Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe të rrallë të Thoma Dardelit me origjinë nga fshati Muzinë i Sarandës, i cili në vitin 1952 përfitoi një bursë shtetërore nga qeveria shqiptare për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Mjekisë së Budapestit, ku gjatë ngjarjeve të tetorit të vitit 1956, që nga ana e historiografisë dhe propagandës zyrtare të regjimit komunist të Enver Hoxhës, është njohur si “Kundërrevolucioni hungarez”, ai morri pjesë aktive në protestat antikomuniste që u inspiruan nga Klubi “Petef” dhe Kardinali Mindcenti, ku dhe u plagos nga një ushtar rus që e goditi me bajonetë në pjesën e shpatullës. Dëshmitë e rralla të Thoma Dardelit, për të gjitha ngjarjet e Hungarisë së vitit 1956, ku ai së bashku me rreth 70 studentë të tjerë shqiptarë ndiqnin studimet e larta dhe specializimet, si dhe kthimin në atdhe, ku për shkak edhe të qëndrimit të tij në ato ngjarje, ai do të vuante plot 21 vite burg politik!
Gjatë një vizite zyrtare që Presidenti i Hungarisë, Arpadi Genz, bëri në Shqipëri afro 25 vite të shkuara, përveç agjendës së tij protokollare, ai rezervoi dhe një pritje të gjatë ku bashkëbisedoi përzemërsisht me një mjek shqiptar që kishte ardhur ato ditë nga qyteti i Shkodrës, ku banonte prej vitesh. Edhe pas atij bashkëbisedimi që Presidenti i Hungarisë bëri me mjekun shqiptar, ai do të mbante përsëri atë pranë vetes në shumë takime të tjera që ai zhvilloi me zyrtarët e lartë të shtetit, duke u’a prezantuar ai funksionarëve shqiptarë bashkatdhetarin e tyre, si një mik personal, të cilin disa kohë më vonë shteti hungarez do ta vlerësonte me medaljen e lartë “Hero i Lirisë”. Po kush ishte ai mjek dhe në ç’rrethana ishte njohur dhe ishte bërë mik i presidentit hungarez?! Lidhur me këto dhe të gjithë historinë tragjike të tij, do njihemi në këtë shkrim nëpërmjet dëshmive të tij të dhëna ekskluzivisht për Memorie.al
Nga Tirana në Budapest
Thoma Dardeli u lind në fshatin Muzinë të rrethit të Sarandës në vitin 1932 dhe pas djegies së fshatit në kohën e Luftës, ai u detyrua të largohej nga vendlindja e tij dhe të vendosej në Tiranë, pranë babait të tij Anastasit, që kishte ardhur më përpara në kryeqytet, duke u marrë me punë të vogla për të siguruar jetesën. Mbarimi i Luftës në fundin e nëntorit të ’44-ës, e gjeti familjen Dardeli në një dhomë të vogël jo shumë larg qendrës së Tiranës në veri të saj. Pasi mbaroi arsimin shtatëvjeçar, Thomai u regjistrua në Teknikumin Mjekësor të Tiranës, të cilin e mbaroi në vitin 1951. Ministria e Arsimit i akordoi atij një të drejtë studimi, për në Fakultetin Mjekësor të Budapestit në Hungari. Në atë kohë, në bazë të një marrëveshje që kishte arritur qeveria shqiptare, në drejtim të kryeqytetit hungarez shkuan rreth 70 studentë shqiptarë për të studiuar në degë të ndryshme, ku 30 prej tyre ishin për specializime. Lidhur me këtë, Thoma Dardeli kujton: “Kur vajtëm në Budapest, ne pamë se atje ishte një jetë tjetër që s’mund të krahasohej me jetesën në Shqipërinë tonë të varfër. Për Hungarinë kisha lexuar në libra, që ekonomia e zhvilluar atij vendi dhe niveli lartë i jetesës, ishte më i lartë nga të gjitha shtetet të Lindjes Komuniste. Nisur nga ky fakt, ajo shfrytëzohej në maksimum nga sovjetikët, që ishin prezent kudo në Hungari, në të gjithë sektorët jetik. Trena të shumtë vinin bosh nga Rusia dhe ktheheshin atje plot me mallra. Neve na ishte thënë se Hungaria ishte çliruar nga Ushtria e Kuqe e Stalinit, por kjo nuk ishte krejt kështu. Hungarezët na thonin se Ushtria e Kuqe, ‘më tepër na ka grabitur e përdhunuar, se na ka çliruar”, tregon Dardeli për ditët e para kur shkoi në Hungari dhe ato që kishte lexuar apo u tregonin, për atë vend ku pati fatin të studionte.
Si nisi Revolucioni Hungarez?
Lidhur me realitetin që u ndeshën studentët shqiptarë kur shkuan për herë të parë në Hungari në fillimin e viteve ’50-të, Thoma Dardeli kujton: “Populli hungarez asokohe ishte shumë i pakënaqur me prezencën ruse që komandonte gjithçka. Në të gjitha qytetet kishte reparte ushtarakë ruse, të cilët jetonin dhe ishin të pajisur me mjete shumë më të mira se vetë hungarezët. Duke u nisur dhe nga historia midis këtyre dy popujve, hungarezët nuk kishin ndonjë konsideratë të mirë për rusët, pasi ata në vitin 1848, kishin shtypur revolucionin hungarez, duke ju ardhur në ndihmë austriakëve. Në shtypjen e atij revolucioni që kishte si udhëheqës shpirtëror poetin e madh Petef Shandor dhe që kryesohej prej Ben Jozhef e Koshut Lajosh, rusët kishin pushkatuar 13 gjeneralët më të mirë të Hongarisë. Nisur dhe nga një farë lirie fjale e shprehje që asokohe në Hungari ishte më e madhe se në shtetet e tjera të lindjes, inteligjenca hungareze u bashkua rreth klubit “Petef” (Poeti Kombëtar i Hungarisë dhe inspirues i Revolucionit i vitit 1848), që u krijua prej një elite intelektualësh, për t’iu kundërvënë prezencës sovjetike në Hungari, që jetonin në kurriz të popullit hungarez. Krijimi i klubit “Petef”, erdhi pasi në Bashkimin Sovjetik u mbajt Kongresi i XX-të, ku dhe u godit fillimisht kulti i individit dhe personalisht figura e Stalinit. Në këtë kontekst të zhvillimeve politike në Bashkimin Sovjetik, rreth klubit “Petef” u bashkuan personalitete të kulturës së artit dhe të politikës, të cilët mbanin fjalime të ndryshme në mbështetje të politikës liberalizuese që filloi të ndiqte Hrushovi, asokohe. Pas këtyre, aty filloi një lëvizje ku në krye të saj u vunë intelektualët dhe studentët, të cilët u organizuan dhe filluan t’i drejtonin qeverisë kërkesa politike. Ato kërkesa synonin largimin e Ushtrisë Ruse nga Hungaria, pavarësinë e plotë të saj dhe liritë shkollore, pa dallim klasor e politik. Në kuadrin e politikës liberalizuese që ndiqnin hrushovianët, nga kreu i shtetit hungarez ishte larguar tashmë Rakosh, si komunist fanatik dhe në vend të tij kishte ardhur Gerr Erne, që njihej si më moderator e liberal. Më 23 tetor të vitit 1956, si pasojë e heshtjes së Qeverisë ndaj kërkesave të klubit “Petef”, filluan protestat masive. Atë ditë, nga Beogradi ku kishte shkuar për të takuar Titon (pas rehabilitimin që i bëri Hrushovi) u kthye në Budapest delegacioni qeveritar i kryesuar nga Kryeministri Hegedus Andras. Delegacioni qeveritar i porsa ardhur nga Jugosllavia, e gjeti situatën tepër të ndezur, dhe kryeministri Gerre, mbajti një fjalim në Radio-Budapesti, me qëllim që të qetësonte situatën dhe i’u bëri thirrje protestuesve që të shkonin në shtëpitë e tyre”, kujton Dardeli lidhur me situatën politike dhe social-ekonomike të Hungarisë së asaj kohe, kur ai dhe rreth 70 shqiptarë të tjerë, ndodheshin me studime atje.
Dardeli: “Si u përlesha me rusët në protesta…”?!
Lidhur me fillimin e ‘Revolucionit hungarez’ kundër rusëve, ish-studenti shqiptar që u ndodh në Budapest në “zemrën e revoltës” antikomuniste, kujton: “Pas fjalimit në Radio të Gërreje, turmat e protestuesve, jo vetëm që nuk u kthyen në shtëpi, por i intensifikuan më shumë ato, të cilat u bënë më të shpeshta dhe më të mëdha, duke u shtrirë përveç Budapestit, edhe në qytete të tjera, si në Seget, Gjerr, etj. Demonstratat më të ashpra, u zhvilluan në ndërtesën para Parlamentit dhe përpara godinës së Radios. Në atë grup të madh protestuesish që ishin para Radios shtetërore të Budapestit, isha dhe unë që kisha ndjekur që nga fillimi protestën e klubit “Petef”. Nga ana e protestuesve që qëndronin para Radios, ku më shumë ishin studentë, kërkohej që një grup të hynte në Radio dhe të lexonte një peticion, gjë e cila u refuzua dhe më pas aty ndërhynë në forca të mëdha ushtarake që shpërndanë me forcë protestuesit. Gjatë ndërhyrjes së Ushtrisë për shpërndarjen e protestave, pati përleshje midis nesh dhe atyre, ku në një prej tyre, unë u godita me bajonetë nga një ushtar rus, (në anën e majtë të kurrizit, poshtë shpatullës), ku më rrodhi shumë gjak. Pas kësaj goditje, u ngrita me vështirësi dhe hyra në një shtëpi aty pranë, që të merrja veten nga dhimbjet. Në atë shtëpi unë isha krejt i vetëm dhe njerëzit e saj me shumë dashamirësi më ndihmuan për një mjekim paraprak të plagës dhe më dhanë kurajo, kur e morën vesh se unë nuk isha nga vendi i tyre, por nga Shqipëria, për të cilën ata pak kishin dëgjuar asgjë. Gjatë kohës që unë qëndroja në atë familje ashtu i plagosur, shikoja rrugën kryesore pranë hotelit “Astoria”, ku po vinte një autoblindë në ndihmë të ushtarëve që ruanin godinën e Radios. Ajo autoblindë u kthye mbrapsht, për arsye se aty hipën protestuesit dhe morën kontrollin e drejtimin e saj. Në këto momente, unë dola nga shtëpia ku isha strehuar dhe u afrova te një turmë e madhe protestuesish, ku përmbysëm një tramvaj, për të bërë të mundur bllokimin e një rruge. Që me fillimin e revoltave antisovjetike, nga ana e ambasadës sonë në Hungari prej ambasadorit Bato Karafili, na kishte ardhur një urdhër, ku thuhej prerë që të gjithë studentët shqiptarë, të mos përziheshin në ato protesta, por të qëndronin në konvikte. Këtij urdhri i ishin përgjigjur pothuajse të gjithë studentët. Pas përmbysjes së tramvajës, bashkë me shumë protestues të tjerë hipëm në një makinë dhe po shkonim në drejtim të qendrës së qytetit. Ndërkohë shikonim se shumë ushtarakë dorëzonin armët e kapelet, duke thënë se nuk luftonin më. Bashkë me disa protestues, edhe unë shkova në kazermën ushtarake “Kilian”, afër kinemasë “Corvin”, për të kërkuar armë, por aty nuk gjetëm gjë. Pasi dolëm prej andej, u drejtuam nga sheshi “Dozha Gjergj”, ku ishte monumenti i Stalinit. Aty një turmë e madhe protestuesish, i kishte hedhur monumentit një kavo në pjesën e qafës, duke e tërhequr atë, por ai nuk binte. Më pas, dikush afroi nja saldatriçe dhe e preu te pjesa më e hollë, që ishin çizmet dhe monumenti që peshonte afër 10 ton, ra përmbys në tokë. Pas rrëzimit të monumentit, protestuesit e lidhën me një kavo pas një makine dhe filluan t’a tërhiqnin zvarrë, nëpër rrugët e Budapestit. Pas makinës që tërhiqte monumentin, u bë një autokolonë e gjatë automjetesh. Unë munda të hipja në njërën prej tyre dhe pasi përshkuam disa km. nëpër rrugët e Budapestit, ndaluam te sheshi Teatrit Kombëtar, pas kinema “Gorkit”. Pas copëtimit të monumentit, ku shumë protestues nxitonin të shkëpusnin ndonjë copë, unë bashkë me disa studentë të tjerë, shkuam në konvikt dhe aty filluam të përgatisnim afishe të ndryshme me përshkrime, ku thuhej: “Poshtë rusët”. “Rusë, shkoni në shtëpitë tuaja”, “Poshtë komunizmi”. Kur po shkruanim ato, unë u ngarkova që: me bojë të kuqe, të nënvizoja pjesët më kryesore të parullave, të cilat më pas ne i ngjitëm në rrugë të ndryshme e sheshe të Budapestit. Pas mbaruam punë, unë bashkë me disa shokë të mi student, shkuam në spitalin pranë sheshit “Bakaç” (Rajoni 9.), sepse në atë spital, kishte shumë protestues të shtruar nga plagët e marra në protesta. Por përveç protestuesve, aty kishte dhe shumë pjesëtarë të forcave qeveritare, komunistë, ushtarakë sovjetik etj. Në atë spital unë shërbeva për tre ditë me radhë, duke ndihmuar sado pak në urgjencat e shumta që vinin aty. Bashkë me mua ishte dhe një shoqja ime e kursit, (Tot’h Ilona), e cila më vonë, pas shtypjes së Revolucionit nga Ushtria Ruse, u pushkatua me akuzën se kishte ndihmuar në vdekjen e shumë ushtarëve rusë, duke i injektuar benzinë në vend të ilaçeve. Kjo akuzë ishte e sajuar, pasi shoqja ime, Ilona, as nuk e kishte shkuar në mënd një makabritet të tillë. Ndërkohë, ushtria hungareze nuk mori pjesë në shtypjen e revoltave antikomuniste dhe protestuesit u përballën vetëm ushtarët rusë që gjendeshin në Hungari, si dhe forcave të Ministrisë së Punëve të Brendshme e shërbimeve sekrete të saj. Pas rënies së qeverisë hungareze komuniste të kryeministrit Gerr Erne, fuqinë e mori kryeministri i ri, Imre Nagi, i cili u bë simbol i ‘Revolucionit Antikomunist’, së bashku me Kardinalin Mindcenti, i cili pas shtypjes së revolucionit, u strehua në ambasadën amerikane. Qeveria komuniste hungareze ra si të ishte prej letre dhe rusët u tërhoqën. Ato ditë, unë në bisedoja me disa oficerë sovjetik, të cilët më thonin: Përse ne duhet të vijmë ta çlirojmë për herë të dytë Hungarinë?! Pas triumfit të Revolucionit, ndonëse nuk pati reprezalje ndaj komunistëve hungarezë, nëpër shtylla elektrike, pati shumë pjesëtarë të shërbimeve sekrete të varur, të cilëve ju ishte mbushur goja me monedha dhe në trupat e tyre të varur kokëposhtë, ishin vënë tabela, ku shkruhej: “Tradhtarë, shitët vendin tuaj për para”.
Kthimi në Tiranë pas “Kundërrevolucionit hungarez”!
Por si vazhduan më tej ngjarjet në Hungari dhe ç’ndodhi me studentët shqiptarë që asokohe ishin atje duke ndjekur studimet e larta? Lidhur me këtë, ish-studenti shqiptar, Thoma Dardeli, I cili që nga fillimi i viteve ’50-të ndodhej atje për studime në Fakultetin e Mjekësisë së Budapestit, kujton: “Më 4 nëntor të vitit 1956, rusët hynë me tanke në Hungari dhe e shtypën revolucionin, duke rimarrë nën kontroll të gjithë Hungarinë. Neve na erdhi një lajmërim nga ambasada shqiptare, ku thuhej se që të gjithë studentët shqiptarë, të linin konviktet dhe të grumbulloheshin në ambasadë. Pasi u grumbulluam të gjithë studentët shqiptarë aty, na hipën në makinat e Kryqit të Kuq Polak dhe më datën 12 nëntor, na nisën drejt Çekosllovakisë dhe ne shkuam në Bratislavë dhe Pragë. Bashkë me bagazhet e mia, unë kisha marrë me vete dhe tre filma aparati fotografik, ku kisha filmuar me aparatin tim gjatë demonstrative, si dhe disa nga afishet që i kisha të palosura, nga ato që kishim shpërndarë kundër rusëve. Pasi na mbajtën për dy javë në Çekosllovaki, na hipën në trena dhe prej andej shkuam në Linberg të Ukrahinës, Kiçnjev të Moldavisë, për të mbërritur më pas në Odesë, ku na hipën në anijen e madhe të transportit të udhëtarëve, “Bellostrov” nga ku udhëtuam për në Shqipëri. Në këtë udhëtim të gjatë, pa hyrë në ngushticën e “Dardaneleve” nga një stuhi e madhe shpëtuam për mrekulli, pasi anija për pak rrezikoj të mbytej. Udhëtimi i gjatë përfundoi me datën 5 dhjetor 1956, kur anija “Bellostrov” mbërriti në portin e Durrësit”. Me të mbërritur në Tiranë, mua së bashku me shokun tim Ramadan Muço, na thirrën në Ministrinë e Arsimit dhe zv / ministrja Qibrie Ciu, duke na bërë presion na tha: Ju të dy keni qenë pjesëmarrës të ‘Kundërrevolucionit hungarez’. Ndërkohë kur nuk kishin kaluar shumë ditë pasi ishim thirrur në Ministrinë e Arsimit, ku na lajmëruan të paraqiteshim në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, (te “Selvija”) mua bashkë me dy shokë të tjerë studentë. Aty u morëm në pyetje nga Nevzat Haznedari, i cili na thoshte të tregonim të gjitha, se çfarë kishim parë, si kishim parë dhe si kishim vepruar gjatë kohës së ‘Kundër revolucionit’. Natyrisht që ne nuk treguam se kishim marrë pjesë vetë në ato protesta dhe Haznedari, pasi na mbajti disa orë aty, na la të lirë, duke na porositur se: po të na kujtohej ndonjë gjë tjetër, të shkonim përsëri për të rrëfyer. Pasi u largova nga Drejtoria e Brendshme, shkova menjëherë në shtëpi dhe i dogja të tri filmat e aparatit fotografik, bashkë me afishet që kisha sjellë me vete nga Hungaria. Ndërkohë jeta vazhdoi e qetë pa na thirrur më në Drejtorinë e Punëve të Brendshme dhe atë vit unë dhashë katër provimet që më kishin mbetur pa dhënë në Hungari dhe morra diplomën së bashku me studentët që titulloheshin si mjekë për herë të parë në Shqipëri, nga Universiteti i Tiranës”, përfundon Dardeli dëshminë e tij, lidhur me aventurën në kryeqytetin hungarez, Budapest, ku ai ishte “përzier” me protestuesit në revoltat antikomuniste në atë ngjarje që gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, njihet ndryshe si “Kundër revolucioni Hungarez”!
Arrestimi në Berat dhe dënimi me 18 vite burg
Pas diplomimit si mjek në Fakultetin e Mjekësisë së Tiranës, Thoma Dardeli u dërgua të punonte në Fushë – Arrëz të rrethit të Pukës, ku asokohe ai ishte i vetmi mjek i diplomuar në të gjithë rrethin, pasi kishte bërë më parë tri muaj praktikë në spitalin e Shkodrës. Pas disa kohësh pune në qytezën e Fushë-Arrëzit, në fillim të vitit 1958, Dardelin e transferuan që andej dhe e dërguan të punonte si mjek në qytetin e Beratit. Pas katër vitesh pune në Berat si mjek, në 1962-in, Thoma Dardeli u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, nën akuzën e “agjitacionit dhe propagandës, si dhe ndikimin e ‘Kundërrevolucionit Hungarez”. Bashkë me Dardelin, u arrestuan edhe dy persona të tjerë, (Islam Spahiu dhe Vangjel Kule), të cilët u quajtën “grup armiqësor” dhe kryetar i tyre, ishte Thoma Dardeli! Arrestimi i tij erdhi pasi nga ana e Sigurimit të Shtetit, ishte marrë i gjithë informacioni i nevojshëm për qëndrimin e tij në Hungari, në mbështetje dhe pjesëmarrje në protestat antikomuniste. Pas gjyqit të zhvilluar në qytetin e Beratit, mjeku i ri Dardeli, u dënua me 18 vite burg, të cilat ai i vuajti në Vlorë, Rubik dhe Laç, ku asokohe ndërtoheshin vepra të mëdha industriale. Edhe gjatë vuajtjes së dënimit në kampet e punës së detyruar, në periudha të ndryshme, Dardeli ushtroi profesionin e mjekut, ku bashkëvuajtësit e tij e kujtojnë dhe e mbajnë mënd, si ndër të vetmit mjekë të dënuar, që ngriti infermieritë vetëm për të dënuarit dhe që u jepte atyre raporte mjekësor, sipas aftësive fizike të tyre. Dardeli e përfundoi vuajtjen e dënimit më 12 mars të vitit 1970, duke u liruar nga Kampi i Belshit, pasi kishte fituar disa vite ulje dënimi me punë dhe pak vite me amnistitë e dhëna gjatë atyre viteve.
Arrestimi i dytë në rrethin e Tepelenës
Pas daljes nga burgu, në vitin 1972 Dardeli caktohet për të punuar si mjek në rrethin e Tepelenës dhe po atë vit, ai krijoi familje, duke u martuar me Gjystina Pjetër Shestani, nga qyteti i Shkodrës, e cila ishte një vajzë e re që në rrethin e saj familjar, kishte disa të dënuar politikë, ku më kryesori ishte Dom Zef Shestani, një nga klerikët katolikë që I veshur me veladonin e priftit kishte luftuar me armë në dorë kundër komunistëve gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1943-‘44. Në rrethin e Tepelenës, Dardeli morri me vete dhe bashkëshorten e tij dhe gjatë asaj kohe, ai kishte në patronazh rreth 22 fshatra, ku bënte edhe punën e infermierit, dentistit dhe mjekut të përgjithshëm. Megjithëse ai në ato fshatra ku punoi kishte një opinion shumë të mirë, si një mjek human dhe i palodhur, hija e “armikut të popullit”, nuk do t’i ndahej lehtë. Kështu, në vitin 1975, Thoma Dardeli u arrestua përsëri nga ana e Sigurimit të Shtetit, nën akuzat “ka dhënë leje shtatzënie për një grua, më shumë se i takonte dhe ka marrë ryshfete nga të sëmurët, gjysëm litri raki dhe një tufë çaj”, gjë për të cilat u dënua me tre vite heqje lirie. Vuajtjen e dënimit e filloi me 18 shtator 1975 dhe e përfundoi në korrikun e vitit 1978. Pas daljes nga burgu i dytë, Dardeli u kthye në Tiranë, por pa pasur asnjë mundësi banimi, pasi shtëpinë që kishte aty, i’a kishte marrë shteti. I mbetur pa asnjë strehë, një njeri i afërm i bashkëshortes së tij, Gjystina Shestanit, u liroi një dhomë të vetën në qytetin e Shkodrës për të jetuar së bashku me bashkëshorten. Në qytetin e Shkodrës, Dardeli u caktua që të punonte në një nga zonat më të thella të rrethit, siç ishte Mnela, një fshat në kufi me rrethin e Mirditës dhe Pukës. Edhe në këtë zonë të thellë të rrethit të Shkodrës, ai punoi me përkushtim dhe humanizëm për t’ju ardhur në ndihmë fshatarëve të zonës, por as aty nuk do të kishte qetësi nga organet e Sigurimit të Shtetit, pasi u vu në ‘shënjestër’ për t’u goditur dhe arrestuar. Kështu, në muajin korrik të vitit 1981, në fshatin Mnelë u organizua një mbledhje e madhe ku merrnin pjesë edhe të deleguar nga Shkodra, ku organet e partisë dhe pushtetit kishin mbledhur të gjithë popullin, për të demaskuar publikisht mjekun Thoma Dardeli, “si njeri që ishte kundra Partisë”. “Ai dëgjon radion në shtetet e huaja”, “Doktori na thotë, mos i çoni bagëtitë në kooperativë, se keni për të cof për buk”, ishin disa nga akuzat që kishte ‘inspiruar’ Sigurimi i Shtetit për mjekun e fshatit që kishte mbi vete edhe dy dënime politike me burgime të gjata. Pas këtij “demaskimi” dhe atyre akuzave, Dardeli priste arrestimin e dhe burgun e tretë, por që fatmirësisht nuk ndodhi, pasi dikush në Shkodër kishte thënë: “Lëreni me aq, pasi nuk kemi mjek tjetër për të dërguar në atë zonë të largët…”. Kështu, pas kësaj, Thoma Dardeli, ish-student i Fakultetit të Mjekësisë së Budapestit që pedagogët e tij dikur e thërrisnin “koleg”, mbylli aty në atë zonë karrierën e tij si mjek, pa përfunduar sërish në burgjet e regjimit komunist. Në vitet që pasuan, ai me bashkëshorten, Gjystina Shestani, i’u përkushtuan familjes dhe me shembjen e regjimit komunist, mundi që të realizonte ëndrrën e tij, për shkollimin e dy fëmijët jashtë shtetit (djali dhe vajzë, u diplomuan në Itali, përkatësisht në Drejtësi dhe Mjekësi), si dikur ai vetë. Edhe pse tashmë në moshën 90-vjeçare, Thoma Dardeli, vazhdon të shkruaj libra me kujtime, duke qenë një “dëshmi e gjallë” e atij regjimi, që i privoi vitet më të bukura të jetës atij dhe mijra e mijra shqiptarëve të tjerë që si ai vuajtën në burgje dhe internime./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016