Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1977, ku ndodhen relacione, raport-informacione, urdhëresa, shënime, etj., ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, përfaqësive diplomatike shqiptare, të akredituara në shtete të ndryshme të botës dhe Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, në të cilat janë evidentuar problemet e mëdha dhe konflikte e vazhdueshme, që ekzistonin pothuaj të gjitha në ambasadat shqiptare, në mes titullarëve dhe punonjësve të Zbulimit Politik Shqiptar. Në dosjen në fjalë ndodhet edhe një raport-informacion, që mban datën 31.4.1977, me titull: “Mbi disa çështje që kanë dalë në Konsullatën e Stambollit dhe masat që mendojmë të merren”, i përgatitur nga Sektori i Jashtëm i Komitetit Qendror të PPSH-së, mbi bazën e raportit që kishte dërguar ambasadori ynë në Ankara, Ylvi Lulo, lidhur me problemet që ekzistonin në Konsullatën Shqiptare të Stambollit, Përveç këtij dokumenti, në dosjen në fjalë ndodhet edhe një dokument tjetër me raport-informacionin sekret, të përgatitur nga dy instruktorët e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Zija Koçiu dhe Haki Keta, (që mbulonin organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore), dërguar eprorëve të tyre, në Komitetin Qendror të PPSh-së, ku bëhet fjalë për problemet e konfliktet e vazhdueshme, që ekzistonin ndërmjet titullarëve dhe personelit të Konsullatës Shqiptare në Stamboll.
Dokumenti i përgatitur nga Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë i Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me problemet dhe konfliktet e mëdha që ekzistonin në Konsullatën Shqiptare të Stambollit, ndërmjet titullarëve dhe personelit të saj
I N F O R M A C I O N
Mbi disa çështje që kanë dalë në Konsullatën e Stambollit dhe masat që mendojmë të merren.
Shoku Ulvi Lulo, informon Ministrinë e Jashtme se në analizën vjetore të konsullatës sonë në Stamboll, dolën disa mosmarrëveshje. Shumica e tyre, thekson ai, janë që në kohën e Ali Ymerit. Ato janë komplikuar deri tek shoferi i porsaardhur, por kryesorët e kësaj gjendjeje janë Idajet Xhanaj dhe Jorgo Proko. Shokët premtuan që do të korrigjohen, por unë dyshoj. Kanë urrejtje ndaj njëri tjetrit.
Shkaktarët, po tregohen kokëfortë dhe të pakorrigjueshëm. Propozoj që të mblidhet organizata bazë dhe të marrë pjesë edhe Ulviu në këtë mbledhje. Mbas kësaj, përfundon ai, të merret ndonjë masë për këta. Ditën e fundit, Rakip Hoxha dhe Idajet Xhani, u janë drejtuar me nga një letër shokut Jonuz Mersini. Rakip Hoxha në letrën e tij, ankohet se gjendja në konsullatë nuk është e mirë.
Ka mosmarrëveshje midis Idajet Xhanajt dhe Jorgo Prokos. Ai thotë se Idajeti, jo vetëm që nuk e respekton statusin e Jorgos si zëvendës konsull, por edhe mua më kundërshton për disa gjëra. Ndërsa Idajet Xhanaj në letrën e tij drejtuar Jonuzit, ndër të tjera ankohet se Jorgo Proko e fyen, është hedhur në sulm kundër tij, dhe nuk e shikon atë me sy të mirë.
Ai thotë se Jorgo më akuzon, pasi unë paskam përkrahur Ali Ymerin. Gruaja e Jorgos, është ngatërrestare dhe të dy ata, ngrihen kundër meje sepse, unë i kam kritikuar për punën. Shifranti i kësaj konsullate, Jazo Malaj, në një letër që i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndër të tjera thotë se, atje kolektivi është i përçarë, ka familjaritet thekson ai, pasi tre gra janë nga rrethi i Korçës.
Shkaktar i kësaj përçarje është Jorgo Proko dhe gruaja e tij. Jazo, ankohet ndaj shoferit por edhe ndaj Rakip Hoxhës. Ai thotë se Rakipi duke qenë i dehur, e ka quajtur kundërrevolucionar. Në përfundim të letrës, lutet që të transferohet për në Atdhe, që të shpëtojë nga kjo situatë. Nga studimi i protokolleve që kanë ardhur deri tani, na rezulton që të jenë shtruar e diskutuar këto probleme:
Disa kritika e vërejtje, janë bërë për punët e njëri tjetrit. Në mbledhjen e Organizatës Bazë të datës 31.12.1976, ku është marrë nën shqyrtim lufta kundër shfaqjeve të burokratizmit, janë bërë disa kritika pune. Në këtë mbledhje u theksua se në punë, ka burokraci e formalizëm, s’ka disiplinë dhe disa detyra shtetërore nuk ndiqen dhe realizohen.
Disa shokë merren me gjëra të vogla teknike. Jorgo Proko, është kritikuar se nuk ka përgatitur në kohë informacionet politike për kolektivin si dhe raportet për organizatën bazë. Më shumë në këtë mbledhje, është kritikuar Idajet Xhanaj. Ai, merret me gjëra të vogla dhe shkon e ha bukë gjatë orarit të punës. Po kështu ai, s’ka përgatitur në kohë një informacion për kolektivin, etj.
Këto kritika, i ka bërë më shumë Rakip Hoxha, por në fund ai ka thënë se Jorgo Proko dhe Idajet Xhanaj, punojnë mirë. Në këtë mbledhje Idajeti, ka pranuar kritikat e tij ndërsa tek Jorgo u vu re njëfarë hezitimi për t’i pranuar kritikat. Këto janë disa çështje që dalin nga mbledhja e organizatës bazë. Informacioni i shokut Ulvi Lulo, si dhe letrat e dërguara nga disa shokë të dikastereve të ndryshme, flasin për një gjendje jo të shëndoshë në konsullatën e Stambollit.
Siç duket këto mosmarrëveshje, janë më të theksuara midis Jorgos dhe Idajetit. Ky i fundit është dhe Sekretar i Organizatës Bazë. Mendimi i shokut Ulvi Lulo që, të mblidhet organizata bazë dhe ai të asistojë në diskutimin e këtyre mosmarrëveshjeve, na duket jo shumë i arsyeshëm. Ai mori pjesë në analizën vjetore të Konsullatës dhe si ambasador në rrugë shtetërore, duhet t’i kishte parë e zgjidhur vetë këto probleme.
Ai nuk i ka dhënë akoma informata të hollësishme Ministrisë së Punëve të Jashtme për këto probleme. Gjendja që është krijuar në Stamboll na duket e rëndësishme dhe delikate. Çështjet që kanë lindur kanë të bëjnë jo vetëm me organizatën bazë por edhe me Zbulimin Politik. Prandaj ne propozojmë që për t’i studiuar e zgjidhur çështjet që kanë lindur atje, të dërgohen dy shokë nga aparati i Komitetit Qendror.
Njëri nga Sektori i Jashtëm dhe tjetri nga grupi i instruktorëve që merret me punët e Zbulimit. Shokët që do të dërgohen mund të veprojnë kështu: në fillim të bisedohet individualisht me shokët e atjeshëm, të studiohet gjendja dhe pas një pune të kujdesshme, çështjet që kanë të bëjnë me Zbulimin, të shtrohen në mbledhjen e rezidenturës, ndërsa të tjerat në mbledhjen e organizatës bazë. Në këto mbledhje të shtrohen konkluzionet që do të dalin, dhe së bashku me shokët e atjeshëm të merret masat për shkaktarët e kësaj gjendjeje.
Sektori i Jashtëm i Komitetit Qendror
Tiranë 31.4.1977
Dokumenti sekret i përgatitur nga dy instruktorët e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Zija Koçiu dhe Haki Keta, lidhur me problemet e konfliktet që ekzistonin ndërmjet titullarëve dhe personelit të Konsullatës Shqiptare në Stamboll
I N F O R M A C I O N
Mbi gjendjen dhe problemet që u panë në Konsullatën tonë në Stamboll.
Për të verifikuar e sqaruar çështjet e ngritura në letrat e dërguara në aparatin e Komitetit Qendror dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nga shokët Idajet Xhanaj që është Sekretar i Organizatës Bazë të Partisë, dhe Zëvendëskonsullin, Jazo Manaj Shifrant, dhe Rakip Hoxha, Kryekonsull në Konsullatën tonë në Stamboll, u ndoq kjo radhë pune:
Fillimisht u bisedua me ambasadorin tonë në Ankara, shokun Ulvi Lulo, u bisedua individualisht me të shtatë komunistët e organizatës bazë të Stambollit, u studiuan materialet dhe dokumentet e organizatës bazë dhe të përfaqësisë, u bë mbledhje e rezidenturës dhe e përfaqësisë, ku u informua mbi aktivitetin dhe problemet që aktualisht preokupojnë drejtimin e punës, si dhe mbi vlerësimin që i është bërë punës së kuadrove përkatës. Pastaj u bë mbledhja e organizatës bazë të Partisë.
Nga e gjithë kjo punë rezulton sa vijon: në organizatën bazë të partisë në përfaqësi, është krijuar një situatë e nderë, është thyer uniteti, si dhe janë acaruar marrëdhëniet ndërmjet komunistëve e punonjësve me njëri tjetrin, dhe ndërmjet grave të tyre. Kjo gjendje ka agravuar nga Janari i vitit 1977 e këtej, por fillimet i ka që në vitet 1975-1976. Si protagonistë kryesorë, dalin Idajet Xhanaj, Jazo Manaj, dhe Jorgo Proko, ky i fundit është Zëvendëskonsullin.
Disa nga shkaqet kryesore që kanë shkaktuar këtë grindje janë:
1 – Është futur dhe kultivuar gradualisht fryma e familjaritetit të sëmurë. Mbi këtë bazë organizata, është ndarë në dy pjesë. Nga njëra anë Sekretari, Shifranti, e shoqja e tij që është njëkohësisht dhe Zëvendëssekretare e Organizatës Bazë, dhe nga ana tjetër, Zëvendëskonsullin, e shoqja e tij, dhe shoferi. Të dy palët, kanë kohë që akuzojnë njëri tjetrin për familjaritet dhe nga ana tjetër, mbrojnë, duke e pranuar këtë për vete.
Sekretari o organizatës ka theksuar kohët e fundit se edhe shoku Rakip Hoxha, meqenëse ka gruan korçare, është vënë në pozitat familjariteti të sëmurë më krahun tjetër, ku janë dhe dy gra të tjera korçare. Në këtë mënyrë të dy grupet kanë bërë një luftë të pa principtë ndaj njëri tjetrit, brenda dhe jashtë mbledhjeve të organizatës bazë dhe përfaqësisë.
Kjo ndarje, është reflektuar dhe në punë dhe ka penguar të gjitha mundësitë e krijuara në Turqi. Në themel të këtij familjariteti, qëndron lufta për mbrojtjen e interesave personale. Idajet Xhanaj, karakterizohet si njeri llafazan, mendjemadh, karrierist, e ambicioz, që i është kundërvënë Jorgo Prokos duke u mbështetur tek Jazo Manaj.
Qëllimi është që të mbulojë paaftësinë dhe pazotësinë e tij, për kryerjen e detyrave funksionale, nën pretekstin e mungesës së eksperiencës dhe të ndihmës, si dhe të përçmimit dhe nënvlerësimit të tij, siç e shtron ai nga Jorgo, rezultatet e mira të të cilit Idajeti i shikon me cmirë dhe xhelozi. Ku, jo vetëm që është i paaftë por është dhe frikacak. Ka një vit e gjysëm që punon në konsullatë dhe ka ecur ngadalë në mësimin e gjuhës dhe njohjen e vendit.
Me gjithë këto, ka synuar për eliminimin e Jorgos që të dilte në arenë vetë i dyti në konsullatë. Jazo Manaj, karakterizohet si ngatërrestar, intrigant, dhe i rrëmbyer. Ekstremist në gjykimin e të metave të atyre që e kanë kritikuar. Dhe nga ana tjetër oportunist me shokët e krahut të tij.
Është i pirur nga liberalizmi prandaj, ka shkelur rregulloren e brendshme, të disiplinës dhe normave, si komunist e si kuadër në raport me eprorët dhe shokët e tij. Ka manovruar e ka shfrytëzuar inatet e të tjerëve, debatet që ata kanë pasur për të hedhur gurin e fshehur dorën, si dhe për të shmangur veten nga përgjegjësitë.
Jorgo Proko, karakterizohet nga rrëmbimi e gjaknxehtësia, si dhe nga cektësia për trajtimin e ngjarjeve në marrëdhënie me të tjerët. U jep shumë rëndësi, vërejtjeve e kritikave që i bëjnë Idajeti dhe Jazo, duke i cilësuar gjithmonë si tendencioze, dhe e ka shumë të rëndë të kritikohet nga titullari në sy të tyre.
Është inatçi dhe ka shfaqje të mendjemadhësisë e mbivlerësimit të vetes, që i është kultivuar dhe për faktin se është i vetmi në përfaqësi, që zotëron gjuhën turke, njeh mirë vendin, si dhe ndjek problemet me vlerë operative.
Gjithashtu titullari i mëparshëm por edhe ky që është tani, ja kishin dhe ja kanë shumë nevojën. E dëgjon shumë gruan, dhe nuk i pret mirë kritikat që i bëjnë shokët komunistë asaj, si anëtare partie. Me gjithë këto ai, është punëtor dhe ka përballuar peshën më të madhe të punëve të përfaqësisë me karakter legal dhe ilegal.
Tregohet i papërtuar dhe është rezultativ në punë. Të influencuar dhe nga këta, duke pasur dhe boshllëqe në formimin e tyre, janë futur në këtë rrugë dhe Zhaneta Proko, e shoqja e Jorgos, Kadrie Manaj, e shoqja e Jazos, dhe Anesti Ninka, shoferi i Konsullatës, që të tre komunistë.
Por përgjegjësia e tyre është e një shkalle të vogël. Mendojmë se për thellimin e familjaritet dhe ndarjes në dy krahë të organizatës dhe kolektivit, kanë përgjegjësinë e tyre dhe shokët Ali Ymeri, për kohën që ka qenë në Stamboll dhe tani, Rakip Hoxha. Shokët i kanë kapur këto ngjarje dhe i kanë bërë problem. Por më shumë janë përpjekur t’i zgjidhin vetë përbrenda.
Nuk i kanë vlerësuar si duhet dhe nuk i kanë çuar deri në fund, pa njoftuar në kohë Komitetin Qendror dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Përveç kësaj, duket edhe kërkesa e llogarisë në rrugë shtetërore, ndaj shkeljeve e lëshimeve të këtyre shokëve nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Për rrjedhim ka pasur raste kur vartësit jo vetëm që nuk kanë zbatuar detyrat e dhëna, por edhe u janë kundërvënë shokëve, duke lëshuar romuze ofeza. Memorie.al
30.5.1977
Zija Koçiu, Haki Keta
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016