Nga Vepror Hasani
Pjesa e katër
Memorie.al / E kishim lënë të takoheshim në një nga lokalet e Korçës. Pashë që ai po vinte me “Kadillakun” e tij, (kështu e quante ai biçikletën), më të cilën del çdo ditë…! Pasi porositëm, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Teodor Vaso, i dekoruar me ‘Medaljen e Artë’ – për merita të shquara në sport-, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot, nisi të më rrëfente një nga historitë e tij të futbollit: “Gjithçka për qëndrimin tim në ekipin e ‘Partizani’-t ose jo, kishte mbetur në dorë të gjeneralëve…” nisi të më tregojë ai.
Rrëfimi i “Mjeshtrit të Merituar të Sportit”, legjendës së futbollit, Teodor Vaso
“Nuk kisha ndonjë miqësi të madhe me ta, por më njihnin dhe i njihja pothuajse të gjithë. Në ambientet e Klub – Sport “Partizani”-t kishin hyrë dhe dalë të gjithë gjeneralët, si: Beqir Balluku, Petrit Dume, Rrahman Parllaku, Vaskë Gjino, Sejdin Avdia, Et’hem Gjinushi, Todi Naçi, Thoma Xhixho, Muharrem Kokomani, Abaz Fejzo, Qazim Kapisyzi, madje në këto ambiente kisha parë edhe disa të tjerë me gradë më të ulët, si: Skënder Malindin, Koli Mborjen, Rustem Peçin etj.
Pikërisht në këtë kohë, në përfundim të kampionatit 1964-‘65, Sekretariati i Komitetit Qendror i PPSH-së, kërkoi të vihej në veprim ligji sportiv: të gjithë futbollistët ushtarë, me të përfunduar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duhej të ktheheshin në vendlindje për të luajtur me ekipet e qyteteve të tyre.
Ky vendim nuk lejonte më që dy klubet ushtarake “Partizani” dhe “Dinamo”, të mbanin sportistë ushtarë të ardhur nga rrethet. Privilegji që kishin patur deri atëherë dy skuadrat ushtarake, tashmë kishte marrë fund. Edhe mua më duhej të kthehesha në Korçë. Jo se nuk doja të kthehesha në vend-lindje, por dëshira për të qëndruar në Tiranë, kushtëzohej dhe me çështje të tjera jo sportive.
Doja të përfundoja studimet universitare në Tiranë. Gjithashtu isha miqësuar me shokët e mi, me trajnerët, me Tiranën e, me gjithçka tjetër që më ofronte ky qytet. Kur e mora vesh lajmin, nuk e di pse ndjeva keqardhje. Sigurisht që e doja vend-lindjen time Korçën, por Tirana po bëhej jeta ime.
Megjithatë shpresoja se ndonjë prej gjeneralëve do të më ndihmonte të qëndroja në ekipin e “Partizanit”. Shpresat më të mëdha i kisha të Mihallq Ziçishti, sepse ai ishte me origjinë nga trevat e Korçës, por edhe te Beqir Balluku, sepse ai më dukej njeri me zemër të madhe.
Në atë kohë unë mendoja se të gjithë gjeneralët e donin njëri-tjetrin si vëllezër, por më vonë do të mësoja se e vërteta nuk kishte qenë për të gjithë kështu, kundërshtitë, veçanërisht ato sportive, ekzistonin ndërmjet dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme”.
Vendimi
“Ditët nisën të kalonin njëra pas tjetrës, ndërsa unë prisja për të parë se çfarë do të ndodhte…! Ndjeja një farë ankthi. Kisha filluar të kërkoja rastin për t’u takuar me ndonjë gjeneral, por ende nuk po mundesha. Edhe drejtuesit e ekipit më kishin premtuar se do të më mundësonin një takim me ta, por rasti nuk po e sillte. Gjithsesi, erdhi një ditë dhe takimi ndodhi. Ato ditë flitej vetëm për vendimin.
Pati nga ata që vendimin e Sekretariatit e quajtën me vlera epokale, siç pati të tjerë që qëndruan të heshtur. Në raste të tilla gjithnjë mungonte çelësi për të hyrë në brendësi të ngjarjeve. Fill pas daljes së vendimit, “Partizani” nxitoi të formonte komisionin e futbollit, me njerëz të shoqërisë civile.
Kryetar u zgjodh Peti Shamblli, ministër i Bujqësisë; vendin e nënkryetarit e zuri Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Durrësit; anëtarët e komisionit ishin personalitete të njohura të shoqërisë, që vinin nga fusha të ndryshme. Pritej largimi i sportistëve ushtarë. Pas kësaj “Partizanit” do t’i duhej që të mendonte vetë për prodhimin e lojtarëve.
Të gjitha skuadrat e vendit do të vendoseshin në garë në kushte të barabarta me dy ekipet ushtarake “Partizanin” dhe “Dinamon”. Në atë kohë skalionet e luftimit të “Partizani”-t formoheshin edhe me pjesëmarrjen e 6 lojtarëve të ekipit të formacionit të përfaqësueses së futbollit shqiptar.
Kjo përbërje numrash u duk kur u luajt në Belfast me skuadrën e Irlandës së Veriut: Mikel Janku, Fatbardh Deliallisi, Lin Shllaku, Panajot Pano, Ramazan Rragami, Robert Jashari ishin të “Partizanit”; Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Aali Mema, Pavllo Bukoviku, të “17 Nëntori”, kurse Thoma Duro ishte i “Dinamos”. Në kontingjentin e lojës bëja pjesë edhe edhe unë dhe Foto Andoni të “Partizanit” si dhe Mehdi Bushati, Din Zhega, Jani Rama të “Dinamos”; Gëzim Kasmi dhe Niko Xhaçka të “17 Nëntorit”.
Në vitin 1964, trajneri Zyber Konçi, në ndeshjen kundër kombëtares algjeriane, aktivizoi 7 lojtarë të “Partizanit”. Ndeshja përfundoi me rezultatin 1-1. Përveç 6 lojtarëve titullarë të kombëtares që përmenda më sipër, “Partizan”-i kishte dhe lojtarin e 7-të, Mexhit Haxhiun, i cili nuk lejohej të luante jashtë shtetit për arsye politike.
Tashmë me ikjen e disa lojtarëve, “Partizani” do të ndodhej në gjendje edhe më të vështirë, sepse kjo gjë po i ndodhte pikërisht tani, kur ekipi po përballej me disa probleme, veçanërisht në mbrojtje. Që të gjitha këto më jepnin shpresa se edhe mund të qëndroja në ekipin e “Partizanit”. Edhe gjeneralëve nuk u interesonte largimi i futbollistëve titullarë. Të paktën kështu mendoja unë”.
Lojtarët e rretheve
“Ata që u ndjen më të lehtësuar nga vendimi i Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, ishin ekipet e rretheve. Shpresonin shumë. Deri atëherë ekip kampion herë shpallej “Partizani” dhe herë “Dinamo”-ja. Përgjithësisht kështu ndodhte, ekipi kampion aktivizonte në ekipin e kombëtares numrin më të madh të lojtarëve. Për futbollistët e rretheve kishte shumë vështirësi.
Lojtarët e skuadrave të kryeqytetit ndërronin vendet në ekipin e përfaqësuese shqiptare. Kohë më vonë do të merrnin në përfaqësuese edhe lojtarë të “Vllaznisë”, ndërsa dekada më vonë do t’i vinte radha ekipit të Vlorës. Jashtë vëmendjes, mbeteshin më shumë se 300 futbollistë të 10 ekipeve të tjera. Në fund të çdo kampionati, ata merrnin goditjen psikologjike si sportistë të lënë pas dore.
Nuk ndiheshin mirë as moralisht dhe as psikologjikisht. Gradualisht dëshira e tyre për rivalitet dhe cilësi dobësohej. Gjithkush prej tyre e dinte se sa shumë përpjekje dhe luftë duhej për të kapur një vend te kombëtarja. ‘Ligjin’, gjithnjë e bënte trysnia klubiste e kryeqytetit. Herëpashershëm shfaqeshin përpjekje për të kërkuar ndonjë lojtar nga rrethet, por çdo iniciativë e tillë përfundonte me ndonjë aktivizim sipërfaqësor.
Deri atëherë skuadrat e rretheve e kishin patur të pamundur të mateshin me skuadrat ushtarake, të cilat grumbullonin sportistët më të mirë të vendit. Tashmë edhe mua më duhej të kthehesha në vendlindjen time…”!, kujton me nostalgji, ‘Mjeshtri i Merituar i Sportit’ Todo Vaso.
“17 Nëntori” Tiranës
“Ende nuk kisha mundur të kërkoja ndihmën e ndonjë gjenerali për të më mbajtur me “Partizanin”, madje as që e dija që Mihallaq Ziçishti, do të më mburrej me koburen që i kishte dhënë Enver Hoxha. Ai njeri do të ndryshonte drejtimin e karrierës time…! Sa herë që gjendesha vetëm, mendoja se si erdhi momenti që Sekretariati i Komitetit Qendror, kërkoi zbatimin e një vendimi të tillë?!
Gjithçka kishte ndodhur për shkak të koncepteve të reja, që ishin bërë pjesë e mentalitetit të shtetit. Në vitin 1965, ekipi i “17 Nëntorit” u shpall kampion, duke rrëzuar nga froni “Partizanin”. Këtë titull nuk e kishte marrë që nga viti 1937. Fitorja e “17 Nëntorit” tregoi se cilësia sportive mund të arrihej edhe nga klubet që nuk ishin ushtarake.
Vetë fakti që në dy vjet, më 1965-ën dhe më 1966-ën, “Partizani” u rendit në vend të dytë, tregonte qartë që edhe ekipet e tjera kishin mundësi. Fitorja e “17 Nëntori”-t nuk kishte qenë e rastësishme: Xhavit Demneri, Osman Caslli, Haxhi Arbana, Xike Bulku, prej kohësh patën ngritur “fabrikën e re të futbollit” tiranas. Ata u bënë burim i pashtershëm i cilësisë, i gjeneratave futbollistike të Tiranës.
Në fushën e “Punës”, në ambientet e shkollave të Tiranës, dolën talente kampionë. Të rinjtë e “Tiranës” së bashku me usta Xhavit Demnerin, qëndruan 5 vjet kampionë. Nga Pallati i Pionierëve me trajner Osman Casllin, “17 Nëntori” nxori përpara sportdashësve Skënder Halilin, Fatmir Frashërin, Ali Memën, Gëzim Kasmin, Luigj Bytyçin, Pavllo Bukovikun, Skënder Hykën, Niko Xhaçkën, Bari Ishkën dhe më pas Perikli Dhales, Petrit Dibrën, Millan Baçin, Luan Zenglen, Arben Çelën. Sulejman Memën, Aarben Mingën, Agustin Kolën, etj.
Në planin profesional, “17 Nëntori” vlerësohej si një ekip me funksione të harmonizuara. Fekste skalioni i fundit i mbrojtjes me një bllok unik të sajin: F. Frashërin, S. Halilin dhe G. Kasmin. Tashmë “17 Nëntori” ishte shndërruar në ‘lokomotivën’ e futbollit shqiptar. Përkundrejt këtij ekipi te “Partizani” mbizotëronin kapacitetet individuale të lojtarëve të tij, me në krye fenomenin, sulmuesin Panajot Pano.
Me ekipin kombëtar, “Partizani” kishte dyfishin e numrit të lojtarëve që kishte “17 Nëntori”. Fazën e parë të kampionatit 1965-‘66 “Partizani” kapi një rezultat rekord: 10 fitore dhe një barazim pa asnjë humbje në 11 ndeshje. Nga 22 pikët e mundshme humbi vetëm 1 pikë. E ndiqnin nga pas “17 Nëntori” me 17 pikë dhe “Dinamo” me 15 pikë.
Në 13 mars të vitit 1966, fitoi kupën e Republikës me dy fitore kundër “Vllaznisë”, njërën 2-1 dhe ndeshjen tjetër 4-3. “Partizani” tentonte të merrte poltronin e bashit të futbollit shqiptar, të cilin e pati humbur pas kampionatit të vitit 1963-‘64, por tashme po përballej me probleme…”!
Gjeneral Mihallaq Ziçishti
“Ditët kalonin dhe unë ende shpresoja te Mihallaq Ziçishti. Për herë të parë atë njeri e kisha parë rastësisht në restorantin e turizmit në Pogradec. I veshur më uniformën e gjeneralit, Mihallaq Ziçishti dukej elegant, bisedonte në këmbë para banakut të bar-bufesë me dy burra. Kishte pamjen e një burri simpatik e gazmor, të tërhiqte vëmendjen.
“Kush është ky gjeneral”? -pyeta Mikel Jankun, një nga oficerët tanë. Nuk e kisha parë kurrë me uniformë ushtarake. “Llaqi,- m’u përgjigj Janku, kështu e thërrasin shkurt shokun Mihallaq Ziçishti, është zëvendësministër i Punëve të Brendshme. E ke nga Korça”, më sqaroi po atë çast Janku, portieri ynë i “Partizanit”.
Ndoshta nga që më kishte lënë përshtypjen si njeri i mirë, shpresoja te një takim me të. Mendoja se do të më ndihmonte. Tashmë ai mbante postin e Sekretarit të Parë të Komitetit Partisë në Korçë. Ndërkohë trajnerët e “Partizanit” po bënin të pamundurën për të konsoliduar mbrojtjen, por nuk po mundeshin të zgjidhin këtë situatë. Shpesh aty ku shfaqeshin probleme më çonin mua.
Me 07.04.1964, në ndeshjen me Durrësin, e cila përfundoi me rezultatin 1-1 më dhanë rolin e mbrojtësit të djathtë. R. Ngjela për këtë ndeshje te gazeta “Sporti popullor”, shkruan: “Vendasit kërkojnë me çdo kusht të shënojnë golin e fitores dhe për këtë qëllim punuan më tepër në krahun e djathtë të mbrojtjes. Aty gjetën rezistencë të vendosur nga Vaso, i cili u dallua për ndërhyrjet të matura mirë”.
Më 23.02.1965, në ndeshjen “Partizani”- “Traktori”, më caktuan rolin e mbrojtësit të majtë. S. Tole te “Sporti popullor”, shkruante: “Gjithë-gjithë Janku priti dy herë topin dhe pastaj qëndroi spektator. Vaso ishte më i sigurt në ndërhyrjet e tij se sa Papadhopuli e Deliallisi”. Më 09.02. 1965, në ndeshjen “Partizani” – “17 Nëntori” që përfundoi me rezultatin 0-1, më dhanë rolin e qendërmbrojtësit.
“Sporti Popullor”, theksonte: “Edhe goli mund të evitohej me një kujdes më të madh nga ana e Dingut dhe Jankut. Vaso, në rolin e qendërmbrojtësit, luajti mirë, veçanërisht në pjesën e parë”. Pra ekzistonin arsyet që unë të qëndroja në ekipin e “Partizani”-t. Megjithatë ajo çka po ndodhte ishte e vështirë të kuptohej”
Çudia…?!
“Në mes të nëntorit, në dt. 16.11.1965, u nisëm për të bërë ndeshjen e parafundit të fazës së parë në Kavajë. Kishim bërë 9 ndeshje dhe kishim marrë 9 fitore. Shtabi i Partizanit që ishte djegur në kampionatin paraardhës në luftën për titullin kampion, nuk lëshonte më pe. Ndërhyri përsëri për të nxjerr mbrojtjen më efikase. Ashtu si para ndeshjes me Këlnin, u përsërit e njëjta formulë: më hoqën nga roli i mbrojtësit anësor dhe më vendosën në qendër.
Një sezon më parë “Besa” kishte shënuar 33 gola ose 2 gola më shumë se “Partizani”. Ky kapacitet rrezikonte suksesin e ndeshjes. Portën si zakonisht do ta mbronte Mikel Janku. Personalisht loja në qendër të mbrojtjes më angazhonte në shumë veprime, më vinte në provë në situata të vështira për të nxjerrë në pah aftësitë. Rrethuar me një kornizë mbrojtëse lojtarësh, ku ishte e jashtëzakonshme të gjeje një fije boshllëku, sulmi i “Besës” nuk po çante dot për të dalë në pozicione shënimi.
Luanim të sigurt në mbrojtje me lojë të kontrolluar në të gjitha hallkat dhe raportet e skuadrës. Kjo situatë loje mbizotëroi deri afër fundit të pjesës së parë. Pikërisht në këtë kohë, u bë një pasim vertikal, në korridorin ndërmjet krahut të djathtë dhe qendrës sonë. Ktheva kokën anash, pashë që topi përfundoi në këmbët e sulmuesit Agim Dizdari.
Ngrita dorën lart, sepse ai ishte në pozicion jashtë loje, shumë i dukshëm. Sulmuesi i Kavajës ndodhej 4-5 metra prapa shpinës së mbrojtjes tonë. Krejtësisht i papenguar nr.10, Agim Dizdari, lëshoi topin përpara, por nuk iu afrua portës. Befas e goditi dhe shënoi golin. U zhbllokua rezultati 0-0.
Çuditërisht askush nuk reagoi. U duk një situatë e përçudnuar. Mosreagimi linte të kuptoje një miratim në heshtje. Goli i Besës që na mori një pikë, u duk sikur e pësuam aksidentalisht. Pjesën e dytë të lojës situata paraqiti një ballafaqim të lëshuar, rreziku nuk dukej në asnjë nga portat e fushës.
Kur çdo pamje tregonte lojë miqësore, krejt papritur, sulmuesi ynë Robert Jashari, dërgoi në rrjetën e Kavajës topin që barazoi rezultatin. U arshivua në histori një lojë që kaloi si nëpër ëndërr. Në këtë ndeshje u shënua krisja e parë e frontit të luftës për titull të “Partizani”-t. Kjo ndeshje diçka po paralajmëronte…! Pas Kavajës, ndeshja e fundit mbetej kundër Tomorit. E fituam 2-1”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016