeti ushtarin, që erdhi duke vrapuar.
– “Do shkoni ju, apo do nisni këtë oficerin rezervist”? -u interesua ushtari.
– “Ky erdhi bashkë me ndihmësmjekun, por tani s’po e shoh…”- ja ktheu doktori, duke shëtitur shikimin në hapësirën e oborrit. – Mos ta zuri gjë syri”?
– “Këtu ishte, shkëmbyem bashkë dhe dy llafe. Por krejt papritur erdhi makina e prapavijës”!
– “Pse nuk më njoftoi”? – u nervozua doktori.
– “Në fakt ai u ngjit lart për t’ju kërkuar, por nuk ju gjeti. Dhe meqë makina e kishte punën me ngut, u nisën, i bindur se ju do ta ktheni shëndosh e mirë pacientin në repart”, – sqaroi ushtari.
– “Atëherë po ta ngarkoj ty si detyrë urgjente, t’i gjesh sa më shpejt mjet transporti, dhe të porositet shoferi, ta zbresë tek kthesa e rrugës për në repart! – e udhëzoi doktori. – Uroj t’i kaloni këto ditë deri në nisje, me sa më pak telashe”! – u kthye nga unë, duke më shtrënguar dorën.
Kur shkova në repart, vura re pranë ngrehinës së komandës, siluetën e drejtorit, që kish dalë të qetësohej e të shpinte këmbët pas qëndrimit me orë të tëra mbyllur në kthinën e tij, i vetmi vend ku kalonte vetminë gërryese, duke shpresuar e pritur mos shfaqet befas ylberi dhe shpërndahen retë e plumbta në qiellin e ndëshkimit.
Me kaq sa vërejta, formova përshtypjen se dëshpërimi i përçmimit e torturonte tmerrësisht, sa do pranonte ta çonin deri komandant kompanie në një repart dinjitoz, vetëm të mos rrinte këtu i syrgjynosur e i ngujuar, krejtësisht i zhvlerësuar, mes një izolimi mbytës!
Në fillim të javës së dytë të majit, u nisa për në Tiranë me ambulancën e divizionit. Atë çast m’u duk sikur u hapën portat e parajsës dhe po me jepej mundësia të shkarkoja barrën e përjetimeve të skëterrshme, që më kishin pështjelluar gjatë këtyre ditëve e netëve të tejmbushur me makthe torturuese. Më dukej se dy shpëtimtarët e mi të përkohshëm, kolonel Josifi dhe doktori i divizionit, hapën derën e kafazit, të shkëputem ca kohë nga karantina e tmerrshme!
E vlerësova shumë qëndrimin e tyre, duke patur parasysh se ky veprim binte ndesh me rregulloren e ngurtë të brendshme, e cila nuk lejon asnjë ushtar të ndërpresë karantinën, përveç rasteve urgjente, që paraqesin rrezikshmëri shëndetësore. Falë marrëveshjes së fshehtë, mes kolonelit dhe doktorit, (të cilët e shpjegonin nisjen time urgjente, me domosdoshmërinë e dy operacioneve, të apendicitit akut dhe hemorroideve të qelbëzuara), komanda e divizionit, nxori urdhrin e udhëtimit. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016